Shkruan Mal Berisha/
Sot në tërë Europën janë përkujtuar martirët britanikë të asaj organizate që njihet me emrin Special Operations Executives, ose Ushtria e Fshehtë e Churçillit. Ishte kënaqësi e veçantë të nderonim të rënët britanikë të SOE në truallin shqiptar, me ftesë të Sh.T, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Shqipërisë, z. Nicholas Cannon. Këtë ditë përkujtimore e nderoi edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T. z. Bujar Nishani.
Me këtë rast po postoj pjesë nga libri I sapo dalur nga botimi:
REALITETE SHQIPTARO – BRTIANIKE –
Në aktet më të rëndësishme, dashamirëse dhe ndihmën më të madhe të dhënë nga ana e Britanisë së Madhe ndaj Shqipërisë, është futja e vendit tonë në hartën e veprimeve të SOE. Një numër i madh djemsh e vajzash britanikë shkuan në Shqipëri për tu ballafaquar me një terren dhe situatë krejtësisht të panjohur edhe pse misioni i tyre ishte pro përkrahjes të shqiptareve. Dhe lind pyetja se çfarë ishte kjo organizatë?!
Në rrjedhojë të Luftës së Dytë Botërore, me rënien e Francës në duart e nazistëve, lindi nevoja e menjëherëshme e krijimit të një force vullnetare luftarake britanike, e cila do të zhvillonte një luftë ndryshe kundër ushtrive hitleriane. Kjo forcë u pagëzua me emrin; Special Operations Executive (SOE) ndërsa misioni i saj ishte të kryente akte spiunazhi dhe sabotazhi në prapavijat e nazistëve. Luftëtarët e këtij formacioni do të nxirrnin trenat nga shinat, të shembnin urat si dhe të sabotonin fabrikat e prodhimit të armëve. Ata do të ndihmonin organizmin e luftës guerrile në të gjitha vendet e pushtuara nga armiku. Në 16 korrik 1940, Kryeministri Churchill emëroi Hugh Dalton si mjeshtrin politik të SOE-s dhe menjëherë e urdhëroi atë të fillonte veprimtarinë në terren. Organizata punësoi ose me saktë angazhoi 13.000 pjestarë prej të cilëve 3.200 ishin femra. Ajo u shpërnda zyrtarisht me datën 15 janar të vitit 1946. Agjentët e SOE në qershor të vitit 1941, arritën të shpërthenin stacionin elektrik francez Pessac. Ky akt u prit në Londër si një sukses dhe krijoi bindjen se nuk ishin vetëm bombat ato që do të shkatërronin makinën ushtarake gjermane. Ky operacion çoi në qindra të tjera anë e mbanë Europës deri në Lindjen e Largët, në Japoni. Në vitin 1942 një skuadër e SOE–s vrau zëvendësin e Hitlerit, Reinhard Heydrich me një granatë; Në Greqi në vitin 1942 ata shkatërruan urën e Gorgopotamos, duke i prerë furnizimet ushtrisë së Romelit në shkretëtirë; Në Norvegji shkatërruan një fabrikë të ujit të rëndë, duke i dhënë fund ëndrrës naziste për prodhimin e një bombe atomike. SOE mund të godiste armikun në çdo kohë dhe në çdo vend.
Cili ishte roli i SOE–së në Shqipëri?
Dy fotot në krye të këtij teksti bëjnë lidhjen midis dy cepave fundorë, kohorë të kësaj historie. E para është statuja që simbolizon luftëtarët e SOE–s, e ngritur në Londër, në Albert Embankment, në anën e Lumit Tames, në një baraz-largësi midis Urës Lambeth dhe London Eye . Tjetra është një fotografi e memorialit të të rënëve të SOE–së në Tiranë, të vendosura në vitin 2012, me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
SOE, përveç vendeve të tjera si Francë, Poloni, Gjermani, Hollandë, Belgjikë, Itali, Jugosllavi, Hungari, Greqi, Kretë, Çekosllavaki, Norvegji, Danimarkë, Rumani, Abisini, Azinë Juglindore veproi edhe në Shqipëri. Një grup i vogël ndërlidhës hyri nga Greqia në Shqipëri në vitin 1943. Agjentët e SOE–së ishin Julian Amery, Anthony Quayle, Davis Smiley dhe Neil “Billy” McLean.
Por si u zhvilluan operacionet e SOE–së në Shqipëri?! Këtë na e ka përshkruar më së miri Rodrick Bailey në librin e tij:
SOE në Tokën e Shqipeve .
Në vitin 1943, një ekip i vogël elitë i ushtarëve britanikë, filloi të zbriste me parashutë në malet e Shqipërisë së pushtuar. Ata ishin pjestarë të SOE–s dhe kishin si detyrë të gjenin dhe të armatosnin çetat e luftëtarëve guerrilas dhe të sulmonin armikun sa më shumë që të mundeshin. Ata kurrë nuk kishin shkelur në Shqipëri dhe as që dinin se çfarë do t’i priste atje.
Duke u përpjekur të mbijetonin në kushtet më ekstreme dhe në një terren tejet të vështirë këta britanikë të rinj jetuan nën rrezikun e përhershëm se mos binin në duart e armikut ku i priste vdekja e sigurtë. Përveç sëmundjeve, pamundësisë për një jetë të pastër, atyre iu shtohej edhe fakti se guerrilasit shqiptarë, sipas Roderick Bailey-t, ishin në konflikt me njëri – tjetrin. Në këtë libër të jashtëzakonshëm autori ka përdorur intervistat me të mbijetuarit, ditare të fshehura prej kohësh dhe të deklasifikuara më së fundi, të cilat dëshmojnë historinë e jashtëzakonëshme të SOE–së në Shqipëri.
SOE, sipas dokumentave të saj deri në vitin 1945, ka dërguar në Shqipëri 7.000 pushkë, 5.000 armë gjysmë automatike, 1.800 mitroloza të lehtë, bashkë me 16 milion e pesëqint(pesëqind) mijë fishekë, 240 mortaja, me 25.000 bomba, dhe 25.000 granada përveç pistoletave dhe gjashtëdhjetë mitralozave gjysëm të rëndë. Po ashtu ata dërguan 28.000 palë rroba ushtarake, 57.000 palë çizme ushtarake, 14.000 batanie, 390 fenerë, 6 xhipsa, dhe një motorbarkë. Ata dërguan edhe qindra ton me ushqime.
Nga grupi i parë prej 50 britanikëve që zbritën në Shqipëri, 16-të mbetën të vrarë ndërsa 17 të mbijetuar janë dekoruar. Në atë periudhë kohore të veprimtarisë së SOE–së në Shqipëri, dhanë jetën 53 pjesëtarë të këtyre forcave. Autori e fillon rrëfimin e tij dramatik me pjesë nga vepra e autorit tonë të madh Ismail Kadare që u bë i famshëm me “Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur”. Historia e mbetjeve të eshtrave të këtyre të rënëve britanikë është tejet e dhimbshme. Ata kurrsesi nuk mund të vlerësohen si armiq pushtues të Shqipërisë. Përkundrazi, ata erdhën dhe dhanë jetën për të nxitur dhe ndihmuar popullin shqiptar të çlirohej nga fashizmi dhe nazizmi. SOE u shpërnda zyrtarisht me datën 15 janar të vitit 1946. Pas luftës ata bënë përpjekje të mëdha për të mbledhur eshtrat e të rënëve të tyre, si kudo tjetër edhe në Shqipëri.
Regjimi i Enver Hoxhës, i cili kishte marrë tërësisht një kurs, fillimisht pro-Jugosllav e më vonë pro–sovjetik, i solli shumë pengesa britanikëve për të marrë eshtrat e djemve e vajzave të veta. Autori tregon sesi përkundër tërë pengesave të qeverisë, një oficer i quajtur MacIntosh gjeti një mbështetje të jashtëzakonshme tek populli shqiptar që u tregua aq bujar ndaj tij. Kështu në shkurt të vitit 1946, ai pasi kishte shkuar fshat më fshat, e breg më breg në kërkim të tyre, arriti të mblidhte eshtrat e të rënëvë britanikë në Shqipëri. Fatkeqësisht, MacIntosh u përzu nga qeveria shqiptare si “reaksionar dhe armik i popullit shqiptar” dhe misioni i tij mbeti i pambaruar. Por më e keqja ende nuk kishte ndodhur. Qeveria angleze ia besoi ambasadës franceze detyrën për marrjen e eshtrave. Në vitin 1950 një atashe francez, shkoi të vizitonte varrezat e britanikëve në Shqipëri. Ai nuk gjeti asnjë gjurmë të tyre. E drejta e këtyre njerëzve për tu prehur në një vend të qetë u “fitua” vetëm pas rënies së diktaturës komuniste në Shqipëri. Ata u mblodhën dhe u vendosën në një varrezë në Parkun e Tiranës. Me datën 11 nëntor 2012, Ambasadori Britanik në Tiranë ShT z. Nicholas Cannon dhe Kryeministri i asaj kohe Dr. Sali Berisha organizuan një shërbesë përkujtimore në varrezën e britanikëve prapa Universitetit të Tiranës. Ata ishin 53 të rënë, por vetëm 46 prej tyre i kanë pllakat e varreve mbi kokë.
Shqipëria i ka borxh nderi këtyre të rënëve për kontributin në çlirimin e vendit tonë. Pas kthimit në atdhe, veteranët e SOE që shërbyen në Shqipëri i shërbyen vendit të tyre në fusha të ndryshme të jetës. Shumë prej tyre u bënë njerëz të shquar dhe politikanë të zotët. Le të veçojmë disa prej tyre:
Harold Julian Amery, Baron Amery of Lustleigh, (1919–1996)
– Politikan konservator britanik, i cili shërbeu tre dekada si figurë drejtuese e kësaj partie dhe 42 vjet anëtar i parlamentit. Ai ka shërbyer si oficer ndërlidhës i SOE për lëvizjen e rezistencës antifashiste shqiptare në vitet (1943–1944) në përbërje të grupit të quajtur “Tre Mosketjerët” bashkë me majorin Davis Smiley dhe kolonelin Neil McLean.
John Anthony Quayle, aktor i madh i teatrit anglez, shërbeu si oficer i shërbimit të fshehtë anglez gjatë luftës. Në vitin 1943 mbërriti në Tragjas, Shqipëri. Aty u takua me një oficer tjetër të SOE–së të quajtur Jerry Field të cilin e zëvendësoi, pasi ai ishte plagosur në një ditë peshkimi. Pas luftës ai iu kushtua aktrimit dhe drejtoi Teatrin Memorial të Shekspirit ku dhe hodhi themelet e krijimit të Kompanisë Mbretërore të Teatrit Shekspirian. Ai ka luajtur rolet e Falstafit, Otellos, Henrin e VIII-të si dhe ka interpretuar edhe me Lorenc Oliverin dhe ka një galeri të pafund rolesh. Për ne shqiptarët mbetet figurë e dashur pasi jo vetëm që shërbeu në Shqipëri, por ishte anëtar aktiv i përhershëm i Anglo Albanian Association. Vdiq në vitin 1989.
Kolonel Davis Smiley (1916–2009) ishte një oficer i shërbimeve të fshehta britanike. Në luftën e Dytë Botërore ai ka luftuar në Palestinë, Irak, Persi, Siri si dhe ka vepruar me SOE–në, në Shqipëri dhe në Tailandë. Ai ka shkruar librin ”Albanian Assignment”.
Kolonel Neil “Billy” McLean(1918–1986), oficer i shërbimeve të fshehta britanike i SOE në Shqipëri dhe më pas politikan i shquar. Më pas ka shërbyer si anëtar i Parlamentit Britanik. Në Prill të vitit 1943 ai u hodh me parashutë në Shqipëri ku ra menjëherë në kontakt me partizanët e Brigadës së Parë Sulmuese. Ai u përpoq të pajtonte grupet e ndryshme në Shqipëri. Pas një periudhe në Angli u kthye përsëri në Shqipëri në vitin 1944 me ekipin e vogël të Tre Mosketjerëve (shih më lart).
Magaret Hasluck për të cilën flitet në këtë libër, shërbeu në SOE. Pas luftës, dhe pas ekzekutimit nga komunistët të mikut të saj shqiptar, Lef Nosi, ajo u sëmur rëndë dhe vdiq në varfëri në Dublin në vitin 1948. Atë e ndihmuan miqtë e saj të SOE–së në ditët e fundit të jetës në mënyrë anonime.
Billy McLlean shërbeu si konsull në Sianking. Tony Neel shërbeu në forcat ajrore, Bill Tilman u bë gazetar i njohur. Shumica e tyre i shërbyen Britanisë në fusha të ndryshme, duke treguar se ishin po aq të guximshëm e të talentuar në paqe sa ç’ishin në luftën që zhvilluan në Shqipëri në shërbim të popullit shqiptar. Shqipëria iu ka borxh nderi si të rënëve, ashtu dhe të mbijetuarve, për kontributin në çlirimin e vendit tonë nga nazi-fashizmi.