• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

CURRAJT E EPËRM, “ORA POETIKE” E NDUE VATNIKAJT

August 14, 2016 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
  1.Curraj i Epërm është një fshat konkurent dinjitar për “mis” e “ginnes” në planet.  Prej 13 dhjetorit 1951 shenjohet dhe vendlindje e poetit Ndue Vatnikaj. Ky amfiteatër natyror, luftarak, poetik, turistik i Currajt të Epërm,, për shumkënd, për nga largësia kilometrike alpine dhe ngjitja e atjeshme në kambë në ecje të thiktë disaorëshe, duket sikur asht “Fundi i Botës”, po, njëherash, asht dhe “Fillimi i Parajsës”. Nji Parajsë hyjnore e tokësore, biblike e historike, kulturore e poetike. Nji Parajsë me rranjë lisnore e degë të mëdha. E gjithkohshme.
            Currajt e Epërm janë pikturë e Zotit, janë poezi e Zotit. Truall etno-historik i banorëve të saj dalëzotas.
Currajt e Epërm janë një parajsë e thesartë, hyjnore e homerike, legjendë e realitet, aqsa nuk e ka të lehtë as shkenctari i eposit e i etnosit Anton (Ndoc) Papleka ta gdhendi në parathanien e librit poetik “Djepi i thyer”, as Ndue Vatnikaj ta sjelli në poezitë e librit të tij, as djali i tij piktor, mjeshtri i ri Astrit Vatnikaj, ta pasqyrojë në tablotë e tij.
Currajt e Epërm janë një parajasë e rrallë që jeton prej shekujsh si realitet, si vlerë, si amanet, në shpirtin e hapat e çdo banori të këtij fshati alpin.
Currajt e Epërm janë një parajsë e vërtetë drejt së cilës do të shkojnë banorët e sotëm autoktonë të tij dhe vargnia e turistëve të botës, të lodhur nga qytetet e të joshur nga turizmi i këtij visi alpin. Currajt e Epërm do të kenë turizmin sipas stinëve: turizmin e bardhë e të gjelbër, por dhe turizmin historik, kulturor, shëndetësor, sportiv.
Aty, në Curraj të Epërm, sigurisht, së shpejti, përgjithnji, për kohërat e turistët, do të jenë në një tezgë tregu apo në ndonjë stendë muzeu dhe dy librat e deritanishëm të poetit vendali, Ndue Vatnikaj, vëllimet e tij poetike “Vargu im, shpirti im” (2011) dhe “Djepi i thyer” (2016).
 Këta dy libra poetik të Ndue Vatnikajt, ashtu sikurse veprat e profesor doktor Murat Gecajt, publicistika e Agron Prebibajt, Dedë Qokajt, studimet e Ylli Prebibajt, e të tjerëve, në faqet e krijimtarisë së tyre rrezatojnë fort e mirë me genet poetike e letrare, me frymën biblike, epike e lirike të visit të tyre, Curraj i Epërm.
2.Currajt e Epërm janë Tokë e Krishtit. Jetë e mote.
            Aty, Kisha Katolike, kjo “shtëpi e Zotit”, ka jetue dhe kur vendi ynë u ba ligjërisht ateist. Aty po bien dhe muret e kullave alpine maje thepit si “Kulla e Ngujimit”, po Kisha Katolike gjithmonë ringrihet, mbetet e re.
Aty, në Curraj të Epërm, njerëzit bajnë kryq për malet alpine dhe malet alpine bajnë kryq për banorët e këtij fshati besimtar të fismë.
Fryma e fytyra e besimit tek Zoti, në Krisht, në brengat e apelin për ardhmërinë e Currajve të Epërm e të Kohës së Re Shqiptare, ndihen me fuqi shpirti dhe me forcë vizionare në fjalën poetike të Ndue Vatnikajt.
 3.Currajt e Epërm lartësinë mbidetare e kanë 800 m. Sikurse dhe qyteti i Korçës. Po, në kohën e sotme kur bota shkon deri në planetin Mars, në këtë fshat me histori e bukuri të rralla, ende nuk i ka shkue rruga e makinës apo të ngrihet nji teleferik.
Po kjo nuk do të thotë se në këtë trevë nuk ka shkue qytetrimi pellazg, ilir e arbnor, pasi në anën lindore të malit të Rrukut, rreth 1.000 m. lartësi, është nji shteg që lidh fshatin Curraj i Poshtëm me bjeshkët e tij dhe aty gjenden toponimet “Gjyteti i Madh” dhe “Gjyteti i vogël”, çka lidhet praktikisht me mure të trasha e taracimet e një vendbanimi të shek. III-IV pas Krishtit.
Albanologu i shquar Baron Nopçe në fillim të shek. XX, pasi shkoi dy herë në Curraj të Epërm, i propozoi Parlamentit të Austro-Hungarisë për ta shpall “Monument Kulture” këtë fshat  të Nikaj-Mërturit, të Shqipërisë së Veriut. Kjo nuk po ndodh as sot me asnjë nga qeveritë shqiptare të Tranzicionit, të pakten për të shpallë “Monument Kulture” ndonjë objekt të damtuar si “Kulla e Thepit”, etj.
Gjithashtu, do të ishte me interes kombëtar shqiptar që “Eposi i Kreshnikëve”, “Kanga Maje-Krahu”, “Xhubleta” e Lahuta, që janë pasuri tipike e historisë e kulturës dhe të Currajve, të shpallen të shpallen Trashëgimi Botërore e UNESCO-s (Organizata Botërore për Edukim, Shkencë e Kulturë), të merren në mbrojtje prej saj.
Unë, kam pasë fat të kem disa herë, në disa raste, rrezatim nga Parajsa e rrallë “Curraj i Epërm”, nga qytetërimi i Currajve të Epërm, ndaj, sot, iu shpreh mirënjohje shpirtërore e publike:
E kam pasë mësuesen time të klasës së parë e të krejt fillores, mësuesen Drande Ramja, nuse në derën e Prebibajve.
            Kryehere, kur isha në ciklin e lartë të 8-vjeçares, e kam pasë mësues të parë në udhën e poezisë, shkrimtarin e gazetarin Murat Gecaj, i cili, asokohe, kishte ardhë nga Tirana të punonte në Komitetin Ekzekutiv të Tropojës për kulturën dhe ishin shokë me babën tim, në nji institucion në qytetin tonë alpin. Ky personalitet, i origjinës nga Currajt e Epërm, më ka pasë ndihmue atëherit për me e botue poezinë e parë në revistën “Pionieri”.
            Në vitet ’80, kur punoja me rininë në Tropojë,, në pranverë të vonë, jam kanë mysafir tek kulla mikpritëse e Pjetër Sokolit të Currajve të Epërm, tek kulla e djemve të tij: Ndue, Nikollë, Lulash e Gjin Vatnikaj. Kurrë ma nuk jam kanë në Curraj të Epërm, por kurrë në jetën time nuk e harroj atë pritje të madhe e të rrallë në atë kullë fisnike, bujare, gjallnike. Asokohe stinore kur mbaronin deri dhe turshitë, nana e fisme Linë Sokolja e kullës së Vatnikajve, i kishte koritat me tamel (qumësht), na pruni në sofër deri dhe mazë të zieme e mjaltë. Atë mazë të zieme në Curraj të Epërm ende nuk e kam hasë ndokund ndër vise e udhë të jetës time. Ishin prodhime “bio” të  tokës së atyhit, të barit të shëndetshëm e të qindra luleve, të kullotave të shumta të atyhit. Mbi të gjitha, kulla e Vatnikajve ndriste nga gjithçka: nga bisedat, pastërtia, mikpritja, e gjithmonë dritë paçin ndër breza e kudo qofshin me banesë e jetesë këta njerëz të nderuar, njerëz me nder e të nderave, njerëz me kontribute e atribute.
Shenjë e rrezatim i këtij qytetërimi në/nga Currajt e Epërm është dhe vëllimi poetik “Djepi i thyer” i poetit të fismë Ndue Vatnikaj.
4.Në masmedia panshqiptare e në biseda rasti thonë se Currajt e Epërm janë një “vend i braktisur”. Jo. Kurrë. Nuk ka ndodh dhe as ka për të ngjarë ndonjiherë kjo. Currajt e Epërm i kanë banorët e vet të përjetshëm, të cilët rrijnë gjithmonë aty.
Aty, në Curraj të Epërm, rrijnë Orët e Zanat. Aty tek lumi që e ndan likpërmjet fshatin. Aty tek lugina që i mban kullat e tokat e fshatit. Aty tek lartësitë alpine që i rrijnë si kurorë bukurie e madhështie fshatit. Aty, në Curraj të Epërm, është “Ora” e çdo banori të atyhit, vendas në ikje e në rikthim. Aty është dhe “Ora poetike” e Ndue Vatnikajt, aty burimojnë librat e tij poetik.
Aty, në Curraj të Epërm, si në legjenda të moçme, ende jetojnë Kreshnikët. Aty enden Muja e Halili, vijnë e ikin Tanushat, Agët e Jutbinës. Aty asht mbledh nji kangë dhe për legjendarin Gjergj Elez Alia. Aty është një nga djepet e dekanatet e Eposit të Kreshnikëve. Argati i folklorit, Martiri i Krishtërimit, i përndrituri e i përvuajturi Bernard Palaj me bashkëpunëtorin e tij, Donat Kurti, autorë të veprës piedestalore “Visaret e Kombit”, thonë se “variantet e rapsodive ma të gjalla e ma të kullueta gjendeshin në Curraj të Epërm”.  E, disa kangë të Eposit të Kreshnikëve i gjetën tek kangëtarët e lahutarët e shquar në Curraj të Epërm, tek Mëhill Preka dhe tek Shan Zefi, çka duhet me thane botnisht se pa kangët e këtyne të dyve, kjo vepra madhore “Visaret e Kombit” do të vinte pak e mangët, jo e plotë,  për brezat shqiptarë e për studiuesit e botës.
Aty, në Curraj të Epërm, jetojnë përgjithmonë dhe krijuesit vendas, ata të penës letrare, të fjalës poetike, si poeti Ndue Vatnikaj  me librat e tij të sotëm e të nesërm, pasi e kanë nji fjalë të moçme latinët: “Heronjtë vdesin, por shkrimtarët kurrë”.
            5.Ndue Vatnikaj e ka pasë gjithmonë me vete poezinë, pasi trevat e mrekullueshme alpine Curraj i Epërm, Nikaj-Mërturi e Malësia e Gjakovës përherë kanë lind e rritë poetë. I ban vet toka me bukuritë e pasuritë e rralla, trashëgimia kulturore e madhe, historia e tyre e shquar.
            Tek zemra e shpirti, mendja e fjala e Ndue Vatnikajt, siç jeton realisht e përgjithmonë Currajt e Epërm, frymon për mirë e burimon e pastër dhe poezia e tij, tekstet e kangëve të tij. Përndryshe, Ndue Vatnikaj, shoku im i mirë i shkollës së mesme në qytetin tonë alpin, sa ma shumë ecën në kohë, aq ma shumë i lartnohen vendlindja e poezia, i mbeten gjithmonë te dyja dashuri të reja e të përjetshme dhe kur lumturisht bahet gjysh me nipër e mbesa, dhe kur mirësisht po afirmohet poet me libra poetik të botuar e të mirëpritur nga lexuesit.
Kur e shfleton vëllimin poetik “Djepi i thyer” të poetit Ndue Vatnikaj, tek kapitulli “Shkrihej bora e bahej lotë”(që më kan thanë me e cek në fjalën time) shof qartësisht se në 12 poezitë e këtij kapitulli ka muzë nga Eposi i Kreshnikëve, ndihet fryma e Eposit të Kreshnikëve, ka shumçka nga homerika e Eposit të Kreshnikëve dhe e Gjergj Fishtës, si tek poezitë “Ibrahim Rugovës”, “Marash Ucit” të fisit të Hotit, “’In pesë vllazën” nga Perajt e Nikaj-Mërturit, “Mushak Haxhisë” të Valbonës, “Sokol Delisë”- derë e bajrakut të fisit të Nikajve, “Kangë për Pal Nikën” e Currajve të Epërm,, “Këngë për Man Avdinë e Palçit”, “Kukel Ndout” të Currajve të Epërm, “Avdyl Ukës”- hero nga Vushtri e Kosovës, “Këngë për Familjen e Babun Ukës së Perajve”, “Antigona Fazliut”- nga Drenica, dëshmorja ma e re e UÇK-së, ”Fran Zefit” – nga Gjonpepajt – martir i dritës në Gurore të Fierzës, “Këngë për Kol Nikollajn” e Klinës të Kosovës.
6.Aty, në parajsën Curraj i Epërm, malet takohen me qiellin, dielli lahet tek lumi i Currajve, kullat thepohen në luginë e mbi male, aty njerëzit flasin me Orët e Zanat, me Kreshnikët, aty njerëzit jetojnë me legjendat dhe prekin të ardhmen e vet.
Kudo në Shqipëri mund të pijsh nji kafe magjike me nji president apo kryeministër, me nji mbret, me nji shkrimtar kandidat për nobelist, me një biznesmen sheik, po vetëm në vendin e mrekullueshëm alpin Curraj i Epërm mund të pijsh një kafe hyjnore me Zotin.
Zoti i bekoftë Currajt e Epërm, Nikaj-Mërturin e Malësinë e Gjakovës!
Tiranë, 13 gusht 2016

Filed Under: Reportazh Tagged With: “ORA POETIKE”, CURRAJT E EPËRM, E NDUE VATNIKAJT, Ramiz Lushaj

EUROPË, A MOS JE KTHYE NË NJI “REAL ESTATE” TOKASH PËR MALIN E ZI?!

August 8, 2016 by dgreca

1 Ramiz LushajNga Ramiz LUSHAJ/
  Ç’ka po thue Europë, he t’u thaftë goja?!
 Po qysh me ia falë me hatër a me zor Malit të Zi të paktën 82 km2 tokë etnike shqiptare të Kosovës, aty – në Dardaninë e hershme Alpine, apo ndryshe, sipas gazetës malazeze “Vijesti” – bazue në burimeve të qeverisë së Podgoricës, i takon gjeografikisht, bash “në Kullë afër Rrozhajës dhe në Grykën e Rugovës poshtë Çakorrit”(!)
Hej, Europë, a je çmend në Bruksel e Prishtinë apo të dukena disi të lodhun ne-Shqiptarët në Ballkan, po a e din çka domethanë kjo: Kosova me e dhanë një sipërfaqe toke të saj sa krejt komuna e Hanit të Elezit (83 km2) apo komuna e Junikut (86.2 km2)?!
Europë plakë, a mos je kthye në nji “Real Estate” e re për dhanie e marrje tokash në shek. XXI, si dikur në kuvende e traktate kundërshqiptare e prosllave…si më 1878, 1913, 1919… ?!
E, tashti, Europë e re, nuk po e harro zakonin e vjetër me i çkye hartat e kombeve ma të vogla si Shqipëria për interesa shovene pushtuese e aneksuese të ma Të Mëdhenjve si Rusia Pansllave e fqinjve tanë të majmun me toka shqiptare si Serbia, Mali i Zi, Maqedonia (FYROM), etj., ndaj sipas avazit e matrapazllekut tand poshtalak, sipas llogjikës tande të mbrapshtë, po ta mbajti kaçiku vepro dhe ndryshe: jepja Principaten e Monakos (2.02 km2) Francës Kontinentale, jepja Republikën e San Marinos (61.2 km2) Italisë me mikroshtete, jepja Lihtenshtajnin (160 km2) Gjermanisë superfuqi europiane, etj. sikurse po don me ia dhanë sivjet Malit të Zi 82 km2 toka vrri e bjeshkë të Kosovës.
Turp për ty, Europë !

Filed Under: Opinion Tagged With: Europe, Kosove, Mali i Zi, Ramiz Lushaj, Real Estate

FALEMINDERIT, PRESIDENTI YNË!

August 7, 2016 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
Presidenti  Bujar Nishani, në një kohë të shkurtër ka prekur realitetet e ndjeshme historike-shpirtërore në Veri dhe në Jug, gjithkahit në shtete e vise shqiptare, duke shpalosur mjaft mirë dimensionin e tij njerëzor, intelektual dhe atë të të gjithë shqiptarëve.
 Presidenti ynë, tashti së fundit, ishte dhe në krahinën etno-historike e turistike të Plavë-Gucisë, në Manifestimin tradicional kombëtar “Mirësevini në Alpet Shqiptare”, në Vuthaj – 1 gusht 2016, dhe në përmbyllje të të parit Festival Folklorik Kombëtar “Kënga e Vallja Shqipe na Bashkon”, të organizuar më 29 korrik- 1 gusht 2016 në Plavë-Guci.
Ishte hera e parë që në këtë vend me bukuri e madhështi natyre e historie vinte nji President Shqiptar. E, ky, ishte: i Yni, Bujar Nishani.
 Ky rast, ky fakt, kjo vizitë, mesazhet e Tij presidenciale, ri-dëshmojnë qartë se Presidenti Nishani i ka dhanë një ndjeshmëri të re institucionit të përfaqësimit të të gjithë shqiptarëve.
 Realisht, Presidenti Nishani demonstroi praktikën ma racionale të kulturave dhe udhëheqësve modern, shpirtin praktik amerikan, të angazhimit social-historik e politik mbi faktet…
 Presidenti Nishani duke nderuar njerëzisht, intelektualisht, institucionalisht traditën më të mirë të njerëzve të Alpeve Shqiptare, siç ishte Takimi Kombëtar në Vuthaj e Plavë-Guci, Ai solli në vemendjen e klasës politike, qeveritarëve, intelektualëve,historianëve, të sotmes e të ardhmes, nji këshillë: Atdheu nuk ç’bëhet…!
 Faleminderit, zoti President!

Filed Under: Opinion Tagged With: faleminderit, PRESIDENTI YNË!, Ramiz Lushaj

HISTORIA PËRSERITET, O BESNIK BAJRAKTARI !

August 6, 2016 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
 1.Atë ditë të 1 gushtit 2016 kur Besnik Bajraktari i Shipshanit shtrengonte miqësisht dorën me ShTij, Bujar Nishani – President i Republikës së Shqipërisë, aty, tek restorant “Krojet” në Vuthaj të Gucisë, po mendoja diçka tjetër: Historia përseritet…në kohë, vende e mënyra të ndryshme.
  2.Stërgjyshi i tij, Din Bajram Bajraktari, i pari bajraktar i Shipshanit, i cili kishte lidhje të mira me Vezirin e Shkodrës, Mustafa Pashë Bushatlliun dhe me dyert e mëdha të Kryezinjëve në Gjakovë e Begollëve në Pejë, ka marrë pjesë me forca ushtarake vullnetare të bajrakut të vet edhe në disa luftëra në vitet 1852-1854, më 1867 dhe 1872-1875 në mbrojtje të trojeve etnike shqiptare në Plavë-Guci e deri në Moraçë.
 3.Tjetri stërgjysh i tij, pasardhës trashëgues i bajrakut të Shipshanit, Bek Din Bajraktari, me një përfaqësi të bajrakëve të Malësisë së Gjakovës me Rekë e Gjakovë, Pejë e Rugovë, në tetor 1879, në Qafë të Çakorrit, në një takim zyrtar me vojvodë Teodor Milanin e Vasojeviçëve – përfaqësues i dërgatës të Krajl Nikollës së Malit të Zi, e kundërshtoi aneksimin e Plavë-Gucisë nga Mali i Zi, kundërshtoi vendimet e Kongresit kundërshqiptar të Berlinit dhe i shpallën luftë Principatës së Malit të Zi.
Bek Din Bajrami me mbi 200 luftëtarë nga bajraku i tij i Shipshanit, shkoi në Luftën famëmadhe  Nokshiq – Pepaj (4 dhjetor 1879-11 janar 1880) dhe luftoi në vijë të frontit tek Ura e vjetër e Limit në Nokshiq, përballë forcave ushtarake malazeze të komanduara nga Mark Milani i Kuçit dhe Teodor Milani. Lufta e Nokshiqit ishte parathania e Shpalljes së Pavarësisë në Vlorën e 1912-tës.
 4.Dy bajraktarët e Shipshanit, babë e djalë, Din Bajram Bajraktari e Bek Din bajraktari, kanë pasë lidhje të afërta më figura të shquara e shtëpi të mëdha në Plavë-Guci, si me Ali Pashë Gucinë, Jakup Ferrin me vllazni, Mulla Jahën – kadiun e Plavës, Bali Demën e Martinajve, Shahmanët, e të tjerë.
 5-Gjyshi i Besnik Bajraktarit, i treti brez i bajrakut të Shipshanit, Tahir Bek Dini, së bashku me Riza Beg Kryeziun, Bajram Beg Currin e bajraktarë të tjerë të kazasë së Gjakovës, etj. me 3.000 forca vullnetare malësore, i prinë luftës së madhe kundër mbi 8.000 forcave malazeze të Divizionit Lindor të  prirë nga gjenerali agjutant, brigadieri serdar Janko Vukotiq e vartësit e tij ushtarak Radomir Veshoviq, Milija Nikoliq, Bogdan Vuçiniq e Gjuro Vushojeviq. Lufta u zhvillua më 15-18 tetor 1912 në Ultinën e Epërme të Limit, si në Visitor, Velikë e Majën e Liqenit të Plavës. Komandanti i Divizionit, gjenerali J. Vukotiç (asokohe ministër i Mbrojtjes e tevona kryeministër i Malit të Zi), më 21 tetor 1912, nga Gucia e pushtueme nga malazezët, i raportonte  mbretit Nikolla i Parë në Çetinë se “3 mijë shqiptarë të nahijes së Gjakovës …sulmonin çdo ditë batalionet tona…”.
  6.I katërti brez i bajrakut të Shipshanit, Rrustem Bajraktari – djali i Tahir Bek Bajraktarit,  në fillim të nëntorit 1943, kur repartet çetnike të Veliçko Bojoviqit e sulmuan krahinën legjendare të Plavë-Gucisë, mori pjesë në luftë me një formacion ushtarak vullnetar të Shipshanit. Ai, duke u kthye hypur në kali shale për në qytetin e Plavës e kapin dhimbje të forta të zemrës, bie përtokë, pësoi dëmtime trupore dhe qëndroi për shërim tek familja Beshkoviq në Plavë. Ndrroi jetë në kullën e tij në Kasaj të Shipshanit. Mbeti në histori.
7.Baba i Besnik Bajraktarit, Sali Tahir Bajraktari, asokohe drejtues në komunën e Becit të Gjakovës, në nëntor 1943, mori pjesë dhe në një përpjekje luftarake me çetnikët sllavë në Plavë-Guci. Ai e çoi në kullen e tyne në Kasaj të Shipshanit vllain e tij Rrustem Bajraktari, këtë martir të komb, dhe u përkujdesën për shëndetin e tij derisa ndrroi jetë pas disa ditësh.
8.Juristi i njohur Besnik Bajraktari, administrator i një studioje juridike, shahist i nivelit ndërkombëtar (aktualisht zv.president i Federatës Shqiptare të Shahut), etj. është i pesti brez genetik i derës së madhe Bajraktari të Shipshanit që vjen në krahinën e Plavë-Gucisë.
Besnik Bajraktari i Shipshanit ka tri lidhje me Plavë-Gucinë: E para, lidhjet e dashurisë breznore për Kombin, ku bajraktarët e Shipshanit dhanë kontribute, kanë atribute, derdhen gjakun e tyre, etj. Tashti, Besnik Bajraktari vjen në udhën e të parëve të tij, vjen me historinë e tyre. E dyta: Besnik Bajraktari ka dhe lidhjet e tij të gjakut me Plavë-gucinë, pasi është dy herë nip aty: edhe tek Çelajt, edhe tek Ulajt e Vuthajve. E treta, Besnik Bajraktari ka edhe lidhjet e tij të tokës me Plavë-Gucinë, pasi aty, prej kaherit, ka një bjeshkë të vetën, të derës së tij.
Ndaj ftesa për Besnik Bajraktarin e Shipshanit në Manifestimin tradicional kombëtar “Mirësevini në Alpet Shqiptare, Vuthaj 2016” – në të njëzetin vit të organizimit të tij panshqiptar; takimi i tij i atyshëm me Presidentin e Republikës së Shqipërisë; prania në ditën e fundme të Festivalit Folklorik Kombëtar “Kënga e Vallja Shqipe na bashkon” – i zhvilluar për katër ditë në Plavë-Guci; nuk është rastësi, pasi historia përseritet ndër brezni, në gene e në kulla, në data e ngjarje, në jetët e trevat tona etnike shqiptare.

Filed Under: ESSE Tagged With: Historia perseritet, O BESNIK BAJRAKTARI !, Ramiz Lushaj

MOS NA VDEKTË FJALA, O NIKOLLË CAMAJ !

August 4, 2016 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
Z. Nikollë CAMAJ, e çmoj lart Fjalën Tuaj të mbajtur në Manifestimin Tradicional “Alpet Shqiptare” më 1 gusht 2016 në Vuthaj të Plavë-Gucisë. “Pushkë Hoti” ishte Fjala e Juaj.
Burrat e ditur si Ju, veprimtarët dinjitarë si Ju, nuk kanë çka bajnë ma shumë përveçse mos me na vdek Fjala për Kombin tonë të cunguem në pandalshmëri, për mbrojtjen e të Drejtave e Lirive Themelore të shkelura në përditshmëri, në gjithanshmëri e në skajshmëri nga shteti malazez , etj.
Ju po jeni nji tribunal atdhetar kombëtar ma shumë se partiak, ma tepër se mësues, ma mirë se qytetar, ma qartë se euro-atlantik. Më pëlqeu Vërejtja Jote e thuktë e publike që i adresuat Presidentit të Repuiblikës së Shqipërisë për dekorimin e gafuar të Kryeministrit aktual të Malit të Zi me Urdhrin e Flamurit Kombëtar, ndërkohë që ende në të voglin shtet shoven malazez ka probleme të mëdha antidemokrtaike e antishqiptare, pasi ende nuk po lejohet me u mbajt zyrtarisht Flamuri Kombëtar Shqiptar e shqiptarët etnik ende denohen me burgim mesjetar për valëvitjen e Tij, etj. etj. Edhe mue m’u ka duktë sikur Sulltan Abdyl Hamidi po dekoronte Krajl Nikollen e Malit të Zi.
Gjithsesi, unë ndjehem me merak për hapat e tu në Kombëtari, për Jetën tande në Tuz, për Fjalen tande në zenit, pasi ende Moraça e Limi kullojnë gjak dhe Podgorica e tashtit e Cetina e çdo kohe prodhojnë pabesi. Na kie me veti…
Mendoj se ka ardhë Koha që Partia jote të mos mundet të drejtoj Ty , por ndryshe: Ju të drejtoni Partinë Tuaj, Partinë Lidhja Demokratike, ma e vjetra parti shqiptare në Malin e Zi, etj.
Mos t’u ndaltë Hapi Shqiptar e mos të vdektë Fjala Kombëtare në oda e kuvende, në tribuna e media, o Nikollë Camaj, malësor klasik e modern, i ndritshmi mendtar e prijtar euro-atlantik, nji nga tribunalët e kohës e tokës panshqiptare!
Mos na vdektë Fjala e rroftë Kombi Ynë Shqiptar, o Nikollë Camaj!
Tiranë, 4 gusht 2016

Filed Under: ESSE Tagged With: MOS NA VDEKTË FJALA, O NIKOLLË CAMAJ !, Ramiz Lushaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 29
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT