• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ç’KA E KE GJITHË KËTË DRITË,O SALI SHARI I HOTIT TË VENDIT?!

January 11, 2014 by dgreca

PAÇ KUJT IA LENË PUSHKËN!…/

Shkruan: Ramiz LUSHAJ/

Tungjatjeta, Sali Shar Ibra i vllaznisë Haxhaj të Hotit të Vendit, burrë me traditë, shpirt e kostum kombëtar, po sa hije simbolike po të ka pushka histori ndritur në duart e tua të gishtit e të lapsit.Nuk e di saktësisht se ku ke dalë në këtë foto: në shtetin ma demokratik të botës–në Amerikë, në “Hotin e Dytë” të mërgimit apo në shtetin tejet shovinist e pafundësisht kundërshqiptar në Malin e Zi, në Hotin e Vendit skej liqenit të Plavës, në të bekuaren vendlindje tande. Veçse dije: Jam ka ta njoh pushkën, o burrë i maleve të Hotit. Qebesa, kjo është pushka e trojeve të Shar Ibrës së Hotit. Pushkë e urtisë dhe e trimnisë. Ndër breza pushkë e krismave të ndershme e të jehonshme në emën të Zotit e të Hotit.

Më gëzo ajo pushkë e pafjetur, me fishekë në gojë, teksa e mban në prehnin tand o Sali Shari, teksa mbahet në shekuj në prehnin e kullës së Shar Ibrës, teksa jeton e ndriçon në prehnin e Hotit. Jetë e mote kanë këndue nanat në djepe e pleqnue burrat në kuvende: Paç kujt ia lenë Pushkën! Nuk është çështja me u përcjell si stafetë apo dorëzue me ceremonial, po me kanë pushkë me histori e me ra në dorë trimash, me i pasë amanetet e eposet e veta. O Sali Shari Ibra, ju jeni “Shtëpi Pushke”, siç janë në breza shtëpijat e Hotit të Vendit, (sipas rendit alfabetik) edhe të Haxhajve, Hysenajve, Mehjave, Mujajve, Sinanajve. Trimi i Hotit dhe i Historisë Shqiptare, Shari Ibra, që e ka vra vet i tretë një nga kundërshqiptarët ma të mëdhenj, prefektin  e Plavë-Gucisë me rrethina, të pabesin e të pashpirtin Stanisha Turkoviq, ta la pushkën ty. Baba ia la pushkën djalit. Kit’ pushkë nderi e mori edhe Cen Haxhaj, djali yt, që si luftëtar i lirisë shqiptare veshi uniformën e UÇK e me Batalionin “Atlantiku” shkoi nga Amerika në Kosovë, bashkë me Sadri Xhemë Mehaj të Hotit, derisa trimat e Shqiptarisë e të NATO-s hynë triumfalisht në Prishtinë, në kryeqytetin e shtetit të ri euro-atlantik të Kosovës. Prapë baba ia përcjell pushkën djalit. Kjo simbolikë e pushkës është realitet  jetik e bohemik i Hotëve të Vendit e të mërgimit, ashtu sikurse i krejt Shqiptarisë.

“PUSHKA E MENDELEJEVIT”

Kurrgja mos më thuej o Sali Shari i Hotit se u morëm vesh pa folë ndërveti. Bana me të dvet: çka i duhet pushka mësuesit të kimisë?! – dhe kur fjala më doli prej shpirtit e ndala në grykë të fytit. Kah me i dhanë udhë, bre burrë i Malësisë? E ma dhe vetë përgjigjen: Me atë pushkë të ndershme në prehën. Me ato dy duar që kapin lapsin dhe po e shtrengojnë fort edhe pushkën. Me atë kostum kombëtar na jep simbolikën e kombit. Shqiptarisht: me mendje ditunie si mësues kimie, me pushkë trimnie Hoti, me veshje malësore kombëtare.

Edhe Ibër Hoti ia vnoi djalit të vet emnin Shar, me kuptimin “dituri”, po nuk lanë luftnat me sllavët ardhacakë e pushtues, nuk lanë Stanisha Turkoviqët, për me i ndjek shkollat e ditunisë e me u ba mësues i kimisë. Edhe ju, o Sali Shari i Hotit u batë mësues kimie po nuk të lanë sllavët e tipit Gjukanoviç, ky “diktator modern” e kundërshqiptar bio-politik, për me u dhanë mësim fëmijëve të Hotit të Vendit e të krahinës etno-historike e komunare të Plavë-Gucisë.

O Sali Shari, e di se nuk jep mësime kimie, po veç kisha me thanë: shpjegoju brezave të rinj të Hotit të Vendit e të Plavë-Gucië për Tabelen e Mendelejevit. Shpjegoju atyne siç e din ti. Shqiptarisht. Në vend të elementëve kimik të Gjithësisë, në ato kuadrate të kësaj Tabele, vendosi simbolet e Hotit të Vendit: Vendose martirin e Luftës së Nokshiqit, Murat Osmanin e Mahmudëve të Hotit që u farue krejt në luftna me mashkuj të trollit të vet. Vendose Alush Smajlin me gjashtë vllaznit e vet në Luftën e Nokshiqit që i piedestalon edhe Fishta i Madh në monumentin e tij e të kohës” Lahuta e Malësisë”. Vendose mendjendriturin kombëtar, Ukshin Hotin e pavarr e plot lavdi, Vendosi …..deri tek dëshmori ma i fundit i Hotit të Vendit, i vllaznisë Sinanaj,  Avni Bali Zeka i cili u vra në Qafë të Morinës në luftë për çlirimin e Kosovës nga sllavët e Millosheviçit.

Na duhet Tabela e Mendelejevit me simbolet e Hotit të Vendit, me simbolet e Nokshiqit, Arzhanicës, Pepaj; me simbolet e Vuthajve, Martinajve, me simbolet e Gucisë, Plavës…

Ashtu sikurse kimia nuk ban pa Tabelen e Mendelejevit, njisoj edhe Shqiptaria nuk ban pa Tabelën e Simboleve të Saj Shqiptare, aq ma shumë në Hotin e Vendit e në Plavë-Guci që me sllavët e Beogradit e të Çetinës po përjetojnë shekullin e dytë ma të zi në historinë e jetën e vet. Dituria dhe Pushka na kanë mbajt gjallë mbi dhe, pa u hsue si komb. Prandaj edhe mue, ajo pushkë e jotja o Sali Shari, mësuesi i kimisë, m’u duk si “Pushka e Mendelejevit”, në kuptimin e caktuar, si një nga Pushkët në Tabelën e Simboleve Shqiptare të Hotit të Vendit skej liqenit të Plavës e Hotit të Rrafshit skej liqenit të Shkodres.

PA E DITË SE KUSH ËSHTË SHAR IBRA I HOTIT NUK MUND TA DIJMË KUSH ËSHTË STANISHA TURKOVIQI I MALIT TË ZI

Diçka po duhet me i thanë kohës e brezave: Pa e mësue mirë se kush është Shar Ibra i Hotit të Vendit e kena disi të vështirë me e ditë se kush është Stanisha Turkoviqi i Malit të Zi.

Në koft se flasim për kundërshqiptarë bio-politik, të atillë që nuk ua duan shqiptarëve etnikë as kockat në truallin e vet shqiptar, këta janë edhe Turkoviqët në Plavë-Guci.  Një i pari i tyne, Stanisha Turkoviq, në kohën e pas Luftërave Ballkanike, në kohën e pushtimit e aneksimit ushtarak të përgjakshëm me masakra genocidiale si Masakra e Previsë, u emnue prefekt me pushtët në Plavë, Guci, Murinë, Andrijevica. Përzgjedhja e tij kishte dy arsye madhore: ishte kriminel ndaj shqiptarëve dhe mik i krajl Nikollës së Malit të Zi.

Një herë, përgjatë luftërave të malësorëve shqiptarë për Pavarësi nga otomanët e sllavët, kah vitet 1910-1911, kryengritësit shqiptarë deshtën me i djegë tri shtëpijat e Turkoviqëve e me ua vra mashkujt kundërshqiptarë, po iu ranë në besë derës së Curranëve, me të cilët kishin një farë lidhje të afërt. Shpeshherë ka ndodh kësisoj. Po Turkoviqët nuk kthyen mendje, nuk ndrruan rrugë. Ka dy shekuj që i luftojnë shqiptarët më të gjitha forcat e mjetet, duke i vrarë, burgosë, internue, marrë tokat, etj.  Plavë-Guciasit i mbajnë mend barbaritë e Llukës së Turkoviqëve edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Edhe Turkoviqët e fundshekullit XX, që kanë pozita politike-ekonomike-ushtarake deri në piramidën e shtetit të Malit të Zi, nuk ndryshojnë aspak nga të parët e vet. Përkundrazi: kanë marrë pjesë në luftra kundër shqiptarëve të Kosovës, kundër boshnjakëve në Bosnje-Hercegovinë, etj.  As Millo Gjukanoviçi, kryeministri me shtatë mandate qeverisëse, sikurse edhe Krajl Nikolla, është mik i fortlidhun me Turkoviqët, saqë më rastisi një herë në një elektoriadë ta shoh me eskortën e tij për drekim edhe kundrashqiptarë tek Turkoviqët, në breg të liqenit të Plavës.

 

Stanisha Turkoviq nuk po i ndahej Hotit të Vendit, pasi donte me e nënshtrue nën pushtetin e tij, nën Malin e Zi. Iu ka qëllue forcave të tij me u kthye edhe tek Shkambi i Koromanit. S’kanë mujt me hy në Hotin e Vendit. Zyrtari i lartë Stanisha Turkoviqi me forcat të shtetit të tij, përndryshe: shteti i Stanisha Turkoviqit, e rrethoi Hotin e Vendit e, kësaj kohe, e vranë Cen Ibrën në Osonja, tek Ura e Bekës, teksa ishte tue kullotë bagëtitë e kullës së vet. Nuk ishte vrasje aksidentale, po e qëllimtë: Stanisha Turkoviq donte të vriste një hotjanë, po nuk e dinte çka e gjente ma mbrapa.

Shar Ibra i Haxhajve të Hotit të Vendit po don me marrë hak. Edhe për krimet e tij të përgjakshme në Plavë-Guci, edhe për vrasjen e të vllait, Cen Ibrës. U ba vetë i tretë: me Nasin e Sejdit të Hysenajve të Hotit dhe me Mujë Alinë e Mustafaliajve (banor të atyshëm, nipa bije të Hotit), dolën në bjeshkën e Treskavaçit. Kjo bjeshkë në afri gjeografike kapej me Hot. Në kit’ bjeshkë kishte dalë edhe Stanisha Turkoviq, me do roje mbas vetit. Për me e garantue vrasjen e Stanishën e lanë me gjuejt të tre: në mos e vraftë i pari, ta vrasin i dyti e, në mos i dyti, atëherë i treti. Krisma e pushkës së Sharit sinjalizoi breshërinë e kryqzueme të plumbave mbi trupin e antishqiptarit Turkoviq, i cili gjeti vdekjen e merituar. (Ma gjanësisht kam me fol në një libër për Plavë-Gucinë e Hotin e Vendit).

Luftëtari i trojeve të veta, i kombit të vet, i lirisë shqiptare, Shari Ibra me dy bashkëluftëtarët e tij ikën përkohësisht, po u kapën hjeksisht dhe u prangosen në burgjet sllave. Shari me 20 vjet, ndërsa Nasi e Muja nga 17 vjet burg, të cilët, këta dy të fundit, ia mbrrinë me dalë nga burgu e me u rikthye në vendin e vet etnik, në Hotin e Vendit. Shari jo. Ai kur i bani vitet e burgut në Kotorr të Malit të Zi po kthehej në kambë për në shtëpinë e vet, ndali në një kafe në Andrejavicë. Aty ish kanë një Turkoviq tjetër, kapiten i klasit të parë Veshi Turkoviqin me mustaqe vesh më vesh, i cili rrinte me kapuç të bardhë. E çoi dorën drejt tij dhe e dveti rrmisht:

-A je ti Shari Ibra?

-Po, unë jam.

-Ku je ka shko?

-E kam krye burgun e po shkoj në shpinë teme.

-Tek shtëpia jote ti kurrë nuk shkon ma!

Pas kësaj fjale me dorë në allti i thirri policët, të cilët e lidhën kambë e duar dhe çuan prapë në Kotorr. Nuk e la me e pi asnjë gotë ujë. Asnjë kafe. Kështu ta bajnë shkijet, malazezët e serbët.

Atje në burgun e Kotorrit  vdiq (apo e vdiqën) Shari Ibra dhe kurrkund vorri s’ju ka gjetë.

O Sali Shari i Hotit të Vendit, ajo kuti duhani dhe ajo xhaketë (setër) Shari Ibres së Hotit të Vendit, të vetmet relike të tij nga koha e burgut, ruajini në kullat tuaja në Hotin e Vendit apo në Nju Jork të Amerikës. I duhen historisë, e cila ka me folë më shumë e ma mirë për Shari Ibrën e historisë, për Shari Ibren e Hotit të Vendit.

Ç’KA E KIE GJITHË KËTË DRITË, O SALI SHARI I HOTIT TË VENDIT?!

A je ka e shihni çka a ka ba Sali Shari i Hotit të Vendit: E ka kap një degë Pranverë. Bash në vendlindje, në krahinën e Plavë-Gucisë. E ka kap atë pemë në lulim, një nga degët e shumta e të bukura të saj. Sa shumë e don ky burrë Pranverën e Hotit të Vendit e të Plavë-Gucisë nën Malin e Zi.

Një nga djemtë e fismë të Mehajve të Hotit të Vendit, Imer Sinan Mehaj, djalosh i virtytshëm dhe energjik, shqiptaro-amerikan i dhanun pas vendlindjes së tij – Plavë-Gucisë, më krijoi mundësinë e mirë t’i kem nkëto dy foto të Sali Shari Ibrës të Haxhajve, të cilat më frymëzuan për këtë esse, për të cilat edhe e falenderoj publikisht.

Edhe vetë Sali Shari i Hotit të Vendit, në këtë foton e dytë, ka dalë i qeshur. I qesh shpirti. I qeshin sytë. Sa shumë dritë ka ky burrë në fytyrën e tij. Thonë se i ka kalue 70 vite, e ka mujt me e mbajt një fytyrë kaq të qeshur, me kaq të dritë. Më kuptoni: Është drita e Sali Sharit dhe jo vetëm e tij. Mos harroni: Është dhe drita e Shari Ibrës, e jetës së tij me trimni e sakrifica për kombin e vet. Më besoni: Është edhe drita e djalit të tij, Cen Sali Shari (Cen Hoti) luftëtar i lirisë e pavarësisë së Kosovës, tashti qytetar i nderuar në Shtetet e Bekuara të Amerikës, një shqiptaro-amerikan i denjë, një hotjan dinjitar. Më mirëkuptoni: Është edhe drita e trojeve të Shar Ibrës, drita e Hotit të Vendit, drita e Plavë-Gucisë, drita e Shqiptarisë.

Sot dhimbja e ka emnin e Sali Shari Ibrës të vllaznisë Haxhaj në Hotin e Vendit mbi liqenin e Plavës. Ai iku, ndrroi jetë, në këtë ditë dimri me Pranverë në shpirt, në sy, në duar… Ai e donte Pranverën – përndryshe: jetën e tij të brezave Pranverë, se e donte Hotin e Vendit Pranverë, se e donte Plavë-Gucinë Pranverë.

Filed Under: Histori Tagged With: Ramiz Lushaj, Sali Shari i hotit

PAÇ MOSHËN E TRI VEPRAVE TË TUA, O SELIM MATOSHI !

January 6, 2014 by dgreca

Shkruan Ramiz LUSHAJ/

1.

Ma së parit më lejoni që me dinjitetin e malësorit e si nxanës i dijes të përulem me mirënjohje para veprës së vyer të historianit Selim Matoshi, përballë tre librave të tij për arsimin, për kulturën e për sportet në trevat e Tropojës.

Një nga shenjtëritë e fjalës poetike shqipe, Hamit Aliaj, këta tre libra të Selim Matoshit, në parathënien e veprës për sportet, i cilëson si një “triptik madhështor, kujtesë kombëtare, vlerë kombëtare…”.

Parasëgjithash, me këto tre vepra shkencore historiani Selim Matoshi ka punue si një akademi më vete, ka ba një punë akademike, ia ka qitë dhe ia ka rritë ma mirë kontributet e atributet Tropojës dhe ka nderue vetëveten dhe vendlindjen e tij.

2.

Kur e lexon veprën e fundit për sportet në viset e Tropojës kujton se je kah hyn në një minierë të rrallë. Aty, faqe pas faqeje, dalin medalje ari, medalje bronxi, medalje argjendi, të meritueme nga sportistët e Tropojës në veprimtari kombëtare e ndërkombëtare në gjithato shtete të botës, në Australi, në Kinë, në Kolumbi, etj.

Aty gjejmë emnat e mëdhenj të sportit krenari tropojane e kombëtare si Arkand Mehdi Qerimaj dy herë kampion bote në peshëngritje, dy herë nënkampion bote, tre herë kampion Europe, etj.  Mundësi Ndoc  Qokaj, gjashtëmbëdhjetë herë kampion kombëtar. Mjeshtrit e Merituar të Sportit në qitje: Rexhë Ndreu, Sadik Azem Kuçana. Sportistët e atletikës: Zhujë Bajko (Breçani) e Valbona Gani Lauka. Alpinistët Azem Malë Hyka e Nuredin Elez Seci. Karateisti Ramiz Ali Ismailgeci, tetë herë kampion kombëtar. Vllaznit Gega në futboll. E të tjetër, e të tjerë.

Aty gjejmë arritjet në sportet kolektive si ekipi i basketbollit “Valbona” pesë herë kampion kombëtar, këtar herë fitues i Kupës së republikës dhe katër herë i Super-Kupës.

Këto figura emblematike të sportit shqiptar dhe dhjetra të tjerë e kanë pasurue “minierën” e sporteve, në të cilën ka pasë rast e fat të punojnë historiani Selim Matoshi për të na e dhanë këtë vepër.

Nëse nga minierat e nëntokës së Tropojës shkojnë duke u pakësue e nxjerrin mineral për ta shitë jashtë, sportistët tanë po i pasurojnë çdo vit “minierën” e vlerave sportive e njerëzore me medalje që i mbeten në gjerdanin e krenarisë së saj.

Tropoja ka dy vargmale paralele: njëri janë vargmalet natyrore dhe tjetri janë vargmalet me figura emblematike të sportit, të kulturës e të arsimit në Tropojë, për të cilët ka folë Selim Matoshi në tre veprat e tij, që mbeten piedestale e autostrada për brezat e sotëm e të nesërm.

3.

Në veprat e Selim Matoshit ka vlera kulturore, arsimore e sportive, po edhe njerëzore.

Veçoj njanin prej tyne: në janar 1980 alpinistët banë një ngjitje dimërore në malet e luginës së Valbonës, në Grykat e Hapuna. Aty, mjeshtrit të merituar të sportit, Aleksandër Bojaxhi, i humbi ora në thellësi të borës. Më 5 maj 1980, pas katër muajsh, alpinistët tropojanë, mjeshtrit e sportit, Nuredin Seci e Hazir Malaj, ribanë një ngjitje alpinistike të veçantë në këtë lartësi alpine vetëm për të gjetë orën e mikut të tyre alpinist, të cilën ia çuan në dorë menjëherë.

Në vitin 1978 në Majën e Arapit, 2.217 metra mbi nivelin e detit, mjeshtri alpinist, tropojani Azem Hyka do t’i shpëtonte jetënn Mariodon Hitos të ekipit “Studenti”.

Veprat e Selim Matoshit janë shumëdimensionale, prandaj i qëndrojnë kohës, ecin në tri fusha pothuajse të pashkeluna nga të tjerët, prandaj sjellin vlera, iu ngrejnë hymn figurave emblematike prandaj do të përcillen në breza.

Besojeni se Selim Matoshi e ka tepër të vështirë që në tre vepra të përfaqësojnë gjanësisht të gjitha figurat emblematike, sepse Tropoja i ka aq të shumtë e të mëdhenj sa nuk i nxanë kaq libra, kjo sallë, kjo kohë. Ata janë të të gjitha kohërave që ikën e të atyne që vijnë në ardhmëri.

4.

Shpesh e kam ndigjue shprehjen se Selim Matoshi e ka justifikue veten e vet për 11 vite si shef i arsimit, kulturës e sporteve në Tropojë, pasi i ka botue këto tri vepra të suksesshme. Përndryshe, këta duan me thanë edhe kështu: “Selim Matoshi e ka hallall bukën e shtetit”.

Po sikur ne të themi anën tjetër të medaljes: Shteti po ia hanë djersën e thinjave e të dijenive Selim Matoshit, sepse nuk e ka vlerësue punën e tij me titullin “Qytetar Nderi” në qytetin tonë alpin apo në komunën e Tropojës, nuk iu ka dhanë Urdhëri “Naim Frashëri i Artë” të Klasit të Parë, etj.

Në miradijen time Selim Matoshi në asnjë kohë nuk ka punue me marrë vlerësime të tilla, ashtu sikurse çdo kohë i mbetet borxhli punës e veprës së tij.

Selim Matoshi, ashtu sikurse i vllai i tij, Dr. Ramë Matoshi, astenjë kohë me problematikat e veta nuk e ka marrë tepër seriozisht, ashtu sikurse në çdo kohë në gjanat ma të rëndësishme është tregue naltësisht serioz, dinjitar.

Këtë e dëshmon edhe me këto tri vepra që nuk i kap bryma e as nuk i rrëmben vorbulla e politikës, në të cilat i përmbledh tana epokat nga lashtësia deri më sot, pa cungime apo fragmentizime, etj.

Më lejoni që në këtë ditë të librit të gashjanit Selim Matoshi të shpreh mirënjohje për djemtë e Gashit: shkenctarin Xheladin Gosturani, gjuhëtarin e publicistin Avdyl Sula, studiuesin Veli Haklaj, vllaznit krijues Baliaj (Isai, Azemi, Artani, Adriatiku), poetin e çmimeve kombëtare, Shkëlzen Zalli, gazetaret Valentina Madani e Afwrdita Haklaj, poetin e prozatorin Skënder Haklaj, poeten Manjola Brahaj, publicistin Azgan Haklaj, studiuesin Halil Hajdari, fotoreporterin Beqir Drejtova, poetin Riza Haklaj, e të tjerë.

 

5.

Në të tre veprat e Selim Matoshit, në ballinën e fundit, ka një pasakëtsi të “vogël” në dukje, po me vlerë të madhe. Selim Matoshi po don me na e mbush mendjen se ka lind në vitin 1934, se është 77 vjeç.

Historiani Selim Matoshi në moshën 70 vjeç na e dha veprën shkencore për arsimin në Tropojë, ndërsa në moshën 74 vjeç na e dha veprën tjetër shkencore për kulturën në Tropojë, kurse në moshën 77 vjeç veprën e sotme shkencore për sportet në Tropojë. Pra, kësisoj, në shtatë vjet kohë vjen me tri vepra shkencore, për të cilat ka punue 70 vjet, nga hapje e Abetares deri tek kjo punë akademike e vyer në breza. O miku ynë, Selim Matoshi, kur të vini me veprën e katërt shkencore, duhet të kesh pak kujdes se mos na thue se je, fjala vjen, 80 vjeç.

Latinët e kanë një thanie të moçme: Heronjtë vdesin, po shkrimtarët e historianët kurrë. E tillë do të jetë vepra shkencore e Selim Matoshit dhe emni i tij si autor i tyre.

O Selim Matoshi, paç moshën e tri veprave të tua!

Tani, në përmbyllje, fjalën e parë dhe të fundit po i përmbledh në një të vetme, me një kryefjalë: Faleminderit, o Selim Matoshi!”

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Pac moshen e tri, Ramiz Lushaj, Selim Matoshi, veprave

ANGLISHTJA – GJUHË E PARË E SHEK. XXI

January 6, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/

Mbi 750 milionë njerëz në planetin tone, përveç gjuhës së tyre zyrtare apo etnike, e flasin Anglishten si gjuhë të huaj.

             1.

Në vitet ’60 të shek. XX Kryeministri i Indisë, Jawaharlal Nehru, duke parë interesat perspektive të vendit të tij, ndërmori vendimin e drejtë politik për të fut e mbajtë Anglishten si gjuhë e huaj e detyruar në institucionet shtetërore dhe në ato arsimore e shkencore. Ai e ndërmori këtë hap madhor në një vend ku flitet kryesisht Gjuha Hindu (mbi 41 për qind e popullsisë) dhe 14 gjuhë të tjera zyrtare, në një vend që kishte dy dekada të Pavarësisë Kombëtare nga Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe (15 gusht 1947).

Në sipërmarrjen e tij, Kryeministri largpamës Nehru, i kishte të gjithë kundër: edhe këshilltarë të tij, edhe ministra të tij, edhe ambienti, edhe gazetarët. Në disa shtete pati edhe protesta masive, pro e kundër gjuhës, me të vrarë, të plagosur e të burgosur. Edhe drejtësia indiane iu hodh në akuza e proçese gjyqësore.

Sot, Anglishtja, e ka ngritur në nivele të larta Indinë, aqsa ka shënuar arritje madhore në zhvillimin e shkencës e teknikës, në konkurimin me Gjuhën Kineze, në një lidhje në mes shteteve e kombeve të saj, etj. Investimet e huaja në këtë vend edhe anglishtfolës kanë shënuar kulminacione. India do të jetë shumë shpejt një nga superfuqitë e botës, jo vetëm nga numri i popullsisë, (aktualisht rreth 1.2 miliardë banorë), por edhe nga potencialet e saj të larta e të shumanshme, në synimet e saj për të qënë antare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, etj. Këtë shembull e ka ndjekur dhe po e ndjek edhe Pakistani fqinjë e rival.

Në këtë rrugë me fryte të shpejta po ecën edhe Shqipëria, në zemër të Europës, populli më amerikandashës.

2.

Gjuha Angleze është gjuhë ndërkombëtare, gjuhë globale, gjuhë e parë e shek. XXI, që lidh kombe, raca e fe të ndryshme.Në dy shekujt e fundit  zhvillimet kryesore shkencore u arritën në vendet anglishtfolëse, prandaj Anglishtja cilësohet edhe si “Gjuhë amtare e shkencës”. Mbi 60 për qind e diturive të botës gjenden në anglisht.Sot në gjuhën angleze kryhen mbi 80 për qind e biznesit të komunikimit dhe mbi 70 për qind e komunikimeve në diplomaci e marrëdhënie ndërkombtare. Anglishtja është gjuha e sotme e internetit.

3.

Gjuha Angleze është gjuha e huaj kryesore e zhvillimeve e integrimeve euro-atlantike të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në të gjitha trevat etnike shqiptare në Ballkan.

Si në BE dhe në NATO gjuha kryesore e folur dhe e shkruar në shtetet antare të këtyre dy organizmave ndërkombëtare është anglishtja, pavarësisht se BE ka 23 gjuhë zyrtare kryesore dhe në NATO janë vetëm dy gjuhë: anglisht e frengjisht.

Amerika anglishtfolëse, aleati strategjik e gjeo-politik më i rëndësishëm i Shqiptarëve, sipas programeve politike të dy dekadave të fundit të së djathtës e të majtës, është e mbetet lidere e NATO-s.

Amerika ka buxhet për ushtrinë, më shumë se çdo shtet tjetër i planetit dhe ma të madhin ndër të gjitha shtetet antare në NATO. Tri shtete anglishfoëse si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe e Irlandës së Veriut dhe Kanadaja kanë buxhetin për ushtrinë ma të madh se mbi 20 shtete të tjera antare të NATO-s.

Në Bashkimin Europian 51 për qind e popullsisë së saj e flasin Gjuhën Angleze, si në Mbretërinë e Bashkuar, në Irlandë 95 për qind, Suedi 89 për qind, Maltë 88 për qind, Hollandë 87 për qind, Danimarkë 86 për qind, Qipro 76 për qind, Finlandë 63 për qind, Luksemburg 60 për qind, Belgjikë 59 për qind, Austri 58 për qind, etj.

4.

Gjuha Angleze është një nga gjashtë gjuhët zyrtare të OKB-së, biles ma e përdorura në komunikime zyrtare të saj, ku  Shqipëria është një nga 192 vendet antare të saj, qyshse nga viti 1955.

Kjo ngjet për tri arsye: E para, se Anglishten e kanë gjuhë zyrtare të parë apo një nga gjuhët zyrtare të tyre 53 shtete të botës në të gjitha kontinentet, çka përllogaritet në 36 për qind të vendeve antare të OKB-së.  E dyta: për vet rolin, fuqinë e ndikimin e Amerikës mbi globin tokësor, në dete, ajër e planete të universit dhe në strukturat e OKB-së.  E treta: kontributi financiar i SHBA në OKB është sa i 180 shteteve antare të saj të marra së bashku.

Në vendet e G-7 Anglishtja është parësore: në SHBA është gjuhë kombtare, në Mbretërinë e Bashkuar gjuhë zyrtare, në Kanada është një nga dy gjuhët zyrtare, ndërsa në Francë, Gjermani e Itali anglishtja është gjuha e parë e huaj. Edhe në forumet e rajonit po flitet Anglisht.

Anglishtja nuk është një nga gjuhët  zyrtare kryesore vetëm OKB, NATO, BE,  Këshillin e Europës, OECD. Edhe në dy organizmat financiare më të fuqishme të botës: Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombtar është gjuhë kryesore, ndërsa në konferenca, etj. interpretohet edhe në frengjisht, spanjisht, rusisht, kineze e arabe.Disa organizma ndërkombtare e kanë anglishten gjuhë zyrtare të vetme si Komonuelthi, OPEC, APEC, ASEAN, CARICOM, SAARC, etj., ndërsa në disa të tjera mbetet ndër gjuhët kryesore si në BE, OSBE, Konferencen e Vendeve Islamike, Unionin Afrikan, Organizatën e Shteteve Amerikane, në Agjensitë Ndërkombëtare të OKB, në organizma të Afrikës si COMESA, EAC, CEMAC, ECOWAS, etj.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi 80 për qind e flasin anglishten, mbi 10 për qind spanjisht dhe pastaj vijnë gjuhët e tjera: franceze, gjermane, kineze, italiane, portugeze, etj.  Në Mbretërinë e Bashkuar anglishtja është gjuhë zyrtare, por 23 për qind flasin frengjisht, 9 për qind gjermanisht dhe mbi 10  për qind italisht, rusisht, arabisht, etj. Në Kanada janë dy gjuhë zyrtare – anglisht e frengjisht, ku anglishten e flasin 73 për qind e popullsisë, frengjishten 23.6 për qind, etj.  Në Francë, përveç gjuhës zyrtare frengjisht, 36 për qind flasin anglisht, 13 për qind spanjisht, 8 për qind gjermanisht, 5 për qind italisht, etj. Në Gjermani, përveç gjuhës zyrtare gjermane, flitet 56 për qind në anglisht, 15 për qind në frengjisht, 7 përqind rusisht, 4 për qind spanjisht, 3 për qind italisht, etj. Në Itali, përveç gjuhës italiane zyrtare,  flasin 29 për qind anglisht, 14 për qind frengjisht, 5 për qind gjermanisht, 4 për qind spanjisht, etj.

5.

Anglishtja, në kuadrin e nismës “Shqipëria Anglofone”, ka arritur të jetë gjuha e parë e huaj në vendin tonë dhe është pjesë e zhvillimit tonë kombëtar.

Duke i kushtuar kujdesin më të lartë Gjuhës Shqipe si Gjuhë e Identitetit Kombëtar, i është dhënë përparësi edhe Anglishtes, si pasuri personale dhe intelektuale për brezat e rinj shqiptarë dhe në shërbim të ardhmërisë kombëtare.

Anglishtja është gjuha e parë e huaj e detyruar e shqiptarëve si anglisht-folës (eglish-speaking) në shkollat shqiptare, biles ka nisur edhe nga cikli i ulët. Numri i nxësësve e studentëve që mësojnë anglisht përbën mbi 70 për qind të atyre që mësojnë gjuhët e huaja, si frengjisht, gjermanisht, spanjisht, etj. Në Maturën Shtetërore ka hyrë edhe Anglishtja si lëndë me zgjedhje, biles me koefiçentë të lartë.  Gjatë viteve të fundit ka rritje të numrit të mësuesve të anglishtes si dhe do të rritet edhe paga e tyre, e drejtëvlerësuar si e mësuesve të matematikës dhe informatikës.

6.

Anglishtja është gjuha me përhapje progresive më të madhe në botë.Ballkani i zhvilluar e integruar në rrjedhat e lartësitë e kohës do të ketë Anglishten gjuhë të parë të komunikimit në nivele rajonale e mes shteteve, në mes kombeve, racave e feve të rajonit.Mbi 750 milionë njerëz në planetin tone, përveç gjuhës së tyre zyrtare apo etnike, e flasin Anglishten si gjuhë të huaj.Në këto vitet e fundit, janë rreth dy miliardë njerëz në të gjithë botën që po e mësojnë Anglishten si gjuhë të huaj, të cilët ndihen mjaft të përkushtuar ndaj përvetësimit të kësaj gjuhe globale.

 

Filed Under: Featured Tagged With: anglishtja, gjuha e pare e shek XXI, Ramiz Lushaj

MIRËMËNGJEZ, AMERIKË!

January 1, 2014 by dgreca

Nga Ramiz  LUSHAJ /

1.

Në atë perëndim rrugëtim të përjetshëm e të përditshëm të Diellit hyjnor, në gjysmë-pjesën tjetër të hemisferës së Globit tokësor, midis kaltërsisë të dy oqeaneve: Atlantik e Paqësor, në hartën gjeopolitike të Botës shtrihet kontinenti i ri i Amerikës (së Veriut dhe të Jugut) me një hapësirë gjeografike prej 42 milionë km2 – pothuaj sa Azia apo katër herë më i madh se Europa, përndryshe: gati sa një e treta e sipërfaqës tokësore të Planetit tonë. Kjo hemisferë perëndimore ka edhe një emër tjetër: “Hemisfera Amerikane”, e cila thuhet se u zbulua vonë, shumë vonë, në vitin 1492 nga detari famëmadh Kristofor Kolombi dhe, eci shpejt, shumë shpejt, veçanërisht nga epoka lavdiplote e XhorxhWashingtonit deri tek kjo e sotmja e Barak Obamës..

Para pesë shekujsh u cilësua “Bota e Re”, pa e ditur se do të vinte një kohë e artë që do t’i rinonte edhe të mplakurat kontinente të “Hemisferës Lindore”: Europë-Azi-Afrikë.

2.

Amerika është larg, shumë larg, në atë rrugëperëndim të Diellit e, për ne Shqiptarët, ky
fakt gjeo-historik përbën një fat të madh, tepër të madh.

Mendoni sa fatalitet do të ishte sikur Dielli të perëndonte në Beograd, Moskë… apo Athinë. Eh! Ah! Në të nesërmen e ditës tjetër do të na e kishin ndalë rrezatimin e tij. Oh! Nuk do ta linin të rrezatonte mbi Shqipëri e Shqiptari, në trojet tona etnike në Ballkan. Kjo për faktin e fatin e keq se deri këtu ka arritë gjatë shekujve caku i pacak i armiqësisë shovene të këtyre shteteve ndaj Nesh – ndaj popullit tonë pellazgo-iliro-dardan-arbnor me etnosin nga më të lashtët në Europë e në Botë.

Ndryshe, krejt ndryshe, ka ndodhur me Amerikën, me të Bekuaren Shtete të Bashkuara të Amerikës, që, jo vetëm nuk e kanë menduar ndonjëherë të na e ndalin Diellin e Galaktikës tonë, por historikisht na i kanë lëshuar edhe rrezet e Diellit të Vet si shteti më i fuqishëm e më demokratik i Botës.

Kjo ka ndodhur mrekullisht që nga 4 korriku 1776 kur Amerika nisi të bëhej Amerikë e deri më sot, në këtë Mijëvjeçarin e Tretë, kur Amerika u bë Amerikë, që kur Presidenti Amerikan Willson mbrojti interesat kombëtare shqiptare më 1919 e deri tek Presidenti Amerikan Klinton që i dha lirinë Kosovës më 1999, nga Presidenti Amerikan Linkoln që foli me 1853 për një ardhmëri të veçantë të Shqiptarëve në Ballkan e deri tek Presidenti Amerikan Xhorxh W. Bush, që më 10 qershor 2007 bëri një vizitë historike në Shqipëri.

3.

Kontineti i ri Amerikan nga Poli i Veriut në atë të Jugut është madhështor, jo vetëm për shtrirjen e tij në gjysmën e Globit, për pozicionin gjeopolitik e strategjik në Botë, për laryshinë e klimave dhe të florës e faunës, për pasuritë e shumta mbi e nëntokësore, për praninë e njerëzve nga çdo vend i Planetit, për llojshmërinë e praninë e harmoninë e feve të ndryshme, për arritjet në shkencë e kulturë, për potencialin ekonomik e fuqinë ushtarake, por edhe për një fakt tjetër mbinatyror; i ka në hartën e tij edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo është një e vërtetë kaq e madhe saqë kur ne themi Amerika kemi nënkuptuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kur themi SHBA kemi nënkuptuar Amerikën.

Tokën dhe njerëzit i ka pasë në jetë e mote kontinenti Amerikan, por emrin e fuqinë, historinë në rritje e madhështinë në ecje, ia kanë dhënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky kontinent i madh Amerikan, nga Veriu në Jug, nuk ka qënë dhe as nuk është koloni e SHBA, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qënë dhe mbeten kolona vertebrare më e fuqishme e tij.

Hemisfera Amerikane me gjigandin e saj SHBA i krijoi Globit drejtpëshimin fizik, politik, ushtarak, diplomatik, kulturor, ekonomik; i dha Botës lartësi të reja të zhvillimit demokratik e shoqëror; i solli njerëzimit një tjetër frymëmarrje morale e materiale.

Kontinenti i ri Amerikan, veçanërisht e kryesisht SHBA, u shfaq papritur në hapësirat e Globit dhe vitale e sfidante në rrjedhat e kohës, që kësaj Bote të mos i shterronin mundësitë e shanset, të mos i vyshkeshin energjitë e interesat dhe të mos i ndryshkeshin idealet e shpresat.

4.

Europianët rendën me revansh të shfrenuar drejt Amerikës së panjohur duke u sjellë atje me përvojën e vjetër të kolonizimit pa e mirëditur se në të nesërmën e afërt të historisë do të ishin pikërisht europianët që do t’i dhuronin Amerikës të famshmen Statujë e Lirisë dhe amerikanët do t’i dhuronin Europës Pallatin e Drejtësisë Paqësore në Hollandë – të njohur tashmë me emrin: Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.

Europianët rendën të etur drejt Amerikës – kësaj “Toke të Re” për të marrë flori të çmuar e çuan skllevër të robëuar pa e mirëditur se më vonë do të vinin në këtë kontinent, në “Planetin Amerikë” të sfidave historike për të ngjitur shkallët e Pallatit të Qelqtë të OKB-së në Nju York për t’iu dhënë rrugëzgjidhje problemeve të tyre të Globit, do të vinin për të trokitur për fonde për vendet e tyre në dyert e Bankës Botërore e të Fondit Monetar Ndërkombëtar, do të vinin për të ngjitur shkallët e Organizatës Botërore të Tregtisë.

Europianët rendën të pandalur drejt Amerikës si kolonizatorë me shans e me shkop pa e mirëditur se më 4 korrik 1776 nga Filadelfia historike me të madhërishmen “Deklarata e Pavarësisë” do të rrezatonte “Revolucioni Amerikan”, që do të frymëzonte kudo popujt në luftëra kundër sundimit të tyre kolonial nga përtej Atlantikut e Paqësorit e deri përtej Mesdheut.

5.

Deshti Zoti dhe e mbajti të “fshehur” Amerikën e panjohur mbi Tokë, që ta zbulonte më vonë si befasi, ta ndërtonte si mrekulli dhe ta përballte me të ardhmen si sfidë të madhështisë së magjishme të tokës e të brezave.

Mbi të gjitha SHBA është superfuqi e Globit për idealet e saj demokratike, për angazhimet e suksesshme në Botë, për arritjet në të gjitha fushat më kryesore të shkencës, kultures e ekonomisë, për forcën ushtarake vitale e të padiskutueshme.

Prandaj Xhorxh W. Bush në fjalimin e tij të parë inaugural si President i 43-të i SHBA deklaroi:“Para të gjitha kombeve ne do të flasim për vlerat që na dha kombi që na rriti” dhe “Nëse vendi ynë nuk udhëheq kauzën e Lirisë, ai nuk do të udhëhiqet”.

6.

Për madhështinë e SHBA renditen shpjegime nga më të ndryshmet, ka analiza evidente nga më të shumtat dhe hulumtimet mbeten gjithënjë të hapura, por mbi gjithcka kjo madhështi më duket se është më shumë se njerëzore dhe më tepër se hyjnore.

Zoti e krijoi së parit Tokën dhe më pas Njeriun për ta transformuar e lartësuar Galaktikën tonë nga fundi i oqeaneve tek yjet e planetet; së dyti, Jezu Krishtin, Profet Muhametin… për t’i ekuilibruar e emancipuar njerëzit e kohërat dhe, së treti; Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’i avancuar e përparuar Tokën, Kohën, Njeriun dhe Ardhmërinë e tyre.

7.

Xhon Smith, themeluesi i kolonisë së Virxhinias (1607), më e para koloni angleze e qëndrueshme e SHBA, për aktin hyjnor të krijimit të Amerikës, ka lënë një thënie monumentale: “Dielli kurrë s’ish marrë vesh aq mirë me Tokën për t’i bërë vend Njeriut për të jetuar”.

8.

E përjavshmja amerikane “Newes Week”, 22 vjet më parë, në një apel drejtuar Popullit Amerikan, profetizonte: “Qënien e Amerikës supërfuqi e ka përcaktuar Historia dhe nuk është pasojë e veprimeve që ka ndërmarrë Ajo”.

9.

Amerika është Kudo, pavarësisht se jo kudo është Amerikë, veçse Amerika nuk mund të imitohet realisht, por vetëm të vlerësohet botërisht.

Amerika është Amerikë, ndaj si e tillë duhet parë, ndjerë e kuptuar, për më tepër, është një vend që udhëheq dhe udhëhiqet. Eksporti më i madh nuk është vlera monetare e dollarit, as tregtia e mallrave të ndryshme, por Liria.

Amerika bëri Luftën, Paqen në Kosovë, i dha Pavarësinë e merituar, jo sepse ka interesa të veçanta strategjike, por se e ka dhe e ndjenë përgjegjësinë kolektive si vendi më i madh dhe më i lirë i Botës, sepse udhëheq duke u udhëhequr nga vlerat e larta të Lirisë, Demokracisë, Drejtësisë e Barazisë.

Në rast se Kosova nuk e fitonte Pavarësinë duhet kuptuar edhe kjo: Presidenti Bush e humbte Amerikën dhe, përndryshe: Amerika do humbte shumë, më shumë nga ç’mendohet e pritej, lidhur me rolin e saj udhëheqës në Botën e sotme. Kjo mund të ngjasë edhe nëse Shqipëria Natyrale do të mbetet e copëtuar në gjashtë shtete: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni (FYROM), Mali i Zi, Serbi e Greqi, nëse Tirana e Prishtina, Plavë-Gucia e Presheva, Mitrovica e Çamëria, Shkupi e Podgorica … nuk do të jenë një komb i vetëm shqiptar. Në jetë e mote historisë shqiptare të hershme e të nesërme do i jehojnë thirrja devizë: “Nanë Shqipëri, mos kie frikë / se kie djemtë në Amerikë”.

Bota ia kërkon sot rolin udhëheqës Amerikës, sepse don të udhëhiqet nga një vend si Amerika, ndaj Amerika e ka për detyrë të veçantë e kolektive për të mbrojtur Lirinë, Progresin e Pavarësinë në të gjithë Botën, siç po vepron aktualisht për Pavarësinë e Kosovës, siç po bën për demokracinë e ardhmërinë shqiptare në Ballkan.

Ne, Shqiptaria, me Amerikën, nuk kemi për bazë treguese e vlerësuese një tabelë aritmetike arritjesh të konvertuara në dollarë, ton apo kilometra, por një kod gjenetik e historik vlerash universale morale të miqësisë e mirënjohjes të provuara e lartësuara në shekuj, që nisin më 4 korrik 1776 dhe mbesin e ecin në memorien e gjakun e brezave të kombit tonë.

Amerika nuk është e madhe në rast se ka në imazh e realitet një Botë të vogël gjeopolitikisht në vlera demokratike e jetësore dhe Bota nuk është e vogël në dimensionet e saj universale kur ka një Amerikë kaq të madhe.

AMERIKË, Gëzuar Vitin e Ri, 2014, AMERIKË!

Tropojë, 1 janar 2014

Filed Under: Featured Tagged With: Miremengjez Amerike, Ramiz Lushaj

ME DASHURI TË PAMATË PËR VISIN E MALZIUT

December 24, 2013 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/

1.

Kombi nis tek dera e jote, tek kufijtë bio-pronësor të tokës tande, tek visi yt. Kjo aksiomë e përjetshme është leitmotiv edhe i morinasit e bregdrinasit, Kadri Morina. E dëshmoi publikisht, si përherë, edhe në këtë fundviti me kryerjen e sipërmarrjes shpirtërore e financimin tërësor të botimit të veprës së mirëfilltë shkencore “MALZIU bubrrime historike-etnologjike-folklorike-gjuhësore” (GEER, Tiranë, 2013). Është një vepër tejet e çmuar për vendlindjen e Kadri Morinës, i cili ka lind e rritë shtat dhe profil në Shikaj, dikur qënder bajraku dhe një nga 12 fshatrat e komunës së sotme Malziu në brigjet e Drinit të Bashkuar apo, tashti, edhe të liqenit artificial të Fierzës së dritës. Kjo vepër shkencore i kap nivelet e botimeve euro-atlantike për nga brendia e luksi i saj saqë hyn në standarte të një libri dhuratëedhe për ente zyrtare e mjedise familjare elitare.

Autori (njëherash edhe redaktor e korektor) i kësaj vepre shkencore është prof. as. dr. Shefqet Hoxha, Mësues i Popullit, euriditi lumjan, ish pedagog universitar, bashkëpunëtori shkencor i instituteve shkencore të Tiranës, ish deputet demokrat në Kuvendin e Shqipërisë (1992-1996),me qindra shkrime e dhjetra libra të botuar, tashti pensionist në metropolin shqiptar, në Tiranë. Prof. Shefqet Hoxha është legjendë e gjallë e shkrimtarisë shkencore e kulturologjike për Kukësin me rrethina. Ndoshta përbën rast unikal në botën e sotme që një shkenctar e kulturolog i kushton krahinës së tij etno-historike e administrative 50 vepra të mirëfillta e me laryshi zhanresh si monografi historike, etnologji, dialektologji, folklor, leksikologji, etj. Shkenctari Shefqet Hoxha, siç faktohet edhe në kit’ veprën e tij, paska mbi një gjysëm shekulli që hulumton ngultas e zdrit shpeshtas për Malziun me disa botime në faqe të shtypit lokal e qëndror, parë në këndvështrime historike, etnologjike, folklorike,gjuhësore, etj. Emri emblematik bashkëkohor dhe vepra madhore akademike e derisotme e prof. Shefqet Hoxhës, i ban nder çdo krahine e rrethi të Shqipërisë Londineze dhe gjithkah shqipnojnë trojet etnike në Ballkan, po tani këto merita në rritje, ky thesar me prodhimtari visarore, i takojnë vendlindjes së tij, Kukësit. Ai është, si të thuash, “akademi” e/për Kukësin.

Kjo vepër shkencore në stafin e saj akademik ka vetëm një recensent. Sigurisht, mjafton vetëm një i tillë si Mustafa Hoxha, pasi ky është një personalitet dijetar e veprimtar vendali – nga fshati Dukagjin i Malziut, i shkolluar pesë vjet në Leningrad të BRSS, ish deputet në dy legjislatura në Kuvendin Popullor të RPSSH, ish zyrtar profesionist i arsimit e kulturës në Kukës, mbi një gjysëm shekulli (1965-1991) ka mirëdrejtue dy masmedia: radion lokale Kukësi, e cila kishte veprimtari të çmuar kombëtare si zëri shqiptar për Kosovën dardane nën Jugosllavi e, mbasandejna, edhe kryeredaktor i gazetës lokale “Kukësi i Ri”, autor i disa veprave të përkthyera nga rusishtja në shqip, etj. E kam njohur nga afër Mustafa Hoxhën qyshse në fundvitet ’80 e fillimvitet ’90, asokohe kur botohej në Kukës gazeta lokale “Shkëlzeni” e Tropojës, ndaj dua të them se është një burrë i fismë, dalzotas i detyrave të veta, të cilit zgjuarsia e thellë e urtia e hapur kurrë nuk i munguan e as nuk i tepruan, ndaj eci me hapa të qetë e me sy të qeshur. I tillë, njeri i nderuar, mbetet edhe sot, 78 vjeçar, teksa bulevardon në Tiranë e kie kënaqësi me i folë me të dy fjalë në ecje apo me u ul diku e me e pi një kafe të rrallë me i burrë të tillë të rrallë.

Këta tre burra të sojshëm, secili ma i mirë se shoqi, prof. Shefqet Hoxha i Lumës, Mustafa Hoxha i Dukagjinit (Malziu) e Kadri Morina i Shikajve (Malziu) morën vendim në bashkari dhe i hynë sipërmarrjes fisnike mbi trevjeçare për botimin e veprës “Malziu…”. Secili në detyrën e vet, në profilin e vet, me rolin e kontributin e vet. Pati edhe të tjerë ndihmatarë si kordinator, konsulent apo prurës me shenime e kujtime si i mirënjohuri etnologu pukjan, Xhemal Meçi; i përkushtuari malzias, Rexhep Tahiri; të paharruemit malzias, Ali Hasani, Ejup Hoxha, Ferit Hoxha, të cilët i faleminderon veçmas edhe autori i monografisë, prof. Shefqet Hoxha. (shih fq. 8). Vepra shkencore “Malziu…” e penës së artë të prof. as. dr. Shefqet Hoxhës, doli në dritë si një arritje e mirëpritur, të cilën autori ua kushtimon “malazezëve të urtë e të vnjeshëm” duke ua shpalos “vlerat njerëzore dhe të kaluarën e harruar të visit të tyre” (fq.3). Kjo vepër shkencore i kapërceu kufijtë e një krahine, të një rrethi, të një qarku; po hyn në fondin e pasurisë kombëtare, po zenë vend në biblioteka kombëtare në Europë e deri në Amerikë.

2.

Amerikanët e kanë një shprehje për vetveten: Mëso të respektosh një biznesmen që ka mbi një milionë dollarë se po të ishe i zoti do i baje edhe ti kaq pasuri valutore me mendjen e djersën tande. Në vende euro-lindore ballkanike,si kjo e jona Shqipëri Londineze, e cila ka përjetue disa sisteme e rregjime ma tepër se problematike, gjithato luftëra botërore e ballkanike shkatrrimtare, kryengritje të shumta e të pafundme kundër vetvetes e të tjerëve, e cila po e provon aktualisht edhe tranzicionin galopant e galiç, kuptohet se është disi e vështirë me i vnue në vend e me rend, sipas Traditës apo Protokollit, biznesmenët e kohës së tanishme tue iu marrë në konsideratë pasurinë valutore, humanitare e intelektuale të tyre. Sot, jo veç në laminë e biznesit, shumkush ia ngjet vetes “flatrat” e dragoit dhe gjithkush po don me t’i mbathë “patkojtë”. Kena kalue jo pak kohna revolucionare me ç’shenjtërim të pronës private e të bio-poseduesve të saj. As kjo koha e sodit nuk po i jep shenjtërinë meritore pronës e, përndryshe, ma e pakta: me i lanë në shenjtërinë e vet biznesmenët e meritës.

Kadri Morina është nga ato personalitete shumëdimensionale publike që ban përjashtim jo rastësor në kohë e hapësirë, në vlera e virtyte. Ia ka mbrri të jetë i përveçëm, me emër e mbiemër, me fytyrën e tij, në librin e madh të biznesit kombëtar shqiptar e të shoqërisë kombëtare shqiptare. Nuk është i vetmi, po i përnget vetëvetes. Ndjek edhe shembullin ma të mirë të të tjerëve. Kadri Morina është vet Kadri Morina.

ADN e Kadri Morinës në vena e inde dhe në palcën e ashtin genetik ndër breza e ka të skalitur fort e mirë traditën e biznesit. Është “i lindur” si biznesmen e, si i tillë, punon në bizneset e veta me të gjitha shqisat e tij. Përndryshe: Ai ka çka sjell e çka përcjell. Si shumëkush. Mbi të gjitha: është Dikush. I rrinë kohës në kambë. I prin jetës në ballë.

Gjyshi i tij morinas e bregdrinas, Niman Ali Morina, qyshse para dy shekujve kalendarik e ka marrë fatin në krah e botën në sy dhe i ndali hapat në Anadoll, bash në kryeqytetin portual të Stambollit, në kryeqytetin e tri perandorive nga ma të mëdhatë e botës: asaj Romake, Bizantine e Otomane; një nga kryeqytetet e kulturës, arsimit e zhvillimit ekonomik botëror të asaj kohe. Ky njeri i ditun dhe i shetitun u rikthye tek ama e tij, në truallin e tij, duke i dhanë ma tepër fuqi e risi kullës së vet, e cila ishte një ndër ma gjallniket nga pasunia e veprimtaria në trevën e Malziut. Kësokohe, Niman Morina solli me veti kulturë të madhe, monedha osmane, mjete relike (si një mulli kafeje që dikur e përdorte krejt krahina për dasma e morte), etj.

Ashtu sikurse të shquarit e botës në fusha të ndryshme të jetës e të shkencës marrin Çmimin “Nobel” në Stokholmin skandinav të Suedisë, edhe Tahir Morina, i ati i Kadri Morinës, e ka marrë në rang lokal një të tillë “çmim” të pashoq për virtytetet, vlerat e veprat e tij në vendlindjen e vet, pasi në krahinën Malziu e jo vetëm malziasit e thërrasin masivisht e mirësisht: “Baba Tahiri”. Shpesh ka qëllue që as profetët mos me u vlerësue në vendlindjen e vet, ashtu sikurse edhe shumë fëmijë modernë harrojnë me i thirrë prindit të vet me emnin hyjnor: “Babë”! Pra, një çmim i tillë: “Babë Tahiri”, nuk është i pakët me e fitue moralisht dhe jo aq i lehtë me e mbajtë atë jetëgjatësisht e dinjitarisht, pasi vet njeriu duhet të jetë “nobel”, të jetë njeri i mbrrimë, të jetë vet Tahir Morina.

I thjeshti, punëtori, besimtari, Tahir Morina, burrë i besës e i ndershëm, për nga profesioni edhe guzhinier i shumkërkuar, njeri vendimmarrës, shquhej edhe si administrator i pasurive të tij të (pa)luajtshme saqë edhe pikën e ujit mund ta ndante më dysh, i zgjonte mëngjeset në krye të punëve të ditës, stinës e kohës; luftonte me plot sakrifica përmes vështirësive të (pa)qëllimta për t’i rritë të mirë e me të mira të pesë fëmijët e tij, me ua dhanë me zotësi e mbarësi shkollën, punën e rrugët e jetës.

Tashti ky burrë malësie, bregdrinas e morinas, i ditur e i shetitur, misionar bajenderës, ky Tahir Morina, shtatmbajtun, ecën krenar brigjeve të Drinit, bulevardeve të Tiranës, bregdetit të Sarandës, Udhës së Kombit deri në Prishtinë, nga plazhi i Ulqinit në kalanë e Shkupit, pasi ia ka mbrri asaj që ia don zemra e mendja çdo prindi mbi tokë: iu kanë ngrit fëmijët e tij, nipërit e mbesat e tij, në lartësi dinjitare që tashma kanë imazhin, frymën e suksesin e tyre me emnin e nderit e të progresit: “Kadri Morina”.

3.

Vendlindja e Kadri Morinës, krahinë/za e Malziut, në brigje të epërme të Drinit të Mesëm, është një trevë e qytetërimit të lashtë pellazgo-ilir, që daton të paktën dhjetë mijë vjet ma herët, tue nistue prej sodit. Në antikitetetin e lashtë vendasit e atyshëm jetnonin në banesa mbi tokë e ta ndara në dhoma, kishin enë me dekoracione për gatim e hijeshim, etj., njësoj si edhe në Maliq të Korçës, etj., ndërkohë që sipas HPSH, Tiranë, 2002, fq. 44-46) edhe në ultina bregdetare banonin në gropa nëndhese. Aty, lidhtas me Fushën e Dukagjinit (Malziu), gjendej Kolshi i vjetër prehistorik, vendbanim i neolitit të hershëm të zhvilluar, që në historinë shqiptare, ballkanike e europiane njihet si “Kultura Kolshi I”, kulturë përfaqësuese e krejt Shqipërisë Verilindore. Kolshi I ka si tregues themelor qeramikën barbotine në reliev të ngritur, qeramikën e pikturuar me bojë kafe mbi sfond të kuq dhe qeramikën impreso, të cilat vendosen mjaft qartë në raporte kulturore e kronologjike me Rudniku III në Kosovë dhe me gjithë kulturat e fazës  Starçevo II b të  Ballkanit Qendror, etj.

Në këtë truall të Malziut të sotëm thuhet se ka jetnue fisi ilir i Siculotae (fq. 112), prej të cilit e mori emrin edhe vendlindja e Kadri Morinës, fshati Shikaj (Shikla-Shikje-Shike), ashtu sikurse edhe në brigjet e Valbonës, prej ku bigohet me Drinin e deri në Gryka, popullohej nga fisi ilir i Skirtonëve, paraardhësit e fisit të hershëm të “Ponarit të Lekës” me vendbanim trojenik në Malësinë e Gjakovës dhe në Ultinën e Podgoricës së sotme. Për herë të parë, sipas gurrave dokumentare të vrellta, emni i fshatit Shikaj (në trajtën Shikla) përmendet në krisobulën e car Stefan Dushanit në vitin 1348.

Malziu ka pasë qytetërim edhe në kohna të Mesjetës së hershme, të mesme e të vonë. Aty ende gjenden gjurmë historike e rrënoja të kalave (kështjellave). Ma e njoftuna është “Kalaja e Lekës”, e Lekë Dukagjinit, sundimtar i këtyne anëve e ligjbërës i Kanunit me emnin e tij. Kjo kala, të cilën e ka shkel me kambë shpeshherë edhe Kadri Morina, ngrihet mbi një kodrinë, në një vend të kyçtë, mbi një shkëmb të thiktë “Qafa e Gjytetit” e, teposhtë, shtrihet një fushë e vogël, “Qyteti”. E gjitha kjo formon një farë gadishulli tek bashkimi i lumit të Krumës me Drinin e, kulla e saj katërkandshe, lartohet në 259 metra lartësi mbidetare. Mbi një kodër në formë konike me lartësi 323 metra mbi nivelin e detit ngrihet “Kështjella e Shëmrisë”, për të cilën historiani Shefqet Hoxha hedh idenë se duhet të jetë vendosur “në kufirin mes provincave Praevalis dhe Dardania”, e cila ishte edhe një tjetër pikë nyje në kahendarjet e rrugëve drejt Vaspasit e Dardanisë.

Malziu ishte një vend gjeo-strategjik i kryqtimit të udhëve qyshse në kohë të lashta, pasi trupohej nga “Rruga e vjetër”, ndryshe: Publica Via apo ma plotërisht: Rruga Lissus-Nissus (Rruga Lezhë-Nish). Në Vaspas (Va-Spas), tek kalimi mbi lumin Drin, rruga e madhe ndahej në tre drejtime, drejt kryeqëndrave të mëdha ndër kohëra: drejt Prizrenit, drejt Gjakovës me rrethina, drejt Shkodrës. Nga fshatra të Malziut, siç shpjegohet në këtë vepër shkencore,  niseshin disa udhë drejt krahinave (rretheve) përqark: drejt Mirditës, Hasit, Malësisë së Gjakovës (Tropojë), Pukës, Kukësit. Këto rrugë kanë sjellë qytetërim, zhvillim të mirë ekonomik e kulturor, pasi aty kishte  doganë, hanet e Vaspasit e Shikaj, dyqane zejtarie e shitore, etj.  Në gjysmën e dytë të shek. XVIII  u ndërtue “Ura e Vezirit” (sipërmarrje nga Veziri i Shkodrës) me 18 harqe të madhësive të ndryshme, një nga monumentet ma të mëdha të Perandorisë Otomane në gadishullin e Ballkanit.

Malziu ishte një vend që kohëpaskohe i bante njerëzit e vet biznesmenë të mirë, iu ngjallte atyne humanizmin njerëzor, iu ushqente ndjenjën e punës, kursimit e fitimit.

Ndaj nuk është e rastit, që në vise përgjatë brigjeve të Drinit, në të tilla udhëkryqe të shkëmbimeve tregtare e të kulturave, si fjala vjen prej nga bashkimi i Dy Drinave deri në bigimin e Valbonës me Drinin, kemi gjithata biznesmenë të njohur në këtë shekull të ri: Avni Ponari, Basri Ruka, Hajri Elezi, Kadri Morina, Ramë Geci, Shyqyri Duraku, e dhjetra të tjerë.

 

Ndryshe nga gjithato treva në Shqipërinë e Veriut, Vaspasi e krejt krahina etno-historike e administrative e Malziut, falë edhe pozicionit gjeo-strategjik, është fjalashkrue nga shumë autoritete të shkencave, politikës, letrave e diplomacisë, shumë sish edhe udhëpërshkrues, si: Llazar Soranzo (shek. XV), Frang Bardhi (1638), Evlia Çelebia (1670), Stefan Gaspri (1671), Vincenzo Zmajevich (1703), J.G. von Hahn (1867), Giusepe Celcich (1899), Jastrebovi (1904), Theodor Ipen (1908), A. Baldacci (1929), E. Armao (1933), Kahreman Ulqini (1973), Kolë Luka (1981), Xhemal Meçi (1997), Jaho Brahaj (2005). Sigurisht, historiani i njohur Shefqet Hoxha e ka mirëmendue përzgjedhjen e publikimin e fragmenteve të shkruara (fq. 100-112) nga këto personalitete duke ia rritë kështu ma tej e ma mirë vlerat e mirëfillta dokumentare kësaj vepre shkencore për Malziun.

 

Prof. as. dr. Shefqet Hoxha qyshse në parathënie të kësaj vepre shkencore pohon edhe një tjetër randësi etno-historike të Malziut: “Traditat e ruajtura të banorëve të Malziut dëshmojnë origjinalitetin, por edhe ndikime të krahinave përrreth: Mirditës, Lumës, Hasit dhe Malësisë në të djathtë të Drinit. Madje, më duket se ky vis është një kapërcere midis Gegërisë së mesme dhe Malësisë, tiparet kulturore të të cilave i ndesh në çdo lëmi: në folklor, në etnokulturë, në të folme, etj.” (fq. 7).

 

 

4.

Kadri Morina mban mbiemnin e fisit të vet Morina, një nga 12 fiset e njohura në Shqipërinë e Veriut. Emrin Morina e gjejmë tek Qafë Morini në kufi me Gjakovën e Tropojën (Malësinë e Gjakovës). Aty, në hershmëri pagane, ka qënë një Tempull Diellor. Aty njerëzit luteshin. Aty janë ba edhe luftëra të mëdha. Njerëzit ishin qëndrestarë, luftëtarë. Vdisnin në kambë. Pra, ishin morina. Nuk dihet: vendi ua dha emrin e fisit apo fisi i dha emrin vendit. Sidoqoftë, në mes të Kukësit e Prizrenit kemi edhe doganën e Morinës. Nga fisi Morina, siç thuhet edhe në këtë vepër, ka edhe në Shikaj, Petkaj, Shpataj, Mgullë të Malziut. Një prej tyre është Kadri Morina i Shikajt. Më vno disi në mendime një rrëfim i vitit 1982 i Fejzë Dobrushit, 83 vjeç, në Shëmri: flet për një festë të veçantë në Malzi: “Darka e Diellit” (fq. 259) e cila festohej sikurse Dita e Verës, Novruzi, Zhgjergji, Runa, Shmitri, Mejdisi i Dimnit. Ndaj baj një farë lidhjeje jo krejt rastësore traditore në mes Tempullit Diellor në Qafën e Morinit e Darkës së Diellit në Malziun në breg të Drinit të Bashkuar.

 

Kadri Morina është njeri besimtar. Beson në Zot jo veç kur i duhet, jo veç për rrëfim, jo veç kur ka hall, por beson në Zot se duhet besuar, beson si misionar, beson për veprim. Njësoj sikurse edhe baba e nana e tij besimtarë e misionarë, bamirës, bajenderës.

Përndryshe: Kadri Morina nuk është shenjt, po ka shenjtëritë e tij. Një prej tyre është edhe bamirësia në kohën, vendin dhe mënyrën e duhur. Ai ka marrë përsipër me sukses ndërtimin apo restaurimin e kulteve fetare në Peshkopi, në qytetin e Tiranës, në Marikaj të Durrësit, në Zall-Bastar të Tiranës, etj. Mijëra dollarë i akordoi për restaurimin e Xhamisë së Et’hem Beut bash në qendër të Tiranës, këtij kulti monument kombëtar, fetar, kulturor e historik. Ka financue edhe në përkthimin e Kur’anit. Ai nuk t’i përmend shembuj të tillë bamirësie. Duhet me i mësue prej të tjerëve. Këto fakte i gjeta tek një portret për biznesmenin e humanistin Kadri Morina të shkruar nga gazetarja e shkrimtarja shqiptaro-amerikane, Raimonda Moisiu, e botuar tek “Tirana Observer” në vitin 2009. Kadri Morina ka me dhjetra raste ndihme bamirësie si për jetimët e Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë; për një fëmijë trevjeçar për transplant mëlçie në Spitalin Amerikan në Tiranë, etj. etj. Gjithashtu ka financue për Festivalin e Filmit në Durrës, shumë libra historik e letrar, ekspozita pikture, veprimtari nga ma të ndryshmet.

 

Ndihma e Kadri Morinës për Kosovën është e madhe, e çmuar, e përhershme, e cila shprehet edhe në një deklaratë të tij të kahershme: “Për Çështjen Kombëtare shkrij pasurinë, jap edhe jetën”.

 

5.

Dinjitari Kadri Morina e ka nusen e tij, Kozetën, nga dera e njohur e Madanëve të Gashit të Gurit.Është çika e nderuar e një burri të mirë, Din Madanit, shtegtar i hidrocentraleve në dy dekada nga Fierza në Koman (1971-1989). Ai ka disa vite që ka ndrrue jetë, po mbetet kujtimi e nderimi për emrin, virtytet e sakrificat e tij, mbetet shembulli i tij si kryezyrtar model i sektorit të burimeve njerëzore në 15 vitet e fundit të paradaljes në pension.. Kam pasë rastin ta njoh qyshse në hidrocentralin e Fierzës, kah fundviti 1975. Pikërisht, asokohe kur fillova punë në ma pak se një vit kohë në sekretari-arkiv në kantierin e prodhimit nr. 2 të H/C të Fierzës. Ndonjëherë, ndër vite, më ka qëllue që kur kisha mëdyshje për ndonjë shkrim për Fierzën për ta çue në shtypin e Tiranës shkoja e konsultohesha edhe me Din Madanin, barometrin e të drejtës e të vërtetës. Edhe sot e kësaj dite i çmoj sjelljet e tij si ndaj disave që ishin me “biografi të keqe”, ndaj atyre që donin të kualifikoheshin në profesione të ndryshme, etj. Ishte njeri fistar. Mbi të gjitha njerëzor. Djalin e tij, intelektualin e kohës, ing. Skënder Madanin, e kam mik, një mik që të ban të nderuar ecja në krah të tij. Ai ka krye dy universitete, ka dy shtetësi – shqiptare e kanadeze, zotëron dy gjuhë të huaja. Ma së parit e pata takue këtë djalosh të Dhjetorit ’90 teksa interesohej tek ministri i Kulturës, Bujar Leskaj, për t’i kërkue miqësisht ndihmë për Tropojën e tij. Kësokohe, më 2007, ai punonte zv/drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor.

 

Në vitin 2009, teksa pinim kafe me mikun tim Skënder Madani tek “Piazza” në qendër të Tiranës, e pata njohur biznesmenin Kadri Morina, pronarin e ri të këtij bar-restoranti modern, të frekuentuar nga personalitete (ndër)kombëtare. Ky bar-restorant, edhe pse janë ndertue të tjerë me emna të mëdhenj botëror si “Sheraton”, “Rogner”, etj. ende mbetet në nivele të larta si vatër e bukurisë, kënaqësisë e mirësisë. Më la mbresa e më ngjalli respekt kultura e Kadri Morinës. Ai kishte njohuri të mira për letërsinë e artin, për figura të njohura të tij. Ai fliste me admirim e kompetencë për Kosovën, etj. Ai e mbante bisedën në lartësi edhe kur fliste për Amerikën e personalitete të saj, disa prej të cilëve i kishte miq, si artistin e madh me origjinë shqiptare, Sten Dragoti, kumbara i djalit të tij të vogël, Wesliklarkut, etj. Atë ditë m’u duk se ishte një anglo-sakson. Mbi të gjitha, Kadri Morina, është  një shqiptar kombëtar.

 

Fëmijët e Kadri Morinës janë në rrugën e të mbarës, në ecje drejt lartësive të suksesit. Ma i madhi ndër fëmijët, Kreshniku, është i dhanun pas matematikës, talent qyshse herët kur fitonte Olimpiadat e Matematikës. Tjetri, Klajdi, i përkushtuar edhe pas sportit, pjesmarrës në veprimtari ndërkombëtare si në Samitin Botëror të Ujit në Stamboll, etj. Klara, vajza e vetme, talent në piano, çka e ka dëshmue edhe në koncertin e Selin Dion në Las Vegas të Amerikës, etj. Një nga katër fëmijët e tij, ma i vogli, mban emnin Wesliklark, në nderim mirënjohjeje për gjeneralin amerikan, Wesli Klark, komandant Suprem i Forcave të Bashkuara të NATO-s për Europën, që ishte një nga strategët e Luftës së Kosovës  në vitin 1999, ndihmëtar i lirisë së saj së Kosovës. Pra, një familje e mirë në lartësi të kohës, me vizione e pasione për jetën e të nesërmen, me tradita e arritje. Njerëz të mirë në këtë kohë të vështirë.

 

 

6.

Vepra “Malziu…” është një enciklopedi shkencore, një vepër fletëhapur për brezat, një metodologji për të tjerët se si duhet shkrue një monografi për një krahinë shqiptare.

Një vend të veçantë në këtë vepër (fq. 219-240) zenë disa prej figurave të njohura të krahinës së Malziut, si: Andrea Kalimashi (1643-1687), Demë Simoni (mesi i shek. XIX),  Rrustem Ukë Bajrami i Pistës (gjysma e dytë e shek. XIX), Tahir Sinani i Kalimashit (gjysma e dytë e shek. XIX), Hasan Rrahmani i Mëgullës (gjysma e dytë e shek. XIX), Ismail Arifi (…1912), Osman Ibrahim Hoxha i Dukagjinit (fundi i shek. XIX – fillimi i shek. XIX); Halil Mustafë Hasani i Pistës (1884-1912), Sali Aga (1854 – 1953), Tahir Aga e motra e tij, Lajle , Ramë Hoxha i Dukagjinit (fundi i shek. XIX e gjysma e parë e shek. XX), Ismail H. Muçaj, Mustafa Hoxha, etj.

 

Kadri Morina e ka provue vetveten si biznesmenë qyshse në kohën që punonte në vendlindjen e tij, me menaxhimin e prodhimit e tregtimit të esencës të rrëshirës së pishës, duke u arritë pesëfishimi i vlerës të ditëpunës në kooperativën bujqësore. Kësokohe, edhe pasi kërkoi të drejta të mohuara të babës së tij, Tahir Morinës, për qëndrimet e zgjuara e të prera në kohëprishjen e marrëdhanieve me Bashkimin Sovjetik, ndodhi ajo që (s)pritej: djaloshit Kadri Morinaiu vërsulën njerëz të vegjël në karrike të mëdha për ta implikue në gjyqin e jehonshëm të Kukësit për esencën e rrëshirës së pishës, prej nga doli me pafajësi. Në kohën kur punonte me rininë në ushtri në Tiranë, në vitin 1990, iu kërkue të sillte patate nga Kukësi, ku me shtimin e numrit të kamionave iu shtuan edhe të ardhurat. Në kohën e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ’90, në ditën e rrëzimit të shtatores së Enverit, vetheq zyrtarisht uniformën e zyrtarit ushtarak dhe ia fillon biznesit: I bleu katër fabrika buke nga Turqia. Nis edhe transportin e çimentos. Fillon të merret me ndërtimtari. Tevona, më 1998, ngre një zdrukdhtari për mobilje për firma ndërtuese. Para disa vitesh kreu dy blerje të mëdha: bleu Shoqërinë e Sigurimeve “EUROSIG” në Tiranë e me filiale në disa rrethe, bleu edhe bar-restorant “Piazza” në qënder të Tiranës (ish lokalin e shqiptaro-amerikanit të njohur, Ekrem Bardha). Merret edhe me ndërtime deri në Sarandë. Pra, Kadri Morina, nuk është nga ata “biznesmenët e klonuar” apo “biznesmenët në inkubator” që punojnë me lekët “e tepërta” apo “të fshehta” të të tjerëve e për të tjerët, që i kemi jo të pakët në këtë kohë tranzicioni postkomunist. Nuk është as nga ata biznesmenë që u banë të fuqishëm me forcë apo mbi lotë. Kadri Morina është biznesmen i themeltë, i suksesshëm, i pathyeshëm, i pakthyeshëm,  biznesmen i të djeshmes, i të sotmes dhe i së nesërmes.

Prof. as. dr. Shefqet Hoxha, Mësues i Popullit, tek vepra e tij shkencore “Malziu…”, në kryefalenderimin e tij për biznesmenin Kadri Morina (fq. 2) na i përcjell tri të veçanta të këtij biznesmeni sipërmarrës misionar:  “Zemërgjerësia.  Njeri me shpirt të ndjeshëm. Me dashuri të pamatë për visin e vet, Malziun”.

Kur ecën Kadri Morina hapin e ka të lehtë. Duket sikur Toka e mban peshë. Mëse realitet, pasi është nga të shumtit bij të kësaj Toke që nuk i bajnë randë Asaj, nuk i nxanë vend kot. Përkundrazi: me biznesin e humanizmin e tij, gjallnon e hijeshon në Tokën e vet etnike. Ai kontribuon që kjo Tokë të jetë një vend edhe ma i jetueshëm, edhe ma i lumnueshëm për rrënjët e degët e tij, për shoqërinë shqiptare bashkudhtare, për breza në vargni kohe. Ai mbetet i motivuar për vete dhe motiv për të tjerët. Njeri i Besimit, i Mendimit dhe i Veprimit. Në këtë Tokë të begatë edhe Kadri Morina e ka hisen e vet të meritueme me dije natyrale e të kultivueme dhe me sakrifica bohemike e praktike, e ka emrin e vet të mirë me punë të vyeshme e virtyte genetike.Në këtë Tokë të bekueme edhe Kadri Morina e ka hisen e vet të diellit natyror e atij hyjnor, i ka hapësirat vendore e kohore rrezatuese të veprimtarisë së vet në shërbim mirësor për familjen e njerëzit e tij, shoqërinë tonë, kombin shqiptar.

Tiranë, dhjetor, 2013

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Malziu, Ramiz Lushaj, Shefqet Hoxha

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT