Më në fund Bashkimi Europian vendosi të tregojë unitet për çështjen e refugjatëve. Krerët e unionit vunë në zbatim planin e Presidentit të Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, për të strehuar 120 mijë refugjatë nëpërmjet kuotave. Pas shumë kontestimesh, Britania e Madhe do të hapë dyert e saj në katër vitet e ardhshme për 20 mijë refugjatë sirianë. Kryeministri David Cameron deklaroi se Qeveria britanike ka vendosur të ndihmojë ata refugjatë të cilët kanë më shumë nevojë. Cameron ka përzgjedhur të pranojë në Britani, refugjatët që ndodhen të strehuar nëpër kampe aty pranë, dhe jo ata që kanë kaluar Mesdheun për të arritur Europën. Ndërsa Franca dhe Gjermania do të mirëpresin 55 mijë refugjatë në vetëm 2 vitet e ardhshme, Qeveria e Parisit dhe Bundestagu gjerman kanë marrë edhe peshën më të madhe të këtij eksodi. Nga ana tjetër, Australia dhe Zelanda e Re, kanë ofruar ndihmën e tyre për të lehtësuar sadopak barrën e unionit për të strehuar refugjatë. Angela Merkel bëri thirrje të tjera qeverive që te bëhen pjesë e zgjidhjes, pasi rreth 45 mijë refugjatë kanë ngelur në pritje të një përgjigje se çdo të bëhet me fatin e tyre. Merkel tha se ndihej krenare për mënyrën sesi gjermanët mikpritën popullin sirian. Por, përpos vendosjes së kuotave për shpërndarjen e refugjatëve, shtetet anëtare të unionit po rishqyrtojnë politikat e antiterrorizmit, për të shuar konfliktin në Lindjen e Mesme. I pari që mori iniciativën ishte Presidenti francez, Francois Hollande, i cili urdhëroi përgatitjet për fillimin e sulmeve ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri. Nga sa pohoi vetë shefi i Elizesë, Franca do t’i nisë të martën fluturimit e zbulimit, që do të pasohen nga sulme kundër grupit të dhunshëm ekstremist. Por, ashtu si edhe kreu i Shtëpisë së Bardhë përpara tij, Hollande e përjashtoi mundësinë e dislokimit të trupave tokësore.
“Nga vdekja vijmë – në vdekje shkojmë”
*Amnesty International: Refugjatët në Ballkan – të rrahur nga policia, të harruar nga Evropa/
*Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, vë në pah keqtrajtimin e refugjatëve e migruesve në Ballkan dhe kritikon politikat e strehimit në BE./
Mijëra refugjatë, strehimkërkues dhe migrues, përfshirë fëmijë, që po marrin rrugën e rrezikshme nëpër Ballkan, po pësojnë dhunë dhe zhvatje nga autoritetet dhe bandat kriminale dhe janë braktisur turpshëm nga sistemi i dështuar i strehimit dhe migrimit të Bashkimit Evropian i cili i ka lënë ata të kurthuar e pa mbrojtje në Serbi dhe Maqedoni, thuhet në raportin e ri të organizatës Amnesty International.
Dhuna ndaj migruesve dhe refugjatëve në Maqedoni, Serbi e Hungari, dëshmon se një numër në rritje i njerëzve në nevojë, janë lënë në harresë në një boshllëk ligjor gjithandej Ballkanit. Situata është përkeqësuar nga kthimet dhe dëbimet në çdo kufi, qasja e kufizuar në strehim dhe mungesa e rrugëve të sigurta e ligjore në BE.
“Refugjatët që ikin nga luftërat dhe përndjekjet, e bëjnë këtë rrugë nëpër Ballkan me shpresën se do të gjejnë siguri në Evropë, për ta gjetur veten si viktimë të dhunës e shfrytëzimit dhe në mëshirën e një sistemi të dështuar të strehimit”, tha Gauri van Gulik, zëvendësdrejtor i Amnesty International për Evropën dhe Azinë qendrore.
“Serbia dhe Maqedonia janë shndërruar në një batak të vërshimit të refugjatëve dhe migruesve të cilët duket se askush në BE nuk është i gatshëm t’i pranojë”.
Raporti është mbështetur në katër misione hulumtuese në Serbi, Hungari, Greqi e Maqedoni ndërmjet korrikut të vitit 2014 e marsit të vitit 2015 dhe intervistimit të mbi 100 refugjatëve dhe migruesve. Dëshmitë e tyre zbulojnë kushtet tronditëse me të cilat përballen ata që udhëtojnë nëpër rrugët e Ballkanit perëndimorë – që ka tejkaluar rrugën nëpër Mesdhe duke u shndërruar në rrugën më të ngarkuar të kalimit drejt Bashkimit Evropian.
Numri i njerëzve të kapur vetëm në kufirin Serbi – Hungari është rritur për 2 mijë e 500 për qind që nga viti 2010, përkatësisht nga 2 mijë e 370 në 60 mijë e 602.
Rruga që marrin refugjatët dhe migruesit nëpër det nga Turqia në Greqi dhe pastaj në rrugë tokësore nga Maqedonia në Serbi dhe në Hungari, është më pak vdekjeprurëse sesa rruga detare nga Libia, por është e mbushur me rreziqe e pengesa. Që nga janari i vitit 2014, 123 refugjatë, strehimkërkues dhe migrues janë mbytur duke provuar të kalojnë në Greqi nëpërmjet Detit Mesdhe dhe 24 kanë humbur jetën në hekurudha.
“Nga vdekja vijmë – në vdekje shkojmë”
Ata që arrijnë në ishujt grek – përfshirë fëmijët – përballen me kushte të tmerrshme të pranimit dhe shumica udhëtojnë drejt Athinës, para se të provojnë të kalojnë në Maqedoni, për të vazhduar drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Në kufirin e Maqedonisë me Greqinë dhe në atë të Serbisë me Maqedoninë, refugjatët dhe migruesit zakonisht janë subjekte të dënimeve të paligjshme dhe keqtrajtimeve nga policia kufitare. Shumë prej tyre detyrohen të paguajnë ryshfete. Një dëshmitar i tha Amnesty International se policia kufitare serbe afër kufirit me Hungarinë, kërcënoi se do të kthejë mbrapshtë gjithë grupin nëse nuk paguajnë secili nga 100 euro.
Një refugjat afgan i tha organizatës se ishte pjesë e një grupi që u kthye mbrapsht në Greqi nga policia maqedonase. “E pashë një njeri të rrahur keq. Ata rrahën djalin tim 13 vjeçar. Ata më rrahën edhe mua”, tha ai.
Disa nga të intervistuarit thanë se janë kthyer prapa edhe nga 10 herë në operacione që janë kryer shpesh në thellësi të territorit të Maqedonisë.
Migruesit, refugjatët dhe strehimkërkuesit thanë se janë shtyrë, qëlluar me pëllëmbë, shqelmuar e rrahur nga policia kufitare serbe në afërsi të kufirit me Hungarinë dhe një refugjat afgan tha se “një grua shtatzënë në muajin e pestë është rrahur”.
Refugjatët dhe migruesit janë të pambrojtur nga zhvatjet financiare nga trafikuesit dhe sulmet e bandave kriminale. Dy nigerian i thanë organizatës se ishin ndaluar në Maqedoni. “Nëntë veta na sulmuan me thika. Në shkuam në polici të kërkojmë ndihmë… por ata na arrestuan”.
“Nëse vdisni këtu – askush nuk do t’ju kërkojë”
Shumë refugjatë dhe migrues janë burgosur arbitrarisht nga autoritetet. Me qindra, përfshirë familje, gra shtatzëna dhe fëmijë të pashoqëruar, janë mbajtur në periudha të gjata në Qendrën maqedonase për Pranimin e të Huajve – e njohur si Gazi Baba – pa asnjë masë mbrojtëse ligjore apo mundësi për të kërkuar strehim. Shumë syresh janë mbajtur në mënyrë të paligjshme për muaj të tërë në kushte jonjerëzore dhe fyese për të shërbyer si dëshmitar të organeve maqedonase të ndjekjes kundër trafikuesve.
“Në Gazi Babë, ishin mbi 400 apo 450 veta kur arritëm ne…Njerëzit po flinin edhe nëpër shkallë dhe mbipopullimi ishte i tmerrshëm. Kishte dyshekë në dysheme dhe në korridore”, i tha organizatës një refugjat sirian.
Ish të arrestuarit i thanë organizatës Amnesty International se ata ishin rrahur ose ishin dëshmitarë të rrahjeve nga oficerët e policisë në Gazi Babë dhe njeri rrëfeu se si kur disa sirianë kërcënuan me grevë urie, një polic u tha “nëse vdisni këtu, askush nuk do t’ju kërkojë. Në do të hedhim kufomat tuaja përjashta”.
Sistemi i dështuar i strehimit
Individët që provuan të kërkojnë strehim në Serbi apo Maqedoni, u përballën me pengesa të ashpra. Në vitin 2014, vetëm 10 strehimkërkuesve ju sigurua statusi i refugjatit në Maqedoni dhe vetëm njërit në Serbi. Të shkurajuar nga përparimi i ngadalshëm i shqyrtimit të kërkesave, shumë strehimkërkues vazhduan udhëtimin për në Hungari, ku u përballën me shkelje të tjera të të drejtave të tyre.
Ata që zbuloheshin se kanë hyrë në Hungari në mënyrë të parregullt, zakonisht janë burgosur, shpesh në kushte të mbipopullimit, ose janë keqtrajtuar nga oficerët e policisë. Në vitin 2014, Hungaria u dha strehim vetëm 240 personave, një numër i vogël në krahasim me kërkesat për strehim.
Ndonëse shumica e strehimkërkuesve të burgosur, janë lënë pastaj në qendra të hapura të pranimit, ata që vlerësohej se mund të provonin të arratiseshin kanë mbetur në qendra të paraburgimit. Ata që donin të kërkonin strehim në Hungari, që ishin një numër i atyre që shpresonin për strehim në vende tjera të BE-së, kryesisht janë dëbuar në Serbi dhe në disa raste madje edhe më tej, në Maqedoni. Aty ata janë lënë pa status ligjor, mbrojtje apo mbështetje dhe të ekspozuar ndaj shkeljeve të mëtejshme të të drejtave të njeriut.
Politikat e mangëta të migrimit në BE
Numri gjithnjë në rritje i migruesve dhe refugjatëve që marrin rrugët e Ballkanit, është rrjedhojë e dështimit të politikave të migrimit dhe strehimit në Bashkimin Evropian, mbi të cilat Serbia dhe Maqedonia nuk ushtrojnë kontroll. Duke i lënë përgjegjësinë e trajtimit të kërkesave për strehim në kurriz të vendit të parë hyrës në BE dhe duke kufizuar rrugët e sigurta e ligjore të hyrjes, kanë vënë një barrë të madhe në supet e shteteve periferike të BE-së dhe vendeve fqinje.
Në vend që t’i jap përparësi përmirësimit të sistemit të strehimit përgjatë rrugës Ballkanike, Bashkimi Evropian ka investuar në përpjekjet për të forcuar sistemin e “menaxhimit te kufijve”.
“Serbia dhe Maqedonia duhet të bëjnë shumë më shumë për të respektuar të drejtat e migruesve dhe refugjatëve. Por, është pamundur të ndash shkeljen e të drejtave të njeriut atje nga trysnia e gjerë e rrjedhës së migruesve dhe refugjatëve në dhe përgjatë BE-së dhe sistemit të dështuar të migrimit në BE”, tha Gauri van Gulik.
“Derisa një numër në rritje i migruesve, strehimkërkuesve dhe refugjatëve po mbeten të kurthuar në “tokën e askujt” nëpër Ballkan, trysnitë mbi Serbinë dhe Maqedoninë po rriten. Kjo vë në pah faktin se sikundër në Itali dhe Greqi, kjo çështje mund të zgjidhet nëpërmjet shqyrtimit më të gjerë të politikave të migrimit dhe strehimit në BE”.