• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KONDOMINIUMI Ç’JETËZUES

December 15, 2015 by dgreca

Nga Rexhep KASUMAJ/

Berlin, dimër 2015/

1.Në statusin e Kosovës së gjysmëvarme, patën dorë qysh n’fill mijëvjeçari përbetues të huaj e, më pas, legjislaturat e alternuara pararendëse. Mirëpo vulën e damkosur do ia jepte Guverna shpirtshitur e hashimisëve!Dhe ky status, jo i panjohur në praktikën ndërkombëtare, është përfundimisht një Kondominium i pashpallur, i specifik e i mbuluar me hí mashtrues, mes Prishtinës dhe Belgradit.

Tash sa vjet, ata, hierarkët e keqmandatuar, saherë venin e vinin nga qendra e Europës, mbeteshin të ngurruar, të pathënë e të errtë…Ndoshta do t’kenë kujtuar predikimin e Horacit se gjërat e mëdha e të bukura nuk i përkasin të gjithëve. E, rrjedhimisht, më së paku kanë të drejtën tu qasen “turmae e altarit”! Në fakt, kjo është teknologjia dhe stili kontaktues i tiranëve të pailuminuar, që këta, snobët e vegjël orvaten ti imitojnë idhujtarisht. Ngujohen në larginë e distancë për të krijuar aureolin madhështisë dhe mitin folklorik të sundtarit që njeh të fshehtën e lumnisë popullore…Por, realisht, rrugëtimet – fjalëboshe në publik dhe – injoruese të instancave kushtetuese, patën dhe arësye suplementare që do të diktonin këtë: shëmtia që gatisnin dhe taktika e aktit të kryer!

2.
Në botë, ndërkaq, ndryshe prej këtu, formula (lat. “pronësi e përbashkët”) nënkupton, rëndom, bashkëqeverisjen e një territori kontestimor nga dy palë që pretendojnë  barazisht të drejtën mbi njerëz e resurse të tij.

Historia e vjetër politike njeh shumë të tilla krijesa të cilat, pas shfaqjes së shteteve nacionale, do të gjenin shpesh zgjidhje me pragmatizmin e prerjes kirurgjikale. Më i moçmi, me gjasë, është kondominati i Andorës midis Francës dhe Peshkopatës së Urgellit, që do të shpërbëhet tepër vonë, (1993) në fundshekullin e ikur. Ndërkaq sot, këtë lloj sistemi gëzojnë akoma Republika e murgjëve Athos, pastaj zona e Bodenseesë, distrikti boshnjak Bërçko, e ndonjë tjetër…Kurse, krejt tevona, Gjibraltari pat refuzuar në udhë referendare idenë e ish-kolonozatorëve britë (viti 2002) për ta administruar atë bashkërisht me Spanjën.

3.
Mirëpo shtigjet e Kosovës do të kishin, papritur, tjetër atllas. Ajo cilësohej një truall e fat sui-generis që, thuase, nuk komponohej assesi me alfabetin klasik të lirisë. Këtë trumpetonin të gjithë: aleatët, prijësit e feudeve politike shqiptare e, madje për çudi, dhe serbët e Koshtunicës… Aherë, në ndjekje të këtij zbulimi, rrjedhoi të ishte shteti fqinjë serbian me të cilin, çuditërisht, vetë shqiptarët, në kushtet e një dorëzanie të huaj, traktatuan kësaj vere qeverisjen e përbashkët të shtetit të vet.

E pra: edhe pavarësia, edhe sovraniteti, edhe liria na rezultuan krejt veçanësore me substancën e përspektivën: të paarrira e të rrëzueshme në furtunat e para që vijnë. Ndaj, ardhur nga një dramë që do shmangte vështirshëm varrezën e popujve të shuar, ato prapë bëjnë, fatmjerisht, farën e dramës së re të përgjakur në një kohë të dytë!

Ndërsa dje, për shkak të mjegullnajës që i ndiqte kuvendimet e dërgatës së tyre, ngjante e pamirëqenë pyejta: ku kje, vallë, populli?,, një pyetje e tillë është krejt e ligjshme sot! Por banorët që s’arrijnë dot të organizohen modernisht si komb me ndërgjegje qytetnie, ose nuk shohin përtej pragut ose besojnë mrekullinë…

Veçse, për zbritjen e saj nga qiejt duhet pritur gjatë, më gjatë se jeta e tyre..!

Filed Under: Opinion Tagged With: KONDOMINIUMI Ç'JETËZUES, Rexhep Kasumaj

Taktikat e zeza…

December 10, 2015 by dgreca

(Një udhë e rrahur mirë)/

Nga Rexhep Kasumaj- Berlin, dimër 2015/

1.Krerë të guvernës së lëkundur të Prishtinës, sajojnë si çakaj të hallakatur  kurthe e taktika, për të shmangur përballjen me atë që quhet ligj. Mirëpo, sipas një fataliteti të çuditshëm që ndjek prorë kohët e sundtarëve të Kosovës, eksperiencat janë paqëtuese. Ligjet me veglërinë e tërë ekzistojnë vetëm për të dobëtit. Dhe Balzaku qëmoti shkruante figurshëm se ato janë ca si rrjeta merimangash që shqyhen nga mizat e mëdha, e ku ngecin ato të voglat…Po, sërish, droja sikur s’mërgon nga zemrat e tyre të helmta. Sepse, së paku, dialektika që ruan balansin natyral mes të me të mirës e të keqes, e thotë një ditë fjalën e saj…Dhe ky është makthi i vërtetë i hierarkëve që janë mbyllur në kullat e epërme nga s’shohin asgjë poshtë tyre…Ata duan ta gëzojnë kalimsinë – e jo historinë. E tashmja për vdektarët impersonalë është e gjallë, e prekshme, jetike…Horaci thoshte se nuk është nder e kënaqësi vetëm të vdesësh, por dhe të jetosh për atdhe. Mirëpo urtaku latin lexohet ose, më saktë, ndjehet instinktivisht (se leximi është mallkim) ndryshmërisht prej tyre. Meqë vdekjen s’e bëjnë dot  – aherë  kanë zgjedhur të jetojnë për të, por krejt në kah të kundërt nga ç’do të ketë kujtuar mendjelashti i uruar: hajnueshëm, vrasshëm, grabitshëm, rrenacakshëm, dhunshëm, trathtueshëm, e pra – poshtërisht!

2. Çfarë do të ndodhte, që këndej, sikur Kushtetuesja e përdalë të verdiktonte refuzimin e plotë (sepse si pranimi ashtu dhe refuzimi vetëm i tillë mund të jetë), të “Entitetit serb” si shkelës të shkronjës dhe frymës së saj?

Dhe, pastaj, nëse një ekspertizë (edhe e huaj), të konstatonte dhurimin shpirtmadh të bjeshkëve e të mijëra hektarë kullotash  Malit të Zi?

Apo, së fundmi, ndonëse pushtetësit e Prishtinës i tmerron demokracia direkte si çelës vullneti, një plebishit referendar ta bënte këtë gjë, njëj udhe më të thjeshtë e të bindshme?

Aherë Premieri rrëshqanor dhe ndihmësi i tij, ky pinokio i drunjtë, do thoshin ngutshëm e cinikisht: ne jemi legalistë dhe, ndaj, njohim pa hezitim vendimet e instancave të epërme! Në fakt, bishtpërdredhuri i parë, me shpresën bizare në përgjigjen e favorshme gjykatës, paratha tashmë këtë lojë…

Vetëm kaq, vallë? Po vepra e krimit? Po faji? Po ndëshkimi i tij?

Ç’përceptim shpërdorues i punës a interesit publik dhe ç’keqkuptim tragjik i shtetit të së drejtës!

3.
“Marrëzia është e rrallë tek njerëzit e veçantë, kurse tek grupet, partitë, popujt a epokat, është një rregull”! Kështu pohon Niçe (“Përtej së Mirës dhe së Keqes”), por, me gjasë, nuk rrjedhon të jetë e saktë gjithmonë. Në Kosovën  e sotme ajo, madhnia e saj, Marrëzia, është gati totale: tek të veçantët dhe tek të gjithë!

Erazmo i Roterdamit (“Lavdi marrisë”) i thurte hymn asaj, sepse, si thoshte, Hyu e kishte zbritur mëshirshëm poshtë, për ta shpëtuar botën nga serioziteti i mendimtarëve…

Rezulton, pra, se, sa më e dendur mjegullina e saj – aq më e lumur do jetë njerëzia pa dritën e mërzitshme mendimore..!

Po a nuk, vërtetë, kështu?
Ku do gjesh turmë më të gëzuar se në Kosovë? Këtë e konfirmojnë dhe relatorët e huaj që bëjnë barometrat e specifikuar duke i vënë gjithnjë shqiptarët e Republikës së re në ballë të tabelës!

E pse tani duhet të ndryshojë kjo magji?

Filed Under: Opinion Tagged With: Rexhep Kasumaj, Taktikat e zeza...

PJELLORIA MAHNITËSE

December 8, 2015 by dgreca

(Një lehtësi e padurueshme e sundimit)/

Nga Rexhep Kasumaj-Berlin/

“Papa Xhulio i dytë ishte aq i rrëmbyer dhe koha kur jetonte kje aq e përshtatshme për këtë sjellje, saqë ai realizonte gjithmonë qëllimet e veta”, shkruan Nikolo Makiaveli, një borgjez laik, diplomat, ushtarak e poet fiorentinas në “Sundimtari-n” e famshëm (1513), librin, që do ta bënte filozofin më të largdëgjuar të politikës dhe shtetit.

Që në hyrje, tek i drejtohet prijësit Lorenco de Mediçi, të cilit i kushtonte veprën e tij, thotë përvujtnisht se s’mund ti ofronte shkelqësisë princërore diç më të mirë, sesa mundësinë për të përfituar në pak ditë, atë që ky kishte mësuar tërë jetën.

Pastaj, në hullinë e mendimit të sipërdhënë,
alkimisti që i hoqi fuqisë pushtetëse etikën ose maskën e saj, do t’nënvizonte se është i suksesshëm vetëm ai Princ që i shkon për mbarë fryma e kohës. Ndaj, po të rronte dhe ca Papa i hallakatur e, njëherësh, koha të ndërronte trillet papritur, aherë do të ndëshkohej rëndë prej saj…

Këto janë ligjet e historisë dhe kohët nuk i lëmojnë përherë sundtarët…Por çuditërisht, trualli i Kosovës, i veçantë në shumëçka, jep provën e pakëputshme të së kundërtes! Sepse, ndryshe, nuk shpjegohet dot përse motet e saj kanë një pjellori mahnitëse për të ngjizur e fryrë kurorën e së Keqes!

Behnin rend këndej, tufanesh të përgjakura, Vali e Zhupan, Hazjajin e Komitetar, Vozhd e Mëkëmbës dhe, të gjithë e përherë, gjenin në vitet e saj atë frymën ideale të Nikolos, për të prishur e shprishur çdogjë: me doktrinë e mort, plaçkitje e dëbim biblik. Ata vinin e iknin dhe kohët dukej se lëviznin shenjën, ornamentin a ideologjinë, por, sërish, secilit që fronsohej i dhuronin lehtësinë e padurueshme të sundimit që mjeronte jetën e brezave të flijuar.

A nuk ngjan kështu dhe sot? Republika e mosvarme vijon me një bujari të askundparë përshtatshmërinë e përsosur: që frymën e fatit të vet ta bëj shtrojë komode për guvernantët fillhumbur, të stolisur, tashmë, me petkun joshës kombëtar!

Ndërsa, pra, si pohonte Makiaveli, kohët duke ndryshuar ndëshkojnë princat e paintuitë – në Kosovën shqiptare ato ruajnë ngulmërisht tharmin e tyre konstant ndër shekuj… Madje, kultivojnë si prurje jetike pllenimin frytbartës për demonët politikë që, dhe në cikël perëndimesh, riqarkullohen paprerë në role e misione të errtë, si vetë nata e saj!

Filed Under: Opinion Tagged With: PJELLORIA MAHNITËSE, Rexhep Kasumaj

Farsa e kuvendimit!

December 7, 2015 by dgreca

Nga Rexhep Kasumaj-Berlin/

Ka një kohë për gjithçka, thotë Bibla, po përse nuk e marrin vesh këtë mësim të vjetër regjimtarët e fortifikuar i Prishtinës?Jo, jo. Çuditërisht ata as  nuk duan dhe as nuk dijnë. Janë obskurë e të trëmbur si askush. I tmerron alternimi rregullar dhe përballja me statusin e qytetarit të lirë…Ndaj dhe, duke keqlexuar Sekretarin Kerry, të pajisur shprese se janë favorizuar pozicionalisht, bëjnë ftesën bajate për dialog!

Dhe ndërsa qëllimmirët (Meta i Tiranës) nuk posedojnë asgjë pos hirit të fismë, hipokritët (Hashim e Isa), nga ana e tyre, kanë hedhur një kartë të ligë në qarkullim: arnimin e imazhit të rrugëdalësit nga nyja e krijuar vetë.Si rrëfen historia pllitike, çdo negociatë nënkupton një përafrim palësh drejt qendrës pajtimore! Aherë: meqë opozita refuzon në plotni dy Marrëveshjet, për “Zajednicë” e “Demarkacion”, ç’kuptim do të kishte një kuvendim i tillë. Dhe mbi ç’premisë?

Ndoshta Premieri nuk pret thyerjen e vështirë opozitës por, pas syzimit me të, këtë kuvendtarin e zott e sugjestiv, së paku, tërheqjen pjesore të saj. Arritja e këtij caku të shenjuar do ti  nënshtronte pastaj gjithçka së njëjtës logjikë, formulë e pikëfillesë: tregtimi i tokave dhe interesit kombëtar. Mbase Statusi i ”Zajednicës” pudrosej mashtrueshëm, si  nuset e pabukura, ndërkohë që për Demarkacionin do të rihapej tregtimi, jo për ti kthyer, po për të rimatur kuotën e hektarëve që i falen Malit të Zi: 10.000, 5000, 7000…apo sa?!

Dhe titullarët do festonin saturnalisht, i madh e i vogël, fitoren shkëlqimtare. Belgradi poashtu, madje pa fshehur gëzimin e triumfit historik, si do të shprehej shefi i diplomacisë tek rezymonte punën njëvjetore të qeverisë. Kurse kundërshtarët e Serbisë që përceptohen si armiqë të klikës lokale vetë: edhe do mposhten edhe do poshtërohen. E bashkë me ta dhe kauza e shtetit që lëkundet ecjesh si një fëmijë i retarduar…

Kuvendimi, vërtetë, s’ka si të mos jetë një farsë për moralin dhe i pamundshëm për të drejtën!

Berlin, dhjetor 2015

Filed Under: Opinion Tagged With: Farsa e kuvendimit!, Rexhep Kasumaj

“KULTURA E TEPRISË”

December 3, 2015 by dgreca

(Një thirrje për zhbërjen e saj)/

Nga Rexhep KASUMAJ/

Ndërsa një muzg, me erën që ndiqte retë dhe fletët e molisura, mendoja për dramën e fundme të Prishtinës, do t’më kujtohej një floskulë (e kujt kje vallë?) tepër interesante e domethënëse: ”Kultura e teprisë”!Natyrisht, farkuesi i hollë do ta ketë vënë në një kontekst tjetër, por unë me ngasjen e vetishme për ta adoptuar në miljeun e mbërthyer ekstremesh e improvizimesh të çuditshme, thashë me vete: po ku është trollëzuar e tillë farë më mirë?
Etablimi i saj, tashmë, rezulton të ketë dy nivele, dy ndërgjegje dhe dy kahe përballëse a, krejt, të kundërta që prekin kulmet e teprisë: njëra është vepruese, e pandjeshme dhe agresive, kurse tjetra e lëbyrshme, bestyte dhe fatpajtuese! Po kush, vallë, identifikohet me to? Të parët – e cilët tjetër? – janë hierarkët e pushteteve, ndërkohë që të dytët – a s’kuptohet lehtësisht? – janë turma, elektorët dhe hijefigurat nga “Të përbuzurit…” e Franc Fanonit!..Duke qenë një sipërkulturë, ajo ka poshtëvënë gjithë të tjerat: kulturën e përgjegjshmërisë (ligjbërja e kartelave të krimit), të harmonisë (shkallmosja e klasës mesme si nyjë paqëtuese), atë kritike (klientelizmi i pështirë medial), mandej, poaq, të rezistencës civile (nënshtrimi i pakusht ndaj naciokratëve të ndërkryer) dhe, së fundmi, vetë kulturën e lirisë!..Dhe ah, darët e teprisë kapullojnë gjithçka: në një anë, tepri në vjedhje e mashtrim, pabarazi e vobektësim (athua ka masë etike për to!?) dhe, në anën tjetër të humnerës: tepri në apati, si shndërrim i atdhetizmit kushtetues në gjunjëzim popullor (a ka peshore të arsyes për të!?), ose, më saktë, si do thoshte Orveli, meqë i zgjedhin lirshëm përfaqësuesit politikë – tepri edhe në pjesëmarrje e bashkëpunim me shkaktarët e fatkeqësisë së vet.

Gjendja sikur ngjan fare shpresëkotë sepse, mjerisht, perpetuohet pambarimisht në rreth të mbyllur: të parët nuk fisnikërohen, e të dytët, ndërkaq, nuk vetëdijësohen! Rrjedhimisht, ndërsa hierarkët katrrisen me thonj e gjak, për t’mos rënë nga qarkullimi horizontal i sundimit, të përbuzurit zjejnë e rrotullohen në botën e asgjëbërjes, pa ëndërruar, apo organizuar kolektivisht mohin e rendit të bajlozëve të zinj!..

Amorfiteti i të poshtmëve ka, ndaj, shprehjen e kërkimdaljes individuale nga unaza  shtrënguese mbi jetët e tyre. Një palë do të heshtin, një tjetër priret për shpërngulje në largësitë e panjohura dhe ndonjëri nga palë e tretë, po qëlloi të ketë shkundje a vegime shpëtimtare, nuk pikësynon askurrë ti shmanget skemës së trishtë. Madje, besnik i tipologjisë fanoniane, vuan dëshirimin e fshehtë për tu ngjitur në galerinë e të epërmve, pra jo drejt lirisë së vet dhe të tjetrit, por, në ndjekje të rregullave unikale të “teprisë”, për tu bërë edhe ai – Persekutor!

“Ai ç’prej vjetësh tremijë
Nuk mësoi gjë për veten,
I tretur mbetet n’errësi
Nga dita n’ditë t’shtyjë jetën”!

Patriarku i letrave të Europës, Gëte, thuase do ti ketë shkruar këto vargje, disi, parathënshëm, jo për gjermanët e vet, por pikërisht  për shqiptarët, që, të pamësuar çlirësie ndër qindjeçarë, gëzojnë ende statusin e përulshëm të kujdestarisë, tipik për popuj adoleshentë apo veteranë të robnisë!

Filed Under: Analiza Tagged With: KULTURA E TEPRISË, Rexhep Kasumaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 11
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT