-Ministrja Hoxha në Vjenë: Do ta fuqizojmë sundimin efektiv të ligjit/
-Veseli në Vjenë: Brengosës fakti se shpeshherë në Beograd ka një shpërthim të zellit nacionalist për të penguar shtetin e Kosovës dhe integrimin euro-atlantik të tij. Provokimet e fundit të Serbisë, si aktualizimi i fletarresteve të kohës së Millosheviçit për ish pjesëtarët e UÇK-së, përpjekjet për të ndërtuar mure ndarëse në veriun e Mitrovicës, lëshimi i trenave ilegalë që duan të futen në Kosovë pavarësisht ligjeve të vendit, janë pasojë e këtij zelli/
PRISHTINË, 17 Janar 2017-B.Jashari/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot në Vjenë, e cilësoi brengosës faktin se shpeshherë në Beograd ka një shpërthim të zellit nacionalist për të penguar shtetin e Kosovës dhe integrimin euro-atlantik të tij. “Provokimet e fundit të Serbisë, si aktualizimi i fletarresteve të kohës së Millosheviçit për ish pjesëtarët e UÇK-së, përpjekjet për të ndërtuar mure ndarëse në veriun e Mitrovicës, lëshimi i trenave ilegalë që duan të futen në Kosovë pavarësisht ligjeve të vendit, janë pasojë e këtij zelli, që ne konsiderojmë se në fund të fundit do t’i bëjë dëm më së shumti vetë Serbisë dhe qytetarëve të saj”, tha kryeparlamentari kosovar.
Veseli shtoi se Republika e Kosovës përbën një realitet gjeopolitik të pakthyeshëm, ndërsa theksoi se, shumëçka mund të ndodhë në Ballkan, por në asnjë mënyrë kthimi i të së kaluarës. “Ne i kuptojmë vështirësitë e Serbisë për t’u çliruar nga trashëgimia e së kaluarës, por fqinji ynë verior duhet ta kuptojë se nuk mund të bëhet pjesë e BE-së duke penguar fqinjët e tij që ta bëjnë të njëjtën gjë. Unë besoj se në muajt dhe vitet në vazhdim do të ecim të gjithë së bashku në këtë drejtim, që një ditë paqja e brishtë ballkanike të fitojë epitetin e asaj që quhet paqe demokratike mes kombeve. Por, është e domosdoshme që BE-ja të qartësojë parimin e barazisë së të gjitha shteteve të rajonit në perspektivën integruese”, tha kryeparlamentari Veseli.
Duke folur për sfidat e vendeve të Ballkanit dhe nevojën e mbështetjes nga Bashkimi Evropian, Kryeparlamentari Veseli ka përmendur edhe angazhimin e Kosovës për fqinjësi të mirë dhe dialog. Ai tha se institucionet e Kosovës janë të angazhuara në procesin e dialogut me Serbinë, në mënyrë që marrëdhëniet midis dy shteteve fillimisht të normalizohen, si hap i parë drejt procesit të njohjes reciproke si dy shtete të pavarura, që ndajnë të njëjtën aspiratë për të qenë pjesë e BE-së. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, u është adresuar sot përfaqësuesve të shumtë nga shtete të ndryshme të Evropës e më gjerë, të mbledhur në Vjenë, në Konferencën “Com-sult”, në të cilën po diskutohet për të ardhmen e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ministrja Hoxha në Vjenë: Do ta fuqizojmë sundimin efektiv të ligjit
PRISHTINË, 17 Janar 2017/ Në konferencës ndërkombëtare Com-Sult, që po mbahet në
Vjenë, me moton “Thirrja e së ardhmes”, ministrja kosovare e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka folur për perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në BE dhe është përqendruar në një nga kriteret kryesore për integrim-sundimin e ligjit.
“Ashtu siç Bashkimi Evropian është ndërtuar mbi vlerat e dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë, sundimit të ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtat e pakicave, po ashtu, ato janë vlera të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj duke i promovuar, fuqizuar dhe sendërtuar ato”, theksoi ministrja Hoxha.
Ministrja Hoxha theksoi rëndësinë dhe gatishmerinë e bashkëpunimi midis BE-së dhe Kosovës me qëllim të forcimit të pavarësinë, paanshmërinë, llogaridhënien dhe efikasitetin e gjyqësorit në funksion të fuqizimit të sundimit të ligjit. Më tej, ministrja përmendi progresin që ka shënuar Kosova deri më tani në luftën kundër krimit, duke theksuar se kjo luftë është prioritet i Republikës së Kosovës si e vetmja rrugë drejt integrimit në strukturat evropiane.
Ndër të tjera, ministrja Hoxha theksoi edhe rëndësinë që ka sundimi efektiv i ligjit për ambientin e të bërit biznes duke krijuar siguri më të madhe juridike për biznese vendore si dhe investitorët e huaj.
Ministrja Dhurata Hoxha, ritheksoi gatishmërine e Kosovës dhe popullit të saj për t’u bërë pjesë e BE-së, vlerat dhe parimet e të cilës tashmë janë pjesë e Shtetit dhe shoqërisë kosovare./b.j/