• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË MNIRJE E VONË

November 22, 2015 by dgreca

Nga Rexhep Kasumaj/
(Mbi aftësinë për vetëjetesë)
1.Klemens von Metternich-u, kjo kryefigurë e Koncertit të Fuqive me të mbaruar të Luftës së parë të përbotshme, admironte sajesat e mëdha territoriale si themelsore të paqes dhe restaurimit të Europës. Dhe refuzonte, që këtej, pretendimet shtetpasëse të “grupimeve të vogla etnogjuhësore” që mund të prishnin sistemin tij.
Anipse dinamika natyrale e historisë nuk do përligjte më pas mendimin e tij të errtë, do ta mnirja sepse, me “staatsraeson”-nin akullor, parathoshte kohë të liga për popullin tim.
2.Mirëpo, kur një ditë kaloja duarsh (në një Qendër pranimi strehëkërkuesish politikë, ku punoj, në Berlin) pasaportat e dy shteteve shqiptare, nuk mund të mos kujtoja Patriarkun hijerëndë. Natyrisht, do ta mënirja sërish, sepse sikur paskësh tejparë kthjellësisht paaftësinë për vetëjetesë të atyre që s’dijnë ç’të bëjnë me lirinë e vet!…
I vështroja hidhshëm e zymtor pasaportat me emrat e bekuar të Shqipërisë e Kosovës dhe, për të pafundmen herë, përjetoja ndjesi përuljeje në shkallë kulti mbi flijimin e brezave dhe përvëlimin e zemrave për shejtninë e tyre. Por, njëkohësisht, një dhimbje e vjetër, e heshtur m’sëmbonte keq shpirtin. Mendoja krejt i thyer: deri kur pronësia e kësaj Letre identiteti, në vend të fatmirësisë si fillesë sociale e shansit egalitar, do të fatkeqësojë prore atë që mban në gji?!
Deshpërimi terron, si nata pa hënë, kur vërej, madje, se nga tokat ballkanëse refugjojnë kryesisht romë e shqiptarë…Ndërsa për mua që shoh prekshëm një mikrokozmos gjuhësh, fesh e ngjyrash, ngjajnë të huaja paragjykimet e këtij soji – megjithatë nuk arrij të frenoj inercien e një pyetjeje që shoqëron ofshamën e thellë: a mund të imagjinohet një fyerje kaq tragjike për shqiptarë sesa të jenë pjesë e kalvarit të arixhinjëve të pavotër?
3.Bota, si më ka rastisur të lexoj diku, ndahet në ata që besojnë dhe në të tjerë që arsyetojnë. Athua në ç’grupndarje aderojnë shqiptarët? Veçanërisht ata të Republikës veriore që mezimbahet patericash: qytetarë dhe elektorë?
Përgjigjen, pa nëvojën që të ndiqen udhë të holla hulumtimesh: teorike, anketuese, barometrike – e ofron vetë realiteti lehtësisht i vërejtshëm e profan. Ata janë të papunë, ata janë të mashtruar, ata janë të vjedhur, ata janë të vrarë, ata janë të gënjyer, ata janë të braktisur, ata janë të poshtëruar nga arroganca e një pushteti të tëhuajsur e plutokrat dhe, të tillë, t’pashpresë, shpërngulen rrugëve të botës…Por, për çudi, gjithnjë besojnë. I besojnë pritjes, Orës së mirë, qiellit…E, rrjedhimisht, relatorët e huaj i shpallin ndër më të lumturit e botës!
4.Fillimi i besimit, pohonte Gëte, është fundi i dijes, e pra i arsyetimit si fill dyshimi që hap portën e së vërtetës. Veçse, ndër ta, mësimnxënja e racionalizmit reflektues nuk sython dot. Ndoshta, ende përhihen tallazesh të mendësisë orientale, nga vjen dhe kjo urti ruse (a nuk janë rusët aziatë?) se mëshira qenkësh rojtëse e barazisë!
Por, si mësojnë jeta e lektyrat – jo mëshira, por drejtësia e fituar me çdo çmim, i jep fund njëj lumnie ku zhganëria verbtane i thërret vetëpërbuzjes!..
Ndaj dhe, përseri e përseri Kancelari i vranët vjenez dhe mënirja e tij e vonë trishtojnë mbylljen e shkrimit!..

R. Kasumaj
Berlin/, nëntor 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: NJË MNIRJE E VONË, Rexhep Kasumaj

TRI PAMJET KONTRASTIKE

November 19, 2015 by dgreca

(Një rezyme e trishtme)/
Nga Rexhep Kasumaj,Berlin/
Pas çdo rrokullime, trazuese a përmbysëse, një pasmendim i distancuar rreh të rikonstruojë imazhin e saj. Në mbresëlënjen për turbullirat e Prishtinës, pas një nate reflektimi, do t’më thadroheshin tri pamje të habitshme kontrastike.
1.E para kje shpërpjestimi i madh mes palëve në udhë e sheshe. Askund nuk më ka rënë të shoh në përplasje të tilla, disaherë më shumë policë sesa demonstrues!
Përse? Sepse, me gjasë, oligarkët jepnin kumtin e trëmbjes, jo nga “fëmijët e gurëve”, veç nga Akuza e tyre. Por a fishket ideja dhe a fshehet faji nga tymi a mburojat?
2.Mandej, dhe pamja e dytë do të shfaqej poaq groteske në absurdin e saj. Ndërsa kudo të shket këmba gropave dhe gjithçka të vret syrin në ambientin e irnosur kryeqytetas – mbanë tjetër, si një kontrastim pervers, në ndjekje të kundërshtarëve politikë dolën tërbueshëm aradhë e karro policie plot arrogancë e shkëlqim mondan. Dinastët e barrikaduar primitivë, ngasin ashtu, ti përgjasojnë Botës së lirë me mjetet moderne të rendmbajtjes, por vijojnë të mbeten dëshpërimisht e kundërta, fundërrina e saj me kulturën e shtetit dhe moralin e shërbesës.
3.Dhe e treta, do rezultonte sërish përjashtimore. E si mund të ndodhte ndryshe? Ishte metaforë e vetë miljeut që shenjëzonte. Zotimet rituale të guvernantëve për një Republikë të “Egal-Libertesë”, ku shejtnohen vlerat e qytetnisë europiane, do ti trathtonin represaljet e brutale të komandove të maskuar ndaj atyre që, si lisat, ishin shenjuar për tu prerë: në rrugët e mësuara me qizme tiranësh, në trotuaret paqësore, në shtëpitë që gëzojnë të drejtën e denjësisë. E kjo shpaloste, tutje, dy dimensione t’ndryme të së keqes: ndërhyrja e paralajmëruar e, më pas, e porositur, si shpërdorim privat i monopolit të forcës dhe tjetra – urrejtja aq barbare e njësitëve specialë për rivalët e zotërve të tyre, që i shndërronte ata në falanga të fashistizuara regjimesh të Slobodanit të afërt a Trujillos së largët..!
Fantazma e tyre, me ç’duket, endet akoma hakmarrshëm në horizontet e Republikës së brishtë. I pari me dhunën e mashtrimin, kurse i dyti me qejfërinë shpërfillëse e guacën e fildishtë autokratike..!Bota është zvogëluar dhe qiejëve të saj transmigrojnë, tashmë, përvoja e hire që nxijnë a ndrijnë jetën…

Filed Under: ESSE Tagged With: Rexhep Kasumaj, Tri pame kontrastike

ALI AHMETI-PERSERITJA E FATIT TE KEQ

May 16, 2015 by dgreca

Opinion nga Rexhep KASUMAJ-Berlin/
Reflektim/
Pas një heshtjeje të gjatë (sa e gjatë për gjakun e dhimbjen!), Ali Ahmeti iu drejtua përmes Televizionit vernil shqiptar të Shkupit, bashkëkombësve të persekutuar.
Pa holluar e tjerrë mendimet e tij të trasha, i referohemi shkurtas ca pikëpamjeve që flasin metaforikisht për meskinërinë e klasës politike të shqiptarëve të Maqedonisë.
„Doja të shpëtoja jetë, por ata nuk më dëgjuan“, ishte teza e parë e florinjtë. Që në nisje do të shpaloste ai diskursin me pretendim këndellës e shfajsues: ruajtje e piramidës ku vegjeton politikisht dhe gllabëron pasurisht!
E pra, po të qenkësh kështu aherë pse ky vetë ( nëse njëmend ka bërë farë lufte) nuk dëgjonte të tjerët që i thoshin po këtë gjë: nuk kishte të drejtë të rrezikonte jetët e pafaj. Këtë refren përsëriste dhe Maliqi për Ushtarët e Kosovës, në mbyllje të mijëvjeçarit. ” Nuk kanë parasysh jetët reale të njerëzve”, ankohej përhumbshëm, thuase jeta e tyre që jepej pikërisht për ata të cilëve ai u qante hallin, nuk ishte reale. Por vendlindja e shtetit është lufta dhe ky është alfabeti i pandryshueshëm i lirisë. Dhe, ndaj, kumanovarët, nuk e kishin dëgjuar atë dhe tani, për habi, ndjehej i lehtësuar. Ndërgjegja nuk do ta ndiqte pas…
„Kam vënë kontakt për të ndihmuar“, pohon ai pastaj për tu shpjeguar pas pritmërisë së turmës injorante që mvesh udhëheqësin me velin e idhujtarisë. Veçse çështjë është: në çfarë cilësie vallë? Ishte ndërmjetës anësor shërbimesh të mira, dinjitar faltoresh a pleqnar kullash? Oh, sa e çuditshme dhe, njëherësh, e përgaztë kjo fjalë e figurantit të glorifikuar! Ndonëse pjesë e pushtetit, ai nuk mund të flasë a veprojë asnjëherë në emër të institucioneve të tij. Por, disi, nga jashtë dhe pa fuqinë e autoritetit shtetëror: as për të prerë shkaqet e kryengritjes, e as për të ndaluar ndërhyrjen e gjakosur – jo kundër luftëtarëve se ata ishin ballas, por kundër popullit të pambrojtur!
Në turrin e lodhshëm të marrëzive, Ahmet-ziu hedh dhe këtë rrufe: kishte, ky i miri, i pafajshmi, maqedonomadhi, merakun e qëndrueshmërisë së vendit të tij, të cilin e do të integruar në ngutshëm në Aleancën atllantike dhe, më pas, në Bashkimin e largët europian. Po si kështu? Cilën Maqedoni? Këtë të tillë siç është? Që segregon egërsisht kombin e atjeshëm autokton dhe, etnikisht, vital shqiptar? Kujt i duhet aderimi i Maqedonisë në botën e lirë, pos armiqëve të shqiptarëve! Ajo duhet më parë të rikoncipohet federalisht ose të shuhet fare. Zona e hirtë ballkanëse, brutale me sistemet dhe fluide me kufijtë, nuk mund ta shohë atë dritë…
A s’është, rrjedhimisht, vetë pozicioni i tij politik si një dekor festivalor pa asnjë potencë vendimmarrëse, një “argumentum a contrario”, pra një argument që rrëzon vetëveten? Ja pra, për këtë ishte vrarë djemëria në Kumanovë: që dhe hierarku politik shqiptar të kishte zë. Të mos ishte qyq i shurdhër. Sherbëtor në Atdhe.
„Më kërkuan që tu ndihmoja për të dalë rrethimit“, krekoset ai tutje në rrëfimin e shpërfillshëm nga ambientet e qeta e komode të tij! Përveç palë me vrasësit dhe pjesë e autorsisë së krimit, ai, nga zilia e, natyrisht, më shumë akoma nga trëmbja mneruese për imazhin a privilegjet sulltanore, përpiqet ti poshtërojë ata. Dhe, ndaj, hedh gurë e drurë për ti paraqitur në një pamje të errtë: pa ide e ndjesi flijimi, të mashtruar e pendestarë! Shpirt më të lig e mëndje më të çoroditur, nuk kam parë as në në imagjinatön e bujshme negative sllave dhe, madje, as në lektyrat shkollore me prralla të frikshme…Mirëpo jo: ky, në fakt, është Minotauri i vockël, që ia ka dalë të ulet edipërisht mbi fatet e nëpërkëmbura të popullit të vet!..
Ndiqni tani përskajimin e tij të idiotshëm: në Maqedoni paskëshin ndodhur tevona „shumë gjëra interesante“! Domethënë: aspak të rënda, aspak prerëse, aspak tronditëse, aspak të përgjakshme, aspak tragjike! Por vetëm – interesante! Nëse, pra, ato na qenkëshin kaq të denja veç për soditje kotnare – aherë ai i bën, kësodore, figurës së vet një autoportret të rrallë: portretin e prijësit politik që është i pashkollë, i padije, i painteligjencë elementare, i paetikë e moral, i paedukatë qytetarie, i pakulturë kombëtare, i paidentitet, i paskrupullt e heroikisht mizor!..
Mandej, diku në mbyllje nënvizon ai përbuzshëm: „Nuk e di se ç’duan ata“! A nuk thoshte po kështu dhe Xhaferi për të në fillimvitet 2000, se rebelimi i armatosur ishte një „kalkulim i gabuar i interesave nacionale“ nga Uçk-ja e atëbotshme?! Por, kushedi, ndoshta, kësaj here, ka të drejtë. Këta luftëtarët e Kumanovës, me gjasë, nuk e kanë të stërholluar instinktin përfitues të tij. Ishte, pra, Arbeni, e jo ky, që kishte gabuar. Rivali i ndërkryer i tij paskësh ditur mirë dhe mori gjithë ç’donte: pushtet pa fuqi, autoritet pa moral dhe pasuri pa fund!
Ah, ironi kohe! Po a nuk është, prandaj, ky vetë – statusi i tij periferik në politikat shtetërore dhe profili i tij si personifikim i kastës politike shqiptare, bashkështypëse dhe e pabesë, – pra ky dhe askush e asgjë tjetër, prova e mjaftueshme, kauza legjitime e justifikimi absolut pse derdhet sërish e vazhdimisht gjak në këtë krah të trojeve shqiptare?!
Dhe do të derdhet ende për lirinë dhe lavdinë e tyre!

Filed Under: Opinion Tagged With: Ali Ahmeti, idiot me pagese, Rexhep Kasumaj

E VËRTETA E TË KËQIJËVE

March 28, 2015 by dgreca

(Një çiltëri e pamohueshme negative)/
Nga Rexhep KASUMAJ-Berlin/
1.Një personazh i Sartërit (“Muri”), i thotë të birit se ai e ka për detyrim të jetë pasanik e ndërmarrës i madh. Gjithçka, ndaj, në ndjekje të kësaj teme, duket të fillojë nga një keqkuptim. Elitat politike të Prishtinës, a mbase shqiptare përgjithësisht, pretendojnë se janë cektinat e turmës që kanë keqkuptuar gjenin e tyre tejpamës, sepse, i tillë, ai bën të ndihen të detyruar për të qenë udhëheqës të Republikës. Mirëpo, nëse Kamy kishte të drejtë tek shkruante se kalimi nga fjala tek veprimi moral ka një përskajim – të bëhesh njerëzor, aherë, me gjasë, është e kundërta: janë ata që keqkuptojnë përherë e vrazhdësisht kohën, njerëzit dhe, madje, veten e tyre!
A është kishte fjalë e tyre prirjen të pësojë shndërresën sublime në veprim moral, për të jetuar, ashtu, procesin e epërm të të bërit njerëzor? Asnjëherë, sepse në ngjizje të tij, krimbëron prore hipokrizia e pështirosur.
2.“Pika zero” dhe mjegullnaja që mbështjell e terron hierarkinë vleftore, është, prandaj, formula fatkeqe e rrethecjes shqiptare. Motet para saj i vulosin të shenjuar akuze, dështakët e mashtruesit, dhuntarët e shpirtshiturit e ulur në ballë të parisë. E pasvajtësit e tyre, tashmë si një premtim fluturak i opozitarëve që duan fronësimin, brohorasin në kupë të qiellit me gërrithje e përgjakje, refrenin e lodhshëm që kishin deklamuar ethshëm pararendësit e rrëzuar: bërja përpara, harmonia sociale a përtrirja popullore.
Pastaj, marramendës e i paprerë, vijon shtegtimi në vetëngujimin e pambarim: akuzatorët pajisen mbifuqie politike, ndërkohë që, mujsharët e refuzuar në teatrin zgjedhor, zbresin poshtë duke gëzuar komoditetin, pasionin e stilin aty ku e kishin lënë, si një stafetë unike, të marrë në dorëzim nga kundërshtarët e lartëngjitur.
Dhe kështu, duke alternuar rolet njëjtësore, ata zhbëjnë vetë idenë e të Mirës dhe të Keqes. Atë që thotë njëra palë, me kumbonarët, militantët, medialistët, konvertitët, mutantët, parandyrësit, kartelistët e nëndheut, jermësit – mohon tjetra, me po atë vulg të çorientuar, injorant e të pabesë. E bardha, ose ajo që paraqitet e panjollë, është njëkohësisht e zezë, ose thuhet të jetë korb fare. Nuk ka një qendërmasë të vërtetë vlere se ç’është krimi e vrasja politike, korrupsioni e dorëvënja në votën a pronën publike, apo, tutje: ç’është interesi publik dhe kultura e legalitetit, qytetnia demokratike dhe patriotizmi kushtetues? Hajni i mitosjes a tatimor, tenderist a buxhetor, shenjëstrohet me emër e gjurmë, por po ky emër latohet përulshëm si flijimtar i zjarrtë për shtetin e së drejtës. E i vrari, ndërkaq, shpallet viktimë hajdutërie e, poaq, hero i mirësisë së përgjithshme, kurse dorasi i supozuar mbetet një fantazmë që, i yshtur nga loja e ekuilibrizmit politik, bredh ndër grupime e klane të mafiokracisë pa gjetur dot strehën dhe gurëvarrin e vet…
Por kur rastis të përafrohen për kohabitim politik, aherë s’është më zhurma, por heshtja që kurorëzon kalimin e humnerës dramatike. Veçse ajo, kësaj radhe, pushon të jetë e urtë dhe e artë. Duke qenë një tkurrje dinake nga parimet e shpallura, ajo sfidon pafytyrshëm inteligjencën e njeriut politik. Tabela e djeshme e qitjes, ku zbrazeshin breshëritë e denoncimeve, mohimeve e poshtërimeve, tani, papritmas, falë mosthënjes lukrative, shndërrohet në referencë të virtytshme. Hierarku folklorik, vjedhësi, i pamoralshmi ordiner, keqqeverisësi që dërgon të mjerët udhëve të botës, trafikanti i pasy, kooperativisti i mejhanes politike, serbofalësi, kolaboratori sllobodanjan, figuranti i djegur i së kaluarës, socialisti jugosllav, tagrambledhësi i pamëshirë e i fshehtë i diasporës, dialoguesi enigmatik brukselian, i pandehuri i gjyqeve speciale, despoti i paprekshëm i grupimit politik, neoliberalisti që shet pasurinë dhe, prandaj, grishësi i pushtuesve virtual të atdheut, – nuk janë më të tillë. Përkundrazi: rezulton të jenë hirësisht të denjë për aleancë kombëtare e koalicion sundimor!

3.
Ndaj, si për shumëçka tjetër, njohim sërish shfaqjen e veçanësisë shqiptare: të gjithë kanë të drejtë. Po si, kështu? Si ndodh që ti kenë të mirëqena fjalërëndat e grindjes dhe heshtjen e shurdhër të pajtimit? Ah, krejt thjeshtë: deduksioni elementar rrëfen se, ndërsa ankesat e hidhta për njëri-tjetrin janë të kthjellta si rrezja e diellit, ata do ti nyjëtojë e vërteta e çuditshme. Po cila e vërtetë, vallë? E vërteta tragjike e antikombtarizmës! E vërteta e të këqijëve!..Sepse kur godasin, natyrisht pa etiketë e me gjuhë primitive, thonë të njëmendtën për armikun e urryer të atdheut tjetër politik, i cili, nga ana e tij, shqipton po këtë njëmendësi tëpër të saktë për palën tjetër, andej barrikadës. Porse, nuk ngjajnë hiç më të fismë as kur, me kodin e species, s’bëzajnë e pajtohen në legjislaturën e përbashkuar. Antikombtarizma është prapë aty: po tani e nënshtruar rreth tymit të gënjeshtrës…
Vitet e ciklet e legjislaturave kuvendare ikin – por, si nga një hovzim i ri trishtues, përtëriten pamjet, vesi, kurthet, xyfjet dhe pandjeshmëria absolute për elektorët e harruar…Ndonjëherë përqaset bashkëformimi i guvernës që, poaq poshtërisht, shkrinë ngjyrat e rreme, duke mbuluar me hijen e gjatë të pushtetit të pabërat e tyre dhe pëshpërimat e tregtizës së shkretë provinciale!
Po a është dhe vetë koha me faj për këtë fatamorganë? Gjithësesi! Ajo jep, shpesh, fillesën e rrethanore për të shpërthyer karakteret e liga dhe për të këputur fijen e hollë frymëmarrëse. Por, më shumë ende, rëndon durimi lapidar i turmës së paçliruar nga mendësia e robit dhe, gjithaq klientelizmi i vokacionit akademik, bashkë me brezin e mediokërve që ata, si pohonte Niçe, i prodhojnë në serrat e nxehta për fishkjen e instinkteve të shpirtit!..

Filed Under: Analiza Tagged With: E verteta e te keqiave, Rexhep Kasumaj

ORA E RËNJES SË PRANGAVE

March 15, 2015 by dgreca

(Skllavët nuk shkruajnë)/
NGA REXHEP KASUMAJ/ Berlin/
1.“Lirinë keni ju, ne hekrat kemi”, u thoshte Ndre Mjeda të bekuarëve amerikanë, pasi kishte shkruar poemthin “Liria”, këtë odë që këndonin zemrat shqiptare. I përhihej, e kapte dhe i zhdukej shpejtësisht, imazhi i atdheut të lirë…
Dhe, njëmend, një popull i ndrydhur gjatë, mbijeton me trupin, por terron, poaq, me frymën. Në vrragët e tij nuk ka asgjë të shkruar…Sepse, thjeshtë, skllavët nuk shkruajnë! Dija apo e drejta e mendimit, ndaj, si një privilegj i të “epërmve të virtytshëm”, ishte rezervuar për aristokratët apo, madje, në viset e kolonive që i banonin popuj “natyrorë”, veçohej për metropolitanë dhe mëkëmbës të tyre të përgjakur.
A nuk ishte pokështu dhe ndër vëndet e arbërit? Qytetninë shqiptare e tjerrnin kryesisht ngulimet mërgimtare, kurse vendësit e përvuajtur gëzonin vetëm rrezet e shpresës së diellit të largët “alegorik”. Dhe në kishte letrari, ajo e tëra rrëmbehej ose pengmerrej nga programi i lirisë. “Kur më pyesin jashtë, keni poetë në Gjermani?, pohonte Niçe me ironi, “u them pa ngurrim: Po, Bizmarkun!” Ndonëse, pra, kishin përbashkuesin e madh, dhe bashkëkohësit e tij, do të jenë përfshirë në letërsinë e misionit politik…A nuk rëndon ende sot zymtor ky makth dhe përpjekja për këthjellim që, e denjë e flijuese, shndërrohet në religjion? Në religjionin e lirisë? Për të thuren më të bukurat ëndrra a farkohen më të ligjshmet ide…
2.Meditimi për fillin e krijimit, filozofinë kosmogonike a kuptimsinë e jetës, pastaj për pushtetin e vdekjes a shpresën e transcendencës – ishte prore i lartë, eterik dhe i pakapshëm si yjet! Të palirët e të shtypurit, nuk vuanin asnjëherë këtë brëngë: mjeshtërinë e mendimit. Vegjetonin në kënaqësinë e vakët të lodhjes dhe instinkteve që i mbanin larg njohjes mundimtare. “Dhjetë kafe gjumë kanë zbritur në këtë botë, nëntë i kanë pirë robërit dhe një të vetme të mbetur, e gjithë bota tjetër, predikon Talmudi shejtnor. Që këtej, metafizika e Mbinjeriut antikrisht dhe Fausti i mjegullnajave të Bohemisë apo Romeo e Beatriçja e dritareve të ndaluara të dashurisë, duhej të prisnin orën e tyre. Orën e rënjes së prangave…Ç’është e vërteta, letraria, kudo e përherë, është pronë e elitave. “Krijimtaria e masave” nga motet bolshevike ishte zvetnim i saj. Por, megjithatë, elitat e kombeve të lirë qarkullojnë e alternohen, poashtu, lirshëm e paprerë dhe mbi askënd nuk bie mallkimi fatal i Rendit të shpallur përfundimtar apo i Prijësit të cilësuar hyjnor.
“Ai ç’prej vjetësh tremijë
S’mësoj dot gjë për veten
I tretur mbetet në errësi
Nga dita në ditë të shtyjë jetën…”

Kështu shkruante Gëte, ky Patriark i letrave të Europës, e rrjedhimisht, prandaj, pas shekujsh të ndaluar të së drejtës dhe magjisë së shkrimtarisë, shqiptarët ndjejnë, vjershërojnë, mendojnë e shkruajnë! Ç’tjetër mund të pritej nga një popull që ka 2000 vjet gojëkyçur, pa hedhur një të vetme fjalë në letër për bukurinë a dhimbjen e jetës? Shpërthim më të përligjur nuk njeh liria e kësaj bote!

3.Porse mendjecektët fragmentarë, pijnoj të përbuzurish poashtu, (“kam parë njerëz të lidhur të varfër, që i shoqëronin dhunshëm njerëz të armatosur të varfër”, thotë një varg i madh) e përceptojnë gjendjen si krejtësisht natyrale, madje, një tabelë të predestinuar vlerash e popujsh! Kjo qenkësh, sipas llumit moçalor, një prima causa, një shtysë parake e vetë Rruzullimit…Ndonjë prej tyre, ndaj, do të shfrynte: ah, përse shkruajnë kaq shumë shqiptarët? Pyetja, ashtu si intonacioni i saj, sikur ndryn në vete pohimin obskur e të errtë, në formën e klithmës së fshehtë dëshirake: përse nuk mbajnë ende sharrë në supe udhëve të braktisura me thirrjen e thekshme “dru me pre”?! Veçse dilemë-pyetja e njëmendtë fundore do të ishte: si shpjegohet, vallë, ky zhgënjim me kah të kundërt e krejt dëshpërues: jo keqardhje e trishtim për mugëtirën e disfatën – por, përkundrazi, për dritën e ngadhnjimin!
Dhe s’është, ashtu, pos një nostalgji patogjene për kohët e lumura të skllavërisë, kur njerëzia s’kish pse të vriste mëndjen e ndërgjegjen, a mbase, mos o Zot, të “shpirtëzonte kundërshtinë” ndanë statusit robnor! Një letargji e qetë, e pabujë, e paemër dhe e njëjtësuar me fatin përjetësor, si të zbritur qiejsh! Ata thuase bëjnë anglezin imperial, që si më ka rënë të lexoj, i kishte ngarkuar Radios së BBC-së punën e vështirë për të evokuar ditët e paqme të popujve të posamëvetësuar, nën kurorën e dikurshme viktoriane. Apo, ndoshta, duke qenë larg, ah sa larg shkëlqimit të britëve, mallëngjimi i tyre ngjan më real e përafrues: mallin për shkronjëtarë zyrtarë, gjithësesi mediokër e provincialë, në shërbim të despotit lokal ose të sundtarit të huaj.
Tirania e njëshit, hazjajinit politik dhe i kostumprerësit letrar, ka ikur, tashmë, në harresë. E kjo, me sa duket, është votra e pikëllimit të tyre. Po nëse ka vetëm një diell që shkëndijon gjithësinë – në yllin Tokë, diejt e dijes e shkrimit janë të shumtë si lulet, fluturat, cicërimat, lotët, muzgjet, buzëqeshjet…Dhunti e tyre vjen udhësh të padukshme e të pandalshme prej hiresh të shpirtit të ultë njerëzor!
Kur mbreti serbian Aleksandër, gjatë një vizite ekspeditore, kishte zbritur në Fushë Kosovë, i tmerruar nga prania e gjithëkundshme shqiptare, i thotë adjutantit të tij: “ Sa shumë plisbardhë paskëshin mbuluar dhèun”! Mirëpo ai, urtësisht e pa vonuar, ia kthen: “Madhëri, të tillë janë më të mirë, ç’do të bëjmë kur ti heqin ato”! Pikërisht, pra! Adjutanti kishte të drejtë: krijimi intelektiv a thithja e nektarit të tij, iluminojnë mëndjen dhe rimojnë ëndrrën njerëzore…
Sepse, skllavët, mjerisht, nuk shkruajnë!

Filed Under: ESSE Tagged With: Ora e renies, Rexhep Kasumaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 11
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT