• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

INTERVISTË E RENATO CRISTINIT PËR NURENBERGUN E KOMUNIZMIT

June 14, 2020 by dgreca

“Ideologjia Chavez – Maduro është një nga përshtatjet e komunizmit”/

Nga Roberto Mansilla Blanco më 5 maj 2020/-Perktheu:Eugjen Merlika/

(Pjesa e I)/

Renato Cristin është një filozof e profesor i filozofisë ndërpretuese pranë Universitetit të Triestes, n’Itali, dhe nismëtar i fushatës botërore Appeal for Nuremberg Trials for Communism, i prirur për të gjykuar krimet historike të komunizmit. Në këtë intervistë të posaçme për Qué Vaina!i përgjigjet pyetjeve tona mbi këtë nismë, mbi rolin e komunizmit në ngjarjet e sotme e në një vështrim shumë kritik padit regjimin e zaptuar nga Nicolàs Maduro dhe Chavizmin në Venezuelë.

Kur ka lindur “Thirrja për provimet e komunizmit në Nuremberg”, që ti dhe kundërshtuesi sovjetik Vladimir Bukovski  keni vënë në lëvizje?

Kjo nismë është lindur në verën e vitit 2019, por ka patur një shtatzani që mund t’a tregoj shkurtimisht. Gjatë një konferencenë vitin 2005 kushtuar kujtesës së totalitarizmit, një konferencë që e kisha organizuar kur isha Drejtues i Institutit italian të kulturës në Berlin, Vladimir Bukovski më ka shprehur idenë e tijpër të krijuar një “Nuremberg për komunizmin” i cili të mund të përcillte një dënim historik e moral, të njëjtë me atë që me të drejtë dënonte nazizmin dhe e përjashtonte përfundimisht atë nga bota e qytetëruar. Disa vite më pas një grup ekspertësh, profesorë, studjues e politikanë të Vendeve balltike e rimorën atë ide, duke vënë së bashku ndodhi e tubime të karakterit historik, por që në vazhdim nuk arritëm t’a gjenim mënyrën për t’a betonuar nismën. Më së fundi në verën e vitit 2019 i shkruajta Bukovskit për t’i dhënë një shtysë asaj nëpërmjet një thirrjeje që mund të shërbente si bazë për një nismë ndërkombëtare duke filluar nga përvjetori i tridhjetë i rënies së murit të Berlinit. Edhe se ishte i drobitur nga sëmundja e tij, e pranoi me zell, sepse pa mundësinë që t’i jepej një formë idesë së tij. Kështu shkruajtëm tekstin e Thirrjese vendosëm të përgatisnim shpalljen duke mbledhur firma për t’a paraqitur në publik në datën simbolike të 9 nëndorit. Fatkeqësisht Bukovski ndërroi jetë më 27 tetor 2019, duke lënë një zbrazësirë të pamasë tek të gjithë ata që kishin duartrokitur betejën e tij të gjatë kundër komunizmit e kishin ndarë me të arsyet dhe synimet; por njëkohësisht ai na la si trashëgim zotimin e tij për të sendërtuar qëllimet e tij, pjesërisht nëpërmjet nismës sonë të re.

Cilat janë kërkesat kryesore që gjejnë shprehje në këtë nismë?

Kjo nismë është e nevojshme me qëllim që plojët e gjenocidet e regjimeve të ndryshme dhe lëvizjeve komuniste të mund t’i nënështrohen zyrtarisht një gjykimi që deri tani nuk ka ndodhur; në mënyrë që të pastrojë vetëdijen tonë historike nga helmet që ideologjia komuniste ka përhapur gjithandej; kështu të mund të riekuilibrohet  ndërgjegjia morale e botës perëndimore, ndërgjegja e botës së lirë që shumë shpesh, për përtaci apo për keqbesim, fsheh të vërtetat e komunizmit, duke mbuluar thelbin kriminal të një ideologjie që është ende vepruese dhe vdekjeprurëse. Praktikisht do të zhvillohet në tre rrafshe, ngushtësisht të lidhur: një vijë veçanërisht kulturore (historiografike, filozofike, sociologjike, politike, gjeopolitike); një vijë juridike (me synimin për të shqyrtuar mundësinë konkrete për të përparuar në kahun e të drejtës penale, si përsa i përket rasteve të veçanta po ashtu edhe për gjenocidin karakteristik të shumë prej këtyre masakrave); një vijë politike dhe institucionale që duhet të bashkojë si qeveritë mirëpritëse të idesë për të arritur dënimin politik e moral të komunizmit po ashtu si dhe Parlamentin evropian me synimin për të kënaqur përfundimin që barazon komunizmin me nacional socializmin, të miratuar në shtator 2019. Në javët e fundit spikama shëndetësore globale e shkaktuar nga koronavirusi – një argument që ka shumë ndërlikime, jo vetëm ekonomike e shoqërore por edhe politike, mbi të cilët nuk do të ndalohem këtu – ka prodhuar një gjëndje që na ka shtrënguar të ripërsiasim veprimet konkrete që kishim nisur të zhvillonim e që do të rifillojnë kur gjëndja të bëhet e qëndrueshme, besoj mbas verës. Po vazhdojmë të shkojmë përpara me mbledhjen e firmave që mbështesin Thirrjen, që mund të lexohet e të firmoset në faqen web: https://appeal.nurembergforcommunism.org//.

Si ka qënë pritja ndërkombëtare e kësaj nisme, veçanërisht nga pikpamja e opinionit publik, të botës akademike, të lëmshit politik etj?

Deri sot thirrja është përkrahur nga firmat e më shumë se 1500 vetëve, që, siç mund të shihet nga lista që shfaqet në faqen web, vijnë nga shumë Vende dhe janë të lidhur me shumë institucione dhe me një gamë të gjërë profesionistësh, akademikësh e sektorësh institucionalë. Një artikull në italisht, megjithëse i botuar nëndorin e shkuar e pra jo i përditësuar, paraqiste disa nga emrat që duken mes firmëtarëve të parë. Që nga fillimi nisma ka patur një sukses të madh në anën e njerëzve e të bashkësive, përfshirë edhe të ikurit, që kanë jetuar nën komunizmin nga Evropa Lindore deri në Amerikën Latine. Është guximi i pamasë e i adhurueshëm i shumë firmuesve që kanë dalë sot në pah për t’a mbështetur, dhe është gjithashtu miratimi (forcëdhënës e i fuqishëm) i shumë intelektualëve, veçanërisht liberalë klasikë ose konservatorë liberalë në mbrojtje të botës së lirë. N’Itali është paraqitur në Senat me mbështetjen e partive të qendrës së djathtë, por në të vërtetë është një thirrje jo partizane që, duke nënëshkruar nevojën e mënjanimit të ekstremizmit, shënon një ecje të arsyeshme që ka të bëjë me një vizion të barazpeshuar, madje dhe njerëzor (sepse disa prej krimeve të kryera n’emër të asaj ideologjie vazhdojnë ende të kryhen e vazhdon përsëri të ketë viktima). Është një nismë ndërkombëtare me karakter etik, ende më shumë se sa politik, historik e kulturor.

Përkrahja e firmëtarëve të parë, disa prej të cilëve më ndihmojnë edhe në shpërndarjen e dokumentit, është e çmuar. Ndërmjet tyre janë antarë tëParlamentit evropian dhe disa parlamentarë kombëtarë, figura të botës së biznesit, të mediave, të shkencës, të kulturës e të fesë, profesorë universitarë, ekonomistë, artistë e shkrimtarë, personazhe të sportit, profesionistë të fushave të ndryshme, regjizorë të grupeve të përsiatjeve e përfaqësues të shumë institucioneve të kushtuara kujtesës së krimeve të komunizmit që gjinden në të gjithë botën. Dua të ve në dukje njerëzit që kanë pësuar përndjekje nga regjime të ndryshme komuniste evropiane të shekullit 20 (ndërmjet të cilëve dua të përmënd një mik të mirë të Bukovskit, shkrimtarin e disidentin sovietik Arkadi Polishkuk), e t’atyre që ende sot vuajnë në kushte të ngjajshme regjimi: të mërguar e kundërshtarë kubanë, figura të opozitës venezuelane, njerëz që nëpërmjet përvojës së drejtpërdrejtë kanë parë se cilat mund të jenë pasojat rrënuese të kësaj ideologjie, në secilin variant të saj.

Do të desha t’i përmëndja secilin një nga një, mbasi ushqej kundrejt tyre një ndjenjë që shkon përtej mirënjohjes për mbështetjen e tyre, një t’atillë që arrin pikën e miqësisë.

Veç tyre ka organizata që shfaqin zotimin e tyre për të punuar së bashku për të pasuruar nismën e po fillojnë t’a bëjnë në mënyrë konkrete; për shembull Platforma e kujtesës evropiane të ndërgjegjes (Pragë), Victims of Communism Memorial Foundation (SHBA), International Freedom Educational Foundation (SHBA), Corneliu Coposu Foundation (Romania), Instituti eston i kujtesës historike (Estonia), Club de los Viernes (Spagna), Fondacioni Lepanto (Itali), Fondacioni Farefuturo (Italia), për të përmendur vetëm disa prej shumë të tillëve.

Kemi edhe përkrahjen e çmuar të kryetarëve e drejtorëve të organizatave të panumurta, ndërmjet të cilave David Horoëitz Freedom center (SHBA), Bashkimi i Këshillave për hebrenjtë në ish Bashkimin Sovjetik (SHBA), Ëestminster Institute (SHBA), Mannkal Economic Education Foundation (Australi), Liberty Memorial to the Victims of Communism (Canada), National Museum of the Holodomor – Genocide (Ucraina), Cuban Democratic Directory (Cuba-SHBA), House of Terror (Hngari), Komisioni ndërkombëtar për vlerësimin e krimeve të regjimeve të pushtimit nazist e sovjetik në Lituani, Shoqata ndërkombëtare e ish të burgosurve politikë e viktimave të comunizmit (Gjermani), Grupi i studimeve strategjike (Spanjë), Instituti për demokracinë, Median dhe kulturën (Shqipëri), revista New Criterion (SHBA), PanAm Post (Columbia – SHBA), New English Review (SHBA), revista Jihad Watch (Shtetet e Bashkuara), Libertad Digital (Spanja), Opinioni i lirive (Itali) e shumë të tjerë. Për një panoramë të plotë, që për arsye hapësire nuk mund t’i jap të tëra siç do të kisha dëshëruar, ju çoj tek lista e firmëtarëve që mund të lexohen në siton e përdorimit.

Do të shtonja se nga Amerika Latine në veçanti Thirrja ka marrë mbështetjen e vyer të Fondazione Libertad y Progreso (Argjentinë), Fondazione Bases (Argjentinë), Instituti i studimeve mbi veprimin njerëzor (Peru), ndërmjet të tjerëve dhe Fondacioni Bolivia e Lirë. Nga Venezuela veçanërisht kemi rreth dyzetë deklarata mbështetjeje, ndërmjet të cilave nënvizoj atë të një ish presidenti të Vendit, Lëvizja anarkiste e Venezuelës, Rumbo Libertad Movement dhe Qué Vaina!, vetë sito.

A mund të flisni për disidentin sovjetik Vladimir Bukovski? Çfarë roli historik pati Bukovski  në nismën për të përdorur fjalën gjykim mbi krimet e komunizmit?

 Një kundërshtar i qëndrueshëm i regjimit sovjetik dhe një nismëtar i bindur i nevojës për të ngritur një gjykim botëror mbi krimet e ideologjisë komuniste, Vladimir Bukovskiarriti t’i japë një dukshmëri më të madhe politike, më shumë se cilido disident tjetër sovjetik, tezës sipas së cilës ideologjia komuniste nuk mund të lejohet të shumëzohet, para e mbrapa rënies së Brss e të satelitëve të tij. (Mund të shihet profili i botuar në Pan Am Post). Megjithëse Aleksandër Sollzhenicini ishte tregimtari më i madh, asnjëherë i vlerësuar sa duhej, i plojës së fshehur që ishte gulagu sovjetik, Bukovski qe teoricieni më i madh, i njohur edhe për kërkimet e tij se si funksiononte diktatura mbas perdes, në sajë të të cilëve libri i tij Judgment in Moscow është një kryevepër e vërtetë.

Nga pikpamja e gjykimit historik, si do t’a kishit përcaktuar komunizmin?

Historia e kuptuar si një rrjedhë faktesh ka treguar dëmin që ajo ideologji ka shkaktuar në rrafshin ekonomik e shoqëror. Që aty mund të arrijmë tek dënimi – të cilin un e mbështes dhe e propozoj – të komunizmit jo vetëm si një dështim socioekonomik, por edhe politik, moral, shpirtëror e kulturor dhe si një histori të një gabimi antropologjik, i vërtetur si i tillë nga secila prej ngasjeve për të imponuar një njeri të ri: sovjetik, maoist, Castroist, Çavist të çfarëdo lloji tjetër. Por me që ajo ideologji është ende vepruese dhe akoma sot shkakton pasoja rrënuese, si përsa i përket lirisë e dinjitetit njerëzor ashtu edhe për sistemin shoqëror që mbron ato liri e dinjitete, “Thirrja për provimin e Nurembergut për komunizmin” nuk është i vlefshëm vetëm për të shkuarën, por mund të shërbejë për të tashmen e për t’ardhmen, për të ndaluar atë ideologji të shpërndahet më shumë e për të mos e lejuar të dehë brezat e ardhshëm. Shkurt kjo nismë shërben për të dënuar komunizmin aty ku është vënë  me të vërtetë në zbatim, në regjimet e shkuara e të tashme në variantet e ndryshme të tij (ndërmjet të tjerëve Kina, Koreja e Veriut, Laosi, Kamboxha, Kuba, Venezuela, Nikaragua, Mozambiku, Eritrea), të dënohet ideologjia totalitare që i ka pjellë e që vazhdon të veprojë në çdo zonë të rruzullit, edhe në brendësi të botës perëndimore, nën trajtën e partive politike, lëvizjeve revolucionare, grupeve subversive dhe organizatave të botës së tretë, kundër-Perëndimore dhe armike të sistemit ekonomiko-shoqëror perëndimor.

                L’Opinione delle libertà                    

E përktheu Eugjen Merlika

Fundi i pjesës së parë

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika, Nurembergu i Komunizmit, Renato Cristin

E VËRTETA HISTORIKE DHE STRATEGJIA E MASHTRIMIT: TOTALITARIZMI KOMUNIST

May 27, 2020 by dgreca

Nga RENATO CRISTIN/Përktheu:Eugjen Merlika/

“Ajo që më shumë i ka befasuar studjuesit që kanë shqyrtuar me vëmëndje regjimet komuniste, nuk është aq  thelbi apo përbindshmëria e krimeve të kryera se sa gjërësia e bashkëpunimit dhe heshtja miratuese që ata gjithmonë kanë arritur të gjejnë në Vendet perëndimore”. Në fakt, “komunizmi ka arritur të kushtëzojë, në sajë të gjatësisë së kohës dhe përhapjes së tij, jetën politike e shoqërore të mjaft popujve e të nënështrojë me mënyrat e gënjeshtrat e tij, kontinente të tërë”, por “ndikimi i tij ka qënë i pamasë edhe sepse ishte i mbështetur nga një organizim i shkëlqyer ndërkombëtar”, që qëndronte në një fuqi ideologjike të pakrahasueshme dhe në një përkrahje shumë të gjërë të mjediseve kulturore, akademike e gazetare perëndimorë. Kështu shkruante Sandro Fontana, dhjetë vite më parë në një libër të titulluar Gënjeshtrat e mëdha të historisë bashkëkohore (Botimet Ares, Milano 2009).

         Si madhësi shtetërore, me përjashtim të disa vendeve të parëndësishëm ngulmues (Kina, edhe se e drejtuar nga partia komuniste, është një dukuri më e ndërlikuar dhe e papërcaktueshme hë për hë), komunizmi është shëmbur, por ideja e tij, e shpërthyer sot në shumë shndërrime, ka mbijetuar, dhe mbështetja kësaj ideologjie gjaksore (më shumë se njëqind milionë të vdekur, simbas studimeve më të përpikta, si ai nën kujdesin e R. Conquest, Çmimi njerëzor i komunizmit, Botimet e Borghezes, Romë 1973), është ende e fuqishme në të gjithë mjediset që janë në gjëndje të formësojnë opinionin publik perëndimor.

         Format e kësaj mbështetjeje janë të ndërrueshme e me shumë ngjyrime, por kanë të të përbashkët pohimin e një epërsie të hamendësuar intelektuale dhe synimin për të fuqizuar pushtetin, institucional kur të jetë e mundur dhe kulturor në çdo rast. Simbas kësaj logjike, thënë shkurt, ideologjia komuniste dhe prodhimtaria kulturore janë bërë sinonime: atje ku është njëra zorile duhet të jetë edhe tjetra. Mbi këtë aksiomë janë bazuar për dhjetëvjeçarë të tërë, shumë nga renditjet politike t’Evropës perëndimore e përmbi atë kanë fituar partitë e së majtës evropiane. Ajo në vetvete është një gënjeshtër  që ka mundur të kalojë për një të vërtetë vetëm sepse ideologjia që e ka përhapur ka një karakter të brëndshëm të dhunshëm e totalitar, siç e kishte parë përsosmërisht bullgari Cvetan Todorov: “ndërsa Vëndet perëndimore ndërmorrën rrugën e demokracisë, të zgjedhur si pasojë e një vendimi të shumicës së popullsisë, intelektualët e tyre parapëlqyen regjimet e dhunëshme dhe tiranikë. Nëse n’ata Vende do të kishin patur të drejtën e votës vetëm intelektualët, sot do të jetonim nën regjimet totalitare”.

         Kësaj prirjeje ideologjike duhet t’i shtohet fakti që me retorikën kobzezë që themelohet, pothuajse gjithmonë, mbi mashtrmin, sepse, po citoj përsëri fjalët e Sandro Fontanës, “me gënjeshtra është e lehtë të shkatërrosh kundërshtarin politik e madje të fitosh pushtetin”. Megjithatë mashtrimi, sado i madh e i degëzuar qoftë, nuk lejon të qeverisen Shtete të një shumllojshmërie të spikatur e të një vetëdijesimi të madh si ata evropianë, pra caku i asaj ideologjie qëndron në vetë strategjinë e saj. Për të patur sukses  strategjia e gënjeshtrës duhet të shtyjë çdo kuvendim në dalldi, duhet të shpjerë çdo situatë në skajshmërinë e saj, duhet të përdredhë të folurit për qëllime sofistike. Nëse nuk zbulohet, kjo teknikë sjell përfundime pragmatike të gjata, por nëse asaj i hiqet maska, mbulesa e kokës bie, tymi shpërndahet dhe zbulohet e vërteta.

Përjashtimi dhe ligji

Një fije e kësaj dredhie varet sot në një rrahje mendimesh që të majtat, përgjithësisht të përcaktuara kështu, kanë hedhur kundër administratës rajonale të Friuli – Venezia Giulias, Presidenti i së cilës, Massimiliano Fedriga, ka vendosur të pranojë një propozim të miratuar nga Këshilli që ka si synim “të pezullojë çdo ndihmesë financiare ose të çfarëdo natyre tjetër në dobi të subjekteve publikë e privatë që, drejtpërsëdrejti apo tërthorazi, ndihmojnë me çfarëdo mjeti a në çfarëdo mënyre për të përhapur veprime të prirura për të mos pranuar qënësinë e ndodhive si Foibet apo shpërngulja, apo për t’u zvogëluar rëndësinë”.

Në çfarëdo pjese të botës një propozim i tillë do të renditej në veprimtarinë e zakonshme ligjvënëse: është normale që politika të japë ndihmesën e saj për të ruajtur kujtesën historike, duke e mbrojtur nga gënjeshtrat e mashtrimet. Është normale që krimi, ndoshta më i neveritëshmi që ka goditur italianët si bashkësi etniko – kombëtare në gjithë historinë e tyre, të përcaktohet i tillë, e si i tillë të kthehet në një farë unicum një veçanti që nuk mund t’i bashkëngjitet të tjerëve, edhe se të rëndë. Nëse ai spastrim etnik kundër italianëve, si të tillë, ka karakterin e një përjashtimi historik, i përveçëm duhet të jetë edhe gjykimi që i përket, pra edhe pushteti ligjvënës duhet t’a trajtojë në formë përjashtimi.. Me këtë kërkimi historik nuk kundërshtohet në lirinë e tij, por njësoj siç ndodh në ligjëshmërinë gjermane për çështjen e Shoah-ut, duke ruajtur të gjithë ndryshimet për përmasa e për pasoja ndërmjet këtyre dy tragjedive historike, kur skërfitet perimetri që mbron përjashtimin thyhet një cak. Që këtu rrjedh propozimi dhe vendimi i presidentit Fedriga.

Është e natyrshme që një përjashtim të trajtohet veçmas nga rastet e tjera. Por n’Itali, e veçanërisht në Trieste, duket se kjo natyrshmëri nuk pranohet nga ata që nuk mendojnë se ajo tragjedi e llahtarëshme përbën një përjashtim, dhe e rivlerësojnë duke e zvogëluar. Format e këtij rimohimi (term psikanalitik mjaft i përshtatëshëm) janë të larmishme: nuk pranohet e vërteta historike (por sot rastet e kësaj forme skajore nuk janë më shumë të shpeshtë), i mohohet dinjiteti, i mohohet dukshmëria, i mohohet kujtesa e plotë, i mohohet kahu i të qënit unik, por të gjithë këto pikëpamje shkëputen nga e vërteta që u bëkërka objekt i rrëzimit historik, jo të përvojës qënësore, sikur e vërteta duhet të përcaktohet nga historiografia e jo nga kujtesa e njerëzve, gjithmonë e gjallë, sepse e mishëruar në përvojën. A u takon historianëve të miratojnë përfundimisht të vërtetën e përvojës qënësore? Objektiviteti i historianit qënka përmbi përvojën e viktimës apo kujtesën e atyre që rijetojnë dëshminë? 

Njollosjes së drejtpërdrejtë i vihet pranë edhe shpotia: përtej mosnjohjes së një krimi të jashtzakonshëm në përmasën e tij etniko – politike, vërehet këtu një pozitivizëm dorështrënguar dhe totalitar, që mëton t’u imponojë individëve, popujve dhe shpirtit tabelat e njehsimit historiografik. Argumenti i epërsisë intelektuale të së majtës i zbatuar në truallin e përvojës së jetuar: ideologjia e së majtës na thotë se çfarë është politikisht e drejtë; historiografia e së majtës përcakton se si duhen ndërpretuar ngjarjet historike. Por meqë këto të fundit janë një gërshetim i pazgjidhshëm i fakteve të vërteta dhe i jetëve të jetuara, e vërteta e tyre – në kuptimin filozofik e pra në vështrimin prejardhësor – nuk është e përmbledhëshme në skemat historiografike. Në këtë vështrim rasti për të cilin po flas është shëmbullor.

Totalitarizmi i ideologjisë komuniste

Jemi përballë një fruti të helmuar të mendimit totalitar, sepse totalitarizmi prodhohet nëpërmjet mohimit të së vërtetës dhe detyrimit të skemave të paracaktuara. Me këtë qëllim thuhet se ai propozim dhe birësimi i tij i mëtejshëm do të ishin përçarës. Është një skemë aq e vjetër sa që duket e bezdisëshme, nëse nuk do t’ishte megjithatë gjithmonë e dëmëshme: vetëm ajo që propozon apo detyron e majta është përbashkuese, gjithshka tjetër është përçarëse. Nëse pranohen normat e së majtës ka paqe, përndryshe shpërthen lufta. Kjo përzjerje e sofizmës me frikësimin është vdekjeprurëse, por prej pak kohësh shihen disa krisje në mburojën politikisht pa gabime, fillojnë të shihen gënjeshtrat që e ndërtojnë; italianët po e kuptojnë dhe shpesh e kanë treguar me ushtrimin demokratik të votës, që ajo retorikë ka si qëllim përfundimtar mashtrimin. Në fakt, nën maskën e lirisë së kërkimit shkencor duan të imponojnë skema ideologjike, e shumë më poshtë, sisteme financimesh që mbrapaushqejnë ato skema, në një qark që shërben për të bërë të qëndrueshëm e madje për të fuqizuar pozita të fituara gjatë dhjetëvjeçarësh zotërimi kulturor. Në lojë janë pra, pushteti që në dhjetëvjeçarë e majta, retorika e saj e historiografia e saj kanë arritur t’i imponojnë opinionit publik.

Kufiri lindor vazhdon të jetë i sulmuar nga një ideologji që, me gjithë kalimin e kohës, me gjithë shpalljen e të vërtetave historike, me gjithë dështimet e tij planetare, duket e njëjta e shtatëdhjetë viteve më parë, me të njëjtën strukturë logjike e me të njëjtat formula. Është prova që, thënë shkurt, komunizmi si teori e si veprimtari praktike, është i gjallë, e nuk është i kufizuar vetëm në qoshen e Verilindjes, por është i përhapur në të gjithë Vendin, e në forma të ndryshme, kudo në botë. Mbas një shekulli sulmesh gojore (për të mos folur për dhunimet fizike e shfarosjet në masë) idhtarët e kësaj ideologjie, sot të maskuar në mirëdashës e të shtuar në galaktikën përparimtare, kanë paturpësinë  të duken si kreshnikët e fjalës së qetë e si fshikullues të papërkulshëm t’atyre që, ata dhelpërisht quajnë “bisedat e urrejtjes” e që, në fakt janë argumenta teoriko – politikë në kundërshtim me politikisht korrektin vërshues, ose herë herë shprehje të thjeshta të gjykimit të shëndoshë. Me fodullëkun që vetëm profesionistët e gënjeshtrës e të shtirjes arrijnë t’a kenë, lëvduesit e mirëdashjes kanë zaptuar një hapësirë të rëndësishme në rrahjen e mendimeve publike, në media e në social dhe e përforcojnë me sulmin sistematik kundrejt çfarëdo shprehjeje që sado pak mund të verë në krizë ideologjinë e tyre. Është lëvizja e zakonshme dhe e shumënjohur e sulmit paraprak: nga një pikpamje politike, gjithshka që kërcënon themelin e shtyllës së tyre etiko – gjuhësore, mbi të cilën ngrihen këta qortues ogurzinj duhet të sulmohet me padi të rënda edhe se të pathemelta: kombëtarizmi, populizmi, ksenofobia, fashizmi etj.; nga pikpamja psikologjike duhet prozhmuar cilido njeri e ose çfarëdo lloj ideje që mund t’i heqë maskën gënjeshtrës mbi të cilën qëndron politikisht e ndershmja. Që kjo ideologji mizore, në më shumë se një shekull jete, nuk ka ndryshuar kurrë këtë skemë, është një fakt shqetësues e në të njëjtën kohë qesharak. Teza absurde e epërsisë etike e politike të së majtës, edhe se është dukshëm e gabuar, është e përhapur kaq shumë sa është bërë diçka e zakonshme.

Megjithë rënien e miratimeve për partitë e së majtës, në sajë të përhapjes së ideve liberale, të liberal – konervatorizmit e të katoliçizmit të së majtës, megjithë punën për heqjen e maskimit ideologjik  që nga 1994 qëndra e djathtë italiane ka sendërtuar (së cilës duhet t’i japim vlerësimin e drejtë historik dhe teorik), letrat vazhdojnë t’i shpërndajnë përfaqësuesit e asaj ideologjie: politikanë, intelektualë, gazetarë, profesorë që japin patenta demokratizimi, të kundërfashizmit e të çfarëdo përkufizimi të dobishëm për qëllimet e tyre. Një pjesë e madhe e popullsisë, shpesh e pavetëdijshme ose për një ndrojtje nderuese, me një nënështrim të kuptueshëm por të paarsyetueshëm i pranon këto renditje, këto kategori që mëtojnë të rregullojnë proçeset kulturore, marrëdhëniet shoqërore, madje edhe zhvillimet psikologjike të njerëzve: një mëtim qartësisht totalitar.

Bëhet fjalë për një dramatizim ideologjik, aktorët e shumtë të të cilit kanë luajtur e vazhdojnë të luajnë tmerrësisht me seriozitet: një kohë vepronin për llogari të ndërkombëtares komuniste, mbi fillin e hollë e përvëlues që lidhte zotimin politik me terrorizmin; sot veprojnë n’emër të ndërkombëtares mirëdashëse (maskim i asaj së mëparëshmes), jo më puq me rrymat terroriste, por me të njëjtin qëndrim të terrorizmit psikologjik e gjuhësor të një kohe. Nëse, siç thoshte Guglielmo Ferrero, terrori është grykëderdhja e pashmangëshme e revolucionit, nëse ai vihet në jetë jo vetëm me dhunën fizike por edhe me atë gjuhësore, terrori i epokës sonë është ai bllok kulturor që quajmë “politikisht i ndershëm”, trajta e ndryshuar dhe e përditësuar e revolucionarizmit komunist.

E drejta demokratike për të qeverisur

Nëse sofistika klasike, e urryeshme por e shkëlqyer, e çon në skaj çdo arsyetim, sofistika e urryeshme e sotme, që është një brumë i përsosur leninizmi dhe pasmodernizmi (e që, në rastin tonë të veçantë, është stërholluesja me të cilën veprojnë mohuesit, zvogëluesit dhe ortakët e tyre, në të gjithë ngjyrimet e tyre), birëson të  njëjtën normë eristike,  por që objektivisht është shumë më poshtë se niveli i asaj të lashtë, nuk arrin t’a mbajë bisedën në skaj, duke tradhëtuar një vullnet që, nënë retorikën e re stërholluese – shkatërruese, vazhdon të riprodhojë mëtimin e hershëm të epërsisë, prirjen drejt mujshisë, idesë totalitare. Është e vështirë të qëndrosh në skaj pa e kaluar, nëse je i krekosur me sipërani ideologjike, kulturore, politike e madje morale. Vesi i hershëm i së majtës gjen në vetvete shkakun e dështimit të tij.

Kjo ndodhi e fundit, e cila nga kronikat vendore u shtri  në skenën kombëtare, qoftë sepse me që ka të bëjë me spastrimin etnik kundër – italian, prek një nyje shumë të ndjeshme të ndërgjegjes kombëtare, qoftë sepse ndërmjet kundërshtarëve t’atij propozimi të qendrës së djathtë ka institucione të rëndësisë kombëtare, tregon që në një rritje të mërisë, e majta, që mbledh studjues të njimendtë së bashku me shakllabana, që grumbullon të urtë e të skajshëm, njerëz të ndershëm e xhambazë në keqbesim, mohues e zvogëlues, e ka kapërcyer atë skaj. Ndoshta as e ka parë, duke u vetëquajtur e pagabueshme dhe përmbi çdo lidhnije morale,  por në të vërtetë ka kaluar çdo vijë ndarjeje: tragjedia e foibeve është e paprekëshme. Ky është skaji i pakapërxyeshëm, përtej të cilit hapen skenarë rrënqethës, që na bëjnë të rizhytemi në epoka kur ideologjia komuniste sundonte. E ndoshta është ky malli i fshehtë që shtyn gjithënjë e më përpara cakun e bisedës në një dëshirë vetëpohimi që kërkon të shkatërrojë, të heshtojë apo t’a mohojë kundërshtarin politik e kulturor.

Mbi krimin e foibeve nuk mund të ketë ujdi, siç nuk mund të ketë ujdi mbi rravgimin kriminal të Shoah. Përtej kësaj vije ka ndalim, sepse hyhet në zonën e errët në të cilën gjithshka është e mundur, edhe Auschwitzi, në një truall të pëgërë në të cilin mohohet thelbi i të qënurit njeri. Me këtë ndalesë liria e kërkimit shkencor nuk ndalohet, aspak nuk preket e qëndron në përgjegjësinë shkencore e morale të secilit, që mund të vendosë lirisht nëse do t’a kalojë apo jo cakun. Por politika, kur ka përgjegjësinë e qeverisjes, ka edhe të drejtën të vendosë se si mund të ndiqet në mënyrën më të mirë e mira e përbashkët, sepse pushteti demokratik mbështetet mbi këtë të drejtë. Me që koncepti i së mirës së përbashkët nuk është vetëm objektiv, por përcaktohet edhe në bazë të idesë së shoqërisë e të botës së njeriut që është zgjedhur për të qeverisur, ai vendos si t’i adresojë investimet publike për t’arritur atë që quhet e mirë publike. Ky është kuptimi i ligjëshmërisë së pushtetit, t’atij kushtetues e t’atij të zakonshëm, sepse në atë qëndron parimi i demokracisë në zbatimin e tij të plotë. Mund të kundërshtohet një vendim, edhe kjo është një pamje e dialektikës demokratike, por nuk mund të diskutohet e drejta për të vendosur, sepse nëse pushteti është i ligjësuar nga shumica e zgjedhësve, të mohohet kjo e drejtë është një veprim rrënues.

Krimet e komunizmit

Të folurit është një armë me dy presa, siç e dinte mirë Freudi . Në fakt mund të tradhëtojë synime të fshehta, si në rastin e një dokumenti të fundmë të një instituti studimesh historike, në të cilin fjala ”krimet”, që është më e përshtëshmja për të vizatuar ndodhitë e foibeve e përqark, përdoret vetëm  për “krimet italiane të luftës”. Krimet e foibeve quhen “ploja”, me një term neutral, semantikisht me dy kuptime, ideologjikisht i përshtatëshëm. E përsëri në një letër kundërshtimi kundrejt propozimit të Këshillit rajonal FVG, do t’ishin “përmallime helmuese” përpjekjet që administrata rajonale dhe shoqatat në mbrojtje të kujtesës së tragjedisë istriano-dalmate po bëjnë që paprekshmëria e asaj kujtese të ruhet në tërësinë e saj. Në të vërtetë ajo shprehje është një fjalë, froidisht, e rënë, që tradhëton vullnetin për të riprodhuar mashtrimet ideologjike mbi të cilët janë ndërtuar trajtat e pushtetit kulturor që, pra ndjell mallin e një mbizotërimi pjesërisht të dëmtuar e që urohet të jetë në mbarim. Ky po, është një mall, madje helmues.

Në këtë vijë semantike hyn edhe një shuplakë nxirëse e hedhur kundër Legës Kombëtare, shoqatë e dekoruar për merita italianizmi, që në të njëjtën letër proteste përcaktohet “një ent pa besueshmërinë e nevojshme të kompetencave e seriozitetit në truallin e kërkimeve historike”. Edhe njëherë praktika e nxirjes, por Lega Kombëtare nuk ka nevojë për mbrojtës: historia e saj, pesha e saj shkencore dhe integriteti moral mjaftojnë të vetme, për të topitur çfarëdo sulmi, çfarëdo prozhmimi. Formulari është gjithmonë i njëjti: më të mirët rrijnë majtas, kushdo tjetër i vetëm apo shoqatë, që vendoset nga ana tjetër, është për përcaktim më i keq.

Kështu zbulohet thelbi teorik dhe ideologjik prej të cilit rrjedhin, si pasoja të zbatueshme, të gjitha praktikat të përshkruara shkurt këtu dhe shumë të tjera të pashqyrtuara. Krimet e komunizmit qënkeshin, për arsye të ndryshme, më pak të rëënda se sa ata të nacionalsocializmit: kjo është logjika, t’a quajmë kështu, që ende sot duket se drejton, nganjëherë edhe si një të shkrepur të kushtëzuar (të detyruar nga dhjetëvjeçarë shplarjeje ideologjike të trurit), lëvizjet e intelektualëve të së majtës, e më në përgjithësi veprimi i politikisht korrektit i zbatuar në histori. Kundër thelbit krimprodhues dhe përfundimeve kriminale të nacionalsocializmit, kemi thënë,të gjithë, jo vetëm e majta fjalë përfundimtare, që përmblidhen në një shprehje pak të vjetëruar por krejtësisht të përshtatëshme: e keqja absolute. E njëjta duhet thënë, e mbi këtë një pjesë jo anësore e së majtës vazhdon të mos jetë e një mëndjeje, kundrejt thelbit e përfundimit, njësoj kriminalë të komunizmit, edhe se në ndryshueshmëri të skenarit, të ndërlikimeve e të pasojave. Që këtu  vjen nevoja , tashmë e pashtyeshme, për t’i vendosur sot  pranë  të të shenjtit Gjyq të Nuremergut (dhe të gjithë nëngjyqeve që kanë lejuar kapjen e dënimin e të tjerëve kriminelë nacionalsocialistë; një për të gjithë: proçesi që në Jeruzalem ka vënë mbrapa hekurave Aihmanin) një Nuremberg të komunizmit, sigurisht në trajtat që epoka jonë mund të lejojë. Ose pranohet të qëndrohet në këtë rrafsh kulturor, shkencor dhe etik, ose qëndrohet nga ana e komunizmit: tertium non datur (rrugë të tretë nuk ka).

L’opinione delle libertà

Filed Under: Politike Tagged With: Eugene Merlika, Renato Cristin, Totalitarizmi

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT