• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LEKSIONE NGA DEKANATI I LLESH ZEF DOÇIT TË LURËS

August 19, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Me një “Centaur” 32 tonësh të markës angleze me shofer një djalë nga Vlora u nisa nga kantieri i prodhimit nr. 2 tek vinçi “katërmeterkubshi” tek “Ura e Telit” në Bujan për në Dushaj të hidrocentralit të Fierzës. Aty zhdripa për me shkue tek shkolla e mesme profesionale me degët ndërtim, elektrike e mekanike, e cila kualifikonte ndërtimtarët e veprës së dritës për nevojat e saj të ditës e përspektivës. Tue ec rrugës u takova me një burrë të shtatshëm e të pushtetshëm, trupadrejt si lis, mjaft i afërt në bisedë po folke me “qitje të largët”. Ishte Llesh Zef Doçi i Lurës, njëri nga ata burra të lartë që kishte vend e rend për mirë në “Universitetin popullor të Dibrës” me pleqnitë, me filozofitë e veta. Nga permendja e vargjeve e kuptoja se e njihte mirë edhe të madhin Gjergj Fishta, gjeniu i letrave i ndaluar nga shteti monist. Koha përballëse i shkruhej në rrudhat e ballit. Në dritën e syve rrezatonte mirësi. Në meditimet e të foluren e tij vrellonte mençuri.
Tek shkolla e Fierzës nxanësit e mbasdites ishin në mësim pa shkëputje nga puna, po roja e derës na e dha të drejtën e hymjes brenda pasi Lleshi ishte mik i ardhun nga larg, nga Lura, i mbajtun fort aq sa me ra në sy me veshjen e të folunit e tij autoritetar. Ai po donte me e takue djalin e vet… Ai ishte njeri zotërues në komunikimin me të tjerët.
-Asht’ baba i Dod Doçit… – i thashë rojes së shkollës, i cili u çel në fytyrë e i foli do’ fjalë të mira për Dodën. Ato fjalë ishin aq lëvdata saqë si thuhej asokohe në politikë: “Po don’ me e pranue në parti” apo si i thoshin në traditë: “po don’ me e ba dhandërr”. Natyrisht, i riu luras, Dodë Llesh Zef Doçi, i katërti brez në atë shkollë të njohur të hapur para tre vitesh, ndërtimtar i përkushtuar i veprës së dritës, veprimtar i shquar i rinisë në Fierzë e rrethin e Tropojës, i meritonte ato fjalë, edhe tek ajo derë e në atë ditë.
Atëherë Llesh Zef Doçi i Lurës e ndali hapin dhe e kqyri rojen ngultas e fytyrëqeshur. Ndoshta deshti me e dit’ a janë fjalë ajri apo ari. Po roja nuk i la shumë kohë për me folë prapë Lleshit pasi ia tha e dha atë fjalën që ia ngroh shpirtin secilit prind: “Paska pasë kujt me i nga (ngjaj) djali yt…”. Atij i mbeti veç me fjalathanë “Faleminderit” me atë qytetarinë e tij e me shtue diçka dlirtas e ngucamë për mirë me humor, tue fol si luras, si dibran, nga filozofia e vet urtnore. Të tre qeshëm bashkarisht. Ecëm të dy…

2.Llesh Zef Doçi i Lurës para e unë mbas tij, i sy kaluam me plot ndalesa stendat në korridoret e mëdha e të gjata në tre katet e shkollës së Fierzës. I kisha pa edhe herë të tjera, ndaj më dukej sikur kishim shkue “për inspektim” aq me vëmendje i shihte ato. Gaboja asokohe. Sigurisht, përngutje. Lleshit nja 50 vjeçar ende i rrinte zgjuar pasioni i detyrës fisnike të mësuesit, prej së cilës ishte nda’ përgjithmonë prej saj, pasi kishte krye detyra të ndryshme shtetërore në Lurë e qytetin e Dibrës, në Sllovë, Kastriot, etj. Tani, në dekadën ’70, ai kishte kalue dy vite sfidë, ndoshta nga ma të vështirat në jetën e tij krenare, elitare. E kishin luftue padenjësisht në karierë, po nuk e kishin mposht në zemrën e shpirtin e tij dinjitar.
Si djalosh 20 vjeçar e dveta në tepri: “A e dinë fëmijët e tu e të vllaut (Markut)… për ardhjen tuaj në Fierzë?!”. Po ai m’u gjegj qetësisht se ua kishte përcjellë lajmin po nuk iu kishte njoftue datën. Kjo, jo për ndonjë pakujdesi të Llesh Zef Doçit të Lurës, pasi edhe hapin e hidhte për mos me e kthye kryet mbas, për me iu dal punëve prijas e ballas, po e kishte pas’ nji parim të jetës së tij, një rregull të pashkruar e të ligjëruar: me i lanë fëmijët me e ba punën e vet. Ai nuk donte me i vnue në pritje e lëvizje për ardhjen e tij. Ai, edhe pse atëherit, fëmijët e nipat i kishte fort të rinj, siç më pat thanë vet, nuk iu sanksiononte as obligime financiare si të tjerët. Ai i porositke që me të ardhunat e veta me i krye punët e veta në banesë, në frontet e punës, në shkollë, në shoqëri, në aso mënyre sa me kenë dinjitar, mos me mbet’ kurrkushi po me u ba dikushi për mirë, për mbarë. Ai donte që leku me iu dhanë forcë për mirë e mos me i ligshtue për keq. Natyrisht, deshtën të gjithë sëbashku: Llesh Zef Doçi i Lurës, Zoti e vetvetja – secili prej tyre, dhe fëmijët iu banë për shtëpi, për me e mbajt lart, fort e gjatë emrin e kullës së vet e të Lurës.
Ai kishte ardhë tek Doda…, po mendjen e kishte edhe tek djali tjetër, tek ma i madhi, tek inxhinieri gjeolog, Prenga. Ai mbetej i mendimit se Doda i kujtonte rininë e tij dhe Prenga ma shumë “pleqërinë” e tij. E hante meraku që fëmijët e tij mos t’i rritke jeta para kohe, as me i vnue jeta përpara, as mos me i lanë jeta mbrapa, po me ecë rrugës së gjatë me hapa e shpirtin e vet, me krahë hapët për fis e miq, me i pri’ vet punës së vet. Me i ndjet’ kohës drejt e pa i pushue punës…
I pazakonshëm ishte Llesh Zef Doçi i Lurës për mend e kuvend. Ndoshta edhe i jashtëzakonshëm. Ai ishte një “universitet popullor”, në “katedrën” e tij ishte vet dekan e shkuar dekanit. “Leksionet” e tij i kanë qëndrue kohës.

3.Disa herë ia përserita fjalët: A ta thërras Dodën… nga ora e mësimit?
Llesh Zef Doçi i Lurës nuk hapte udhë. As unë nuk arrija ta konceptoja atë njeri të fismë, i ardhun nga Lura në Fierzë tek pritke në korridoret e shkollës tue pa stendat e shumta e nuk e thirrke djalin e vet pa e mbarue orën e mësimit. Pas pak dolëm tek dera kryesore e shkollës. Mbas pak minutash e mora vesh se ai kishte qënë dikur mësues. E tashti po lexoj në libra se e ka lanë emrin e vet në breza nxanësish.
Aty kishte ardhë edhe shoferi vlonjat i Centuar-it për me marrë leje një mujore nga shkolla për dikë të vetin, pasi në punë e kishte gjet’ zëvendësuesin, dhe i ecte rroga pa kanë aty. I shkruhej emri në bordero. Unë kisha marrë përsipër t’ia kryeja kit’ kërkesë të tij në atë mënyrë që pothuaj mos me iu rregjistrue asnjë mungesë. Sikur të ishte në shkollë. Mugesat e shumta sillnin moskualifikim simestral ose vjetor, mbetje për vjeshtë apo përjashtim nga shkolla.
Tek dera e shkollës u veçuam pak prej Llesh Zef Doçit të Lurës dhe ia kallxova shembullin e tij. Atypëraty hoqa dorë nga premtimi për një “leje një mujore pa mungesa” në shkollë për njeriun e tij. Ai, djaloshi vlonjat, u merzit bajagi prej meje e më tha se malësori nuk e ka fjalën kështu. Për me e shlye sadopak (jo)gabimin pata shkrue në gazetë për mirë për atë shofer vlonjat që punonte për vitet që vijnë, ecte ma shpejt se koha.
Ai leksion i Llesh Zef Doçit të Lurës asaj dite m’u duk se “më la në klasë”, po ishte një provim që më vlejti tanë jetën, veçmas përsa kohë isha i emëruar një ndër instruktorët e rinisë për shkollat e rrethit të Tropojës, kur shkova student në Tiranë, e, tevona si drejtor i Qëndres Kulturore të Fëmijëve (Shtëpisë së Pionierit). Më kujtohej shenjtëria që kishte Llesh Zef Doçi i Lurës për shkollën, për vendin e dijeve, njerëzit e dijes, për profesionin e tij.

4.
Rrugës për tek kafja i thashë Llesh Zef Doçit të Lurës se kam me shkruejt në gazeta për kit’ vizitë të tij në veprën e madhe të dritës, në Fierzë, e cila asokohe kishte deri mbi 10 mijë vetë në frontet e saj. Nisa ka e dveti për Lurën e Fierzën… Ai po ecte pa e thanë kurrnji fjalë. Pa astenji përgjigje. E ndali hapin. U kthye prej meje. M’i lëshoi sytë sikur po më lexonte ma shumë apo do më thoshte diçka ma tepër.
-Kush a’ peshku ma i mirë i lumit të Valbonës? – më pyeti pa m’i nda’ sytë.
-Trofta – i thashë me merziti, pasi ma ndrroi temën e bisedës.
– A e din se trofta, megjithëse asht’ peshk i mirë, ecë lumit të Valbonës përpjetë, kundër rrjedhës së lumit të vet të pastër.
Çka me i thanë?! Po e ndijsha për herë të parë kit’ fakt. Ish kanë e vërtetë. Pas shumë vitesh kam mësue se edhe në Lurë rritej trofta, ndaj e dinte kit’ zakon të saj.
E pa se nuk isha ka i bie kurrkund në ta alegorisë së tij e më futi ma andej në thelluta filozofike të odës dibrane, të universitetit popullor të Dibrës, të urtive – pleqnive të tij.
-A e ke parë Valbonën e kthjelltë se aty, pak më andej ku bashkohet me Drinin e turbullt ecë gjithë atë rrugë, qindra metra, duke e ruajtur pastërtinë, kaltërsinë e bukurinë e vet. Dy lumenjtë kanë gjithë jetën që e bëjnë detyrën e vet. Drini vjen i turbullt. Valbona don me mbet’ e kthjelltë. Prej aty ku Valbona e humbet kthjelltësinë ajo nuk thirret lumi Valbona, po lumi i Drinit. Në këtë jetë, në brezat e vet, njerëzit është mirë me mbetë Valbonë. Po gjatë jetës ka me u dalë punë edhe me Drinin. Duhet me luftue si Valbona me Drinin e prapë duhet me mbetë Valbonë…
Atëherit, tue pasë para vedit një djalë 20 vjeç, që shkruante me pasion me dhjetra artikuj nëpër gazeta e revista të kohës nga Fierza në Tiranë, që merrej masivisht e aktivisht me rininë, Llesh Zef Doçi i Lurës nisi me më dhanë “leksionin” ma të thjeshtë: më tha se “ishte i prekun”… I kishte ra pikës. E dija çka domethanë kjo fjalë. Edhe në vendlindjen time, në ma të bukuren e botës, Tropojë, dikë që shteti i kohës nuk e shihte me sy të mirë, për mos me e rëndue me terma politik e ideologjik të ditës, i fokusonin e deshifronin të gjitha në një fjalë të vetme: “i prekun”…
Asokohe pata folë bukur shumë e gjatë me Llesh Zef Doçin e Lurës e më pati lanë në memorien time një respekt tejet të madh për ditunitë e tij në sjellje e në të folune, në praktikat e filozofitë e tij. Ai e kishte ngrit’ dekanatin e tij prej brezash, prej atëherit, për sot e për nesër. Ngaqë baja shumë shkrime në gazeta, nganjëherë edhe dy a tri në një numër gazete të Tiranës, të lypshin me iu dhanë ndonjë pseudonim. Një prej tyre ishte Rali Lura. Emri i parë kishte inicialet e emrit, emrit të babës e mbiemrit tim, kurse të dytit, si mbiemër, e lashë “Lura”, në respekt të atij burri të fismë e të ditur, Llesh Zef Doçit të Lurës. Prej asaj kohe e deri më sot, gazetari e regjisori i TVSH, Ilir Buçpapaj, më thërret me kit’ emër. Po kjo ka edhe një histori tjetër: edhe në gazetën lokale “Shkëlzeni” të Tropojës, gati në çdo numër të saj, prej shkrimeve të shumta të miat, disa më duhej t’iu vnoja emrin (pseudonimin): Rali Lura, derisa një ditë pati telefonata dvetjeje nga Dibra e KQ i PPSH e ndokund tjetër për me e dit’ se “kush është ky autor?!”. M’u desht me e ndërpre kit’ emër për një kohë të gjatë. Prej asaj kohe, shpesh herë e kam dvet veten: kur pa hak e hile interesohen për kit’ emër, për mue, deri në Tropojë, sa mund të kenë hjek ndonjë burrë i karierës e i vlerave prej Lurës, prej atij vendi të bekuar, si Llesh Zef Doçi i Lurës, tashti shpirtndritun me emrin, jetën e veprimtarinë e tij.

5.
Atë ditë, kur hymë me Llesh Zef Doçin e Lurës në një kafe të madhe në Dushaj, aty afër shkollës së mesme, lëvizën gjithato karrike e njerëzit u ngritën në kambë. Disa njerëz në tavolina deshën me na e lëshue vendin. A i njef – e dveta. Jo – më tha. E kuptohej: ai ishte njeri stoik e magnetik edhe kur hidhte hapin e lëvizte dorën, le më kur folke apo qeshte: burimonte dritë.
Prej aty u kthyem prapë tek “shkolla e natës”. Po mbaronte ora e dytë e mësimit. Do të takonte Dodën… Ndërkohë fjalalajmi u end edhe për të tjerët. Lisi Llesh Zef Doçi i Lurës do të takohej me filizat e kullës e trollit të vet…
Tek dera e jashtme e shkollës së Fierzës, në të djathtë të saj, pa hy’ brenda territorit, ishin shkoq dy gurë të murit të jashtëm e kishin ra në trotuar. I kapi me dorë herë njanin e herë tjetrin e i ndoi në vendin e vet. Gurët zunë vend. Shkuen ku duheshin, po nevojiteshin materiale e mjete pune për me i rregullue si e don mjeshtria e ky vend i dijes.
-Ç’ka je ka ba, bre burri i dheut? – i thashë. Edhe ndonjë tjetër foli sikur une.
Llesh Zef Doçi i Lurës u kthye prej meje e po i vinte keq me më qortue, po ndoshta nuk pati as kohë se ra zilja e përfundimit të orës së dytë të mësimit. Ai veç më tha: Një gurë e rrëzon një mur, një gur e ngren një kullë”. Ia dhamë dorën njani-tjetrit me falmeshendete e u ndamë si dy miq të njoftun prej kohësh, ndërkohë që kishim ndejt veç pak orë sëbashku në Dushaj të Fierzës.
Para disa kohësh më ra rruga andej nga shkolla e bashkuar në Dushaj të Fierzës dhe, pas 38 vitesh, në murin e jashtëm, në të djathtë të derës së shkollës, kishin ra mbi dhjetë gurë që i ngritën ndërtuesit e veprës së dritës. Muri po dëmtohej edhe në anë të majtë të derës. M’u kujtuan ata dy gurët që i rivuni Llësh Zef Doçi i Lurës…!
Historiani, publicisti e poeti i mirënjohur mirditor Nikollë Loka e ka shkrue një monografi “Llesh Zef Doçi i Lurës – forca e mendjes, pesha e fjalës”, ku më ftoi edhe mue të jem recensent i kësaj vepre me interes shkencor historik. Edhe djemtë e Lleshit e të Markut ishin dakord. Iu faleminderit. Një promovim nderimtar, dinjitar, elitar, iu ba kësaj monografie me 300 faqe, më 31 maj 2014, në fshatin turistik “Lura” tek Gjiri i Lalzit. Veprimtaria ishte një nderim i lartë për një prind të lartë, për një personalitet meritor, për një njeri me vlera kontributive… Aty mësova një fakt të madh, një të vërtetë për kohën e brezat: kjo “Lura” e dytë, një fshat turistik i madhërishëm mes pishave, pranë detit, afër kodrave, i ka themelet tek Llesh Zef Doçi i Lurës, i Derës së Parë të Lurës. Lartësi e dritë i dhanë fëmijët e vet me familjet e tyre. Të dy Lurat i bajnë nder njana-tjetrës, i ngjajnë njana-tjetres, kanë histori të përbashkët në lartësi të maleve e në breg të detit.

Shqipëri Etnike, 19 gusht 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: LEKSIONE NGA DEKANATI I LLESH, Ramiz Lushaj, TË LURËS, ZEF DOÇIT

PLAGËT E REJA TË PLAVË-GUCISË

August 16, 2014 by dgreca

-Intervistë me ing. Tahir Gjonbalaj, një nga personalitetet e shquara të botës e kohës panshqiptare; një kreshnik kombëtar modern i trevës së Plavë-Gucisë; një ndër themeluesit e nënkryetar në dekada i të parës parti politike shqiptare në Malin e Zi – i Lidhjes Demokratike (1990); një ndër veprimtarët ma të hershëm të Pavarësisë së Kosovës (4 tetor 1991); antar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi; takime me presidentin Bill Klinton, me presidentë e kryeministra të shteteve të Ballkanit, etj.; kryeorganizator i katër simpoziumeve për historinë e kulturën e Plavë-Gucisë; nismëtar e kryefjalë i Manifestimit tradicional panshqiptar “Alpet Shqiptare” (Vuthaj, çdo 1 gusht), i dekoruar nga AFCES me Çmimin e madh “Pjetër Bogdani”; prej 16 vitesh zyrtar profesional në komunën e Plavës, etj.
-Ing. Tahir Gjonbalaj, prej kohësh në Plavë-Guci kryefjalë e ditës janë rrugët e shkurtëra ndërkufitare panshqiptare e ndërkombëtare që e lidhin krahinën tuaj me Kosovën e Shqipërinë, po edhe me vet Malin e Zi si me Podgoricën, Tuzin, Ulqinin e Tivarin. Ju, në këto tri dekadat e fundit, pa mëdyshje, jeni një ndër “promotorrët” e hapjes së këtyre rrugëve, përndryshe: një nga flamurtarët e tyre. A po më kallxo’ shkurt për historinë e gjatë të rrugës së vështirë e përparësore Plavë-Deçan?
-Komuna e Plavës, që përfshinte edhe Gucinë me Vuthaj e Martinaj (komuna Plavë-Guci) qyshse në kohën e krizave të shpërbërjes së Jugosllavisë Avnojiste Federaliste (RSFJ), në vitin 1990, i ka pri’ vet andrrës, objektivit e punës sipërmarrëse aktive për hapjen fizike të kësaj rruge nacionale në 45 km gjatësi të saj, nëpër bjeshkë, pa tunel, në kushte jo ideale, po të pranueshme. Gjithashtu, komuna e Plavës, po në vitin 1990, kryesisht me inisiativën e vet, ndërmori edhe një hap tjetër: përgaditjen e Projektit (Vijadukte) të rrugës moderne Plavë-Deçan në Fakultetin e Ndërtimtarisë në Sarajevë (BH). Ky Projekt cilësor parashikon rrugën e asfaltuar me 33 km gjatësi, me një tunel 4.450 metra, me ura, etj. të kalueshme edhe në stinën e dimrit.
Pas Luftës së Kosovës (1999) u riaktivizua çështja e hapjes së rrugës, e cila pas shpërbërjes së Unionit Mali i Zi-Serbi (2003-2006) dhe shpalljes së Pavarësisë së Malit të Zi (2006) e të Kosovës (2008) trajtohet si “rrugë ndërkufitare”, ndërkombëtare. Kjo rrugë është çështje e përbashkët ndërshtetërore për t’u zgjidhur në mes dy shteteve të reja ballkanike: qeverive të Malit të Zi e të Kosovës, ndoshta me shtysë, fonde, mbikqyrje edhe të Komunitetit Ndërkombëtar si Bashkimit Europian, etj.
Kryeministrave të Kosovës, Ramush Haradinaj, Bajram Kosumi, Agim Çeku e pothuaj në çdo mandat qeverisës Hashim Thaçit, ua kemi ngrit’ çështjen e rrugës Deçan-Plavë, si nga ana ime, Tahir Gjonbalaj, në cilësinë e një prej përfaqësuesve të partisë së parë shqiptare Lidhja Demokratike në Mal të Zi (e me veprimtarë të kësaj partie të Plavë-Gucisë e Tuzit), si një nga veprimtarët e Pavarësisë së Kosovës, si një inxhinier e në 16 vite zyrtar profesional komunar i Plavës. Shpesh në këto takime kemi qënë sëbashku me titullar të komunës së Plavës. Herën e fundit, sivjet, ishim me kryetarin e komunës së Plavës, Orhan Shahmanoviq në takim pune me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin. Takime të tilla kemi krye edhe në Tiranë dhe në Podgoricë.
Prej kohësh kemi krijue lidhje të mira mes komunës së Plavës (Plavë-Gucisë) e të Deçanit. Ka një vit që dy komunat jemi binjakëzua ndërveti. Kemi pasë takime pune e marrëveshje të përbashkëta edhe për rrugën. E kemi, si po thoni edhe ju: kryefjalë. Në fillim, sëbashku me kryetarin e komunës së Plavës, Adem Jaseviq, jemi takuar me kryetarin e komunës së Deçanit, Ibrahim Selmanin. Vitet e fundit kemi pasë disa takime në Plavë-Guci e në Deçan në mes kryetarëve Orhan Shahmanoviq e Rasim Selmanaj, deri edhe në rang delegacione pune nga dy komunat fqinjë.
Para disa ditësh, më 1 gusht 2014, ministri i Kulturës i Kosovës, nënkryetari i PDK, Memli Krasniqi, në fjalën e tij përshendetëse në Manifestimin “Alpet Shqiptare. Vuthaj, 2014”, siç e ndigjuat edhe ju, tha e dha në emër të Qeverisë së Kosovës premtimin e madh se rruga Deçan-Plavë është paraparë në planin pesëvjeçar të shtetit të Kosovës, ku çdo vit ka të detajuar fondet e veta.
Manastiri i Deçanit e detyron rrugën me u ngjit pak ma lart, po edhe ne, në Plavë-Guci, presim që kjo rrugë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. Të paktën Qeveria e Kosovës të hapin rrugën deri tek vija e demorkacionit Mali i Zi-Kosovë…
-Zoti Tahir, një atdhetar luftëtar i këtuhit, këto rrugë në shtypin në Amerikë i cilëson si “damarë të zemrës”. Tashti po due me të dvet për “damarin” tjetër tejet të randësishëm: Guci-Vermosh-Hani i Hotit apo, si i thonë këndej në traditë: “Rruga e Shkodrës”, e cila në fakt të çon edhe në Tiranë, po edhe në Podgoricë, në Ulqin e Tivar.
-Rruga Guci-Shkodër po kryhet pas shumë viteve kërkesa e përpjekje, projekte e marrëveshje mes qeverive të Shqipërisë e të Malit të Zi. Interesim të lartë ka dëshmuar edhe komuna e Plavë-Gucisë, si dhe shoqëria civile e personalitete nga diaspora shqiptare në Amerikë e në Europë. Sëbashku me kryetarin e komunës të Plavës, Orhan Shahmanoviq, kemi shkue dy herë në Tiranë gjatë dy viteve të fundit, në takime pune me sukses me ish kryeministrin Sali Berisha e me kryeministrin e sotëm, Edi Rama, ku e kemi pasë kryefjalë bisede rrugën Guci-Shkodër. Për këto takime kanë folë mediat shqiptare e të huaja.
Kjo rrugë drejt Shkodrës ka përfunduar në territorin e komunës së Plavë-Gucisë në parametrat e caktuar prej nga qyteti i Gucisë në Doganë – tek Pika e Kalimit Kufitar Mali i Zi-Shqipëri, kufi që ndan komunat e sotme Guci e Kelmend. Edhe në pjesën e Shqipërisë Londineze, rruga nga Pika Kufitare-Doganore Guci deri në Vermosh (7 km) është krye. Punohet me ritme jo të shpejta në segmentin prej 27.2 km nga Tamara (Kelmend) në Hani i Hotit (Shkodër). Deri tani kanë mbaruar mbi 30 km të rrugës ndërkufitare panshqiptare e ballkanike Guci-Shkodër, e cila ka pasë mbi 26 milionë USD financim nga Tirana e Bashkimi Europian. Në takimin me ish kryeministrin Sali Berisha na është thënë se segmenti rrugor nga Vermoshi në Tamarë njihet si “rrugë ndërkufitare” e, si e tillë, është projekt i përbashkët i dy shteteve: Shqipërisë e Malit të Zi, ka një marrëveshje të firmosur mes dy qeverive përkatëse qyshse në vitin 2012. Pala shqiptare e Tiranës, me vendim qeverie, e ka miratuar projektin, e ka akorduar pjesën e fondit të vet. Tani çështja mbetet për t’u krye nga Qeveria e Malit të Zi në Podgoricë. Në takimin e para disa muajve me kryeminstrin aktual Edi Rama na është premtuar se ky segment rrugor do të përfundoj së shpejti, në parametrat e duhur, në mirëkuptim të plotë dypalësh.
-Zoti Tahir, tue iu shpreh mirënjohje për kontributet e tua për këto rrugë kryesore ndërshqiptare e ndërkombëtare, po due me të dvet’ edhe për një rrugë të tretë: atë Plavë-Çerem (Margegaj) që kalon nëpër Qafën e Vranicës, lidhet me luginën e Valbonës, kalon rrugës ujore liqenore e tokësore përgjatë Bregut të Drinit e bie në Portin e Shëngjinit, që me gjasa, do të jetë “Porti i Kosovës”.
-Komuna e Plavës i ka hap 12 kilometrat e udhës në pjesën e saj. E ka krye detyrën e vet.
Në anën e Shqipërisë, në komunën fqinjë të Margegajt, nga Qafa e Vranicës deri në Dragobi, rruga ka përfunduar me kohë në 14 km e saj, e në disa segmente ka pasë rikonstruksione prej dëmtimeve nga sheu e bora. Prapë në këtë rrugë të projektuar me 6 m. gjerësi ka punë të pambylluna deri tek asfaltimi i saj.
Kjo rrugë ndërkufitare mundëson lidhjet farefisnore, ekonomike, kulturore e turistike të luginës së Valbonës e të rrethit të Tropojës me komunat e sotme të Plavës dhe të Gucisë. Po edhe i lidh Alpet me Detin Adriatik.
Dy kryeministrat: Sali Berisha i Shqipërisë dhe Milo Gjukanoviç i Malit të Zi, para disa vitesh kanë nënshkruar një marrëveshje të përbashkët për hapjen e Pikë-Kalimit Kufitar të Qafës së Vranicës. Pritet zyrtarizimi i saj, përurimi. Koha po ecën. Puna po vonon.
Në mes dy komunave kufitare, të Plavës (Mali i Zi) e të Margegajt (Shqipëri) kemi pasë takime pune të përbashkëta në vite, deri këto më të fundit në mes Orhan Shahmanoviq dhe Rexhë Biberajt, i cili ka katër mandate si kryetar i kësaj komune të luginës së Valbonës.
Këto tri rrugë, nga Plavë-Gucia drejt Deçanit, drejt Shkodres, drejt luginës së Valbonës, e përgjysmojnë kohën e udhëtimit, krahasuar me rrugët e derisotme rreth e rrotull nga Plava në Rozhajë-Pejë-Deçan dhe nga Plava në Kolashin-Podgoricë-Shkodër apo nga dy krahët e këtyne rrugëve për të shkuar deri në qytetin Bajram Curri të Tropojës.
Para së gjithash, këto rrugë ndërkufitare panshqiptare e mes tri shteteve ballkanike, janë korridore të integrimit euro-atlantik, të paqes ndërshtetërore e ndëretnike, të zhvillimit ekonomik e kulturor, të ruajtjes së shqiptarëve etnik të trevës tonë nga asimilimi sllav e mos shpërngulja e tyre nga trojet e veta.

-Zoti Tahir Gjonbalaj, prej vitesh ka lind e gangrenon një tjetër shqetësim i madh politik, etnik, pronësor, ekonomik në krahinën e Plavë-Gucisë lidhur me të ashtuquajturin “Parku Nacional”. Si është e vërteta e ecurisë së tij zyrtare, e problematikave të tij kundërshqiptare?
– Pesë vjet kemi pasë bashkëpunim të mirë me amerikanët e anglezët, dy miq të mëdhenj të tri shteteve ballkanike: Kosovës, Malit të Zi e Shqipërisë, për me e shpall “Parkun Kombëtar të Paqes”. Me inisiativën e asistencën e tyre ndërkombëtare u mbajt në Prishtinë në fund të vitit 2006 një takim pune final i përbashkët i të gjithë kryetarëve të komunave ku shtrihej ky Park, prej nga Istogu (Burimi) afër Pejës deri në liqenin e Shkodrës. Aty u firmos një marrëveshje. Nënshkruan të gjithë kryetarët e komunave: Skënder Sharkinoviq i Plavës (Plavë-Gucisë), Rexhë Biberaj i Margegajt (Lugina e Valbonës), ai i Pejës, i Deçanit, i Rozhajës, i Tropojës (Ast’), i bashkisë së qytetit të Bajram Currit, etj.
Aty, në atë takim ndërshtetëror të rëndësishëm, u ngrit Zllatko Buliq, përfaqësues i Malit të Zi, e doli me deklaratë zyrtare: “Nuk do të lejojmë të ngrihet “Parku Ballkanik i Paqes” për arsye se e kontrollojnë shqiptarët…”. Ky, me të shkuar në Podgoricë, ua nisi përgaditjeve institucionale zyrtare për copëtimin fragmentar të Projektit. Mbeti vetëm në bjeshkët e Nemuna, që përfshinte disa komuna në trekëndshin kufitar Mali i Zi-Shqipëri-Kosovë si komunën e Plavë-Gucisë, Margegajt, etj. Ky Projekt do të pagëzohej si “Parku Hapësinor Prokletje” apo “Parku Nacional Bjeshkët e Nemuna”.
Ky Park Nacional i okupon pronat e shqiptarëve etnik, i pengon shqiptarët në shfrytëzimin e menaxhimin e pronave të veta private të trashëgueshme e të ligjshme, të njoftuna zyrtarisht nga shteti jugosllav i kohës, edhe nga Jugosllavia e Parë e krajlëve. Gjithashtu e pengon edhe zhvillimin e turizmit alpin veror e dimëror në këto troje të shqiptarëve autoktonë, mbajtjen e blegtorisë, shfrytëzimin e kullotave e pyjeve, etj.
Parku Nacional Bjeshkët e Nemuna është i madh. I kap 16 mijë hektarë ose 160 km2. Domethanë sa sipërfaqja e komunës së re të Gucisë (157 km2). Në shtrirjen e tij kap gjithato territore gjeofizike tërësisht etnike shqiptare në shekuj: Hotin (Hotin e Vendit), Zabelin, Jasenicën, Vojnosellën, Hakajt, Vishnjevën, Kukajt, Krushevën (Dardha), Kolinën, Vuthajt e Dolin.
-Zoti Tahir, një ndërhyrje, ju lutem, një ndërhyrje: E, ju, heshtët përballë kësaj situate kundërshqiptare, kundër praktikave të tilla shovene qeveritare të Malit të Zi?!
– Jo. Kush u ka thënë se kemi hesht. Kemi ngrit zërin tonë shqiptar. Vazhdojmë të mbrojmë të drejtat e shqiptarëve etnikë të rrezikuara nga Parku Nacional, puna për ngritjen e të cilit, siç u thashë më lart, ka nisë në vitin 2006.
Vet personalisht, si nënkryetar i Lidhjes Demokratike Shqiptare në Malin e Zi, si qytetar i Gucisë e i Plavës, si zyrtar profesional komunar i Plavës, si një ndër të prekurit familjarisht e farefisnisht nga ky Park Nacional, kam shkue në janar të vitit 2007 në kryeqytetin shtetëror të Podgoricës. Aty e takova ambasadorin e Bashkimit Europian. Ia kam hap e dorëzuar në zyrën e tij dokumentacionin e plotë, ku dëshmohet se pronarët e sotëm të territoreve ku shtrihet Parku Nacional janë shqiptarët etnik. Ia kam kallxuar dokumentet ku Gjykata e Jugosllavisë qyshse në vitin 1933 ua kishte kthye këto prona qindpërqind shqiptarëve vendali në shekuj, të rritun në ato troje brez pas brezi.
Më 13 shkurt të vitit 2007 e kemi ba një Tubim Proteste tek dhoma e kulturës në qytetin e Plavës, ku e ngritëm zërin qytetar e politik kundër Parkut Nacional Bjeshkët e Nemuna, pasi ky dëmtonte interesat jetike të shqiptarëve autokton, shqiptarët nuk munden t’i shfrytëzojnë pronat e veta, etj. si pasojë shkaktojnë edhe shpërngulje të shqiptarëve nga tokat e fshatrat e veta, i hap rrugë asimilimit e pushtimit të pronave të shqiptarëve.
Kurrkush nuk e ka ndie deri në fund e plotësisht zërin tonë shqiptar. Kërkesat tona kanë lanë gjurmë, po problemet tona nuk kanë marrë zgjidhjen e premtuar prej asaj dite janari 2007 e deri më sot, në gusht 2014. Pra, po bëhen 8 vjet. Veprimtaria kundërshqiptare me Parkun Nacional ka mbet’ pothuaj e njëjtë. Më shumë se problematike.
Më 16 prill 2008 Kuvendi i Malit të Zi (Parlamenti) e miraton “Planin Hapësinor të Malit të Zi”, në të cilin përfshihet edhe “Plani Hapësinor – Prokeltje” (Parku Nacional Bjeshkët e Nemuna). Për miratimin e këtij Plani i dhanë votat e tyre edhe tre deputetët e Plavë-Gucisë dhe Ferhat Dinosha, deputet i Unionit Demokratik të Shqiptarëve në Malin e Zi.
Për të disatën herë dua të theksoj edhe një problem tjetër tepër shqetësues për shqiptarët në dy komunat e sotme: Plavë e Guci. Ligji mbi shfrytëzimin e Parkut Nacional është një ligj diskriminues ndaj popullatës vendore autoktone shqiptare në hapësirat e Parkut Nacional.
Në elaboratin e Parkut Nacional thuhet se 92 për qind e pronave të territorit të tij janë shtetërore. Në fakt këto janë prona të uzurpuara popullit shqiptar autokton në shekuj, si të kelmendasve, hotjanëve, etj. pasi edhe vendimet e Gjykatës të Mbrëtërisë Serbe-Kroate-Sllovene (1933) e dëshmojnë qartë pronësinë shqiptare nga vet shteti jugosllav i krajlëve e, më vonë, edhe nga ai i Jugosllavisë së Dytë.
Parkun Nacional në Plavë-Guci e menaxhon një firmë shtetërore me seli në Podgoricë. Punëtorët i ka të vetët, jo plavë-gucias. I bien nga larg. Çdo e mirë natyrore e materiale i shkon kësaj firme shtetërore në Podgoricë. Asgjë nuk mbetet për banorët lokal, për shqiptarët etnik në Plavë-Guci.
-Pra, zoti Tahir, shteti malazez me Parkun Nacional paska një strategji oktapode, të kahershme, të thellë, të egër, krejtësisht kundër shqiptarëve të krahinës etno-historike të Plavë-Gucisë.
– Po. Kjo histori për keq ka nis nga fillimi i viteve ’90, në kohën e shpërbërjes federaliste të Jugosllavisë (RSFJ).
Zona, ku sot shtrihet Parku Nacional Bjeshkët e Nemuna (Prokletje), në ato vite u kthye në zonë ushtarake jugosllave. Ishte e dyta qendër komanduese e shtetit jugosllav për Malin e Zi. U shpall zonë e ndaluar në 5 km vijë ajrore përgjatë kufirit të Plavë-Gucisë me Shqipërinë. Nuk lejoheshin shqiptarët me dal as në bjeshkët e veta.
Në disa raste pata debate me autoritete civile e ushtarake, lokale e të qëndres, e ngrita shpesh çështjen në rrugë institucionale politike, partiake, etj. Disa zyrtarë edhe dëgjonin, po nuk reagonin në interes të së drejtës, pasi e shihnin veçse një e mirë në interes të shqiptarëve.
Pasi u krye “Lufta në Kosovë” (1999), nën trysninë e Bashkësisë Ndërkombëtare, Ushtria e Malit të Zi u detyrua me u tërhjek në kazermat e veta, në të tjera baza ushtarake të saj.
Shteti i Malit të Zi e ndërmori aktin tjetër: kësaj ushtrie ua ndrruan formën e emërtimit të saj, uniformën e saj, etj., po jo misionin e saj. Vendi ku sot shtrihet Parku Nacional u kthye pothuaj tërësisht në “Polici Kufitare Malazeze”. Njësoj si të parët. Këta qëndruan disa vjet. Edhe këta, prapë, vendosën disa kufizime të ndryshme për shqiptarët etnik të atyshëm. Kjo “Polici Kufitare” u largua vetëm me trysninë ndërkombëtare. Ishin miqtë tanë euro-atlantik të NATO-s e të BE-së që na u gjetën pranë në të dy rastet. Plavë-Gucia mori frymë më lirisht nga kufizimet e ushtrisë jugosllave (malazeze) dhe nga policia kufitare malazeze.
Kohët e fundit u gjet diçka tjetër: Një shpikje ndryshe në formë. Misioni po i njëjtë. U ngrit “Policia e Parkut Nacional”, e cila ka kompetenca më të forta se ato të parat.
Më 19 maj 2013 u miratua Plani Hapësinor i komunës së Plavë-Gucisë. Aty nuk u trajtua Parku Nacional Bjeshkët e Nemuna. U la jashtë. Për një herë tjetër. Gjatë debateve në mes antarëve të Komisionit për Planin Hapësinor të Plavë-Gucisë, në këtë mbledhje të nxehtë, prapë Zllatko Boliq lëshoi deklaratën tjetër: “E kemi shpall Parkun Nacional të Bjeshkëve të Nemuna për t’u forcuar kufijtë shtetërorë të Malit të Zi dhe për të bërë të pamundur lëvizjen e lirë të shqiptarëve nëpër këto bjeshkë”.
Në Parkun Nacional Bjeshkët e Nemuna, firma menaxhuese e ardhur nga Podgorica, siç ua thashë, nuk ka të punësuar asnjë shqiptarë plavë-gucias. Shqiptarët etnik e kanë Parkun Nacional në tokat e veta, në derën e shtëpisë së vet dhe nuk i lejojnë të jenë pronarë, po nuk i lejojnë të jenë as punëtorë. Kjo ndodh rrallë kund në botë. Ky është diskriminim etnik.
Sikur të mos mjaftonte kjo po ndodh diçka tjetër e jashtëzakonshme: Kjo firmë podgoriciane i ka marrë policët e Parkut Nacional nga Kolashini, Berana, Bijello-Polje dhe i kanë çue në Podgoricë për me u mësua gjuhën shqipe e këta me ardhë mbasandejna në krye të detyrës në Plavë-Guci. Asnjë prej tyre nuk është shqiptar.
Parku Nacional Bjeshkët e Nemuna po fuqizohet çdo ditë e më shumë duke i dobësuar shqiptarët etnik të Plavë-Gucisë në fuqinë e tyre ekonomike, pasi iu kanë marrë pronat e të parëve, mundësinë për administrimin pronësor e zhvillimin e tyre për turizëm, blegtaori, tregëti, etj.
Ne, në Plavë-Guci, do të bëjmë prapë kërkesa, ankesa, përpjekje për mos dëmtimin e shumanshëm të vazhdueshëm të shqiptarëve nga Parku Nacional, por presim ndihmë e ndërhyrje edhe më të shumta e më të forta, të drejtpërdrejta, nga diaspora jonë në Amerikë e në Europë, nga Tirana e Prishtina zyrtare, si dhe nga Uashingtoni e Brukseli.
-Zoti Tahir Gjonbalaj, ju jeni ndër themeluesit e të parës parti politike shqiptare në Malin e Zi, i Lidhjes Demokratike. Njëherit, ju jeni edhe nënkryetari i parë i saj. Asokohe grupi i veprimtarëve nga krahina e Plavë-Gucisë kishte peshë të madhe në këtë ngjarje historike politike. Përveç kësaj, me sa di unë, ju me shumë të tjerë, në gusht 1990, u shkëputët nga nisma për krijimin e Forumit Demokratik – si organizëm i shoqërisë civile dhe dolët protoganistë të krijimit të partisë politike, pasi e shihnit si detyrë historike, nevojë të kohës. Diçka nga kjo ngjarje panshqiptare, me jehonë ballkanike, euro-atlantike?
– Inisiativa e parë, shpallja e parë publike e organizimit të shqiptarëve në Mal të Zi u ba në shkollën fillore të Tuzit (Malësi) më 1 korrik 1990, në 20 vjetorin e Beslidhjes së Malësisë.
Kuvendi i parë themelues publik i Lidhjes Demokratike në Malin e Zi u ba më 16 gusht 1990 në shtëpinë e Nuho Kurtit. Kryetar i parë i saj, i Këshillit Nismëtar të saj, u zgjodh Lek Lulgjuraj. Kishte përfaqsues nga Plavë-Gucia, Ulqini, Tuzi, Tivari, etj. Nënkryetar më zgjodhën mua (Tahir Gjonbalaj) e Ragip Shaptafa.
Kuvendi themelues i Lidhjes Demokratike në Malin e Zi, në mbledhjen e tij të 9 shtatorit 1990 zgjodhi për kryetar Mehmet Bardhin, nënkryetar Lek Lulgjuraj e Tahir Gjonbalaj dhe, me propozim të Lek Lulgjurajt u zgjodh sekretar i LD , Nikollë Camaj.
-Zoti Tahir Gjonbalaj, një sekret që po due ta baj publik: një miku im diplomat më ka tregue në ekran të televizionit të tij një video disaorëshe të rregjistruar në mesnatën e 4 tetorit 1991 deri në ag të ditës tjetër, ku ju u zgjodhët në presidiumin e një kuvendimi kombëtar për Pavarësisnë e Kosovës. Në sallë pashë të jenë kryeministri i sotëm Hashim Thaçi, Azem Syla, Kadri Veseli, ambasadori i pritshëm i Kosovës në Tiranë, etj. Për lexuesit, a mund të thoni diçka ma tepër rreth kësaj ngjarje historike e veprimtarisë tuaj për Pavarësinë e Kosovës?
-Një herë tjetër do të kemi rast të folim për këtë kuvend, për ata burra, për atë ditë.
-Zoti Tahir, një tjetër kryefjalë e ditës në Plavë-Guci, një tjetër plagë e hapur, është ndarja territoriale. Ju lutem, cili është komenti juaj?
-Në vitin 1992 i janë marrë Plavë-Gucisë një pjesë e territoreve të saj: bjeshkët e Martinajve. Ato janë disa si Zeletina, etj. Ua dhanë komunës fqinjë të Andrejavicës. Po e them që ta dinë edhe të tjerët në treva shqiptare e diasporat shqiptare: Martinajt janë një fshat i madh krejtësisht shqiptar, si territor e popullsi janë etnikisht shqiptare. Ndërsa Andrejavica, sipas rregjistrimit shtetëror të popullsisë më 2011, pothuaj nuk ka shqiptarë etnik të deklaruar. Kjo i tregon qartë synimet shovene të Malit të Zi në ndarjen administrative të këtyre dy komunave, me grabitjen shtetërore të bjeshkëve të Martinajve.
Parlamenti i Malit të Zi, më 26 shkurt 2014, e ndau komunën e Gucisë nga ajo e Plavës. Tani kemi dy komuna. Gucia me 157 km2 është nga komunat më të vogla në krejt Republikën e Malit të Zi. Ajo ka dy bashkësi lokale: Guci e Vuthaj, ku edhe “Krojet e Vuthajve” kanë kaluar me Gucinë (!)
Komunës së Plavës i mbetën “komunat kadastrale” të Hotit (Hotit të Vendit), Rijeka e Gjyriqit (Gjyriqi), një pjesë e Vojnosellës.
Burimet e sotme financiare për ekzistencën e komunës së Gucisë mbetën me komunën e Plavës, si pyjet e larta ekonomike, ujësjellësi i Plavës – i cili e merr ujët nga Jasenica, pyjet e Hotit, Trokuzit, Riblakut, etj.
Komuna e Gucisë, ende pa filluar punën zyrtarisht, po përballet me vështirësitë e fillimit – nga mungesa e selisë së saj të papërfunduar plotësisht, nga mungesa e burimeve financiare të saj, etj.
-Ju, zoti Tahir Gjonbalaj, kryehere ishit kundër ndarjes territoriale të Gucisë nga komuna e Plavës, kundër komunës së re të Gucisë. Cilat ishin shkaqet dhe arsyet?
– Shënoje aty në letër. Numri 1: Mbajtja e pjesës dërmuese të pronave të shqiptarëve në komunë të Plavës. Numri 2: Hupja e ndikimit politik të shqiptarëve në komunën e Plavës. Numri 3: Shkëputja direkte e këtyre qyteteve me Kosovën. Numri 4: Në rast bashkimi me Shqipërinë të bashkohet vetëm komuna e Gucisë (!)
-Zoti Tahir Gjonbalaj, ju jeni një ndër personalitetet kombëtare panshqiptare që luftoni për të drejtat kombëtare etnike, politike, kulturore e ekonomike të shqiptarëve. Para se të vija në takimin e dytë për kit’ intervistë, një miku ynë i përbashkët në Guci, më dëftoi gazetën “Novosti” të 4 dhjetorit 2013 që iu akuzonte si përkrahës e protogonast i “Shqipërisë Etnike”, etj. Një vit ma parë, pas tubimit tuaj në Plavë kundër ngritjes së komunës së Gucisë, pata lexue se shtypi boshnjak, etj. iu sulmonte për përdorimin e parullave që flisnin për Shqipërinë Etnike në manifestimin tuaj, të cilit i pata kushtue edhe një poezi. Ç’ka mund të thoni lidhur me këto komente të shtypit në gjuhët sllave?
– Shtypi kryen detyrën e vet, ka misionin e tij. Ne kemi tonin. Jemi shqiptar etnik të këtyre trojeve. Jemi qytetar të lirë të këtij vendi në një kohë demokratike, njerëz të mendimit e fjalës së lirë, të besimit e veprimit të lirë. Jemi qytetar e vend euro-atlantik, që po ecim drejt integrimeve në BE e NATO… Kush e don me fuqi magjike vendlindjen e tij, kush punon me fuqi biblike për vendlindjen do të thotë të kapësh lartësi hyjnore, të lidhesh me Zotin.
-Ju, i nderuari Tahir Gjonbalaj, si rrallëkush, më shumë se çdo institucion shtetëror apo i shoqërisë civile në shtetet e trevat shqiptare në Ballkan apo në Diasporë, keni organizuar çdo 31 korrik nga një simpozium shkencor për historinë e kulturën e Plavë-Gucisë. Katër simpoziume në katër vjet. Si po mundeni kështu? A jeni ju “mbinjeriu” apo “heroi i kohës sonë”?!
– Konferencë, simpozium, sesion, akademi përkujtimore, sipas rastit, i kemi thirr’ veprimtaritë tona shkencore në Plavë-Guci. Nuk janë vetëm simpoziume, si po i cilësoni në pyetjen tuaj.
Në 100 vjetorin e Pavarësisë organizuam veprimtarinë shkencore “Plavë-Gucia në shekuj dhe Çështja Kombëtare Shqiptare” (2012), “Masakra e Previsë” (2013), “Komiteti Kombëtar Mbrojtja e Kosovës dhe Plavë-Gucia” (2014). Në to kanë referuar e kumtuar personalitete shqiptare e të huaja si akademikët Jusuf Bajraktari, Beqir Meta, Marenglen Verli, profesor doktorët Pëllumb Xhufi, Nevila Nika, Mevludin Dudiq, Seit Mancaku, Frashër Demaj, Zymer Neziri, Admira Muratovica, Isa Bicaj, Izber Hoti, Muhamet Shatri, etj. etj.
Më 31 korrik 2015 do të organizojmë veprimtarinë shkencore të katërt, Akademi Përkujtimore për figurat historike të krahinës së Plavë-Gucisë në shekujt XIX-XXI me kumtime të lira për Ali Pashë Gucinë, Jakup Ferrin, Ahmet Zenelin – Gjonbalaj, Murat Osmani i Hotit, Bali Demën – Martinaj, Ismail Nikoçin e Gucisë, Alush Smajli i Hotit, bajraktarët e Martinajt, Hysen Efendi Vuthaj, Bali Bajram Nokshiqi, Hasan Ferrin, Mulla Agan Koja, Mushak Haxhia – Selimaj, Xhemë Bajraktari i Arzhanicës, Hasan Isufi Kukaj, Avdyl Pepaj, e të tjerë e të tjerë deri tek Jeton Dedushaj, dëshmor i UÇK për lirinë e Kosovës.
-Zoti Tahir Gjonbalaj, më keni dhanë listë të gjatë me emra e kam me i hjek disa për arsye vendi, tue e dit se çdo kullë në Plavë-Guci ka histori e trima që e nderojnë historinë e kombin shqiptar. Prandaj, së fundit, pak fjalë për veprimtarinë tashma panshqiptare, për Manifestimin “Alpet Shqiptare, Vuthaj”, me organizator shoqatën joqeveritare “Alpet Shqiptare” e shoqërinë kulturore “Maja e Karafilit”, ku ju, si e kam thanë edhe diku tjetër, jeni nismatër e kryefjalë i tij.
– Kjo veprimtari ka arritë atë stad që ne e kemi dëshiruar prej fillimit, qyshse në fund të vitit 1996 kur Lidhja Demokratike në Mal të Zi mori vendim për organizimin e saj. I pari manifestim nisi më 10 gusht 1997, ndërsa i dyti më 1 gusht 1998. Ka 16 vjet që ky manifestim kryhet me 1 gusht. Ju e patë sivjet, që ishin mbi 2.000 vetë nga Plavë-Gucia, Kelmendi, Kosova, Shqipëria, Tuzi e Ulqini, Tivari e Rozhaja, nga Amerika e Zvicra, Belgjika e Britania e Madhe, etj.
Kjo veprimtari tradicionale organizohet në Begllek të Vuthajve, ku me ndihmën e USAID-it Amerikan u ngritën tribuna për koncertin festiv, terrene sportive, etj., ku organizohen edhe gara me kuaj, ndeshje sportive, hedhja e gurit, etj.
Në përmbyllje të kësaj interviste të gjatë, i nderuari Tahir Gjonbalaj, po të them se ju folët për të tjerët e mue më mbetet tua qëndis një portret për veprimtarinë tuaj të formatit të madh. Në se do të banim një intervistë tjetër, pos kësaj, për çfarë do të më flisnit më së shumti, ma së forti?
-Për ato që iu thashë në fillim e fund të kësaj interviste: për hapjen e rrugës Plavë-Deçan, për përfundimin e rrugës Guci-Shkodër, për Pikëkalimin kufitar të Qafës së Previsë e rrugën e Çeremit, për Parkun Nacional, për ndarjen territoriale administrative të Plavë-Gucisë, etj. Do të flisja për projektet e parealizuara dhe plagët e reja të Plavë-Gucisë, për këtë “Ballkon të Alpeve” apo si e thotë Fishta i madh, si vendi ku rri “Ora e Shqipërisë”.
Intervistoi: Ramiz LUSHAJ
Guci, gusht 2014

Filed Under: Interviste Tagged With: PLAGËT E REJA, Ramiz Lushaj, Tahir Gonbalaj, TË PLAVË-GUCISË

DOLI I GUCISË I ÇON NJË KARTOLINË LUTJE PAPA FRANCESKUT PARA VIZITËS NË SHQIPËRI

August 13, 2014 by dgreca

Foto: Fshati Doli i Guci, ne rreth te kuq pronat e shqiptareve etnik katolik qe rrezikojne te kthehen ne prona shteterore te shtetit shoven te Malit te Zi gjukanovician (Foto: Alex Selimaj)/
Nga Ramiz LUSHAJ/
Doli është një fshat i vogël shqiptar tokëngjit qytetit të Gucisë, i shtrirë në fushë, i kapet edhe malit. Një pozicion gjeo-strategjik i lakmueshëm. Vendi i bollekut për tokë buke e mbajtje të blegtorisë. Në rregjistrimin shtetëror malazez të vitit 2011 i figurojnë 102 banesa. Popullsia e tij është ma e madhe në emigracion se sa në trojet e veta etnike. Një rast i ngjashëm, dukuri gangrenë e përgjithshme, për krejt krahinën etno-historike të Plavë-Gucisë, e cila ka rreth 3.000 banorë në dykomunshin, e po të kthehet tanësisht mërgata shqiptare bahen 13.000 banorë shqiptarë, sa ç’asht krejt popullsia e sotme e saj me shqiptarë, boshnjakë, malazezë, serbë, etj.
Doli ka mbet i vetmi fshat me popullsi katolike në krejt krahinën e madhe etno-historike të Plavë-Gucisë. E ka edhe kishën e vet. Prej hejcekurit thirret “Kisha katolike e Dolit”. Këta qëndrestarë të rrallë të mos asimilimit etnik e fetar përngjajnë si një “oaz”, pasi ortodoksit malazezë e serbë dhe muslimanët boshnjakë iu thonë: “shqiptarët katolikë të Dolit”. Gjithmonë dyert e Dolit kanë nxjerrë burra të mirë, të meçëm, luftëtarë, dijetar, të cilët ia kanë mbajt lart emrin e veprat visit të vet etnik shqiptar.
Dolit të vogël, sivjet, në kit’ gusht 2014, i ka ra një hall i madh, për të cilin po ia çon një kartolinë publike Shkelqësisë së Tij, Papa Franceskut, para vizitës në Shqipëri, tue iu lut për ndihmë direkte, për ndërhyrje të shpejtë, pasi shteti i Malit të Zi të Gjukanoviçit po ua grabit tokat e të parëve të vet, po ua shtetëzon me të padrejtë ato, po kryhet një akt i ri neokolonial, po synohet asimilimi fetar e etnik i popullsisë e tokës së tyre etnike.
Shteti i Malit të Zi gjukanoviçian ka çue në vjeshtën e vjetit 2013 një aeroplan mbi hapësirën gjeo-fizike të Plavë-Gucisë për me i filmue krejt pronat e kësaj krahine, asaj kohe në një komunë të vetme: Plavë-Guci. Kjo duhej për kadastrimin e tokës, etj. Ç’ka ndodhi realisht?
Doli, banorët e tij, sipas rregullit shtetëror, në pronat e veta – në katër qoshet e tyre, kishin vendos shenja të bardha kufitare. Kohëardhja e avionit në vjeshtë për filmime nga ajri e ka damtue seriozisht proçesin e rregjistrimit të pronave të tyre me pemë, kopshtije, lisa, ara. Shenjimet e bardha nuk dallohen në hartë nga ramja e gjetheve të zverdhura vjeshtuke, etj. Kjo është e keqja, po pas saj vjen e keqja tjetër ma e madhe:
Nga Podgorica, kryeqyteti i Malit të Zi, kanë ardhë “komisionet e posaçme të tokës”, të cilët në ato vende ku shenjat janë shuejt apo, sipas tyre: “nuk duken qartë”(!) si dhe në ato shtëpia të shqiptarëve katolikë të Dolit (si ata në emigracion) që nuk ndodhen aty të pranishëm fizikisht gjatë matjeve kadastrale, ua kalojnë pronat vetjake familjare si “pasuri shtetërore”(!!!) Kjo është një formë neokolonializimi modern, që çon drejt asimilimit etnik e fetar.
E keqja ndjek të keqen: Qeveria e Malit të Zi qëllimisht ka lanë një afat kohor të shkurtër, pothuaj dy javor, për proçesin e kadastrimit të ri mafioz, antishqiptar, neokolonial të tokave, si në Doli edhe në krejt Plavë e Guci, ndaj shqiptarët kudo që janë në çdo vend të botës duhet të vijnë urgjent në vendlindje, të mbrojnë e shpëtojnë tokat e veta, kullat e veta, pasurinë e breznive të veta etnike shqiptare.
Përndryshe ka edhe një tjetër të keqe të madhe, tejet të madhe: Ata, që “komisionet e Podgoricës” ua shtetëzojnë tokat e tyre pronësore (si tokën e bukës e atë të malit) duhet të bredhin gjyqeve të pafund nga Plavë-Gucia deri në Podgoricë, do të humbin kohë me vite, do të kenë shpenzime të mëdha e të tepërta, do të kenë kushtëzime për asimilim etnik e fetar, e pas gjitha këtyre ecejave pa cen e pa cak, nuk i dihet fundi fitimtarit: shteti shoven malazez apo qytetarët e malësorët e Dolit e të krejt dy komunshit” Guci e Plavë?!!!
Çështja shtrohet: Pse Doli i çon kartolinë publike Papa Franceskut?! E para, se shqiptarët etnik në krejt Malin e Zi zanë vendin e parë si popullsi e besimit katolik, pastaj vijnë malazezët e kroatët. E dyta: se shqiptarët katolikë të Dolit kanë mbetë “oaz” në Plavë-Guci e nën presione të shumfishta për ndrrim feje e etnie. E treta: se Guci (përfshi edhe Dolin) kanë gjet strehim të krishterët që përndiqeshin nga inkuizicionistët e ndryshëm në shekujt e parë pas Krishtit, biles Gucia thirrej “Vendi i kishave”. Edhe sot në Guci ka edhe shpella me emra shenjtorësh etj. E katërta: Gucia, Plava, Hoti (Jasenica) u ringritën si qytete nga Konstandini i Madh (e dinastia e tij) që e shpalli Krishtërimin fe zyrtare, etj. E fundit, shqiptarët katolikë kanë qënë tejet të diskriminuar e të asimiluar në malazezë nga politika shovene e Krajl Nikollës, Titos, Millosheviçite Gjukanoviçit. Shifrat flasin vet: në vitin 1912 krahina e Plavë-Gucisë kishti mbi 9.1 për qind të popullsisë shqiptarë katolikë e, në vitin 2011, sipas rregjistrimit shtetëror malazez, kanë mbetë vetëm 0.95 për qind e, pothuaj terësisht në fshatin e vogël Dol të Gucisë.
Guci, 11 gusht 2014
Foto: Fshati Doli i Guci, ne rreth te kuq pronat e shqiptareve etnik katolik qe rrezikojne te kthehen ne prona shteterore te shtetit shoven te Malit te Zi gjukanovician (Foto: Alex Selimaj)

Filed Under: Editorial Tagged With: Doli i gucise, Leter Papa Franceskut, Ramiz Lushaj

MJESHTRI I FOTOGRAFISË ARTISTIKE, ALEX SELIMAJ,DRITË E PASTËR E KOHËS

August 12, 2014 by dgreca

Shkruan: Ramiz LUSHAJ/
1.
Mjeshtri i fotografisë artistike, Alex Selimaj i Nokshiqit të Plavës, tashma edhe shqiptaro-amerikan njujorkez, i përket të tretës epokë të udhës të fotografisë shqiptare që daton pas ramjes të Murit të Berlinit, saktësisht, sipas Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, fillton prej nga viti 1991. E gjithë krijimtaria e tij me “dritëshkronja” ka një hark triumfi nga Plavë-Gucia në Nju Jork, krejt dritë, plot rrezatim. Edhe vet jeta e Alex Selimaj prej artisti emblematik, veprimtari kombëtar e qytetari dinjitar është e ndame më dysh në segmente kohore motmotesh pothuaj të njëjtë në mes vendlindjes e mërgimit. Po tashti Alex-i (Aliu) duket se është rikthye pa limit nga Amerika në trevën e vet etnike. Aty, në qytetin e Gucisë, po e ringren moderne kullen e të parëve të vet. Ka ble truall për gjallnim oxhaku e tradite skej rrugës së madhe të Nokshiqit. Po e pasuron fototekën e tij me albume të reja nga vise të vendlindjes. Po e (bashk)ideon mundësinë e hapjes të një bar-restoranti edhe me galeri të pasur me foto historike e të ditës. Ka hap një kurs për mësimin e karatesë fëmijëve në qytetin e Plavës. Etj., etj. Ai gjen kohë për të gjitha këto tue i krye tetana në lartësitë e talentit të vet. Ai, kësisoj, me të tilla përkushtime, përjetime e realitetime ka pse me i prit’ mëngjeset, me iu gëzue diellnimit spektrues të ecunisë e lartësive të tij.
Thënia amerikane “Një foto vlen sa një mijë fjalë” në krijimtarinë e mjeshtrit të madh të fotografisë artistike nokshiqasit, Alex Selimaj, merr kuptim plotor e lartnim përditësor, ka vlerë risore e visarore, gjen vertikalitet e horizontalitet, flet për kontributet e atributet e tij (ndër)kombëtare. Fjalën po e çangi: kush don me dit’ ma tepër e ma mirë për një pjesë sado të pakët nga fototeka e tij e madhe, plot art e dritë, le t’i kqyrin disa nga websajtet e tij: www.alexselimaj.com, www.plaveguci.us (faqehapur edhe në facebook), etj.

Natyrisht, fotot e tij artistike nga Manhattani – “kryeqëndra e botës”, nga Nju Jorku i selisë së OKB-së, nga Uashingtoni i Shtëpisë së Bardhë e i Senatit e Kongresit Amerikan, etj. si ato: Statuja e Lirisë me sfond yjet e natës, vjeshta me mozaikun gjethepërtokë apo dimri me fijatje bore në Central Park të Nju Jorkut, Ura e Brooklynit dhe e Manhatanit, etj. na e paraqitin madhështinë e bukurinë e Amerikës, mike e madhe strategjike e jetike e shqiptarëve.
Sigurisht, fotot e tij artistike me bukuri të rralla natyrore nga Plavë-Gucia janë një ftesë e hapur për turistë shqiptarë e të huaj për të ardhë në kit’ trevë në çdo stinë të vitit. Duket se në kit’ shekullin e ri, veçmas kohët e fundit, mjeshtri Alex Selimaj është ndër të parët e të paktit, (për të mos thanë i vetmi) që e promovon gjithanshmërisht e gjithkah bukuritë e magjishme turistike të vendlindjes së tij në sytë e botës.

Fjala vjen: Vuthajt, si bajrak i dikurshëm apo bashkësi lokale e sotme, si njësi gjeo-fizike territoriale me vrri e bjeshkët truplidhuna e majelarta, me Synin e Sheun e Skavkaçit, me Krojet e Vuthajve, me Gërlen ujëvarore (e dyta në botë me ujërrjedhje të tillë nëntokësore), liqenin e “fshehur” të Shtarës, ringritjen e kalasë së rrënuar të Ali Pashë Gucisë; me një funksionim gjithëvjetor të Qëndres Kulturore e Sportive tek Beglleku, me gjithato vila e kulla të bukura e moderne si kulla e vllaznëve Ahmet e Bashkim Ulaj, vila e Avdyl Dedushajt, kullat e Rexhep e Isa Qosajt, etj., Memoriali i Isuf Kamer Çelajt, ai i martirëve Çung e Isuf Dedushaj, etj., është pothuaj ma e bukur se lugina e Valbonës. Veçse me i ndryshim: lugina e Vuthajt në tanësinë e vet nuk është aq e hapët sa ajo e Valbonës. Përndryshe: Valbona e Vuthajt janë nën një bajrak shqiptar i ndamë rreth njëqind vjet ma herët në dy shtete. Gjithashtu, në Vuthaj ka edhe një mangësi: nuk ‘a pa gati kurrnjiherë me sy e shpirt, me pikësynim perspektiv e përkushtim total, si vend i turizmit alpin edhe gjatë verës e dimrit, i një turizmi të dyfishtë – i gjelbër e i kaltër. Edhe liqeni i Plavës më duket se është ma i bukur se ai i Shkodres, e ma thotë mendja deri në tepri se ia kalon edhe atij të Ohrit, veçse po e shëmtojnë me aneksime e ndertime do’ soj Turkoviçësh malazezianë në të shmajtë e për faj edhe të shqiptarëve e boshnjakëve po e flliqanojnë mbetjet gjithqyshe nga ndotjet mjedisore në skeje e deltina të prurjeve ujore sheu e lumi, që shpesh herë dalin përmbytës prej shtratit të vet.
Gjithkush i sheh në faqe interneti apo gjetkë fotot e mjeshtrit Alex Selimaj me pamje fokusuese e befasuese nga këto madhështi bukurie natyrore të Vuthajt, liqenit të Plavës, etj. e deri në Vermosh të Kelmendit i kënaqet syni, i mbushet mendja e ia don zemra me ardhë nga çdo cep i botës në këto vise të mrekullueshme.

2.
Jeta, ma së shpeshti e ma së forti, është imazh. Ka i’herë edhe imazh me shkëlqim të rremë. Me raste edhe nji imazh i sforcuar, i mangët. Jo rrallë ky imazh, i thirrun si reklamë, merr trajtat e tregtisë, e shpirtnon atë me ose pa të drejtë. Krejt ndryshe nget me mjeshtrin e fotografisë artistike Alex Selimaj. Ai me fotot e tij na e jep një imazh real për të qesh sytë e rrit shpirtin tonë, nji imazh jetësor të realiteteve pamore deri në shfaqje të (pa)dukshme të tyre.
Mjeshtri i fotografisë artistike Alex Bajram Selimaj është i Vërteti me fotot e tij. Këndi i shikimit për secilën foto është mjaft i gjetur për syrin e tij e objektin e tij fokusues. Në çdo rast është i ndryshëm si në kohë fizike e në pozicion gjeografik.
Thellësia e pamjes në fotot e Alex Selimajt është deri në kufij të pazakontë, tue na zdrit përballë edhe psikologjinë e karakterin e personazheve të galerisë së tij fotografike.
Fotot e Alex Selimaj kanë temperament, mbajnë temperaturën e autorit, mjedisit, tematikës, kohës.
Alex Selimaj i ka pothuaj të gjitha fotot të ndjeshme. Pikturë e gjallë. Flakadojnë frymëzim edhe për poetët, edhe për çobanin. Japin emocione. Mbartin kënaqësi të shumëfishtë. Sjellin çlodhje të qetë. Krijojnë atmosferë të mirë.
I veçanti, mjeshtri Alex Selimaj, si rrallëkush, me fotot e tij hyn pastër tek flatrimi i Flamurit Kombëtar Shqiptar në “Logu i Bjeshkëve” në Kelmend; tek guri i kullës malësore të Bruno Selimajt në Guci, etj.; tek gjethja e lisit në degë apo tokramje në lartësi të Ropojanit, tek lulja në ujët e liqenit të Plavës; tek lahuta e Januz Delajt në skenën “Alpet Shqiptare, Vuthaj, 2014”; tek peendja e xhubletës në ritmiken e valltares; tek dritërimi i Plavës natën; tek balluket e kalit të shalës në kullosë; tek damarët e gurtë të Majës së Vajzës, etj.
I përkushtuari mjeshtër, Alex Selimaj, e kap foton në ecje, në lartësi, në largësi, tue mat me sy profesionisti e pasion shpirtëror. Në të gjitha format e mënyrat, në çdo stinë të vitit, në çdo orë të ditës e natës kur shkrep aparatin fotografik artno’ foto të mira, të rralla, të pazakonta, të pastra, me dritë.

3.
Alex Selimaj, ky mjeshtër i fotografisë artistike, talent e fenomen artistik i heshtur, me sa di, ka një ide me ecuri mbi dyvjeçare për me e botue nji album me pamjet e jashtëzakonshme nga luginat e Gucisë, e Plavës, e Jasenicës, e Gërbajës, e Komoranit, nga Alpet Shqiptare, nga Bjeshkët e Bekuara. Aty, në faqe të tij, njëmendësisht, mund të hyjnë edhe ngjarje e figura historike të Plavë-Gucisë, tue nistue me gjurmë e gjetje arkeologjike të antikitetit ilir e të mesjetës së vonë, me Luftën e Nokshiqit, Masakrën e Previsë, etj. Ky album mund të pagëzohet “Plavë-Gucia” e të jetësohet për Plavë-Gucinë e Shqiptarinë, për të sotmen e ardhmërinë.
Një ekspozitë fotografike lëvizëse e Alex Selimaj për Plavë-Gucinë e lavdive e bukurive mund të ishte tejet e mirëpritur edhe në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Edhe në Shkodër, Pejë, Prishtinë. Edhe në Podgoricë e Çetinë. Edhe në Shkup e Preshevë. Edhe në Nju Jork. Kudo tjetër.
Dy institucione përkatëse në Malin e Zi: si Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve dhe Ministria për Të Drejtat e Njeriut e Pakicave, munden sigurisht e duhet pashmangshërisht ta kenë projekt të tyre, tekefundja për vitin e ardhshëm, botimin e një Albumi Fotografik apo një Ekspozite Fotografike të mjeshtrit të fotografisë artistike Alex Selimaj. Për këto projekte i plotëson kushtet, po nuk është nga ato personalitete shqiptare që të kushtëzohet nga askush. Ai ka lind e u rrit burrnisht në qytetin e Gucisë deri më 1989 kur emigroi me hapin e së ardhmes në Amerikë dhe tashti, prapë, është rikthye krejt triumf. Ky talent jo vetëm i arteve është edhe shtetas i Malit të Zi. Kështu, kësisoj, nëse nuk i jepet financim për këto dy projekte mjeshtrit Alex Selimaj do të thotë se Mali i Zi nuk e ka kapërcye ofertën e mendësinë shovene të pushtimit e aneksimit të trojeve e asimilit të shqiptarëve etnik nga Krajl Nikolla, që asokohe, në kryevjetin 1879, i shkruante Kongresit antishqiptar të Berlinit që nuk më duhen gja shkrepat e shkreta të Kuçit para pllajave të bukura të Plavë-Gucisë (!)

Artisti talent rrallë Alex Selimaj është një emër që i bën nder kohës, një emër që i nderon rremagenin e Selimajt të Nokshiqit të historisë, krahinën etno-historike-turistike të Plavë-Gucisë, Shqiptarinë kombëtare në Ballkan e në botë. Ai ka botue gjithato foto në gazeta e revista amerikane si “Toch Magazine”, “Teen Magazine”, “Sky Magazine”, “Travel Magazine”, “Neë York Daily Neës”, etj. dhe në ato shqiptare si në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Zvicër, Amerikë, etj. si dhe foto dokumentare ilustruese në disa libra të kohëve të fundit.

4.
Sivjet, 175 vjet nga liçensimi prej Akademisë së Shkencave të Francës (1839) i shpikjes fillestare e plotore të fotografisë nga dy francezët Niepce-Daguerre, përndryshe, edhe 155 vjet pas çeljes ma të pares studio fotografike shqiptare ”Marubi” në Shkodër, shenjojmë se Alex Selimaj, pamëdyshje, është një ndër 200 fotografët shqiptarë ma të shquar në tre shekujt e fundit kalendarik të udhës së fotografisë shqiptare. Sigurisht, kjo nuk është e pakët. Në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, Luginën e Preshevës, Sanxhak-Tregu i Ri, Greqi, Itali, Amerikë, etj. janë me mijëra fotografë profesional e amatorë.
Ky përcaktim klasifikimi për mjeshtrin Alex Selimaj nuk është apriori apo i rastit, po nji konkluzion i para disa muajve nga një vështrim analitik i udhës së fotografisë shqiptare në tre epokat e saj në tre shekujt e fundit, i personaliteteve të shumta të saj. Këtu, veç tjerash, kam parasysh edhe veprën madhore dorëshkrimore të historianit elitar Shpëtim Sala “Enciklopedi e fotografisë shqiptare 1858-1939”, ku pasqyrohen 500 fotografë shqiptarë profesionistë, shetitës, me studio fotografike nga të gjitha trojet shqiptare në Ballkan e kudo në botë. Gjithashtu kam parasysh botime të studiuesve Qerim Vrioni, të mikut tim – mjeshtrit Besim Fusha, të Ilia Terpinit – Artist i Merituar, etj.
Në periudhën e parë të saj (1858-1944) kemi dinastinë Marubi-Kodheli në Shkodër me Pjetër Marubin (1834-1903) nga Piaçensa e Italisë sëbashku me dy vllaznit zadrimorë si jetëshkurtëri Matia Kodheli (1862-1881) e punëgjati Mikel Kodheli (1870-1940) i mbiquajtur Marubi (Kel Marubi) e Gegë K. Kodheli-Marubi (1909-1984); dy vllaznit fotografë e kineastë Manaqi të pagëzuem si “Lymierët e Ballkanit” si Milto (1882-1964) e Janaqi (1880-1940) që çelën më 1898 studio fotografike në Janinë; Familja Zengo – ndër të cilët prifti ikonografik Jani nga Dardha e Korçës, Kol Idromeno (edhe piktor), Petro Dhimitër-Fotografi, Vani Burda – autor i portretit të Ismail Qemalit, vllaznëve Frashëri, etj., Kristaq Sotiri, Shan Pici, Ymer Bali, vëllezrit Ristani, Rakip Veseli, etj. Në periudhën e dytë (1945-1990) kemi fotografët Mehmet Kallfa, Jani Ristani, Pleurat Sulo, Zamir Miraka, Besim Fusha, Nikolin Pici, Petrit Kumi, Piro Naçe, Niko Xhufka e dhjetra të tjerë.

5.
Mjeshtri i fotografisë artistike, shqiptaro-amerikani Alex Selimaj, është personalitet i disa rekordeve të mëdha, i denjë për të hyrë në enciklopedi shqiptare të kohës, për t’iu jetësuar emri në breza.
Alex Selimaj është njeri i thjeshtë e pikërisht në atë thjeshtësi i rrinë madhështia e emrit dhe e veprës. Atij i qesh syri në aparatin fotografik e në biseda shoqërore me miqtë. Ai është i lexueshëm e i kuptueshëm si vet fotot e tij tejet të veçanta.

Natyrisht pa i dhanë hapët e duke qënë sa ma të saktë, në koft se do të anketonim apo klasifikonim “100 mjeshtrit e fotografisë shqiptare të shek. XXI”, patjetër që emri i mjeshtrit Alex Selimaj do të ishte në dhjetshet e para. Emri i tij i nderuar zenë vend nderi. Puna e tij meritore e kap kit’ meritë elitare. Unë, me bindje të plotë do të thoja se disa nga fotot e tij artistike nga Plavë-Gucia me rrethina, nga Nju Jorku, etj. më përngjasojnë me pikturat e Rembrandtit, Da Viçit, Kol Idromenos etj., po e di se nuk i ka për qejf krahasime të tilla. As ma pak e as ma shumë: Alex Selimaj është vet Alex Selimaj. Ai është vetvetja në realitet e në perspektivë. Mjeshtri Alex Selimaj është një emër i ri e me lartësi në historikun treshekullor të fotografisë mbarëkombëtare shqiptare.

Në koft se flasim për mjeshtër të fotografisë në trojet etnike shqiptare nën Malin e Zi atëherit për Alex Selimaj nuk vjen në pyetje as vendi i tretë e as i dyti, po vetëm i pari. Ai është tashma në krye të vendit e të rendit, aq sa meritor edhe përkushtimor.

Në koft se flasim për mjeshtër të fotografisë në Amerikë, ndër shqiptaro-amerikanët e tre shekujve të fundit, doemos Alex Selimaj hyn në dhjetshën e parë, ndër të parët.

Mjeshtri i fotografisë artistike Alex Selimaj e ka stolis me fotot e tij të formateve të mëdha krejt Manifestimin e madh Shqiptar të vitit 2013, përndryshe: Paradën Shqiptare në Nju Jork, organizatore e së cilës ishte Kisha Zoja e Shkodrës në Hartsdale N.Y. me mbështetjen e shoqërisë civile shqiptare në Amerikë, ndër të cilët edhe Fondacioni Plavë-Guci, etj. Makinat e markave e tonazheve të ndryshme ishin veshur me fotot e Alex Selimaj, në të cilat ekspozoheshin foto nga të gjitha trevat shqiptare, etj. Ishte një ekspozitë e hapur në natyrë, në kryeqëndren e botës, në Nju Jorkin që ka ma shumë shqiptarë se çdo shtet tjetër i Amerikës.
I pari i prejkohshëm e ndoshta i përhershëm është Gjon Mili (1904-1984) prej Korçe, i shkuem në Amerikë në vitin 1923, mik i Konicës, për 15 vite fotoreporter i revistës “Life” të Nju Jorkut, i cili përdori për herë të parë fleshin elektronik dhe dritën stroboskopike të shpikura nga prof. Harold Exherton (Edgertton), etj. I dyti, pa mëdyshje, vjen Dhimitër Mborja me fotot e tij nga koha e luftës, të cilat kanë zanë vend rreth 45 mijë foto e diapozitiva në Qëndren Muzeale “Douglas MacArthur” në Norflok dhe në Japoni janë botue dy albume fotografike të tij. Kristaq Sotiri qëndroi në Amerikë mbi dy dekada (1900-1923) ku e mësoi profesionin e fotografit e me talentin e tij ndër vite edhe në Shqipëri krijoi një fototekë më 12 mijë xhama fotografik të cilat ruhen në studion me emrin e tij në Korçë. Në kapërcyell të shek. XXI ka ba emër të madh edhe shqiptaro-amerikani njujorkez Fadil Berisha me origjinë nga Tropoja, i cili ka një spektër të shumanshëm veprimtarie e një galeri tejet të pasur me personazhe emblematike si Bill Klinton, Donald Trump, etj. Në historik hyjnë edhe Perikli Kaçauni, fotografi dardhar që jetoi në Boston të Amerikës, i cila ka lanë trashëgimi të paktën 80 pllaka xhami të fototekës së tij, fotografët George Tamas, Sadri Kortoçi nga Gashi i Gurit të Malësisë së Gjakovës, etj.
Sigurisht, në tre shekujt e fundit, pas mjeshtërve shqiptaro-amerikanë të fotografisë si Mili, Mborja, Sotiri e Berisha, vjen i pesti në rradhë medalioniane Alex Selimaj, një emër që ban historinë e tij në lartësim përditësor në enciklopedinë e fotografisë shqiptare, që kontribuon pa cak si artist atdhetar në lidhjet kulturore shqiptaro-amerikane në dy anët e Atlantikut, që ia rrit vlerat visore vendlindjes e kombit të vet amë.

6.
Qytetari i Gucisë e i Nju Jorkut, mjeshtri i fotografisë artistike, Alex Selimaj, është një nga gjashtë vllaznit e familjes së madhe të fisme e të ndritshme shqiptaro-amerikane Selimaj. Secili ma i mirë se tjetri, të nderuar nga/për të gjithë si Bruno, Nino, Dino, Bali, Besimi, Alex-i. Të gjithë sëbashku shquhen si veprimtarë kombëtarë tue nis tek ma i pari, flamurtari, biznesmeni shqiptaro-amerikan Bruno Selimaj, që ka dhanë kontribute deri në kufij të jashtëzakonshmes për Kosovën e Shqiptarinë, ndaj ACABS në Tiranë i ka akordue Çmimin e madh “Konica”, një çmim me të cilin janë nderue edhe presidentë shtetesh të botës euro-atlantike.
Alex Selimaj është djalosh e personalitet nokshiqas, i visit ligjendar ku u zhvillua Lufta legjendare e Nokshiqit (4 dhjetor 1879-11 janar 1880), e cila ishte ma e famshme se ajo e Termopileve. Në kit’ Luftën e madhe të Nokshiqit të historisë u luftue kundër 7 krajlive të kohës që në Kongresin e Berlinit kërkonin t’ia jepnin Plavë-Gucinë principatës së Malit të Zi. Në Luftën e Nokshiqit u ngrit për herë të parë në betejë luftarake Flamuri Kombëtar Shqiptar. Lufta e Nokshiqit ishte Parathania e Pavarësisë së Pambyllun të Vlorës të 1912-tës. Nokshiqi nuk pati vetëm luftëra me trimni e heronj me lavdi, po edhe njerëz të shquar të artit e të kulturës mbarëkombëtare shqiptare. Akademiku Esad Mekuli (1916-1993) ishte kryetari i parë i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës dhe kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, i cili ka në fondin kombëtar dhjetra vepra me studime, artikuj, poezi, përkthime, etj. U burgos tri herë nga rregjimi sllav jugosllav. Përpos këtij personaliteti formatmadh, vjen në piedestal të kohës një tjetër fuqi e madhe intelektuale prof. Hasan Mekuli (1929-2013), ish pedagog i Universitetit të Prishtinës, ish kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, kryeredaktor i revistës “Jeta e Re”, studiues e kritik letrar, etj. Në Beograd, në një mbledhje zyrtare, kur ende pati kundërshti për çiljen e Universitetit të Prishtinës u ngrit e bani deklaratën e jehonshme: “Unë dij t’i mbathi opingat kaçake, ende i ruaj ato në tavane kullash…”.

Alex Selimaj është djalosh kombëtar në gene e veprimtari të prejkohshme e të përditshme. Ashtu, disi të pabujshme e fort të dukshme. Ai, për dy vite mandatore (2011-2013), ishte kryetar i zgjedhur i Fondacionit Plavë-Guci me seli në Nju Jork, një institucion kombëtar, humanitar, kulturor, një nga ma aktivët e cilësorët në të gjithë historinë e shoqërisë civile mbarëshqiptare. Tashti kryetar aktual i këtij Fondacioni është Esad Gjonbalaj, me mandat dyvjeçar në përmbyllje. Sigurisht, Alex Selimajt, mjafton t’ia përmendësh kit’ funksion si president i FPG dhe e kie cek e neltë një nga piedestalet e punës së tij. Ai gjatë ushtrimit të kësaj detyre fisnike ishte punëdrejt e bajemirë. Si gjithnjë në hapa të jetës së tij.

Veprimtari kombëtar Alex Selimaj ecë me kohën, i prin asaj. Shembulli ma i plotë e krejt i qartë është pasioni e frytet e punës së tij informatike moderne. E ka dixhitalizue prej vitesh veprimtarinë e FPG duke e hap websajtin tematik e funksional www.fondacioniplaveguci.com. Përveç websajtet që ia cekëm krye shkrimit, para një dekade, kah vitet 2000, e ka çil ndër të parët një websajt krejt të veçantë: www.Kosovasovrane.com, në të cilën flet haptë e flaktë për historinë e kulturën e lashtë e të re shqiptare, e ilustron me harta të hershme e me foto, me dokumenta arkivore e publike, etj.. Kjo i ka dhanë ndihmesë të vyer e të pashlyer Kosovës, Çështjes Kombëtare Shqiptare në Ballkan e në Botë.
Këto ditë gushti takohena për herë të parë ndërveti në qytetin e Gucisë me personalitetin shumëdimensional Alex Selimaj e djalin e tij Jetonin, një trashgimtar i denjë i derës së Selimajve të Nokshiqit. Alex-i ka ardhë në takim miqësor e pune me laptopin e tij, ku i shohim fotot e tij mjeshtërore, të cilat m’i shoqëron me këngë me za të ulët e kur hesht kanga ritmon me dorë apo kambën e tij. E ndjen në shpirt artin e tij. E shfaq sy nesh në një nga klubet e Gucisë. Ai më zbulon edhe një tjetër pasion të tij që nuk e kam ditë kryeherët: kangën. I bie edhe çiftelisë. Ai nuk më thotë gja rreth kësaj vlere të tij, po nuk muj e mshef pasi e pashë në foto e nëse nuk gaboj, diku tjetër edhe në video. Shumkush më thotë se a kanë antar i parë i Shoqërisë Kulturore “Maja e Karafilit” në Plavë-Guci, e cila sëbashku me Shoqatën “Alpet Shqiptare” të Ahmet Gjonbalajt e organizojnë veprimtarinë e përvitshme të 1 gushtit në Vuthaj, e cila ka për nismëtar e kryefjalë Tahir Gjonbalajn, një nga personalitetet e kurorës të krenarisë së krahinës etno-historike të Plavë-Gucisë.
Pasi e kaluam një paradite gushti tue ndejt bashkë në qytetin e Gucisë Alex Selimaj u largue drejt Nokshiqit, tek trualli i ri i blemë anës rrugës së madhe, ku nuk e di se çka ka me ndërtue, po biznesmeni kombëtar, Shaban Mehaj i Hotit të Plavës më thotë se djemtë e derës së Bajram Selimajt të Nokshiqit janë punëmirë, puna nuk iu ik duarsh, i rrijnë asaj në kambë në çdo situatë. Pak pa u nda me Alex-in foli me dikë në telefon celular për një shkrim rreth mafioziteteve të Podgoricës zyrtare në grabitjen e re të pronave të shqiptarëve të Dolit e të krejt Plavë-Gucisë nepërmjet marifeteve shovene të kadastrimit, tue ua marrë tokat shqiptarëve mërgimtarë që s’janë aty të pranishëm kur kryhen matjet kadastrale,etj. E, me u ndreq ky akt tinzar qeveritar duhen vite bredhjesh nëpër gjyqet malazeze nga Plavë-Gucia në Podgoricë. Ai më sugjeron që edhe unë ta kap penën e ngrej zërin për kit’ çështje me randësi jetike e etnike. Të nesërmen Alex-i ka një tjetër rrugë: ka me shkue në Vermosh (Kelmend) afër Gucisë në veprimtarinë tejet e veçantë “Logu i Bjeshkëve”, ku përzgjidhet “Mis Kelmendi”, etj. Pasnesër Alexi ka me i prit mjeshtrit ndërtimtarë me punue në rikonstruksionin e kullës së tij të Selimaje, një kullë alpine me elementë modern në qytetin e Gucisë. Ku ka me shkue Alex Selimaj pastjetrit…?! Unë e di: atje ku e thërret arti i fotografisë, veprimtaritë shoqërore-kulturore-sportive, ndërtimtaria, albumi me fotografi, kanga, interesat e kombit shqiptar. Ky personalitet ngado ecë në udhët e tij e të kohës është një dritë e pastër e kombit.

Guci, 10 gusht 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: ALEX SELIMAJ, drite, E PASTËR E KOHËS, MJESHTRI I FOTOGRAFISË ARTISTIKE, Ramiz Lushaj

NDIHMO ZOT E PUSHKA E HOTIT

July 5, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.
Hotjanët skej liqenit të Plavës, në agun e 4 dhjetorit 1879, u ndalën pa mbrri tek Ura e Arzhanicës.[1]
Diku, pak kilometra në afri të saj, përfundi Brezovicës, ende pa hyrë në Pepaj, kryetrimi Murat Osmani i derës së Mahmudëve të Hotit,[2] i njoftun si “thyerësi” i një “armëpushimi” taktik rrejshëm apo pakt errët me malazezët, u vra para disa orësh tue luftue i vetëm në përballje me malazezët pushtues të ushtrisë të Todor Milanit, vojvodë i Vasojeviçit, duke mbetë në historinë ende të pashkruar si e para pushkë e i pari martir në frontin e Luftës të Ultinës së Epërme të Limit.
Në këtë luftë të madhe, mbi 40 forcave vullnetare të vllaznive Haxhaj, Sinanaj, Mehaj, Hysenaj, Mujaj,[3] iu printe Alush Zmajli i Hotit. Ata, të parët, zunë prita në rajonin e tretë të veprimeve luftarake të forcave të krahinës e të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në zonën e Plavës.[4] Atyne iu vuni lufta përballë forcat e ushtrisë të Mark Milanit, antar i Këshillit të Lartë të Shtetit të Malit të Zi, vojvodë i Kuçit.
Ndoshta, ky rajon i përqëndruar e i ndarë në disa sektorë e nënrajone në vijën mbrojtëse Arzhanicë-Pepaj ishte ma i vështiri i Luftës në frontin e Ultinës së Epërme të Limit për mos dhanien e krahinës së Plavë-Gucisë principatës së vogël të Malit të Zi, sipas vendimit të Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit (1878). Aty, nënprefekti i kazasë së Gucisë, Ali Beg Gucia, e kishte çue edhe antarin e Shtabit Qëndror të Mbrojtjes së Plavë-Gucisë, sekretarin e tij personal, Mulla Jaha Musaj, me aftësi të sprovuara, me titull kadi (jurist) – i shkolluar në Stamboll, i këlmendas – i vllaznisë Nikç në Plavë.[5]
Në kit’ front luftarak të jashtëzakonshëm, në nënrajonin e Grykës së Limit, në vijën Pepaj-Murinë, një pjese të forcave vullnetare vendase, iu printe Avdyl Pepa, i berishas, i fshatit Pepaj, antar shtabi i zonës së Plavës. Në nënrajonin tjetër, nga Murina në Arzhanicë, i drejtonte forcat Zhujë Selmani i Rugovës, antar i Shtabit Qëndror të Mbrojtjes së Plavë-Gucisë. Një nga prijësit ishte edhe bajraktari i Arzhanicës.
Numri i forcave u shumëfishua edhe me luftëtarë të ardhur nga Malësia e Gjakovës si ato të Gashit me prijës Halil Brahim Bajraktari, të Shipshanit me Din Bajram Bajraktarin me djalin e tij, Bek Bajraktarin, etj.
Kur luftëtarët shqiptar të armatosur po niseshin për në Luftën e Nokshiqit (Ultinës së Epërme të Limit), sipas ritit të moçëm luteshin: “Ndihmo, o Zot !”.

2.
Një plumb flurudhë i “peticës Mskovi”[6] gjuejt prej shkjaut malazez e kapi në rrasë të gjoksit luftëtarin hotjan. Ai plumb i zi e la pa pikë shpirti, mbështet tek trupi i hapët i lisit e me njanën kambë tek guri lidhtë me tokën. Si në pozicion luftarak. Pushkën e mbante shtërnguet fort, drejt përpara, me sy kah thepi i saj. Arma i mbeti e ngrehun, me gishtin në kamëz, thue se po i shenjon dikujt me i qit’ në ardhje drejt tij. Ashtu po rrinte: krejt i ngrirë, pa luejt vendit, pa lëshue fjalë.
-O çka a pushka o Kurti i Hotit, – i thirri bashkvendasi i tij hotjan tue ndejt gati në front, me pushkë për faqe në pritje përballjeje të mësymjes malazeze me prijtar ushtarak Mark Milanin.
Zani nuk iu përgjigj zanit, sipas adetit të tokës, traditës e luftës. Po ai za do i përgjigjej ndryshe kohës, do i fliste historisë, do jehonte në breznitë e tokës e traditës shqiptare.
Një shkja malazez, me mision si zbulues, i mveshun me do degëza të gjelbra për maskim, po ecte paksa i krrusun tue kqyr gjithkahnash. Kur e ka pa hotjanin me pushkë në shenjë ka ra në gjunjë. Ndokush thotë se prej frike mos e vret e kanë lëshue kambët.
-Në besën tande o shqiptar!
Hotjani nuk po flet hiç. E qysh me fol ai martir i luftës. Edhe i hotjani tjetër përkundruall po rri në front e po sheh krejt huti se çka po ngjet, pasi në këso rastesh kur kërkohet besë nuk qëllohet me armë.

-Unë e di çka a Besa e Shqiptarit… – po ligjëron lutjet e tij shkjau malazez i
tronditur nga përballja më t’hotjanin dhe i habitur nga mos reagimi i tij për me i dhanë besë.
Malazezi i lëshon armët për tokë, i çon dy duart lart, ecë tue iu lut fjalë pas fjale për besë shqiptarit hotjan të vramun në luftë. Po shkonte me iu dorëzue në besë. Ai mendonte t’i shpëtonte jetën vetes së tij. Shumkush më ka thanë se ishte edhe një kurth sllav, një pabesi malazeze, për me fitue kohë e me ia marrë jetën shqiptarit hotjan në pozicion, në mënyrë ta atillë që t’iu jepte mundësi avancimi skuadres malazeze të zbulimit.
Kur iu ka afrue krejt afër e ka ditë se shqiptari është i dekun. Ia pa çehren e fytyrës…E diti se ka mbetë ashtu i ngritë. E zgati dorën e djathtë e po don me ia marrë armën. Ia tërhjek me forcë.
Njikështu as nuk e pritke kurrkush e as nuk mendohej prej kurrkujt. Pushka ish kanë me fishekë në gojë. E ka lëshue krismen e vet. E ka marrë malazezin në të majtë, bash tek zemra. Dekun e në tokë. Kryet i ra mbi një gurë të thikë tue përgjak vendin.
Gjithçka e pabesueshme për skuadrën malazeze të zbulimit. Kjo, këtij grupi pararojë iu dukej si në andërr. Përndryshe: ikën me vrap në drejtim tjetër. Sa sytë kambët. U tutën keq se mos vepronin forca të mbinatyrshme. Asnjani prej tyre nuk e besonte se si mundej i vdekuni me e vra të gjallin. Atij krahu nuk i ra asnjë kambë ushtari malazez kur po ngjiteshin lumit të Limit përpjetë.

3.
Të nesërmen e përfundimit të luftës me fitore të shqiptarëve, pikërisht më 5 dhjetor 1879, nisën forcat e mbrojtjes vullnetare shqiptare të krahinës e ato të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me i kqyr frontet e betejave, me i mbledh shqiptarët “shehit” (dëshmor) e me i hipë në kuaj për me i çue në vendvarrime sipas fshatrave e fiseve. Malazezët i linin në vende veç. Armatime e materiale malazeze, shumë prej tyre të markave ruse, i çonin si trofe lufte në Shtabin Qëndror të kazasë së Gucisë.
Kadiu i njoftun, Mulla Jaha Musaj, sekretari personal i nënprefektit të kazasë së Gucisë, i Ali Beg (Pashë) Gucisë, prijtar ushtarak në rajonin e tretë të luftimeve, po vjen në afri të Urës së Arzhanicës. E kishte ndigjue historinë e hotjanit të vrarë që edhe ashtu i dekun e vrau shkjaun malazez pushtues e besëshkelës. Shkuen e panë në vend.
Hotjani i vdekun ende po rrinte në pozicion luftimi. I paluejtun nga istikami. Arma i kishte mbet’ prapë në dorë. Për çudinë e të gjithëve: sikur po donte me gjuejt prapë dikah apo dikend.
Ai martir ishte Kurti i Hotit, i derës së moçme rrënjase të Mahmud Hotit, një trim i rrallë i fisit e i krejt krahinës e Rrafshit të Dukagjinit, ndër 12 fise të Malësisë. Binte kushëri i parë me Murat Osmanin. Të dy u vranë trimrnisht në të njëjtën ditë e luftë. Kurti iku pa lanë askand mbas vedit, përveçse kit’ akt të pazakontë në historinë e botës.

Përballë tij, mbeti malazezi i vramun. Ashtu: i pajetë, i përgjakun.
Gjithkund u përhap fjala se një hotjan i dekun e ka vra një malazez të gjallë.

4.
Aty, në afri të Urës së Arzhanicës, po vijnë hipun në kuaj e të shoqruem me të vetët edhe bajraktari i Arzhanicës sëbashku me një nga prijësit ushtarak vendas të atyshëm, Avdyl Pepën. Takohen me kadiun Mulla Jaha Musaj e disa luftëtarë hotjanë. Ata i kishin ndie dy lajme: për aktin e hotjanit të vrarë, po edhe malazezi i vrarë ishte kryekriminel me damkë nga një vis aty afër.
Kaherë, fisi Berishë në Pepaj e Arzhanicë e kudo tjetër, po edhe Kelmendi i Rrafshit, Hoti i Vendit, etj. prej dy vitesh po e lypnin për gjak pushke për shpagimin e krimeve të kryera. Menjëherë pas vendimit të Kongresit të Berlinit, qyshse në gusht 1878 në Pepaj i vranë tre barinj shqiptarë, dogjën shumë stane verimi etj., ndërsa në Arzhanicë sulmuan një familje, ia vranë njerëzit e shtëpisë, ua rrëmbyen bagëtinë dhe ua dogjën shtëpinë. Ky e shfrytëzoi rastin edhe kur shqiptarët etnikë nga Arzhanicë e Pepaj,[7] kishin shkue në Luftën e Gjakovës (3 shtator 1878) kundër Maxharr Pashës (Mehmet Ali Pasha), që donte me ua dorëzue krahinën e Plavë-Gucisë principatës së Malit të Zi, sipas vendimit të Kongresit të Berlinit. E djegin xhaminë në Pepaj, e vrasin hoxhën e saj, Mulla Osman Çelën, të cilit ia presin kryet e ia vnojnë maje një huni të lartë në një sukë me u pa prej larg. Në Arzhanicë e Pepaj i rrëmbyen pabesisht e fshehtësisht tri çika malësore si zanat e malit dhe ua presin cicat, tue i lanë gjallë e për gazep.[8] Ata nuk donin që çikat shqiptare të bahen nana e për ma tepër të ushqejnë me gjinjtë e tyre fëmijë shqiptarë. Deri në kit’ cak e cen kishte mbrri urrejtja e tyre bio-politike ndaj shqiptarëve etnik.
Kryebanditë e banda të tilla me provokime e akte antishiqptare në kufi e territore të Plavë-Gucisë kishin një krye të parë, vet kushërinin e Krajl Nikollës, komandantin e trupave malazeze, Bllazho Petroviç, i cili ishte komandanti primat edhe i Luftës së Nokshiqit (Ultinës së Epërme të Limit).
Bajraktari i bajrakut të Arzhanicës e kryetrimi i Pepajve, prijësi luftarak Avdyl Pepa, kur e panë kryekriminelin e vrarë nga nga hotjani martir (shehit) iu thanë njëzani të pranishmëve: “Ndihmoj Zoti”, kurse kadiu Mulla Jaha Musaj shtoi: “Dhe Pushka e Hotit” tue i lanë kohës një urti të madhe.
Në betejën e dytë të Luftës së Nokshiqit (8-11 janar 1880) nga prijësit Haxhi Zekë Byberi e Ali Beg Gucia e deri tek luftëtari ma i thjeshtë në frontin ballor të luftës e përdornin shprehjen madhore: “Ndihmo Zot e Pushka e Hotit”. Kjo i tmerronte malazezët, pasi e dinin domethanien e saj: shqiptari edhe i dekun e ka vrarë malazezin e gjallë, malazezët e kanë vrarë vetveten sa herë kanë luftue me shqiptarët, si kurrkush mbi tokë Hoti iu ka dalë hakut malazezëve, etj. Veterani i luftrave e i qëndresave epokale në disa epoka përgjatë dy shekujve të fundit, 90 vjeçari Rexhep Gali Balidemaj nga Martinaj i Plavë-Gucisë, [9] më kumton se thënia tashma panshqiptare “Ndihmo Zot e Pushka e Hotit” e ka “burimin tek fisi i Hotit në Plavë, vjen nga Lufta e Nokshiqit” [10] (4 dhjetor 1879) e iu përcillet si kushtrim, mësim e mesazh kohës e breznive shqiptare.

________________________________________
[1] Nga biseda me Halil Ukshin Sinanaj 86 vjeç nga Hoti i Vendit./ Nju York, më 3 shtator 2012/.
[2] Nga biseda me Ahmet Murati Sinanaj, 75 vjeç . Nju Jork, 5 shtator 2012 / Etj. /.
[3] Shaban Xhemë Mehaj i Hotit, në një bisedë në Amerikë më 4 shtator 2012, më tregon se në Luftën e Nokshiqit (1879-1880) të gjithë shkuan në luftë si hotjanë, pasi të gjithë ishin kushërinj të afërt me dy mbiemra: Haxhaj e Sinanaj, përveç Mahmudëve të Hotit. Mbas kësaj lufte vllaznitë morën për mbiemra të derisotëm një nga paraardhësit e tyre.
[4] Prof. dr. Shevqet Canhasi. Haxhi Zekë Byberi në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Monografi. Prishtinë. 2004.
[5] Mulla Jaha Musaj, ky personalitet shqiptar i shquar si jurist, ushtarak e politikan kombëtar, mori pjesë ballore në Luftën e Nokshiqit (1879-1880) dhe në Kryengritjen kundërosmane në Shqipërinë e Veriut ( 1903) duke luftue kundër Shemsi Pashës e, pas shuarjes së saj, e internojnë në Selanik. Rikthehet në Plavë. Për kit’ dijetar e luftëtar kanë shkrue gazetat e kohës si ato otomane, europiane e shqiptare, studiuesit plavë-gucias si Rexhep Dedushaj, Elmaz B. Plava, Hasan I. Gjonbalaj. Malazezët ia pushkatuan djalin, Mulla Sadon, më 19 tetor 1912 dhë është një nga martirët e Masakrës së Previsë. Pasardhësit nuk mujtën me i qëndrue asimilimit të egër shoven malazez.
[6] Armë e markës ruse me pesë plumba. Kanga e kësaj lufte jehon: Armatos me petica Mskovi / don me i lshue vizitorit /me marr plavën me guci/ me ba dazëm si n’ Çeti (Çetinë)/.
[7] Arzhanica, Pepaj e Plançor i Gjakovës, janë tre vllazën berishas në këto tri vendbanime etnike shqiptare. Tashti në Arzhanicë kanë mbet’ veç dy familje të trungut të bajraktarit të Arzhanicës, ajo e Xhemës dhe e Ismat Bajraktarit, kurse Pepajt kanë mbetë në katër shtëpi që frymojnë shqip. Në këto dy fshatra përskej Limit ka shtëpi shqiptare murnajë pa kërrkend, e në shumë sish kanë hyrë malazezët pa dvet për pronat etnike të shqiptarëve.
[8] Elmaz B. Plava. Plava e Gucia në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare (Kujtime dhe dokumente historike)/ E përshtati e përgatiti për botim: dr. Marenglen Verli / ShB “Marin Barleti”. Tiranë, 1995.
[9] Bisedë me veteranin biblik Rexhep Gali Balidemaj në shtëpinë e luftëtarit të UÇK-së, Sadri Mehaj i Hotit, në Nju Jork (SHBA) më 9 shtator 2012. Ishin të pranishëm në bisedë edhe Esad Gjonbalaj, sekretar i Fondacionit Plavë-Guci, Avdyl Dedushaj, antar i ACABS, Shaban Mehaj, nënkryetar i AFCES, e të tjerë.
[10] Kit’ fakt ma kanë pasë rrëfye miqtë e mirë të babës tem, dy burra të palctë: Sadik Zenuni e Bajram Lushi, lisa të fismë të Hotit në shpatlartësi të Shkëlzenit (Berbat), rrem genetik i Hotit skej liqenit të Plavës. E kam pasë ndie edhe nga “Hoti i Shkodrës” si prof. Mahir Hoti i ILP, si dhe nga plavë-guciasit në Elbasan (tek halla ime), në Tiranë, në Mamuras e Laç, etj. dhe në qindra biseda në Malësinë e Gjakovës.

Filed Under: ESSE Tagged With: E PUSHKA E HOTIT, NDIHMO ZOT, Ramiz Lushaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 29
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT