• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Vetëvrasja e një kombi” – “Kolaboracionistë” e “patriotë” …

December 13, 2015 by dgreca

*  Kanë kaluar njëzetepesë vjet nga përmbysja e regjimit totalitar dhe në Shqipëri vazhdojnë të qarkullojnë termat “kolaboracionist” e “patriotë” dhe drejtuesit e shtetit shqiptar përpiqen ende të prangosin me hekurat e rënda “kolaboracionistët” dhe të ekzaltojnë “patriotët”. Po kush janë këta “kolaboracionist”?. /

*Duke shfletuar librin “Vetvrasja e nje kombi”/

Nga Reshat Kripa*/

Kur isha në moshën e fëminisë historinë e Shqipërisë e njihja siç ma kishte mësuar historiografia totalitare që studiohej në shkollat tona. Sipas saj, çdo luftëtar nacionalist më shfaqej si Sali Protopapa i filmit “I teti në Bronx” apo si ballistët e filmit “Kur zbardhte një ditë”. Por pata fatin, e theksoj pata fatin, që Zoti i Madh dhe i Madhërueshëm më mori mendjen dhe u ngrita kundër atij sistemi duke shpërndarë trakte në rrugët e qytetit tim. U arrestova dhe u dënova. Në burg  takova ata burra të rrallë që, në ato kondita kur karakteri im nuk ishte formuar ende, më treguan të vërtetën e këtij vëndi dhe rrugën nëpër të cilën duhej të  ecja. Ndaj them se pata fatin, pasi atje mësova të vërtetën historike dhe këtë të vërtetë e regjistrova në memorien dhe ndërgjegjen time për të mos e harruar kurrë.

Nuk e di sepse por, në këto çaste, më vijnë ndër mend vargjet e pavdekshme të Ndre Mjedës:“Lirinë e keni ju, na hekrat kemi!”

Dikush do të më thotë se  hekurat, që ndrydhën një popull të tërë për gati gjysmë shekulli, i hodhëm poshtë njëzetepesë vjet më parë. Po, i dashur mik, keni të drejtë, por ju harroni se hekurat nuk janë vetëm ato që diktatorët i përdornin për të lidhur kundërshtarët e regjimit. Mua më duket sikur poeti nuk kishte vetëm këto lloj hekurash parasysh por, më tepër, ato që ndrydhnin ndërgjegjen e njerëzve, ato që nëpërmjet slloganeve demagogjike mundoheshin të fitonin kredibilitet në sytë e opinionit publik. Dhe këto lloj hekurash ishin më të rënda se ato që përdornin diktatorët.

E pra, kanë kaluar njëzetepesë vjet nga përmbysja e regjimit totalitar dhe në Shqipëri vazhdojnë të qarkullojnë termat “kolaboracionist” e “patriotë” dhe drejtuesit e shtetit shqiptar përpiqen ende të prangosin me hekurat e rënda “kolaboracionistët” dhe të ekzaltojnë “patriotët”. Po kush janë këta “kolaboracionist”?

Kjo pyetje qëndron pezull në skakierën e politikës shqiptare. Mendimet janë të ndryshme dhe shpesh herë përplasen midis tyre. Të ashtuquajturit historian të periudhës totalitare i rendisin politikanët që morën pjesë në administratën e pushtuesve në radhën e kolaboracionistëve. Pikërisht për këtë emërtim, shumë prej këtyre politikanëve, me vendosjen e pushtetit komunist, shkuan në satër pa as më të voglin hezitim. Të tjerët ishin detyruar, për të mos pësuar të njëjtin fat, të merrnin rrugën e emigrimit në vendet perëndimore ku kishin gjetur një strehë të sigurtë dhe një liri veprimi.

Pas ndryshimeve demokratike lindi edhe nje kategori tjetër historianësh që ngjarjet e asaj periudhe i shikonin me nje sy tjetër. Kjo kategori pretendonte se ngjarjet historike nuk duheshin parë bardhë e zi. Ylberi ka shtatë ngjyra dhe të gjitha ato duhen patur parasysh.

Kur u themelua Fronti Nacionaçlirimtar, në Konferencën e Pezës,  komunistët, mjeshtra të mashtrimit,  hodhën parullën demokratike të bashkimit “pa dallim feje, krahine dhe ideje”, parullë që simbolizonte bashkimin e gjithë forcave politike në një front të vetëm dhe zgjidhjen e problemit të pushtetit  pas fitores me anën e zgjedhjeve të lira. Por, pas Konferencës së Mukjes, papritur, kjo parullë demokratike u zëvendësua me atë revolucionare: “Pushteti buron nga gryka e pushkës”, ndërsa hymni i partzanëve u bë kënga:

 

Bijt’e Stalinit jemi ne,

                                    Që derdhim gjakun an’e mbanë

                                    Sa të valojë përmbi dhe,

                                    Flamuri drapër e çekan!

 

Vini veshin! Komunistët dhe partzanët nuk luftonin për flamurin kuq e zi me zhgabën dykrenore në mes por për flamurin me drapër e çekan të vendit ku sundonte diktatura komuniste, të vendit që kishte në krye tiranin Stalin, që synonte të pushtonte të gjithë botën.

Ju lutem, më falni për këtë  hyrje pak a shumë të gjatë, por të gjitha këto më dolën parasysh kur përfundova së lexuari kujtimet e  një “nacionalisti të ndezuar dhe antikomunist” siç ishte Kol Bib Mirakaj, biri i  një familje të shquar të rrethit të Pukës që fillon me atë të Bib Ndoj Mirakës që më 1912, së bashku me Frrok Bajraktarin, Hajdar Nimanin dhe 47 burra të tjerë, çelën kushtrimin në shtatë bajrakët e Pukës dhe u organizuan në luftë duke thyer forcat turke dhe duke ngritur flamurin e kuq me zhgabën dykrenore te kisha e Qielzës dhe duke vazhduar me bijtë e tij, Pashuk Bib Mirakajn i cili u vu në krye të rezistencës antikomuniste duke dhënë edhe jetën e tij në vitin 1946, Pal Bib Mirakaj që vazhdoi rrugën e të vëllait, Pashukut, deri në vitin 1951 dhe më pas kaloi në Jugosllavi për të vazhduar përpjekjet për një Shqipëri të lirë dhe, në mënyrë të veçantë, më i dëgjuari prej tyre, Kol Bib Mirakaj, i cili në vitin 1941 udhëhoqi forcat vullnetare në luftë kundër sulmeve shoviniste të  çetnikëve serbë dhe malazes që kishin depërtuar në pjesën veriore të Shqipërisë, duke i dalë zot Shkodrës heroike. Në këtë betejë Kol Bib Mirakaj u plagos rëndë në këmbën e majtë dhe shpëtoi nga vdekja vetëm në saj të ndërhyrjes së mikut të tij nga katundi i Midhes në Pukë, Prendush Colit. Ja si u shpreh intelektuali vlonjat Ago Agaj, një figurë tjetër e shquar e nacionalizmit shqiptar, në ceremoninë përkujtimore për përcjelljen e tij në banesën e fundit:

I  lidhur me atdhenë e vet ngushtësisht, të cilin e kish larë me gjakun e tij, të vëllait dhe të birit më të madh dhe shumë të tjerë të fisit të tij , si ndoshta askush nga neve të tjerët, nuk donte të largohej nga buza e Adriatikut, se i dukej sikur valët e tij e mbanin të lidhur me atdheun. Ai thosh përhera: “Kur të detyrohem të largohem shumë nga Shqipëria, asht ma mirë të vdes”.

(Ago Agaj, “Salikimi i Kol Bib Mirakajt”, “Shqipëria e Lirë”organ i Bllokut Kombëtar Indipendent, 15 gusht 1968, faqe 4)

Por të mos harrojmë edhe birin e tij, Ndoc Kol Mirakajn, një nxënës i shkëlqyer i gjimnazit të Shkodrës dhe i universitetit të Torinos në Itali në degën e Inxhinierisë Politeknike, drejtues i lëvizjes kunderkomuniste që kishte si objekt shkatërrimin e çerdheve komuniste  në Kosovë dhe në Shqipëri, që pranon më mirë të vetevritet se sa t’u dorëzohet hordhive komuniste më 29 gusht të vitit 1949.

Kjo është historia e kësaj familje të madhe. Por le të kthehemi te autori i librit të përmendur më sipër, te Kol Bib Mirakaj. Propaganda komuniste është munduar me çdo mjet ta errësojë këtë figurë të shquar, duke i atribuar lloj-lloj shpifjesh dhe emërtimesh por, kurrë nuk ia arriti qëllimit të saj. Figura e këtij nacionalisti të shquar sot është vendosur në piedestalin e figurave të shquara të këtij kombi. Ai, së bashku edhe me burra të tjerë të mëdhenj si Mustafa Kruja, Ernest Koliqi, Xhevat Korça, Patër Anton Harapi, Rexhep Mitrovica, Ago Agaj, Xhafer Deva,  e të tjerë,bashkëpunuan me italianët apo gjermanët me qëllimin e vetëm se, në këtë mënyrë, do t’ia arrinin qëllimit për lulëzimin e Shqipërisë Etnike e cila, për herë të parë në historinë e këtij vendi, u krijua në sajë të vullnetit të këtyre dy vendeve, gjë që nuk e kishte bërë asnjë vend tjetër i botës. Ja si shprehet Kol Bib Mirakaj për këtë çështje:

Kam dhanë bashkëpunimin tim jo me “kambë në kapërcyell”, por lealisht e me guxim, pa kompromis,me bindje të ndërgjegjëshme, se pas fatit të kryem dhe në rrethana që gjindej Atdheu ( vetë në pamundësi me i ba ballë okupacionit me forcë, e ndërkombëtarisht abandonue në fatin e vet) ajo ishte e vetmja mënyrë me mujtë me i vjeftë çashtjes kombëtare deri sa Atdheu të gjindej në ato rrethana.

N’anën tjetër, kishe bindjen se ajo fazë historie, ndoshta, ishte e vetmja rasë që i paraqitej Shtetit Shqiptar për me arrijtë në bashkimin e tij, në kufijtë që na caktojnë Gjaku, Gjuha, Historia dhe Ekonomia, pra ndër Kufijtë Etnikë. Kishe bindjen e plotë se ishte pikëpjekja e Kombit tonë me historinë, për me realizue aspiratën më të madhe e të drejtë të tij, për t’afirmue drejtësinë kundër tregjeve diplomatike që ishin ba në kurrizin e tij prej shekujsh.

Kjo bindje u vërtetue tanësisht në prill të vitit 1941, me zmadhimin e Shqipënisë ndër kufiojtë etnikë.

 Po i të njejtës linjë me të është edhe Patër Anton Harapi kur, në vitin 1945 në sallën e gjyqit, u deklaronte gjykatësve kriminelë:E pranova detyrën se nuk mujshe me pamun Shqypninë të pushtueme prej anarkije, nuk dojshem të krijohej nji babiloni shqyptare me luftë vllavrasëse qi zhgatërronte katundet, familjet. Ndjeva mëshirë si për popull e gjithashtu edhe për Shqypni.

            Qeshë i shtrënguem të zgjedh njerën dysh: a të baj nji marri tue e pranue këte detyrë, a të tregoj nji dobësi tue u largue. Vendosa ma mirë të baj nji marri ose, sikurse thonë ata shqyptarë qi duen të ruhen të pastër, desha të kompromentohem!”

Le të sjellim tani një shembull nga e majta shqiptare: Emrush Myftari, një i ri komunist kosovar, pjesmarrës i luftës së Spanjës përkrah brigadave internacionale, shokë me Xhemal Kadën, Petro Markon, Skënder Luarasin, edhe këta luftëtarë të Spanjës, me fitoren e forcave të Frankos kthehet në qytetin e tij të lindjes, në Pejë. Atje vazhdon luftën kundër okupatorëve jugosllavë. Më 17 prill 1941 Jugosllavia kapitulloi përpara ofensivës gjermane. Emrushi së bashku me një grup shumë të madh pejanësh pret ardhjen e çlirimtarëve gjermanë, siç i quante ai, ndërsa një grup serbësh ishin ngujuar në bashkinë e qytetit për ta pritur “okupatorin” me armë. Me mbërritjen e tanksit të parë gjerman, një vajzë e re i dhuron komandantit të tij një kurorë me lule të freskëta. Emrushi hipën në tanks dhe së bashku me turmën e madhe i drejtohen vendit ku ishin serbët. Fillon përplasja. Nga ana kosovare vriten dymbëdhjetë trima. Së fundi serbët detyrohen të dorëzohen. Për këtë veprim, Emrushi u dënua me vdekje nga komunistët, vendim që mundi të zbatohej në vitin 1945.

Si duhet ta quajmë veprimin e këtij heroi, kolaboracionizëm apo patriotizëm? Si shpjegohet që ky luftëtar, që kishte luftuar edhe kundër gjermanëve në Spanjë, tani bashkohet me ta? A mos duhet quajtur tradhëtar? Jo dhe jo. Atë e thirri zëri i atdheut.  Ishin pikërisht gjermanët që i sillnin lirinë e atdheut, që e shkëpusnin nga robëria shekullore e serbomëdhenjve.  Ai, së bashku me intelektualët shqiptarë që cituam më lart, luftonin për  Shqipërinë Etnike. Ishte pikërisht Gjermania që e kishte kthyer Shqipërinë në kufijtë e saj natyral, me përjashtim të krahinës së Çamërisë. Ishte Gjermania që kishte korigjuar një gabim të pafalshëm të kryer nga Franca dhe Anglia në Konferencën e Londrës. Ishte së fundi Gjermania që e trajtoi vendin tonë jo si një vend të pushtuar por si një vend të lirë. Ishin pikërisht komunistët ata që, duke mohuar vlerat kombëtare, ia kthyen sërish këto krahina jugosllavisë, armike e betuar e popullit tonë.

Shfletoj internetin dhe ndalem tek faqja për patriotin Vaso Pashë Shkodrani. Lexoj:  Administrator në Ederne në vitin 1879. Atje merr titullin Pasha. Guvernator në Liban në vitin 1883.  Qënia në këto detyra nuk e pengoi të mendonte dhe të punonte për Shqipërinë. A nuk ishte edhe Turqia pushtuese? A nuk i shërbeu edhe ai Turqisë? Atëhere, përse Vaso Pasha quhet patriot dhe intelektualët tanë kolaboracionist?

Vazhdoj më poshtë me Ismail Qemalin: Kryesekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë më 1868. Guvernator i Varnës dhe Danubit të Poshtëm më 1870. Anëtar i komisionit të kushtetutës turke më 1876. Guvernator i Tripolit dhe vali në Siri në vitin 1897. Deputet në parlamentin turk në vitet 1908-1912.

Atëhere përse Ismail Qemali quhet patriot dhe intelektualët tanë kolaboracionist? Pyetjet e tjera janë të njëjta si për rastin e Pashko Vasës.

Nëse do të vazhdojmë më tej do të shohim se edhe udhëheqësi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Abdyl Frashëri ka qënë dhjetë vjet deputet i parlamentit turk, ndërsa vëllai tij Samiu një figurë e njohur që turqit e kanë një nga figurat më të shquara të historisë së tyre, madje edhe eshtrat e tij prehen atje dhe jo ne vendlindjen e tij dhe një stadiumi i kanë venë emrin e tij për kujtim.

Atëherë, përse të mos e quajmë të njëjtë edhe veprimin e këtyre intelektualëve tanë gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore?

Një argument tjetër që vërteton se ata nuk ishin “kolaboracionistë” është ai se, sipas kritereve të demokracive perëndimore, nuk është provuar se Kol Bib Mirakaj, Mustafa Kruja, Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva, Ago Agaj apo ndonjë nacionalist tjetër shqiptar të ketë qenë kolaboracionistë. Në vendet ku regjimet e tyre shquheshin për demokraci të mirëfilltë, ata u pritën ngrohtë, u rrethuan me nderimin e njerëzve dhe kryen punë mjaft me përgjegjësi. Po të ishte provuar se ata kishin qenë kolaboracionistë, përkrahës të fashizmit etj, atëherë asnjërit nuk do t’i lejohej qëndrimi për asnjë çast në vendet më demokratike të botës.

Ja një shembull tjetër për sa thamë më sipër : Qeveria shqiptare iu kërkoi aleatëve kthimin e atyre që ata i quanin “kriminelë lufte”. Le të citojmë zotin J. E. Jacobs, funksionar për shërbimin e jashtëm të Shteteve të Bashkuara. Në një letër miqësore drejtuar Zeusit shqiptar, që mban datën 5 korrik 1945,  ai shkruan:

I dashuri, Gjeneral-Kolonel Hoxha,

     Tue iu referue bisedimit tonë të pasun para disa javësh të shkuara mbi çështjen e kthimit të kriminelëve të luftës shqiptarë, dëshëroj t’ju njoftoj se letra me datë 22 qershor 1945 e Ministrit të Drejtësisë, drejtue Komitetit Ndërkombëtar të Luftës në Londër, i asht dërgue atij komiteti.

            Në mbështetje të listës së 43 kriminelëve të luftës të pretenduar, që asht pregatitur më datë 23 shkurt 1945, atë listë e kisha me vete në Caserta, në udhëtimin e fundit ku u bisedue kjo çështje.Me gjithë se nuk mund t’ju siguroj se çfarë masa do të merren, unë mund të them se autoritetet në Caserta janë duke e investigue këtë çështje dhe mundësisht në një kohë të shkurtër mund të mirret ndonjë masë.

            Me respekt, i dashuri Gjeneral-Kolonel.

            Jam fort i sinqert i juej.

Zoti Jacobs ishte një personalitet i majtë. Megjithatë le ta lemë atë dhe të vazhdojmë se si rrodhën ngjarjet e mëpastajme. Sado që u mundua legata shqiptare në Romë të merrte informata mbi këta “kriminelë lufte” nuk ia arriti qëllimit. Në një relacion që Zv/ministri i jashtëm Mihal Prifti i dërgon Legatës Shqiptare në Paris, midis të tjerave shkruhet:  Legata prej Rome na njofton se është në pamundësi  të bëjë relacionin mbasi i mungojnë informatat (Viti 1952, Dosja 95/1, Fleta 14/8).

Gjithashtu në një letër që Mihal Prifti i drejton Ministrisë së Drejtësisë shkruhet:

Sikurse është në dijeninë tuaj kjo Ministri kërkoi nga Qeveria franceze, dorëzimin e  kriminelëve të luftës. Në përgjigje të kërkesës sonë, Qeveria Franceze deklaroi se për dorëzimin e tyre në bazë të ligjit francez datë 10 mars 1927, nevojiten këto dokumenta:

  1. Lista e krimeve që kanë kryer
  2. Mandat arrestimi ose në mungesë, kopjen e dënimit të gjyqit
  3. Origjinalin, ose kopjen autentike të librave gjyqësorë mbi të cilat bazohet kërkesa e Qeverisë Shqiptare (K. RN. S. L. K.2 1.4.1952)

Natyrisht që Qeveria Shqiptare nuk mundi kurrë t’i siguroj këto dokumenta pasi nuk i dispononte. Atëherë ajo kërkoi vizë në Ambasadën Franceze për të dërguar në Paris dy të ashtuquajtur dëshmitarë, Xhavit Qesen dhe Riza Caushanin, vizë që iu mohua nga ana e Ambasadës Kjo vizë nuk iu refuzua së koti. Iu refuzua se ata predikonin për diçka që nuk i përgjigjej realitetit. Iu refuzua sepse personat që kërkonin ata për t’i gjykuar ishin ajka e kombit shqiptar dhe një gjë të tillë Europa dhe e gjithë bota e dinin mirë.      

Le të kthehemi tani në një temë tjetër:  “Kush janë fitimtarët e kësaj beteje të madhe”? Dy janë idetë që janë ndeshur me njera tjetrën gjatë shekullit të kaluar. E para ideja nacionaliste që mbështetej në ekonominë kapitaliste të tregut të lirë ku individi të kishte të drejtën e fjalës dhe të veprimit, të drejtën e pronës dhe të banimit, të drejtën e shkollimit dhe specializimit,  të drejtën e votës së lirë dhe përfaqësimit. E dyta mbështetej në ekonominë socialiste ku individi pothuajse nuk kishte asnjë të drejtë, ku prona ishte rrëmbyer dhe bërë pronë e shtetit,  ku shkollimet dhe specializimet bëheshin vetëm për persona të zgjedhur nga regjimi,  ku e drejta e votës së lirë mungonte plotësisht.

Përfaqësuesit e idesë së parë  ishin Kol Bib Mirakaj,  Mithat Frashëri, Abas Kupi me pasuesit e tyre. Ishim ne që u ngritëm kundër diktaturës totalitare, që luftuam dhe dhamë jetët tona  për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi. Ndërsa përfaqësuesit e së dytës ishin diktatori Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo dhe xhelatët e tjerë. Ishin ata, ndjekësit besnikë të tyre që ju zunë duart kallo nga duartrokitjet për ta duke iu thurrur hymne lavdie dhe kur e panë se ai u përmbys, si rezultat i revoltës popullore, ndërruan fletën dhe u kthyen në socialistë apo demokratë.

Ndaj, në këto ditë, kur në vendin tonë është instaluar sistemi kapitalist i ndërtimit të shoqërisë,  pikërisht ai sistem për të cilin ne luftuam, fitimtarët e vërtetë të tij jemi ne, nacionalistët shqiptarë, është “Apostulli i shqiptarizmës” Mithat Frashëri dhe dishepujt e tij është Kol Bib Mirakaj, është Abaz Kupi sepse pikërisht idetë e tyre fituan, ndërsa humbësit janë mbeturinat e sistemit të përmbysur. Ndoshta. tani për tani, ata  kanë arritur majat e pushtetit. Ndoshta, tani për tani, kanë arritur majat e pasurimit. Por do të vijë dita që e vërteta do të triumfojë mbi vendin tonë dhe të gjitha kanë për t’ju dalë nga hundët. Atëherë ata i prêt vetëm një gje: ndëshkimi i drejtësisë shqiptare. Kjo ditë do të vij.

* Percjelle nga Editori i Diellit ne promovimin e librit te Kole Bibe Mirakaj”Vetevrasja e nje Kombi”, 13 Dhjetor 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: “Vetëvrasja e një kombi" - “Kolaboracionistë” e “patriotë”, Kole Bibe Mirakaj, reshat kripa

Trajtimi i së shkuarës komuniste në Shqipëri

November 12, 2015 by dgreca

Nga Reshat Kripa/
Trajtimi i temës të së shkuarës komuniste në vendit tonë është një nga pikat më kryesore të vullnetit të drejtuesve të shtetit shqiptar, partive politike dhe organizatave joqeveritare. Unë në fjalën time do të paraqes opinionin e shoqatës tonë mbi këtë çështje. Për të qënë realist pranoj se ndryshimet në vendin tonë janë shumë të mëdha. Në fakt sistemi totalitar komunist është përmbysur por, fatkeqësisht, mentaliteti i atij sistemi vazhdon të dominojë politikën shqiptare. Kjo gjë duket qartë sidomos në trajtimin që politika shqiptare i bënë së shkuarës komuniste. Në përgjithësi kjo politikë mundohet që këtë të shkuar ta kalojë në heshtje, sikur nuk ka ndodhur asgjë, sikur nuk është zhvilluar fare holokaust. Më lejoni t’ju kujtoj intervistën që zoti Gabriel Partosh i ka dhënë kohë më parë televizionit Top Channel. Midis të tjerave ai ka thënë:
Në Gjermani dhe në Francë dënohen po deklaruan se nuk është zhvilluar holokaust gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Për të provuar holokaustin mbi popullsinë civile të kryer nga regjimet komuniste, do t’ju paraqes disa shifra të nxjerra nga libri “Jashtë kontrollit” i personalitetit të njohur amerikan Zbigniev Brzhezhinskij për të kuptuar gjithçka! Në këtë libër jepet një pasqyrë e plotë e krimeve të kryera gjatë shekullit të njëzet që autori e quan “Shekulli i megavdekjes”.
Në këtë libër autori thekson se numri i viktimave civile gjatë të dy luftrave botërore ishte 48 milion persona, ndërsa numri i viktimave të shkaktuara nga holokausti komunist 66 milion, pra holokausti komunist shkaktoi 18 milion viktima më tepër. Vini veshin! Ndërsa krimet e nazizmit u kryen në kondita lufte, ato të komunizmit në kohë paqeje dhe me një gjakftohtësi kriminale.
Le të shohim tani shifrat e nxjerra nga Instituti i Integrimit të Përndjekurve Politikë. Sipas këtyre të dhënave numri i personave që kanë pësuar holokaust direkt është 200.000. Po t’i shtojmë kësaj shifre numrin e fëmijve të internuar nën 14 vjeç, që nuk janë përfshirë në këto lista dhe atyre që nuk janë regjistruar fare, pasi nuk ndodheshin në Shqipëri, atëherë rezulton se numri i përgjithshëm i atyre që kanë pësuar drejtpërdrejt persekutimin arrin 250.000 persona. Duke marë parasysh se gati 70% e tyre i përkasin periudhës deri në vitin 1954, kur popullsia e vendit nuk i kalonte të 1.000.000 banorët, rezulton se 25% e popullsisë është persekutuar. A mund të lihet në heshtje një fenomen i tillë?
Në vitin 2010 një delegacion i Kombeve të Bashkuara i kërkoi Shqipërisë të dënonte krimet e komunizmit. Asnjë organ qeveritar nuk e dha këtë njoftim Gjithashtu, asnjë organ i medias audio-vizive ose të shkruar. Lajmi u mësua vetëm nëpërmjet valëve të internetit. Gjithashtu, më 14 dhjetor 2010 gjashtë ministra të jashtëm, ata të Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë, me nismën e Ministrit të Jashtëm Lituanez, zotit Audronius Azubalis. i drejtuan Komisares Europiane për Çështjet e Drejtësisë, zonjës Vivian Reding një letër që përmbante propozimin për ngritjen e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit. Do të kishim dashur që krahas firmave të ministrave në fjalë të kishte qenë edhe ajo i ministrit tonë të jashtëm, por ajo mungoi. Edhe ky lajm u mësua vetëm nëpërmjet valëve të intenetit. Përse?
Sot bëhet një zhurmë e madhe në Kuvendin e Shqipërisë për reformën në Drejtësi dhe dekriminalizimin. Shoqata e jonë u dërgoi një propozim komisioneve përkatëse në kuvend që ish-gjykatësit, prokurorët, hetuesat dhe punonjësit e Sigurimit të Shtetit të përjashtoheshin nga pjesëmarrja në organet e drejtësisë si dhe nga organet e larta të shtetit shqiptar, pasi të gjithë ata mbajnë në ndërgjegjen e tyre ekzekutimet, burgosjet, internimet e qindra qytetarëve të pafajshëm dhe krimet e tjera të tmerrshme të sistemit komunist. Kanë kaluar 25 vjet nga përmbysja e atij sistemi. Gjatë kësaj periudhe janë me qindra të rinj që kanë studjuar në universitetet më në zë të Europës. Vallë nuk gjënden dot midis tyre , të cilido krahu qofshin, që mund të zëvendësojnë mbeturinat e së kaluarës? Por. Çuditërisht, nuk morëm asnjë përgjigje nga ndonjeri prej pjesëmarrësve në këto komisione dhe kjo pikë nuk u diskutua fare.
Para syve më dalin fjalët e zotit Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës “Për dënimin e krimeve të rregjimeve komuniste”:
Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar regjimet ish- komuniste të qëndrojnë në këmbë.
Ndaj ne nuk duam që në krye të shtetit shqiptar të jenë këta lakej të sistemit të përmbysur. Por le të kthehemi te e ardhmja që duhet të ndjek vendi ynë. Në tetor të vitit 2006 Kuvendi i Shqipërisë miratoi rezolutën “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi konunist në Shqipëri” ku përfshihen, midis të tjerave, dënimi i diktatorit Enver Hoxha si ideatori frymëzuesi, drejtuesi dhe ekzekutuesi i holokaustit komunist, rishikimi i datave simbol të sistemit komunist, bërja publike e të gjitha dokumenteve që dëshmojnë krimet komuniste, hapja e dosjeve të ish-bashkëpuntorëve të sigurimit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, administratës publike qëndrore e lokale, si dhe të mediave kombëtare audio-vizive apo të shkruara, rishikimi i historisë së shqipërisë dhe teksteve shkollore, hartimi i një strategjie kombëtare për eleminimin e pasojave të totalitarizmit, përmbushja e të gjithë detyrimeve ligjore lidhur me statusin e të përndjekurve politikë për integrimin, arsimimin, punësimin, strehimin dhe dëmshpërblimin e tyre, akordimi i një fondi për gjetjen e të zhdukurve dhe të vrarëve me ose pa gjyq për arsye politike, shpallja e një dite kombëtare për përkujtimin e viktimave të komunizmit, kthimi në muze i burgjeve dhe kampeve të tmerrshme, ngritja e memorialeve në kujtim të shqiptarëve që u sakrifikuan për shembjen e komunizmit, organizimi i një konference kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të përndjekurve, akademikëve, historianëve si dhe ekspertëve të OJQ-ve për krimet e kryera nga regjimi totaliar komunist. Zbatimi i plotë i kësaj rezolute do të ishte një shenjë se Shqipëria, ashtu si gjithë vendet e tjera të lindjes, do të dënonte me të vërtetë të kaluarën komuniste.
Por a është zbatuar kjo rezolutë. Për fat të keq, kanë kaluar 9 vjet dhe asnjë pikë e saj nuk është vënë në zbatim. Madje edhe disa nisma për zbatimin e saj kanë mbetur në letër si ajo e vendimit Nr.42 dat 14.01.2009 për ngritjen e “Muzeut Kombëtar të Viktimave të Krimeve të Komunizmit në Shqipëri” dhe të “Obeliskut të Viktimave të Krimeve të Komunizmit”, vendim që ka mbetur vetëm në letër. Është krijuar edhe një shoqatë për shpalljen e kampit të punës së detyruar në Spaç si muze por edhe kjo ka mbetur vetëm një ëndërr.
Disa muaj më parë po shetisja me një mikun tim në bulevardin “Bajram Curri”. Po afroheshim te vendi ku ky bulevard bashkohet me Rrugën e Kavajës. Në një pallat të kohës së perënduar, ende i pasuvatuar, ndërtuar me tulla silikate, ishte shkruar me tulla të kuqe: “Rroftë Partia e Punës”.
Nuk u besova syve të mi. Tani, pas njëzetepesë vjetësh, në vendin tonë paska ende parulla të tilla të një diktature që pretendojmë se e kemi rrëzuar. Ia tregova mikut. Ai buzëqeshi dhe tha vetëm një fjalë:
– Katovica!
Un nuk doja ta besoja, por nuk kisha as argumente për ta kundërshtuar.
Diskutimi i mbajtur ne Konferencen Shkencore “Trajtimi i se shkuares komuniste ne Shqiperi” pergatitur nga prezenca e OSBE ne Shqiperi.

Filed Under: Analiza Tagged With: e shkuara komuniste, reshat kripa, trajtimi

Një përgjigje për të ashtuquajturi shtyp i pavarur

October 18, 2015 by dgreca

Nga Reshat Kripa/
E kam zakon që çdo mëngjes dëgjoj pasqyrën e shtypit të përditshëm që disa organe të ndryshme e japin çdo mëngjes. Midis tyre më tërhoqi vëmendjen një lajm i publikuar në gazetën “e pavarur’ Shqiptarja.com ku shkruhej: “Hapja e dosjeve. 110 sigurimsat që janë aktivë në politikë” Më tërhoqi vëmendjen ky titull intrigues. Mendova se, më në fund, do të mësoja se kush ishin këta punonjës të ish-Sigurimit të Shtetit që qenkan ende në krye të shtetit shqiptar. Dola me vrap dhe bleva gazetën në fjalë. E hapa dhe lexova. Por, çuditërisht, aty pashë vetëm pseudonime të këtyre bashkëpunëtorëve të sigurimit. Nuk kuptova asgjë. Nuk kuptova edhe përse një gazetë që pretendon se është e pavarur nuk kishte shkruar emrat realë të këtyre bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit por vetëm pseudonimet e tyre. Cila ishte arsyeja? Mos vallë druhen se do të bëjnë armiq në sferat e larta të politikës shqiptare të të dy krahëve? Apo mos ndoshta, duke vënë një emërtim të tillë, do të tërheqin një numër më të madh lexuesish dhe, në këtë mënyrë do të kenë një fitim më të madh nga shitja e gazetave? Cilado që të ishte arsyeja e një gjëje të tillë, unë mendoj se kjo nuk duhet të ishte rruga që duhet të ndjekë një gazetë serioze. Detyra e një gazete serioze, që e quan veten të pavarur, është që të paraqes realitetin e ngjarjeve ashtu siç janë, pa u ndikuar nga influencat partiake të kujtdo krahu qofshin. Por, për fat të keq, një gjë e tillë nuk ndodh në Shqipëri. Në vendin tonë, për fat të keq, gjithshka është pleksur me pikpamjet politike të njerit apo tjetrit krah. Përse ndodh një gjë e tillë? Sepse Shqipëria ende nuk ka mundur të shkëputet nga sindroma e “njeriut të ri socialist”: Është pikërisht ky njeri që sot drejton median dhe politikën e shoqërisë shqiptare. Është pikërisht ky njeri që e përdor të ashtuquajturin shtyp të pavarur në interes të një klani të caktuar apo një tjetri. Një gjë e tillë sjell një çoroditje në opinionin publik shqiptar. Një çoroditje e tillë i shërben vetëm një klani të caktuar në shoqërinë shqiptare që kërkon t’i imponojë asaj mendimet e saj obskurantiste dhe mafioze. Ndaj duhet të ruhemi. Duhet të ruhemi nga këto mendime që e degradojnë shoqërinë shqiptare në limitet më të fundit të demokracisë së vërtetë. Duhet t’i dalim hapur së keqes që po kërcënon vendin tonë. Nuk e di nëse ky komb do të ketë kurajon t’i kundërvihet kësaj të keqeje të madhe. Lufta vazhdon. Kemi përballë një shtyp që na kundërvihet me të gjitha mjetet e tij që ka në dispozionin. Ne nuk kemi asgjë. Nuk kemi asnjë media që të marrë përsipër këtë luftë. Megjithatë duhet të luftojmë. A do të fitojmë? Koha do ta tregojë. Megjithatë unë kam besim. Shkrimin në fjalë nuk do ia dërgoj asnjë prej gazetave në Shqipëri pasi mendoj se asnjë prej tyre nuk do ta botojë. Këtë e kam provuar edhe në disa raste të tjera. Megjithatë sot ekziston shtypi elektronik, që, për mua, është shtypi më demokratik që mund të ekzistojë, Ndaj edhe unë po e botoj në këto organe. Lexojeni dhe më gjykoni në se kam të drejtë apo jo.

Filed Under: Opinion Tagged With: gjoja, reshat kripa, shtypi i pavaruar

Dr. Hysenbegasi në njëzeteshtatë vjetorin e vdekjes

October 7, 2015 by dgreca

Nga  Reshat Kripa/

I mbylli sytë dhjetë vjet më parë, më 4 tetor 1988. I mbylli i qetë, pa iu rënduar njeriu, pa u ankuar. I mbylli siç i mbyllin burrat e mëdhenj.  Por i mbetën dy brenga pa u plotësuar. E para që nuk pa ditën e rilindjes së atdheut, ditën e demokracisë, së cilës i ishte përkushtuar dhe që do të vinte pas dy vitesh dhe e dyta për djalin e vetëm, Enin, që nuk kishte mundur t’i trasmetonte profesionin e tij, profesionin e mjekut, për të cilin ai kishte punuar gjithë jetën.

Megjithatë të dy këto dëshira u plotësuan, ndonëse ai nuk mundi t’i gëzonte. Shqipëria e shpërtheu perden e hekurt që e kishte ngujuar për gati një gjysëm shekulli, ndërsa Eni, me përkujdesjen e jashtëzakonshme të nënës së tij të nderuar, fisnikes Gjyltere Hysenbegasi, sot punon në profesionin e mjekut në Romë, duke ndjekur shembullin e të atit.

Isuf Hysenbegasi lindi në  vitin  1913  në   Starovë  të Pogradecit. Lindi në ato vite kur Shqipëria e porsa lindur luftonte me të gjitha forcat e saj për mbijetesë nga intrigat e  kurdisura nga fqinjët djallëzorë. Ishte i biri i Jasharit, një luftëtar i vendosur kundër pabesive greke që, në atë periudhë, ndesheshin në çdo hap që hidhte atdheu.

Por ati i tij ishte gjithashtu një intelektual i shquar që dinte se si duheshin edukuar fëmijët. Kështu i shkolloi të dy djemtë. Isufin pas shkollës së mesme e dërgoi në Romë, në Universitetin Shtetëror, që më vonë do të merrte emrin “La Sapienza”, në fakultetin e mjekësisë në vitin 1932, ku u laureua për doktor në mjekësi dhe kirurgji me rezultate të larta. Nga 100 pikë të  mundshme mori 97. Një rezultat me të vërtetë i mrekullueshëm.

Në kohën që Isufi ishte me studime në rradhët e studentëve universitarë filloi të përhapej një ndjenjë diskriminimi dhe mospërfilljeje për shqiptarët. Një gjë e tillë nuk kishte si të mos binte në sy të Isufit dhe disa shokëve të tjerë të tij. Ndaj vendosën që t’i sfidojnë. Së bashku me mikun e tij Kudret Kokoshin, i cili studionte në atë universitet për drejtësi, organizuan një konferencë shkencore mbi karakterin e shqiptarit. Në këtë konferencë ftuan disa nga mendjet më të ndritura të asaj kohe në Romë. Atje u fol për Shqipërinë dhe shqiptarët, për shqipet dhe vendin e tyre, për doket dhe zakonet e këtij vendi, për besën dhe nderin e shqiptarit.

Suksesi ishte i jashtëzakonshëm. Qysh nga ajo ditë asnjë nuk guxoi më të përgojojë shqiptarët. Bile nëpër  gazetat  e  kohës  filloi  të  shkruhej  për  Shqipërinë.

7 prilli i vitit 1939 e gjen në Tiranë.Është njëri nga tetë anëtarët e komisionit të të rinjve që shkuan për të kërkuar armë në pallatin mbretëror, por mbreti tashmë kishte ikur. Në janar 1940, ndërsa kryente stazhin në spitalin e Tiranës, drejtori i këtij spitali, doktor Lozzi, e prezanton me një mjek italian të veshur civil:

– Il nostro giovane!  

Civili i zgjati dorën të cilën doktori bëri sikur nuk e vuri re,

– Io sono Albaneze! – ishte përgjigja e tij krenare.

Në vitin 1941 shkon për specializim në Itali. Dikush i propozon  që të vishej mjek ushtarak në frontin italo-grek, kundrejt një page të konsiderueshme. Doktori përsëri refuzoi. Rezultati ishin tetë muaj internim në ishullin Capraia, në derdhjen e lumit Arno në Firence.

Viti   1945   e   gjen   në   klinikën   e   tij  në  Tiranë.  Por komunizmi, që kishte vendosur të bëhej varrmihësi i inteligjencës nacionaliste shqiptare, e degdisi në Gjirokastër, ku në fund të dhjetorit 1946 arrestohet. Pas dy vjet torturash të tmerrshme në hetuesi, përballë të cilave qëndroi i paepur, dënohet nga Gjykata e Lartë Ushtarake me pushkatim. Pak më parë kishte vdekur nga torturat në hetuesi i vëllai Feriti. Kjo bëri që me vendim të Kuvendit  Popullor,  vendimi   t’i   kthehej   në  burgim  të përjetshëm. Lirohet pas nëntë vjet burg.

Personalisht e njoha në kampin e punës së detyruar të Urës Vajgurore në gushtin e vitit 1952. Me një trup mesatar dhe të rregullt, me ballin e gjërë prej dijetari, me sytë e shndritshëm që të ngjallnin shpresë dhe besim, me fjalën e ëmbël dhe të matur, ai zëvendësoi tek unë prindërit që më mungonin. Isha vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeç, ndërsa ai tridhjetenëntë. Këshillat e tij  të herë pas hershme apo edhe tërheqja e veshit kur unë gaboja, formuan karakterin tim. Më thërriste “Vëllai im i vogël” dhe unë e quaja “Vëllai im i madh”

Më lejoni tani të përshkruaj disa çaste të paharruara që kanë ndodhur gjatë atyre katër viteve që jetuam së bashku, nëpër ato shkallë ferri.

Fundi i dhjetorit 1952.  Ishte cingërimë, binte një borë e  ftohtë dhe e shkrirë. Po ktheheshim të rraskapitur nga puna e lodhshme. Ishim lagur deri në palcë. Po dridhesha i tëri. Sa më pa më mori dhe më shtroi në atë që ne e quanim infermieri. Më vendosi termometrin. Tregonte mbi 40 gradë  celsius.

Nuk do ta harroj kurrë atë natë kur jeta ime luftonte dhëmbë për dhëmbë me vdekjen. Në atë luftë protagonisti kryesor ishte doktori. Gjithë natën më qëndroi mbi kokë duke më ndërruar pecet me ujë të ftohtë që m’i vendoste mbi  ballë, të vetmet mjete që kishte në dispozicion, përveç ndonjë aspirine apo bari tjetër të këtij lloji. Në kllapin time dëgjoja fjalët e tij që më pëshpëriste. Më fliste për familjen dhe shokët e mi. Dhe mua më dukej sikur ata i kisha pranë. Më në fund këmbëngulja e mjekut triumfoi mbi vdekjen. Afër mëngjesit temperatura filloi të zbresë.

Nuk isha përmirësuar ende, kur më njoftuan se do të trasferohesha në një kamp tjeter. Doktori kërkoi me forcë të më mbante, por daullja binte në vesh të shurdhër. Ndarja me doktorin më bënte ta ndjeja veten të braktisur në mëshirë të fatit. Më dukej sikur kisha humbur mbështetjen time. Ia shpreha këtë ndjenjë doktorit. Ai filloi të më fliste se edhe në kampin tjetër do të  gjeja  plot burra të tjerë ku mund të mbështetesha.

– Jam i ri – i thashë

Nuk më la të vazhdoja. U ngrit në këmbë dhe me një frëngjishte të kulluar më deklamoi vargjet e Sidit nga tragjedia e Kornejit:

 

Je suis jeune, il est vraie,

Mais aux åmes bien nais,

La valeur n’attend point,

Le nombres des annèes”.

 

(Unë jam i ri, por në shpirtrat e mëdhenj, vlefta nuk matet me vitet).

 

Vargjet kishin vepruar si magji për zemrën time. Një ndjenjë besimi në vetvete më mbushi zemrën.  Ndjenja e mëparshme e thyerjes shpirtërore ishte zhdukur. Të nesërmen na trasferuan në kampin e Vlashukut. Nuk  vonuan as tre muaj dhe doktori erdhi atje. U bëmë përsëri bashkë.

Prill 1953. Djali gjashtë vjeçar i  togerit katil, Ademit, ishte  sëmurë rëndë. Një ftohmë e tmerrshme e kishte shpënë në buzë të varrit, me gjithë kujdesin që kishte treguar doktor Isufi. Shpëtimi i vetëm ishte inxheksioni me penicilinë oleoze, një medikament i kohëve të fundit që vinte nga SHBA. Një të tillë kishte avokati Jani Ikonomi nga Narta, një i burgosur politik. Togeri e mësoi një gjë të tillë dhe iu lut doktorit t’ia merrte duke i premtuar se do t’ia kthente përsëri. Papritmas ujku ishte shndërruar në dele. Doktori ndërhyri, e mori penicilinën dhe ia injektoi fëmijës që u shërua, por bashkë me sëmundjen togeri harroi edhe premtimin. Delja ishte kthyer përsëri në ujk

Pas pak kohe u sëmur rëndë Bejo Vrazhdua nga Bolena. Edhe për këtë rast shpëtimi ishte penicilina oleoze. Doktori i kërkoi togerit të mbante premtimin, por ai ishte i atij brumi që premtimet i hidhte në koshin e plehrave pa e vrarë farë ndërgjegja, sepse nuk kishte ndërgjegje. Në fillim të qershorit  Bejua mbylli sytë. Ajo ishte një ditë zie për gjithë kampin.. Më i prekuri, më i revoltuari ishte doktori. Një i burgosur, një nga ata që fjalën e fundit e thonë në fillim, i tha një fjalë të rëndë. Doktori iu përgjigj:

– Unë jam mjek. Detyra ime është  të  shëroj  çdo  të  sëmurë,  aq  më  tepër  kur  ai  është

fëmijë. Ndoshta një ditë këtij djali do t’i vijë rëndë për xhestin e të atit.

Nuk e di nëse ky djalë rron apo jo dhe se çfarë mendon për të  atin, por po ta takoja do t’i thoja se jeta e tij është ngritur mbi vdekjen e dikujt tjetër.

Vjeshta e po atij viti. Mbi qiell fluturonin lejlekët që përgatiteshin për t’u kthyer në atdhe. Midis tyre një zog i  pafuqishëm. Shokët u munduan ta merrnin me vete, por kur panë se ishte e pamundur, e lëshuan dhe ai ra në oborrin e kampit. Doktori e mori, e mjekoi dhe e ushqeu deri sa arriti  moshën që të fluturonte vetë. E pagëzoi me një emër egjyptian, sipas origjinës së tij, Saip. Saipi u bë pjesë e familjes sonë. Na shoqëronte në mëngjes kur shkonim në punë dhe kthehej bashkë me ne në mbrëmje.

Në marsin e vitit 1954 u trasferuam në kampin e Shtyllasit. Saipi na shoqëroi gjatë gjithë rrugës, duke fluturuar mbi makinat me të cilat udhëtonim. Në çastin  kur po futeshim në kamp një nga rojet e qëlloi me pushkë dhe ai ra pa jetë në oborr. Kriminelët nuk i linin as shpendët të fluturonin të lirë. Saipi u bë viktima e parë e kampit të Shtyllasit.

Ajo ishte një ditë e hidhur për tërë kampin. Doktori e mori dhe e vendosi në një kuti kartoni. Të nesërmen e varrosëm pranë kanalit ku punonim. Dikush mbolli mbi varrin e tij një lastar plepi.

Maji i  atij viti. Po bëheshim gati për të dalë  në  punë. Sulejman  Dizdari  e  ndjeu veten të sëmurë Ishte i  pafuqishëm dhe me temperaturë. Doktori e pa dhe vendosi ta shtronte në infermieri. Por e ndaloi toger Ademi. Sulejmani bënte pjesë në forcat që duhej të shkonin në punë. Doktori u mundua shumë, bile u ndesh  shumë ashpër me togerin, por ishte e pamundur. I sëmuri u detyrua që i mbajtur nga shokët të nisej.

Por ai nuk ishte në gjendje të punonte. Duke shtyrë karron u rrëzua dhe nuk ngrihej dot më. Togeri urdhëroi disa të dënuar ordinerë ta mbulonin me dhe. Ne dëgjonim rënkimet e mbytura të Sulejmanit, por nuk kishim mundësi ta ndihmonim. Ai u mbulua me dhe duke patur jashtë vetëm kokën. Në mbarim të orarit të punës e nxorrëm nga dheu dhe duke e mbajtur në krah e çuam në kamp. Atje shkëlqeu gjenia e doktorit. Ishte merita e tij nëse Sulejman Dizdari u kthye përsëri në jetë.  Doktor Isuf Hysenbegasi me përkushtimin e tij, me vetëmohimin e tij  e ringjalli përsëri

Erdhi edhe dita e fundit e qëndrimit tim në burg. Atë natë u mblodhën rreth meje të gjithë shokët. Midis tyre shquhej doktor Isufi. Ai me fjalën e tij më mësonte se si duhej të sillesha në burgun e madh që quhej Shqipëri.  Ato këshilla  tingëllojnë ende në veshët e mi.

Kujtimet ndjekin njëri-tjetrin. E për cilin të flas më parë? Për Vlashukun ku punonim në tridhjet metra thellësi dhe ku u vra Skënder Dinia që e zuri dheu apo vinçier  Qemali të cilin vinçi e ndau në mes? Apo  ndoshta për Bulqizën ku galeria zuri Markun dhe Vasilin? Në këto kataklizma shkëlqente gjenia e doktor Isufit që nuk hezitonte kurrë për t’u ardhur në ndihmë me ato pak mjete që kishte. Pyetni të burgosurit që e kanë njohur dhe  do  të  dëgjoni  ato  lëvdata  që

rrallë i dëgjon për ndonjë tjetër.

Në verën e vitit 1992 takova zonjën e nderuar Gjyla. Ishte e dëshpëruar se djali i saj kishte emigruar në Itali dhe po përpiqej të regjistrohej në fakultetin e mjekësisë. Deri në atë kohë nuk kishte mundur të bënte gjë. Djaloshi i ri e ndjente veten të pafuqishëm para asaj bote të re e të madhe që e rrethonte.  

M’u kujtua nata e largët  e  dhjetorit  të  vitit  1952 kur doktori më deklamonte vargjet e Sidit. Sa do të doja të isha në ato momente pranë atij djali, t’i flisja, ta këshilloja dhe ta   ndihmoja, ashtu siç kishte bërë dikur i ati me mua. Por kjo ishte e pamundur

Megjithatë Eni mundi ta gjejë vetë rrugën e jetës. Ai sot po ecën me ballin lart në rrugën e së drejtës  dhe  moralit,  ashtu si dikur ati i tij i paharruar, doktori Isuf Hysenbegasi.

Filed Under: Histori Tagged With: 27 vjetori i vdekjes, dr. Isuf Hysenbegasi, reshat kripa

Dekriminalizimi dhe të përndjekurit politikë

September 24, 2015 by dgreca

Nga Reshat   Kripa/

Ndoqa me vëmendje seancën e Komisionit te dekriminalizimit të Kuvendit të Shqipërisë. Dëgjoja ligjëratat e të dy palëve që theksin e vinin në përfshirjen ose jo në akte kriminale të ndonjë personaliteti, vetëm në periudhën pas përmbysjes së sistemit totalitar. Kur bisedova për këtë çështje me një mikun tim me të cilin kam qenë në burg, ai m’u përgjigj me shprehjen e njohur të Shekspirit:

– Fjalë imzot, vetëm fjalë!

U ktheva në shtëpi dhe fillova të analizoj fjalët e mikut tim. Çuditërisht ato tingëllonin ende në veshët e mi dhe aty për aty mendova se ai kishte të drejtë. Para syve më dilnin diskutimet e deputetëve tyë majtë dhe për çudi vura re se të gjithë i binin fyellit në të njëjtën birë. Nga të gjithë dëgjohej i njëjti avaz. M’u kujtua një propozim i shoqatës sonë, drejtuar komisioneve te dekriminalizimit dhe atij të reformes ne drejtësi, propozim që iu dërgua , për dijeni, edhe ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian. Në këtë propozim theksohej nevoja urgjente e përjashtimit nga pjesmarrja në organet e drejtësisë të ish gjykatësve, prokurorve, hetuesave, drejtuesve të organeve të Ministrisë së Brendëshme dhe Sigurimit të Shtetit në kohën e sundimit diktatorial, që mbajnë në ndërgjegjen e tyre vendimet makabre që çuan në marrjen e jetës apo burgosjen dhe internimin në kampet çfarrosëse të mijra vetëve dhe që edhe sot i shohim në krye të organeve të drejtësisë dhe atyre legjislativë. Pa përjashtimin e tyre nuk mund të ketë reformë të drejtë në drejtësi, nuk mund të ketë dekriminalizim. Për fat të keq, megjithëse kanë kaluar më shumë se dy muaj nga ky propozim, asnjë organ nuk ka denjuar të kthejë të paktën një përgjigje, madje nuk kemi dëgjuar asnjëherë që ky propozim të diskutohet në debatet e ndryshme midis deputetëve.

Përse kjo heshtje? Mos mendoni se duke heshtur do ta kaloni këtë çështje në kalendat greke, për ta çregjistruar fare nga historia e kombit tonë? A thua se njëzet e pesë vjetët që kanë kaluar që nga shembja e madhe nuk kanë mjaftuar për të nxjerrë kuadro të reja, qofshin socialist apo demokratë, që të zëvendësojnë mbeturinat e komunizmit?

Para syve më dalin figurat e disa liderve të tyre, që dikur mbanin poste ministrash apo gjykatësish të institucioneve më të larta të sistemit të përmbysur. Më dalin figurat e disa “ekspertëve“, që çuan në plumb njerëz të pafajshëm, duke përfshirë edhe poetë të dëgjuar.

Si nuk keni turp! Si nuk keni moral! Vetëm disa ditë më parë ju pamë të organizonit farsën qesharake të Pezës, duke himnizuar figurën e diktatorit? A nuk jeni ju që në faqet e gazetave dhe televizioneve na shfaqni lloj-lloj heroizmash të diktatorëve dhe sot paturpësisht lëpini ato që keni pështyrë duke u hequr si shenjtorë?Ju ligjëroni mirë e bukur, po ne që i hoqëm mbi shpatullat tona tmerret e atij sistemi a nuk duhet të flasim? Apo duhet të rrimë dhe t’ju dëgjojmë juve që deri më dje ligjëronit sipas shkopit të dirigjentit diktator dhe që në një mënyrë apo tjetër e ndihmuat diktatorin të qëndronte në fuqi për një kohë aq të gjatë? Dëgjoni si është shprehur zoti Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës:

Nuk   ka   asnjë   vend   ku   komunizmi ka ardhur në pushtet dhe të ketë qenë demokratik. Nëse nazizmi u dënua vetëm pak muaj pas rënies, nuk u bë e njëjta gjë me komunizmin. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, dihej saktë kush ishte fitimtari dhe kush i munduri. Ndërsa në përfundim të Luftës së Ftohtë, gjërat ishin të paqarta. Unë nuk kam frikë as nga nazizmi,  as nga komunizmi, por  nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar rregjimet ish-komuniste të qëndrojnë në këmbë.

Të hapen dosjet, thërrisni ju, dhe vini në krye të komisionit për verifikimin e tyre, njeriun që hija e dosjes e ka ndjekur në çdo hap të jetës së tij. Po zotërinj edhe ne jemi dakord që të hapen dosjet të gjitha pa përjashtim. Por më parë duhet të hapen dosjet e sigurimit të shtetit, të komiteteve të partisë, të gjykatave dhe prokurorive, të shefave të kuadrit dhe sekretarëve të partisë në ndërmarrjet dhe kooperativat bujqësore, të shtypit, televizionit, artit dhe kulturës, si dhe çdo mjeti tjetër të shpikur nga diktatura. Ju vetë me gojën tuaj pranoni se ish spiunët sot janë ish ministra, zëvendësministra, ambasadorë, gjyqtarë, prokurorë, shefa zyrash apo në nivelet më të larta të hierarkive partike dhe administratës shtetërore . Pse nuk i përmendni emrat e tyre? Për një gjë të tillë do t’ju falënderonim se në këtë mënyrë do pastrohej administrata shtetërore nga mbeturina të tilla, qofshin këta të djathtë apo të majtë. Por ju nuk guxoni se jeni vetë të përlyer. Hidhni një shashkë, e cila nuk dihet se ku do të përfundojë. Arsyen e vërtetë e dini ju më mirë se kushdo. Ju nuk mund të shkëputeni nga demagogjia komuniste, nga mentaliteti totalitar.

Ndaj të përndjekurit politikë janë ngritur në protestë kundër ringjalljes së sistemit komunist, nëpërmjet ndërtimit të një bunkeri pranë Ministrisë së Punëve të Brendëshme, apo veprime të tjera të ngjashme me të. Por kjo nuk mjafton. Ndaj, së bashku me shëmbjen e këtij bunkeri ata duhet të ngrenë zërin deri në kupë të qiellit për realizimin e gjithë kërkesave të tyre. Më lejoni t’i paraqes këto kërkesa:

  1. Zbatimin sa më parë   të   Rezolutës së Kuvendit të Shqipëris “Mbi ndëshkimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në vendin tonë”.
  2. Dënimin nga Kuvendi i Shqipërisë të diktatorit të urryer Enver Hoxha, si shkaktarin kryesor të krimeve të kryera dhe heqjen e titujve dhe dekoratave akorduaratij nga kuvendi i periudhës komuniste
  3. Dhënia e kompetencave të plota Institutit të Hetimit të Krimeve të Komunizmit për të shqyrtuar arshivat sekrete të shtetit mbi krimet e rregjimit komunist në Shqipëri, në mënyrë që t’i analizojë dhe t’i publikojë ato.
  4. Rishikimin e legjislacionit për ta bërë atë të pajtueshëm me rekomandimet e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës.
  5. Hapjen e dosjeve të të gjitha niveleve, duke filluar pikë së pari nga ish-organet e diktaturës
  6. Largimin   nga   administrata   shtetërore   e   të gjitha   niveleve të   ish- sigurimsave, hetuesve, prokurorëve, dhe gjykatësve të implikuar në proçese gjyqësore të improvizuara
  7. Rishikimin   e   teksteve   shkollore,   për   t’i zhveshur ato nga fryma komuniste që mbizotëron..
  8. Rivlerësimin   e   figurave   të   shquara     të rezistencës antikomuniste dhe ngritjen e monumenteve përkujtimore për ngjarje të shënuara të kësaj rezistence.
  9. Hapjen   e   muzeve   në   vendet     ku   është   ushtruar më shumë dhuna politike.
  10. Caktimin e një date përkujtimore në kujtim të viktimave të këtij genocidi.
  11. Gjetjen dhe rivarrosjen e eshtrave të të rënëve dhe caktimin e një varreze të veçantë për ta, jashtë verrezave ku mbizotëron ylli i komunizmit që vrau trupat e tyre
  12. Përfundimin sa më parë   të   ligjit   mbi   dëmshpërblimin financiar të të përndjekurve politikë dhe zgjidhjen e problemit të letrave me vlerë.
  13. Barazimin e statusit të të përndjekurve me atë të veteranëve të luftës.

Por për t’ia arritur qëllimit të plotësimit të këtyre kërkesave, të përndjekurit politikë kanë nevojë për mbështetjen e të gjithë spektrit të djathtë të politikës shqiptare. Të përndjekurit politikë nuk janë vetëm për mbështetje në rast fushatash elektorale. Ata duan që edhe atëhere kur ngrihen në mbrojtje të të drejtave të tyre, t’ju kenë juve të krah. Bashkimi bën fuqinë thotë që fjalë e urtë popullore. Le ta realizojmë këtë bashkim. Pa zgjidhjen e këtyre kërkesave, çdo zgjidhje tjetër do të ishte demagogji dhe llafe pa fund. Komunizmi nuk mund të luftohet, pa rehabilitimin e plotë të atyre që e pësuan më tepër nga ai sistem. Rehabilitimi do të kryhet vetëm nëse plotësohen kërkesat e mësipërme

Të përndjekurit deri më sot janë lodhur mjaft me fjalë boshe. Jo më kot miku im më tha:

– Fjalë imzot, vetëm fjalë!

Ne nuk duam vetëm fjalë. Duam sinqeritet dhe pastërti, duam vullnet politik dhe jemi të gatshëm t’iu përgjigjemi në të njëjtën mënyrë. Në të kundërt do të jemi gjithmonë në krye të revoltave për një Shqipëri të lirë dhe demokratike.

Sa për ish-komunistët ekstremistë, ata meritojnë t’iu drejtohemi me vargjet e paharruara të poetit, ish-i burgosur politikë, Pirro Kuqi:

 

Ju që në shpirt na derdhët vrerin,

                        Ç’kërkoni ju në mesin tonë?

                   Ju natën qani për Enverin,

                        Kameleonë!

 *  Kryetar i Shoqatës Antikomuniste  të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Dekriminalizimi dhe të, përndjekurit politikë, reshat kripa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT