Presidenti amerikan Barack Obama bëri thirrje për miratimin e një projekt-ligji për imigracionin që gëzon mbështetjen e Senatit dhe do të forconte sigurinë e kufirit, si edhe do t’i hapte rrugën shtetësisë për ata që ndodhen aktualisht pa dokumenta në Shtetet e Bashkuara.
Zoti Obama tha sot se paketa e ligjeve e miratuar nga senati me shumicë demokrate do të forconte ekonominë amerikane. Ai tha se reforma e imigracionit do të bënte më të lehtë për imigrantët e kualifikuar dhe ata që studiojnë në universitetet amerikane që të hapnin biznese dhe vende pune në Shtetet e Bashkuara.
Ai u bëri thirrje amerikanëve që janë dakord me të që t’i nxisin ligjvënësit e tyre në Dhomën e Përfaqësuesve me shumicë republikane që ta miratojnë legjislacionin në mënyrë që Presidenti ta nënshkruajë duke e kthyer kështu në ligj.