Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Me një “Centaur” 32 tonësh të markës angleze me shofer një djalë nga Vlora u nisa nga kantieri i prodhimit nr. 2 tek vinçi “katërmeterkubshi” tek “Ura e Telit” në Bujan për në Dushaj të hidrocentralit të Fierzës. Aty zhdripa për me shkue tek shkolla e mesme profesionale me degët ndërtim, elektrike e mekanike, e cila kualifikonte ndërtimtarët e veprës së dritës për nevojat e saj të ditës e përspektivës. Tue ec rrugës u takova me një burrë të shtatshëm e të pushtetshëm, trupadrejt si lis, mjaft i afërt në bisedë po folke me “qitje të largët”. Ishte Llesh Zef Doçi i Lurës, njëri nga ata burra të lartë që kishte vend e rend për mirë në “Universitetin popullor të Dibrës” me pleqnitë, me filozofitë e veta. Nga permendja e vargjeve e kuptoja se e njihte mirë edhe të madhin Gjergj Fishta, gjeniu i letrave i ndaluar nga shteti monist. Koha përballëse i shkruhej në rrudhat e ballit. Në dritën e syve rrezatonte mirësi. Në meditimet e të foluren e tij vrellonte mençuri.
Tek shkolla e Fierzës nxanësit e mbasdites ishin në mësim pa shkëputje nga puna, po roja e derës na e dha të drejtën e hymjes brenda pasi Lleshi ishte mik i ardhun nga larg, nga Lura, i mbajtun fort aq sa me ra në sy me veshjen e të folunit e tij autoritetar. Ai po donte me e takue djalin e vet… Ai ishte njeri zotërues në komunikimin me të tjerët.
-Asht’ baba i Dod Doçit… – i thashë rojes së shkollës, i cili u çel në fytyrë e i foli do’ fjalë të mira për Dodën. Ato fjalë ishin aq lëvdata saqë si thuhej asokohe në politikë: “Po don’ me e pranue në parti” apo si i thoshin në traditë: “po don’ me e ba dhandërr”. Natyrisht, i riu luras, Dodë Llesh Zef Doçi, i katërti brez në atë shkollë të njohur të hapur para tre vitesh, ndërtimtar i përkushtuar i veprës së dritës, veprimtar i shquar i rinisë në Fierzë e rrethin e Tropojës, i meritonte ato fjalë, edhe tek ajo derë e në atë ditë.
Atëherë Llesh Zef Doçi i Lurës e ndali hapin dhe e kqyri rojen ngultas e fytyrëqeshur. Ndoshta deshti me e dit’ a janë fjalë ajri apo ari. Po roja nuk i la shumë kohë për me folë prapë Lleshit pasi ia tha e dha atë fjalën që ia ngroh shpirtin secilit prind: “Paska pasë kujt me i nga (ngjaj) djali yt…”. Atij i mbeti veç me fjalathanë “Faleminderit” me atë qytetarinë e tij e me shtue diçka dlirtas e ngucamë për mirë me humor, tue fol si luras, si dibran, nga filozofia e vet urtnore. Të tre qeshëm bashkarisht. Ecëm të dy…
2.Llesh Zef Doçi i Lurës para e unë mbas tij, i sy kaluam me plot ndalesa stendat në korridoret e mëdha e të gjata në tre katet e shkollës së Fierzës. I kisha pa edhe herë të tjera, ndaj më dukej sikur kishim shkue “për inspektim” aq me vëmendje i shihte ato. Gaboja asokohe. Sigurisht, përngutje. Lleshit nja 50 vjeçar ende i rrinte zgjuar pasioni i detyrës fisnike të mësuesit, prej së cilës ishte nda’ përgjithmonë prej saj, pasi kishte krye detyra të ndryshme shtetërore në Lurë e qytetin e Dibrës, në Sllovë, Kastriot, etj. Tani, në dekadën ’70, ai kishte kalue dy vite sfidë, ndoshta nga ma të vështirat në jetën e tij krenare, elitare. E kishin luftue padenjësisht në karierë, po nuk e kishin mposht në zemrën e shpirtin e tij dinjitar.
Si djalosh 20 vjeçar e dveta në tepri: “A e dinë fëmijët e tu e të vllaut (Markut)… për ardhjen tuaj në Fierzë?!”. Po ai m’u gjegj qetësisht se ua kishte përcjellë lajmin po nuk iu kishte njoftue datën. Kjo, jo për ndonjë pakujdesi të Llesh Zef Doçit të Lurës, pasi edhe hapin e hidhte për mos me e kthye kryet mbas, për me iu dal punëve prijas e ballas, po e kishte pas’ nji parim të jetës së tij, një rregull të pashkruar e të ligjëruar: me i lanë fëmijët me e ba punën e vet. Ai nuk donte me i vnue në pritje e lëvizje për ardhjen e tij. Ai, edhe pse atëherit, fëmijët e nipat i kishte fort të rinj, siç më pat thanë vet, nuk iu sanksiononte as obligime financiare si të tjerët. Ai i porositke që me të ardhunat e veta me i krye punët e veta në banesë, në frontet e punës, në shkollë, në shoqëri, në aso mënyre sa me kenë dinjitar, mos me mbet’ kurrkushi po me u ba dikushi për mirë, për mbarë. Ai donte që leku me iu dhanë forcë për mirë e mos me i ligshtue për keq. Natyrisht, deshtën të gjithë sëbashku: Llesh Zef Doçi i Lurës, Zoti e vetvetja – secili prej tyre, dhe fëmijët iu banë për shtëpi, për me e mbajt lart, fort e gjatë emrin e kullës së vet e të Lurës.
Ai kishte ardhë tek Doda…, po mendjen e kishte edhe tek djali tjetër, tek ma i madhi, tek inxhinieri gjeolog, Prenga. Ai mbetej i mendimit se Doda i kujtonte rininë e tij dhe Prenga ma shumë “pleqërinë” e tij. E hante meraku që fëmijët e tij mos t’i rritke jeta para kohe, as me i vnue jeta përpara, as mos me i lanë jeta mbrapa, po me ecë rrugës së gjatë me hapa e shpirtin e vet, me krahë hapët për fis e miq, me i pri’ vet punës së vet. Me i ndjet’ kohës drejt e pa i pushue punës…
I pazakonshëm ishte Llesh Zef Doçi i Lurës për mend e kuvend. Ndoshta edhe i jashtëzakonshëm. Ai ishte një “universitet popullor”, në “katedrën” e tij ishte vet dekan e shkuar dekanit. “Leksionet” e tij i kanë qëndrue kohës.
3.Disa herë ia përserita fjalët: A ta thërras Dodën… nga ora e mësimit?
Llesh Zef Doçi i Lurës nuk hapte udhë. As unë nuk arrija ta konceptoja atë njeri të fismë, i ardhun nga Lura në Fierzë tek pritke në korridoret e shkollës tue pa stendat e shumta e nuk e thirrke djalin e vet pa e mbarue orën e mësimit. Pas pak dolëm tek dera kryesore e shkollës. Mbas pak minutash e mora vesh se ai kishte qënë dikur mësues. E tashti po lexoj në libra se e ka lanë emrin e vet në breza nxanësish.
Aty kishte ardhë edhe shoferi vlonjat i Centuar-it për me marrë leje një mujore nga shkolla për dikë të vetin, pasi në punë e kishte gjet’ zëvendësuesin, dhe i ecte rroga pa kanë aty. I shkruhej emri në bordero. Unë kisha marrë përsipër t’ia kryeja kit’ kërkesë të tij në atë mënyrë që pothuaj mos me iu rregjistrue asnjë mungesë. Sikur të ishte në shkollë. Mugesat e shumta sillnin moskualifikim simestral ose vjetor, mbetje për vjeshtë apo përjashtim nga shkolla.
Tek dera e shkollës u veçuam pak prej Llesh Zef Doçit të Lurës dhe ia kallxova shembullin e tij. Atypëraty hoqa dorë nga premtimi për një “leje një mujore pa mungesa” në shkollë për njeriun e tij. Ai, djaloshi vlonjat, u merzit bajagi prej meje e më tha se malësori nuk e ka fjalën kështu. Për me e shlye sadopak (jo)gabimin pata shkrue në gazetë për mirë për atë shofer vlonjat që punonte për vitet që vijnë, ecte ma shpejt se koha.
Ai leksion i Llesh Zef Doçit të Lurës asaj dite m’u duk se “më la në klasë”, po ishte një provim që më vlejti tanë jetën, veçmas përsa kohë isha i emëruar një ndër instruktorët e rinisë për shkollat e rrethit të Tropojës, kur shkova student në Tiranë, e, tevona si drejtor i Qëndres Kulturore të Fëmijëve (Shtëpisë së Pionierit). Më kujtohej shenjtëria që kishte Llesh Zef Doçi i Lurës për shkollën, për vendin e dijeve, njerëzit e dijes, për profesionin e tij.
4.
Rrugës për tek kafja i thashë Llesh Zef Doçit të Lurës se kam me shkruejt në gazeta për kit’ vizitë të tij në veprën e madhe të dritës, në Fierzë, e cila asokohe kishte deri mbi 10 mijë vetë në frontet e saj. Nisa ka e dveti për Lurën e Fierzën… Ai po ecte pa e thanë kurrnji fjalë. Pa astenji përgjigje. E ndali hapin. U kthye prej meje. M’i lëshoi sytë sikur po më lexonte ma shumë apo do më thoshte diçka ma tepër.
-Kush a’ peshku ma i mirë i lumit të Valbonës? – më pyeti pa m’i nda’ sytë.
-Trofta – i thashë me merziti, pasi ma ndrroi temën e bisedës.
– A e din se trofta, megjithëse asht’ peshk i mirë, ecë lumit të Valbonës përpjetë, kundër rrjedhës së lumit të vet të pastër.
Çka me i thanë?! Po e ndijsha për herë të parë kit’ fakt. Ish kanë e vërtetë. Pas shumë vitesh kam mësue se edhe në Lurë rritej trofta, ndaj e dinte kit’ zakon të saj.
E pa se nuk isha ka i bie kurrkund në ta alegorisë së tij e më futi ma andej në thelluta filozofike të odës dibrane, të universitetit popullor të Dibrës, të urtive – pleqnive të tij.
-A e ke parë Valbonën e kthjelltë se aty, pak më andej ku bashkohet me Drinin e turbullt ecë gjithë atë rrugë, qindra metra, duke e ruajtur pastërtinë, kaltërsinë e bukurinë e vet. Dy lumenjtë kanë gjithë jetën që e bëjnë detyrën e vet. Drini vjen i turbullt. Valbona don me mbet’ e kthjelltë. Prej aty ku Valbona e humbet kthjelltësinë ajo nuk thirret lumi Valbona, po lumi i Drinit. Në këtë jetë, në brezat e vet, njerëzit është mirë me mbetë Valbonë. Po gjatë jetës ka me u dalë punë edhe me Drinin. Duhet me luftue si Valbona me Drinin e prapë duhet me mbetë Valbonë…
Atëherit, tue pasë para vedit një djalë 20 vjeç, që shkruante me pasion me dhjetra artikuj nëpër gazeta e revista të kohës nga Fierza në Tiranë, që merrej masivisht e aktivisht me rininë, Llesh Zef Doçi i Lurës nisi me më dhanë “leksionin” ma të thjeshtë: më tha se “ishte i prekun”… I kishte ra pikës. E dija çka domethanë kjo fjalë. Edhe në vendlindjen time, në ma të bukuren e botës, Tropojë, dikë që shteti i kohës nuk e shihte me sy të mirë, për mos me e rëndue me terma politik e ideologjik të ditës, i fokusonin e deshifronin të gjitha në një fjalë të vetme: “i prekun”…
Asokohe pata folë bukur shumë e gjatë me Llesh Zef Doçin e Lurës e më pati lanë në memorien time një respekt tejet të madh për ditunitë e tij në sjellje e në të folune, në praktikat e filozofitë e tij. Ai e kishte ngrit’ dekanatin e tij prej brezash, prej atëherit, për sot e për nesër. Ngaqë baja shumë shkrime në gazeta, nganjëherë edhe dy a tri në një numër gazete të Tiranës, të lypshin me iu dhanë ndonjë pseudonim. Një prej tyre ishte Rali Lura. Emri i parë kishte inicialet e emrit, emrit të babës e mbiemrit tim, kurse të dytit, si mbiemër, e lashë “Lura”, në respekt të atij burri të fismë e të ditur, Llesh Zef Doçit të Lurës. Prej asaj kohe e deri më sot, gazetari e regjisori i TVSH, Ilir Buçpapaj, më thërret me kit’ emër. Po kjo ka edhe një histori tjetër: edhe në gazetën lokale “Shkëlzeni” të Tropojës, gati në çdo numër të saj, prej shkrimeve të shumta të miat, disa më duhej t’iu vnoja emrin (pseudonimin): Rali Lura, derisa një ditë pati telefonata dvetjeje nga Dibra e KQ i PPSH e ndokund tjetër për me e dit’ se “kush është ky autor?!”. M’u desht me e ndërpre kit’ emër për një kohë të gjatë. Prej asaj kohe, shpesh herë e kam dvet veten: kur pa hak e hile interesohen për kit’ emër, për mue, deri në Tropojë, sa mund të kenë hjek ndonjë burrë i karierës e i vlerave prej Lurës, prej atij vendi të bekuar, si Llesh Zef Doçi i Lurës, tashti shpirtndritun me emrin, jetën e veprimtarinë e tij.
5.
Atë ditë, kur hymë me Llesh Zef Doçin e Lurës në një kafe të madhe në Dushaj, aty afër shkollës së mesme, lëvizën gjithato karrike e njerëzit u ngritën në kambë. Disa njerëz në tavolina deshën me na e lëshue vendin. A i njef – e dveta. Jo – më tha. E kuptohej: ai ishte njeri stoik e magnetik edhe kur hidhte hapin e lëvizte dorën, le më kur folke apo qeshte: burimonte dritë.
Prej aty u kthyem prapë tek “shkolla e natës”. Po mbaronte ora e dytë e mësimit. Do të takonte Dodën… Ndërkohë fjalalajmi u end edhe për të tjerët. Lisi Llesh Zef Doçi i Lurës do të takohej me filizat e kullës e trollit të vet…
Tek dera e jashtme e shkollës së Fierzës, në të djathtë të saj, pa hy’ brenda territorit, ishin shkoq dy gurë të murit të jashtëm e kishin ra në trotuar. I kapi me dorë herë njanin e herë tjetrin e i ndoi në vendin e vet. Gurët zunë vend. Shkuen ku duheshin, po nevojiteshin materiale e mjete pune për me i rregullue si e don mjeshtria e ky vend i dijes.
-Ç’ka je ka ba, bre burri i dheut? – i thashë. Edhe ndonjë tjetër foli sikur une.
Llesh Zef Doçi i Lurës u kthye prej meje e po i vinte keq me më qortue, po ndoshta nuk pati as kohë se ra zilja e përfundimit të orës së dytë të mësimit. Ai veç më tha: Një gurë e rrëzon një mur, një gur e ngren një kullë”. Ia dhamë dorën njani-tjetrit me falmeshendete e u ndamë si dy miq të njoftun prej kohësh, ndërkohë që kishim ndejt veç pak orë sëbashku në Dushaj të Fierzës.
Para disa kohësh më ra rruga andej nga shkolla e bashkuar në Dushaj të Fierzës dhe, pas 38 vitesh, në murin e jashtëm, në të djathtë të derës së shkollës, kishin ra mbi dhjetë gurë që i ngritën ndërtuesit e veprës së dritës. Muri po dëmtohej edhe në anë të majtë të derës. M’u kujtuan ata dy gurët që i rivuni Llësh Zef Doçi i Lurës…!
Historiani, publicisti e poeti i mirënjohur mirditor Nikollë Loka e ka shkrue një monografi “Llesh Zef Doçi i Lurës – forca e mendjes, pesha e fjalës”, ku më ftoi edhe mue të jem recensent i kësaj vepre me interes shkencor historik. Edhe djemtë e Lleshit e të Markut ishin dakord. Iu faleminderit. Një promovim nderimtar, dinjitar, elitar, iu ba kësaj monografie me 300 faqe, më 31 maj 2014, në fshatin turistik “Lura” tek Gjiri i Lalzit. Veprimtaria ishte një nderim i lartë për një prind të lartë, për një personalitet meritor, për një njeri me vlera kontributive… Aty mësova një fakt të madh, një të vërtetë për kohën e brezat: kjo “Lura” e dytë, një fshat turistik i madhërishëm mes pishave, pranë detit, afër kodrave, i ka themelet tek Llesh Zef Doçi i Lurës, i Derës së Parë të Lurës. Lartësi e dritë i dhanë fëmijët e vet me familjet e tyre. Të dy Lurat i bajnë nder njana-tjetrës, i ngjajnë njana-tjetres, kanë histori të përbashkët në lartësi të maleve e në breg të detit.
Shqipëri Etnike, 19 gusht 2014