• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BALLIST MORINA DUHET SI KULT, NË BURG APO NË RRUGË?!

October 14, 2015 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Çështja e parë: ne jemi një “popull i armatosur”. Deri diku një “shoqëri e militarizuar”. Jo vetëm Ismail Morina është i tillë, me hekura e pas hekurave. Me Rebelimin e Vitit të Mbrapshtë ‘97 u thyen deponitë e armatimit. Në duar e shtëpi të shqiptarëve pati ma shumë armë se banorë. E, pra, Ismail Morina nuk është rasti i parë e as i fundit i “armëmbajtjes pa leje”. E, në koft se ligji është për të gjithë atëherit i bie për me u fut nën akuzë të tillë tek e pakta mbi 100 mijë shqiptarë vetëm në Qarkun e Tiranës. E në krejt Shqipërinë shifra është alarmante. Njësoj dhe në Kosovën e tij/tonë fqinjë, pasi ky Ismaili është nga Kukësi, nga Morini afër kufinit me Kosovën. A thue ky Ismail Morina po dënohet “në emër të Ligjit” për të gjithë thyesit e Ligjit të Armëmbajtjes pa leje në Tiranë e krejt Shqipërinë?!

Unë nuk e njoh Ligjin për Armëmbajtjen pa Leje. Ndoshta do të ishte ligji i botuar broshurë e shpërndarë në mijëra kopje anekand Shqipërisë e publikue me mijëra herë në televizione. Kjo është një mangësi e kohës për “popullin e armatosur” në “shtetin e çarmatosur”! Ka ndryshime Ligji më 2015 po ma herët, më duket se armëmbajtja pa leje dënohej nga gjobë deri në 7 vjet, çka lenë hapësira jo vetëm juridike për një rast të tillë.

Shqipëria nuk ka ritmikë në ndjekjen e zbatimit të Ligjit për Armëmbajtje pa leje. Nga një studim i Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë (qershor, 2014) del se për këtë akuzë janë dënue penalisht me burg 3 persona në vitin 2011, 4 persona në vitin 2012 dhe 22 persona në vitin 2013. Nuk dijmë shifrat për 2014-tën, jo ma për 2015-tën. Po do të thonim dhe këtë tjetrën: në vitin 2013 u paraqiten 61 kërkesa penale për veprën e armëmbajtjes pa leje, ku 42 u arrestuan me burg si Ismail Morina, ndërsa të tjerët me arrest shtëpie apo detyrim paraqitje. E një person i dënuar në mungesë. Faktikisht masën e dënimit nga të gjithë këta e morën vetëm 22 persona, nga të cilët 19 janë dënuar, 2 janë shpallur të pafajshëm dhe për një rast është vendosur pushimi i çështjes. Pra, nga 61 kërkesa penale përfunduan me dënime e burg vetëm 19 prej tyre. Ku do të hyjnë Ismail Morina, tek të parët apo tek të dytët. A do të kryejë trupi gjykues një turp duke e dënue në këto kushte e rrethana të tilla Ismail Morinën?!!

2.
Çështja e dytë: Shpesh herë në Shqipërinë tonë Demokratike çështja e armëmbajtjes pa leje është përdorur politikisht, është kthye në goditje politike.

Ashtu sikurse në Afrikë të Jugut dhe në Shqipërinë e tij, Leka i Parë i Dinastisë Zogu u sulmua për koleksion armësh relike, për armëmbajtje pa leje, me jehonë në shtypin shqiptar e të huaj dhe me akuza në dyert e policisë, prokurorisë e gjykatave, derisa doli i pafajshëm. Një prokuror në Johanesburg u shkarkua nga detyra të pasnesermen e arrestimit të Leka Zogut të Parë. Raste të këtij “modeli afrikan” ka mjaft në Shqipërinë tonë.

Edhe ky i Ismail Morinës është i tillë. Tërësisht politik, përtej të pazakonshmes. I (keq)përdorur politikisht në kohë, vende e mënyra të ndryshme. Edhe kryeministri i Serbisë, Vuçiçi, disa herë, u muar me këtë çështje, tue e quajt dronin e aktin e tij për “qëllime politike” (28 maj 2015). “Ne e dimë dhe autoritetet e dinë si ndodhi kjo. Nuk ka asnjë dyshim se kjo ishte një ngjarje politikisht e organizuar. Edi Rama dhe unë e dimë se kush e bëri atë” – i deklaroi Vuçiç një gazete serbe më 25 maj 2015, e cituar dhe nga Klan-Kosova.

Ai, Ismaili, hyri në politikën e ditës tash një vit si një “meny” e politikës. Politika iu ba lidhnajë bolle Ismail Morinës edhe këto ditë para e pas ndeshjes me Serbinë në Elbasan, para e pas arrestimit të tij për armëmbajtje pa leje. Politika ndaj tij kulmon në kulisa politike, në ekstazën e vet politike. Këto ditë Sali Berisha – ish kryeministri i Shqipërisë e akuzon Edi Ramën e Qeverisë se “po e lançon mizorisht” Ballist Morinën, etj. Një nga emblematikët e PS në pushtet, Ben Blushi, gjen rast ta përdorin mediatikisht e politikisht Ismail Morinën për sulm public ndaj Edi Ramës. Edhe Parlamenti përzihet në këso punërash. Kryetari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, pasi fitoi Shqipëria me Armeninë shkoi ta takojë në burg Ismail Morinën, që të festojë me të, etj. Pas tij dhe ish Ministri i Brendshëm, F. Noka i opozitës. Kryetari i PD e i Opozitës, Lulzim Basha, e ka vnue foto kopertine në faqen e tij në fb me devizë: Lironi Ballist Morinën!”. Etj.

Kur Politika e Ditës dhe pas arressimin e tij po merret kaq shumë e kaq fort, përditë, gjithkush e gjithkahit, me vet Ismail Morinën, atëherit do të thotë se po vdes një orë e ma shpejt dhe akuza që e çoi në burg Ismail Morinën, aq sa në këto kushte ai mund të merrte të drejten e azilit politik dhe në ndonjë nga Vendet Skandinave apo tjetër kund.

3.
Çështja e tretë: Ismail Morina u kultivua për ta çuar drejt një burgimi të tillë, ndoshta dhe ma mirë ose ma keq. Një akt të tillë e kryem të gjithë, me ose pa dashje, nga droni tek burgu. Politika ia lëshoi qylymin e saj për ta nisë në rrugën e lavdisë e të burgut. Shtypi me print e online, televizionet, gjithë masmedia shqiptare, etj. ia ktheu germat e fjalëve në kurora e pranga. Ndoshta u kultivua dhe nga të tjera struktura, nga thellutat e tyne për ta fundos thellë e ma thellë atë. Dikush, shumkush, me ligjërata mjalte apo helmi u lëshue tue e krahasimue Ismailin e “Dronit në Beograd” me Ismail Qemalin e Flamurit në Vlorë!”, Ismailin e arrestuar me dy revolverë në makinën e tij me “Isa Boletinin me dy revole” në kancelari të huaja europiane, etj. Ai e dinte se nuk ishte as Ismail Qemal e as Isë Boletin, po ama ai e dinte se ishte i madh, se ishte hero i ditës e vitit, se ishte Ismail Morina dhe Ballist Morina. Ai në ecjen e tij në këto kushte dhe do të gabonte se nuk kishte krye shkolla për politikë e as juridik, as akademi ushtarake, nuk kishte as staf me këshilltarë, kishte mbetë dhe pa punë pas largimit nga Itali, kishte nisma për ta ndihmuar me financime të tjerët në formë private apo institucionale, etj.

Një otomanizëm tipik, diçka tipike lindore. Kam lexue para disa ditësh librin e një britaniku ku flet se si Porta e Lartë, klanet rreth saj e në ushtrinë e saj, e nisën drejt Shqipërisë më 1878 Mehmet Ali Pashë Maxharrin (Luduig Karl Friedrich Detroy) delegat i Perandorisë Otomane në Kongresin e Berlinit, marshall, shef i Shtabit të Ushtrisë Otomane, sepse ata e dinin se e priste vdekja e sigurtë në Shqipëri, për ma tepër – tragjike, siç i ndodhi atij faktikisht. Kështu dhe Ismail Morinës, diçka ma lehtë, po tepër randë, e çuan drejt burgut.

Askush nuk e mori në mbrotje Ismail Morinën e ekspozuar përballë rrezikut pansllav. Ai u mundua të vetmbrohej. Po shteti i tij nuk e mbrojti vet si shumkënd e sin ë mijëra raste të tjerët, po dhe e dënon për një të tillë “vetmbrojtje”.

4.
Çështja e katërt: A ka nevojë ende Shqipëria të “prodhojë” heronj me burgje apo heronjve t’ua mbyllin lavdinë në burgje?
Realisht nuk po di fort mirë se kujt i intereson që lavdinë droniane të Ismail Morinës “ta futin në burg”, si dikur në kohën e komunizmit disa udhëheqës të luftës e punës, etj.
Ismail Morina nuk është institucional që ta mbajnë lavdinë në kambë për shumë kohë e as nuk mundet me i ba hije kurrkujt, aq ma tepër nga burgu e me burgimin e tij. Çdo mëshirë njerëzore, përveç urrejtjes patologjike sllave, nuk do ta dënonte Ismail Morinën, rastin e tij, nuk do të hakmerrej ndaj tij.
Ismail Morina nuk ka as platformë politike në rrafsh kombëtar. Ai nuk ka asnjë strategji të tijën si Çubrolloviqi ndaj Shqiptarëve, sepse një të tillë strategji nuk e ka as vet Shqipëria Etnike.
Ai institucion e platform të tij e ka “dronin e tij” në Beograd. Me të tjerat, për të tjerat, i bini në qafë, jeni tue marrë hak, nuk jeni duke e lanë rehat.

Ismail Morina dhe pas arrestimit e (para)burgosjes së tij me vendim gjykate fakti të Tiranës, po ecën me lavdinë e vet. Një nga gazetat ma të mëdha të botës “Neë York Times” në Amerikë flet për Ismail Morinën (Ballistin). Gazetari James Montague e takoi para disa ditësh në një kafe të Tiranës, e pa atmosferën rreth tij, ndaj shkroi për Ismail Morinën duke thanë, ndër të tjera, se droni e bëri atë Hero Kombëtar. Natyrisht ky nuk është drejtpërdrejt heroi im, simboli im, por Shqipëria e Drejtësia nuk duhet të na prodhojnë heronj të tillë, me burgosje. E kena provue në politikën e kohës së demokracisë dhe me burgosjen e Nanos, që mori ma shumë lavdi me vuajtjet e tij, në karierën e tij.

Po Ismail Morinën ku do ta çojë atëherë Politika e Kombi me mbajtjen në burg e pas daljes nga burgu?! Në natën e parë të fitores së Shqipërisë me Armeninë kishte me qindra thirrja, disa sish dhe të organizuar në kor, që thirrnin në Tiranë: “O Ballist, o hero, gjithë Shqipëria ty të do”. Ka pasë dhe protestë qytetare tek gjykata e Tiranës në ditën e parë të gjykimit të tij. Çka i duhet Shqipërisë kjo?! A ma mirë me e nxjerrë e me e lanë popullin në rrugë apo me e nxjerrë e me e lanë Ismail Morinën në rrugë, si qytetar i thjeshtë i vendit të vet, si lavdimtar i një dite të vet droniane, atdhetare, panshqiptare.

Filed Under: ESSE Tagged With: BALLIST MORINA, DUHET SI KULT, Ramiz Lushaj

DR. IBRAHIM TEMO, FIGURE HISTORIKE KOMBETARE

October 13, 2015 by dgreca

*DR. IBRAHIM TEMO, NJË NGA FIGURAT HISTORIKE KRYESORE QË NGRITI NË KAMBË REVOLUCIONIN XHONTURK E ÇOI SHQIPËRINE DREJT SHPALLJES SË PAVARËSISË/
Nga Ramiz LUSHAJ/
1.
Ndërvite, në ndejat tona për mirë, historiani Shpëtim Sala më ka fol shumë për patriotin panshqiptar Ibrahim Temo, rreth një bibliografie të tij, për hulumtime arkivore tek koleksionistë e miq për të sigurue dokumenta e foto rreth tij. Aq shpesh janë krye biseda të tilla mes nesh sa që mue më dukej se gjithçka ishte folur para disa ditësh e jo edhe para shumë vitesh. Kur hapa “Wikipedia”, tek zëri “Shpëtim Sala”, rigjeta faktin: “Në mars 2010 pritet të dalë libri “Ibrahim Temo në fondet e AQSH””. U krye në këtë kohë. Saktësisht. Doli në dritë, me një tirazh të pakët. Autori Sala eci dhe më tej: e përuroi dhe në qytetin e Strugës, në vendin e lindjes së Ibrahim Temos. I kanë pasë stërthanë dy kryetarët e komunës së Strugës, i maparshmi dymandator Ramiz Merko dhe i tashmi njëmandator Ziadin Sela –se kena me kontribue në botimin plotor e me tirazh të mjaftueshëm për trevën e tyre e botën akademike, etj. Kjo çështje është në udhën e vet, në mos i pari i dyti kryebashkiak ka me ba diçka. E, n’u kreftë, meritojnë mirënjohje.
Pesë vjet ka punue ky historian për me mbrri tek botimi i dytë i kësaj vepre të veçantë, me mjaft interes. Vërtet një punë mirëfilli shkencore e don patjetër kohën e vet. E ridoli prapë në dritë vepra e historianit Shpëtim Sala “Dr. Ibrahim Temoja në fondet e A.Q.SH. (1797-1944). Botim i Qëndra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë. Tiranë, 2015. ISBN: 978-9928-4088-4-6. 398 faqe, me format klasik.
Në trungun e kësaj vepre bibliografia për Ibrahim Temon është shtati i këtij patrioti të madh, ku i ka përmbledh në një libër të vetëm të gjitha dokumentat arkivore: memorandume, fjalime, dorëshkrime, proklamata, letra, telegrame, kartëpostale, kanonizma, litografi, kartëvizita, etj. Gjithçka gjendet në dosjen e tij, Fondi nr. 19 në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë. Janë 1.073 zëra. Jo pak – 278 faqe bibliografi.
Studjuesi Shpëtim Sala, pas kësaj bibliografie, ka dhe një emër tjetër: bibliograf. Pra, ka hyrë në historinë e bibliografisë shqiptare. Ky është fryt i tij, në nderin e tij.
2.Shpëtim Sala, si kryefjalë të veprës së vet, e ka vnue një studim të tij: “Materialet mbi dr. Ibrahim Temon në AQSH, ndriçime mbi jetën dhe veprimtarinë e tij”. Ky studim kap 51 faqe, po mund të ishte/jetë dhe libër me vete, me një format të zakonshëm, tradicional, 14 cm x 21 cm, tue pasë dhe element të tjerë, veçmas fotografitë. E do të ishte një botim me interes. Po autori Sala e ka ba zgjidhjen e vet: ia ka bashkalidhë veprës tanësore për dr. Ibrahim Temon. E i qëndron mirë asaj. Solide. Një parathanie e plotë që flet për një jetë të Ibrahim Temos plot me veprimtari kombëtare. Kush don me ditë në maje të gishtave për jetën e veprën e Ibrahim Temos le të kapin në duar këtë vepër të Shpëtim Salës.
Dr. Ibrahim Temo (Ibrahim Et’hem Mustafa) është nga një familje e madhe për nga vlerat intelektuale e patriotike, kulla e të cilit mbante mbiemnat: Et’hemi, Sojliu, Bakalli, Murati. Vllai i tij, Nuri Efëndi Sojlliu ishte një nga firmëtarët në Aktin e Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, më 28 nëntor 1912. Të parët e tij u shpërngulën nga Gurabardhi i Matit më 1780.
Vet, dr. Temo ka lindur në Strugë, më 21 mars 1865. Sot emnin e këtij rilindasi shqiptar të madh, që Konica e quan “ardhetar i vërtetë” e mban gjimnazi i Strugës, shkolla fillore në Strimnicë të Zhelinës, etj. Dr. Ibrahim Temo, për nga profesioni ishte mjek ushtarak i njohur, mori titullin “Doktor i Medicinës” (Bukuresht, 1896), por dhe publicist me emër, pasi drejtoi gazetën “Hareket” (Bruksel, 1896), gazetën “Sada-i Millet”(Konstancë të Rumanisë, 1898).
Dr. Ibrahim Temo është krijuesi i Shoqërisë së fshehtë “Bashkim dhe Përparim” (1889) programi i së cilës bazohej në parimet e Kushtetutës Osmane (1876), kishte për qëllim emancipimin e shoqërisë osmane, ishin kundër absolutizmit të Sulltanit.Në shoqatat e Turqve të Rinj bënin pjesë mjaft shqiptarë që kishin bashkërenduar veprimtarinë e tyre me atë të Turqve të Rinj me qëllim që të realizonin Autonominë e Shqipërisë. Ndër veprimtarët më të shquar shqiptarë kanë qenë dr. Ibrahim Temo, Ismail Qemali, Dervish Hima, Hamdi Bej Ohri, Jashar Erebara e të tjerë.
Dr. Ibrahim Temo dha kontributin e tij në krijimin dhe veprimtarinë e klubeve patriotike shqiptare, në hapjen e shkollave shqipe, në mbështetjen e alfabetit latin për shkrimin e gjuhës shqipe.
Dr. Ibrahim Temo botoi dy libra, atë me kujtime për jetën e Ataturkut dhe, tjetrin – për krijimin e Komitetit “Bashkim e Përparim”. Librin me titull “Atatürkü niçin severim” (Pse e dua Ataturkun) më 1937 në Konstancë librin “Itihad ve Teraki Cemiyetinim te sekkübü” (Formimi i shoqërisë “Bashkim Përparim”) më 1939 si dhe disa libra në fushën e mjekësisë.
3.Aparati shkencor i veprës i ka marrë kohë historianit Shpëtim Sala, sepse ka krye një punë të plotë, të saktë. Gjithanshmërit. Na flet për “kriteret e hartimit të treguesve” (fq. 339). Paraqet “Treguesi Tematik” (fq. 341-354), “Treguesi i Emrave të Njerëzve” (fq. 355-368), “Treguesi i Emërtimeve Gjeografike” (fq. 369-380). Krejtësisht 41 faqe. Nuk janë pak. Sigurisht këto japin dhe peshën e veprës të Shpëtim Salës dhe flasin për përgjegjshmëri shkencore në punën e tij studimore.
Në përmbyllje të veprës, Shpëtim Sala e kryen adetin e vet ma së mirit tue na dhanë dhe “Literaturë e shfrytëzuar” në përgaditjen e hartimin e kësaj vepre të tij shkencore, ku spikasin emra të njohur të historiografisë shqiptare e të atyne që janë marrë me jetën e veprën e dr. Ibrahim Temos, si: Zija Shkodra (shkrim studimor, Tiranë, 1962), Kristaq Prifti (monografi – Tiranë, 1987 e 1993 dhe Prishtinë, 1996), Hasan Kaleshi (Sarajevë, 1976 dhe Neë York, 1982), Bujduveanu Tanase (monografi – Konstancë, 2012); Petrit Pernaska (shkrim studimor, Tiranë, 1980), Lumturi Risvani – Përnaska (shkrime, Tiranë, 2009, 2012), etj.
Vepra “Dr. Ibrahim Temoja në fondet e A.Q.Sh.” (Tiranë, tetor 2015) ka një fond të pasur me fotografi të siguruara nga studjuesi Shpëtim Sala, të cilat i ka përndarë me kriter në faqe të caktuara të librit, prej tek ma e para faqe (portreti i Temos) e dekteri tek ma të fundit faqe, ku libralidhen 15 foto me ngjyra (fq.383-396) me faksimile dokumentash dorëshkrimore të I. Temos, etj. I numërova ato. Janë 58 gjithsej. Disa prej tyre botohen për herë të parë. Të tjerat janë foto të rralla. Aty gjenden dhe faksimile. Fotot i japin një bukuri të veçantë librit, veçanarisht këtij libri që është i bukur vet, i shtypur në standarte të larta bashkëkohore.
4.E, nuk duhet me iu vnue pikën këtyne shenimeve për veprën “Dr. Ibrahim Temoja në fondet e A.Q.SH.” për pa e cek dhe një emër tjetër, tashma pjesë e veprës, intelektualen në pension aktiv, Lumturi Risvani, e cila i ka shkrue dy fjalë në krye librit, në hapje të tij, që duken, sit ë thuash, “qershi mbi tortë”.
Ish punonjësja e AQSH në Tiranë. Lumturi Risvani, flet “Mbi krijimin e Fondit “Ibrahim Temo” pranë A.Q.Sh. në Tiranë” (fq. 1-5), ku tregon historikun e “Fondit 19”, që zanafillon nga viti 1962 e ka pasë për kontributor studjues e arkistë të njohur si Haki Sharofi, Osman Myderizi, Jonuz Tafili, Andrea Sahatçi, Eleni Duka, Kristaq Prifti, Ferit Duka, Kujtim Nuro, Nezir Bata, Entela Muço, Krisavgji Zeqo, Arta Nika, Dodona Qyteza, Gelsu Maksutoviç.
Duhet thanë dhe kjo tjetra: Lumturi Risvani ka një punë të pandalur për të nxjerrë përditë e ma shumë e mirë në dritë e vëmendje të kohës figurën e dr. Ibrahim Temos, të cilin e ka dhe të afërt të saj në brezni genetike.
5.Historian Shpëtim Sala është një emër që i ban nder kohës shqiptare me veprat e tij si “Fjalor Shqip-Greqisht-Italisht i Thimi Mitkos” – në dy volume me 626 faqe (Tiranë, 2013) dhe “Letra të panjohura të Nolit (2008), “Një perandor në Prizren” (studim monografik, 2008), “Këngë popullore qytetare të Shqipërisë së Mesme” (2009), “Raport mbi studimet e mia linguistike në Shqipëri nga mesi i majit deri në fund të gushtit 1916” i shkenctarit austriak Maximilian Lambertz (përkthim);“Pogradeci në Lëvizjen Kombëtare për Pavarësi” (Sprovë) (2011); “Akti i Shpalljes së Pavarësisë Shqiptare” (2006, 2011); “Shkollat Shqipe në vitet 1887-1944” (2014); etj.
Kjo vepra e tij e fundit për dr. Ibrahim Temon, një nga figurat kryesore që ngriti në kambë Revolucionin Xhonturk e çoi Shqipërinë drejt Shpalljes së Pavarësisë, është një vepër si i nderon dhe autorin, dhe kohën.

Filed Under: Histori Tagged With: Dr. Ibrahim Temo, FIGURE HISTORIKE KOMBETARE, Historian, Ramiz Lushaj, Shpetim Sala

LARTËSIVE, ME ORËT, ZANAT, SHQIPET…

October 11, 2015 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/

LARTËSIVE, ME ORËT, ZANAT, SHQIPET…/

1./
Lart je ngjit, o Mjeshtri ynë, Ilir Buçpapaj/
Atje ku mbrrijnë Orët, Zanat, Shqipet./
Atje ku lartnoje bjeshktar e me alpinistët./
Atje ku Alpet i marrin Diell e Hanë në gji,/
Atje ku bora e bardh’ e pisha e gjelbër rinojnë n’përjetësi./

2./
Ç’janë këto lartësi që i matë me hapa e me sy,/
Mbi Majën alpine të Pllanës,/
Bash mbi Valbonën e kaltër, mbi t’bekuaren Dragobi./
Prej aty i sheh në vargavi’ Gjallicën e Korabin si lartësi./
Qytetin e Prizrenit – këtë mal me histori…/
I sheh Alpet nga Shkëlzeni në Maje të Hekurave e Jezercë./
I sheh me liqene, lumenj, e tella…t’madhërishmet bjeshkë/
Prej aty shihen Drini i Bardhë e Drini i Zi,/
Dy lumenj në tre shtete, në truallin tand etnik,o Shqipëri./

3.
Atje luftonin me shigjeta e shpata ilirët dardan’.
Atje, Ilir Buçpapaj, Iliri i kohëve moderne,
I madhi mjeshtër kameraman,
Ka dy shekuj ngjitjeje Alpeve,
Tue iu sjellë: histori, kulturë, begati, bukuri në ekran.

4.
Dritëroi i madh, nga arat e Devollit,
Solli në Lidhjen e Shkrimtarëve,
Një trastë leshi ndënë gunë,
Një trastë me baltë…
Mjeshtri i ekranit, Ilir Buçpapaj,
I sjellë në Tiranë, në Televizionin Shqiptar:
Alpet maje lartë…

Tiranë, 10 tetor 2015

Filed Under: LETERSI Tagged With: LARTËSIVE, ME ORËT, Ramiz Lushaj, SHQIPET…, ZANAT

“E DERI ATËHERË…PO NA DUHET TË JEMI GJALLË LUM’ MIKU “

October 10, 2015 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
 1. Në agun e Demokracisë poeti Jaho Margjeka ia dërgon Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” në Tiranë vëllimin e parë poetik “Nesër do të agojë”, prej së cilës në vitin 1990 i vjen përgjigjia: “Pasqyrim i ftohtë i realitetit”. Kur e pata lexuar atë letër Jaho më tha ato fjalë që s’i harroj asnjëherë: “Këta të Naim Frashërit sipas kësaj letre të çojnë në burg…” Po vet Koha e burgosur e me një kambë në varr po kërkonte Lirinë… Jaho nuk kishte astenjë poezi të vetme për lidershipin e partinë-shtet, për njeriun e ri të sistemit të huajtun nga stepat e Rusisë. Ekspertat e letërsisë politike të asaj kohe ia kishin gjuejt në shenjë. Jahon, njeri i mirë në gene e fytyrë e i lindur e rritur si poet i vërtetë, realisht nuk e ngrohte koha e atëherit, ai,“dimri i madh”, si e simbolizon shkrimtari klasik universal, Ismail Kadare.
Poeti Jaho Margjeka, megjithëse i lindur kah fund marsi i pranverës, prej vitesh pena e tij e ka një luftë të pambyllun me dimrin:“I ftohtë ky dimër, edhe pse pa borë. / Muret e zemrës hèje akulli ngrirë. / Minutat çalojnë, ditënata s’ka orë./ Rrëknyer shpirti në numbëtirë. / I pashpirtë ky dimër, edhe pse i butë./ Pa cicërima e zogj nën çati…/ …I pabesë ky dimër plak, i pabesë./ Tutje pëlcet e kërcet një gosti. / Gdhihet e ngryset njeriu i urtë, / Ftohur e ngrohur me frymën e tijë. (Poezia “Ky dimër”). Edhe kryetitullin ballinës së librit me tregime margjekiane ia ka vnue “Letra nga planeti i borës” (Tiranë, Morava, 2005, redaktor Besnik Mustafaj).
Jaho Margjeka, si qytetar dardan modern dhe në poezitë e tij margjekiane bashkëkohore, ndjen dhimbje prej vakive kur dimri i egër, i pabesë, i pa shpirtë i cegmë deri në akullnim shumanësh “shpirtfisnikët e urtë”. Si poet i palctë e i kocktë, me inde e vena poetike, me detyrë misionare prej vetëvetës e me fytyrë të pastër prej të vërtetës, prej metropolit shqiptar, nga selia e RTSH, i dhemb një pemë në vendlindjen e tij breg Valbonës, në Mollën e Kuqe. Ajo pemë është e vetme në arën e madhe e ngado t’i sillesh asaj i sheh tana anët e horizontit të Lugut të Malësisë së Gjakovës. Kit’ “pemë të poetit” e kam pa edhe në FB më 21 janar 2014 me një thanie shenjtërie: “Dimër. Edhe kjo pemë ndjen ftohtë”.
2.Fenomeni i heshtur letrar, Jaho Margjeka, ka botuar disa libra: vëllimet poetike margjekiane: Lojë në pasqyrë (1998), Ëndrra midis (2000), Edhe pak qiell për dashuri (2004), me tregime diamantore “Letra nga planeti i borës” (2005) e, diku fjalathotë, se e ka dorëshkrimor edhe një tjetër vëllim poetik “Pak dëborë e diell”, një monografi për kryetrimin luftëtar Ibish Osman Margjeka, stërgjyshi i tij, një vëllim me intervista përgjatë kohëpunës me kulmime si gazetar i mediave të shkruara e i Radio Tirana.
Mbi të gjitha poeti, prozatori e gazetari i njohur Jaho Margjeka është një njeri dinjitar i përkushtuar e ndihet krenar pa kufi për rrënjët e genet e vllaznisë e fisit të tij: … Jam bërë sa herë therorë miku im ! / Për këtë vehtes lavde s’i këndoj./ Në shkollën e qenërisë / S’u bëra dot kurrë nxënës i mirë,/ Pse e përmend s’po lavdërohem: është rrënja e fisit!/.
    Poeti Jaho Margjeka e ka kullën e lindjes aty ku Valbona bigohet me lumin Bushtrica, bash në Mollë të Kuqe të Bujanit, veç 240 metra lartësi mbidetare. Në arat e tij janë disa kodra të vogla me varre ilire apo si njihen në histori e arkeologji “Tumat e Bujanit”. Në afri gjendet qyteti i fortifikuar ilir i Rosujës, sot i populluem nga dy vllazni të të njëjtit trung, nga Margjekaj e Dozhlan. Dymijë vjet para Krishtit, biles nga shek. IV i kësaj periudhe historike u kthye në qëndra ma e randësishme zejtare-tregtare dhe administrative e krahinës. Në rrënoja të saj janë gjet monedha ilire të Shkodres, Durrësit, Apollonisë, etj. As dy km. Larg kullës së tij ngrihej dikur qyteti i madh antik ilir në rrafshinën e gjanë e të gjatë të Cerrnicës së sotme, me argjilën e së cilës u ngrit dhe digat ma të mëdha në Europë, ajo e hidrocentralit të Fierzës. Ipeshkvi, shkrimtari e etnografi Frang Bardhi, një nga katër “B”-të e Letërsisë së Vjetër Shqipe, e përmend në udhëpërshkrimet e tij të shek. XVII, ndërsa albanologu i shquar Milan Shuflaj rrënojat e kalasë të Dizdarit (Cerrnicë-Zomaj) i lidhnon me qytetin mesjetar të Sapës.
    Jo fort larg nga Molla e Kuqe e poetit Jaho Margjeka, në kishën e Selimajve (Geghysen) në rrethina të kalasë të princit Leka Spani, është ngritë një nga shkollat ma të vjetra në historinë e arsimit shqiptar, krahas atyne në Stubëll (1584), Himarë (1627), Kurbin të Krujës (1632), Vuno e Palasë të Himarës (1632), Korçë (1637), etj. Në këtë shkollë mësohej shqip, aritmetikë, etj. dhe, sipas kritereve të asaj kohe, vlerësohej si shkollë e mesme. Aty kanë dhanë mësim edhe personalitete të shquara kombëtare shqiptare si Frang Bardhi (1638), Pjetër Bogdani (1651) e, ky i fundit, edhe tek shkolla bash tek kisha me kullë e Grisë.
     Valbona ujëkaltër e ndan kullën e kahershme të Jahos me tri kulla të historisë kombëtare shqiptare: Kulla e Mic Sokolit, Hero i Popullit, që i vuni gjoksin topit otoman; kulla e Sali Manit, e njoftun si “Kulla e Konferencës së Bujanit”, që firmosi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë; kulla e prijesit popullor të Lidhjes së Prizrenit, Binak Alia i Mulosmanëve, “njeriu universitet popullor i urtive”, ”gjykatë supreme popullore” në Shqipërinë e Veriut. Në mbi tre shekuj në këto tri kulla ishte selia e Bajrakut të fisit të Krasniqes, të fisit me histori e kulturë të Jaho Margjekës.
    Këto janë “rrënjët e fisit” krenari e Jaho Margjekës, të cilat, njëherash e pandamun, e kanë krenari të tyre edhe Jaho Margjekën, si njeri qytetar, si poet, prozator e gazetar, si figurë publike e letrave shqipe. Këto rrënjë i mbajnë fort e mirë degët e fjalëve në pemët poetike të tij, që e kanë brumue, lumnue e hijeshue palcë e kockë Jaho Margjekën si një fuqi poetike e kohës.
3.Jaho është poet e prozator me profilin e tij të mirënjohur, interpretues i talentuar i fjalës artistike, publicist me kontribute të vyera në media (ndër)kombëtare e lokale dhe në RTSH, i dhanun prej kryeherit edhe pas sporteve nga noti në Valbonë e deri tek futbolli në “Livadhin e Turkut”. Ai ka sakrifikuar jo pak në udhët e jetës së tij dinjitare, në udhën e tij si poet, prozator, publicist në shtegtimet e dijes nga shkolla e mesme në Kuçovë deri në Universitetin e Shkodrës, e mësues në Llugaj e me detyra profesionale në kulturë e media në qytetin e alpeve. I ka kapërcyer dy dekada jetë në Radio-Televizionin Shqiptar, pothuaj gjysmen e jetës, ku duket se pasionet e tij të mëdha për gazetarinë radiofonike e kanë gjetur vetëveten.
     Jaho Margjeka nëpër biseda s’lenë pa përmendur me mirënjohje ndihmen e atyre që e ndihmuan për të studiuar Gjuhë-Letërsi shqipe,e ndër ta Dritëro Agollin,..
    Poeti, gazetari e prozatori Jaho Margjeka në çdo hap e fjalë është vetëvetja, sikurse në ditët me diell edhe në ato me ngrica; sikur flet në Radio Tirana edhe në kafe me miq ose me kundërshtarë të vargut ose hapit; sikur shkruan një poezi, një tregim apo shkrim radiofonik, edhe kur flet në telefon celular apo kur ecë trupdrejtë e hapapeshë në dy rrugët e tij me blina: në vendlindje, nga Molla e Kuqe në qytetin alpin të Bajram Currit dhe tek puna në Tiranë, nga selia e RTSH tek banesa e vet në afri të Qytetit të Studentëve: Nuk po gjejë qetësi miku im! / Se shpirti im nuk qënka si i gjithkujt ! / Vehten s’e genjej se jam më i mirë / se të tjerët, po të tjerët qënkan më / të zgjuar, më hileqarë,…domethënë !/ Për këtë i penduar nuk jam miku im, / Se jam pjellë e tim’ eti e s’kam nga t’ia mbajë/.
    Dy prindërit e tij, Salihi – baba engjëllor (që iku i nderuar nga kjo jetë) e Bora – nana hyjnore e tij, kanë për emër e mbiemër në gojën e kohës e në genet e brezave vetëm dy fjalë medalion: “njerëz të mirë”. Këta mirërritën gjashtë fëmijët. Dy iu banë poetë: Jaho që erdhi në Tiranë e Ismeti, që punoi në televizione si Shijak TV e gazeta si “Emigranti Shqiptar” gjersa shkoi emigrant politik e ekonomik në Francë, në vendin ku emigronin me seli e pushtetet e tyre edhe Ismail Qemali, edhe Ahmet Zogu.
     Se mos vetëm djemtë e Salih Ramës të Margjekajve, nipat e Ram Binakut të Mollës së Kuqe të Bujanit, shkruajnë poezi për kohnat e realitetet e tyre nga Prehistoria deri tek Rendi i ri Botëror. Edhe Populli ka ngrit kangë për Derën e Margjekajve, edhe për stërgjyshin e Jahos, për brezin e shtatë të tij, për Ibish Osmanin: Dirgjet Hamza per dugaj / Po i pervet do sheherjanè / As ma paté Ibish Osmané,../.
     Kah fillimi i shek. XIX, Ibish Osman Margjeka i Mollës së Kuqe vet i katërt, sëbashku me djalin e tij Daut Ibishin dhe me kushëririn e vet, Rexhë Mehmet Margjeka i Rosujës, ky i fundit, me nanën e tij-bijë Kosove, me armë brezit, ranë në tregun e Gjakovës. Këta e thyen urdhërin e Brahim Pashës për “mos me hy në shehrin e Gjakovës me armë…”. Bimbashi (majori) me zabitët (ushtarët, rojet) e tij iu dolën para në rrugë për me i çarmatos trimat e Margjekajve. Krisi pushka. N’atë përleshje u vra bimbashi me të tjerë, po mbeti shehit edhe Rexhë Mehmet Margjeka, se e kishin ba betimin: …S’ja jap turkit armët e babës / Pa ia djeg sarajet Pashës…/ Ibish Osman Margjeka, Rexhë Mehmet Margjeka, Daut Ibish Margjeka (pas vdekjes) janë shpallur “Nderi i Komunës” Bujan.
    Jaho Margjeka, si stërgjyshi i tij, Ibish Osman Margjeka. Askush, astenjiherë e në asnjë kohë, nuk ka me mujt me ia hjek armën e tij, pendën si poet, si prozator, si gazetar. Krijuesit nuk kanë shumë shpenzime për vete: një stilolaps e një letër, po japin shumë për kohën e të tjerët me krijimet e tyre dhe marrin pak prej tyre.
4.Ky emri Jaho e ka kuptimin në shqip: Jeto. E vërtetë Jaho jeton në poezi e për poezinë. Duket sikur të dy kanë lindur për njëri-tjetrin. Gurrat poetike të Jahos në mbi 30 vite krijimtari e kanë krijue tashma lumin e vet në detin e poezisë shqipe në shekuj. Është lumi poetik Margjeka, janë poezitë e tij margjekiane, janë tregimet e tij margjekiane.
Disa herë ka fitue edhe çmime (ndër)kombëtare e lokale me poezitë e tij, qyshse në vitet e rinisë studentore me çmim vjetor në revista “Nëntori” (1988). Në kit’ vargavijë stimujsh përveçon edhe Çmimi “Pjetër Budi” nga Forumi Shqiptar i Kulturës, Edukimit e Shkencës (2005). Është vlerësuar edhe Çmimin e parë “Konstandin Kristoforidhi” në Festivalin Mbarëkombëtare “Ditët poetike të verës”- Elbasan, 2006 dhe Çmimi i parë në Festivalin Mbarëkombëtar “Pranvera poetike durrsake”- Maj, 2013. Gjithashtu ka marrë çmime e mirënjohje edhe në veprimtari të tjera. Poezia e Jaho Margjekës është botuar gjithandej në hapësirat shqiptare në Ballkan por edhe më gjerë, edhe e përkthyer në anglisht në SHBA apo në rumanisht nga revista “Hemus” në Bukuresht, etj.
   Ky, Jaho ynë i sotëm, poeti i përjetshëm, ka ecë me vargun e hapin poetik si të gjithë poetët e piedestalit, prej atëherit kur në shkollë të mesme në Kuçovë botonte të parat cikle me poezi në “Zëri i Rinisë” (shkurt, 1981) apo në “Nëntori” (1988) kur ishte student i gjuhë-letërsisë shqipe në Shkodër, apo mësues në Llugaj të Lugut të Malësisë së Gjakovës, e në të gjitha kohët, është në kërkim të pranverës… Po, para së gjithash, sipas këndvështrimit tim, poeti margjekian lëshon kumtin e tij: “Na duhet të jemi gjallë lum’ miku!” I dashuruar në vetvehte s’qesh’ kurrë miku im, / Se pak kohë më lanë për të lakmuar vetvehten./ Po ta shkruaj / Në rrasë të gurit këtë kumt’ miku im ! / Nëse andej të bie udha ti gjegjen po ma kthen ! / Se në ditën e amshueme / njësoj të dy do të jemi, / E deri atëherë…/ Po na duhet të jemi gjallë lum’ miku !

Filed Under: ESSE Tagged With: JAHO MARGJEKA, Lum' miku, na duhet te jemi gjalle, Ramiz Lushaj

Histori Kombetare-DR. IBRAHIM TEMO, PATRIOTI SHQIPTAR NGA STRUGA, ME KONTRIBUTE BALLKANIKE

September 11, 2015 by dgreca

Intervistë me historianin Shpëtim Sala – president i Qëndres Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë, autor e botues i veprës bibliografike “Dr. Ibrahim Temo në Fondet e AQSH” (QMKSH. Tiranë, 2015)/
Pyetje:    -Zoti Shpëtim, vepra juaj bibliografike “Dr. Ibrahim Temoja në Fondet e AQSh” paraqet interes shkencor e publik. Cilat janë burimet arkivore e konceptimi libror?
 
Shpëtim SALA: Bibliografia ime “Dr. Ibrahim Temoja në Fondet e AQSh” ka përmbledhur në një libër të vetëm të gjitha dokumentet (letra, kartëpostale, telegrame, dorëshkrime, memorandume, fjalime, kanonizma, proklamata, litografi, kartëvizita etj.) që ka dërguar, ka marrë apo ka mbledhur dr. Temo, një prej veprimtarëve më të shquar të Rilindjes sonë Kombëtare. Fondi “Ibrahim Temo” (Fondi 19) është tejet i vëllimshëm dhe me shumë rëndësi për historinë shqiptare të Rilindjes si dhe të viteve para e pas Shpalljes së Pavarësisë.
            Materialet arkivore janë përshkruar në këtë libër duke dhënë një konceptim të shkurtër të tyre. Në fund, secilit zë, i janë cilësuar: numri i fondit, dosjes, sasia e faqeve; data, muaji, viti i hartimit të dokumentit; në rastin e korrespondencave data, muaji, viti i dërgimit dhe mbërritjes së letrave; gjuha në të cilën është shkruar dokumenti, në se është dorëshkrim apo shtypshkrim; kush e ka nisur letrën dhe kujt i drejtohet ajo.
 
            -Ju keni vite që merreni me figurën e dr. Ibrahim Temos, ndaj na shenjoni shkurtimisht jetën e tij?
 
Shpëtim SALA: Dr. Ibrahim Temo lindi në Strugë më 21 mars 1865e ndërroi jetë po aty më 2 gusht 1945 duke e varrosë në varrezat myslimane të Mexhidies. Amaneti i tij ishte që të prehej në Strugë ose në ndonjë tjetër qytet brenda kufijve shqiptar të afërt me Strugën. 
Të parët e fisit të dr. Ibrahim Temos u larguan nga Gurabardhi i Matit për në Nahijen e Strugës në vitin 1780, ku aty kaloi fëmijërinë dhe e përfundoi shkollën fillore. Në vitin 1884 shkoi për në Stamboll. Fillimisht u regjistrua në vitin e parë të shkollës së mesme mjekësore të Ahirkapisë, ndërsa në prill 1888 u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë të Gjylhanesë në Stamboll, ku mbaroi studimet në fundvitin 1892 dhe atje mbrojti tezën e diplomës të titulluar “Sëmundja e Tërbimit”, duke u diplomuar si Mjek Ushtarak. 
Sot, në nderim të tij, gjimnazi i qytetit të Strugës dhe shkolla fillore në Strimnicë (komuna e Zhelinës) mbajnë emrin “Ibrahim Temo”.  Në pllakën e mermerit në hyrje të shtëpisë dykatëshe të Dr. Ibrahim Temos që ndodhet pranë lumit Drin, në Strugë, lexojmë: “Në këtë shtëpi më 21 mars 1865 u lind Dr. Ibrahim Murat Temo (1865-1945) veprimtar dhe personalitet i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Strugë më 20 gusht 2005”.
 
-Dr. Ibrahim Temo me krijimin e në veprimtarimin e Shoqërisë “Bashkim Përparim” thuhet se pati kontribute kombëtare shqiptare dhe persekutime otomane.
 
– Shpëtim SALA: Sigurisht, dr. Ibrahim Temo është krijuesi i Shoqërisë së fshehtë “Bashkim dhe Përparim” (1889) programi i së cilës bazohej në parimet e Kushtetutës Osmane (1876), kishte për qëllim emancipimin e shoqërisë osmane, ishin  kundër absolutizmit të Sulltanit.
Në shoqatat e Turqve të Rinj bënin pjesë mjaft shqiptarë që kishin bashkërenduar veprimtarinë e tyre me atë të Turqve të Rinj me qëllim që të realizonin Autonominë e Shqipërisë. Ndër veprimtarët më të shquar shqiptarë kanë qenë dr. Ibrahim Temo, Ismail Qemali, Dervish Hima, Hamdi Bej Ohri, Jashar Erebara e të tjerë.
Dr. Ibrahim Temo pati persekutime otomane. Ai e përshkruan me saktësi arrestimin e tij në librin “Egitim amaçli taranmiştir”. Shoqëria “Bashkim dhe Përparim” vendosi të krijojë degët e saj në Ohër, Strugë dhe rrethina. Në verën e vitit 1889 dr. Ibrahim Temo vendosi t’i kalojë pushimet verore pranë familjes në qytetin e Strugës. Me të mbërritur aty, ai rekrutoi të rinj shqiptarë atdhetarë, të shkolluar, inteligjentë. Dr. Ibrahim Temo ndërmori një veprim mjaft të guximshëm, duke ja paraqitur me shkrim idetë e shoqërisë “Bashkim Përparim”, në një takim kokë më kokë Qamil beut, komandant i repartit rezervist të Ohërit, pasi mendonte, se ai do ta ndihmonte për themelimin e Shoqërisë “Bashkim dhe Përparim” në Ohër. Mirëpo, Qamil Beu jo vetëm që nuk pranoi të bashkëpunonte, por i tha dr. Ibrahim Temos, seishte kundërshtar dhe armik i Sulltanit. Në telegramin dërguar Stambollit, Qamil Beu shkroi për propozimin që i kishte bërë Dr. IbrahimTemos, ndaj një javë më vonë, u arrestua dhe e nisën për në Stamboll. 
 
-Dr. Ibrahim Temo, pas disa arrestimeve nga otomanët, u arratis nga Stambolli e shkoi në Rumani. Cila është veprimtaria e tij, atje?
 
Shpëtim SALA: Dr. Ibrahim Temo, mbas dy arestimeve të tjera, u arratis si marinar nga Stambolli me vaporin “Meteor” që kishte përkatësi rumune dhe mbërriti në Konstancë të Rumanisë më 1 tetor 1895. Pasi qëndroi për një kohë të shkurtër në Konstancë u drejtua për në Bukuresht, ku pati përkrahjen e Nikolla Naços. Ai përfundoi në Bukuresht një kurs njëvjeçar specializimi, ku mori titullin “Doktor i Medicinës”. Nga Bukureshti (dhjetor 1896) ai u vendos në Mexhidije (Dobruxhë) nja 30 km. larg nga Konstanca, ku u caktua mjek i bashkisë së atij qyteti.
Dr. Ibrahim Temo pati një kontribut të dyfishtë në drejtim të zhvillimeve politike e kulturore shqiptare dhe atyre të Perandorisë Osmane. Ai kontribuoi në shoqëritë e Xhemijetit sëbashku me veprimtarë të tjerë shqiptarë, duke menduar se emancipimi politik dhe shoqëror i Perandorisë Osmane do të sillte për Shqipërinë plotësimin e dy kërkesave të rëndësishme për ta: Autonominë dhe lirinë e mësimit të Gjuhës Shqipe.
 
-Në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dr. Ibrahim Temo ka një vend të nderuar, një piedestal të lartë, ndaj ju si studjues donim t’na i vinit në dukje disa nga atributet e kontributet e veprimtarisë së tij të shumanshme?
– Shpëtim SALA: Veprimtaria dhe kontributet e dr. Ibrahim Temos e evidentojnë atë si një nga atdhetarët më të spikatur shqiptar. Vetëm në vitin 1896 ai ka këmbyer një korrespondencë mjaft të dendur me atdhetarët shqiptarë si: Dervish Bej Elbasani, Dervish Hima, Faik Konica, Hamdi Bej Ohri, Jovan Kuneshka, Kristo Luarasi, Ligor Marko, Mehdi Frashëri, Mid’hat Frashëri, Shahin Kolonja, Sotir Koleja, Viskë Babatasi e të tjerë. Në korrespondencën e tij me atdhetarët shqiptarë flitet për situatën në Shqipëri, përpjekjet e tyre për pavarësi, botimet në gjuhën shqipe, futjen e tyre në Shqipëri, kryengritjet e armatosura në Shqipëri, për alfabetet që duheshin përdorur në shkrimin e gjuhës shqipe, hapjen e shkollave shqipe, etj.
Faik Konica e konsideronte dr. Ibrahim Temon si një atdhetar të vërtetë. Në vitin 1898 Faik Konica i propozonte atij të vihej në krye të Shoqërisë “Përlindja e Shqipënisë”.  Dr. Ibrahim Temo, një vit më vonë, më 1899, i drejtohej Dervish Himës “…të shkruante verëm për Shqipërinë, çlirimin dhe bashkimin kombëtar, për reformat në Shqipëri, përparimin e gjuhës së saj.”
Dr. Ibrahim Temo vu në mbrojtje të të drejtave të popullit shqiptar dhe në shkrimet e tij ka trajtuar ngjarje të rëndësishme si Lidhjen e Pejës, Kuvendin e Dibrës, Kongresin e Manastirit, Kongresin e Elbasanit, etj., Ai ka shkruar dhe ka vënë në dukje çështje të rëndësishme që lidheshin me fatin e shqiptarëve, për figura të shquara të Rilindjes Kombëtare, ashtu siç nuk mungojnë dhe mendimet e tij për çështje të shëndetësisë, të gjuhës dhe arsimit shqip. 
Dr. Ibrahim Temo dha kontributin e tij në krijimin dhe veprimtarinë e klubeve patriotike shqiptare, në hapjen e shkollave shqipe, në mbështetjen e alfabetit latin për shkrimin e gjuhës shqipe. Ai e konsideronte shtypin si një mjet të fuqishëm në zgjimin dhe ndërgjegjësimin e kombit shqiptar. Ai ka mbështetur kryengritjet e armatosura në Shqipëri si një nga mënyrat e zgjidhjes së kërkesave kryesore të shqiptarëve. Ai ka qenë mbështetës i autonomisë dhe pavarësisë së Shqipërisë
Më 9 gusht të vitit 1898 dr. Ibrahim Temo nënshkroi Memorandumin e Komitetit Shqiptar në Bukuresht drejtuar Sulltanit dhe shteteve evropiane me kërkesa për Autonominë e Shqipërisë. Memorandumi është nënshkruar edhe nga anëtarët e tjerë të komitetit, si: Mehmet Bej Frashëri, Jashar Erebara, Pandeli Evangjeli, Dervish Hima ,etj. 
 
-Si shpjegohet se shqiptarët dhe Ibrahim Temo nga promotorr të Lëvizjes së Turqve të Rinj u shkëputen prej tyre?
 
Shpëtim SALA: Lëvizja Nacional-Borgjeze e Turqve të Rinj lindi në vitet ‘80 të shek. XIX, e drejtuar së pari kundër absolutizmit dhe despotizmit të Sulltan Abdyl Hamid II. Ata, njëherash, ishin kundërshtarë të autonomisë së popujve të shtypur, nuk merrnin në konsideratë çështjet kombëtare si problemi themelor i Perandorisë shumëkombëshe Osmane. Ata synonin të forconin pushtetin otoman të centralizuar mbi këta popuj. Thelbin e programit të tyre e përbënte ruajtja e unitetit dhe tërësisë së Perandorisë Osmane, paprekshmëria e Dinastisë Osmane. Ata synonin që pushteti i saj arbitrar, absolutist, të shndërrohej në një Monarki Kushtetuese Parlamentare. Ideologjia e tyre nuk arriti të ngrihej në shkallën e mendimit nacional-borgjez më të përparuar të kohës, por vijoi të mbështetej në osmanizmin dhe panislamizmin.
Lëvizja Kombëtare Shqiptare bazohej në luftën kundër absolutizmit të Sulltanit dhe për emancipimin e shoqërisë osmane. Kërkesat e parashtruara nga Turqit e Rinj përkonin me Programin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe të popujve të tjerë të shtypur në Perandorinë Osmane, pasi shqiptarët me përmbysjen e rregjimit të Abdyl Hamid II synonin të siguronin fillimisht Autonominë e tyre dhe si program më të avancuar të fitonin Pavarësinë. 
Një pjesë e atdhetarëve shqiptarë si Ibrahim Temo, Dervish Hima e Hamdi Ohri u përfshinë mjaft herët në Lëvizjen e Turqve të Rinj duke luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në aktivitetin e tyre. 
Dr. Ibrahim Temo ka qenë një nga themeluesit e Komitetit të parë Xhonturk “Bashkim e Përparim” (1899) dhe mbeti një nga veprimtarët më të dalluar të Lëvizjes të Turqve të Rinj, njëherazi një nga pjesëmarrësit më aktivë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. 
Në Lëvizjen e Turqve të Rinj morën pjesë gjithashtu Ismail Qemali, Dervish Hima, Hamdi Ohri, Hoxha Kadriu (Prishtina), Jashar Erebara etj. Në vitet 1896-1897, kur Shoqëria “Bashkim e Përparim” nuk kishte ngritur ende organizatat e saj në Rumeli, falë ndihmesës së degës së Konstancës të kryesuar nga Dr. Ibrahim Temo dhe veprimtarëve të tjerë shqiptarë, ajo arriti të shtrinte ndikimin e vet në Shkodër, Durrës, Manastir, Ohër, Strugë, Dibër, Elbasan, Tiranë, Korçë, Starovë, Berat, Janinë dhe në qendra të tjera. Në disa nga këto qytete ishin ngritur bërthama të Shoqërisë “Bashkim e Përparim”, 
Shqiptarët që morën pjesë në Lëvizjen e Turqve të Rinj u përpoqën të formonin në gjirin e kësaj lëvizjeje një krah demokratik dhe përparimtar. Duke qenë dhe përfaqësues të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare këta veprimtarë shqiptarë në një varg thirrjesh, traktesh, manifestesh, promemoriesh si dhe në artikujt e botuar në shtypin e Turqve të Rinj iu drejtuan turqve e shqiptarëve, gjatë viteve 1896-1905, me kërkesat për “njohjen e kombësisë shqiptare, çeljen e shkollave shqipe”, “bashkimin e tokave shqiptare në një vilajet të vetëm”, madje “formimin e një Shqipërie autonome”. Këto kërkesa u kundërshtuan nga Ahmet Rizaj dhe krerët e tjerë të Lëvizjes të Turqve të Rinj, pasi i quanin ato të papranueshme për “kombin sundues (turk) që ishte në fuqi” dhe “për shtetin osman që kishte si gjuhë të përgjithshme dhe zyrtare atë osmane”.
Mosmarrëveshjet midis Shqiptarëve dhe Turqve të Rinj (xhonturqve) për  kërkesat mbi Autonominë e Shqipërisë ndodhën në periudhën kur midis tyre kontradiktat ishin ashpërsuar ndjeshëm. Turqit e Rinj pasi nuk mundën ta frenonin vërshimin e nacionalizmit shqiptar, tentuan të ndryshonin drejtimin e tij. Një nga synimet e tyre ishte përpjekja për të hedhur poshtë kërkesën e shqiptarëve për një alfabet latin. Ata synuan që germat latine të Alfabetit Kombëtar Shqiptar të zëvendësoheshin me germa arabe. Ata shpallën në të njëjtën kohë që shkronjat latine ishin shpikje e të huajve, objektivi i të cilëve ishte të devijonin myslimanët e mirë nga besimi i tyre, dhe që shkronjat arabe ishin të shenjta, etj. Por dhe kjo propagandë naive e tyre, dështoi me turp përpara bashkimit të përgjithshëm të popullsisë shqiptare, myslimane e të krishterë, të cilët nën sloganin kuptimplotë të Rilindjes sonë Kombëtare, “Feja e shqyptarit ashtë shyptaria”, kishin sheshuar çdo ndarje fetare midis tyre. 
Dr. Ibrahim Temo filloi të distancohet nga Turqit e Rinj që nga viti 1902 kur nuk pranoi të merrte pjesë në kongresit e organizuar nga turqit e rinj në Paris. 
Në Kongresin Xhonturk të Parisit (4 – 9 shkurt 1902) morën pjesë përveç turqve edhe armenët, maqedonasit, arabët, shqiptarët (Ismail Qemali, Dervish Hima, Jashar Erebara, Hoxha Kadriu, Hamdi Bej Ohri) etj. Shqiptarët, midis të cilëve u shqua Ismail Qemali, kërkuan që t’u njiheshin atyre dhe kombësive të tjera joturke liria e gjuhës dhe e shkollës amtare, si edhe të drejtat e tjera politike. Ismail Qemali theksoi gjithashtu nevojën e përgatitjes së kryengritjes kundër absolutizmit të Sulltanit, ku të merrnin pjesë edhe forcat ushtarake dhe ishte për përdorimin e dhunës, rryma të tjera në kongres, ishin për një politikë paqësore. 
Pas këtij Kongresi të Parisit dr. Ibrahim Temo botoi disa artikuj në gazetat e tyre (498), ku demaskonte atë pjesë të platformës ku prekeshin aspiratat për të cilat luftonte populli shqiptar.
Në rrethanat, kur Shoqëria “Bashkim e Përparim” nuk deshi t’u njihte popujve jo turq asnjë të drejtë kombëtare, shqiptarët u rezervuan në raportet e tyre me Lëvizjen e Turqve të Rinj. Sikurse dëshmon edhe shtypi i kohës (“Shqipëria”, Bukuresht, 1897-1899; “Drita”, Sofje, 1901-1908; “Shkopi”, Kajro, 1907-1908; “Kombi”, Boston, 1906-1908 etj.), shumica e qarqeve atdhetare shqiptare e shihnin me mosbesim Lëvizjen e Turqve të Rinj. 
 
-Cili ishte pozicioni i Ibrahim Temos ndaj Kongresit të Dibrës?
 
Shpëtim SALA: Dr. Ibrahim Temo me rastin e mbledhjes së Kongresit Kushtetues Shqiptaro-Osman (Kuvendi i Dibrës, 23 – 29 korrik 1909) i dërgonte parisë një letër, ku ai iu kërkonte atyre pozicionimin e tyre të qartë ndaj Turqve të Rinj dhe i këshillonte organizatorët të mos u besonin dhe të mos bashkëpunonin me ta.
Ai iu propozonte organizatorëve të Kongresit që të bëheshin disa ndryshime në protokollin e mbledhjes. 
 
-Cili është kontributi i Ibrahim Temos në Shpalljes e Pavarësisë, në qverisjen e Princ Vidit, në Konferencën e Paqes në Paris?
 
Shpëtim SALA: Dr. Ibrahim Temo luftoi dekada të tëra, sëbashku me atdhetarë të tjerë shqiptarë për të aritur në ditën e Shpalljes së Pavarësisë.  
Në tetor të vitit 1912 ai ka qenë në krye të një grupi shqiptarësh në organizimin e pritjes që ju bë Ismail Qemalit në Konstancë, dhe e shoqëroi për në Bukuresht, ku u prit më 20 tetor të vitit 1912 nga një grup i madh shqiptarësh të kolonisë të këtij qyteti.
Nga Ohri dhe Struga në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë morën pjesë: Zyhdi Bej Ohri, Dr. Myrtezai dhe Nuri Efendi Sojliu, ndërsa dr. Ibrahim Temo nuk pati mundësi të ishte pjesëmarrës në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, më 28 nëntor 1912. Në këtë ngjarje të shënuar mori pjesë vëllai i tij Nuri Sojliu. një nga përfaqësuesit e Strugës në këtë ngjatje të shënuar, një nga firmëtarët në Aktin e Shpalljes së Pavarësisë.
Dr. Ibrahim Temo mbërriti në Durrës në fund të majit 1914, i dërguar nga Qeveria Rumune, në krye të një grupi sanitar të Kryqit të Kuq të Rumanisë. Ai u emërua në qeverinë e Princ Vidit, drejtor i përkohshëm (provizor) i shëndetësisë. Dr. Ibrahim Temo sëbashku me ekipin e tij dha një kontribut të vlefshëm për luftimin e sëmundjeve infektive dhe në veçanti të malarjes. Dr. Ibrahim Temo, sëbashku me Dr. Halit Bej Bërzhezhdën, kishin hartuar përpara vitit 1909 një projekt në të cilin ka bërë plotësime edhe Jashar Erebara, dhe me anën e të cilit synonin zhvillimin e shëndetësisë në Shqipëri. Me gjithë përpjekjet e tyre Projekti nuk arriti të realizohej për shkak të mungesave financiare dhe kohës së shkurtër të qeverisjes të Princ Vidit në Shqipëri.
Dr. Ibrahim Temo në bashkëpunim me Asdrenin hartuan një raport prej 10 faqesh, të cilin ja dorëzuan Qeverisë Rumune. Në raport pasqyrohej gjendja në Shqipëri, si dhe aprovimin për mënyrën e qeverisjes së Princ Vidit. Raporti duhet të jetë hartuar në fillim të muajit gusht të vitit 1914
Me largimin e princ Vidit nga Shqipëria iku dhe dr. Ibrahim Temo e u vendos sërisht në Konstancë.
Dr. Ibrahim Temos ju dha Akti i Përfaqësimit për në Konferencën e Paqes në Paris nga Kolonia Shqiptare në Rumani. Ai e kryesoi delegacionin e kësaj diaspore. Ai ishte një ndër antarët aktiv të kësaj Konference dhe u vu në mbrojtje të të drejtave legjitime të popullit shqiptar. Sëbashku me dr. Ibrahim Temon, si përfaqësues të Kolonisë Shqiptare të Rumanisë, ishin dhe atdhetarët e shquar: Dhimitër Berati e Pandeli Evangjeli. Më 4 maj 1919 dr. Ibrahim Temo dhe Pandeli Evangjeli i dërguan në emër të Kolonisë Shqiptare të Rumanisë një Memorandum Presidentit Willson, ku theksohej se Populli Shqiptar ka të gjitha të drejtat për të patur shtetin e tij të pavarur.
 
-Cili ishtë këndbështrimi e qëndrimet e dr. Ibrahim Temos në marrëdhëniet e shqiptarëve me maqedonasit?
 
Shpëtim SALA: Dr. Ibrahim Temo ka trajtuar gjerësisht marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase. Në dokumentet që ndodhen në Fondin “Ibrahim Temo” (333, 509, 521, 1007, 1044) materialet dokumentare dëshmojnë kontributin e Dr. Ibrahim Temos në zgjidhjen e çështjes Maqedonase (498, 558). 
Dr. Ibrahim Temo ka shkruar disa artikuj mbi problemin maqedonas, mbi qëndrimin e Rusisë, Gjermanisë, Italisë, Serbisë ndaj këtij problemi. Intelektualët shqiptarë dhe maqedonas u organizuan në shoqëri të përbashkëta me qëllim bashkërendimin e veprimtarisë për të realizuar të drejtat e tyre kombëtare. Një nga shoqëritë e përbashkëta ishte ajo “Shqiptaro-Maqedonase”, e cila u krijua në Vjenë në fillim të vitit 1912. Në programin e shoqërisë kërkohej të luftohej shovinizmi e nacionalizmi kombëtare e spekulativ. Të respektoheshin kishat e xhamitë, shkollat në gjuhën amtare etj.
Dr. Ibrahim Temo dhe atdhetarët shqiptarë kontribuuan në krijimin e shoqërive të përbashkëta shqiptaro-maqedonase në Bullgari, Maqedoni, Austri etj. Qëllimi kryesor  i tyre ishte lufta kundër pushtimit turk.
Shqiptarët i kanë marrë pjesë dhe i kanë ndihmuar maqedonasit në Kryengritjen e Ilindenit (1902). Nga ana e tyre, në vitin 1902 komitët maqedonas zunë rob në Maqedoni amerikanen Miss Stone të shoqëruar nga shqiptarja Katerina Cilka. Ata i zunë dhe i trajtuan ato si skllave dhe për t’i liruar ato komitët maqedonas kërkuan 30.000 lira turke (150.000 dollarë). Me grabitje dhe me dhunimin e grave zinte fill Kryengritja e Ilindenit. Qëllimi kryesor i komitëve maqedonas në këtë rast nuk ishte vetëm sigurimi i një sasie të madhe parash, por edhe pengimi i veprimtarisë së Shoqërisë Biblike në botimet dhe hapjen e shkollave në gjuhën shqipe.
Dr. Ibrahim Temo përshëndeste bashkëpunimin e shqiptarëve me maqedonasit në luftën e përbashkët kundra turqve. Ai u ftua në një konferencën që do të organizohej më 30 mars 1903 në Paris, me titullin “Maqedonia dhe Shqipëria”, traditat, zakonet dhe pavarësia e tyre.
Drejtuesit e Lëvizjes Maqedonase në vitet e luftës së përbashkët kundër sundimit osman nuk kanë qenë të sinqertë me shqiptarët. Por kjo është një temë mjaft e gjerë për t’u parashtruar në kuadrin e një interviste tematike.
 
 
-Ju, si studjues e botues i kësaj bibliografie për dr. Ibrahim Tema, mund të na thoni se cilat janë ndër vite veprat e tij letrare, dokumentare e ato shkencore për mjekësinë ?
 
Shpëtim SALA: Dr. Ibrahim Temo botoi në shtypin e Xhemijetit dhe në shtypin shqiptar mjaft artikuj në të cilët përfshihen analiza mbi zhvillimet në Shqipëri, Maqedoni, Bullgari, Rumani e në veçanti në Perandorinë Osmane. 
Dr. Ibrahim Temo botoi dy libra, atë me kujtime për jetën e Ataturkut dhe, tjetrin – për krijimin e Komitetit “Bashkim e Përparim”. Librin me titull  “Atatürkü niçin severim” (Pse e dua Ataturkun) më 1937 në Konstancë librin “Itihad ve Teraki Cemiyetinim te sekkübü” (Formimi i shoqërisë “Bashkim Përparim”) më 1939.
Gjatë periudhës që vijonte studimet për shkencat mjekësore dr. Ibrahim Temo botoi: “Aile Tabibi” (“Mjeku i Shtëpisë”) me 300 faqe, në 1. 000 kopje, Stamboll, 1894 dhe “Tegadi ve devam-i hayat”. (“Ushqimi dhe zgjatja e jetës”). Në përfundim të studimeve të larta për mjekësi mbrojti tezën e diplomës me temën: “Kudus hastaligi daulkelb” (“Sëmundjen e Tërbimit”) dhe “Tababet-i oval ve Hijz-i sihha (“Medicina popullore dhe mbajtja e shëndetit”), Mexhidije, 1914, (botuar me alfabet arab)
 
-Së fundit, si është vlerësuar figura e Ibrahim Temos nga studiuesit shqiptar e të huaj?
 
Shpëtim SALA: Personaliteti e veprimtaria politike dhe shoqërore e Dr. Ibrahim Temos është vlerësuar nga mjaft historianë shqiptarë e të huaj. 
Faik Konica, bashkëkohës i tij, deklaronte se: Dr. Ibrahim Temo e ka zemrën më shqiptare se vetë Faiku, dhe se shkruan shqip më mirë se vetë ai.
Sigurisht, janë të shumtë historianët shqiptarë dhe të huaj që e kanë vlerësuar veprimtarinë e dr. Ibrahim Temos, si: Kristaq Prifti, Stavro Skëndi, Hasan Kaleshi, Josef Hammer, Karl Sushein, Enver Pasha e të tjerë.
Dr. Ibrahim Temo mbetet një nga figurat atdhetare shqiptare me përmasa e kontribute ballkanike, pasi diti të bashkërendojë veprimtarinë e tij në shërbim të Çështjes Kombëtare Shqiptare me ato të popujve ballkanikë. Ai është dhe përfaqësues i kontributit që shqiptarët e Strugës dhanë për Çështjen Kombëtare Shqiptare. 
Dr. Ibrahim Temo është një nga figurat e shquara të kombit shqiptar, për të cilin e ardhmja ka për të fol më shumë e më mirë se e deristotmja.

Filed Under: Interviste Tagged With: Dr. Ibrahim Temo, historiani Shpetim Sala, Interviste, Ramiz Lushaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 29
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT