• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

INFERMJERJA E REÇAKUT ZBULON DITARIN E LUFTËS

January 15, 2021 by dgreca

Mevlide Zymberi infermjere, dëshmitare në masakrën e Reçakut në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol PAJA, për gazetën “DIELLI”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, tregon për herë të parë për publikun e gjërë ditarin e luftës dhe genocidin serb mbi shqiptarët e Kosovës.

KUSH ËSHTË INFERMJERJA MEVLIDE SALIH ZYMBERI-RUSHITI

Mevlide Salih Zymberi-Rushiti ka lindur me 15.09.1971 në fshatin Reçak të Shtimës. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, gjimnazin në Shtimë kurse shkollën e mjeksisë e ka kryer në Mitrovicë. I përket gjeneratës që perjetuan bojkotime të mësimit, demostrata, helmimet e nxënësve dhe shumë keqtrajtime tjera që iu bënë gjatë asaj periudhe nga okupatori serb. Ishte frymëzuar për atdhedashurinë që nga fëmijëria, ishte udhëheqëse e grupeve Rinore dhe merrej me aktivitete të shumta. Porsa e përfundoi shkollën e mjeksisë filloi punë si infermiere në Ordinancën private Nora Medikus në Reçak me dr.Vezir Bajramin po nga i njëjti fshat që nga 1 shkurti i viti 1993  deri me 14 qershor të vitit 1998 ku nga forcat serbe u mbyll gryka e Carralevës dhe filluan granatime të ashpra mbi fshatrat e komunës së Shtimës  ku po në këtë ditë patën rastet e para të të plagosurve.

NË SHËRBIM TË UÇK

Qe nga ajo ditë ne kemi shërby për ushtarët e UÇK-së njëkosisht edhe për popullatën civile. Kështu që si infermiere e re që isha u ballafaqova me raste të ndryshme të të sëmuarve, të plagosurve të moshave të ndryshme  duke filluar nga fëmijët e deri në mosha të shtyra  por ma e vështirë ka qenë kur kam pas raste të ballafaqohem me kufoma të tmerrshme që edhe sot e kësaj dite ende më rrijnë para syve. Vlen ta përmendi  kur për herë të parë e sollen vajzën e Liman Hysenajt nga Petrova 2 vjeçare pa shenja jete, më kujtohet sikur sot  një ushtarë ma ka lëshuar në duar dhe iku me vrap për ti sjellur të tjerët të plagosur që ishin plagosur nga e njëjta granatë që kishte ra në oborrin e Limanit e cila ja kishte plagosur gruan që e kishte vajzën në krahë dhe djalin 12 vjeç ja kishte mbyt aty kishte edhe të tjerë të plagosur. U mundova me frymëmarrje artificiale e me reanimim por ishte e kotë doktori e konstatoi që ishte pa shenja jete (e vdekur) por unë nuk u pajtojsha ta lë atë engjell të pafajshëm të vdiste, ishte korriku i vitit 1998. Por kjo mua nuk më theu përkundrazi më bëri dhe më të fortë të jemë në shërbim për t’ju ndihmuar të gjithëve në çdo moment. Vlen ta theksoj edhe ketë: ishte fundi i korrikut 98, ne ishim në ambulancën e improvizuar në fshatin Petrov kur e degjova një zë: po vijnë një i plagosur unë me të shpejtë bëja përgatitjen e materialit sanitar për të plagosurin kur arriti në derë me dy përcjellësa unë mbeta e shtangur kur e shikova se ishte vëllau im Nesret Zymberi, e kishte një plagë në krahun e majt mbi bërryl, gjaku i kishte mbuluar maicën dhe pantollonat unë nuk e dija ku e kishte plagën më kujtohet ende ai zë i butë kur me tha mos u mërakos motër kjo është plagë lirie jam i plagosur në krahë por gjaku më ka rrjedh në trup asgjë nuk kam. Ishte për 7 vite më i ri se unë por me një karakter të fortë. Ne si ekip shëndetësore  kemi shërbyer në Zonën Operative të Nerodimës ku komandant zonë ishte Shukri Buja, komandant batalioni Ahmet Kaqiku, komandant brigade Afet Bilalli  e shumë të tjerë të nderuar. Sektorin e shëndetësisë e ka udhëhequr dhe organizuar dr.Vezir Bajrami i cili ka qenë një ndër mjekët e parë të ZON, që nga fillimi i luftës e deri pas bombardimeve të NATO-s kur kanë ardhur disa mjekë nga Ferizaj. Dr.Veziri dhe unë në javën e fundit të dhjetorit 1998 e kemi bërë vaksinimin e ushtarëve me vaksinën TT(kundër tetanosit) që të jenë sado pak të mbrojtur në rast të lëndimeve. Kemi udhëtuar në çdo fshat ku ka pasur ushtarë për ti vaksinuar përkundër dimrit të ftohtë e të acartë që ka qenë në atë vit. Unë si infermiere në shumicën e rasteve e kam kry edhe punën e mjekut  p.sh në përpunimin e plageve kur kishim dy apo më tepër të plagosur në të njëjtën kohë, kam dhënë injeksione, infuzione terapi orale, kam përcjellë lindje thuaja të gjitha punët i kemi kry dr.Veziri ishte internist me profesion po në shumicën e rasteve e ka kry punën e kirurgut, njëkohësisht jam kujdes edhe për pacientet në stacionar  që e quanim atë kohë (spitalin e improvizar në shtëpi) për ushqimin e të plagosurve, pastërtinë e ambientit dhe garderobës.

SI NDODHI MASAKRA E REÇAKUT

Këtë të Premte 15 Janari shënohet përvjetori i 22 -të i Masakrës së Reçakut, datë dhe ditë  për të cilën fjalët janë të pakta për përshkrim, jo nga mungësa e fjalëve, por nga trishtimi i përjetuar nga regjimi barbar serb. Granatimet filluan herët në mëngjesin e 15 Janarit nga të gjitha anët. Ne u zgjuam dhe dolëm në ordincën e improvizur në shtëpinë e Fehmi Alushit në Petrovë, bëmë përgatitjen e materialit sanitar dhe bisedonim me të ndjerin dr.Vezirin se sot do të kemi të plagosur se ka shumë gjuajteje dhe grantime. Vërtetë ndodhi ashtu se dëgjoheshin luftime të ashpera. Që nga ora 7 e 30 minuta  filluan të plagosurit e parë të vijnë nga Reçaku të cilët e përshkruajshin situatën shumë dramatike. Në ora 9 e 15 kemi pasur ushtarët e parë të plagosur Zaim Jakupin dhe Adem Musliun mirëpo për shkak të luftimeve u detyruam të tërhiqemi nga Petrova të kalojmë në fshatin Luzhak ku bëmë përpunimin e plagëve dhe i vendosim infusionet mirëpo numri i të plagosurve sa vinte të shtohej mirëpo edhe këtu nuk ishim të sigurtë për shkak të granatimeve dhe me urdhër të komandës u detyruam të transferohemi me gjithë të plagosurit në shkollën e fshatit Lanisht kah mesdita ku ishte i vendosur batalioni i 60 nën udhëheqjen e komandant Gurit. Kur filloi të errësohej granatimet pushuan atëherë kanë filluar ti sjellin ushtarët e plagosur që kishin mbetur gjatë kohë në Reçak. Të plagosurit i sillnin njërin pas tjetrit shumica ishin rëndë të plagosur por edhe kishin humbur shumë gjak dhe ishin të ngrirë nga të ftohtit. Të plagosurin e fundit e kanë sjellë Afet Bilallin dikund kah mesnata cili ishte rëndë i plagosur, kishte humbur gjak dhe ishte i ngrirë. Ne nuk kishim kapacitet (kushte) për mjekimin e pacienteve te rëndë ku pas orës  2 i dërguam me një gjip niva 3 ushtarët që ishin në gjendje më të rëndë Afet Bilallin, Zaim Jakupin dhe Adem Ramadanin se te gjithë këta shiheshin që kishin edhe eshtra të thyer nga plagët e marra kishin nevojë për RTG(rengen ) ne kishim informata se në spitalin ushtarak  të Likocit ka ortoped, kirurg andaj i dërguam me shpresë se do ta marrin mjekimin adekuat kurse të plagosurit e tjerë mbetën nën përkujdesjen tonë ku ishin Ramadan Hysenaj, Luan Salihu, Afrim Syla, Enver Metushi, Njazi Mujota, Shaban Ndrecaj, Xhevat Qarri, Hyzri Veliu e tjerë. Brenda 24 orëve i kemi pas 75 të plagosur këtu më ka ardhur në ndihmë Vlora Asllani ishte në përfundim të shkollës së mesme të mjeksisë. Unë e njifsha edhe më herët se kishte bërë praktikë në ordinancën tonë edhe pse ishte e re me ka ndihmuar shumë në përkujdesjen e të plagosurve deri në fund të luftës kemi qëndruar së bashku. Të nesërmen me 16 Janar herët në mëngjes ekipa e jonë e udhëhequr nga Dr.Vezir Bajrami, Mevlide Zymberi dhe Vlora Asllani pasi e kemi bërë rehabilitimin  e të gjithë të të plagosurve kemi  marrë rrugën nga Llanishti për në fshatin Reçak. Në Reçak kemi mbërriti pas orës 8, po sa kemi mbërritur tek xhamia e fshatit jemi njoftuar nga bashkëfshatarët tanë se çka ka ndodhur një ditë më parë. Këtu ekipit tonë ju ka bashkangjitur edhe Nergjivane Azizi si fotoreportere. Tani kemi vazhduar punën tonë për ekzaminimin e të gjitha kufomave një nga një unë i kam shpalos dr.Veziri i ka përshkruar plagët dhe Nergjivani i ka bërë fotot. Aty ka qenë  tmerr, kufoma të masakruara në formën më barbare; njerëz pa kokë, zemrën e nxjerrur dhe lënë mbi kraharor, veshë të prerë, sy të nxjerrur, fytyrë të rrjepur, kafka të thyera e mënyra të ndryshme të masakrimit të tmerrshme.

WILLIAN WALKER DENONCON BOTËRISHT MASAKRËN E REÇAKUT

Pasi ne i kemi përfundu ka ardhur komisioni verifikues i OSBE-së në krye me Willian Walker pas orës 10 mesa e mbaj mend. Posa ka zbrit nga automjeti ka biseduar me disa persona që i kanë treguar për mjekun çka ka bërë. Atëherë Wallker u kthy nga mjeku dhe bisedoi me të dhe kërkoi që a ka mundësi me ardhur edhe një herë në vendin e ngjarjes doktori i tha po patjetër por kërkoi nga ai që gazetarët  dhe fotoreporterët e tij që mos të na bëjnë  neve inçizime se i kemi familjet në Shtimë e posa t’na  shohin serbët shkojnë e na masakrojnë familjet tona se aty kishte gazetarë nga e gjithë bota. Kemi vazhduar porsa e ka parë kufomen e parë pa kokë, pastaj grumbullin e kufomave tek kodra e Bebushit atëherë e ka kap kokën me duar dhe është drejtuar kah mjeku dhe i ka thënë ju jeni mjek me ekipen tuaj e ke bërë examinimin e kufomave atëherë mua nuk më nevojitet tjetër provë aty për aty i kan ngre satelitat dhe ia ka dhënë lajmin gjithë botës se çfarë ka ndodhur dhe ka kërkuar nga mjeku t’ia jep dokumentin e nënshkruar. Doktori ia ktheu ta përgatiti për nje orë se kjo është e shkruar me laps. Me urdhër të z.Walker me një kerr të UN (unicef) ekipin tonë na kanë kthyer në Petrovë ku doktori e kishte një makinë shkrimi klasike dhe me dy indigo i ka bër 3 fleta (kopje) dhe ia ka dhënë Walkerit të nënshkruara nga ne ekipi e shëndetësisë  me të cilën argument ka dëshmuar edhe në gjygjin e Hagës. Pastaj ne në mbrëmje jemi kthyer te pacientët e plagosur në Llanisht.

SËRBËT DONIN TË FSHIHNIN KUFOMAT

Kur lajmi mori botën, serbët panë se çfarë kanë bërë, donin ti fshehnin gjurmët e kufomave dhe të nesermen me 17 Janar filloi lufta për kufoma, edhe gjatë 3 ditëve pati luftime të ashpra mes forcave serbe dhe UÇK-së për mbrojtjen e kufomave. Edhe këto ditë patëm shumë të plagosur dhe të vrarë në mesin e të vrarve ishte edhe komandant Ahmet Kaqiku që bie për të mos vdekur kurrë në vijën e parë të frontit gjatë luftimeve.

DITARI I LUFTËS, KUJTIME TË TMERRSHME

Kur shfletoj ditarin e luftës  kthehem në ngjarjet e vitit 1998/99. Të gjitha ngjarjet në kokën time më duket se i kam të mbyllura veç e veç secilën sikur në folderët e kompjuterit. Më duket sikur një film kur shikon por këtu është pak më ndryshe se je vetë personash kryesor i filmit. Kur flas për ndonjë ngjarje të luftës jam shumë e emocionuar se më prek thellë në shpirt, më kthen në kohë, se unë e kam përjetuar luftën me ndjenja shpirtërore, nuk flas me thash e theme, nuk e kam parë luftën në TV por kam qenë prezent në atë ngjarje të tmerrshme. Normal që edhe kur flas, flas me një ton ndryshe me plot emocione sepse të gjitha ato pamje, ato ngjarje që i kam përjetu kanë qenë tronditëse dhe të pa imagjinuara. Shpesh ia bëj vetes pyetjen a jam unë kjo që e kam bërë atë punë? Pergjigjja është PO! Isha në moshën rinore, nuk kishim aspak frikë,nuk di sot me arsyetu pse nuk kemi ditur mu frikësuar, por besoj se e kemi pas një qellim të lartë, çlirimin e Kosovës, largimin e shkjaut nga trojet tona shekullore. Kur i kujtoj nganjëherë disa ngjarje të luftes gjat granatimeve, breshërit e plumbave e ne ishim të mbeshtetur për lisa, o zot  falë teje jemi sot këtu ku jemi sot, gjallë. Shpesh kur dëgjojnë fëmijët e mi ngjarje të luftës apo ndonjë datë historike më pyesin për luften, me dhimbje e krenari u shpjegoj dhe i frymëzoj për Kosovën, atdheun e tyre të lindjes (vendlindjen e dashur ) që ta kenë të njohur historinë për Kosovën pasi që tani jetojmë në Gjermani nuk kanë rast të mesojnë historinë e Kosovës. Nuk po ju dika jetës se me më pas thanë dikush para 22 viteve që ke me lanë Kosovën, ku me dit si ia kisha kthy përgjigjen, por jeta qënka e tillë që të sfidon me sfida të ndryshme.

HAGA PADREJTËSI ME SHQIPTARËT E KOSOVËS

Kjo padyshim që është një nga padrejtësit më të mëdha me të cilën po përballen shqiptarët e shekullit 21. Në rast se UQK-ja  do të ishte organizatë kriminale, atëherë vetvetiu lind pytja përse NATO dhe SHBA-të  intervenuan  (ishin aleat të ngushtë të UÇK-së). Kriminelë ishin vetë paramilitarët serbë të cilët vrisnin njerëz të pafajshëm, digjnin shtëpitë e shqiptarve, përdhunonin dhe zhvendosnin mijëra fëmijë, gra, pleq dhe qytetarë të pafajshëm. Kjo nuk do koment, Shqiptarët ishin në trojet e veta shekullore e mbrojtën pragun e shtepisë. Serbët erdhën nga Serbija për ta okupuar Kosovën.

LUFTA E UÇK E DREJTË DHE E PASTËR

Pa dyshim që jo vetem unë, por  gjithë populli shqiptar beson në pafajësinë e UÇK-së, pasi  që ajo ishte një luftë e drejtë, çlirimtare dhe bëhej për të mbrojtur idealet e vendit dhe  popullit shqiptar në Kosovë. Personalisht kam besim të plotë se vetë UÇK-ja dhe drejtuesit e saj të cilët sot po akuzohen padrejtësisht do të fitojnë nderin dhe lavdinë që i takon dhe do të zënë vendin e tyre në historin e popullit e kombit shqiptar.

Filed Under: Politike Tagged With: Ditari, Mevlide Zymberi, Recaku, Sokol Paja

KUJTESA- “REÇAKU”, MASAKRA QË TRONDITI BOTËN

January 14, 2021 by dgreca

Komandant Afet Bilalli “Qopa” i mbijetuar dhe luftëtar në betejën e Reçakut, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol PAJA, për gazetën “DIELLI”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, rrëfen masakrën e tmerrshme të policisë e ushtrisë serbe mbi popullsinë civile e të pafajshme të Kosovës në Reçak, plaçkitjet e djegiet e shtëpive, vrasje të kafshëve, masakra ndaj popullatës civile, dhunime sistematike të civilëve të pa armatosur, plagosje, vrasje, dhunim kufome, dëbime dhe spastrim etnik.

SI NDODHI MASAKRA E REÇAKUT

Në fund të muajit qershor të vitit 1998 fshati Reçak për herë të parë bombardohet me granata e mitralozë nga forcat policore e ushtarake serbe.

Kështu që shumica e banorëve u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre. Në korrik të vitit 1998 forcat ushtarake dhe policore të Serbisë ndërmarrin ofensivë të gjër në Kosovë ndaj popullit shqiptar, kjo ofensivë është koduar “Toka e Djegur” që do të thotë gjithçka që është shqiptare të shkatërrohet. Plaçkitje të shtëpive, djegie të shtëpive, vrasje të kafshëve, masakra ndaj popullatës civile, dhunime sistematike të femrave dhe në fund spastrim etnik. Po ashtu fshati Reçak nuk ishte kursyer nga kjo ofensivë. Në fund të muajit gusht 1998 ushtria dhe policia serbe prapë hodhën granata dhe gjuajtën me mitralozë fshatin Reçak dhe pastaj hynë në fshat. Ata plaçkitën shumë shtëpi pastaj edhe i djegën ato si dhe shkatërruan të gjithë ekonominë familjare. Ushtria dhe policia serbe frikësuan, keqtrajtuan psikologjikisht dhe fizikisht banorët e fshatit Reçak dhe disa tjerë u arrestuan. Kështu që në fund të muajit gusht 1998 spastruan tërë fshatin Reçak. Në fshat janë djegur dhe shkatërruar qindra shtëpi si dhe janë dëbuar me dhunë mijëra banorë të fshatit Reçak. Të gjithë këto krime, masakra, dëbime, spastrim etnik, gjenocid kanë ndodhur në sy të botës – Bashkimit Europian.

NDËRHYRJA E SHBA NË KOSOVË

SHBA nuk qëndroi e heshtur ndaj këtij terrori dhe gjenocidi të paparë ndaj popullit shqiptar. Kështu që në tetor 1998 dërgoi emisionar special diplomatik që ishte arkitekti  i Dayton i ndjeri Richard Holbrook që pas shumë përpjekjeve dhe presioneve arriti një marrveshje armëpushimi me Sllobodan Millosheviqin (krye kasapin e Ballkanit). Nga kjo marrëveshje u lejuan hyrja e misionit verifikues të OSBE-së, gazetarëve, shoqatave humanitare ndërkombëtare e të tjera. Në krye të misionit të OSBE-se në Kosovë ishte caktuar ambasadori amerikan Ëilliam Valker. Unë si komandant i njësive të UÇK-se në Reçak gjatë takimeve që kisha në nëntor – dhjetor 1998 si dhe në fillim të janarit 1999 kemi diskutuar për çështjen e sigurisë dhe kthimin e të zhvendosurve (refugjatëve) në shtëpitë e tyre në fshat. Kthimi i të zhvendosurve ishte shumë i vështirë apo i pa mundur sepse shumica e shtëpive ishin të djegura, të shkatrruara plotësisht. Kthimi i një pjese të vogël civile u mundësua në numër të vogël (disa dhjetëra civilë).

SERBËT RIKTHEHEN PËRSËRI NË REÇAK

Ka fundi i dhjetorit 1998 policia dhe ushtria serbe dërmori një aksion për të hyrë në Reçak por u pengua nga njësitë e UÇK-se që të hynë në fshat. Si pasojë e këtyre luftimeve u plagos Zv. Komandanti im Ali Rakip Beqa që ishte nga Kaçaniku si dhe ushtari Mehmet Agushi (oca). Kështu që forcave serbe iu pamundësua hyrja në Reçak dhe u zmbrapsën. Pas disa ditë njësitë speciale diverzante serbe tentuan të hynë në fshat por prap nuk arritën. Ne vazhdimisht kemi informuar misionin e OSBE-së që ushtria dhe policia serbe po tentojnë të hynë në Reçak. Më 14 janar 1999 me mijëra forca ushtarake dhe policore serbe duke u mbështetur nga artileria e rëndë ushtarake si dhe brigada e motorizume zbarkuan në Shtimë konkretisht “Te pishat e Shtimës”. Po zbardh mëngjesi i 15 janarit 1999, Reçaku ishte në rrethim të hekurt nga ushtria dhe policia serbe. Ky operacion është quajtur nga forcat serbe “Kafshimi i miut” që do të thotë zhdukja e çdo gjurme. Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit njësitë operacionale speciale serbe (JSO) u futën në prapashpinë duke filluar nga fshati Belinc arrin tek “Guri i Bagdashit” dhe vazhdojnë drejt vendit të quajtur “Gërkovë” mbi Reçak. Kurse nga kodra e quajtur ” Qesta” lëvizin brigada e motorizume ushtarake serbe e udhëhequr nga koloneli Krsman Jeliç. Ndërsa nga rrugët kryesore që të shpien në Reçak vinte policia serbe.

BILANCI TRAGJIK I LUFTIMEVE NË REÇAK

Në orët e hershme të mëngjesit (6 e 30 në mëngjes) filluan luftimet. Kështu që gjatë luftimeve të orëve të para të 15 janarit u vranë 9 ushtarë ndërta ishte Zv. Komandanti im Ali Beqa që ishte akoma me plagë të freskëta dhe komandanti i togës Shaqir Berisha. Ushtarët e tjerë të vrarë ishin : – Ismajl Luma

– Sadik Mujota

– Mehmet Mustafa

– Nazim Kokollari

– Skender Qarri

– Kadri Syla

– Enver Rashiti

Ndër të plagosurit ishin :

– Afet Bilalli

– Afrim Syla

– Zaim Jakupi

– Njazi Mujota

– Ramadan Hyseni

– Shaban Ndrecaj

– Adem Musliu

– Luan Salihu

Rreth orës 7 të mëngjesit duke tentuar për të thyer rrethin mbrapa shpine, unë u plagosa rëndë në afërsi nga raket hedhësi. Me vete kisha ushtarin Skender Qarri (Kaquli) që me thikën time e preu pjesën e mbrëndshme të jaknës së tij si dhe ma lidhi plagën. Pas 30 minutave ai më tha “Komandant më kan qëlluar” unë i thash erdha. Duke ia dhënë ndihmën e par ai ndërroj jetë në duart e mia. Kështu që aty morra dhe 5 plagë të tjera, qëndrrova në një prrua me ujë dhe akull dhe me shumë gjakderdhje. Në mbrëmje erdhen për të tërhequr Komandanti i brigadës 161 Ahmet Kaqiku si dhe z.v Komandanti i brigadës 161 Nebih Musliu «Abazi », Nustret Salihi «Zeneli », dhe personi i 4 që nuk po më kujtohet. Gjendja ime ishte shumë e rëndë përveç që kisha plagë shumë, kisha gjakderdhje dhe trupi im ishte i ngrirë. Pas gjithë këtyre luftimeve forcat ushtarake dhe policore serbe arritën të hynë në fshatin Reçak ku ishte gjithçka e organizuar dhe planifikuar nga qeveria e Serbisë që të masakrohej i tërë fshati Reçak si dhe të zhduken kufomat e masakrës së Reçakut. Plani ishte i përgaditur nga ministria e mbrojtjes, ministria e puneve të mbrëndshme, shtabi i përgjithshëm serb, shërbimi inteligent civil dhe ushtarak, ku në krye të këtij planifikimi ishte zv. Presidenti i serbise Nikola Shajnoviq. Ky plan i detajuar si dhe kodi “Kafshimi i Miut” iu është prezantuar presidentit të Serbisë Sllobodan Millosheviq ku ai e aprovoi. Në krye të kësaj ofensive është caktuar gjenerali i njësitëve speciale (JSO) Goran Radoslleviq i njoftur me nofkën “guri” i cili ishte i afërt i Nikola Shajnoviqit.

KRIMET BARBARE SERBE MBI POPULLSINË SHQIPTARE TË KOSOVËS

Edhe pse unë kisha shumë të vrarë dhe të plagosur, luftimet nuk u ndalën pasi që kishin ardhur përforcime nga Brigada 60 diversante vëzhguese pranë Shtabit të përgjithshëm të UÇK-së në krye me komandant Guri (Jetullah Qarri) si dhe komanda e brigadës 161 e vendosur në fshatin Mollopolc që komandanti ishte Ahmet Kaqiku dhe zv. komandant Nebih Musliu si dhe komanda e zonës operative të Nerodimës me seli në Mollopolc. Pasi që forcat serbe ishin futur në Reçak filluan të realizojnë planit e tyre për të masakruar të gjithë civilët që gjindeshin në Reçak. Forcat serbe arrestuan, identifikuan, i toruruan mizorisht pastaj i dërguan në vënd të caktuar në kodër (krye shpati) ku dhe i masakruan. Civilët ishin të masakruar në mënyrë barbare (nxjerrje e syve, prerje e veshëve, nxjerrja e organeve të mbrëndshëme : zemrës, mushkrive, mëlqive si dhe prerja e kokës të një i moshuari Banush Kameri i cili ishte me plis të bardh dhe morën kokën si trofe). Ndër të masakruarit kishte civilë me të meta psikike, kështu që nga kjo masakër nuk është kursyer askush për asgjë. Në orët e mbrëmjes së 15 janarit 1999 ushtria dhe policia serbe filloi të tërhiqet nga luftimet në Reçak por nuk arriti ti marrë (zhdukë) kufomat e masakrës së Reçakut sikur e kishin të planifikuar.

ED SULLIVAN  DHE AMBASADR WILLIAM VOLKER FUTEN NË REÇAK

Gjatë kësaj masakre kishin mbijetuar disa civilë ndër ta Nustret Shabani (dëshmitar i Tribunalit të Hagës për krime lufte), Rame Shabani, Imer Gashi, Bilall Avdiu. Në orët e vona të 15 janarit këta të mbijetuar të masakrës treguan për këtë masakër që ka ndodhur, kjo informatë iu është dhënë misionit të OSBE-së. Të nesërmen me 16 janar misioni i OSBE-së pas shumë përpjekëve hynë në Reçak dhe i pari ndër ta ishte Ed Sullivan nga New York-u bashkëpunëtor i ngushtë i William Volker dhe i kërkuan që të vijë në Reçak sepse aty kishte ndodhur diçka e tmerrshme që nuk kishte ndodhur që nga lufta e 2 botërore. Pa hezitim shefi i OSBE-se William Volker vizitoi Reçakun ku dhe e pa të vërtetën në vendin e ngjarjes dhe e tha të vërtetën se ky është krim kundër njerzimit. Ne më 16 janar ju kemi drejtuar me një kërkesë Tribunalit të Hagës që ta hetojë këtë masakër mirëpo Serbia nuk ka dhënë leje zyrtarëve të Tribunalit të Hagës (prokuror, hetues, gjykatës) të hyjnë në Kosovë – Reçak. 

SERBËT KTHEHEN NË VENDIN E KRIMIT

Më 17 janar 1999 filloi krimi i dytë ku forcat serbe filluan ofensivën tjetër për t’i marrë kufomat e masakrës së Reçakut. Ndërsa UÇK rezistonte për mbrojtjën e kufomave kështu që në vijën e parë të frontit bie heroikisht komandanti i Brigadës 161 Ahmet Kaqiku  dhe Vezir Jashari. Masakra e Reçakut tronditi botën e civilizuar dhe demokratike kështu që u thirr konferenca e Rambouillet (Paris) ku organizator të kësaj konference ishin: ish-presidenti amerikan Bill Clinton dhe sekretarja e shtetit amerikan Madeleine Albright. Delegacioni shqiptar nënshkruajti marrveshjen kurse Serbia refuzoi nënshkrimin e marrëveshjes. Kështu që me 24 mars 1999 filloi ndërhyrja e NATO-s ndaj pikave ushtarake dhe policore serbe. Masakra e Reçakut ishte fundi i terrorit dhe gjenocidit serb mbi popullatën civile sepse masakra e Reçakut mobilizoi komunitetin ndërkombëtar për t’i dhënë fund terrorit, gjenocidit dhe spastrimit etnik ne Kosovë.

AFET BILALLI KUNDËR KASAPIT SLLOBODAN MILLOSHEVIÇ

Tasht 22 vite kur e përkujtojmë masakrën e Reçak-ut asnjë prej planifikuesve, urdhëruesve dhe pjesëmarrësve nuk u arrestuan dhe as nuk u gjykuan për këtë masakër. Kjo është edhe një padrejtësi e madhe që po bëhet ndaj familjarve e të masakruarve në Reçak. Ngushllimi i vetëm për viktimat e masakrës dhe familjarve të tyre është nxerrja para drejtësisë e krimineleve të luftës. Për herë të parë do ta them publikisht se në vitin 2003 më kanë kontaktuar Tribunali i Hagës (prokuroria) dhe më kanë kërkuar që të jem dëshmitar i Tribunalit të Hagës për krime lufte ndaj Sllobodan Millosheviçit për masakrën e Reçakut.

Filed Under: Featured Tagged With: Komandant Afet Bilalli “Qopa”, Recaku, Sokol Paja

Reçaku, gurë themeli i shtetit të Kosovës

January 15, 2016 by dgreca

-Presidentja Jahjaga vendosi kurore lulesh në Kompleksin Memorial në Reçak dhe nderoi viktimat, mori pjesë në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të shtatores së ambasadorit amerikan William Walker, që do të ndërtohet afër kompleksit/
-Në 17 vjetorin e masakres së Reçakut homazhe dhe akademi përkujtimore. Masakra e Reçakut është një nga dëshmitë rrënqethëse të krimeve në luftën e fundit në Kosovë, kur forcat serbe vranë, masakruan, por edhe zhdukën, më shumë se 12 mijë shqiptarë, e në fushatën e gjenocidit e spastrimit etnik rreth një milion i dëbuan, shumicën drejt Shqipërisë.
Nga Behlul Jashari/ REÇAK, 15 Janar 2016/ Me homazhet që po zhvillohen në Kompleksin Përkujtimor dhe me një akademi po kujtohet sot në 17 vjetor masakra në Reçak, fshat i Kosovës në komunën e Shtimes, ku në 15 janarin e vitit 1999 forcat serbe rrëmbyen nga shtëpitë e tyre dhe ekzekutuan mbi 40 banorë civilë.
Homeazhe në Kompleksin Përkujtimor të Reçakut bëjnë edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Presidentja Jahjaga vendosi kurore lulesh në Kompleksin Memorial në Reçak dhe nderoi viktimat, mori pjesë në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të shtatores së ambasadorit amerikan William Walker, që do të ndërtohet afër kompleksit, Gjithashtu, Presidentja Jahjaga mori pjesë në akademinë përkujtimore, që u mbajt në Shtëpinë e Kulturës në Shtime.
Në fjalimin e mbajtur në këtë akademi, Presidentja Jahjaga tha, se në çdo përvjetor me dhembje dhe krenari kujtojmë më të dashurit tanë, njerëz të pafajshëm të vrarë në mënyrën më mizore – viktima të krimit kundër njerëzimit.
“Çdo përvjetor është dhembje e sërishme, një kujtesë e pashlyer e juaja, banorëve të Reçakut, dhe e të gjithë neve në Kosovë që e ndjejmë dhimbjen bashkë me ju. Reçaku, shënoi kthesën e madhe historike për Kosovën duke forcuar bindjen e bashkësisë ndërkombëtare se ndërhyrja për të shpëtuar një popull nga gjenocidi, ishte e paevitueshme”, tha ajo.
Reçaku, vijoi Jahjaga, është fundi i një historie të dhunës, të krimit dhe të vrasjeve dhe dëshmon sakrificën e madhe të gjeneratave të tëra për lirinë e pavarësinë e Kosovës, ai është gurë themeli i ndërtimit të shtetit të ri të Kosovës.
“Reçaku është dhimbja dhe krenaria; fundi i një epoke të rëndë dhe hegjemoniste; është forca dhe guximi; vullneti për ta bërë një Kosovë më ndryshe – të qytetarëve të lirë dhe të pavarur! Njerëz të barabartë me këdo në botë!
Reçaku është një rrëfim i pandarë i një miqësie të përjetshme me SHBA-në dhe një lidhje e fuqishme me vendet e BE-së”, theksoi Presidentja Jahjaga.
Në vijim ajo tha se, përvjetorët në Kosovë kanë histori të dhembjes po aq sa e dhembshme është vetë historia e këtij vendi, që ka bërë përpjekjet e sakrificën e jashtëzakonshme në rrugën për liri dhe pavarësi. Përvjetorët shënojnë krenarinë e popullit, kujtimin e pashlyer për njerëzit e tij, ndajnë dhembjen për ata që kanë rënë dhe mbi të gjitha janë përkujtuesi më i mirë se e kaluara nuk mund të përsëritet, sepse e tashmja ndërtohet në paqe dhe mirëkuptim për të ardhmen më të mirë për gjeneratat e ardhshme.
“Është obligim yni që ta përmbushim amanetin e atyre që kanë sakrifikuar për një Kosovë më ndryshe – ku gërmadhat e luftës të mbesin pjesë e pashlyer e historisë; ku Atdhe është toka e të gjithëve që jetojnë në të pa dallim; ku perspektiva për të gjithë është shteti i qytetarëve dhe ku e ardhmja ndërtohet bashkërisht, në demokraci, liri dhe barazi.
Është zotim i të gjithëve për ta përmbushur vizionin e bërjes së shtetit të së drejtës – ku unë dhe ti – qytetarë të Republikës – kemi shanse dhe të drejta të barabarta, po aq sa edhe obligime për ta pasur shtetin e pakorruptuar dhe të fortë ekonomikisht. Është përkushtim yni për ta bërë një tokë të premtuar, një shtet të zhvilluar e të përparuar në të cilin secili do të gjejë perspektivën e tij pa patur nevojë që ta kërkojë diku tjetër”, u shpreh Jahjaga.
Dhe, vijo ajo, zhvillimi ynë varet nga vetë ne, po aq sa varet edhe rruga jonë drejt integrimeve nga puna dhe angazhimi ynë, nga pjekuria jonë për të gjetur mënyrat e bërjes së shtetit, bazuar në ligj dhe në Kushtetutë.
“Po aq sa dallimet tona politike të jenë pjesë e rivalitetit politik dhe jo armiqësisë politike dhe po aq sa dialogu të jetë themeli i zgjidhjeve për problemet. Ne kemi arritur deri këtu duke kaluar sfida dhe probleme; vite të rënda të përballjeve edhe në skenën e brendshme dhe posaçërisht atë ndërkombëtare. Ne jemi në gjysmë të rrugës për ta bërë shtetin – pjesë të pandashme të kombeve të lira dhe prandaj nuk mund të ndalemi dhe as të pushojmë; nuk mund të rikthejmë historinë dhe as të sfidojmë miqësitë”, theksoi Presidentja e Kosovës.
Jahjaga u shpreh më tej se, paqja ndërtohet me mund dhe ajo nuk mund të humbet.
“Gjuha jonë është gjuha e dialogut dhe jo e dhunës; është shtrirja e dorës së mirëkuptimit dhe jo e përplasjes; është përpjekje për të gjetur zgjidhje pa prekur shtetin, pa sfiduar institucionet dhe pa rrënuar themelin e tij. Në këto sfida politike do të na duhet që sërish të ulemi dhe të flasim, dhe të gjejmë zgjidhje të përbashkëta – me gjuhën e dialogut”, theksoi Presidentja kosovare.

Kosova, tha Jahjaga, është amaneti i gjeneratave të tëra.
“Dhe ne nuk mund ta humbim shansin për ta bërë të plotë atë. Për ta bërë shtetin e krenarisë për të gjithë ata që sakrifikuan, për ne që sot po e ndërtojmë dhe për gjeneratat e reja që do ta gëzojnë.
Në çdo përvjetor, përkundër dhembjes dhe pikëllimit, ndjehemi krenarë për historinë tonë, për të gjithë ata që nuk kursyen asgjë për të realizuar ëndrrën shekullore për Kosovën shtet të pavarur e sovran.
I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë dëshmorët!”, tha Presidentja e Kosovës, Jahjaga.
Kryetari i Kuvendit të Kosovë, Kadri Veseli, bëri homazhe në Kompleksin Përkujtimor “Masakra e Reçakut” dhe në nderim të viktimave, vendosi një buqetë lule.
Duke e cilësuar 15 janarin ditë dhembjeje dhe krenarie, kryeparlamentari Veseli theksoi se përveç përkujtimit për të rënët, të cilët dhanë gjithçka që ne sot të gëzojmë lirinë, institucionet e Republikës së Kosovës janë të obliguara të punojnë çdo ditë rreth këtij ideali.
“Në këtë ditë të veçantë, i duhet bërë thirrje edhe ndërgjegjes njerëzore, e cila unifikoi bashkësinë ndërkombëtare, duke ftuar Konferencën e Rambujesë, pas së cilës pasoi intervenimi i NATO-s, si një arsye shtesë për të vazhduar dhe thelluar më tej partneritetin me SHBA-në dhe BE-në”, theksoi me këtë rast Veseli.
Pjesëmarrës në përkujtime, si edhe në vitet tjera të pasluftës, është edhe ambasadori amerikan William Walker, i cili derisa ishte shef i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, në vizitën në vendin e masakrës e cilësoi atë krim kundër njerëzimit. Në akademinë përkujtimore ai është përshëndetur me duartrokitje dhe ovacione, me mirënjohjen dhe falënderimin e gjithëmonshëm.
Ndërsa, rreth dy muaj pas masakrës së Reçakut, aviacioni i NATO-s, në ndërhyrjen shpëtimtare për popullin e Kosovës, filloi bombardimet kundër caqeve të forcave kriminale serbe, të cilat zgjatën 78 ditë, deri në kapitulimin e Slobodan Milosheviçit, kreut shtetëror në Beograd, i njohur edhe si “kasapi i Ballkanit”, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.
Në Kompleksi Përkujtimor Masakra e Reçakut, në Murin e Përkushtimit janë skalitur në mermer fotografitë e 44 martirëve-dëshmorëve.
Masakra e Reçakut është një nga dëshmitë rrënqethëse të krimeve në luftën e fundit në Kosovë, kur forcat serbe vranë, masakruan, por edhe zhdukën, më shumë se 12 mijë shqiptarë, e në fushatën e gjenocidit e spastrimit etnik rreth një milion i dëbuan, shumicën drejt Shqipërisë.
Në Kosovë, edhe pas mëse 17 viteve pas luftës, sipas Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, janë ende 1229 të pagjetur nga 6027 personat që nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidentoheshin të zhdukur, të lajmëruar nga familjarët, menjëherë pas luftës së përfunduar në 12 qershor 1999.
Të zhdukur ende të pagjetur janë 173 femra, 1056 meshkuj, 104 nën moshën 18 vjeçare, të cilët konsiderohen fëmijë sipas konventave ndërkombëtare dhe legjislacionit të Kosovës.
***
KRYEMINISTRI MUSTAFA: MASAKRA E REÇAKUT, DITË E DHIMBJES DHE E KTHESËS HISTORIKE

Prishtinë, 15 janar 2016/ Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, kryeministri Isa Mustafa ka përkujtuar 17 vjetorin e Masakrës së Reçakut, duke theksuar se Kosova i përkujton me nderimet më të larta të rënët e kësaj masakre dhe të gjithë dëshmorët dhe martirët e Kosovës.
“Institucionet e Republikës së Kosovës, Qeveria, dhe të gjithë ne do të jemi të përkushtuar për të realizuar aspiratat për të cilat e kanë dhënë jetën të gjithë të rënët gjatë luftës në Kosovë. Masakra e Reçakut 17 vjet më parë ishte ditë e dhimbjes, por edhe ditë e kthesës historike, ditë e pikëllimit, por edhe ditë e fillimit të fundit të luftës, ditë e cila e mobilizoi botën demokratike për t’u bërë pjesë e përpjekjeve legjitime të popullit të Kosovës për fitimin e lirisë”, tha kryeministri Mustafa.
Më tutje, kryeministri Isa Mustafa, në këtë ditë shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për forcimin e shtetit dhe të partneritetit me miqtë ndërkombëtar, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian dhe me të gjitha vendet demokratike, duke thënë se kjo ishte aspiratë e të gjithë atyre që kanë rënë për liri, për pavarësi dhe për shtetin e Kosovës, i cili tani po ndërtohet.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Behlul Jashari, gurë themeli i shtetit të Kosovës, Recaku

Presidentja Jahjaga:Reçaku është dhimbje dhe krenari; fundi i një epoke të rëndë dhe hegjemoniste

January 15, 2016 by dgreca

Fjalimi i Presidentes Jahjaga në akademinë përkujtimore në 17-vjetorin e Masakrës së Reçakut/
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga vizitoi sot fshatin Reçak të Shtimes, në 17-vjetorin e Masakrës së Reçakut.
Ajo vendosi kurore lulesh në Kompleksin Memorial në Reçak dhe nderoi viktimat.
Presidentja Jahjaga mori pjesë në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të shtatores së ambasadorit Uiliam Uoker, që do të ndërtohet afër kompleksit në Reçak.
Gjithashtu, Presidentja Jahjaga mori pjesë në akademinë përkujtimore, që u mbajt në Shtëpinë e Kulturës në Shtime.
Në fjalimin e mbajtur në këtë akademi, Presidentja Jahjaga tha:

I nderuar kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli,
I nderuar kryetar i komunës, Naim Ismaili,
Miku ynë, i nderuari ambasador Uiliam Uoker, i cili na nderon jashtëzakonisht shumë me prezencën tuaj sot këtu, jo vetëm në Reçak, jo vetëm në Shtime, por gjithë Kosovën dhe gjithë popullin e Kosovës. Në emër të të gjitha institucioneve dhe të gjithë popullit të Kosovës shpreh falënderimin tim më të thellë.
I nderuar ambasador Minxhozi,
Të nderuara familje të dëshmorëve,
Të nderuar qytetarë,
Zonja dhe zotërinj,
Në çdo përvjetor me dhimbje dhe krenari kujtojmë më të dashurit tanë, njerëz të pafajshëm të vrarë në mënyrën më mizore – viktima të krimit kundër njerëzimit. Çdo përvjetor është dhimbje e sërishme, një kujtesë e pashlyer e juaja, banorë të Reçakut, dhe e të gjithë neve në Kosovë që e ndjejmë dhimbjen bashkë me ju.
Reçaku, shënoi kthesën e madhe historike për Kosovën duke forcuar bindjen e bashkësisë ndërkombëtare se ndërhyrja për të shpëtuar një popull nga gjenocidi, ishte e paevitueshme.
Reçaku është fundi i një historie të dhunës, të krimit dhe të vrasjeve dhe dëshmon sakrificën e madhe të gjeneratave të tëra për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Ai është gurë themeli i ndërtimit të shtetit të ri të Kosovës.
Reçaku është dhimbja dhe krenaria; fundi i një epoke të rëndë dhe hegjemoniste; është forca dhe guximi; vullneti për ta bërë një Kosovë më ndryshe – të qytetarëve të lirë dhe të pavarur! Njerëz të barabartë me këdo në botë!
Reçaku është një rrëfim i pandarë i një miqësie të përjetshme me SHBA-në dhe një lidhje e fuqishme me vendet e BE-së.
Të nderuar të pranishëm,
Përvjetorët në Kosovë kanë histori të dhimbjes po aq sa e dhimbshme është vetë historia e këtij vendi, që ka bërë përpjekjet e sakrificën e jashtëzakonshme në rrugën për liri dhe pavarësi. Përvjetorët shënojnë krenarinë e popullit, kujtimin e pashlyer për njerëzit e tij, ndajnë dhimbjen për ata që kanë rënë dhe mbi të gjitha janë përkujtuesi më i mirë se e kaluara nuk mund të përsëritet, sepse e tashmja ndërtohet në paqe dhe mirëkuptim për të ardhmen më të mirë për gjeneratat e ardhshme.
Është obligim yni që ta përmbushim amanetin e atyre që kanë sakrifikuar për një Kosovë më ndryshe – ku gërmadhat e luftës të mbesin pjesë e pashlyer e historisë; ku Atdhe është toka e të gjithëve që jetojnë në të pa dallim; ku perspektiva për të gjithë është shteti i qytetarëve dhe ku e ardhmja ndërtohet bashkërisht, në demokraci, liri dhe barazi.

Është zotim i të gjithëve për ta përmbushur vizionin e bërjes së shtetit të së drejtës – ku unë dhe ti – qytetarë të Republikës – kemi shanse dhe të drejta të barabarta, po aq sa edhe obligime për ta pasur shtetin e pakorruptuar dhe të fortë ekonomikisht. Është përkushtim yni për ta bërë një tokë të premtuar, një shtet të zhvilluar e të përparuar në të cilin secili do të gjejë perspektivën e tij pa patur nevojë që ta kërkojë diku tjetër.

Dhe zhvillimi ynë varet nga vetë ne, po aq sa varet edhe rruga jonë drejt integrimeve nga puna dhe angazhimi ynë, nga pjekuria jonë për të gjetur mënyrat e bërjes së shtetit, bazuar në ligj dhe në Kushtetutë. Po aq sa dallimet tona politike të jenë pjesë e rivalitetit politik dhe jo armiqësisë politike dhe po aq sa dialogu të jetë themeli i zgjidhjeve për problemet. Ne kemi arritur deri këtu duke kaluar sfida dhe probleme; vite të rënda të përballjeve edhe në skenën e brendshme dhe posaçërisht atë ndërkombëtare. Ne jemi në gjysmë të rrugës për ta bërë shtetin – pjesë të pandashme të kombeve të lira dhe prandaj nuk mund të ndalemi dhe as të pushojmë; nuk mund të rikthejmë historinë dhe as të sfidojmë miqësitë.
Paqja ndërtohet me mund dhe ajo nuk mund të humbet. Gjuha jonë është gjuha e dialogut dhe jo e dhunës; është shtrirja e dorës së mirëkuptimit dhe jo e përplasjes; është përpjekje për të gjetur zgjidhje pa prekur shtetin, pa sfiduar institucionet dhe pa rrënuar themelin e tij.
Në këto sfida politike do të na duhet që sërish të ulemi dhe të flasim, dhe të gjejmë zgjidhje të përbashkëta – me gjuhën e dialogut.
Kosova është amaneti i gjeneratave të tëra! Dhe ne nuk mund ta humbim shansin për ta bërë të plotë atë. Për ta bërë shtetin e krenarisë për të gjithë ata që sakrifikuan, për ne që sot po e ndërtojmë dhe për gjeneratat e reja që do ta gëzojnë.
Në çdo përvjetorë, përkundër dhimbjes dhe pikëllimit, ndjehemi krenar për historinë tonë, për të gjithë ata që nuk kursyen asgjë për të realizuar ëndrrën shekullore për Kosovën shtet të pavarur e sovran.
I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë dëshmorët!

Filed Under: Editorial Tagged With: Presidentja Jahjaga, Recaku

Duke kujtuar dhimbjet e heroit të Reçakut – Ambasadorin William Walker

January 15, 2016 by dgreca

Nga Beqir SINA – New York/
17 – vjetori i një prej ngjarjeve të përgjakshme në fshatin Reçak të Shtimes, masakrës kur forcat serbe, vranë 45 civile shqiptarë qytetarë të Kosovës.
NEW YORK : Dita e sotme shënon 17 – vjetorin e një prej ngjarjeve të përgjakshme në fshatin Reçak të Shtimes, masakrës kur forcat serbe, vranë 45 civile shqiptarë qytetarë të Kosovës. Ish shefi i Misionit vëzhgues të OSBE-së, ambasadori William Walker, këtë ngjarje, me të parë në cilësinë e vezhguesit ndërkombëtar, e pati cilësuar pamëdyshje si një “krim kundër njerëzimit”.
Masakra e Reçakut – më pas do të njihet si një nga ngjarjet kryesore, që ka shënuar një kthesë të madhe qysh në atë kohë, në diplomacinë ndërkombëtare në raport me Serbinë e asaj kohe dhe Kosovën, duke i paraprirë të gjitha tyre çfarë ndodhën – që çuan deri tek fushata e 78 ditore e bombardimeve ajërore të NATO-s.
Kosova, e lirë dhe e pavarur sot po e kremton me pietete këtë ngjarje, duke mbajtur ceremoni të ndryshme përkujtimore në nder të viktimave të pafajshme.
Sot, njofton Bota sot, nga Prishtina përkujtohet sakrifica e Reçakut, dhe nderohet lart figura e William Walker
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga duke folur në akademinë përkujtimore për masakrën e Reçakut se Reçaku shënoi kthesën e madhe historike për Kosovën duke shënuar bindjen e bashkësisë ndërkombëtare që ndërhyrja është e domosdoshme.
Sipas saj Reçaku është fundi i një historie të dhunës dhe dëshmon sakrificën e madhe të gjeneratave të tëra.
Jahjaga tha se Reçaku është gurthemeli i shtetit të Kosovës dhe fundi i një epoke të rëndë hegjemoniste.
Po ashtu Jahjaga duke përshëndetur ish-ambasadorin e OSBE-së në Kosovë William Walker tha se Reçaku po ashtu është një rrëfim i pandarë i një miqësie të përjetshme me SHBA-të dhe një lidhje e fuqishme me Bashkimin Evropian.
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe Kryeparlamentari Kadri Veseli, kanë nderuar sot viktimat e Reçakut.
Presidentja bëri zbulimin e bustit të William Walker, i cili ishte bërë faktor që masakra e Reçakut të marrë vëmendjen ndërkombëtare.
Kjo masakër ishte cilësuar nga Walker si krim kundër njerëzimit.
Walker i cili sot ka qenë i pranishëm në Reçak është shprehur i lumtur se kjo masakër kujtohet në këtë mënyrë.
“Jam shumë i lumtur t’i shoh shumë njerëz këtu. Nuk e dija sa mirë përkujtohej Reqaku, por e di se ai e përkujton, unë e përkujtoj, por të shohësh kaq shumë fëmijë dhe njerëz këtu është shumë mbreslënëse dhe jam shumë i inkurajuar nga kjo”, tha Walker.
Në akademinë përkujtimore që po mbahet në Shtime, shkruan Bota sot, po marrin pjesë edhe krerë tjerë të shtetit, familjarë të dëshmorëve dhe personalitete tjera.
Duke kujtuar dhimbjet e heroit të Reçakut – Ambasadorin William Walker
Shqiptarët e Amerikës, sidomos ish luftëtarët e Batalionit Atlantiku, me luftëtar djemt e vajzat shqiptare nga nga Shtetet e Bashkuara e kan kujtuar për çdo vjet këtë ngjarje – me mikun e tyre të madh ish-Ambasadori Uilliam Uokër (William Walker), kryetar i OSBE-së në Misionin e Verfikimit të Kosovës në vitet 1998-1999.
Kurse, nga përkujtimet e shqiptarëve të Amerikës, në këtë 17 vjetor ua sjell dhe një kujtim nga Vatranët, të cilët në Bethesda – Maryland morën pjesë më 27 tetor 2007 në ceremoninë mortore në vdekjen e bashkeshortes së tij Aldeize Nery Walker.Kan qenë 9 vjet më parë një grup vatranësh, nën/kryetari i Vatrës, z.Agim Rexhaj, Zef Balaj, Sejdi Hysenaj, Zabit Bytyçi, Harry Bajraktari, Rrustem Gecaj, e Musli Mulosman, të cilët, në emër të Federatës PanShqiptare të Amerikës VATRA, shoqërisë më të vjetër në SHBA-së, Vatrës famëmadhe, i dorëzuan mikut të shqiptarëve një telegram ngushëllimi heroit të Reçakut, mikut të madh të shqiptarëve Ish-Ambasadori Uilliam Uokër (William Walker), kryetar i OSBE-së në Misionin e Verfikimit të Kosovës në vitet 1998-1999, ku në mes të tjerave thuhej se me këtë rast e përkujtojmë me dhimbje, edhe Masakrën e Reçakut. “Ata thanë se Perkujtojme me mall dhe dhimbje të madhe 45 dëshmorët e 15 janarit 1999, ditën kur rregjimi anti-shqiptar serbo-sllallvë në emër të urrejtjes masakroi 45 njerëz të pambrojtur dhe pafajshëm, mes tyre fëmijë, gra dhe pleq, vetëm e vetëm se kishin bërë një faj – që ishin shqiptarë. Me këtë rast thonë ata na lejo zoti Ambasador Walker, të shprehim edhe një herë ngushëllimet tona për humbjen e gruas suaj, njeriut të zemrës, zonjës Aldeize Nery Walker, e cila po shkon në jetën e amnueshme.”
Ish Ambasadori Uilliam Uokër (William Walker), kryetar i OSBE-së në Misionin e Verfikimit të Kosovës në vitet 1998-1999, është nga radha e atyre miqve të shqiptarëve, i cili vjen nga sferat më të larta të politikës së SHBA-ës.
Ambasdori Walker, ka qenë dhe mbete besnik i mbështetjes së plotë për pavarësinë e Kosovës.
Ai është një ndër ata, i cili është shprehur zyrtarisht se: “Nuk kam asnjë besim se udhëheqja aktuale serbe ka nxjerrë mësimet e duhura nga koha e Millosheviçit. Nëse ata(sërbët) kërkojnë që një popull t’i përkasë shtetit të tyre, atëherë ata të mos bëjnë çdo gjë që është e mundur për ta poshtëruar, për ta shtypur dhe për ta çrrënjosur nga faqja e dheut atë popull”.
Për mendimin e ish Ambasadorit Uilliam Uokër (William Walker), thuhet se çdo përpjekje e bashkësisë ndërkombëtare për ta rilidhur Kosovën me Serbinë, sado të dobëta të jenë këto lidhje, pavarësisht se federata nuk është më, pavarësisht zgjerimit të autonomisë, nuk ka asnjë shans për sukses. Kosova është e pavarur – sovrane dhe aspirante e bashkësisë ndërkombëtare dhe aspiron për tu bërë anëtare e familjes së madhe europiane.

Stuhia e Zjarrtë që erdhi pas Raçakut

Duke deklaruar skenën në Raçak «si skena më e tmerrshme» që ai kishte parë ndonjëhere, William Walker, shefi i Misionit Nderkombëtar të Verifikimit në Kosovë, mund të ketë menduar se ai po bënte një gjykim të drejtpërdrejtë dhe njerëzor të një realiteti të ashpër. Në atë kohë, duke ju folur gazetarëve në 16 Janar, ai ishte duke qëndruar përpara një grupi prej më se 20 trupash në një luginë të ngushtë. Ku mbi 45 trupa u gjenden mbi një kodër në këtë fshat të vogël në pjesën jugore të Kosovës, në mes tyre 3 gra, një fëmijë 12 vjeçar dhe trupi i një plaku 80-vjeçar.
Më 15 janar 1999, forcat serbe ekzekutuan 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, 25 km në jug të Prishtinës.Ish shefi i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, Wiilliam Walker pasi vizitoi vendin ku u bë masakra, tha se ajo që kishte parë ishte ngjarja më trishtuese në jetën e tij. Zoti Walker e cilësoi këtë ndodhi si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Në këtë masakër të forcave serbe u ekzekutuan 45 civilë shqiptarë. Viktimat e asaj masakre, tronditën botën. Për shkak të deklaratave të tij, që nxitën më pasë reagimin ndërkombëtar për të ndalur dhunën ndaj popullatës civile shqiptare në Kosovë, ish- qeveria e asj që ashtuquhej atëhere “Jugosllavi”, e cila u shkërrmoq, e shpalli zotin Walker “person non grata”.
Pas rreth dy muajsh, nga masakra e Reçakut, NATO filloi sulmet ajrore kundër caqeve serbe që zgjatën 78 ditë. Ndërsa ish presidenti i asj që ishte mbetje e “Jugosllavisë”, i cilësuar ndërkombëtarisht si kryekasapi i Ballkanit Sllobodan Millosheviq – u akuzua nga Tribunali i Hagës, për krime kundër njerëzimit në Kosovë, përfshirë këtu edhe masakrën e Reçakut, u mbajtë në burg dhe nuk arriti të dënohet, pasi ai vdiq në burg pa pritur përfundimin e procesit gjyqësor, në një qeli të saj.
Mirpo, ja që dhimbjet janë dhimbje e hidhërime. Pjesë pandarë e jetës sonë. Edhe në një hap, të parë nga shqiptarët si hapi i fundit për pavarësinë e Kosovës – kur, po shënohej 9- vjetori i Masakrës së Reçakut, e cila, i hapi rrugën e fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s, kundër objektivave e caqeve serbe, heroi i Reçakut, miku i madh i shqiptarëve, kaloi një nga momentet më të hidhura të jetës së tij. Në moshën 59 vjeçare, atij 3 muaj më parë i vdiq bashkëshortja, zonja Aldeize Nery Walker . Ajo qe e lindur në Mandus të Amazonës në Brazil më 16 shtator 1948. Bashkëshortja e Ambasadorit William G. Walker (Uilliam Uolkër), ka ndërruar jetë në 23 tetorë 2007. Zonja Aldeize Nery Walker, vdiq pas një lufte dyvjeçare me sëmundjen e pashërueshme dhe vdekjeprurëse, atë të kancerit në kokë. Gruaja e Ambassadorit William G. Walker, e ndjera Aldeize Nery Walker, ishte një nënë, shembullore dhe e e devotëshme e katër fëmijëve Douglas Walker, Christopher Walker, Gordon Walker dhe Gillian Turner. Gjyshja e Madeline dhe Julia Turner. Ishte ajo që la pas vetes babanë Vivaldo Suarez De Souza dhe nënën e saj Maria Hortensia Nery De Souza.
Pikëllim i madh për vdekjen e bashkëshortes, “shoqes”, “dashurisë”, njeriut që nuk iu nda as në të mirë e as në të keq…
Megjithëse, kjo ishte një humbje e rëndë, e quajtur personale për Ambasadorin William Walker, shqiptarët e Amerikës, i u gjenden pranë dhe ndanë së bashku me të, atë pjesë të dhimbjes e hidhërimit që u takonte atyre me këtë rastë. Sipas traditës sonë, thuhet se në raste të tilla se: “Miku i mirë njihet në kohë të vështirë”. Ky kod i pashkruar moral i shqiptarve, ndoshta ka shtyrë edhe disa grupe shqiptarësh, të udhëtonin atë ditë me orë dhe klimoetra të tëra, nga shtete të largëta të SHBA-s, si nga Teksasi, Nju Jorku, e Nju Jersi, e tjer, për të marr pjesë në atë ceremonin mortore të zhvilluar në mjediset e shtëpisë mortore “Pumphrey Funeral Home” në rrugën Wisconsin Ave të qytetit Bethesda, në shtetin Maryland.
Patjeter, qe vdekja e saj ishte nje humbje e rëndë për ish diplomatin e shquar e të guximëshm, i cili në vitin 1999, i ngarkuar me drejtimin e Misionit Verefikues në Kosovë, i bëri të ditur botës mbarë krimet e rënda sërbe, duke i dhënë “dorë” NATO-s, se gjendeshin prova për ndërhyrjen ushtarake kundër serbëve dhe se ajo ishte e domosdodshme dhe plotësisht e justifikueshme. Aldeize Nery Walker, një veprimtare e njohur e të drejtave të njeriut, zyrtare e emigracionit. Së cilës, shqiptarët e Amerikës i dhanë lamtumirën e fundit, së bashku me bashkëshortin e saj, ish ambasadori amerikan në Salvador e Brazil, William G.Walker, nënën e babai i saj, fëmijët, nipat e mbesat, miq dhe dashamirë, kolegët e koleget të saj, njerëz të njohur të istitucionve të larta amerikane nga CIA, dhe Departamenti i Shtetit, njerëz të artit dhe kulturës.
Pjesëmarrës në ceremonin mortore, ishin edhe një grup përfaqësuesish të Federatës PanShqiptare të Amerikës Vatra, dhe veprimtar të komunitetit :nën/kryetari Agim Rexhaj, Zef Balaj, Sejdi Hysenaj, Zabit Bytyçi, Lumi Hadri, Florim Krasniqi, Harry Bajraktari, Rrustem Gecaj e Musli Mulosmani, të cilët, vendosën edhe një kurorë me lule të freskëta.Një grup luftëtarësh – ish anëtarët të Batalionit luftarak nga Amerika, Atlantiku, dhe ish- drejtori Egzekutivë i KKSHA, zoti Avni Mustafaj, si dhe përfaqësues nga disa organizata e shoqata të tjera, në diasporë, të cilat shprehen ngushëllime,e vendosën kurora me lule.
Ajo ishte gruaja e ambasadorit Walker – mikja jonë
Ambasadorin William Walker, gjatë ceremonisë së funeralit të bashkëshortes së tij – foli për jetën bashkëshortore, marrëdhëniet e mira, dashurinë, dhe sakrificat e gruas së tij – duke e quajtur atë si një grua burrëreshë, siç i themi ne shqiptarët. Pos, pjestarëve më të afërt të familjes në këtë ceremoni – një vend i veçantë tek fjalimet e lamtumirës, i u dha edhe shqiptarëve.
Folën: njeriu më i afërt nga shqiptarët me ambasadorin William Walker, veprimtari e biznesmeni i suksesshëm Florin Krasniqi, veprimtarët e aktivistët dalluar të komunitetit z. Harry Bajraktari znj. Lumi Hadri e Nora Kelmendi.
Në vitet e fundit, ndonëse në pension, ambasadori Walker, i ka qendruar pranë komunitetit shqiptarë në SHBA, i cili gjithmonë e ka pritur ngrohtë duke i shprehur mirënjohje për shëmbullin e tij. Nga ana e vet ambasadori Walker ka mbetur luftëtari i një të ardhme më të mirë për Kosovën e shqiptarët. Pjesmarrja e shqiptarëve në këtë moment të vështirë për mikun që u u gjend në çastete më të vështira për popullin shqiptarë, ishte një tjetër shprehje humane e bujare e mirënjohjes sonë për guximin që ai tregoi për ne.
Pjesëmarrja e shqiptarve në atë ceremoni mortore, la mbresa të thella nga fakti që aq shumë shqiptarët e Amerikës, e mbajnë mend atë që ndodhi nëntëvjet më parë. Atmosfera ishte prekëse, pikëlluese dhe ndjehej tek çdonjeri fryma e ndarjes së përbashkët të dhimbjes dhe hidhërimit të përbashkët.

Filed Under: Histori Tagged With: 17 Vjet, Recaku, William Walker

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT