Rafaela Prifti/
Koreografi profesionit shqiptar me karrierë prej tri dekadave Ramazan Këllezi e ‘ka gjetur veten’ në Kanada. Pasi emigroi atje në fillim të viteve 2000, ai u kthye në Shqipëri në 2004, por në fund të asaj dekade erdhi përsëri në Ontario ku sot jeton me familjen. Në bisedë me Diellin, nismëtari dhe drejtuesi i grupit Shqiponjat e Vogla flet për emigracionin, balerinat soliste shqiptare, projektin për një qendër komunitare në Ontario, Ministrinë e Diasporës etj. Për një profil të zgjeruar lexoni intervistën.
Kjo është biseda juaj e parë me Diellin por emri Ramazan Këllezi si edhe krijimtaria juaj si koreograf profesionist janë të njohura për adhuruesit e baletit dhe valles shqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë edhe pas emigrimit në Kanada.
E vërtetë, është e para bisedë dhe ndjehem i privilegjuar të bisedoj me Diellin. Ju falenderoj sinqerisht për përzgjedhjen. Si profesionist, kam një karrierë të gjatë në Shqipëri. Pas diplomimit me rezultate të shkëlqyera në Akademinë e Arteve të Bukura, në sajë të etikës së punës e disiplinës që më karakterizon u emërova Drejtor i Akademisë së Dancit e njohur si Shkolla e Baletit. Në sajë të këmbënguljes sime në shtator të vitit 1994 arrita të shkëpus Degën e Koreografisë e cila deri atëherë ishte pjesë e Liceut Artistik në Tiranë. Për të parën herë Dega u mëvetësua dhe arriti statusin e shkollës. Unë u emërova dhe isha Drejtori i parë zyrtar i saj deri në 1998, periudhë gjatë të cilës shkolla pati profil veçanërisht aktiv dhe të suksesshëm. Pas emigrimit në Kanada realizova kontaktet e para me Shoqatën e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze dhe menjëherë ju përvesha punës për krijimin e grupit “Shqiponjat e Vogla” i cili tashmë shënon 12 vite pune e suksesi.
Si emigrant në Kanada ju thoni se koreografia është profesion i rrallë aty por gjithashtu pohoni se e “keni gjetur veten”. Shumë profesionistë që largohen nga Shqipëria përjetojnë ‘humbjen’ e zanatit të tyre. Cila është përvoja dhe nisma juaj për grupin Shqiponjat e Vogla, me fëmi të moshave të reja.
Po, e them pasi kjo është e vërteta. Ka profesione këtu në Kanada që edhe pse janë aq të kërkuara ose të rralla është e vështirë t’i arrish. Në rastin tim, unë vërtet i jam përkushtuar mësimit të valles popullore për komunitetin e Torontos vullnetarisht, por kjo nuk më siguron të ardhura për ta përballuar jetesën, vetëm më ngroh shpirtërisht dhe më mban gjallë artistikisht. “Shqiponjat e Vogla” janë pjesëmarrës në një sërë aktivitetesh në Kanada, SHBA por edhe në Europë. Vitin e kaluar në Festivalin Internacional në Stamboll të Turqisë u vlerësuam me medaljen e Festivalit nga juria. Pjesëmarrja në Festivalet e Komuniteteve shqiptare në Nju York, Florida, Miçigan, si edhe në Toronto, Hamilton, London, Montreal ka edhe vlera të shtuara emocionale.
Si Drejtues i grupit të valleve Shqiponjat e Vogla, ju jeni në vazhdën e përgatitjes së brezave të valltarëve. Shumë studentë shqiptarë të shkollës së atëhershme janë sot balerina dhe balerinë solistë shqiptarë në skenat botërore. Si e shpjegoni ju faktin se ndonëse shkolla në përgjithësi kishte kufizimet e imponuara të sistemit të kaluar dhe më pas vështirësitë e tjera, niveli dhe suksesi i diplomantëve të saj arriti kalibret botërore?
Realisht gjatë asaj periudhe janë përgatitur shumë breza balerinesh. Disa prej tyre janë sot balerinë të respektuar e të vlerësuar në botë si Kledi Kadiu, Anbeta Toromani, Ilir Shaqiri, Eno Peçi, Danilo Zeka, Helga Sarçi, Enada Hoxha, Gentian Deda etj. Shkolla e Baletit mban statusin e shkollës Kombëtare pasi është e vetme në llojin e saj dhe programi mbi të cilin është ngritur ka qenë modeli i shkollës ruse mbështetur në metodën Vaganova, tepër i suksesshëm edhe në Rusi. Pedagogët tanë Docent Skënder Selimi, Artist i Popullit Panajot Kanaçi, Artist i Merituar Agron Aliaj, Ganimete Vendresha, Petrit Vorbsi, Zoica Haxho, Xhemil Simixhiu, Mukades Erebara, Luan Shtino etj i kryen studimet në Moskë dhe sollën prej andej këtë metodë profesionale. Nga periudha e gjatë e izolimit të gjithë brezat që kontribuan në këtë shkollë ruajtën me fanatizëm atë që u ofrua në vitet ’60. Kjo padyshim dha rezultatet e saj në formimin e balerinëve të talentuar e suksesshëm.
Familja Këllezi është nga familjet më të vjetra dhe të nderuara të Tiranës. Ju mbartni atë emër kudo ku jeni. Cila është dinamika midis vendlindjes dhe vendit të adoptuar?
Ju faleminderit për këtë pyetje për të cilin gjithmon ndihem krenar. Familja Këllezi është vërtet e madhe dhe një nga më autoktonet në Tiranë. Banorët tiranas sapo e dëgjojnë mbiemrin Këllezi nuk pyesin më gjatë. Ne punojmë dhe japim kontributin tonë në të gjitha sferat dhe profesionet kështu që njohja e familjes dhe kontaktet janë të gjithmonë të pranishme. Ajo që na bën të mbajmë kokën lart është qytetaria e trashëguar në breza si emërues i përbashkët për çdo anëtar të familjes sonë pavarësisht ku jeton apo punon. Kjo është dinamika që nuk ndryshon dhe na bën të jemi të suksesshëm kudo.
Nga përvoja juaj ju keni parë periudha të ndryshme të emigracionit shqiptar kanadez, duke qenë se keni shkuar nga Shqipëria në Kanada në fillim të viteve 2000, dhe jeni kthyer në Shqipëri në 2004. Por në fund të asaj dekade erdhët përsëri në Kanada dhe prej atëhere jetoni në Ontario me familjen tuaj, bashkëshorten dhe pesë fëmijët. Çfarë do të thotë kjo për emigrantët?
Po, është e vërtetë, ne kemi ardhur në Montreal në maj 2000 dhe u kthyem në Shqipëri pas 4 viteve me idenë se gjërat ishin sistemuar, por ishte vetëm një iluzion që na kushtoi 6 vite larg Kanadasë. Kur u kthyem këtu gjetëm të njëjten situatë, të njëjtat kërkesa për çdo profesion ose shkollim për profesionin që përzgjedh që quhet “skills for change”. Natyrisht bashkëshortja ime dhe unë zgjodhëm shkollimin që na sigurojë shumë shpejt punën ku jam i angazhuar tani si Manaxher Pallati.
Ju keni qenë zëdhënës, zëvendëskryetar dhe pastaj kryetar i Shoqatës së Bashkësisë Shqiptare Kanadaze në Ontario, ku banon komuniteti më i madh i shqiptarëve. Miratimi nga Parlamenti i Ontarios i Nentorit si muaji i Trashegimise shqiptare ishte nisma juaj.
Sapo u riktheva në Kanada në vitin 2010 u bëra pjesë e Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro Kanadeze këtu në Toronto – një prej shoqatave më të vjetra që e vazhdon aktivitetin në shërbim të komunitetit shqiptar më të madh në Kanada. Tre vitet e fundit kam qene President i kësaj shoqate me aktivitete të shumta dhe cilësore. Gjatë vitit 2016 kemi këmbëngulur dhe realizuar edhe 5-6 aktivitete në muaj kryesisht në Parlamentin e Ontarios për të bërë të mundur miratimin me ligj të shpalljes së muajit Nëntor – Muaji i Trashëgimisë së Shqipëtarëve në të gjithë Ontarion. Dhe kjo u arrit në sajë të punës së madhe dhe mbështetjes nga bordi i Shoqatës, përkushtimit nga anëtarët, kontributit të pakufishëm të znj. Laura Albanese, ish-Ministre e Emigracionit për Ontarion si edhe efektin e trupës së valleve “Shqiponjat e Vogla” në prezantimin live të kostumeve popullore, në vallet e krahinave të ndryshme përpara deputetëve në Parlamentin e Ontarios.
Qendra komunitare “Shtëpia e Shqiptarit”. A ka ecuri kjo nismë e shoqatës që nisi kur ju ishit Kryetar i saj?
Ideja e Shtëpisë së Shqiptarit u miratua edhe grupi i punës vendosi ta paraqiste projektin në komunitet. Në tetor 2017 u arrit një sukses i pamenduar në sigurimin e shumave të mëdha financiare nga bizneset shqiptare që u treguan të gatshëm të mbështesin këtë projekt kaq të rëndësishëm për komunitetin tonë. Kishte vështirësi pasi projekti dhe blerja e truallit kushtojnë shumë. Më kujtohet se në vitin 2018 në mos gabohem erdhi për një vizitë ish-Ministri i Diasporës së Shqipërisë Pandeli Majko. Ne shpresuam se shteti do na ndihmonte sadopak në realizimin e këtij projekti por ndodhi e kundërta. Jo ndihmë që nuk patëm por na krijojë një situate mosmarrveshje në shoqatë që kurrë më parë nuk e kishim eksperimentuar dhe mbi të gjitha mori idenë tonë dhe e shpërndau si të “tijën” në gjithë komunitetet shqiptare në Europë a Amerikë. Fatkeqësisht prej asaj kohe ideja për ndërtimin e saj filloi të zbehej dhe tashmë nuk flet asnjë për këtë projekt.
Në karrierën tuaj shihet se keni aftësi të jeni nismëtar dhe realizues i disa nismave, si gjatë kohës kur ishit drejtues i Shkollës së baletit në Tiranë krijimi i Ansamblit “Të Rinjtë e Bashkësisë së Tiranës” me jetëgjatësi 15-16 vjeçare në Shqipëri, nisma për Muajin e Trashëgimisë Shqiptare në Ontario, grupi i valleve Shqiponjat e Vogla në 2011. A është karakteristikë e trashëguar?
Duket një aftësi e lindur e trashëguar ndoshta nga ime më. Natyrisht fëmijët e mi e ruajnë trashëgiminë. Djali im Dion është tenor i shumë veprimtarive të Sh.B.Sh.K në hapjen me himnin kombëtar dhe vajzat Uarda, Artes dhe Amber, me pasion dhe talent, janë “Shqiponjat e Vogla” që prej vitit 2011. Pra besoj se shprehja “Dardha bie nën dardhë” mbart një të vërtetë.
Në kujtimet tuaja ju keni përmendur ceremoninë e çmimit Oscar për Ramadan Sokolin nga IGF në 2004.
International Group Folk (IGF) është një organizatë profesoniale ku aderojnë shtete nga gjithë bota, të përfaqësuara nga një anëtar me kualifikimet e kërkuara. Unë pata privilegjin ta përfaqësoja Shqipërinë në IGF ku kam patur pozicionin e Sekretarit të saj. Në një nga takimet tona vjetore u vendos të vlerësohej një personalitet i shquar i vendeve anëtare me çmimin Oscar për folklorin dhe kontribute të dalluara studimore. Pati shumë propozime nga vende të ndryshme por komisioni përzgjodhi propozimin tim për Prof. Ramadan Sokolin, i cili ka vlera të veçanta qytetare, studimore dhe ka lënë pas materiale me vlera të jashtëzakonshme. Çmimi ju dorëzua vajzës së tij Artes Sokoli në një ceremoni me plot emocione dhe vlerësime për Shqipërinë.
Si Konsull i Shqipërisë në Romë në vitin 2007 a keni menduar se çfarë kanë të përbashkët koreografia dhe diplomacia?
Në këndvështrimin tim çdo profesion ka të përbashkëta me profesionet e tjera por ajo që lidh së tepërmi është puna mes njerëzve dhe komunikim me ta.
Cili apo cila ka qenë modeli juaj në jetë dhe në artin tuaj? Si ju përgjegjeni atyre që thonë se diaspora ka vetëm folklor?
Modeli i parë padyshim janë prindërit e mi, në profesion kam dy modele te tilla, i pari profesori im i valles në Pallatin e Pionerëve në Tiranë që më mësoi për 8 vite Prof. Abedin Metuli. Më pas pedagogu im i mrekullueshëm Dr. Sh. Skënder Selimi. Si në atdhe, edhe këtu në emigrim kam marrë vlerësime nga Shqipëria si Ambasador i Kombit nga qeveria Shqiptare në vitin 2019 si dhe Medaljen nga Presidenti i Shqipërisë me motivacionin “Për Merita të Veçanta Civile” në 2021 krahas shumë vlerësimeve nga shoqata e organizata këtu në Kanada. Ndihem i motivuar për të mbajtur gjallë artin tonë të mrekullueshëm në emigracion dhe për ta transmetuar atë tek brezat që vijnë. Çdo vend ka trupat e veta profesionsite dhe historikun e tyre por folklori është ai që na bën të dallueshëm prandaj artistët përpiqen ta ruajnë atë pjesë të kulturës sonë që është thellësisht shqiptare aq më tepër në një vend të huaj. Por ruajtja si edhe transmetimi duhet të jenë në nivel të lartë artistik. Kjo bën ndryshimin!
Çfarë është vallja për ju? Çfarë ka të veçantë një valle e koreografuar nga ju?
Vallja flet vetëm nëpërmjet lëvizjes dhe plastikës. Në realizimin e valles unë kërkoj elementet dhe motivet e trevës përkatëse. Kur arrin t’i përcjellësh ato në formë artistike dhe si pjesë e identitetit shqiptar, atëherë siç thotë shprehja “e ke fituar davanë”.
Falemnderit për bisedën dhe suksese!