Për gjithë sakrificën dhe vlerat estetike që i dhashë vendit tim, përfitoj sot një pension prej 70 dollarësh… Vërtetë tragji-komike… Nuk jam i penduar për gjithcka bëra, ndihem i fortë dhe energjik e me mendje të kthiejllët si në ato vite, por tashme me pjekurinë e moshës dhe një akumulim artistik që dhëntë zoti ndodh ndonjë çudi… Dhe çudirat ndodhin… V.Kasa/
Nga Bisedoi Keze Kozeta Zylo/
Kam dëshirë ta filloj bisedën me ju për publikun artadashës me fëmijërinë tuaj, cilat janë kujtimet gjatë kësaj periudhe dhe çfarë vendi kanë zënd në memorjen tuaj? Janë realizuar ëndrrat e fëmijërisë suaj dhe a kanë qenë ato ëndrra katalizator për t’u lidhur me botën e artit?
–Në botën magjike të artit jam futur krejt rastësisht. Në vitin 1968, vazhdoja vitin e fundit në gjimnazin e Pukës i detyruar të ndihmoja familjen e vëllait, i cili ishte transferuar atje. Unë vija nga gjimnazi “Qemal Stafa” i Tiranës dhe kuptohet që u vendosa perballë një realiteti të mërzitshëm. Regjisori shkodran Edmond Mëhilli, i sapoemëruar në shtëpinë e kulturës Pukë, më propozoi një rol në dramën “Hijet e Natës” te dramaturgut Vedat Kokona.
E pranova me kënaqësi duke menduar se thyente ditët e mërzitshme e të ftohta e pse nuk kisha marr pjesë kurrë në aktivitete të tilla artistike. Roli ishte shumë i bukur dhe mbante pothuaj gjithë cfaqjen. Fillova të punoja me një pasion të çmendur me vehten time. Kaq shumë më bëri për vehte kjo punë, sa në çfaqjen që dhamë për publikun pata një sukses të jashtëzakonshëm. E kështu pas një muaji shkuam në Elbasan në festivalin e trupave amatore, ku mora medaljen e artë si aktori më i mirë i festivalit dhe m’u propozua të futesha në Akademine e Arteve, dega dramë. Kështu vura hapat e para në klasën e profesor Mihallaq Luarasit të cilit i jam mirënjohës për këmbëguljen e tij në largimin tim me studime ne Rumani. Pasi mbarova vitin e dytë dega dramë, së bashku me një grup studentësh, shkova me studime në Rumani pranë Akademisë së Teatrit dhe Filmit “ION LUCA CARAGIALE”, Bukuresht.
Ju jeni një regjisor i mirënjohur në botën e kinematografisë shqiptare, cilat janë disa nga filmat e rëndësishëm kombëtar që ju keni realizuar?
Filmi artistik “Streha e re” me regji të V.Kasaj dhe S.Pecani.
Kino Studio Shqipëria e re. 1976
Filmi artistik me dy seri “Ditët që sollën pranverën” me regjisor V.Kasaj. RTSh, 1978
Filmi artistik me dy seri: “Flaka e maleve” me regjisor V.Kasaj. RTSH, 1980
Filmi artistik “Inxhinieri i minierës”, me regjisor V,Kasaj. RTSH, 1981
Kino Komedia “Canta e zezë, me regjisor V.Kasaj. RTSH, 1984
Kino Komedia “Hapi sytë e zezë” regjisor V.Kasaj. RTSH, 1984
Filmi artistik me dy seri: “Rikonstruksioni” me regjisor V.Kasaj, fituesi i çmimit të madh Aleksandër Moisiu në festivalin e filmit në Tiranë, si filmi më i mirë i vitit. RTSH, 1986
Gjatë xhirimeve ju keni pasur pranë aktorë kombëtarë mjaft të dashur për publikun, cilat janë disa nga momentet më pikante që do të kujtonit dhe çfarë më konkretisht?
E doja marrëzisht profesionin tim, e duke punuar në RTSH, që nga struktura mund ta krahasoj me gazetën, kishim lidhur jetën me të dhe nuk njihnim orar. Kam realizuar me dhjetra teledrama me Teatrin Kombëtar, teatrin “Migjeni”, Shkodër, teatrin “Aleksandër Moisiu” Durrës, atë të Korçës apo Elbasanit dhe Fierit si dhe koncertin e madh të ndërrimit të viteve 1980, 1982,1984, 1987 që nga përmasat ishte produksioni më i rëndësishëm i vitit. Qindra emisione humoristike apo koncerte në natyrë, me aktorët tanë më të mirë të humorit dhe këngëtarët e mrekullueshëm të vendit tim. Kam pasur privilegjin të punoj me ajkën e artit Shqiptar, për të cilët ruaj kujtime të bukura. Dua të veçoj këtu aktorët e humorit si Luftar Pajën, Tano Banushin, Skënder Sallakun, Aleko Prodanin, Ceken, Zef Deden, Gezim Krujën, Fadi Hasën, apo parodistët e Fierit dhe Vlorës. Këngëarët tanë të mrekullueshëm, Vaçe Zela, Gaqo Cako, Avni Mula, Zeliha Sinën, Ema Qazimi, Luan Zhegu, Parashqevi Simaku e qindra të tjerë që të më falin se nuk mund t’i përmend në këto pak reshta. Njerëz të përkushtuar dhe të devotshëm. Më kujtohet në xhirimet e koncertit të madh të Vitit të Ri 1984, xhironim në skenën e Akademisë së Arteve, ora 03:40 e mëngjesit, ku duhet të vinte të këndonte V.Zela. Dërguam makinën ta merrte në shtëpi dhe erdhi. Po qeshte me ne, se na quante lugetërit e natës … -Po mirë xhanëm nuk ju zë gjumi mbi pultin e regjisë? Këndoi me atë zë të mrekullueshëm edhe pse e kthyem disa herë… Kur po ikte më tha: “Vëre dorën në ballë”. Ishte shumë e nxehtë. Kam qenë me 39 gjithë ditën vazhdoi artistja.
Qeshi dhe u largua. Në një nga këto netët e lodhshme më kërkon drejtori i përgjithshem i RTSH-s, Marash Hajati. Lashë montazhin dhe shkova. Si është puna me filmin që keni xhiruar në Cakran të Fierit, më tha? Unë ngela i befasuar se nuk po kuptoja se për çfarë e kishte fjalën… -Keni marrë një gomar ku hypën Luftar Paja? -Po i thashë… -Duhet ta hiqni nga filmi, se është ngritur organizata bazë e fshatit dhe ka dërguar letër në Komiteti Qendror, pasi gomari është i një të deklasuari…Ju mund të qeshni… por gomari u hoq dhe na detyroi të rimontonim filmin duke parë çdo kuadër se mos dilte koka apo pëlliste diku jashtë kuadrit.
Ju keni disa foto me legjendën e Teatrit Kombëtar Kadri Roshin, cili ka qenë bashkëpunimi me të dhe tematika qe aktori pëlqente më shumë si dhe mesazhet që ai përcillte pranë jush në radhë të parë dhe pastaj për miliona artashës që e shikonin me ëndje?
Dashuria ime ishte kinemaja. Kisha shumë ëndrra dhe vija me një informacion të kohës nga studimet në Rumani. Këtë e ndjeja në punë me kolegët, me aktorët dhe me ekipin realizues të filmave. Isha shumë egzigjent në punë dhe kërkoja në radhë të parë disiplinë, sepse vija re një lloj indiference nga teknika. Filmi është art kolektiv dhe nëse nuk funksionojnë të gjitha hallkat në perfeksion ndikon në anën artistike të tij. Këto raporte kisha krijuar dhe me aktorët, për të cilët dua të theksoj se kisha fatin të punoja me gjigandët e artit skenik si, Kadri Roshi, Robert Ndrenika, Ndrek Luca, Roza Anagnosi, Reshat Arbana, Serafin Fanko, Sander Prosi, Sulejman Pitarka, Bep Shiroka etj. Isha shumë i ri në moshë dhe puna me ta më mësoi shumë. Shpesh në shesh të xhirimit shumë gjëra ngecnin për një arsye apo tjetrën, por falë eksperiencës dhe urtësisë së këtyre aktorëve të mëdhenj unë bëra një shkollë të dytë, atë të mjeshtërisë së aktorit. Vetëm me punë dhe vetëm punë me përkushtim, u formova si artist.
Ky ishte leksioni më i mirë që mora prej këtyre akorëve të mëdhenj…
Ndër figurat historike kombëtare keni menduar ndonjëherë për të realizuar një film rreth Ali Pashë Tepelenës dhe për cilin aktor mendoni se do të ishte më i përshtatshëm? Vetë qyteti i Tepelenës, kalaja aq pranë , rrugicat e ngushta, lumi Vjosa dhe ura e drunjtë që lidh qytetin me vendet e tjera janë frymëzim i magjishëm për artistët, cili është opinioni juaj?
Unë jam nga Tepelena dhe fatmirësisht kam jetuar aty dy vjet. Gjithmonë e admiroj këtë vend në kujtimet e mia, sepse vërtet aty kishte gjëra përtej imagjinatës. Si djali i Cavoit pasi kështu ma kishin vënë nofkën shokët ndihesha komod dhe shumë shpejt u përshtata me ta. Isha tip sportiv dhe u bëra pjestar i ekipit të basketebollit me Minatorin e Tepelenës që merrte pjesë në kategorinë e dytë. Njoha shumë njerëz të mrekullueshëm që punonin me përkushtim si pedagog, sportist apo artist, me të cilët kam mbajtur lidhje të vazhdueshme dhe në këtë kontekst nuk kishte si të kalonte pa u ndjerë figura e Ali Pashe Tepelenës. Në atë kohë qarkullonin shumë legjenda të cilat dëshironim ti preknim në rrënojat e kalasë, sic ishte tuneli që lidhte kalanë me fshatin Damës (ashtu flitej në atë kohë mes nesh)… Kalon poshtë Vjoses thonin dhe ne që nuk lamë brimë pa kërkuar, apo cdo relike që gjenim e ruanim si hajmali pasi mendonim se na sillte fat. Shpesh kur shkoja i papërgatitur në mësim, i lutesha një pafilleje që kisha gjetur në kala për të mos u ngritur në mësim dhe cuditërisht funksiononte. Kështu u mitizua Ali Pasha tek unë dhe ndihesha i detyruar të bëja dicka për të. Dhe momenti erdhi kur lexova novelën e Kico Blushit “Koka e prerë”. Kisha shfletuar shumë për të, por kjo më ngjiti dhe fillova të skicoja sekuencat e para. Në një ditë të bukur kur xhironim filmin “RIKONSTRUKSIONI”me mikun tim aktorin e madh Kadri Roshi dolëm për të gjuajtur peshk në det të hapur. Ja hodha si ide. Më pa dhe u emocionua…
E kuptova menjëherë se e ngacmoi mendimi për të luajtur rolin e këtij njeriu të madh… I thashë se doja ta vendosja në kalanë e Porto Palermos përsa i përket xhirimeve në exterier… Fillova t’i flisja gjithë kohës se më kishte hypur delli I frymëzimit dhe pasi më la te flisja pa më ndërprerë, më kapi nga dora dhe me sytë që i shkëlqenin më tha: “Ndoshta do të kem fatin ta luaj sa të jem gjallë”. …Por as ai dhe as unë nuk patëm mundësinë për të realizuar këtë film historik, të parin e këtyre përmasave.
Ndryshimet demokratike të vitit 91, shkatërruan përfundimisht ëndrrën tonë…
Do thoni ju, kush të pengon, bëje tani!…
Mos harroni qe filmi është industri dhe me mundësitë financiare të vendit tonë është absurde ta mendosh.
Filmi “Lulëkuqet mbi mure” është një ndër filmat me shikues më të shumtë, ku ju bashkëpunoni ngushtë me regjisorin e shquar Dhimitër Anagnosti cilat janë disa nga vështirësitë qe keni pasur në realizimin e këtij filmi me aktor brilant si Kadri Roshi etj?
Bashkëpunimi me regjisorin Dhimitër Anagnosti në filmin “Lulëkuqet mbi mure” ka qenë shumë konkret, pasi jam marrë me zgjedhjen e trupës së fëmijëve të jetimores. U desh të seleksionoheshin rreth 500 nxënës të shkollave të ndryshme të Tiranës nga ku doli ai grup i vogël i mrekullueshëm aktorësh. Puna me fëmijët aktor më afronte më shumë me ta, pasi edhe vetë isha në një moshë të re dhe për më tepër skenari i filmit më kishte bërë për vehte, e ashtu sic është shprehur edhe Taqo (kështu i flisnin Dhimitrit) gjetëm njeri tjetrin. Unë solla në këtë film
atë energji dhe akumulimin artistik të përfituar në shkollën rumune, që për hir të vërtetës mund të them që ishte në nivele botërore dhe të mësonte vërtetë ABC-n e kinemasë. Atë që admiroja tek Taqo ishte disiplina dhe përkushtimi ndaj punës, për të mos folur pastaj për eksperiencën shumëvjecare në kinema. Dhimitri kishte mbaruar shkollën ruse për operator dhe kjo i jepte avantazhin e madh në ndërtimin e mizaskenave, ndërsa unë fusja në lojën e fëmijëve pikërisht ato çapkënllëqe të fëmijërisë sime. Në punë kam kërkuar gjithmonë te futem në psikologjinë e personazhit duke e pasuruar ate nga jeta ime, për të thënë gëithmonë diçka të re dhe mos të përsëriteshin klishe të mërziteshme. Sigurisht kjo ndërthurje mes lirisë time personale të përfituar në vitet e studimit jashtë shtetit dhe llogjikes racionale të Dhimitrit, ndryshuan shumë episode nga skenari fillestar duke realizuar nje film ikonë të kinematografisë shqiptare. Xhironim me Kadri Roshin episodin që fëmijët i lidhin një spango te shkallët për tu hakmarrë ndaj tij. Morëm një akrobat të cirkut që do bënte rolin e kaskadorit në rrëzimin tek shkallët. Shikoja Kadriun që vinte vërdallë nëpër atelier dhe për një moment më mori mënjanë duke më thënë se donte ta bënte vetë pengimin tek shkallët, por unë i thashë se do vritej dhe nuk ja lejonte mosha.
Jo, jo,më tha! I thashë Taqos dhe pasi nguroi disa çaste u futëm në xhirim. Ajo rënia akrobatike e bërë nga Kadriu u bë disa herë dhe kjo për faj të tij se nuk arrinte atë që donim. Në dublin e katërt e mbyllëm me sukses dhe të gjithë shkuam të përgëzonim Kadriun. Hajde këtu më tha, duke më futur pas kuintave. Ngriti bluzën dhe më tregoi kurrizin e mavijosur dhe të enjtur. Me erdhi shumë keq. Të hëngri vetë b…i thashë dhe e përqafova. Në historinë e filmit shqiptar nuk mund të le pa përmendur këtë kastë të mrekullueshme aktorësh pa të cilët nuk mund të kompletohej gjerdani i bukur i kinematografisë.
Ju jeni regjisor i filmit “Flaka e maleve” me një tematikë mjaft interesante dhe intriguese cila ka qenë puna juaj konkretisht dhe si bashkëpunuat me aktorët dhe banuesit e zonave ku xhiruat filmin?
Filmi “Flaka e maleve” mund të them pa frikë se ka qenë filmi më i vështirë në karierën time. Kisha menduar ta vendosja në zonën e Malësisë së Madhe për ashpërsinë dhe bukurinë e mahniteshme që mbarte në vetëvehte, kështu që u stacionuam në Selcë, afër Vermoshit, në periudhën më të ftohtë të vitit, ku bora shkonte mbi një metër. Që në ditët e para kuptova se sa vështirë do ta kishim për realizimin e filmit dhe ashtu ndodhi vërteë. Makinat nuk ndizeshin nga i ftohti, bateritë e kameras (filmi eshte xhiruar në elektronik) nuk mbanin e shkarkoheshin shpejt dhe shumë telashe të tjera që sot kur i kujtoj më zë frika, por mirë thonë që pasioni për punën të bënë të harrosh çdo gjë. Në këto kushte detyrohem të shpërngulem në Shkodër dhe ta vendos filmin në rrethinat e saj në Bogë, Koplik, Leqet e Hotit, për xhirimet jashtë dhe Shkodër të gjitha interieret në mjedise reale. Por kjo kërkonte te ndryshoja çdo gjë në skenarin tekniko-regjizorial. Ai që është profesionist e kupton më mire se çdo të thotë. Punoja gjithë natën mbi skenar që të nesërmen të isha gati në sheshin e xhirimit. Filmi i bënte jehonë ngjarjeve të kryengritjes së vitit 1911, në Malësinë e Madhe, por unë dëshiroja të theksoja shpirtin liridashës të shqipetarëve për të rritur ndërgjegjen kombëtare në Kosovë pasi aty kishin filluar levizjet e para për Pamvarësi. Ndrek Luca ishte në rolin kryesor, ky aktor i madh, kishte kohë që ishte njohur me skenarin dhe në ndryshim nga të tjerët punonte në detaj me personazhin duke i veshur petkun e malësorit dukagjinas prej nga kishte origjinën e tij. Ansambli i aktorëve u kompletua me trupën e Teatrit “Migjeni” Shkodër, me të cilët kisha bashkëpunuar ne filmin “Ditët që sollën Pranverën” dhe njihja shumë mirë karakteret e secilit. Ajo që ndodhi më vonë kur filmi mori miratimin për vizionim në publik është e trishtueshme, sepse shumë episode u hoqën me motivin se aludonte me ngjarjet në Kosovë dhe kuptohet që mua më dhëmbi jashtë mase sikur më hoqën një pjesë të trupit tim. Por më e dhimbshme për mua si krijues ishte coptimi i gjëmës episodi i vajtocave, që në konceptin tim ishte nje spektakël homerik real me vlera kolosale të traditës shqiptare të cilat sot i ka asimiluar koha. Filmi pati vertetë një jehonë të madhe në Kosovë dhe diasporë, si dhe anë e mbanë e për mua nuk kishte vlerësim më të madh se urimet që merrja ngado.
Sot mjaft filma shqiptarë janë nën konstruktim, e mirëpritët këtë ligj? Çfarë ndryshoni konkretisht tek filmat e mëparshëm dhe pse, ndërkohë që historia është histori dhe i lihet asaj me gjithë vërtetësinë që mbart?
Filmi shqiptar po përjeton një situatë të vështirë në shumë drejtime. Në radhë të pare dhe që për mendimin tim është financiar, sepse fondi i caktuar nga buxheti i shtetit për qendrën kombëtare të filmit është i pa përfilleshëm, pothuaj qesharak dhe e dyta, ne sot nuk kemi salla kinemaje të cilat janë apo nuk janë 3-4 të tilla.
Ky fenomen nuk ndodh vetëm tek ne, sot ka vende të Europës me traditë dhe shumë herë më të fuqishëm se ne, që ka një rënie të theksuar të filmit artistik. Unë mendoj se futja dhe progresi i madh që po ndodh në elektronikë, sic janë televizionet, po sfidon dita ditës kinemanë dhe që ajo më kryesorja, Hollivudi, ky gjigand i kinematografisë botërore ka përqëndruar rreth vehtes ajkën e aktorëve në botë dhe e kanë kethyer në industrinë më fitim prurëse. Shikoj në ekranet e TV tanë që transmetohen pothuaj çdo ditë filmat tanë dhe ndiqen me shumë vëmendje nga të rinjtë edhe pse në mënyrë pirateske, pasi janë shumë pak TV që derdhin detyrimet në shoqatën tonë të mbrojtjes së të drejtave të autorëve. Kam dëgjuar që është një projekt për digitalizimin e TV shtetëror dhe do isha shumë i lumtur që gjithë arkivi i këtij TV (ai që ka mbetur) të mund të arkivohej përsëmbari pasi një nga filmat e mi Ditët që sollën Pranverën (2 seri) i cili është montuar në magnetoskop amerikan AMPEX, nuk mund të transmetohet, pasi kjo lloj paisje nuk figuron më në përdorim. Ju doni të dini dhe me të drejte shtroni pyetje rreth ndryshimit të këtyre dy epokave. Sistemi komunist kohë në të cilën dhe janë realizuar këta filma, investonte shumë në anën ideologjike edhe pse njerzit jetonin në mizerabilitet. Orientimi kryesor në fushën e artit si filmi, muzika apo teatri ishte paraqitja e gënjeshtërt e atij realiteti dhe kufizimet ideore të realizmit socialist. Shumë nga ju nuk e dinë se miratimi i një filmi për t’u shfaqur në publik bëhej nga një komision i ardhur nga komiteti qendror të cilët nuk kishin idenë se nga binte filmi. Kështu ndodhi me filmin “Flaka e Maleve” apo “Lulëkuqet mbi mure” ku po të vini re një episod si: “mbledhjen e celulës komuniste” duket si çiban në film dhe motivonte rolin e partisë në strehën vorfnore… Qesharake. Ky paradoks sot duket shumë i largët, por ne që i perjetuam nuk mund ti harrojmë kollaj, apo ajo që mua më tmerronte ishte fakti që pasi i vritej babait diku djali ne kufi…, babai, deklaronte… “Ja bëj hallall gjakun e tim biri partisë”!… Sigurisht këtij prindi thellë thellë ja dinte shpirti për humbjen tragjike…
Ka ndonjë peng regjisori Vladimir Kasa?
A kam ndonjë peng? Eshtë një pyetje që do të jap tri pergjigje, që kurë nuk i kam publikuar më parë. Në Korrik të vitit 1982 u martova me një pianiste shumë të bukur nga një familje profesorësh të respektuar e quajtur Valbona Kasaj (Shehu) sot pedagoge me emër pranë Liceut Artistik “Jordan Misja”,Tiranë. Fati na bashkoi për jetë dy artistë, njera koncertiste dhe plot ëndrra për të ardhmen e saj dhe unë që kisha nisur rrugëtimin tim në kinematografi. Të vendosur perballë këtij realiteti kuptohet që dikush nga ne të dy duhet të sakrifikonte dhe të tërhiqej nga ëndrra e tij për t’u marrë me fëmijët, pasi dhurata e parë e Zotit, ishn dy mrekullitë, Alba dhe Flori. I jam borxhli Vabonës dhe sinqerisht e kam pasur peng gjithë jetën për sakrificën e bërë, duke më dhënë mundësinë mua ti përkushtohesha profesionit. Ajo diti të edukonte dhe të rriste dy fëmijë për të cilët jemi krenar, e me një vullnet të jashtëzakonshën u rrit nga ana profesionale ne fushën pedagogjike, duke vendosur bazat e një shkolle të re pianistike, gjë që solli breza të tërë pianistëh që debutojnë sot në skenat amerikane dhe europiane.
Pengu tjetër lidhet me vajtjen time në Romë-Itali në vitin 1989 për blerje filmash në llogari të RTSH-s. Pas pune ku viziononim me dhjetra filma dhe kalonim ne “site” pranë në studio produksioni italiane, në mbrëmje me miqtë tanë, shkonim në klubin e artistëve që ndodhej në një lagje shumë të bukur të Romës për të pirë ndonjë kafe. Aty pata mundësinë të takoja mes të tjerëve dhe shkrimtarin e madh Italian A.Moravia, por ajo qe dua të veçoj është takimi me regjisorin e talentuar dhe shumë të njohur aso kohe Francesco Nutin. Diskutuam gjatë së bashku për kinematografinë italiane, për plejadën e aktorëve të papërsëritshëm, për shkollën italiane të kinemasë që solli një revolucion në botën e artit, e shumë, e shumë tema të tjera që isha kurioz qysh në rininë time dhe kuptohet që pastaj i kthyem sytë për kinematografinë shqiptare të cilën ai nuk e njihte fare. Flisja me pasion se kisha ç’të tregoja thoja duke ngritur vlerat e regjisorëve dhe aktorëve tanë. Aty nga fundi i bisedës dola dhe tek krijimtaria ime duke i treguar që tashmë në këtë histori të kinemasë shqiptare, renditeshin dhe tetë filmat artistik të realizuar prej meje. Pashë që më shikoi me habi. Shume i ri më tha për një prodhimtari kaq të madhe dhe pas një pauze qeshi duke shtuar…”Me siguri duhet të jeni shumë i pasur”! Nuk fola dhe pa dashur më shkoi mendja kur isha student në Rumani. Ne vitin e dytë të shkollës më lindi ideja të arratisesha në Amerikë pasi mundesia e ikjes ishte shumë e lehtë. Fillova ta bluaja në kokë gjithnjë e më tepër këtë ide, por nuk guxoja ta bisedoja me njeri. Kisha filluar të kisha emocione dhe natën më zinte gjumi shumë vonë. Pikërisht atë vit duke ecur rrugëve të Bukureshtit me dy shoqet e mia pianisten e njohur Nora Cashku dhe violinisten e talentuar Rajmonda Koço
(gruaja e dirigjentit Eno Koço) pësova një perforacion akut në stomak që falë mikeshave te mia përfundova në urgjencën e spitalit më të afërt. Nuk kisha vuajtur kurë nga stomaku pasi gëzoja një shendet shumë sportiv dhe mendoj se pikërisht ideja e aratisjes time më krijonte vazhdimisht një pështjellim në fund të barkut. Nejse, u operova dhe çdo gjë kaloi me sukses e pas dy ditesh më erdhi konsulli ynë me makinë për të shkuar në ambasadë ku familja ime ishte shumë e shqetësuar dhe donte të sigurohej nëse ishja mirë. Fillova të flisja me nënën time e cila vetëm qante…qante…qante…! E doja marrëzisht atë njeri të mrekullueshëm dhe teksa po mbaronim bisedën më tha ashtu e mekur: “Më ka marrë malli bir, mezi po pres të shoh”! Atë natë nuk fjeta fare… Më dilte fytyra e nënës sime, babait, vëllezëreve dhe motrave të mia… Mendoja aratisjen time… Mendoja pasojat që do kishte familja ime… Mendoja nënën time… Do t’i fusja në gropë të gjithë… Ky ishte pengu i fundit që kurrë nuk ja thashë njeriu, por atë natë me Francesco Nutin më erdhi ndërmend dhe e kapërdiva me vehte…
Çfarë sollën në jetën e Vladimir Kasaj ndryshimet që ndodhën në Shqipëri pas vitit 91?
Asokohe ishim të çoroditur dhe gjëja e pare që më shkoi ndërmend doja të kethehesha pas disa vjetësh në Rumani, për të vetmen arsye se kisha nostalgji për vitet e shkollës dhe më kryesorja për të takuar shokët e mi, të cilët nga viti 1974 nuk dinin gjë fare për fatin tim, sepse largimi i të gjithë studentëve shqiptar u bënë mënyrë misterioze dhe të fshehtë, që siç mësuam më vonë” rrezikoheshim të bëheshim kontigjent i agjenturave të huaja, e gjepura të tilla.
Mendoni çfarë butaforie dhe ç’ishte në gjendje të fabrikonte regjimi komunist! Kështu një natë të ftohtë Marsi pa dijeninë e askujt na mblodhën dhe na nisën drejt Tiranës. Kisha shumë emocion kur u riktheva në Bukuresht. Më dukej se nuk kishte ndryshuar asgjë. Gjuhën edhe pse nuk e kisha përdorur fare gjatë këtyre viteve e flisja në mënyrë të përsosur. Mendoni ti fanepsesh krejt papritur dikujt, që pasi ke qëndruar e punuar së bashku vite të tëra apo ndonjë zemre të lënduar largohesh pa pikë politese duke mos i dhëne as dorën. Çaste vertetë të paharrueshme, përqafime. Por ajo që dua të theksoj ishte fakti se në ato ditë u njoha me një rumun të amekanizuar të quajtur Vasile Boleanu dhe shkëmbyem numurat e telefonit (kuptohet numurat e shtëpisë se celularin nuk e njihnim akoma). Ky njeri punonte për llogari të një TV amerikan. Nuk kaluan as tre muaj kur ky person më merr në telefon nga kufiri i Qafë Thanës e më lutet të shkoja ta merrja pasi kishte ardhur me grup xhirimi dhe kishte frikë të udhëtonte nëpër Shqipëri. Flasim gjithmoë për vitet 92 kur vërtet situata ishte kaotike. Nuk kam ndërmed të zgjatem se çfarë mikpritje dhe sigurie i krijova këij njeriu dhe grupit të xhirimit. Realizuam dy filma dekumentar me metrazh të gjatë falë mundësive dhe njohjeve të mia. E futa dhe xhiroi nga t’i donte e bardha zemër. Mblodhi kapele ushtarësh e policësh, rrypa mezi dhe helmeta ushtarakësh bile dhe një copë nga statuja e bronztë tashmë të rrëzuar e Stalinit që ishte vendosur përball hotel Dajtit, pasi siç më tregonte, atje në Amerikë kishte një muze personal shumë interesant. Siç duket i pëlqeva me punën time këtij miku, se realizimi i dekumentarëve u bë falë punës dhe pervojës shumëvjeçare që unë kisha tashmë. Kam ardhur me mendimin më tha që ty Vladimir mos të dhëmbi koka gjithë jetën… Ishte fillimi i një rruge të panjohur për ne dhe sinqerisht besonim qorazi në ndonjë mrekulli. Krijuam firmën “Technical Media Cooperation”, ai president dhe unë zv/presidenti i firmës me perspektivën e ngritjes së një TV privat që do punonte për llogari të një kanali amerikan ku ai punonte. Ide që unë qysh në fillimet e ndryshimeve demokratike më kishte lindur dhe po e përpunoja në kokë. Bile kur e diskutoja me koleg më shikonin me habi, pasi ishte koha kur ekonominë e tregut dhe unë që fillova nga të parët të flisja për të, më quanin xhambaz, fjalë e shëmtuar, por ky ishte koncepti komunist i asaj kohe. U la me këtë rumunin e amerikanizuar të dërgonte një kamera dhe një magnetoskok pasi operatorë të mrekullueshëm nuk mungonin edhe këtu e të merresha me lajme të ndryshme të rajonit që në ato kohë vlonte i tëri. Që mos të bëhem i lodhshëm ëndrra vazhdonte deri në momentin që shiti filmat me një vlerë marramendëse për kohën dhe su bë më i gjallë.
I dashur lexues, nëse dikujt i bie rasti ta takoj këtë njeri diku andej nga Amerika, i thoni se me idenë që pati e me pak shpenzime në ngjarjet që ndodhën në Shqiperi, si në 97-ën dhe Kosovë, do siguronte lajme që do t’i dhjetëfishonin pasurinë e tij, nëse ishte i tillë dhe mua do më kishte një nga mediat më të fuqisheme, kur TV private këtu filluan pas 10 vjetësh me vonesë. Kështu i zhgënjyer mendova të mbijetoj duke parë se puna në TV Shqiptar dhe prurja e militantëve anonim si dhe paga qesharake për të përballuar jetën më detyruan të gjeja rrugë të tjera jashtë profesionit tim, por rrugë të ndershme!
Dhe në këto reshta të fundit dëshiroj t’ju falënderoj ju znj.Kozeta që më dhatë mundësinë t’i rikethehem pas shumë vitesh magjisë së artit të shtatë ku unë kisha vënë jetën dhe ëndrrën time. Vërtetë rrëfim i dhimbshëm siç u shprehët ju, por mendoni një jetë të lënë në mes dhe një mosmirëjohje për atë që ngritëm me aq dashuri dhe sakrificë. Mund të thoni që fajtor jeni ju për shkëputjen totale nga profesioni. Edhe unë ja kam bërë këtë pyetje vehtes dhe sinqerisht më ka munduar ky mendim për shumë kohë, por nuk jam i vetmi ndër kineastët shqiptarë që u ndodhëm perballë një realiteti të tillë. Motivet janë të shumta dhe nuk kam ndërmend ti rendis ato këtu, por di t’u them se për gjithë sakrificën dhe vlerat estetike që i dhashë vendit tim, përfitoj sot një pension prej 70 dollarësh… Vërtet tragji-komike… Nuk jam i penduar për gjithcka bëra, ndihem i fortë dhe energjik e me mendje të kthiejllët si në ato vite, por tashme me pjekurinë e moshës dhe një akumulim artistik që dhëntë zoti ndodh ndonjë çudi…
Dhe çudirat ndodhin…
Qershor, 2016
Staten Island, New York