• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përgjigja që s’vjen…

March 15, 2017 by dgreca

Nga Rexhep Kasumaj-Berlin, mars 2017/

1 Rexhep Kasumaj 2

1. Lojë e vjetër/

Pas një qëndrimi të gjatë në Ballkan në fillimvitet e shekulli të ikur, Edith Durham (“Princesha e pakurorëzuar e Shqipërisë”), me të shkelur në Berlin, shkroi: po ikë nga kjo shkretëtirë, ku ndoshta do të kthehem prapë një ditë!

Shkretëtirë qytetnie Gadishulli i madh nuk është më, por kje një shtysë tjetër që Federica Mogherini (tani një diplomate me mision Europe), pas vizitës njëjavore, posa zbriti në Bruksel të thoshte: po kthehem e brëngosur! Paqja s’është ende një fakt. Nuk është e kryer. Ballkani perëndimor është kaq i shndërrueshëm në lojë shahu të fuqive të mëdha..!

Por zonja Federica që ka mbaruar shkollë të lartë në Romë (shkencat politike) do ta ketë sigurisht të qartë si rrezja e diellit, se çdo paqe e padrejtë është paqe e pakryer!

2. Deshpërim.
Një çupëlinë nuk rri në radhë. Ik nga dora e nënës. I shmanget dhe përpjekjeve të t’atit për ta zënë, e kthehet sërish si në krahë fluturash krejt gjallëri e gëzim të pafaj.

Vështroja këtë familje dhe më vete thoshja: janë shqiptarë. Dhe ishin, vërtetë. Do ti njihja nga larg, pa folur ende një t’vetme fjalë. Pothuajse kështu saktësisht i njoh prorë njerëzit e gjakut tim.

Një moment, ndërsa prisja të afroheshin për të paraqitur strehimin politik, do të harroja punën. Pamja zhvendosej në një shpalesë të hershme kujtese. Do të ndjeja nostalgji. I ngjante vajzës sime G., kur kishte moshën e saj. E bardhë si borëmali. Flokë të gështenjtë që, kur loste, i derdheshin faqeve të kuqe e mbi sytë e mëdhenj dritërues.

Por s’kje vetëm kjo arësyeja që do t’më ndalonte ritmin rutinor të fillimditës. Përmallja do të tretej shpejt para një ndjesie tjetër të errtë: mërzisë që si një gri e ftohtë kapullonte shpirtin tim…

Më pas do të mësoja se vinin nga Elbasani. Keni lënë prapa një qytet aq të bukur ku jeta lumnohet shqip – iu them unë (tashmë gjatë një kuvendimi të shkurtër privat). As luftë, as diktaturë, as përndjekje. Në vend të përgjigjes erdhi një shikim i mekur dhe një ofshâmë këputëse. Dukeshin të thyer: shumë ëndrra e pak shpresë…

I lashë në trajtimin e mëtejmë administrativ dhe, nga deshpërimi, mezi ngjisja shkallët për të vajtur në zyrë. Pyetja e vjetër do të ndrydhte sërish zemrën time: përse? Deri kur shteti për shqiptarët e të dy anëve të atdheut, më parë se fat, vijon të jetë fatkeqësi e tyre?!

3. Përgjigja që s’vjen…
Në frymë të mësimeve të autorit të madh të “Princit” (Machiavelli), do të thoshim pa dhimbje, pa zhgënjim, por, njëkohësisht, dhe pa shpresë: kjo është bota. Ç’prej fillimit të Kohës politike, për të qenë i lirë duhet të jesh i armatosur.

A nuk dëshmuan këtë çelës funksionimi hyjnor dhe Profetët? Ata që erdhën me armë në dorë rezultuan të suksesshëm, kurse të tjerë që kjenë duarthatë venin përherë drejt disfatës.

Gjithnjë në këtë hulli mendimi “princëror”, nëse nuk qenkësh aq vështirë të goditet një Prijës i lig që urrehet nga populli i vet – aherë janë, vallë, të urryer apo, ndoshta, të dashur guvernantët e Prishtinës?

Një përgjigje e prerë është e vështirë, madje s’vjen kurrësesi! Sepse, nga një anë, ngjan të jenë të urryer, por, mbanë tjetër, meqë të tillë, lehtë të rrëzueshëm, knetën e tyre nuk e trazon kush, del se janë shumë të dashur.

Ose? Mbase të urryer vërtetë, por nga një turmë amorfe që nuk arrin të artikulojë interesin e epërm dhe të mohojë veten e grimcuar në pragun e tij.

Filed Under: ESSE Tagged With: Përgjigja që s'vjen..., Rexhep Kasumaj

Përbetimi rus…

March 4, 2017 by dgreca

Shkruan Rexhep KASUMAJ- Berlin, mars 2017/Nga Kullat e Kremlinit vjen shqetësimi i stisur. Një shkollë e vjetër pansllave që kurrë s’u lodh të punojë kundër shqiptarëve. Vërejtja e Moskës ka po atë amzë të njohur dhe po atë floskulë të fshehtë diplomatike: perëndimi dhe shqiptarët destabilizojnë Maqedoninë.

Po kush e thotë këtë?

Rusia që (pa vajtur larg në të kaluarën e errtë) përzihet e ndërhyn me spiunim kibernetik, para dhe ushtri kudo që i diktojnë interesat e saj për resurse, tregje e shtigje gjeopolitike në botë?

– Ajo anekson Krimenë e Detit të zi me vjegën që rusët e përsekutuar vendorë e nëvojisin këtë.

– I vë poashtu Ukrajinës, me vrasje e gjak, jashtë kontrollit gati gjysmën e territorit sovran tash sa vjet.

– Gjunjëzon për vdekje deri në kufijtë e zhbërjes, një komb e qytetní të tërë: Sirinë dhe atllasin kulturor të Shamit.

– I ofronte ndihmë danaike Greqisë në orën e vështirë të krizës, që ajo të refuzonte Brukselin dhe, këso udhe, ti jepte një të çarë Ngrehës europiane.

– Publikon, e mbase, falsifikon dokumenta të besueshëm të rivales Klinton, duke ndikuar zgjedhjet dhe, më pas, përplasjet civile në Amerikë.

– Ka hedhur në qarkullim misionarët subverzivë në Baltik që, dhe atje, popujt të thërrasin për mëshirë hemetat ruse.

– I jep kredi prej 50 milionë eurosh Marine Le Pen, shefe e Frontit nacional, që Franca të ndjekë britët dhe të shuhet Europa komunitare.

– Gatitet (me ç’thonë) të turbullojë ujërat elektoralë dhe në Berlinin e Zonjës së rëndë Merkel.

– Mban peng e të çorientuar Serbinë, duke i dhënë krah shpirtit testamental të krimit në filozofinë shtetërore të saj.

– Instrukton e mbështetë një grusht shteti në Mal të zi, ku, sipas skenarit komplotues, duhej të mbetej i vrarë premieri i tij.

– I ndërsen serbët boshnjakë për ta defunksionalizuar Bosnjën me projektin e Reich – ut të madh serbian (“nga varret në perëndim e deri tek tempujt në jug”).

– Bën shpesh një ekuacion simetrik mes Kosovës e Krimesë, anipse kanë territore, histori, popull, gjenealogji e përmasë krejtësisht ë ndryshme.

– Shpall se vetëvendosja e popujve është themel i lirisë, por, ndërsa kërkon t’i njihet pushtimi i gadishullit heterogjen – refuzon të njohë Kosovën, vullnetin e ligjshëm të popullit të saj shqiptar.

Ja ky është indi i politikës ruse që rikthen teatrin e vjetër në motin e ri. Por, njëkohësisht, ky është dhe kodi i sjelljes reale në marrëdhëniet ndërkombëtare: një lokomotivë që nuk e lëvizin as drejtësia e parimet dhe as dhimbja e lotët. Janë vetëm interesat e fuqia që përcaktojnë frymën dhe rendin tij.

Dhe të botës, mjerisht!

Filed Under: ESSE Tagged With: Përbetimi rus..., Rexhep Kasumaj

Amza skllavodashëse…

January 12, 2017 by dgreca

1 Rexhep Kasumaj 2

Nga Rexhep KASUMAJ/ Berlin/Vetëm ngulmëria principiale, kultura ime leximore, do t’më shtyjë ti shkoja deri në fund romanit “Nënshtrimi” të Michel Houellebecq-ut. Më ngjante sikur shfletoja një pamflet të “Pegidas” dresdenjane. Pa art, pa bukuri, pa dhimbje dhe pa notën e letërsisë së deshpërimit…
1.
Nuk është ëndje e fshehtë dëshirake, aventurë fantaste, fluturim i magjishëm letrar. Një luftë civile parandjehet e, biles, kushtrimohet të ndodh shpejt midis “identitarëve europianë” dhe ardhësve islamistë që nxijnë si laraskat në motin me stuhi. “Ne nuk duam vërshimin e mallrave kinezë, praninë shfytyruese të kulturës amerikane, emigrantët myslimanë. Ky është trolli ynë dhe duam ta zotnojmë atë”. Kështu thotë kryerrëfimtari i librit (përmes fjalës së një sigurimsi të lartë në Shërbimin inteligjent). I tronditur e plot ankth.
Mirëpo këmbana e tij nuk është e re. As e vetmuar. I kanë rënë asaj dhe të tjerë para tij. Ndaj, vjen ajo si komponim harmonik me britmën e Thilo Sarrazin-it që alarmon: Gjermania po idiotizohet nga aziatët muhamedanë, kulturalisht të paaftë dhe biologjikisht inferiorë.
Edhe Marine Le Pen e skandalizuar pse gjermanja Angelë pranonte mijëra sirianë, që pikërisht armët e saj ua kishin rrënuar jetën, ironizonte: ah, gjermanët nëvojisin robër. Po si kështu? Franca nuk vuan më këtë nëvojë, këtë sindrom, këtë afsh të egër? Aq më tepër që është mësuar dhe s’mund të rrojë pa përuljen e tyre!
Në këtë vështrim ajo s’është veçse një nxënëse e dobët e Kamysë që në “Letra mikut gjerman” shkruante: Ne nuk i dhuruam botës skllevër. Po kujt ia thoshte ai e, më pas, kujt ia përseriste ajo këtë trill?
2.
Kuptoj e përfill n’plotëri, me ndjesi e arësye, sentimentin e njeriut europian. Është dhe sentimenti im. Tmerrin e të bardhit që pakësohet, ankthin gërryes nga programi i hixhra-emigrantëve që ia mësyjnë të kthejnë Dar El-Kufrin e nëmur në Dar El-Islamin e bekuar, evokimin frymëzues të betejave për të dëbuar myslimanët nga Europa e hershme…
Por, sërish, të gjithë bashkë sikur harrojnë lehtësisht një mësim të thjeshtë: ligjin e pamëshirshëm të kauzalitetit ose shkak-pasojën e dialektikës historike. Ç’kërkonte, pra, njeriu francez në Amerikë, në Magreb, në Afrikë dhe në gjithë botën? Kush e ftoi që të vriste, grabiste, poshtëronte e robnonte? Kush? Athua vetë të shtypurit, t’skamurit, të përbuzurit e Franz Fanonit? Ata që kishin mall e nëvojë për të qenë skllevër? Që i biri të shalonte nënën, që të hanin jashtëqitjen e tyre dhe të shërbenin si ushqim për peshq të uritur apo qen grindavecë vetëm për zbavitjen barbare të tij?!
Ende sot ai nxitë kryengritje, shuan rebelime, kontrollon burime, rrëzon e fronson tiranë dhe provon armë e doktrina ndër popujt “adoleshentë” a “natyrorë” në errësirën e tyre kronike..!
3.
Marsejeza, revolucioni i egalite-libertesë janë gjithnjë fanar zgjimi nga diktaturat a pushtimi i huaj. Ndoshta dhe i atyre që, madje në Europë, figurojnë në listën e Shoqatës së popujve të robnuar…Por, me gjasë, frëngu e kishte menduar atë për vete. Jashtë dhéut të tij, duhej të kishte ligje të ndryshme jete. Jean-Paul Sartre thoshte, po me këtë cinizëm, se komunizmi është i mirë për të tjerët, por jo për ne. E donte larg Francës së tij. Në stepat eksperimentale të Rusisë. Që këtej askush, veç britëve, nuk prodhoi skllevër më shumë se Franca në historinë e re të botës. Si për të plotësuar mozaikun,
Bernard-Henry Levy, mbanë tjetër, shkruante dinakshëm se Europa kristiane shpëtoi nga zhbërja myslimanët e Kosovës. Ç’vështrim i mykur që vinte pikërisht nga amza e rezervuar robdashëse. Shqiptarët e Kosovës nuk u gjenociduan dhe as nuk u mbrojtën si myslimanë. Ndryshe, përse aherë do të përgjakeshin mes vete kroatë e serbë, të dy të krishterë? Jo. Nuk kje “alfabeti shpirtëror” shtysa e ndjeshmërisë. Ishte interesi serbian për territor, resurse e qasje në det (për dalje nga “burgu” i Cvijiqit) që, tash njëqind vjet, përpiqet me hekur e gjak të gjej trollëzim.
Duke mbetur gjithnjë brenda llojit, Houellebecq shkruante në “Platfomë-n” e tij se me bombardimin e Jugosllavisë, dmth. Serbisë, në fundshekullin e ikur, e drejta dhe drejtësia humbëm përfundimisht kuptimin e vet. Ndërkaq, nëse të mos bombardoje Serbinë ishte njësoj sikur të kundroje duarkryq fortifikimet ariozofike të Rajhut të tretë – a nuk bënte aherë ky mendim levën intelektuale të ideologjisë së prodhimit të skllevërve?
Fundja dhe arresti i Ramushit, Luftëtar i lirisë së Kosovës, nuk është veçse pjesë e kësaj tradite të pasur skllavoprodhuese të Europës latine. Të Francës, veçanërisht!

Filed Under: Analiza Tagged With: Amza skllavodashëse..., Rexhep Kasumaj

Pushtimi virtual

September 3, 2016 by dgreca

(Kjo vdekje e paemër)/

Nga Rexhep KASUMAJ/

Në një ndarje përgjithësore, pushtimi i një toke të huaj, e si pasojë, skllavnimi i një populli, bëhet dy udhësh.

Njëra, ndaj, është klasike me ushtri, marshim perandorak, shpatarë, kështjella që digjen, pastaj tanke, gjak, kampe, robër e mort. Dhe tjetra – virtuale, e kjo domethënë, e fshehtë që mbulon ftyrën e vërtetë pas një ideje madhnore: asistencë ndihmëtare, afrimitet historik a shpirtëror, përkitje interesash, aleancë natyrale…Nuk dëgjohen më rropamë kalorsie, karro të blinduara që shkallmojnë udhët, avionë mbi kulme ku ritmon butësia e jetës…Rrjedhimisht s’do ketë as burgje, flamuj tek valojnë sundueshëm, përsekutim, vrasje, dyndje biblike. Të moderuarit duan një t’vetme gjë të thjeshtë: dorë mbi pasuritë, resurset dhe fuqinë e lirë punëtore.

Dhe shtypja ngjan, ashtu, e shtruar, madje e kadifenjtë, kurse gjunjëzimi i pavërejtshëm, elegant dhe flladitës. Veçse më pas vjen  mekja e frymës që shuan ngadalë si një vdekje pa emër…

Por, megjithë ndryshmërinë, ato kanë një tipar të përbashkët: renegatët. Një racë, kurrizi i së cilës në të dy mënyrat e kohët krruset përdhé, për tu bërë urë kalimi apo flamur justifikimi i Fuqisë hegjemone. I Fuqisë së huaj!

Filed Under: Opinion Tagged With: Pushtimi virtual, Rexhep Kasumaj

Shkokëzimi shpëtimtar!

August 15, 2016 by dgreca

(Një sakrilegj i vogël)/

Nga Rexhep KASUMAJ/

Rusi 31 vjeçar Waleri Spiridonow ka një dishrim të veçantë: ëndërron një trup krejtësisht të ri. Vuan atrofinë muskulare që e ka mbërthyer në palëvizshmëri deshpëruese si pasojë e një defekti të rrallë gjenetik.

Shpresa e tij e djegshme është Profesori italjan Sergio Canavero. Natyrisht, ajo është dhe ëndërr e tij. Një ëndërr e përbashkët që prek kufijtë e t’pamundurës. Dhe, poaq, pragun e një epoke të re të njerëzisë. Ai synon ta shkokëzojë trupin e Walerisë dhe kryet e tij ta transplantojë në një trup tjetër të shëndoshë.

Ah, fantazia, bujshmëria e saj e pafund! Është kjo paskajsi e mallkuar që më shpie drejt një ekuacioni qiellsisht të përsosur e   shpëtimtar për popullin tim. Sa mirë, mendoja me një gëzim të thellë, mrekullia vetë do ishte sikur kjo sprovë e mileniumit të rezultonte suksesplotë. Për Waleriun – fillimisht, por më pas të fitonte të drejtë legaliteti dhe etike e, pra, status rregullariteti qytetar.

Rrjedhimisht mandej, edhe në Kosovë, e pse jo, kudo në landet shqiptare, të bëhej e njëjta gjë – veçse mbi demonët politikë dhe në kah të kundërt. Sepse defekti i tyre nuk është muskular, por trunor. Ata ngarendin prorë në linja të afërta e të largëta. Në tokë e qiej. Me ëndjen e vetme: ta shndërrojnë këtë truall të ngushtë në arenë gostie për llojin e tyre patogjen. Aty, në sferën e epërme zanafillon keqkuptimi i botës. I asaj shqiptare veçanërisht: si një avitum bonum, një pronë gjyshnore që mund të hahet, grryhet e shkrryhet, të qëmtohet, grimcohet e gllabërohet… Ditë e natë. Dhe madje lirshëm e krenisht: pa frikë nga askush e pa turp prej askujt. Gjithëçka brenda një sistemi të mbyllur kartelist me kodin e fshehtë të mbijetesës…

Të shkokëzoheshin, pra, titullarët e kastave politike dhe ato të mos ruheshin as në muze nga rreziku i faktorit Frankenshtajn, por të asgjësoheshin përjetë. Në trupërat e tyre të transplantoheshin pastaj krerë të rinj. Mëndje e shpirtëra të lirë, të urtë, racionalë, modestë, të ndershëm e me kulturë dedikimi deri në vetëmohim, për interesin publik që ende quhet interes kombëtar.

Mitëpo në pritje të Prof. Sergios, athua të besojmë se do teprojë diç nga kthetrat e krenave të tashëm të dinastëve të kooperativës politike të Kosovës?

Ndoshta më reale, e sëndertueshme apo e pavonë, do t’kje një tjetër shndërresë që ka, tashmë, një udhë të gjatë historie pas: pa doktorë të sofistikuar, por me popull të rebeluar. “I dashuri shpirt, mos ndjek përjetsinë, por kap të mundshmën sot”, thotë Pindar tek Oda e tretë që hap Mitin e Sizifit të Kamysë!

Filed Under: ESSE Tagged With: Rexhep Kasumaj, Shkokëzimi shpëtimtar!

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 11
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT