Nga Harilla Koçi/
Himarë, 23 maj/Në qytetin e Himarës, 75 km në jug të Vlorës, u zhvillua Konferenca “Marrëveshja e Himarës, rehabilitimi arkitekturor i fshatrave të Bregdetit të Jugut”, me pjesëmarrjen e banorëve të zonës, drejtuesve të qeverisjes vendore e institucioneve qendrore, deputetëve etj.
Përmes kësaj konference, organizatorët synojnë për t’i thënê “ndal” ndërtimeve pa leje dhe për të hapur një epokë të re për bregun, përmes rehabilitimit arkitekturor të banesave të kësaj zone.
Kryetari i bashkisë së Himarës Jorgo Goro, u ndal mes të tjerash tek ndërtimet kaotike dhe abuzimet në këtë drejtim, me traditën e zonës. “Këto ndërtime kanë bllokuar rrugët dhe çdo gjë, san a është dashur të bejmë fotografime nga ajri, për të vërtetuar këtë masakrën që është bërë”, theksoi ai.
Ndërkohë, drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame është shprehur mes të tjerash se, “Bregdeti i Jugut është ruajtur pa u prishur nga fukarallëku dhe nga mungesa e rrugës, por, gjithsesi dallon nga zonat e tjera të cilat janë masakruar në këto vite. Sipas tij, së pari duhet të hiqet dorë dhe të parandalohen ndërtimet pa leje. Sipas tij, në këto muaj janë bërë hapa të mëdhenj për frenimin e ndrtimeve pa leje. “Bregdeti i Jonit është i vetmi në rajonin e Mesdheut që është ende siç e ka krijuar natyra”, theksoi ai.
Zyhdi Dajti drejtori i Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, INUK, garantoi se nuk do të ketë më ndërtime pa leje në këtë zonë. “Çdo objekt në bregdet që është pa leje do të prishet dhe ai që ka leje do të qëndrojë. Nuk do të këtë më asnjë paralajmërim për ndërtimet pa leje, por vetëm ndërhyrje për prishje. INUK do të veprojë pa asnjë lloj dallimi që nga Jugu në Veri”, theksoi Dajti.