Nga Sami Repishti/
Ridgefield, CT. USA.-Me 18 korrik, nji grup kolegesh shqiptaro-amerikan organizuen nji Simpozium kushtue jetes dhe veprimtarise sime. Tubimi u mbajt ne International House- Hall of History, N.Y.City. Moren pjese shume te rinj dhe te reja, dhe kjo me gezoi. Perpjekjet me sherbye si nji ure lidhje ne mes te dy breznive te bashkesise sone po japin frytet e para. Shumica e te rinjeve jane me arsim te nalte, por fatkeqsisht me njohje te kufizueme te gjuhes shqipe. Per kete, Simpoziumi u zhvillue ne dy gjuhet: shqip dhe anglisht.
Ky zhvillim i dhimbshem ashte i paevitueshem. I ndjeri Peshkop F.S.Noli e perballoi kete problem kur vendosi te perktheje shkrimet shenjte nga greqishtja. Te moshuemet, qe flisnin pak anglisht, luteshin te perktheje ne shqip; te rinjte qe flisnin pak shqip, luteshin te perktheje ne anglisht. Peshkop Noli shikoi perpara, dhe na dhuroi nji nder perkthimet ma te dallueme te shkrimeve shenjte ne gjuhen angleze.
Qe ne minutet e para, gazetaret e mjeteve te shkrueme dhe te TV shqiptaro-amerikan u drejtuen me pyetjen:
” Cila ashte arsyeja e angazhimit tuej ne mbrojtjen e te drejtave te njeriut?”
“Une kam linde e jetue ne Shqiperi” u pergjigja,” nji vend qe ka vuejte shume dhe perjetue shume trazime, nji vend ku jeta e njeriut ka kushtue pak. Aty ka fillue interesimi i im kryesor. Nuk ka gja ma te shenjte e ma te shtrenjte se nji jete njerezore. Ndjesine e mbrojtjes se te drejtave te njeriut, sidomos nga “autoriteti shtetnor” (kryesisht fashizmi dhe nazismi) e kam pase edhe para burgosjes sime. Kjo me ka vue ne pozita kundershtare me rregjimin komunist, qe filloi shtypjen e shqiptarit te pafajshem…..Nga burgu kam dale me nji bagazh te rande ne kurriz. Sot, i kushtoi punen time imperativit kategorik moral me qene deshmitar per ata qe nuk kane pase mundesi me fole, sepse kane vdeke ne tortura e ne qelite e errta te burgjeve, ose nuk kane pase mundesi me fole. Jam perpjeke me qene besnik i premtimit te dhanun viktimave qe jane sakrifikue…. Dhe kete premtim e kam mbajte!”
Ne fjalen e shkurte per pjesemarresit, une shpreha disa bindje te mia te arrituna nga refleksionet e viteve te gjata. “ Jam i deshpruem , thashe, nga faki qe vazhdimisht shqiptaret, sidomos ‘elita politike’ e vendit nuk ka qene ne gjendje me tejkalue dogmatizmin ideologjik per hir te bashkimit kombetar, dhe te perqendrohet ne forcimin e nji identiteti shqiptar per çdo qytetar, dhe nji identitet shqiptar kolektiv i formuem lirisht….Jam krenar qe kam linde shqiptar! Shqetesohem nga mungesa e unitetit kombetar. Nuk flas per “uniformitet” dhe “konformizem” qe duhet te perbuzim. Por ne çaste te veshtira krize qendrime kambengulese ne dogmatizem ideologjik kane sjelle situata si ajo e vitit 1997.
Per ma teper, une besoj se ne Shqiperi ekziston elementi i forte, i afte, dhe me deshiren te ndihmoje vendin me ec perpara. Nji optimizem te ketille une e justifikoj me zhvillimin e dekadave te fundit: shembullin botenor te meshires nga Nobelistja dhe e shenjta Nana Tereza, shembullin e shkelqyeshem te arritjeve shkencore nga Nobelisti Profesor Ferid Murad, dhe shembullin e persosmenise artistike dhe krijuese ne fushen e letersise botenore nga Nobelisti i ardhshem, Ismail Kadare, si dhe me sukseset e shumeta te shqiptareve sot te shperndame neper bote qe dallohen ne fushat e tyne te veprimit. Legjone per t’’u admirue! Ne nji Shqiperi te lire, demokratike dhe perparimtare keto shembuj shkelqimi nuk do te mbeten te kufizuem. Dhe ky ashte nji perparim i vertete!
Fatkeqsisht sot, shume mendje te ndrituna kane mbete ne heshtje, dhe kjo ashte nji humbje e madhe per te gjithe. Ne çaste te ketilla shgenjimi , shkurajimi kthehet ne porosi, ndoshta porosia ime kryesore: ‘Vellazen, motra, mjaft me lufte kunder njeni tjetrit, dhe me diskreditimin e njeni tjetrit. Po te vazhdojme keshtu nuk arrijme naltesite e deshirueme. Po nuk i dhame doren njeni tjetrit, po nuk arritem bashkimin tone shpirtenor, nuk mund te ecim perpara.”
Asgja e re ne kete shprehje, ashtu si ne porosine “Duejeni te afermin!’; por ashte nji vlere permanente, e pa diskutueshme.
Shqiperia sot nuk ka anmiq te jashtem qe kercenojne, sepse jemi anetar te NATO-s, organizate e mbrojtjes kolektive. Shqiperia nuk ka anmiq te mbrendshem; ajo ka kundershtare, por “kundershtari” ne Shqiperi ashte nji qytetar i lire qe mendon “ndryshe” nga ne. Kjo nuk ashte anmiqsi!
Nuk ka gjykate, as forme denimi, qe mjafton me ndeshkue krimin kunder njerezimit, kunder te pafajshmit ne vendin tone. Aq ma teper sepse ne rastin e Shqiperise, karakteri dallues i rezistences anti-diktatoriale ka qene pafajesia. Rezistenca kunder okupatorit, dhe kunder shtypjes se diktatures vendase, ashte nji akt i justifikuem ligjerisht dhe i detyrueshem moralisht; nuk ashte faj i denueshem! Por kjo pafajesi u ndeshkue rreptesisht. Konceptet “armiku i klases”, “armiku i Partise”, “armiku i popullit” jane zbulime monstruoze te rregjimeve shtypese qe nuk respektojne lirine e njeriut, e te qytetarit te lire. Ne Shqiperi, “armiku i trilluem” ka qene fshatari, “viktime” i traditave te beses, nderit, burrenise, mikpritjes me te gjithe thjeshtesine e tij; kleriku, sidomos katolik, “viktime” e sherbimeve shpirtenore ne skajet ma te largeta e ma te vorfna te vendit tone; intelektuali “viktime” e arsimimit ne institucione shkollore te Botes se Lire. Nga “demonizimi” i tyne ideologjik ata perfunduen ne asgjasim fizik si armiq te “popullit”- qe ata deshen dhe sherbyen me devotshmeni. Ashte nji faqe e tragjedise se shoqenise shqiptare!
Trashegimi i rande i kesaj tragjedie peshon edhe sot mbi supet tona, edhe sot influencon mendimet tona, edhe sot na nxite ne aksione shkaterrimtare te shoqenise dhe shtetit tone…. Tejkalimi i nji gjendje te ketille nuk ashte i lehte. Por alternativa ashte: urrejtja e perhereshme; urrejtja, qe na njohim shume mire, ky kancer qe shkaterron te gjithe ata qe e ushqejne. Dhe, tejkalimi i kesaje gjendje do te vij vetem kur te gjithe shqiptaret te kuptojne se e ardhmja e femijeve te tyne ashte ma e randesishme se urrejtja per “tjetrin”,…qofte ky edhe fajtori kryesor i fatkeqsise sone.
Nandedhjete vjet! Nji kohe e gjate me ngjarje te shemtueme dhe shpresa te keputuna per shume bashkeatdhetare qe u sakrifikuen ne altarin e atdheut tone te perbashket. Ashte e pabesueshme: qe nga viti 1912, gjashte fuqi te hueja invaduen vendin tone. Per çdo invadim ka pase rezistence te armatosun. Duket sikur shqiptari linde me pushke ne brez dhe e zbraze ate pa nderpremje. Fryma e rezistences u ushqye nga aktet barbare te shtypjes dhe poshtenimit qe i hueji hodhi pa meshire mbi ne. Nuk u ndertue rruga, nuk u hap shkolla, nuk u botue libri. Edhe pena nuk shkroi! Na paguem çmimin me mbrapambetje.
Mbas shpalljes se Pavaresise, 1912, shteti i ri shqiptar u trondit nga rrymet aventureske qe shkelen premtimin e “asnjanesise”. Nji Komision Nderkombetar dhe nji mbret i huej u imponue nga bindja e Europes se jemi te pa afte per veteqeverisje. Lufta I Botenore pruni okupacionet austriake, italiane, franceze, greke, serbe dhe malazeze me te gjitha rrjedhimet e tyne. Anmiqsite e “te Medhejve” nuk lejuen bashkimin e tokave shqiptare. U bane perpjekje “me u njohe nga bota e jashteme” qe nuk na perfilli deri ne pranimin tone ne Lidhjen e Kombeve (dhetor 1920) fitore qe studjues te huej e krahasojne me “shpalljen e pavaresise”. Atehere, Shqiperia vuni themelet e para si shtet i lire dhe i pavarun. E pavarun, Shqiperia hyni ne “Histori”.
Ndertimi i “shtetit” u tregue nji ndermarrje pertej fuqive dhe aftesive tona me u ngrite. Parlamentarizmi i pafryt dhe grindjet politike provokuen “levizjen e qershorit 1924” qe deshtoi mbas gjashte muejsh, dhe sollen autoritarizmin e “shefit” si president ma pare dhe si “mbret” i veteshpallun ma vone(1928). Kater kryengritje deshtake vijuen: 1926, 1932, 1935, dhe 1937. Megjithate u vendos rendi publik; u importue legjislacioni civil e kriminal nga Europa; por u institucionalizue vorfenia. Kjo solli varesine tone politike!
Okupacioni fashist italian i 7 prillit 1939, hapi nji epoke te re per ne dhe zbuloi dobesite tona, njikohesisht. Largimi i pa-lavdishem i mbretit, mungesa e patriotizmit ne rradhet e oficereve, korrupsioni i zyrtareve qe pranuen okupacionin (sidomos deputetet), dhe vorfenia e madhe e viteve te Pavaresise, dobesuen fibren e rezistences, dhe i mohuen Shqiperise nji rast te shkelqyeshem me tregue guximin tradicional kundrejt nji force ushtarake qe ma vone u revelue e paafte. Me agresion, Italia nxori Shqiperine jashte “Historise” dhe e vuni ate ne poziten e nenshtrimit te plote, pa emen, pa dinjitet. U desht rezistenca e armatosun me u rikthye ne “Histori”, 28 Nandor 1942: njohja e rezistences shqiptare nga Aleanca e Madhe Antifashiste anglo-sovjeto-amerikane.
Rrjedhimet e okupacionit u reveluen fatale: diktaturat – e zeze, e murrme, e kuqe ndoqen njena tjetren. Shoqenia shqiptare u traumatizue shume keq, humbi orientimin dhe perfundoi ne nji gjendje alarmante. Rezistenca e lavdishme dhe kolaboracioni i turpshem ishin binomi i viteve te pushtimit. Ata qe jetuen ato vite, kujtojne sensin e pa aftesise me veprue, shtypjen e popullsise dhe poshterimin e vendit nga udheheqjet kolaboracioniste, thellesisht te komprometueme, qe sherbejshin interesat e te huejit, ose ato personale e te pushtetit te ngritun si instrument i forces brute te diktatures. Efektet e ketij poshterimi vuejme akoma sot.
Qe nga viti 1912 deri ne viti 1991, per shtatedhjete-e-nande vite jete te shtetit shqiptar, pesedhjete e dy vite kaluen nen tri diktatura te ndryshme, katermbedhjete vite ne rregjimin autokratik te monarkut, kater vite ne kaosin e nji parlamentarizmi pa fryt, dhe tete vite nen okupacionet e vazhdueshme te fqinjeve tone. Ky trashegim i trishtueshem randon mendjet dhe ndergjegjet tona edhe sot.
Keshtu, nuk ashte nji “rastesi” qe Shqiperia nuk pati mundesi me vue themelet e nji shteti te lire, te pavarun, demokratik dhe ekonomikisht te zhvilluem, me nji shoqeni shqiptare te qytetnueme dhe te ndergjegjshme per detyret civile e politike, nji shtet ligjor, institucione demokratike… dhe jo nji shtet te kapriceve individuale, ashtu siç vazhdon te jete edhe sot.
Para situatave te ketilla te imponueme nga jashte ose te vendosuna me force nga mbrenda e ne kondita jashtezakonisht te veshtira, nji popullsi pa udheheqje te vertete tregoi vitalitetin e saj. Rezistenca gjithepopullore kunder rrethimit shkaterrues serbo-malazias te qytetit te Shkodres, 1912-13 dhe 1920, lufta heroike e Vlores, 1920, perleshjet e pergjakeshme te Lumes, Lures e Dibres, dhe gjithe Kosoves, kundershtimi i armatosun i banoreve kufitar me Greqine, jane frytet e lavdishme te ketij vitaliteti qe pengoi vdekjen e atdheut tone. Por ne frontin e mbrendshem mirekuptimi ne mes te shqiptareve nuk u arrit ashtu si shpresohej. Ndasite politike, fetare, krahinore, e shoqenore nuk u “zhduken” me kalimin e kohes.
Me okupacionin fashist italian te 7 prillit 1939 dhe efektet e luftes ne vend, disorientimi i popullsise arriti kulmin. Prania e nji gjysem miljoni ushtaresh te huej ne vend me konsumimet e tyne krijoi kondita ma te favoreshme ekonomike, nji fenomen qe dobesoi frymen e rezistences dhe sensibilizimin e popullsise per gjendjen e krijueme. Por ajo qe trasformoi traumen ne ndergjegjsim, friken ne guxim, dhe qe krijoi urgjencen per aksion “ketu dhe tani” ka qene, per mendimin tim, nji “aksident historik” i shkaktuem nga forca te jashteme, larg vendit tone, dhe me perpjestime shume ma te medha se aftesia e jone me perballue, ose me kontrollue.
Ky “aksident historik” ka qene sulmi nazist gjerman kunder ish Bashkimit Sovjetik, qershor 1941. Nji organizate me dege botenore, “Internacionalja Komuniste” (Komintern) e drejtueme nga Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik nen kryesine e satrapit aziatik J.V.Stalin (nji organizate qe u revelue si dora e “imperializmit pansllav”), mobilizoi elementin komunist nderkombetar, besnike te bindun te Moskes, dhe te “eksperteve” ne levizje revolucionare me dhune; ajo u shpernda ne te gjithe Europen, e perfshiu edhe Shqiperine, me krijimin e P.K. SH. nandor 1941.
Dy vjet e gjysem mbas okupacionit fashist te vendit, elementi pro-komunist sulmonte akoma “plutokracine anglo-franceze”, fortese e kapitalit botenor, dhe lavderonte aleancen nazi-komuniste te gushtit 1939., si “aleanca e dy partive punetore kunder kapitalit”. U desh sulmi nazist gjerman kunder Bashkimit Sovjetik me ndryshue situaten e krijueme. Asnji aksion kunder fashisteve ne Shqiperi nuk u krye nga komunistet shqiptare gjate kesaje kohe. Ashte ne kete pike kritike qe P.K. Jugosllave filloi intervenimin e saj ne Shqiperi me forma te organizueme te luftes guerrile , dhe me elemente te stervitun e ideologjikisht te pergatitun. Jugosllavet formuen P.K.Shqiptare, dhe komunistet shqiptare e simpatizueset e tyne te bindun e mirepriten kete mundesi.
Atmosfera politike ne Shqiperi ishte e favorshme. Te tjera grupime politike, si “Balli Kombetar” republikan dhe “Levizja e Legalitetit” monarkiste, kishin fillue veprimtarite e tyne si forca te rezistences kunder okupatorit, por me metoda “te vjetrueme” per nji situate te re, dhe me organizim te dobet. P.K.Sh. iu nenshtrue nji organizimi rigoroz, nji disipline ushtarake, nji indoktrinimi çmendes, dhe pranoi dhunen si instrument i luftes se tyne kunder okupatorit dhe te gjithe atyne qe e kundershtuen. “Ata qe na perkrahen jane me ne; te tjeret jane armiqt tane” (E.Hoxha). Kjo fryme solli vellavrasjen ne Shqiperi. Pavaresisht nga arbitrariteti i aksionit te tyne, ata dolen fitimtare. Mijera te rinj dhe te reja, sidomos nga Shqiperia e Jugut, u mashtruen nga indoktrinimi komunist nen masken e humanizmit marksist “per nji bote ma te mire”, ku “qendra e vemendjes ashte njeriu”, “buke e paqe, edhe liri!” dhe luftuen me nji entuziasem revolucionar.
Por fitorja e “Luftes Nacional-Çlirimtare” mbi okupatorin nuk pruni as çlirimin e proklamuem te atdheut, as fillimin e nji jete ma te mire per te gjithe qe premtohej me te madhe. “Buka” ishin vargjet e gjata te bukes dhe qumshtit per femije ne nji shoqeni me “racione” minimale mujore; “paqa” u kthye ne militarizimin e shoqenise, anmiqesine me fqinjet, zboret e bunkert qe konsumuen materialin per ndertime banesash te nji popullsie qe vuente per vend-banimi. Dhe liria nji diktature e ashper!
Varesia e plote ne Jugosllavine e Titos, dhe shkalla e servilizmit te deklaruem ndaj tij nuk mund te spjegohen, aq ma pak te justifikohen.. “Pa Jugosllavine e shokut Tito as qe mund te mendohej nji Shqiperi e lire” (E.Hoxha, 1945). Kosova u trathetue. Marreveshjet ekonomike me Jugosllavine –vere 1946- u treguen shkaterrimtare per ekonomine e vendit. Nenshtrimi politik dhe ekonomik ndaj Jugosllavise u ba i plote. Gjaku e vuejtjet e luftetareve, sakrificat e mijera qytetareve qe e perkrahen dhe e mbajten te gjalle Levizjen Nac-Çlirimtare u hodhen poshte me nji deklarate te çmendun, dhe ofenduese. Ne burgun e Burrelit, ku edhe vdiq, demokrati intelektual, anti-fashisti i mirenjohun, Prof. Gjergj Kokoshi perseriste: “E çliruam Shqiperine nga okupatori me gjak, dhe i a dhuruam shokut Tito. Kjo ashte tradheti!” S.Maleshova paralajmeronte: “Po te vazhdojme me hakmarrje, do te kthehemi shume shpejt ne nje klike, madje ne nje klike vrasese”, dhe: ”Enver Hoxha eshte konsideruar si shembulltyra e sukseseve te LANCL-it dhe te P.K.Sh.; ne te vertete, ai eshte sinteza e gabimeve tona”(Permet,1944)
Sot, 70 vite ma vone, kam arrijte perfundimin se, nga kjo pikepamje, fitorja e P.K.Sh. ka qene nji vetevrasje kombetare. Historia do t’a gjykoje rande!
Me ardhjen e rregjimit komunist ne Shqiperi. nandor 1944, diçka themelore, boshti i tradites shqiptare, tradite e jona kombetare, u thye ne menyre te pareparueshme. Edhe sot, mbas kaq dekadash, ndiejme nji boshllek te madh shpirtenor e moral qe duhet mbushe, dhe sa ma shpejt me vlera te trashegueme, dhe ato te fitueme nga shoqenimi i jone me Europen e Boten e Lire: forcimi i nji identiteti shqiptar kolektiv, dhe solidariteti ne fshat e ne qytet. Sepse, ne Shqiperi u pushkatue ai dhe ajo qe ofroi mikpritjen me rrezik te jetes, u burgos dhe u vra ai dhe ajo qe preferoi nderin ma shume se jeten; u torturue egersisht ai dhe ajo qe burrenisht refuzoi me shpife per shokun, ose te pafajshmin, u internue shqiptari qe i mbeti besnik beses se dhanun e fese se pranueme lirisht, ose bashkeshorti –grueja sidomos grueja!- qe nuk tradhetoi burrin… Ka qene kjo besnikri ndaj tradites qe mbajti te forte ne burgjet e kampet e internimit te komunizmit per dekada te gjata keto viktima te pafajshme te “diktatures se proletariatit”…çoroditja ma e madhe e shekullit 20!
Shpesh here kam pershtypjen se gjate viteve te vendosjes se pushtetit komunist ne Shqiperi, nji epoke e re kishte fillue ne vendin tim; epoka e “anti-tradites” kombetare shqiptare, epoka qe jo vetem e perbuzi ate, por ngulmoi me eliminue (“meturinat e se kaluares!”), nevojen e saj dhe me zhduke sensitivitetin popullor per ate tradite. “Merreni sopaten dhe bjeruni kokes atyre qe flasin per fe” bante thirrje E.Hoxha ne vitin 1967. U punue intensivisht me varrose te kaluemen e vendit tone! Ato dite, u pa qarte ndryshimi i madh qe erdhi ne vend, e qe une perjetova edhe me marredhanjet e mia me boten shqiptare qe njihesha qe nga vitet e para te rinise shkollore. Pak nga pak, kuptova se ishe “i huej” ne vendin tim…e ma vone i urryem. Po ndertohej “bota e re me plotesimin e çdo andrre dhe deshire”. Premtimi u tregue me qene vorfenia e frikeshme qe mbuloi vendin, militarizimi i popullsise ne pergatitje per luften imgjinare, dhe vrasja e burgosja e mijera qytetareve te pafajshem, me mbushe 50 burgjet e kampet e internimit per dhjetra mijera te tjere, ne emen te “popullit”…Genjeshtra ma e madhe e shekullit 20!
Nuk kishte vend per mue ne atdheun tim. U arratisa!
Perpjekja e rregjimit komunist me zhduke te vjetren “reaksionare” dhe me ndertue te rene ”perparimtare” sidomos “njeriun e ri” perfundoi ne nji Shqiperi pa vlera kombetare dhe qytetare pa parime te qytetnimit bashkekohor. Sot, çdonjeni kerkon plotesimin e nevojave dhe deshirave “menjihere”, dhe nga nji administrate e pa pergatitun e me mjete te kufizueme. Duket sikur jemi transformue ne ujq te uritun nga vuejtja e madhe e mungesa e ushqimit te mjaftueshem. Jetojme me friken e perseritjes se vargjeve te gjata para dritares me hekura te bukes dhe dyqanit te qumshtit per femije….Respekti per ligjin ka pesue humbje te rande, si rrjedhim i shkeljes se ligjit dhe i arbitraritetit zyrtar, sidomos gjate tri diktaturave pesedhjetedy vjeçare. “Njeriu ri” ashte nji monster pa vlera, dhe “Shteti” shihet sot si anmiku i qytetareve.…! Ky a shte trashegimi i se kaluemes sone te hidhun.
Keshtu u krijue nji situate ku i riu dhe e reja shqiptare duhej te largohej nga “vendi” me marre rruget e botes qe nuk i mirepret, ose me pranue pasunimin sa ma shpejt e me mjete sa ma te pandereshme. E para shterroi “trunin” dhe energjite e vendit; e dyta, institucionalizoi korrupsionin endemik qe vazhdon i pa trazuem me dermue fibren vitale te ekonomise sone te dobet.
Ajo qe duhej ndermarre si mase urgjente qe ne ditet e para te demokracise, ri- vleresimi i se kaluemes, denimi i saj, dhe hudhja e themeleve per nji “shtet” e nji “shoqeni” shqiptare te re qe do te paraqitej si anti-teze e plote e sistemit te deshtuem komunist, nuk ngjau; mungonte jo vetem aftesia por edhe vullneti i “udheheqesve” me te kalueme politike te komprometueme. Ish te perndjekunit, kapitali moral i shoqenise shqiptare, u shperfill nga “peshkaqente e politikes”. Elementi pro-komunist i pakorrigjueshem, i inkurajuem nga mos-zbatimi i drejtesise ndaj krimit dhe kriminelit, filloi ri-organizimin politik qe synonte kthimin ne pushtet te klikave te reja, me shprehje te reja e emen te ri –“socialiste”- por me pikesynimet e vjetra: pushtetin absolut, edhe me force po te qe nevoja, ashtu si ngjau ne vitin 1997.
Ne vitet 1991-92, pushteti komunist deshtoi dhe u çthur pa shpetim nga demonstratat e fuqishme studenteske te 8 dhetorit 1990. “Me demonstratat e studenteve te dhjetorit 1990, kuptova se sistemi i jone socialist kishte deshtuar” (R.Alia,1993) Ne fakt “pushteti socialist” ishte kalbe nen peshen e injorances dhe inkompetences se udheheqesve. Figurat e shqueme komuniste si Zai Fundo, S.Maleshova, Dr. Deshnica, K. Tashko u vrane, u burgosen ose u internuen per jete qe ne fillim; ne vitin 1990, PPSH trashegimtare e PKSH, perfundoi me nji Byro Politike te perbame nga shoferet, karrocieret, dhe mjelse lopesh…!
Ne kete moment historik, ish te persekutuemet demokrate dhe ish pronaret e shpronesuem me dhune perbuzen urrejtjen qe komunistet kishin ngrite ne shkence; ata u naltesuen moralisht, perqafuen frymen e pajtimit per hir te sherimit te plageve te hapuna, tue shpresue ne drejtesine e administrueme nga ligji – qe i shgenjeu rande. Ky akt fisnikerie supreme qe u keqkuptue nga “socialistet” do te provonte perseri forcen e tradites shqiptare te trashegueme nga e kaluemja e jone qe nuk u shue fare.
Per fat te keq, “fajtoret” komuniste nuk treguen asnji shenj pendimi te sinqerte, as ne naltesine e “kerkeses falje” per krimet e tyne monstruoze per 45 vjet me rradhe. Akoma ma e çuditeshme ashte pa-aftesia e tyne “me mohue” krimet e kryeme ne emen te tyne, “fajtore” qe nuk mohojne krimin e nuk kane as forcen morale me u pendue e me kerkue falje. Nji gjendje shume e padeshirueshme per çdo qytetar te ndershem! Mundesia e afrimit dhe pajtimit kombetar, kaq e domosdoshme per vendin tone, nuk u shfrytezue, me efektet negative te ketij qendrimi qe akoma paguejme.
Ne vitet 1991-92, Shqiperia e jone humbi shansin e madh me ri-hye ne “Histori” me dinjitet, si shtet i lire, i pavarun dhe demokratik me perspektive europiane. Kjo humbje solli katrahuren politike qe na ndjek pa meshire, mungesen e demokracise, dhe mosbesimin e Europes ne aftesite tona me sigurue per vendin tone nji te ardhme premtuese.
Sot, atdheu vajton per nji udheheqje burrenore, fisnike, e thellesisht demokratike.
Une insistoj per afrimin me Europen, -sot e materializueme ne Bashkimin Europian- sepse me gjithe veshtiresite qe kalon, “eskperimenti europian” ka qene nji sukses i madh, dhe nuk ka rrezik per nji kolaps, pavaresisht nga ajo qe ngjet sot ne Greqi, ose ne vende tjera neser: Itali, Spanje, Portugali etj. Struktura e Bashkimit Europian, institucionet, legjislacioni, “l’acquis communautaire”, dhe orientimi politik pro-paqes dhe bashkimit te kombeve jane misherimi i ideve fisnike te nji Europe te lire, paqesore, e te bashkueme.
Dhe idete fisnike nuk shuhen asnjihere!