Ramadan Pasmaçiu.*/
Shkurt jeta dhe vepra./
U lind në Berat, më 26 shkurt 1938. Shtatëvjeçaren e kreu në vendlindje. Pas mbarimit të shkollës së mesme, më 1957 vijoi studimet për gjuhën e letërsinë shqipe në Fakultetin histori–filologji.
Pas diplomimit, u emërua drejtor i shkollës në Shëngjergj të malësisë së Tiranës. Me pas punoi gazetar dhe u shqua si shkrimtar me botimin e një seri librash për fëmijë dhe të romaneve për të vegjël e të rritur.
Eshtë vlerësuar me disa çmime të para. Për romanin në katër vëllime “Udhëve të fëmijërisë”, mori çmimin e madh “Migjeni.” Por, gjatë veprimtarisë së vet, si shumë shkrimtarë të tjerë, ai u bë pre e përndjekjeve të fshehta e pabesive, deri sa e larguan nga revista “Yllkat”, e krijuar prej tij, dhe kështu mbeti pa punë. Pastaj emrin e këtij shkrimtari të dashur të fëmijve, u orvatën ta hiqnin, edhe nga librat shkollore. Pas vendosjes së demokracisë, krijimtaria e tij mori një vrull të ri. Me një prozë të përkryer në këto vite, ka botuar disa libra të nivelit të lartë ideo – artistik, në trajtimin e temave shoqerore dhe atdhetare, siç janë vëllimi me tregime “Lira”, “Xhaxhi Sili”, “Dashuria e Nënës”, “Mësuesja” “Maratonomaku”, “Kush rron duke Shpresuar”; romane, si “Përtej kohes”, “Shtjellat e Bardha”, “Flaka e Shpresës” etj. Ky roman me 640 faqe, është vlerësuar nga lexuesi i gjerë, nga historianë e shkrimtarë, ndër ta, Luan Malltezi e Sadik Bejko.
Më 2012 me rastin 100 Vjetorit të Pavarësisë, për krijimtarinë e tij të çmuar, Ramadan Pasmaçiu, meritoi titullin “Nderi i Qarkut të Beratit” dhe dekoratën “Mirënjohje e Prizrenit.”
Nëse dëshironi të shijoni ëmbëlsinë e bukurinë e shprehive të rrjedhëshme shqipe në nëndialekte, me tërë thesaret e saj, mbi njëqint vjet përpara në jug të Shqipërisë, i gjeni në romanin “Flaka e Shpresës.” Japim vetëm tri pjesë të zgjedhura.
—————
SHTEGTIMI I KARVANIT
I
Karvani me nëntë kuaj gjithësej, shpinte e binte njerëz në rrugën Berat-Janinë. Edhe ata të dy, Sefe Lara e Sifi Garunja, tok me shtatë të tjerë, ndofta, po shkonin për atje.
Qiraxhiu, xha Lazëmi, një burrë i thyer, po kockëfortë, i thinjur, fytyrëvrarë, vetullfshesë e me sy të vecërr, të egër, ishte fjalëpakë. Nuk lidhej në muhabet me udhëtarët, veç e ngiste kalin me vështrimin përpara, duke thithur çibukun thellë e duke e nxjerrë tymin me shtëllunga.
Atë ditë ai nuk e drejtoi karvanin nga ana e Drobonikut, që të kalonte në Gllavë, Ballaban, Këlcyrë e Tepelenë, por sa la pas Urën e Goricës, mori djathtas, për në Sinjë, për të dalë në Mallakastër.
Qiraxhiu, edhe pse ca si nursëz, qenkej njeri shpirtmirë e nuk sillej keq me udhëtarët! E ndalonte karvanin në çdo çesmë, a burim, që gjenin udhës.
“Pini ujë, freskohuni, mbushni dhe paguret!”- u thoshte- sikur ata të ishin të vegjël dhe duheshin mësuar.
Në një kurriz kodre mbi Hekal, u shfaqën befas ca xhandarë. Kishin bërë një postobllok në mes të rrugës. Njëri prej tyre një skërfyell i gjatë si shufër arixheshke, u foli ashpër: _Ku shkoni! Zbrituni kuajve!
Të gjithë u hodhën në tokë. Xha Lazëmi, që udhëhiqte, u doli përpara e i tha:
-Eshte karvani im ky. Ketë punë bëjë unë. Bie e shpie njerëz tutje-tu! Qiraxhi hesapi!
-Nga vini?
-Nga Fieri!
-Ku shkoni!
-Në Janinë!
-A, jo xhanëm!- Ai iu kthye udhëtarëve: I keni korçanet e kokës?
-Po qysh s’i kemi!
-E mora vesh! Po ç’dreq ju shtyn të shkoni deri në filifistun?
-Unë kam një mik atje dhe dua ta pjek!- tha burri lëkurëhollë që bezdisej udhës nga mizat.
-Po ti?- pyeti xhandari Sefen.
-Unë bashkë me këtë- ia ktheu Sefja duke treguar Sifin do vemi të porosisim ca mall për një saraç tonin!
-Edhe këtë e mora vesh! Po ndonjë armë të fshehur keni me vehte?
-E ç’na hyjnë në punë armët neve?- folën udhëtarët përzjerë.
-Mbylleni! Mjaft folët!- Ai iu drejtua prapë qiraxhiut- Tani qysh t’ia bejmë, që të vinë me ju edhe dy nga ne deri në Tepelenë?
-Ç’të them! Zotrote e shikon që kuajt janë zënë!
-Qepe dhe dëgjomë! Ky i holli të hipë në vithet e këtij kalit, tek është ky me pak bark! Kështu na lirohet një kalë! Edhe këta të dy hollakë janë, le të bëhen bashkë! Ja, de, kuna dalin dy kuaj të zbrazët!
-Punë që s’bëhet ajo, xhandar efendi! Më lodhen e më ngordhin kuajt ashtu!
-E po, kur e paske atë merak, e anavasim ndryshe ne! Dy nga ju të ecin në këmbë dhe të ndërrohen me shokët aty- këtu, sa të arrini Tepelenën!
Sefe Lara nuk i la rradhë qiraxhiut të fliste.-Iu afrua xhandarit dhe i tha si në vesh:
-Unë s’e kam për gjë të eci mbi opinga gjer ku thua zotrote! Edhe ky shoku im, do të bëjë si do të bëjë tok me mua! Ja merreni kalin tim dhe të këtij! Veç kam një merak!
Ca burra, që u këmbyen në Qafën e Koshovicës dje pas dite, na thanë të hapim sytë, se qenkan dukur komitë këndej! E ja, na dolën edhe neve! Ku t’ju fsheim? Me kokën s’bëhet shaka!
Xhandari mblodhi buzët, u rrudh e ia nguli sytë Sefes:
-Ore, jezit, i ke sagllam këto që thua ti, apo të stisura?
Sefa tundi kokën.
-S’jam nga ata unë! Nuk torolisem me xhandarin e dovletit, se ia kam taksur ymrin Padishahut që dhjetë vjeç!
I qofsha falë!
-Mirë, mirë, po bëj be njëherë, të të dëgjojmë!
-Për Shën Pjetrin!
-Kaur qenke!?
-Kaur, por me besë!
Xhandari e shikoi ngultas Sefen, heshti dhe iu afrua xhandarëve të tjerë. Seç bisedoi me ta me zë të ulët. Pas pak, erdhi e u foli të gjithëve me inat:
-Ikni, ikni! Thyeni qafën!
II
Grykën e Tepelenës, përfund mureve të Kalasë së Ali Pashës, karvani e kaloi qetë.
Ishin ende orët e para të mëngjesit dhe jo, veç që dielli s’kishte filluar të nxehet, po edhe nga lugina vinte një puhizë e lehtë dhe sa më s’bëhej e ëmbël.
-Po na shkoi mbarë, drekën do ta hamë në Virua, nën Gjirokatër! Eshtë mirë atje!- u tha udhëtarëve qiraxhiu.
-Ty të kemi të parë këtu e ti e di ç’bën!- ia ktheu Peçi.
Xha Lazëmit nuk i pëlqente ta lëvdoje, ndaj nuk i dha përgjigje Peçit. U koll nja dy herë dhe priu përpara pa folur.
Sa e lanë Tepelenën pas dhe dolën te Uji i Ftohtë, ai u ndal, i zbriti kalit dhe e ngriti zërin:
-Do ta bëjmë një shplodhje të shkurtër këtu, si thoni?
-E bëjmë, ore, poqysh!- iu përgjigjën udhëtarët gati me një gojë.
-Mos harroni të mbushni paguret, se s’kemi më ujë si ky përpara! Bëjnë edhe kafe në atë ngrehinën e vogël më të mëngjër! Edhe çorbë kanë, edhe paça, edhe mish të pjekur! Dëgjuat? Shkoni në daçi! Hani ndonjë gjë, po shpejt ama!
Ishte një vend i bukur shumë. Me hije e me fresk që ç’të thoshje! Degët e gjera të rrepeve të moçëm frynin për lezet. Fresku të shtynte të merrje frymë pa u ngopur. Hija e madhe-e madhe, sa edhe një tabor të tërë ushtarësh e përfshinte. Në një anë- fëshfëritja e gjetheve, në anën tjetër- gurgullima e ujit të akullt e të kulluar qelq, që lëshohej vrundull nga sipër! Lëre-lëre, të qepej goja nga magjepsja!
Peçi u shmpi, hapi krahët dhe e thithi ajrin me gjithë gjoks.
“O Zot, kur të më vijë ora, te ky vend më bjer të më dalë shpirti!”- tha nëpër dhëmbë. E hodhi kasketën në një breg të vogël me bar jeshil, flaku dhe xhaketën përmbi të dhe s’u përmbajt. U turr me vrap si djalë i ri, dhe e futi zverkun te rrjedha e furrishme nën lugjet e drunjta.
Sefja e Sifi s’ia ndanin sytë dhe qeshnin. Edhe ata ndiheshin jo më pak të gëzuar, për më shumë se, siç kishte thënë xha Lazëmi në vakt dreke do të kishin në sy Gjirokastrën e Çerçiz Topullit.
-Ku e ke atë?
-Në gji, o Sefe, në gji e kam!
-Vëre prapë nën samar, se s’u dihet këtyre anëve!
Sefe Lara kalonte andej për së pari herë dhe kundronte me afsh gjithçka përreth, pyjet, malet, luginat… Pas një çasti, e pyeti Sifin -A nuk të duket edhe ty ajo gryka e lumit si e Gjorovenit?
-E, ngjan një çik vërtetë, por është më e mbledhur, më e thellë, më me shumë ujë dhe me pemë më të larta brigjeve.
-E marr vesh, e marr. Po për Kalanë e Aliut ç’thua?
-E madhe, e lartë! Ta merr mendja.
-Po jona?
-O lëre! Ç’e zë në gojë! Ajo ha bukë veç! Botën të bredhësh, s’e gjen.!
-Edhe unë ashtu kam dëgjuar…Po sikur të vemi ta provojmë atë çorbën te ai konaku?
-Kam hall se mos prishim urine e drekës!
-E po, shkojmë e pimë nga një kafe! Hajt, tymi t’i dalë!
…Sa vunë kafen në buzë, qiraxhiu thirri:
-Mblidhuni, ore, se do të ikim!
Sefja doli në prag me filxhanin në dorë.
-Ja, edhe një çikë, o xha Lazëm, se na dogji buzët kjo! Apo ta lëmë fare?
-Jo, jo, pijeni rehat, se s’përmbyset bota!
Sjellja dashamirëse e qiraxhiut i nxitoi edhe më ata të dy. U dukën sakaq, tek dolën, u lëshuan drejt kuajve e u kërcyen sipër.
Xha Lazëmi s’u bëri zë. U vu ne krye dhe e ngau kalin e tij përpara.
…Karvani zhvendosej pa zhurmë drejt Gjirokastrës, diku nëpër udhë të ngushta me zhurina, a me dhe të ngjeshur, e diku- në vede të hapura me gurë e me pellgje të cekët, prej ujërave që vinin nga rrjedhat e bregoreve.
Herë-herë dëgjoheshin rrahjet e patkonjëve, shkrofëtima e ndonjë kali të karvanit, cicërimat e zogjëve fluturakë e të mëllenjave në zabele dhe krakërimat e sorrave të egra.
Kuajt ecnin urtë njëri pas tjetrit. T’i shikoje së largu, të jepnin shëmbëllimin e një gjëje të gjallë e të gjatë me një shpirt, që dridhej e nxirrte bark, sa aty-këtu, duke përshkuar udhën e ngushtë, ku me kurrize e ku me tatëpjeta të buta.
Udhëtimi po shkonte pa u penguar e pa të papritura. Me ç’dukej do ta arrinin dosdo Viruan në vakt dreke.
Peçi tani kalëronte në mes të Sifit e të Sefes. Syrin e kishte pishë e jo të përgjumur. Qendronte si kalli mbi samar dhe, bëj e ç’bëj, e hidhte ndonjë fjalë, sa te Sifi e sa te Sefja. Ishte në qejf dhe e donte pak muhabet. S’i vije dot faj. Thoshje se ashtu ngulte këmbë t’i bindte ata që as i vinte mendja për gjumë. Ta hiqnin merakun se mos rrëzohej nga kali si të djeshmen.
…Tashti kishin në të djathtë dy kodra të gjelbëruara përballë njera-tjetrës. Rrëzës së tyre niste udha për Kardhiq. Çdo gjë po shkonte mirë e bukur. Udhëtarët ndiheshin ende të freskët, ndonëse kishin lënë prapa goxha rrugë. Siç thoshte qiraxhiu, pas ndonja dy-tre orësh, do t’ua kapte syri Gjirokastrën si në pllëmbë të dorës.
-Të kënaqka jeshili i këtyre kodrinave- i tha Sefja Peçit. Të ketë lepuj e dhelpra këtej?
-Ka, ore, poqysh! Sa të duash! Veç ujq të mos ketë, thuaj! Atyre kush ua bën hallin!
-Ç’punë kanë ujqërit në behar kaq afër rrugës!?
-Për ujqërit me dy këmbë them, jo për ata me katër!
-Të paska zënë frika, më duket, or Peçi!
-Jo, hiç! Gjersa jam me ju, as që trembem fare, por që ta dish, të thashë! Se i njoh mirë unë ç’vende janë këto!
I kam kaluar edhe herë tjetër
Fjalët e Peçit sikur zgjuan shejtanin që flinte! Befas, nga ca gëmusha, u degjua një gërthitje:
_ -Qendroni tek jeni, more! Ju kam vënë në si me kobure të gjithëve!
O t’jua krej trutë në shesh, po lëvizët!
Xha Lazëmi ia tërhoqi frerin kalit dhe bëri t’i zbriste, po s’arriti
Zëri i egër prapë sokëlliu.
-Mos xërmo nga kali ti, more, plaku stafidhe, se të ikën koka, dëgjove? Nuku qesh u’, po çë thom e bëjte!
-Si zë i njohur ky!- tha Sifi.
-Eshtë ai i mbrëmshmi, i mushkës qorre!-ia ktheu Sefja, teksa lunxhjoti thirri ashpër:
-Kreni nga xhepat ç’para kini, lëshojini në dhe, dhe thieni qafën, mos t’ju shoh më! Përndrishe, ju përlau vdekëla!
Qiraxhiu shikoi i ngrysur gëmushat dhe s’lëvizi. Po edhe udhëtarët heshtën e s’lëvizën.
Peçit i iku fytyra. Fryma sa s’iu pre. Ishte gati t’i lëshonte te këmbët e kalit nja tre-katër metelikë, po s’ia mbante të dilte përpara të tjerëve. I tha Sefes në vesh:
-Qenka i poshtër shumë! Ne e falëm, ai del e na zë pritë!
-Pritën e tij e përmjer unë! Se nuk është trim, po gjysmë bythe burrë! – iu përgjigj Sefja. S’bën nga ato që thotë! Por, na di si veten, prandaj kërkon të na shtjerë frikën! Ja shikomë mua tani!
Sefe Lara u hodh me vrull nga kali në tokë. Futi dorën në hejbenë e tagjisë, nxori revolverin me kurrizin kthyer gëmushave, e vuri në brez nën setër e filloi të ecte ballas, pa iu dridhur qerpiku, drejt lunxhjotit.
-Mos hidh asnjë çap nga u’, more, se ike si qeni në rrush!- uluriti lunxhjoti.
-Pa hë! Të shohim ç’burrë je!- ia ktheu Sefe Lara dhe nxitoi hapin.
Xha Lazëmi u shqetësua e i foli Sefes të kthehej, po ku e dëgjonte më ai!
Sifi nuk ndihej! Ishte i sigurt te Sefja. Kishte aq vjet komit. Nuk qe për t’u mësuar. Dinte ç’bënte.
-Ktheu pas, more, se o ta vërvis kokën në hava, të thaçë! Ktheu, more, mos më fut në gjinah!
Sefe Larës sikur nuk i vinin në veshë ato kërcënime.
-Ktheu, se o t’i thiej kokallat! A ke të vogjël në shtëpi, a nuku ke? S’të vjen keq t’i lënç udhëvet? O të t’i shqiejnë mishrat korbat e ulqërit, i nxiri ti!
Zëri i lunxhjotit tanimë sikur fërgëllinte! Sikur po fundosej. Tingëllonte si lutje e jo kërcënim!
Sefe Lara e hoqi revolverin nga brezi dhe e drejtoi nga gëmushat.
-Çohu e dil që aty, se s’të them dy herë!- dhe i hodhi edhe tre hapa përpara.
Lunxhjoti u ngrit dhe u duk i tëri në këmbë, duke u dridhur si purtekë. Varur në gishta mbante vërtetë një kobure.
-Aman, more, mos e përliej dorën me mua mavrinë, se nuku ka fishekë kjo imja. Shihe! E ndrishkur është!
Sefja nuk foli më. E vuri revolverin e vet nën setër, e kapi lunxhjotin nga zverku, e tërhoqi zvarrë dhe e çoi përpara karvanit.
-Ja, ky është trimi, që donte të na vriste! Ç’ti bëjmë?
-Ma bjer pak këtu!-ia ktheu qiraxhiu. E kur Sefe Lara ia çoi, ai ia nguli sytë e buzë-e-hundërrudhur lunxhjotit, ia mbështeti gishtin e madh në ballë, e shtyti tutje dhe shfryu. Këtë e ka vrarë Perëndia, duket!- tha- ia kanë çukitur trurin sorrat! Ikim, se u bëmë vonë!
III
Xha Lazëmi e priu karvanin në të djathtë e u ndal në ca hije. Kishin arritur në Virua. Ç’vend! Të linte gojëhapur! Me tërë ata drurë të gjelbëruar e sheshe me bar. Përpara- një si liqen i vogël, që vetëtinte nën diell. Ujëra të kulluara lëshoheshin nga bregoret e veshura me shkurre, mare e dafina dhe gurgullonin lehtë. Gjethet e pemëve fëshfërinin dhe flladi i ëmbël ta shtonte jetën.
-Një orë, do të rrimë këtu!- tha qiraxhiu- Ç’lodhuni dhe hani drekën! Në atë dyqanin atje keni plot gjëra! Tek po u jepte kuajve të pinin, atij ju qas një djalë nën të tridhjetat dhe i foli i ndrojtu:
-E mo, qiraxhi, ç’vete, mirë?
-Qysh do Zoti!
-Mos keshe gjë nja di vende për Janinë?
-Të shoh, pa të them! Prit një herë!
-Pres, mo, po çë, si nuku pres!
Si kaloi ndonja gjysmë ore, Xha Lazëmit iu afruan Sefja e Sifi.
-Hë, po shkoni? – i pyeti ai buzagaz, sa i vuri re. -Pas katër ditësh do të më keni prapë këtu! Por, në mbaruat punë më parë dhe gjeni me se ktheheni, mos më prisni!
-Mirë, xha Lazëm! Hajt, faleminderit shumë prej teje e pjekshim shëndoshë!
Ata, i dhanë dorën, e zunë në qafë, dhe filluan të përshendeteshin me të tjerët. Megjithëse kur ishin nisur, s’njiheshin fare, rruga e gjatë i kishte miqësuar. Po u vinte keq që ndaheshin. Prekëse ishte, sidomos, ndarja me Peçin. Ai i përqafoi të dy njëherësh dhe s’po shkulej dot prej tyre. Kur i lëshoi, sytë i qenë lagur.
-Nuk do t’ju harroj!- u tha- Ju më shpëtuat jetën! Po të isha rokullisur në atë rrëpirën, do ta kisha lënë kullotën përgjysmë! Ta dini se dua shumë t’ju pjek prapë, që të rrimë bashkë më nge! Te dyqani i kripës, nën Mangalem, pyesni për mua! Po erdhët, do të ma bëni zemrën mal!
-Do të vimë, or Peçi, se na përpoqi ylli me ty!- ia kthyen ata të qeshur dhe iu vunë në këmbë asaj cope rruge, që u kishte mbetur gjer atje lart, te sheshi i Gjirokastrës.
Ec e ec. Shpejt në sytë e tyre dha ballë kalaja.
Si një trup i rëndë përrallor, i gurtë, i lartë, e i stërmadh, me gjoksin e gjerë si një shpat gjigand i gdhendur me dorën e Zotit, e me kryet në tisin e reve të hirta.
Dhe kodrave-shtëpitë e mëdha strehëdala, me mure guri të bardhë, të skalitur, ngjeshur e ngjeshur në brinjë të njera-tjetrës, që nga majat e gjer poshtë, në rrafsh.
Me dritaret të plota e me kafaze si ato të Beratit.
Me çardakët gjithë lule e dritë e me çatitë e pjerrëta mbuluar me pllaka nga të malit.
Së sipërmi- e hirtë dhe e paqme Gjirokastra!
* Fragment nga romani, “Flaka e Shpresës.” i shkrimtarit Ramadan Pasmaçiu,Nderi i Qarkut të Beratit./
DRIER
Tiranë 2012
*Pergatiti:Agim Xh. Dëshnica