• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VEGIMI DELIRANT

March 15, 2016 by dgreca

Nga Rexhep KASUMAJ-Berlin/

“Do të koalicionojmë derisa të mbarojë agjenda euroatllantike”, thanë, e kjo domethënë, u kërcënuan krerë të partive bashkësunduese në Prishtinë.

Dhe do t’më përftojë një mendim me notë alarmi: si mund ta shtyjnë përpara këtë agjendë bandat frenuese të saj? Po të ndodhte ky besatim dhe, tutje, meqë procesi aderues prolongohet pambarimshëm – aherë rezulton se ata do mbeten në kupolën pushtetare, poashtu pambarishëm.

Vetë ideja është rrënqethëse, vdekjeprurëse, e fundjetshme..!

Por fillimisht hijadhë, e më pas kthjellësisht, më erdhi, për çudi, një ndihmë nga s’e prisja: nga Erih Honekeri, diktatori entuziast i Gjermanisë lindore.

Në orët dramatike në prak të shkërmoqjes së Rendit të vjetër të Europës, pat thënë pompozisht: Muri i Berlinit do mbahet në këmbë edhe 100 vjet!

Por, pa u tharë pështyma
që shoqëronte fjalën marroke, Ngreha tragjike do rrafshohej përdhê.

Anipse nuk gjendet asnjë justifikim që prek tehun e mprehtë të arsyes, një kuptim shpjegues është krejtësisht real.

Ndaj, pra, nuk është veçse përrallë ngushëlluese fajtorësh dhe, poaq, vegim delirant despotësh.

Kështu është sot, e kështu kje  përherë!

Filed Under: Opinion Tagged With: Rexhep Kasumaj, VEGIMI DELIRANT

Grotesku i sfidantëve!

February 25, 2016 by dgreca

Nga Rexhep KASUMAJ/ Berlin/

Arena politike e Kosovës, do të ngjante komike, sikur të mos ishte tepër dhimbsunore.

Njëfarë Rafet Rama – rivalizon Hashim Thaçin!

Ç’cinizëm!

Një shpirtësi tipike diktaturash! A s’është vërtetë kështu?

Do t’më kujtojë kjo dromcë shpotitëse, një sfond të ngjashëm politik të një kohe të perënduar. Ishin vitet e 90-ta. Millosheviqi, i cili poashtu njihte formalisht postulatet e demokracisë, jetonte kulmin e Fuqisë. Gatiteshin zgjedhjet presidenciale të Sërbisë dhe cili ishte sfidanti i tij?
Nikolla Sheqeroski! Një pensionist strugan që shtynte ditët e fundjetës në Belgrad. Vinte në studio për të kaluar kohën, e me vete sillte prore një çantë të rëndë përplot procese, përmbarime gjyqësore, ankesa…Por dhe redaktorët kishin poaq një moment prehjeje nga lodhja e tempos elektorale.

Mirëpo, nëse kryeparët do të kenë mjaft vegëza përlidhëse të optikës politike, kundërshtarët e tyre dytësorë, i shquan një ndryshmëri e hollë karaketriale.

Ndërsa, pra, i pari dukej qiellësisht i mirë, bablok i shtruar që, madje, qahej për padrejtësitë e përjetuara, Sheqeroski i këtejmë e i kësomotshëm, është vetë autori i së padrejtës. Ka kryer vepër të dënueshme dhe, jo vetëm gëzon lirinë, por kujtohet të bëj teatrin politik për të marrë fronin e Presidencës!

Sidoqoftë, në të dy rastet, qëllimi dhe epilogu i pretendimit të tyre, do të kenë prapaskenën dhe fatin e njëjtë: një stoli shëmtuese për demokracinë e përdhunuar!

Dhe, mjerisht, një groteskë e trishtë në trupin dhe zemrën e këputur të Kosovës!

 Berlin, fundfror 2016

Filed Under: Analiza Tagged With: Grotesku i sfidantëve!, Rexhep Kasumaj

DAULLET E LUFTËS QYTETARE…

February 18, 2016 by dgreca

Rexhep KASUMAJ-Berlin/

1. Zhgënjimi idhnak.

Regjimi i hashimisëve hoqi parzmoren hijeshuese të gjentilencës politike dhe të përgjegjshmërisë pushtetare.Kam ndjekur gjatë si gazetar i lajmeve ndërkombëtare zhvillime dramatike: rebelime, konflikte civile, tiranë autistë që kanë vegime amshimi, gjeneralë puçistë a prijës autokratë me shpirtëra të shfytyruar që përflakin tokën për kupolën e epërme..!Por pozicionimi i djeshëm i juntës hashimiste kapërcente parathënmet më të errta. Ishte, vërtetë, e vështirë, gati e pamundur, të gjeje një aluzion apo, më saktë, një përskajim identik në botë. Ishte proverbiale në meskinitetin e saj për të shpallur të drejtën atnore mbi truallin, mbi shtetin dhe mbi popullin e Kosovës.

2. Thirrja tragjike.

Në paraqitjen e përbashkët kërcënuese, Premieri minak hartonte numëratore të kampeve politike dhe tabelë të hierarkisë morale të antarësisë së tyre. Kurse tjetri, dytësi i tij i kryengrirë, deklaroi habitshëm se i paskësh pritur protestuesit në qeveri, por ja që ikën qyqarisht me bisht nën këmbë. Ç’hipokrizi! Kur protestat e mëparme patën elementë përplasjesh – ata akuzonin me gëzim barbar opozitën për dhunë, ndërkohë që tani kur ajo ishte paqësore, do ti kaplonte çuditërisht një  zhgënjimi i thellë. Si kështu? Ç’ishte ky dyzim moral? Arsyeja ngjan, dhimbshëm e bajatshëm, krejt e tejdukshme. Madje dhe për syrin e pafajshëm fëminor. Sepse, thjeshtë, maskës së  prostituimit politik do ti binin përfundimisht ngjyrat mashtruese. Me ç’afsh kriminal e paskëshin dëshiruar një konfrontim fizik, si levë akuzimi dhe, më pas, kompromitimi të Lëvisjes opozitare!Pastaj, tutje, ndërsa i pari i bënte ofezë të ulët elektorëve që nuk duan të frekuentojnë shkollën e tij, i dyti, Hashimi i Brojës, ndërkaq, kumtonte strategjinë e gatshme dhe të fshehtë, të përleshjes fatale. Këtë rezervë alternative do ta provojë fjala e tij rrezikzezë e që i binte daulleve të luftës qytetare: besonim të vinit me joshje e padurim, por s’do mirëpriteshit me kafe! Po me çka tjetër, vallë? Me tytat e armëve për të derdhur sërish gjakun e njomë shqiptar…Veçse, tashmë jo nga serbë e pushtues të gjithandejmë, por nga uzurpatorët e autorsisë së luftës dhe vjedhësit e lirisë.

3. Shëmbëllesa trishtuese.

Ndaj dhe, në kërkim shembëllese, do t’më vinte si tundim i frikshëm një paralele e dyfishtë e interesante. E para nxirrte krye që nga lashtësitë e mugëta me figurën e Lemurëve, këto hije të vdekjes që mbjellin tmerr e mort saherë behin nga terri i përtejmë. A nuk ftuan ngjashëm hashimisët për përballje forcash dyluftuese? Po për dallim prej tyre, këta janë të këndejmë, realë dhe terri i vdekshëm vetë. E si të mos mjaftojë kjo, një tjetër simbiozë e kësojetshme, pretendon nyjëtimin fatkeq. Dhe do thoshja mendueshëm e gjithë deshpërim: ky klan juntist ka asimiluar lakmueshëm dy biografi të mnershme nga vende e kohë të ndryshme. Nuk është e lehtë të njësosh ato për të dhënë një definim, a farkim fjalëformues që do të kapërthente botën e tyre. Por ngjashmërinë sikur simbolizojnë çuditërisht dhe  vetë emrat e tyre. Esadi dhe Asadi – ja referencat krahasimore dhe idhujt e admiruar! Rrjedhimisht, prandaj, ata do jenë esadistë –  sepse tregtojnë troje të kombëtare, kurse poaq dhe asadistë, sepse shtyhen drejt implozionit të përgjakshëm në Kosovë.

Si do të përfundojë i pari në Paris, kjo është krenarisht e njohur. Po dhe i dyti në Damask, megjithë rrethansinë e ndërlikimeve globale, nuk është e pritshme të ketë fat tjetër. Ndonëse i veçantë në llojin e tij, dhe klika e Kosovës, ky regjim i “thinjur nga neveria”, sërish nuk del dot nga shtrati i tipilogjisë së një diktature: identifikimi dramatik me fuqinë politike, ideja e misionarizmit, truku i pazëvendsueshmërisë, propaganda shurdhuese, veshtarët përgjues, armiqësimi për vdekje i “atdheve politikë”, frika nga statusi i qytetarit të lirë,  kooperativat oligarkike tribale, demonizimini i rivalëve dhe, më pas, persekutimi i tyre dhe, së mbrami, flijimi unikal e i fundjetshëm: flijimi i popullit për fronin e tyre…

Duke qenë pjesë dhe viktimë e doktrinës tiranike, dinastët primitivë të Prishtinës si shemra zelltare e një pararendësi të vrarë dhe një tjetri të rrethuar – inauguruan dilemën apokaliptike me shpresën mizore se do të shmangin të njëjtin, të pandryshueshmin fund: heshtja do ti betononte, kurse rezistenca do të kërkonte tagrin e gjakut.

A mund të përtrolliset kjo dilemë e ligë e shpifarake? Pa as më të voglin dyshim: me përtrollisjen e tyre vetë! Duke shpalosur fytyrën e pjellës më të poshtër që ka parë ndonjëherë ky dhé, ata legjitimuan vetë arësyen e lartë sublime të rrëzimit të tyre…

Berlin/, fror 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: DAULLET, E LUFTËS QYTETARE..., Rexhep Kasumaj

“Kryengritja në moral”!

February 17, 2016 by dgreca

Nga Rexhep KASUMAJ-Berlin/

1.Mizoritë duhet të bëhen përnjëherësh, kurse të mirat ngadalë – këshillonte Makiaveli Princin fiorentinas Mediçi.
Interesi? Krejt pragmatik: që e Keqja të harrohej shpejt, kurse të mirat e pakta të derdheshin kursyeshëm, si balsam mashtrues ndër vite!

Natyrisht, një sundtar nuk do të duhej as të vinte e as ta mbante pushtetin me dhunë. Mirëpo, meqë kjo ngjan pak e vështirë, aherë një soj princësh mënçurakë dhe në fronësohen përgjakshëm – së paku i bëjnë të ligat njëherësh. Dhe ato, si ndodh shpesh me popujt kujtesëshkurtër, arkivohen harrueshëm në kronikën e kohës…

2.Athua do ta kenë lexuar vulgokratët e Prishtinës këtë mësim? Sigurisht jo! Por dhe po t’kenë dëgjuar përshkit, mund të jenë dy arësye pse nuk kanë ndjekur fjalurtën e dijetarit të madh. E para, sepse, me gjasë, nuk e kanë marrë vesh, si shumë vegëza të tjera të holla shtetërore, ndërkohë që, së dyti, është pasioni marrok, verbtan, e kjo domethënë instinkti i ulët parasocial që i greminos përhumbshëm. Ndaj dhe, bëjnë vetëm keq dhe bëjnë vazhdimisht…

3. Kjo është bota e tyre…Një botë që duhet të rroposet me mjetet që kanë fabrikuar vetë. Fundja çdogjë ka një kohë, si rrëfen Libri i vjetër…Veçse mënyra konciliante, e pra e kadifenjtë, e demokracisë nuk bën dot punë. Sepse, thjeshtë, tirania e shumicës vulgare, për ç’fliste qysh moti Aristoteli, ka kapërthyer gjithëçka. Madje dhe ëndrrat që bëhen copë e grimë për ti zbërthyer…

“Çifutët, ky popull i lindur me qenë skllav”, thoshte Taciti, por Niçe, ndonëse evokon historianin romak, thotë se ata janë të parët që nisën epokën e “kryengritjes së skllevërve në moral”!

Që këtej, kur mëndje të tilla farfuritëse tabelojnë popuj inferiorë, disi nuk më shqitet një ndjesi e pamirë. Një aluzion i trishtë…Por nëse teoritë e varieteteve racore, i rrëzoi dinamika e ecjes njerëzore, përse dhe shqiptarët, megjithë akomodimin e gjatë në strehën e ngrohtë robnore, të mos japin provën e “epokës hebraike” të kryengritjes morale e, në fill të saj, rebelimin rrafshues politik?

Kombet e mëdhenj kështu kanë bërë historinë…Dhe tani diktojnë shpirtin e saj!

 *Berlin, fror 2016

Filed Under: Featured Tagged With: "Kryengritja në moral"!, Rexhep Kasumaj

Triptik- NDALONI PAK, TI PRESIM SHQIPTARËT!

February 3, 2016 by dgreca

(Mbi prrallëzimet politike)/
Nga Rexhep KASUMAJ/Berlin, Shkurt 2016/
1.”Çfarë esencash e forcash, çfarë stinësh e zonash hyjnore nuk janë përzjerë” (si do thoshte Niçe), në Kosovën republikane, por një përskajim gjithësor është ravijëzuar, tashmë, mbi kryetemat kombëtare të saj: të prekshme deri në dhimbje. Është Breja e brendshme dhe, shemra e saj e dashur, Rrëmoja e jashtme. Ndërsa, pra, këndej, shtetin e hipotekuar e bren deri në palcë korrupsioni me luspën e demokracisë, andej ndërkaq – e rrëmon Serbia me formulën 100 vjeçare të sundimsisë. Dhe midis tyre, për çudi, ndërtohet disi natyrshëm një përplotësim imanent: Rrëmoja s’mund të përbirohet assesi pa tërheqjen e Brejës, po as kjo e fundit s’mprehë dot thonjët e saj pa zelltarinë bashkëpunuese që ia njeh dytësja e parë besnike..!
Përse, ndaj, s’tubohet populli në një rezistencë stuhimadhe, që si një ortek, do të rrafshonte figurantët pushtetarë, vjedhësit e shpresës së tij?
Kultura e munguar e lirisë?
Pazotësia përshtatëse me diellin lëbyrës, pas territ të gjatë robnor? Tranzicioni traumatik i trefishtë: nga pushtimi, nga lufta dhe nga doktrina komuniste?
Kam hedhur vetë ide të tilla dyshimtare në shkrimet e mia ndër vite. Mbase kjo do të ketë dhe një votër eterne, sepse (si thotë sërish korifeu i naltcituar) ngurrimi, tërheqja a rrotullimi rreth vetes, ngrihet mbi faktin që instinkti i turmës trashëgohet më shumë se asnjë tjetër..!
Megjithatë, mua, duke përfillur këtë mësim të hollë, sidoqoftë, më bëhet sikur dhe një shtysë tjetër është etabluar poashtu thyeshëm e frenuese: deshpërimi total me të gjithë klasën politike.
Rrjedhimish, pra, ç’repart përfaqësues do të ndiqte populli për të kundërshtuar këtë nyjëtim të keq?
Me krerë partie opozitare, zyrtari i lartë i së cilës ishte pjesë e, madje, një kohë i printe kuvendimit me serbët në Bruksel? Apo me flamurtarin e vonë të etikës së shplarë, i cili vetëm në mbyllje të legjislaturës kuvendare, pat thënë se keqardhej që paskësh kryesuar për katër vjet një parlament votash të vjedhura, pa çka se voli vetë privilegjet e pushtetit të trafikuar?
Alternativa është, prandaj, e vështirë dhe, veç tjerash, edhe këtej rrah të shpjegohet kjo apati që prodhon vetminë refuzuese të shesheve…

2.
Lexova këto ditë një prononcim të Adem Demaçit dhe do të përjetoja një ndjesi të dyfishtë. Së pari, kje gëzimi i ngrohtë që pushtoi zemrën time: sa mirë, thashë më vete, që paskësh kaluar rrëzomën shëndetësore. Por fill pas saj, vinte i ftohtë zhgënjimi sëmbues nga kumti i tij politik.
Ai thoshte: serbët lëre që s’do marrin tokë në veri, por kanë borxh për të kthyer dhe territoret shqiptare deri tek Molla e kuqe! Sepse, vijonte me patos argumentimin, ata patën përçmuar dhe gjasën e pavarësisë së Kosovës, por, ja, ia doli të shkëputet nga stema e saj. Nga fryma e mesrrjeshtave, rezultonte shpallja solemne: do rikthehet e deri atje do mbërrijë këmba shqiptare. Në mbarim, shoqëruar nga një ofshamë klasike (si shkruante njëherë me dhimbje Ali Sutaj…), do të evokoja vetishëm urtinë popullore, se bjeshka i përket t’zotit të deleve…Turri i ekspandimit serbian me hekur e gjak (pas Berlinit fatkeq), do të ndalej diku në veriun arbnor dhe ajo, aherë, sot e gjithmonë ka popullin e saj, siç ka, poashtu, dhe ky tokën e vet…E kush do të kërkonte lirinë nën hijen e harruar të t’famshmes, poetikes dhe kujtesëmekurës Mollë? Njeriu i dëbuar, varret që s’janë, vdekja e paemër? Apo, ndoshta, shtetet çalamane shqiptare që s’kanë as potencën ushtarake, mandej as fuqinë ekonomike dhe, së fundmi, as sfondin e tumirjes ndërkombëtare për të pretenduar të drejtën mbi trojet historike?!.. Do të ishte e mjaftë, gati një mrekulli e shekullit, sikur ata të përthekonin jetëhapsirën etnike që, dhe ajo, kërcënon të rrudhet e shprishet vazhdimisht.!

Ndaj dhe, megjithë retorikën e çiltër nacionale, fluturime të tilla fantazmagorike nuk kthjellojnë mendimin politik kombëtar. Përkundrazi. E terrojnë atë në shkallën që fsheh e mugëton horizontin e largët. Është vizioni tejpamës, i sendërtueshëm e realist, që nëvojit ëndrra shqiptare për ditëbukurën e nesërme. E ky lloj prrallëzimi i entuziastit të pandreqshëm e, shpesh, naiv, nuk ishte kurrësesi!

3.Megjithë vendzënjen në një pikë të ndjeshme rruzullimi, veçansinë në familjet e mëdha të kombeve e, që këtej, trysnitë jashtësore, vonesa është fakti, kuptimi dhe metafora që përthekon ecjen politike shqiptare.
Ben Gurioni proklamonte rezolutivisht se Izraeli pikësynonte tre objektiva madhorë strategjikë: shtetin, demokracinë dhe territoret biblike…Mirëpo ky traktat aspiratash nuk është bërë ende jetë. Çifutët dhe çështja ekzistenciale e tyre, vërtetë, janë të rrethuar nga faktorë të mnershëm limitues. Shqiptarët, poashtu. Madje, në kufi të një krahasimi të mahnitshëm përgjasues…
Por, sërish, kultura inteligjente e flijuese e organizimit hebraik, është e largët si yjet për shqiptarët.
Ndershmëria, ky është virtyti nga i cili nuk mund të çlirohemi, ne shpirtërat e lirë, thotë sërish një titan i mëndjes njerëzore. Dhe parzmues i saj duhet të jetë, veçanërisht, titullari që vulos fate kolektive. Zeja e politikës, natyrisht, ka trillet e saj. Dhe pabesitë, poashtu. Mitëpo s’mund të ketë një të tillë, që do të cilësohej efektive, e përkorë e shërbyese ndaj atyre që japin tagrin e Fuqisë, pa një fill, sado të hollë, të saj. E pikërisht ky virtyt është qëmoti në degjenerim e zhdukje…Madje, duke mos qenë vetëm tipar krenarie patogjene e të habitshme vetëm ndër dinastët e errtë folklorikë, zvetnimi megashtegton tutje, poshtë e gjithkah, për ti bërë robër të bindur të gjithë…
Rrjedhimisht, ndaj, këlthitet në kupë të qiellit: të vonuar për lirinë, të vonuar për shtetin, të vonuar për demokracinë, të vonuar për mirëqenien sociale të shumicës…Më keq akoma: të ngecur, prapakthyer e çorientuar në udhëkryqet që krijojnë vetë e vuajnë vetë…
Athua, pra, do ti mëshirojë Koha duke urdhëruar kombet e lira e plot adhurim, që “dehen n’epopena t’veta”: ndaloni pak, ti presim shqiptarët!?

Filed Under: ESSE Tagged With: Rexhep Kasumaj, TI PRESIM SHQIPTARËT!, Triptik- NDALONI PAK

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 11
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kosova para 32 viteve: Serbia ua ndaloi shqiptarëve edhe gazetën e vetme të përditshme Rilindja
  • FRANCE-SOIR (1949) / “NJË PLEBISHIT DUHET TË VENDOSË PËR FATIN E SHQIPËRISË…”— DEKLARATA E MBRETIT ZOG NË KAJRO
  • A DO TË KETË LUFTË NË PAQËSORIN AZIATIK?
  • Praga, bota e Kafkës
  • Biblioteka e Familjes Vlora
  • BIJTË E PROMETEUT e të tjerë…
  • Përpjekjet sovraniste të Kosovës më tepër përputhen me Washingtonin se sa me Brukselin
  • PËR HERË TË PARË NË SHQIPËRI FILLON PUNËN NJË SHKOLLË VERORE PËR DESHIFRIMIN E SHKRIMIT LATIN. PALEOGRAFIA LATINE, SI TË ZBULOSH SEKRETET E MESJETËS!
  • MARRVESHJA ABAZOVIÇ-PORFIRIJE — NJË KRIM NDAJ IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE — JO VETËM NË MAL TË ZI
  • ZBULOHET VULA E IPESHKVIT TË SAPËS PJETËR ZAHARISË NGA VITI 1422 NË HVAR TË KROACISË
  • LOGU I BJESHKËVE, TRADITË KULTURORE E HISTORIKE-SHEKULLORE E  KELMENDIT… 
  • ANTON MARKU, POETI I MBURRJES SONË LETRARE NË AUSTRI 
  • David Phillips, Analisti amerikan: Kosova të përgatitet, Serbia e ndikuar nga Rusia mund të provokojë me konflikt të armatosur
  • With the Opening of a Photo Exhibit at the Museum, Worcester Albanians Make History and More Discoveries
  • Dua Lipa Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT