(Pritmëria kotnare)/
Shkruan:Rexhep Kasumaj,Berlin/
Qeveria e Kosovës mblidhet me ngut. Anëtarët e saj: shqiptarë, romë, ashkalinjë, turqë, malazezë e serbë, të vranët e të shqetësuar presin kumtin. Veçanërisht shqiptarët duken të tronditur. Janë lodhur e këputur nga orë e gjendje të jashtëzakonshme. Dhe, kushedi pse, kjo ditë u kujtonte dramën e tyre të përgjakur.
Flet së pari, gjithë rëndesë, Premieri Isa: Të nderuar ministra, temë e vetme e seancës së sotme është situata e krijuar pas shpërthimit të revoltës popullore, nxitur nga cilësimi i ultë pezhorativ që i bëri Ministri Jabllanoviq qytetarëve të Gjakovës. E, ata janë pjesë e popullit të Kosovës, ndaj dhe reagimi i tillë kolektiv na duket i natyrshëm e legjitim.
(Heshtje. Askush nuk flet një fjalë. Të gjithë hezitojnë)
Pastaj Premieri vijon: Z. Jabllanoviq, Ju duhet të reflektoni më thellë.
Ministri Jabllanoviq përgjigjet menjëherë: Përse?
Premieri: Si përse? Nuk prek aspak komocionin tuaj politik mëllefi popullor?
Jabllanoviqi: Unë kam kërkuar ndjesë dhe kjo mjafton. Ç’duan ata më shumë?
Isaja: Populli nuk Ju do!
Jabllanoviqi: Cili? Unë kam popullin tim. Kurse këto turmat që morën udhët s’ju duan as Ju!
Isaja: Nuk e di, por kërkohet, madje ultimativisht, largimi Juaj.
Jabllanoviqi: Më falni, përkthimi çalon e nuk kuptoj mirë!
Isaja: Anipse serbishtja ka status qarkullimi oficial, Ju, për të
lehtësuar punë, duhet të mësoni shqip. Kjo është gjuha e shumicës, të cilën ai që nuk arrin ta njohë ose është injorant ose shoven!
Jabllanoviqi (me një nëqeshje ironike): Si? Po unë atë bëj. Flas pikërisht atë gjuhë.
Isaja (i skandalizuar krejt): Ç’thua ore? Ç’është kjo marrëzi? Shqipja është gjuhë e parë në Kosovë.
Jabllanoviqi (me një siguri sfiduese): Kosova është pjesë e Sërbisë dhe shqipja Juaj nuk mund të jetë gjuhë shtetërore!
Isaja (i gatshëm për një replikë të rreptë, por ruan qetësinë): Për këtë do bisedojmë sërish më pas. E tani, për arsye të ndjeshmërive konjukturale, duhet të dorëhiqeni vetë. Në të kundërtën, do të shtrëngohem t’ju shkarkoj nga posti ministral.
(Në këtë moment, pjestarët e kabinetit, të tendosur të gjithë, sikur lëvizin pak. Dëgjohen pëshpërima: miratuese, dyshimtare, mohuese!)
Jabllanoviqi (me një ftohtësi cinike): Jo, nuk dorëhiqem vetë, për tri arsye: e para, pse s’kam fyer askënd. Dhe e dyta, pse refuzoj të vërtetën e stisur se në Kosovë ka pasur krim etnocidal. Ky, thjeshtë, është një mit, që u fabrikua për të rrëzuar të drejtën serbe mbi Kosovën. Mandej, së fundmi, shkuarjen time mund ta nismëtojë vetëm establishmenti i shtetit tim.
Isaja (me vendosmëri shtetari të madh): Ja, pra. Ky është kulmi. Ju jeni autorë mitesh të rreme e doktrinash të kombvrasjes. Varrezat masive, këto qelekulla të reja të nëndheut me trupa të pajetë gjithandejí, janë prova tragjike e njëmendësisë shqiptare. Bota e qytetnisë, tashmë, njeh të vërtetën tonë dhe gënjeshtrën tuaj. Kjo, njëherësh, dëshmon gjithësesi strategjinë e redizajnuar serbe që prodhon pozicion e moral të dyfishtë: të jesh pjesë e qeverisë së Kosovës për të gëzuar privilegjet e fëmijës së llastuar, ndërkohë që ndiqen politikat e shtetit, tashmë fqinj serb, për të shpërbërë Pavarësinë e Kosovës. Ndaj dhe, që tani, jo veç për ofezën primitive, por më tepër akoma, për negacionin e shtetit që qeverisni e përfaqësoni, unë dekretoj shkarkimin tuaj të pakthim e definitiv. Le të jetë një përvojë për të gjithë. Për minoritarët serbë veçanërisht! Shteti i Kosovës, sovran e i pavarur, është një realitet historik.
(Në sallë dëgjohet prapë zhurmëri e mbytur)
Jabllanoviqi: Edhe një fjalë kam. Mua aq më bën për këtë. Kam udhëzimet e mëtejme të prijësve të mi belgradas. Por një gjë është e sigurtë: Pa mua dhe deputetët serbë, do të bjerë qeveria e Kosovës, kurse për Ju, z. Mustafa, ky është karuseli i mbramë pushtetar.
Isaja (politikisht racional, kombëtarisht i përgjegjshëm e me një krenari solemne): s’më prish punë fare. Guvernat venë e vijnë, por Kosova jonë e martirizuar dhe e shtrenjtë është një dhe e vetme! Është trualli im, në pragun e të cilit unë përulem përjetësisht! Dhe tani kolegë e miq, thotë ai me ndjenjë sakrifice, mbledhjen e deklaroj të mbyllur!
Salla nis e zbrazet shpejtësisht. Premieri Isa, për një çast, duket i vetmuar. Po, me të dalë, tek porta e presin ministrat shqiptarë dhe ndonjë nga pakicat. Vetëm serbët kishin ikur pa përshëndetjen e mirësjelljes së rëndomtë!
Ja, kështu do të duhej të duket një zhvillim gjërash në përgjigje të trysnisë popullore. Por lexuesi im i nderuar, e di se kjo është e pamundur. Mbase epilogu i tillë do të shfaqej real në një kohë të dytë, por vështirë të jetë i pritshëm nga ky soj vernilësh që kanë shaluar edipërisht fatet e nënës Kosovë. E, pra, ose do ta shohim atë si ofertë të huaj, ose si rrjedhojë të një alternance pushteti dhe morali në Kosovë!
Koha, thoshte Bertold Breht, është shpresa e popujve!
Por kohë e saj është gjithmonë…
AVE ÇLIRIMTARË…
(Një paralele brezash të Arratisë)
Shkruan:Rexhep KASUMAJ, Berlin/
„Ave Caesar, morituri te salutant“, i thërrisnin gladiatorët perandorit të botës. Dhe ishte një flijim dhimbsunor e kotnar, akti i jetëmohimit për lavdinë e vrasësit të tyre.
Mijëra vjet më pas, për çudi, drama e flijimit nuk shterron dot. Megjithë ndryshmërinë historike, atë sikur e bashkon një fill i hollë që i referohet i natyrës së të epërmëve: tani luajt janë të lirë. Janë vetë edhe urdhënarë cinikë edhe oshënarë gllabërues. Madje, më poshtë akoma. Lozha e Arenës vetë, veçanërisht ballkanëse, kërkon dinjitarë që duke qëndruar ftohtë e matanë kulturimit gjakhollues, si ndaj yjëve, ruajnë tiparet e doemosshme për betejat e saj: nuk kanë brishtësinë, trishtimin, vuajtjen…Vetëm mizori, bark dhe instinkt!
Ndaj dhe, me gjasë, ekzemplarët më tipikë të tyre që kaherë gjallojnë në landin verishqiptar, bëjnë pjesë në këta të fundmit, mjeshtërit që bashkojnë Sundimin dhe Injorancën në pleksjen e tyre fatzezë. Dhe, natyrisht, meqë e bëjnë me zelltari të jashtëzakonshme, ata që tani janë parashpallur kandidatë laurimesh të ardhshme!..A s’është një nder i madh për truallin e dëshiruar shekujsh për madhështinë?
Pastaj, po në këtë hulli evokimi, ndërsa skllevërit vdisnin aty, mes muresh amfiteatrorë të Koloseut madhnor, e pra, ndanë ledhesh të Atdheut dhe, anise kauzëhumbur, shuheshin për shkëlqimin e Romës së përjetshme – këta të epokës sonë nuk vdesin burrërisht në shfaqjen makabre. Në fakt, ata lejohen të vegjetojnë fizikisht dhe, ndaj, vdesin duke jetuar. Çdo ditë e orë. Të parrethuar nga hekura, bisha të mnershme, mura të lartë që prekin retë. Apo, madje, as nga hareja e publikut të magjepsur që hesht…. Për dallim nga bashkëfatistët, në dukje janë krejtësisht të lirë. Nuk sakrifikohen fare në lojën e shijes së egër. Ata, thjeshtë, braktisin formën, qeshjen, dhimbjen, dashurinë e Atdheut të vet! Ndërsa, pra, pararendësit glorifikonin sundtarin me mortin e tyre që e shihnin në sy – këta të pasmijëra vitesh dhe në tokën e ngushtë e të palavd që quhet Kosovë, duke mërguar pa bujë e shpresë, i bëjnë poashtu një shërbesë mahnitëse mujsharëve provincialë: ofrojnë iluzionin e mirëqenies – sepse pakësohen të papunët dhe komocionin prehës të fronit – sepse në vend që të rebelohen kundër tyre, ata kanë zgjedhur udhë tjetër: atë të vdekjes duke ikur!.. Atyre, romakëve të lashtë, së paku eshtërat do tu mblidheshin plot politesë e nderim për tu kallur në dheun amtar, kurse këtyre të vonëve, u mbetet për ngushëllim vetëm balada me këngën e pikëlluar përmallëse ku përgjërohet “ogiçi ti fusë eshtërat në brirë, për t’i çuar n’shpi”, atje diku larg, shtatë male kaptuar…
Ah, ç’proliksitet i panëvojshëm, do t’mund të thoshte ndokush. Po, është mot globalizmi dhe integrimesh të njerëzve e derteve, ngjyrave e qytetnive. Bota zvoglohet përditë. Europa, tashmë, është bërë shtëpia jonë. Ashtu, vërtetë, por në këtë interferencë transnacionale, ka një shpërputhje të thellë: përse nga këto vise të hirta nuk shihen dot karavane që shtegtojnë me teshë e koteshë drejt Jugut, aq më pak drejt një trualli në zemër të Ballkanit kurrë të paqëtuar, banuar me shqiptarë? Prej tyre akoma vijnë vetëm kujdestarë dhe edukatorë, ndalesa, roja dhe qenër… Dhe behin për ti mbajtur ata ende të mbyllur në internat kolektiv ku janë rreshtuar për të dijenxënë. A s’është një konsideratë e denjë për ndjenja të fisme, ndonëse dhe vetë jenë thurësit e fijeve të lashta të fatkeqësisë?
Mirëpo internatistët, për sherr, nuk mësojnë dot. Nuk mësojnë për të jetuar aty, me kulturën e punës e të rebelimit përmbystar kur gjërat venë mbrapsht, ashtu si shejtënonte frëngu i zgjuar me të drejtën e Zotit e robit, në Kushtetutën e tij këtu e qindra vjet më parë – por mësojnë të arratisen. Të arratisen nga Vetja dhe Vatra. E shkaktarët dhe fabulistët e shfaqjes së ligë mondane, gjithnjë pa bukurinë tragjike të Koloseut të dikurshëm, shohin veprën e tyre dramatike – dhe gëzojnë. Një gëzim njëmiherë më barbar se i glamurozit Cezar dhe më grotesk se shfaqjet e korit provincial që këndon himnin, pa fjalë e kuptim, të lirisë!
Rrjedhimisht, krahasimi mes brezave shkulimtarë është i pamundshëm e tronditës. Të hershmit shpërnguleshin në pritje dhe punonin, madje si do të ndodhte më pas, dhe do luftonin për lirinë e dheut të vet. Ndërkaq tani, emigrimi i tyre ka përmasë tjetër. Fundbotshëm të frikshme. Është zhbërje, çrrënjosje me gjithçka të gjallë, si në motet passkënderbejane. E kundërt, krejt e kundërt dhe jetëdashëse ngjante falmeshëndetja e përflakshme marsejeziane e shqiptarëve që shtrengoheshin nga serbi armik,të linin pragun e të parëve. Ndaj, me ç’fjalë të gurtë dhe me ç’shikim turbullues, njatjetohen dhe shohin ata imazhet e Kosovës që zhduken në terr?! Mirupafshim – por, ku? Dhe kur? Në Atdheun pa heronjë, pa gjeneralë, pa buste, pa legjendarë? Athua kaq gërryes e mbytës të jetë zhgënjimi për ëndrrën e djegur dhe oligarkët vrastarë?
Ave çlirimtarë!..Mirupafshim në Kosovën e liruar nga thundrat e tyre! Ja shprehja që duhet të shoqërojë dorëngritjen përshëndetëse. Veçse sendërtimi i ëndrrës së vjetër me kuptim të ri, kërkon prapë ideal e përkushtesë dhe, ndoshta, gjakun e gjakësve të saj! Berlin, janar 2015
DEZINFEKTIM I UDBASHËVE….
Triptik- PJELLORIA MAHNITËSE/
(Një lehtësi lapidare sundimi)/
Nga Rexhep KASUMAJ/Berlin-Prishtinë/
1. Analogjia trishtuese
Teksa një ditë zbrisja shkallët e banesës sime në Prishtinë (Kodra e diellit), do t’më binte në sy një lajmërim a ofertë e shkruar si parullë në xhamin e korridorit që, fillimisht, mu duk se thoshte: “Bëjmë dezinfektimin e udbashëve”!
Për një çast ndala hapin i habitur dhe, njëkohësisht, i mrekulluar. O Zot, thashë me vete, kur qenkësh gjetur një bar i tillë?Ja zbulimi që do ta njerëzojë njeriun, sidomos njeriun e popujve të shtypur apo të posadalë nga nata e gjate e robërisë!
Ndërkaq, me tu afruar, do të vëreja i zhgënjyer se ajo nuk paskësh qenë veçse ftesë për “dezinfektimin e bubashvabave”. Por zhvendosja e gërmave nga avujt, rënja e ngjyrës dhe irnosja, e kishin deformuar atë në pamjen e arritjes madhore që do të emërtonte epokën tonë.
Megjithëse ngjan ende a, mbase, përjetë e pamundshme shpikja gjeniale, nuk do më shqitej një kohë përshtypja e një analogjie spontane mes insektëve të neveritshëm dhe spiunëve të pabotë. Dhe, natyrisht, në përballjen e ashpër të tyre për fronin e së keqes, do të fitonin këta të fundmit, urrejtësit e gëzuar të krijesës së vet!
2. Rrethi imbyllur
“Kur humbet kuptimi i jetës, aherë humbet dhe e drejta për jetën”, shkruante rebelshëm Niçe, ky shpirt i shkumëzuar i Europës.
Dhe tani, qindravjet më pas, e gjejmë të konformohet, ndoshta, mendimi i tij i pamëshirë në miljeun politik shqiptar: ndër dy Shqipëritë e jashtme përplot heronjë – të Ohrit që nëpërkëmbet dhe të Rambujesë që vetëpërtallet!..
Vërtetë, ç’kuptim ka jeta dhe e drejta për të, nën hekurat e pushtimit që shtrëngojnë me formulën klasike apo nën darët e dinastëve të mafiokracisë nacionale që, thuase, i kanë ndërruar të keqes veç petkun etnik?!
Imperialiteti nuk ngrihet gjithmonë mbi kontrollin fizik të një territori të huaj, por, shpesh, është i mjaftë kontrolli virtual i resurseve të tij.Këtë përskajim, në fakt, do ta bëj H. Münkler në „Logjikën e sundimit të botës”, tek jep mjeshtërisht panoramën dhe filozofinë e perandorizmit ç’prej Romës e këndej.
Ndaj, rrjedhimisht, vetë jetesa sovrane do të cilësohet e përmbaruar kur Instanca shtetërore të ushtrojë të dy kontrollet bashkë: edhe mbi tokën edhe mbi të mirat e saj. Natyrisht, duke presupozuar legjitimitetin demokratik të elitës dhe barazinë e të gjithëve në shansin për fat e lumni.
Ndërkaq, a bëjmë ne tutje?Përgjigja ngjan, ndonjëherë, deshpëruese, sepse, me gjasë, gjendemi ende brenda definicionit të sipërthënë. Në shpalesën e tij negative, mjerisht!
3. Lehtësia e padurueshme e sundimit
“ Papa Xhulio i dytë ishte aq i rrëmbyer dhe koha kur jetonte kje aq e përshtatshme për këtë sjellje, saqë ai realizonte gjithmonë qëllimet e veta”, shkruan Nikolo Makiaveli, një borgjez laik, diplomat e ushtarak fiorentinas në “Princin” e famshëm (1513), këtë libër të librave mbi moralin e politikën.
Që në hyrje, tek i drejtohet prijësit Lorenco de Mediçi, të cilit i kushtonte veprën e tij, thotë përvujtërisht se s’mund ti ofronte madhërisë princërore diç më tëmirë, se sa mundësinë për të përfituar në pakditë atë që ky kishte mësuar tërë jetën.
Pastaj, në hullinë e mendimit të sipërdhënë, nënvizonte më poshtë se është i suksessshëm, prandaj, vetëm ai Princ që i shkon për mbarë fryma e kohës.Rrjedhimisht, po të rronte dhe ca Papa i hallakatur e, njëherësh, koha të ndërronte trillet papritur, do të ndëshkohej rëndë prej saj…
Këto janë ligjet e historisë.Të kryehershme dhe eterne.Por a nuk njohin dhe atovetë të drejtën e përjashtimit? Natyrisht! Kosova është prova e shquar e këtij urdhëri, këtij mallkimi të përjetshëm të dialektikës.Sepse, ndryshe, nuk shpjegohet dot përse koha e saj ka një pjellorimahnitëse për të ngjizur e fryrë kurorën e së Keqes!
Behnin këndej rend tufanesh të përgjakura Vali e Zhupan, Hazjajin e Komitetar, Vozhd e Mëkëmbës dhe, të gjithë e përherë, gjenin në motet e saj atë frymën ideale të Nikolos, përprishur e shprishur çdo gjë: me doktrinë e mort, plaçkitje e dëbim biblik. Ata vinin e shkonin dhe kohët dukej se lëviznin shenjën, ornamentin a ideologjinë, por, sërish, secilit që fronsohej i dhuronin lehtësinë e padurueshme të sundimit që fatkeqësonte jetën e brezave të flijuar.
A nuk është kështu dhe sot? Republika e mosvarme vijon me një kurajo e bujari të askund parë përshtatshmërinë e përsosur: që frymën e fatittë vet ta bëj të shtruar e truar për guvernantët fillhumbur, tashmë, të stolisur me petkun joshës të mashtrimit kombëtar!
Makiaveli pohonte se kohët, duke ndryshuar, ndëshkojnë princat që vuajnë mungesën e intuitës dhe marrëzinë e ndërkryer. Mirëpo, mjerisht, kohët e Kosovës shqiptare, megjithëse ndryshojnë shpesh, ruajnë me besë esencën, tharmin konstant ndër shekuj: pllenimin frytbartës përdemonët politikë që, dhe në cikël perëndimesh të tyre, alternohen paprerë në role e misione të zinj, si vetë nata e saj!
VËREJTJA E NJË MENDIMI TË PAMËSHIRË
Mbi provën gjenerale të luftës civile/
Nga Rexhep KASUMAJ/Berlin/
1.Ç’do të ndodhte me Kosovën paszgjedhore sikur të mungonte Prania e huaj? Ngjan e rëndë për një truall, bijtë e të cilit ende janë të tretur gropash të paemër, por dhe fantazia më optimiste nuk do ta përjashtonte lehtë një sprovë të luftës civile.
Pasioni instinktiv, gati parasocial për dominancë mbi llojin a fisin, i ka hequr pudrosjen Kosovës së re. Në vend të partive politike moderne alternativash prosperuese, janë fortifikuar dy vrajë organizimesh të përçudshme e përballëse: njëra, tirania e kooperativave familjare patriarkale, „oxhaqeve“, tashmë josojnike, prirë nga dinastë provincialë e të errtë dhe tjetra, grupimet e kartelave të krimit që vërviten e kërcëllejnë dhëmbët e prishur për të ruajtur a për të rrëmbyer pushtet! Të pleksura fort në turrin dhe mendësinë, ato krijojnë një realitet të vështirë që humneron themelet e shtetit, sikur dhe gropën e thellë mes tij dhe Europës. Që hibriditeti të jetë mnerisht i përkryer, ndër ta pështillet dhe një kastë, poaq e veçantë, ajatollahësh: Baballarë të vetëçertifikuar gjyqesh të fundme, Tribunë të hargjuar të vegjëlisë, dhe Instanca shpërdoruese të flijimit brënda gjakut të vet. Kurse krejt poshtë, nën këmbët e të gjithëve, janë shtruar elektorët e shkretë, të lodhur e fatpajtuar, të cilët, të trandur nga drita e fortë e lirisë, nuk e përvetësojnë dot nenin 3 të Kushtetutës frënge që përligj të drejtën e kryengritjes kur guvernat shkelin liritë e tyre.
2.Sepse “kur humbet kuptimi i jetës, aherë humbet dhe e drejta për jetën”, do të shkruante rebelshëm dhe Niçe, ky shpirt i shkumëzuar i Europës. E tani, qindra vjet më pas, e gjejmë të konformohet, ndoshta, mendimi i tij i pamëshirë në miljeun politik shqiptar: ndër dy Shqipëritë e jashtme përplot heronjë – të Ohrit që nëpërkëmbet dhe të Rambujesë që vetëpërtallet!..
Vërtetë, ç’kuptim ka rrnesa dhe e drejta për të, nën hekurat e pushtimit që shtrëngojnë me formulën klasike apo nën darët e dinastëve të mafiokracisë nacionale që, thuase, i kanë ndërruar të keqes veç petkun etnik?!
Imperialiteti nuk ngrihet gjithmonë mbi kontrollin fizik të një territori të huaj, por, shpesh, është i mjaftë kontrolli virtual i resurseve të tij. Këtë përskajim, në fakt, do ta bëj H. Münkler në „Logjikën e sundimit të botës”, tek jep mjeshtërisht panoramën dhe filozofinë e perandorizmit ç’prej Romës e këndej. Ndaj, rrjedhimisht, vetëjetesa sovrane do të cilësohet e përmbaruar kur Instanca shtetërore të ushtrojë të dy kontrollet bashkë: edhe mbi tokën edhe mbi të mirat e saj. Natyrisht, duke presupozuar legjitimitetin demokratik të elitës dhe barazinë e të gjithëve në shansin për fat e lumni jete!..
Ndërkaq, a bëjmë ne tutje? Përgjigja ngjan, ndonjëherë, deshpëruese, sepse, me gjasë, gjendemi ende brenda definicionit të sipërthënë. Në shpalesën e tij negative, mjerisht! Mirëpo, për paradoks, kjo fatkeqësi ka dhe një të mirë. Vonestarë siç janë dhe pa edukatë demokracie e kulturë shteti, shqiptarët e sidomos, personeli politik i tyre, s‘do të dinte ç’të bënte me lirinë e vet. A nuk ndodhë kështu me shqiptarët e matanshëm tash 100 vjet? Asistenca e huaj, sado e përzjerë tipash të larmë e hedonizmash të ulët, mund ta shtyjë e vetmja përpara karron e shkallmuar. Në fakt shqiptarët nuk janë rëndomësuar të lëvizin vet asnjëherë. Gjëndjen sociale dhe statusin politik në rrotullime kohësh, ua ndryshonte prore faktori i jashtëm: ose pushtues ose çlirimtarë i tyre. Madje as zgjedhja e tyre nuk ishte e lirë. U mbetej vetëm afiniteti i shkëlqyer i përshtatjes dhe identifikimit me ideologjinë dhe administratat e hegjemonit madhnor!
3.E tani i referohemi sërish pyetjes së fillimshkrimit: si do venin punët sikur të mos ishte ky faktor në Kosovë? A do evoluonte zjarri i vërbër për Fuqi, e përmes saj, për sundim e grabitje pronash e lirish, i titajve të barrikaduar luftarakisht, në një zjarr tjetër, në zjarr armësh, civil e total, që do të përvëlonte të gjithë? Duke rrezikuar keqkuptimin, mund të thuhet krejt sigurisht: mbase zor të rrëzohej një pandehmë pohuese!
Fundja, së paku teorikisht, nuk do të ishte fundi i botës. Shumë kombe historikë kanë kaluar kalvar të tillë dhe janë këndellur si kurrë më parë. Por në këtë tokë të ngushtë, drama e saj do të ishte e barabartë me tragjedinë. E para, pse ajo është larë me shumë nga gjaku se nga shiu, pastaj e dyta, kombet e tjerë, duke qenë të mëdhenj e konsolidë, ishin të pakanosje për zhbërje dhe e mbrama, përplasja, në mungesë të një kauze sublime, do të përfundonte e katrahurshme. Kudo që pati shpërthyer në botën e qytetnisë, ajo kishte një kauzë të epërme: ata të shumtët që merrnin anë kishin një idhull që përsonifikonte idealin e tyre. E këtej, ndërkaq, nuk do të gjendej kund as idhulli, as ideali e as misionari i tyre. Përse? Thjeshtë sepse në skenë, në të gjithë anët e krahët, ka një të vetme pamje, mendësi, flamur dhe yshtje: alternimin e radhës së figurantëve pa moral, kredo, besë e dedikim publik. Të ndryshëm i kanë veç emrat dhe fytyrat. Madje dhe këto të fundmet, si tek teoria kriminale e Lombrozës, sikur përgjasojnë hutueshëm duke krijuar tipologjinë unike të tyre. Edhe sikur e keqja të shmanget, ata nuk meritojnë stolisjen me suporet e lavdisë, sepse, thjeshtë, faktori frenues gjendet diku tjetër. Fundja a nuk është tragjike vetë ngasja dhe potenciali i tyre i afishuar për të prekur pragun e saj? Ata, në fakt, po e bëjnë këtë: kjo është prova gjenerale e saj. Dhe ja, kjo është, pra, ndjenja e tyre, ndërgjegja e tyre, Kosova e tyre!
Ndaj, nuk i thurim odë aspak Prezencës së jashtme, por ngjanë të jetë e tillë, shpëtimtare, pse njeriu politik kosovar është i krejtësisht i çorientuar nga fiksioni i mirëqenies që vjen pas suspendimit të represaljeve serbiane…Në vend të ndërsymjes nga politika e ndërkryer që i mbanë në jermi dhe i kërkon gjakun, ai do të duhej të formonte vetë një bosht të tretë: të organizuar e inteligjent, kritik e vetmohues, për të çelur një kaptinë të re të historisë.
Është në duart e tij… Çdo status që do të gëzojë, po të shprehemi sipas mësimit hegelian, është real dhe i arsyeshëm!..Dhe ky i përtashmi i nëpërkëmbur, mjerisht!
Berlin, shtator 2014
SIMBOLIKA E GJATËPRITUR IDENTITARE
(Legjenda e Djaloshit me Traktor)/
Nga Rexhep KASUMAJ/ Berlin/
1.Që herët, posa zbardhi agu i lirisë, Republika e re pati sërish një trishtim. Por ai ishte paksa ndryshe. Nuk vinte nga gjaku dhe hekurat e pushtimit. I tillë, herë-herë ngjante dhe fin e luksoz: fqinjëronte me delirin e madhështisë. Kushedi kur do të jetë ngjizur joshja e tij, por gjithësesi ishte i kahershëm. Veçse tani, nën ditët djellandritëse të Indipendencës, sëmbonte thershëm. Kolonialistët ishin shpërngulur dhe entuziazmi popullor prekte, tashmë, kufijtë e lumnisë përhumbëse. Pse jo! Kurrë më çizme dhe helmetë serbiane. Tani ajo kishte bukën dhe librat e ndaluar. Kulla e bulevarde vezullues. Megjithatë një brejcë, e heshtur dhe e ngadaltë, gërryente mortshëm ëndrrën e saj. E idhta kishte trajtën e një gjakimi të vjetër. Pas ngulimit të aleatëve në dhèun e tyre, bijtë e Arbnit sikur iu dorëzuan fare idhujtarisë vetore: u ndien të ishin kërthizë planetare. Si bënte, pra, që epiqendra pulsuese të mos kishte një veçanësi që do ta shquante në botë? Që këndej trysnonte ky ngut për një ornament të largdëgjuar. Dhe ai do behte aherë e andej nga s’e priste kush. Do të vinte beftë, thjeshtë e rustikalisht, një muzg të rrëmujshëm tek piqeshin qershitë. Kje viti i 2014, pas Zotërisë. Nuk u shfaq në kalë baladash a bartur rèsh nga qiejt e mugët dhe as i ngarkuar hamejsh prej detesh të valëzuar. Një Traktor me Djaloshin trimosh e të hallakatur mbi krye, do t’ishte kumti i gëzuar i maratonomakut frymësosur…
2.
Ndaj, duhet të gjendet patjetër e të mos humbasë ngeshmërisë tipike, ky investor i historisë. Të bëhet shpejt i njohur emri i tij risimtar e për ngahera i uruar. Militanti që kremtoi me traktor fitoren zgjedhore të Prijësit për legjislaturën kuvendare, në mes të turmës së tromaksur, i dha miljeut politik e qytetnues të Kosovës mëvetësore, simbolikën përfekte: traktorizmin, këtë shenjë pathyeshmërie dhe flijese në pragun e lavdisë. Si të përjetësohet, vallë, akti i tij atdhetar? Sheshet metropolitane janë zvogluar shumë. Mezi marrin frymë nga bustet e gjithandejmë. Por një grimë truall e meriton përmendorja impozante e këtij çunaku ëmbëlosh, që do të mbijetojë stuhitë e shekujve. Statujat e tanishme ngjajnë pak të mërzitshëm e njëtrajtësorë: burra të krekosur, kaluer a në këmbë, hiç një Zonjë imtake që ka marrë kurajon të përbirohet mes tyre. Kurse monumenti i “traktoristit” do t’skeptëronte krejt ndryshe. Fillimisht, ai nëvojitë më shumë hapsirë, mund e imagjinatë artistike. Sepse ngritja e tij, do të ketë tre plane të vështirë: njeriun e fanitur, tutje, traktorin e marrosur (që do të jetë keqardhur pse ka ateruar aty ku s’duhet) dhe, në sfondin diskret, harenë popullore. Mandej, si për të sfiduar pararendësit, projekti do përplotësohej dhe me një anë tjetër ogjinale: do ngrihej për të gjallë të bëmësit gjenial. Si rrjedhojë, autorët kolegjialë që do ta ideojnë e përmbarojnë atë, do ta gëzojnë përherë praninë e Traktoristit, i cili do t’ua evokojë atyre jo vetëm pozicionin, marshrutën, përvijimin mespërmes brohoritjeve të mbështetësve dhe mnirjes së kundërshtarëve, por dhe emocionet e kohës. Gjigandi i mbiditshëm, kështu i paragatitur, do të përfundonte i përkryer.
Ndërsa pranë tij, kur heroi të shuhej një ditë, do të hidhte shtat dhe një Mauzole i purpurtë ku do të ekspozohej kurmi i tij i balsamosur. Dyzimi harmonik do krijonte një ansambël unikal, të askundparë në yllin që quhet Tokë. A nuk kanë bërë dhe të tjerët kështu? A nuk kanë balsamosur, fjala vjen, në verilindje të Europës, madje deri organet gjenitale të Poetit sarhosh, si një atraksion të jashtëzakonshëm, që, më pas, njerërzia të thyejë këmbët në turravrapin për ti parë? Sidoqoftë, po të hezitonte fantazisti sypatrembur për të dhënë pëlqimin e të dyja dedikimeve, e veçmas, për tu “mauzoleuar”, aherë duhet kërkuar ndikimin e tribunëve moralë, uratën e atoriteteve fetarë dhe këshillën e urtë të shkoqitësve kanunorë, Pleqnarë me nam që (në Dukagjin) ende prejnë drejtësinë e përdhunuar nga shteti i së drejtës e barazisë!..Nuk duhet nënçmuar as praktikat e moçme spirituale. Do të merrej prej tij një fije floku a rub teshash, e do t’përndahej faltoresh të shumta për të siguruar ndërhyrjen e shpirtërave të mirë…Dhe ata, krejt bashkë, do të shpreheshin në favor të kompleksit ansamblor, sepse këtë e dikton interesi i lartë: për mbamendjen e brezave dhe për triumfin kombëtar!
Ishte, njëmend, çasti i arrirë për të. Pothuaj të gjithë kryeqytetet dritëbardhë që regëtijnë të piketuar hartash të cicëronëve turistikë kanë ngrehën ( “Eifeli”, “Kremlini”, “Brandenburgu”, “Shtatorja e lirisë”, “Koloseumi”, “Sheshi i paqes qiellore”) e tyre glamuroze. Krykasabaja jonë ishte, ndërkaq, në zor të sajonte kolosin që tu rivalizonte. Nuk kishte trashëguar një shenjëzim njohës e identitar. Kje shtrënguar gjatë të priste shkas, konjukturë e frymëzim. E pra një objekt magjepsës, i rrallë tejembanë rrokullisë, do ti jepte dhe kryeqendrës dardane fascinitetin e munguar: traktorin mbrothësor! Po, ja, Hyu mëshirëplotë do ia dhuronte një të tillë. Pak vonë, por duhet patur mirëkuptim, se ishte merakosur thellë për ta zbritur një të pazakontë, ashtu siç duken shpesh të pazakontë edhe ata që jetojnë poshtë atij nënqielli. Pritësit e mëdhenj u shelbyen. Përjetuan shendimin çlirues nga ankthi i mangësisë mistike. Durimi, njëmend, ishte shpërblyer: simbol më domëthënës, reprezentues, të bukur e smirëndjellës, nuk ishte mbrujtur as në shkëndijëzat e tyre më vegimtare. Madje, ndryshmëria e kryeveprës shqiptare do t’ishte absolutisht sipërore. Vetë kulti i tyre ndër mijëvjeçarë. Ata nuk do të imitonin godina parlamentare (si Reichstagu zymtor me prapaskena tmerri) a teatro, muze (eksponatesh të bezdisshme), biblioteka të mërzisë dhe as shtëpi Sinfonie e të tjera gjëra squllosëse kombesh të lajthitura që kanë hyrë në udhë të vdekjes klinike. Traktori dhe vetëm ai, posedonte fuqinë jetëprurëse dhe sublimitetin rrezëllitës të gjithmonësisë…Ndaj, Akropoli, Louvri, Broadway e Burgtheatri, pallatet imperialë e sulltanorë dhe ç’janë të tjerët andej, nuk do të ngjajnë veçse si shemra fatkobi. Do pëlcasin nga marazi të gjithë: miqtë e rremë dhe armiqtë e vërtetë! Për moskonsideratën shqiptare, sigurisht do të hidhërohen me të Epërmin. Por ç’ti bëjnë? Ky ishte verdikti i tij i paapelueshëm. Traktori u mbetet shqiptarëve. Dëshmi e lirisë për veten dhe epërsisë ndaj të tjerëve. Në jetë të jetëve.
Ky kompedium i admiruar bujkrobnie, si një arritje e pamohueshme e fitimtarëve të përkorë, më parë se për Autorin e natës së bekuar, flet për zotërit e tij dhe nuk flet maska e jashtësisë, por tharmi i mbuluar i kulturës së tyre të hollë…I tillë, ai dëfton, njëkohësisht, ideologjinë doktrinare a postamentin dallues në kohët turbulente që vijnë. Tani, në vend emrash e titujsh të lodhshëm hierarkësh të vranët, mjafton të thuhet “traktoristët” që çdogjë të jetë e qartë. Po, tevona, a nuk janë ngadhnjimtarët që përcaktojnë ikonografinë metropolitane?
3.
Porse, si në shumëçka tjetër, mbase për hirin e dialektikës që refuzon përsosmërinë, edhe këtu kanoset pasmbetja nga një cen. Nëse shumë prej veprave madhnore të vendeve a metropolëve (si ndriçimi i rrugëve në Belgjikë), thonë se shihen nga Hëna, heroin tonë, të konceptuar përmasash të epigonëve që e rrethojnë, nuk besoj ta kapë Syri i largët hënor. Prandaj, mjeshtërit do ti kenë parasysh, ndoshta, dhe kordinatat kozmike. Kostoja mund të dalë e lartë, porse demosi i stërkënaqur, sidomos humanistët e tij, do të heqin nga kafshata e gojës për këtë emblemë të dashur të zemrës së tyre.
Athua do të lëmohej jo vetëm sedra provinciale, po dhe vetë hirësia e tij e rëndë që do ketë përballës anë e kënd rruzullimit, sikur përbindshi glorifikant të lokalizohej vetëm në Metropol? Për ta bërë, pra, më vendar, autentik e gjithësorë, akademikët e mprehtë dhe guvernantët e trashë, do të latonin e jetësonin shpejt idenë që dhe qytetet tjera të pajisen me dytësa dinjitozë. Më të vegjël, u muar vesh, sepse nuk do guxonin të ngucnin atin parak. Pokështu do të prodhoheshin, pse jo, dhe disntiktivë, bluza të rinjësh, borsalina dinjitarësh e kravata pensionistësh të harruar, e sidomos vegëleri e veshje bujqësh me figurën fatsjellëse në t’përparmen e tyre. Po në këtë rrjeshtim të lëbyrshëm, do të mbaheshin tradicionalisht orë përkujtimore, festivale ku do të muzikonin komponistë e artistë dhe do të themeloheshin çmime demokracie me emrin e famlartë! Ah, për pak ta harronim më të rëndësishmen: abetaret e librat shkollorë, nuk do kishin në faqen e parë foto të ftohtë presidentësh a kryezotësh mesjetarë, veç pikërisht pamjen krenare: traktorin grandioz me heroin e pashëmbëllt sipër tij! Por fabula nuk mbaronte. Do vente tej përkushtimi, njëshbërja flatruese me makinën e pafajshme që e bënte aq zulmëtar këtë banorësi të vuajtur. Pjesëtarët e fisit afrikan Ga (të Ganës) kanë ca rituale autoktone varrimi interesant. Për ata që iu lënë shënde‘në porosisin arkmortër formash të çuditshme, që duhet të pasqyrojnë pasionin e të ikurit: si piano e çekan, peshk a kitarë…Tani që janë bërë globalë, shqiptarët do mësojnë përvojat e vyera ndaj, me gjasë, më shumë se vetë ganezët e zinj, do të deshnin një arkë të pangjashme për mbetjet e tyre trupore. Nuk do të joshen fare nga peshku e çekani, aq më pak nga një piano e përzishme. Të devotshëm e venddashës, ata kallen dhimbjes për një sarg a, madje, sarkofag solemn me profilin e hyjnizuar!..
Së mbrami, kur sundtarët të vërenin entusiazmin e trullosur të turmave, do të miratonin gjithçka, duke iu qasur dhe ndryshimit definitiv e përthekues, të kërkuar me afsh anëpërtej tokës amtare: kësaj përmendareje do ti rezervohej statusi i Tempullit shejtnor, kurse stema, flamuri amorf dhe hymni memec do të kishin në pikëqendrën e tyre militantin e traktoruar madhor dhe këngën e tij. Me këtë ndërmarrje të vëmendshme do të mbyllej njëjtësimi total me portretin e ri ftyrëçelur, të pllakosur si nata pa hënë në truallin veriarbnor.
Vitet do iknin dhe ngjarja do të arkivohej në legjendë. Qysh tash e parashoh se si gjyshërit do tu tregojnë mbesave e nipërve para gjumit, rrëfenjëza për mitin e një djaloshi që festoi me Traktor në epokën e mbërritjeve më të sofistikuara të njerëzisë, anipse ai vetë nuk përfitonte asgjë. Ishte i papunë dhe i ngujuar në geto të Europës së lirë. Fëmijët, në fund, si rëndom do të pyesnin: përse? Po ata do tu thoshin: flini tani. Do ua rrëfejmë nesër mbrëma.
Po dhe aherë pa përgjigje, natyrisht!
R.Kasumaj, Berlin, qershor 2014
- « Previous Page
- 1
- …
- 5
- 6
- 7
- 8
- 9
- …
- 11
- Next Page »