Sipas rotacionit të shtatë këshilltarët Federalë, qendrojnë një vit në këtë pozicion dhe për zonjën Leuthardt është e dyta herë prej vitit 2006 pjestare e Këshillit Federal, në postin e Presidentes të Zvicrës.
A do të ketë një herë të tretë për të?
Ajo është një nga fytyrat më përfaqësuese të politikës zvicerane, shumë e aftê, komunikative, e re në moshë që ka lajmëruar se nuk do të rikanditojë në zgjedhjet e 2019.
Ndërkohë shtypi zviceran parashikoi se ajo mund të zëvendësojë zotin Didier Burkhalter që do të largohet nga Departamenti i Punëve të Jashtme në tetor të këtij viti.
Takimi i gazetarëve të APES me Presidenten e Zvicrës u zhvillua në Schweizerhof Hotel në zemër të Bernës dy hapa nga Pallati Federal. Kolegu jonë, presidenti i APES Jean Musy së bashku me kolegët e komitetit ishin angazhuar që gjithçka të shkonte për së mbari.
Në fillim sipas traditës zonja Leuthardt dha një konferencë për shtyp duke ju përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Pyetjet lidheshin me problemet e klimës, harrikanit Harvey në Teksas, krizës në Korenë e Veriut, Brex-it deri tek problemet shqiptare. Ajo vuri në pah rolin e Zvicrës që njihet jo vetëm për çokollatat dhe orët, por edhe si fuqi ekonomike, e inovacionit dhe e diplomacisë. Leuthard vlerësoi misionin e gazetarëve, për t’u fokusuar tek problemi larg abuzimit me fake news. Ajo evidentoi censurën dhe vështirësitë në shumë vende të botës. Kur një gazetar brazilian e pyeti në lidhje me xhirollogaritë në Zvicër të politikanëve të korruptuar, zonja Leuthard u përgjigj se Zvicra bashkëpunon porse politikanët e korruptuar duhen zbuluar nga shtetet përkatëse, duke shtuar se nuk është Zvicra vend kryesor i fshehjes të parave të pista.
Deklarata e saj e shqiptuar në konferencën për shtyp me APES, në lidhje me krizën në Korenë e Veriut, se ka ardhur koha për ndërhyrje diplomatike ku Zvicra mund të luajë rolin e mediatores, u shpërnda menjëherë nga gjithë agjensitë kryesore të botës. Kësaj here Zvicra ka edhe një arsye më tepër pasi Kim Jong Un ka bërë një pjesë të shkollimit pikërisht afër Bernës, kryeqytetit të Konfederatës. Zonja Leuthardt tha se sanksionet i vuan popullli, prandaj ka ardhur ora e diplomacisë.
Presidentja Doris Leuthard i tribloi pyetjes konformiste rreth marrëdhënieve të mira Zvicer-Kosovë. Duke nënvizuar interesimin dhe kontributin e Zvicrës në Ballkan, ajo hapi një parantezë ku përfshiu edhe Shqipërinë. Pa lufte kundër drogës s’ka BE. Duke e zgjeruar theksin ajo tha se domosdoshmeria e ndalimit të trafikut të drogës nga Shqipëria, lufta kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit dhe plotësimi i reformave, janë kushte për hyrjen e Shqipërisë në BE. Në lidhje me Kosovën i kushtoi rëndësi vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi.
Pas konferencës për shtyp dhe përpara drekës midis zonjës Doris Leuthardt dhe gazetarëve pati takime, foto dhe shkëmbime mendimesh.
Zonja Leuthard i kushtoi gazetarëve vemendje pa e parë asnjëherë orën. APES mbulon vazhdimisht aktivitete të qeverisë zvicerane dhe kështu ekziston një komunikim sa zyrtar aq edhe miqsor midis palëve.
Departamenti i zonjës Leuthard mbulon transportin dhe APES e ka ndjekur hap pas hapi deri në inagurimin e tij me 1 qershor 2016 tunelin hekurudhor tê San Gothardit më i gjati në botë qe kalon përmes Alpeve, çka shënohet si një nga sukseset e ministres.
Doris Leuthard flet me krenari për Zvicrën. Mjafton të shkojmë me pushime jashtë saj tha ajo në intervistën televizive të 1 Gushtit, festës kombetare, dhe kur kthehemi zbulojmē se Zvicra është parajsë falë kontributit të qytetarëve të saj.
Gjatë komunikimit me gazetarët, përfitova nga rasti për të vazhduar me zonjën Leuthardt një temë që e kisha hapur gjate vizitës zyrtare të kryeministrit Edi Rama në Bernë, në lidhje me shkollën shqip. Komuniteti shqiptaro-zviceran është indiferent rreth mësimit të gjuhës shqipe. Shteti i Kosovës nuk mbështet sepse është i varfër. Për çdo vit diaspora kosovaro-zvicerne jep nje kontribut që shkon të paktën 1 miliardë Euro si remitanca në Kosovë, ndërsa fëmijët shqiptare nuk dinë shqip dhe ato shkolla shqip që janë frekuentohen nga më pak se 5% e fëmijëve.
Zonja Leuthard më dëgjoi me vemendje dhe duke pohuar rëndësinë e mësimit të gjuhës amtare, më tha se kjo është detyrë e familjeve shqiptare, që duhet të jenë të interesuara për edukimin e fëmijëve të tyre. Zvicra i jep mbështetje financiare Kosovës, ndërsa komuniteti shqiptaro-zviceran ka burime financiare të mjaftueshme për të investuar për shkollën shqipe.
Mjerisht komuniteti shqiptaro-zviceran është aq shumë i përçarë nga faktori politik në trojet shqiptare sa nuk di më se kush është.
I gjithë kaosi që përjeton politika në trojet shqiptare reflektohet për keq në diasporën shqiptare në Zvicër. Ka ardhur koha që aktiviteti politik i shqiptarëve të diasporës shqiptaro-zvicerane në mbështetje të rrumpallnajës të partive politike në trojet shqiptare të ndalohet me ligj në Konfederatën Helvetike.