• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shkrimtari Ramiz Kelmendi ka ndërruar jetë

January 12, 2017 by dgreca

Prishtinë, 12 janar 2017 – Shkrimtari i njohur kosovar, Ramiz Kelmendi, ka ndërruar jetë të mërkurën, në moshën 86-vjeçare.Lajmin për vdekjen e Ramiz Kelmendit e ka dhënë gazetari Adriatik Kelmendi, nëpërmjet një njoftimi në rrjetin social Facebook.”Me pikëllim të thellë e zemër të thyer, të dashur familjarë, miq e dashamirë, ju njoftoj se sonte u nda nga jeta axha im, që e kisha shumë më shumë se axhë, Ramiz Kelmendi, në moshën 86-vjeçare”, ka shkruar Adriatik Kelmendi.

Ramiz Kelmendi, përveç si shkrimtar, njihej edhe si publicist e gazetar.Ai ka shkruar disa romane, tekste shkollore, drama, e fejtone.Ndër veprat e tij më të njohura janë: “Shtatë persona ndjekin autorin”, “Vija e vrragë” dhe “Abrakadabra”.Biografi e shkurtër e Ramiz Kelmendit:q ramiz KelemndiRAMIZ KELMENDI (1930 – 2017)/Ramiz Jakup Kelmendi u lind më 20 dhjetor 1930 në Pejë, ku mbaroi shkollën fillore dhe gjysmëmaturën. Në kohën kur duhej të regjistrohej në shkollën e mesme, ai u burgos për motive politike. Ishte në grupin e patriotëve pejanë, që në vitin 1945 propagonin idenë e Bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Dënohet në të njëjtin proces gjyqësor të montuar, bashkë me Marije Shllakun dhe krejt grupin e patriotëve, në Prizren (qershor-korrik 1946), por me qenë se ishte i mitur (16-vjeç), i mban vetëm 30 ditë burg dhe lirohet.

Pas shumë vështirësish, iu mundësua të regjistrohej vetëm në shkollën e mesme bujqësore në Prishtinë, në serbisht.

Kur e përfundon, pranohet gazetar në të përjavshmen e atëhershme “Rilindja”.

Më 1950 regjistron Fakultetin Filozofik në Beograd, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Studimet në fillim ia finanson i jati i tij, sepse si një “element me njollë biografike”, nuk i jepet bursa për studime. Diplomon në vitin 1955 me temën “Proza e Migjenit”.

Me të mbaruar të studimeve rikthehet në gazetën “Rilindja”, që tash ishte bërë e përditshme, ku për 12 vjet rresht punon redaktor, reporter i lirë dhe kolumnist, kolumnet e të cilit ishin nga më të lexuarat e kësaj gazete.

Në vitin 1967 emërohet kryeredaktor i Redaksisë së Botimeve në ndërmarrjen botuese “Rilindja”.

Për katër vjet me radhë ishte Drejtor i Teatrit Popullor Krahinor.

Në vitin 1969 zgjidhet profesor i letërsisë shqipe në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë. Ligjëronte landën “Historia e letërsisë shqiptare nga Rilindja e deri sot”.

Në vitin 1975 magjistron me temën “Humori dhe satira në letërsinë shqipe”.

Ramiz Kelmendi arriti të krijojë edhe një opus të begatë letrar. Botoi 12 vëllime me tregime, 8 romane, dhjetëra udhëpërshkrime, 3 radiodrama, 3 drama televizive, 39 tekste satirike, një skenar filmi, 4 tekste shkollore, monografinë “Shqipëria e Marije Shllakut”, dhe me mija shkrime publicistike natyrash të ndryshme.

Kelmendi njihej edhe si një nga përkthyesit më produktiv të Shtëpisë Botuese “Rilindja”. Gjatë viteve ’70 – ’80 ka përkthyer nga serbishtja kryeveprat e autorëve si Orëell, Markes, Kafka, Kundera, Grass, Castaneda, Sabato, Krleza, Kis, etj.

Ishte njëri nga themeluesit e Këshillit për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, dhe njëri nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtar i së cilës nuk u bë kurrë. Ishte shkurti i vitit 1990 kur ai dhe Anton Çetta ishin të parët që përkrahën iniciativën e rinisë progresive kosovare për t’i pajtuar gjaqet në Kosovë. Kështu, Anton Çetta dhe Ramiz Kelmendi hynë në familjen Buqolli në Raushiq të Deçanit, për te kerkuar faljen e gjakut dhe bënë histori. Ramiz Kelmendi në javën tjetër fton edhe miqtë e tij Mark Krasniqin, Bajram Kelmendin dhe Azem Shkrelin për t’ju bashkuar dhe kështu fillon një lëvizje historike mbarëpopullore për pajtimin e gjaqeve, që përfundon me një manifestim madhështor në Verat e Llukës.

Ramiz Kelmendi ishte edhe njëri nga ideatorët dhe nëshkruesit e parë në dokumentin e njohur “Apeli i 215 intelektualëve” dhe anëtar i Kryesisë së Forumit Mbarëkombëtar të Intelektualëve.

Kur pensionohet, Kelmendi nuk ndalet. Më 1996, Ramiz Kelmendi fiton një ide të padëgjuar dhe të re në krejt hapësirat shqiptare që po dilnin nga komunizmi: idenë per hapjen e një institucioni privat arsimor. Kelmendi vendosë të hapi Fakultetin e parë privat të Gazetarisë në krejt hapësirat shqiptare, “Faik Konica”, që ka funksionuar deri më 2007. Me hapjen e këtij fakulteti, Kelmendi u bë nismëtari i arsimimit privat shqiptar.

Ramiz Kelmendi vdiq si njëri nga emrat më të shquar të krejt një brezi intelektualësh, të kulturuar në ish-Jugosllavi, që mbrojtën identitetin shqiptar dhe ndryshuan imazhin dhe percepcionin për shqiptarët në sytë e kombeve dhe kulturave që formonin Federatën Jugosllave. (Kortezi:Expressi)

Filed Under: Komente Tagged With: Ramiz kelmendi, Vdiq shkrimtari

NEXHMIJE PAGARUSHA NË “GALERI LAFAJET”

January 30, 2014 by dgreca

RAMIZ KELMENDI PËR NEXHMIJE PAGARUSHËN*

“Populli që nderon njerëzit e vet të mëdhenj, njerëzit e vet të rrallë, shkrimtarët, artistët, shkencëtarët, para së gjithash e mbi të gjitha – nderon veten. Një popull që u ngre përmendore figurave dhe personaliteteve të veta më të nderuara, ai popull, para së gjithash e mbi të gjitha, i ngre përmendore kulturës së vet, qytetërimit të vet, historisë së vet. I ngre përmendore vetvetes.” (Ramiz Kelmendi: Nexhmija)/

 NEXHMIJA NË “GALERI LAFAJET”/

Parisi është plot me shtëpi të mëdha mallrash. I ka të thuash, në çdo hap: “Prentan”, “Bazar d’Otel dë Vil”…Por, shtëpi mallrash mbi shtëpi mallrash është pa mëdyshje “Galeri Lafajet”, një nga më të mëdhatë kësodore jo vetëm në Paris, po ndoshta edhe në mbarë botën. Pa tepri: po të duash të vizitosh çdo stand të kësaj galerie, të shikosh vetëm vitrinat e tyre e tërë ata artikuj të ndryshëm të ekspozuar me shije, si të ishte vërtet ndonjë ekspozitë e jo magazine, shtëpi mallrash, njeriut i nevojitet të paktë një javë. Për “Galeri Lafajet” mund të thuhet me plot të drejtë se në të mund të gjejë njeriu çdo gjë – nga gjilpëra deri te lokomotiva.

Kisha dëgjuar e lexuar edhe unë për “Galeri Lafajet”.

Dëshirova, prandaj, ta vizitoja sa më parë, të bindesha edhe vetë.

Fillova njëherë të vështroja standet me radhë, por kur pashë se koha po kalonte shumë shpejt e unë s’do të arrija deri në mbrëmje të shikoja as dy kate të saj, vendosa: po shikoj vetëm çfarë më intereson posaçërisht.

Me një prirje diskofili në kohën e fundit, zura të kërkoja atë pjesë të “Lafajetit”, që mirret me shitjen e disqeve.

Pasi kalova një varg labirintesh të katit të parë, kur iu afrova pjesës ku ishin ekzpozuar televizorët, radiot, tanzistorët, magnetofonët e prodhimet tjera kësodore të çdo lloji, e dita: aty afër duhet të jenë disqet.

I gjeta më në fund.

Diskofilit, tek e sheh tërë atë mori disqesh në një vend, si të ishte shtëpi disqesh, i bëhet sikur ka arritur në parajsë dhe mahnitet fare.

Kahdo të sillesh: disqe. Kahdo të shikosh: disqe. Të gjitha me kopertina të ilustruara me shije. Me fotografi këngëtaresh më të njohur botërorë.

Megjithatë: myshteriu mund të orientohet menjëherë. Madje edhe shumë lehtë. Më një vend shiten disqet e muzikës serioze, me një tjetër ato të muzikës argëtuese, mandej ato të muzikës popullore e të tjera. Në “Galeri Lafajet” ka stande të posaçme edhe të disqeve të këngëtarëve më të popullarizuar, sidomos të muzikës argëtuese.

Kështu bie fjala, pashë standin e pagëzuar “Festivali i Sharl Azvanurit”. Aty afër: Zhilber Beko. Mandej: Edit Piaf.

Në atë të soditur të asaj begatie, thashë: pa le të shikoj vallë mos është ndonjë disk në gjuhën shqipe.

Pasi flitet aq shumë për të, e thonë se s’ka gjë që lypet e s nuk mund të blihet në “Galeri Lafajet”, thashë: ja, pra, unë dua të blej një disk shqip. Dhe – vendosa ta lyp në mjedis të Parisit, mu në shtëpinë famëmadhe të mallrave.

-Ju lutem, keni ndonjë pllakë të Nexhmije Pagarushës?

Po, mu kështu i thashë. Pa kurrfarë shpjegimi tjetër. Pa i treguar cila është Nexhmije Pagarusha, çfarë këngësh këndon, a ia ka dëgjuar ndonjëherë zërin, se mos është e detyruar ajo në Paris të dijë për një Nexhmije që jeton atje diku, kushedi ku, në njëfarë qyteti të vogël të Ballkanit.

–  Si urdhëroni, zotëri, – ma ktheu ajo me buzëgaz dhe, pa mëlënë të vi në vete, më vuri përpara një pllakë të Nexhmijes me katër këngë shqipe, titulluar “Shanson popyller dë Skipetar dë Jugosllavi”. Po, në ato mbështjellëse të bukura të këtij disku francez, lexova edhe emrin e Nexhmije Pagarushës.

Natyrisht s’e zgjata më tutje. Si mund të më bindte ndryshe “Galeri Lafajet” pos kështu?!

 

(“Rilindja”, 1965)

NEXHMIJA

Si lum e lum ata të rrallë, për ata, si thotë populli, që lindin me yll në ballë, e pse jo, madje dhe hiç më pak, lum e lum edhe për atë popull që i lind, që i ka, që i nderon (pse e nderuan) dhe mjafton t’u zësh n’goje vetëm emrin, a vetëm mbiemrin, e ta kesdh saora parasysh tërë figurën, personalitetin, veprën. Se me gjith çfarë bënë, bënë emër. U bënë emër. U bënë të merituar e të nderuar. Të çmuar.

Një emër i tillë në muzikën shqiptare, një emër i tillë në mbarë kulturën tone kombëtare, është edhe emri: Nexhmija.

 

Se jo në çdo popull dhe jo në çdo ditë lindin talentë nga më të rrallët, artistë nga më të mëdhenjtë, emra që nderojnë dhe krenojnë kombin, qytetërimin e tij, kulturën e tij.

Populli ynë, përkrah emrave të mëdhenj, prijatarë nga më të ndryshmit, pati edhe jo pak femra prijatare, duke nisur nga Teuta. Bënë emër dhe na bënë nderë Elena Gjika – Dora D’Istria, Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë, Motrat Qiriazi, Sevastia dhe Parashqevia, e në këtë artin e Nexhmijes, më e para dhe më e madhja: Tefta Tashko Koço dhe, shoqja e saj Marie Kraja.

 

Nexhmija, falë pakujdesit dhe mospërfilljes së atyre që vendosin për rrugët e zhvillimit të mëtejmë të talentëve nga më të rrallët, nuk studioi kanton në Konservatorin e Parisit të Tefta Tashko Koço, as në Konservatorin e Romës si Jorgjia Filçe (Truja), as në Konzervatorin në Austri si Marije Paluca (Kraja).

 

Artisti, thonë, krijon me gjallje bazamentin e përmendores së vet, ndërsa ardhmëria është ajo që ia vë (ose jo) bustin. Më e mira soprano – koloraturë shqiptare, Tefta Tashko, nga të 37 vjetët e jetës, 22 i kaloi jashtë vendit të vet, vendit i cili mezi ia siguroi asokohe – një piano. Shoqja më e denjë e Tefta Tashkos, mbase këngëtarja më e madhe dhe më e çmuara e këngës sonë popullore, e cila do të ketë ca më vonë një motër të vet më të re në Kosovë, të denjë t’i vihet përkrah, Nexhmijen, Marie Kraja, me Konservatorin e mbaruar në Austri, u emërua – mësuese e gjimnastikës në një shkollë të Shkodrës.

Edhe Nexhmija, e përgëzuar dhe e pagëzuar si “Bilbili i këngës shqipe”, “Zëri më i bukur dhe më i ëmbël i Kosovës”, “Ambasadorja jonë e kulturës”, “Artsitja jonë e madhe e këngës popullore shqipe”, që për shumë vjet me radhë shkriu veten, energjitë dhe trohët e fundit prej artisteje të madhe në bazamentin e përmendores së vet, zor të ketë qenë dhe zor të jetë e kënaqur. Jo pa ndjenjën e borxhit bukur të madh që i kemi dhe i mbetemi, u desh të mbushë të gjashtëdhjetat dhe Shkupi të gëzojë nderin (u qoftë aferim atyre që u kujtuan dhe e organnizuan!) për të mbajtur një akademi solemne.

Populli që nderon njerëzit e vet të mëdhenj, njerëzit e vet të rrallë, shkrimtarët, artistët, shkencëtarët, para së gjithash e mbi të gjitha – nderon veten. Një popull që u ngre përmendore figurave dhe personaliteteve të veta më të nderuara, ai popull, para së gjithash e mbi të gjitha, i ngre përmendore kulturës së vet, qytetërimit të vet, historisë së vet. I ngre përmendore vetvetes.

Unë kam një kënaqësi të rrallë që të paktën me këto fjalë përurimi e përgëzimi, fjalë të përvujta e të vockëla për punën e madhe dhe artin e lartë të Nexhmijes, po e thyejmë me njëfarë dore atë ligjin tone të pashkruar që nuk na bën nderë: jo t’u ndërtojmë më të merituarve tanë, qoftëlarg, bustin, por as t’ua çmojmë e t’ua nderojmë, t’ua vëmë në spikamë e t’ua kujtojmë bile – bazamentet e busteve të tyre kurrë të ngritura nga pasardhësit, që pandehin se me ta nis bota. Lodhnie mendjen një çikë dhe pale a mund të ju kujtohet fare qoftë edhe një përmendore e vetme në të gjitha trojet tona etnike këtej kufirit me shtetin tonë amë, përmendore e ndonjë shkrimtari, artisti a shkencëtari shqiptar! Asnjë! Asnjë fare! Dhe, përse ta fshehim: jo gjithmonë qe i huaji ai që nuk na lejoi këtë! Jo gjithmonë. Mbushi dhe kaloi të treqind vjetët e vdekjes i linduri në Gur të Hasit skaj Prizrenit dhe i vdekuri në Prishtinë, 363 vjet i vjetri, po më lashti dhe më i merituari punëtor aq i mençur i këtyre trojeve, Pjetër Bogdani, po nuk mbahet mend, sot e treqind vjet, t’i jetë kujtuar ndonjërit nesh: o, burrani! T’ia ngrejmë bile Pjetër Bogdanit një përmendore, qoftë në Gur të Hasit, qoftë në Prizren, qoftë në Prishtinë!

Nuk e did he s’ma ha mendja gjithaq se ndoshta me këto ngushëllova sadopak Nexhmijen për pakujdesin dhe pamiradinë tone karshi meritave dhe artit të saj, që do të mbetet përgjithmonë një vlerë e shquar në kulturën shqiptare dhe një perlë, një yll, në panteonin e muzikës sonë, një rruzë smeraldi në gjerdanin e këngës popullore shqipe.

Për një popull, si ky yni, i vetmi a më i madhi përjashtim ndoshta në krejt rruzullin tokësor, NJË popull i ndarë në DY pjesë, në TRI fe, në PESË shtete, me SHTATË million banorë, po ama jo më pak se me NJËQIND E NJËZET E SHTATË parti, paraparti e pasparti, mbiaparti, mesparti e nënparti, me gjithëfarësoj shoqata e korporata, nuk është mençuri, është luks i madh, është në të mirë të së keqes sate, është dëm, është gabim, është e pafalshme, është kundërproduktive dhe kundërkombëtare, të harrosh, të mos çmosh dhe të mos nderosh njerëzit tu të mëdhenj, të mos vlerësosh vlerat e mirëfillta të tyre, të zvogëlosh madhështinë e tyre duke privuar kështu vetveten nga begatia e jashtëzakonshme e tyre.

Jo çdo ditë lindin Nexhmije.

Lindin shumë këngëtare në ndërkohë. Këngëtare të mira dhe shumë të mira.

Por një këngëtare mbetet e paharruar, mbetet atje lart, në majë të këngës shqiptare: Nexhmija. Prandaj, Nexhmije, të na rrosh edhe shumë vjet dhe – ta paçim borxh!

28. V. 1993

* Dy shkrimet me autor Ramiz Kelmendin, janë marrë nga libri i gazetarit Shaqir Foniqi: Nexhmije Pagarusha – Bilbili i Kosovës

*(Fragmente nga libri: Ramiz Kelmendi dhe Sibila e Ulqinit)

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: nexhmije Pagarusha, Ramiz kelmendi

NJË HIMN NDERIMI PËR RAMIZ KELMENDIN

December 19, 2012 by dgreca

Nga Xhemail Ali Peci/Londer/

Për më shumë se gjashtë dekada jemi mësuar të hapim dritaret e mëngjesit – gazetat, e të kërkojmë dhe t’i lexojmë e t’i shijojmë shkrimet e tij, t’i hapim gazetat dhe revistat, e duke i shfletuar edhe duke shpresuar, por edhe duke besuar se do të gjejmë firmën e shkrimeve të tij, në të cilat ai ka rrahur tema, ka shtjelluar motive, ka hapur debate, ka nxitur prirje, ka zgjuar ndërgjegje, ka bërë thirrje kundër plagës dhe plagëve të shumta. Ai është bërë kështu bashkëmendimtari dhe bashkudhëtari ynë i pandashëm dhe i pandalshëm. Ai, (siç do të thoshte poeti Xhevahir Spahiu: kush mbjellë dashuri do të korrë dashuri, kush mbjellë urrjetje do të korrë urrejtje), ka mbjellur dashuri.  I pajisur me një dhunti të rrallë për fjalën e shkruar, por edhe me një dashuri e me zell të veçantë po për fjalën e shkruar, me një kulturë të thellë e të formuar dhe me një kërshëri të gjallë e përherë të zgjuar edhe për të lexuar sa më shumë, me një shije të holluar artistike dhe me një stil të shkrimit aq të ëmbël – si dhe sa vet stili í ligjërimit të tij, ai ka lënë gjurmë në mendësinë tonë intelektuale, Ai ka hapur shtigje e na ka trasuar rrugë, ai na ka mësuar e këshilluar për të shkruar dhe për të gjykuar drejt. Ai na e ka zgjuar dashurinë për letërsinë, për të bukurën dhe të madhërishmen, për udhëpërshkrimin, për reportazhin, për publicistikën, për fejtonin, për rrëfimin, për melodramën, për novelën, për skicën letrare, për romanin, për gazetat, për teatrin, për radion, për televizionin. Është e vërtetë se nuk është marrë aq shumë me ‘temat e mëdha’, por ai është marrë me plagët e mëdha që na kanë shkaktuar dhe po na shkatojnë akoma pasoja të mëdha e dhembje edhe më të mëdha. Ai është një ndër luftëtarët e rrallë të dritës që nuk e lëshon penën nga dora, edhe pse 82 vjeç! Edhe në këtë moshë e në pikë të vapës, ai është në Festën e Librit, sepse libri është bashkudhëtari i tij, dhe se ai është Mjeshtri í Penës së Artë, i cili gjakimin e tij për të bukurën dhe të madhërishmen e ka dashurinë e tij të lindur – të veçantë dhe të dhuruar nga natyra, e cila është treguar aq dorëlirë në faljen e një dhuntie të tillë, sa të rrallë po aq edhe të admiruar.Ai – Kalorës í Letrave dhe i Arteve, e edhe Kalorës i Hijshëm i Dashurisë. Ai – Nestor í Urtë e Mentar í Hollë, Ai – Njeriu í Fjalës së Ëmbël e me Peshë. Ai – Ikona e Gazetarisë në Kosovë. Ai – Doajeni i Gazetarisë në Kosovë por edhe më gjërë, Veterani i Kulturës,   Teatrologu i Shquar, Lëruesi i Letrave Shqipe, Shijuesí i së Bukurës, Admiruesi dhe Frymëzuesi i Fjalës, Adhuruesi i Madh i Faik Konicës, Dekani i Gazetarisë dhe í Fakultetit të Gazetarisë ‘Faik Konica’, Publicisti dhe Romancieri, Gazetari dhe Veprimtari, Uliksi që kthehet në Itakën e tij Letrare të Rinisë së tij të Vrullshme: Ulqinin, Ai – që Ulqinin ngado shkon e ngado vete: e merr me vete.

Ai – Zë tek ‘Zëri’, Ai – Rilindësi tek ‘Rilindja’, Ai – për Përparimtaren tek ‘Përparimi’, Ai – Pena e Re tek ‘Jeta e Re’ e Mësuesit të Tij me Fjalë Miradije – Esad Mekulit, Ai – Kosovari tek Ulqini, Ai – Ulqinaku tek ‘Kosovarja’, Ai – Telegrafikisht te ‘Ekspres-i’, Ai – në hap me kohën e tek ‘Koha Ditore’, Ai – Vrojtuesi í Një Epoke – tek ‘Epoka e Re’, Ai – tek e Djeshmja, e Sotmja dhe tek e Nesërmja Jonë.

Ai – Krijuesi që e kishte filluar krijimtarinë e tij letrare duke mëtuar që me elegancën e stilit të tij të ngjallte elegancën e shijes së gjinisë së bukur (e që nuk ka dyshim se pas spastrimit të minave, është mbase misioni më delikat që mendja njerëzore ka mundur të ketë); Krijuesi i cili e ka formësuar stilin e vet të veçantë, apo siç do të shprehej Lasgushi ‘brumësimi estetik i frymës estetike’, me një mision po aq të vështirë: zgjimi i shtresave dhe nënshtresave – thellë ndërgjegjës njerëzore.

Ai – Sokol Halili i Dashuruar në Tanushën, në Letërsinë dhe në Magjinë e së Bukurës dhe së Madhërishmes: E, unë Tanushën e kam pa! Tanusha – Mona Liza e Ciklit të Kreshnikëve në Visaret e Kombit…

Ai – Dora e Tij e Djathtë të cilën Atdheu ia fali me aq Dhunti dhe me po aq Dashuri të shkruante për Faik Konicën, Ai: Dora që na e Ri – Zbuloi Epitetin më të Bukur në të gjithë letërsinë dhe në të gjithë kulturën shqiptare, e që Jeronim De Rada kishte Falur për Elena Gjikën: ‘Mirësia Ëngjullore e Zemrës Suaj’, Ai – Zemërthirrja aq Zemërbardhë për Një Dashuri të Barabartë mes Shqiptarëve.

Ai – Zemërbardhë mes Zemërbardhëve, dhe Zemërbardhë prej Zemërbardhëve.

Ai – për të cilin Perëndia dhe Natyra kishin bërë garë se cila do ta bënte sa më Zemërbardhë, dhe se cila do t’ia bënte Penën e Tij: porsi Vala e Drinit të Bardhë!

Ai – Njeriu í Penës dhe í Punës, që iu Fal me gjithë Qenien e Tij Krijuese Misionit Fisnik të Fjalës. Ai që na porositë përherë ta nderojmë e të mos e harrojmë KURRË: kulturën tonë dhe traditën tonë, trashëgiminë tonë historike dhe kulturore. Ai që bëri Thirrje për të Falur dhe që na mësoi e na mëson të Falim, dhe se pë se duhet të Falim e për hir të kujt duhet të Falim: Për hir të Ardhmërisë së Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Ai: në Fushën e Letrave e në Verrat e Llukës.

Pa penën e tij, pa udhëpërshkrimet e tij, pa prozën e tij, pa tregimet e tij, pa romanin e tij, pa dramën dhe melodramën e tij, pa publicistikën e tij, pa fejtonet e tij, pa reflekset e tij, pa margjinat e tij, pa çapitjet e tij, pa çapitjet e reja midis rrjeshtave – të tij, pa shkrimet tërthorazi troç – të tij, pa teatrin e tij, pa shkrimet e tij, jo vetëm letërsia, jo vetëm kultura dhe arti ynë, por në mënyrë të veçantë bota jonë mendore dhe shpirtërore, do të ishte shumë më e varfër, shumë më e vobektë, sepse Vepra Letrare dhe Publicistike e Tij: është Pasuri e Jona Shpirtërore.

Është thënë me të drejtë se soneti është kurora më e bukur e poezisë. Dy fejtonet e tij, ‘Letërkëmbimi ynë në shekuj’ dhe ‘Polemika në Letrat Shqipe’, janë një prej pjesëve më të bukura të kurorës së publistikës së tij në veçanti, por dhe të publicistikës shqiptare në përgjithësi.

Ai – ligjëruesi i lëndës “Histori e letërsisë shqiptare nga Rilidnja e deri sot”, bashkorganizatori i Kuvendit për Bashkimin e Pajtimin Kombëtar, Prijësi í Urtë í Armatës së Gazetarëve, të cilën e Formoi dhe e Forcoi, e Rriti dhe e Ngriti, e Orientoi Drejt dhe e Konsolidoi Qartë, me Emrin aq Domethënës: FAIK KONICA.

Ai që na i ka shpalosur aq bukur dhe na i ka risjellur në kujtesën tonë me gjithë sfondin e madhështisë së tyre, figurat madhore historike si Mithat Frashërin e Mustafa Krujën, trimat n’za të Rugovës kreshnike, si Zhukë Haxhija e Ker Sadria, si luftëtaren dhe atdhetaren shkodrane Marie Shllaku, e: ‘Bege Maliqja e cila luftoi kundër Malit të Zi e veshur me kostume kombëtare meshkujsh, me plis e me shall, që mbante një pushkë të gjatë sa trupi í saj’; Ai na e ka kujtuar me dhembje dhe me mallëngjim një prej skenave të shumta trishtuese e cila í është vërtitur aq shpesh në kujtesën e tij: ‘pushkatimi makabër í Sali Ukellës para fëmijëve në Parkun e Karagaçit’…

Ai – Romancieri që e ka shprehur mendimin e tij për romanin në mënyrë aq filozofike: ‘Romani shkruhet vetëm në qoftë se të “shkruan” ai. Romani vetë. Kam bukur do vjet që nuk po më “shkruan”, jo vetëm asnjë roman, por edhe asnjë – tregim…’

Ai – që na e përkujton aq shumë, sa satirën po aq edhe thënien e Luigji Pirandellos: Është madhështore të jesh i ndershëm. Ai, í cili na përkujton Eugjenio Montalen, të cilin më 1967 e patën shpallur: Senator të Përjetshëm. Ai që na shtynë të besojmë se letra ka më shumë forcë se floriri, dhe se zakoni i burrave të mirë është zakoni i Perëndisë, pra është Zemër-Thirrja që na e la Lasgushi, se shkrimtarët dhe poetët duhet të nderohen dhe të kujtohen, në radhë të parë: për Ditëlindjen e Tyre.

Ai – Shkrimtari të cilin e ka lënduar sa vendlindja po aq edhe atdheu, e megjithatë Ai – Njeriu í Ndjenjave të Holla, i ka dashur dhe i don që të dyja: ‘Vendlindja ka mundësi të të harrojë dhe sa vjen e më shumë po harron. Po ama vendlindësi a njeriu i lindur në një vend assesi s’ka se si e harron vendlindjen’.

Ai – i cili ka shkruar gjithë admirim për De Radën. ‘Telegrafikisht: Nismëtar Nismëtarësh, se e ka futur një shekull të tërë (XV) në letërsi’, kurse vet e ka futur në veprën e tij letrare dhe artistike, kohën tonë dhe njeriun tonë me të gjitha vijat dhe vrragat e veta.

Ai – që me mendimin e tij se: ‘Shkrimtari, thonë, krijon në gjallje të vet bazamentin e përmendores, ndërsa ardhmëria është ajo që ia vë (ose jo) bustin’ (‘Kokrra kripe’), ma kujton thënien e madhe të De Radës se: ‘pena e atyre që do të dinë ta përdorin si duhet, do t’i durojë të gjithë shekujt’.

Ai – që në 82 vjetorin e tij, na shtynë t’ia themi me modesti, se shqiptari megjithatë ta falë edhe suksesin, dhe se Perëndia nuk i do veç ata që i merr të ri, por edhe ata të cilët i duhen tokës: më shumë se qiellit, dhe se njerëzit si Ai na shtynë të sfidojmë tragjeditë e përjetuara e të shumta – me trilogjitë e shkruara, ndonëse aq të pakta në kulturën tonë kombëtare.

Ai që në “rruzarën e kujtimeve të tij” (siç do të shprehej me një thënie kaq të bukur), do ta shpalsote një botë të plagosur të një fëmijërie të këputur, duke parë që në moshën e tij 14 vjeçare: “kushedi sa pushkatime, para syve të mij, plagë, gjak, vrasje dhe varje”, masakra dhe reprezalje, siç na e ka shpalosur ate në shkrimet e tij.

Ai që nuk shkëputet dot nga mendimet e kohëve të vështira: ‘Mendimet më flakrojnë në kalesë të afërm e të largët. Kujtimet më vlojnë…Vijnë e më ravizohen para sysh qindra përjetime të vogla e të mëdha të luftës në femininë time, ngjarje që më poqën para kohe, më rrëmbyen femininë, gazin, gëzimin’ (‘Xhita në Qiell’).

Ai që ‘në pasqyrën e mendjes’ e vërtitë shpesh pyetjen: ‘Pse gjithmonë bie shi në varreza?’, duke u përkulur përpara babait të tij Jakup Brahimit: në shenjë Nderimi dhe Respekti të thellë, por edhe duke iu ngritur në këmbë, ndonëse në moshën 82 vjeçare, Babait të “Albanias” – Faik Konicës, me po të njëjtin Nderim dhe me po të njëjtën Mirënjohje, e me emrin e të cilit: E Pagëzoi dhe e Përjetësoi Tempullin e Dijes.

Ai – i cili ashtu si Ernest Koliqi që pat shkruar për Tregtarë Flamujsh, shkroi për Tregtarë Kapelash: varësisht se cili pushtues do vinte, atë kapelë do vinin kameleonët e tipit të Rremë Kapuçit, e të cilët mjerisht, ishin të shumtë!

Ai –  i cili me poetikën e stilit të tij, si për ta sfiduar atë botë të vijave dhe vrragave, ka shkruar edhe për ‘cicërrimat e buzëve’, e në kërkim të një gjakimi të përjetshëm që nuk shterret kurrë tek krijuesit e përmasave të mëdha, ka pohuar se: ‘Emra të bukur kanë vetëm vajzat e bukura’; e për Besën në rrëfimin e tij ‘Xhita në Qiell’, ka shkruar me aq delikatesë: ‘Ajo kërkoi vetëm një akullore, e unë kisha qejf me ia dhanë krejt një ambëltore’! Po kush më bukur se Ramiz Kelmendi, ka ditur ta japë Pafajësinë për dashurinë e sinqertë?!

Vallë, a nuk është Ai – Një Shpirt Poetik që e thuri Poemën e Tij për Ofelinë, dhe vallë a ka ndonjë Mbishkrim më Monumental për Teatrin tonë Kombëtar, sesa ky:

Ajo fali sonte rozmarina në skenë. Fali vjollca e krizantema. Borzilokë e manushaqe. E unë po ia fal, ja, një kurorë me dafina lavdie për Ofelinë. Një kurorë me dafina për të parin hap të saj. Një kurorë me dafina për natën e bukur që na fali. Një kurorë me dafina për të nesërmen e saj. (‘Kokrra Kripe’)

Vallë, a i ka thurur kush më bukur Një Himn Rugovës, sesa Fjalët Lapidare: E gëzoi me lot Rugova dasmën e vet të madhe. Derdhi lot gëzimi sot Rugova… Edhe qielli me të bashkë. Lot e gas. E puthje. E lojë Rugove. E këngë të reja për rrugën e re të dritës, prej rugovasish të rinj kënduar. E fytyra të rrudhura që gazmojnë. E shkollare Rugove që shpërthejnë, që çajnë përpara. Dasmë të madhe ka sot Rugova – u çel rruga e dritës. (‘Kokrra Kripe’)…

Pastaj Muzeu i Luvrit. Mona Liza. Më joshin mbi të gjitha, sytë e saj, një palë sy, që mbeten enigmë në shekuj. Sy që qeshin…Luvri është muze muzesh…Luvri është parajsa. (Letra nga Parisi: Udhëpërshkrime).

Vallë a mund të ketë Mbishkrim më Monumental, sesa Fjalët për Parajsën Tjetër, për Ate të Librit: Datë mbi data në historikun tonë shpirtëror është edhe kjo e sotmja: 25 nëntor 1982…Tempull mbi tempull është tempulli që i ngremë librit sot…Vatër mbi vatra që do të na ngrohë dhe “fëmijët tanë e fëmijët e fëmijëve tanë” është pikërisht Biblioteka Popullore dhe Universitare e Kosovës, që u përurua s’ka si bën më mirë dhe të cilën po e pagëzoj edhe unë – si zëdhënës krenar i mija e mija të gëzuarve e të përgëzuesve si unë…Kosova u përurua edhe me këtë faltore shpirtërore, me këtë vatër të re kulturore, me këtë tempull të rritës sonë…Faltore e tempull dritëdhënës, siç tha me një rast Franc Kafka, “ditar i një populli”. Mbanie mend këtë datë: 25 nëntor 1982! (‘Kokrra Kripe’)

Ai është Shkrimtari, për të cilin – ashtu si edhe për Ernest Koliqin: Shqipëria është Nusja e Shpirtit Tonë, dhe se Ai është Njeriu – për të cilin Librat, ashtu si edhe për poetin e madh të lashtë persian Saadiun, janë: Nuse të Mendimeve.

Ai – Njeriu të cilit ia kanë besuar për t’i pagëzuar fëmijët dhe brezat, dhe se Ai e ka bërë këtë gjithmonë sipas proverbit latin: Çka ka në emër, ka në zemër!

Ai – Nestori í Urtë e Mentarí í Hollë, të cilit në gjithë jetën e Tij, í kanë pri Tre Frymëzuesit e Tij Kryesorë: Jakup Brahimi, í cili herë si Jakup Ferri në epikën historike, e herë si Idriz Guri – që hiqte zorrët zvarrë tek ‘Kryengritja Shqiptare’ e Mihal Gramenos, por që nuk e linte pa e bërë Shqipërinë me hir o me pahir: nuk i linte pa í shkolluar fëimjët; Sali Ukella – një levend, një kreshnik malesh, pamja e fytyrës të të cilit do të lëshonte Zemër – Klithjen e tij aq të dhimbshme: RAMIZ MOS MË HARRO!; dhe Mendja Briliante të Cilës Ai i Falet Gjithmonë, sa Denjësisht po aq edhe Përunjësisht: FAIK KONICA, me emrin e të cilit AI: PAGËZOI DHE GATOI BREZNITË ORËMIRA.

Ai – do ta ndiente prezencën e këtyre Tre Frymëzuesve të Tij të Përjetshëm, ashtu siç e ndiente Dante Hijen e Virgjilit në Komedinë Hyjnore, ashtu siç e ndiente dhe e parafytyronte Milosao Hijen e Plakut Balë në Parnasin shqiptar. Figura e Virgjilit nuk i pengonte rrezet e Diellit të binin edhe më qartë, e në përfytyrimin e Gavril Darës – të Riut, aurora çohej mbi Shqipërinë, dhe Shqipëria binte me agimin…

Ai – merrte forcë nga Ata, dhe Shpirti i Tij í Madh, ku Ai mbajti gjallë Prushin e Frymëzimeve të Tij Djaloshare, gjatë gjithë jetës së mbushur me Vija dhe me Vrragë, gjallërohej dhe lartësohej edhe më, sa herë që ato Hije të Shëmtuara e të Mallkuara që s’na u ndanë kurrë, e ndiqnin këmba-këmbës, e survejonin dhe e anatemonin: herë 7 e herë 77, herë me maska e herë pa maska, po AI nuk u dha…

Ai nuk u dha sepse si një Bekim të Rrallë që shekujt falin në nderim të Breznive Orëmira, si një Pagëzim që ka bërë Dora mbi Djepin për të Përjetësuar Ëndrrën e Luftëtarëve të Dritës, Tre Zëra e mbanin të mos binte e të mos jipej kurrë:

Zëri i Babait: RAMIZ, MOS U DORËZO KURRË!

Zëri i Sali Ukellës: RAMIZ, MOS MË HARRO.!

Dhe Zëri í Faik Konicës: RAMIZ, MË PËRJETËSO, E MOS PUSHO KURRË SË SHKRUARI…

Ai – Firma e Tij në Republikën e Letrave Shqipe.

Ai – Sokol Halili i Letrave Shqipe.

Lexues dhe Adhurues të Shkrimeve të Tij, në të cilat Gjuha Shqipe është vetë Gjuha Zonjë, ku Fjala Shqipe Shkëlqen me Yllësinë e saj të Rrallë, ku Fjala Shqipe Rrëmben me Bukurinë, me Butësinë, me Bardhësinë dhe me Hijeshinë e Saj, Gdhendur dhe Latuar me Durim Shenjtori e me Qëndismë prej Filigrani: si një Zjarr i Përhershëm i Ilirishtes drejt Shqipes (siç ligjëronte Lasgushi) që ka Përcëlluar të gjithë ata që kanë Gjakuar për ta Shkruar një Shqipe të Bukur, të Qartë, të Rrjedhshme, Elegante, e të Qëruar hithrash dhe ferrash.

Firma e Letrave Shqipe dhe e Publicistikës Shqiptare:

RAMIZ KELMENDI.

Me ‘Penën e Tij të Artë’:

PENA që kaloi nëpër thjerrëzat e dy kritikëve më të shquar e që ishin edhe bashkëkohanikët e tij, e tek të cilët nuk kalohej lehtë, madje tek të cilët nuk kalohej aspak lehtë në provimet e letërsisë: Hasan Mekuli – i cili ia dha Epitetin aq të Merituar të Talentit Epik, dhe Rexhep Qosja – i cili ia dha Epitetin e Merituar për Penën e Tij të Artë. PENA që mori, përmbi çdo gjë, Bekimin e Zake Zhujit dhe të Jakup Brahimit, por që diti aq bukur se si ta përjetësonte një bekim të tillë:  Falë u qofsha të gjithë mësuesve të mi ernestkoliqianë.

Falë u qofshim të gjithë Atyre, që si Lasgushi me Lirikat e Tij, duke Përcëlluar Drejt Shqipes Zjarrin Drithërues të Ilirishtes, kanë shpalosur Shpirtin e Tyre Fisnik dhe Bujar, sa edhe Zoti vetë ua Bekon Shqipen e Ligjërimit të Tyre, me të cilën Ata, si në Një Mermer Monumental me Bekim Perëndie dhe Pagëzim Shamibardhash sipër, u bënë dhe u bëjnë Thirrje Breznive Orëmira:

TË HESHTIN ARMËT E TË FLASIN LIBRAT!

RAMIZ KELMENDI dhe Pena e Tij e Artë – Vetë Sibila e Ulqinit: Metafora e Madhe në Republikën e Letrave Shqipe.

Biografi e shkurtër-

Xhemail Ali Peci u lind në Mitrovicë, ku kreu shkollimin fillor dhe të mesëm. Studimet e larta, në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, i mbaroi me notën mesatare 10, në Fakultetin Filozofik – Universiteti i Prishtinës, ku edhe i vazhdoi studimet pasuniversitare.

Në Londër, ka marrë Diplomën për Përkthime Publike në Gjuhën Angleze, nga Instituti i Linguistëve. Ka kryer gjithashtu studimet e larta për Shërbimet Publike.

Në Birbeck College të Londrës ka vijuar kurset për Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Aktualisht vazhdon studimet për Master, në: Studimet Amerikane, Historia dhe Politika (Instituti i Studimeve Amerikane në Londër), ku është duke përgaditur temën: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Çështja Shqiptare.

 

Punon si përkthyes profesional në Mbretërinë e Bashkuar.

 

Deri tani ka botuar librat: Poemë për Shqiptarët e Amerikës (Londër, 2010), Poemë për Gjeneralin Klark (Tiranë, 2011), Uilliam Xheferson Bill Klinton ose Himn për Njerëzimin (Londër, 2012),  ALBANIA – Poemë për Shqipërinë dhe Shqiptarët (Londër 2012), Shqipëria – Shtojzovallja e Europës (udhëpërshkrim), si dhe trilogjinë letrare kushtuar Ramiz Kelmendit: I – Ramiz Kelmendi – Sokol Halili i Letrave Shqipe, II – E Bukura dhe e Madhërishmja në Penën e Ramiz Kelmendit, III – Ramiz Kelmendi dhe Sibila e Ulqinit (Londër 2012).

Shkruan poema, udhëpërshkrime, studime letrare, romane dhe drama.

Në dorëshkrim ka librat, që pritet të botohen vitin e ardhshëm: Adem Jashar Shiqpëria (ese), Dr. Gëzim Alpion dhe Fuqia e Fjalës (studim), Sali Bashota – Poet i Shpirtit (studim), Poemë për Sytë me Qiej të Shqipërisë, si dhe një roman me temë dashurie nga jeta e Alfred Nobelit…

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Ramiz kelmendi, Xhemail Peci

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT