• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

REZISTENCA NACIONALISTE KUNDRUALL TRADHËTIVE KOMUNISTE

April 24, 2014 by dgreca

Shkruan:Eugen SHEHU/
Historia nuk na ka përkëdhelur ne shqiptarët.Përkundër kësaj,në mjaft raste,fati ynë më tepër se me syrin e nënës na ka vështruar me atë të njerkës.Por gjithsesi nëpërmjet dallgëve të vuajtjeve që rezonojnë me aspiratën tonë për liri,ka shkëlqyer kurdoherë dëshira për demokraci të vërtetë,për dinjitet kombëtar, për krenarinë e racës më të drejtë e popullit ndër ma të lashtët e Ballkanit.
Nëse Lidhja Shqiptare e Prizrenit,udhëhoqi me autoritetin e mendimit dhe veprimit,popullin tonë në udhëkryqin e madh të coptimit të perandorisë Osmane,kjo ishte përveç të tjerave edhe refleksioni i asaj ndjenje të rrënjosur tek shqiptarët për lirinë e vërtetë.Dimensionet e kësaj lirie janë shprehur edhe pse në mungesë të shtetit ligjor kanë ditur të realizojnë deri në përkryerje mbijetesën.
Koha që rrodhi më pas tregoi se liria jonë aq shumë e kërkuar mbeti vetëm një aspiratë,duke lërë shkak për trazira më të egra ballkanike,duke e bërë Shqipërinë të lakmuar jo vetëm gjeografikisht por më tepër politikisht për të ashtuquajtur kombe të favorizuara.
LIDHJA GJENETIKE E SHPIRTËRORE E NACIONALISTËVE
Kësisoj,duke parë e ndjerë për së afërmi rrezikun fashist nga njëra anë dhe atë komunist nga ana tjetër,rishfaqet shpirti liridashës e demokratik i shqiptarëve.Mendoj se këtë shpirt dhe aspiratë të popullit e përfaqsoi në fillim të viteve dyzet grupimi i forcave nacionaliste të Ballit Kombëtar,e ideuar dhe udhëhequr nga mendimtari i shquar Mit’hat Frashëri,kjo Organizatë do të mblidhte rreth vetes intelektualë të penës dhe trima të pushkës të cilët veç të tjerave do të luftonin për Shqipërinë Etnike,për ata që përpara se të na i ndryshonte Evropa na i kishte caktuar vetë Zoti.
Edhe pse i krijuar dhe me aktivitet luftarak në Shqipëri,grupimi i forcave demokratike nacionaliste të Ballit Kombëtar do të sugjerohej dita-ditës madje deri në thellësitë e Maqedonisë Shqiptare.Hapësirat e kësaj toke shqiptare u konturuan të pastra në dëshirën e tyre për prosperitet duke parathënë në këtë mënyrë edhe lidhjen gjenetike dhe shpirtërore të shqiptarëve nga të dy anët e kufirit që ndante padrejtësisht jetë njerëzish të një gjaku.Në vitet 41-42 ngrihen grupet e para me prirje nacionaliste në qytetet e Gostivarit,Tetovës,Shkupit,Kërçovës,Strugës,Prespës,Manastirit si dhe të Kumanovës. Të pranuara krejtësisht në popullin e përgjakur të këtyre trojeve,këto grupime shpejt formuan çetat e tyre ku pushka do të shkrepte e frymëzuar vetëm prej patriotizmit.
Në kuintesencë,çetat balliste të kësaj periudhe do të ishin zëdhënëset e para për demaskimin e asaj tragjedie që përgadisnin fashistët dhe komunistët në kurriz të popullit tonë.Luftimet e shumta që këto çeta,(rradhët e të cilava mbushesin çdo ditë me luftëtarë të rinj)kryen ndaj invazioneve maqedono-malazeze dhe maqedono-serbe,treguan jo vetëm shpirtin e papërkulur deri në vetmohim të shqiptarëve,por edhe tendencën e tyre të shpërdorur për Atdheun Etnik
Është pikërisht kjo një nga arsyet që në horizontet e Luftës së Dytë Botërore u ravijëzua flirti komunist midis Hoxhës,Titos dhe Stalinit.Shqiptarët e ndershëm duke menduar më të rrezikshëm fashizmin e ardhur nga Italia,Gjermania e Bullgaria,arritën deri aty sa të bienë në betejë,duke mërmëritur në çastet e mbrame nën emrin e baba stalinit.Ata e harruan historinë e afërt të Carëve dhe ëndrrën e tyre të ortodoksizmit për daljen në Adriatik.Ky flirt që simbolizoi në vetvete tiraninë më të egër të luftës së Dytë Botërore,përveç të tjerave do të nëpërkëmbte dinjitetin tonë.Lufta civile tashmë kishte marrë flake kur pushztimi fashist Italian kishte përfunduar,ajo tashmë po zavendësohej nga intrigat serbo-sllave komuniste përmes gulsheve të gjakut shqiptar për të rivendosur gjeografinë londineze.Komunistët shqiptarë të etshëm për pushtet e pranuan kët lojë të fëlliqur tradhëtie antishqiptare.

DIBRA E STRUGA NËN GJEOGRAFINË E TRADHËTISË KOMUNISTE SHQIPTARE

Në hartën topografike të krimeve komuniste të divizioni të pestë tretë dhe brigadave të dyte dhe katërt, kriminelët si Mehmet Shehu e Shqfqet Peçi përveç trojeve verilindore,Kosovës e deri në thellësitë e luginës së Preshevës do të vendosnin së pari edhe krahinën e Dibrës,Strugës e Resnjës,për ti lënë duar të lira Haxhi Lleshit e Qemal Agollit që në “besë” mos trë rrezistonin nacionalistët ndaj brigadave të tyre të cilat për të kaluar në ato zona flamurin kuqe zi me shqiponjën dykrenare dhe me yllin pesëcepësh,do ta fshihnin sa për të depërtuar,mbase për nacionalistët shqiptarë të atyre zonave do të ishte I pa pranueshëm e aq më tepër jo ato brigade sllavomaqedonase-shqiptare.Por “besa” e tyre shpejt u shëndrua në tradhëti.Kjo u kuptua nga Murat llabunishti e Faik Dobovjani udhëheqës të Ballit Kombëtar.Nga Kalishte e Lladorishte e gjithë fshatrat e Strugës deri në Dibër,rezistenca nacionaliste provonte forcën e shpirtit atdhetar e patriotic duke mos njohur pushtues e sundimtar sllavishtfolës mbi vatrat dhe familjet e tyre arbërore.Por krimet dhe maskartat komuniste shqiptaro-sllavomaqedonase skishin të ndalur,rrethimi I gjithanshëm dhe përforcimet e brigadave serbosllave bënë të veten.Drini tashmë kullonte lotët e pabesisë vëllezëtore të ardhura nga shteti amë,ndërsa fushat e kodrat vaditeshin me gjakun e nacionalistëve të ndershëm shqiptar.Pas kësaj gjeografia e tradhëtisë tashmë do merrte rrugë drejt trojeve atnike tjera të Shqipërisë Lindore apo Maqedonisë Shqiptare.

NËPËRKËMBJA E NDJENJËS KOMBËTARE DHE BETEJA E KËRCOVËS

Historia për atë periudhë të dhëmbshme për popullin tonë sjell çaste trishtuese që s’ka „pluhur“ që i mbulon.Si rast tipik i kësaj nëpërkëmbje të ndjenjës kombëtare ishin betejat e zhvilluara për marrjen e Kërçovës.Dihet pse u sulmua Kërçova nga brigadat partizane malazeze,serbo-maqedone dhe bullgare.Historia e këtij qyteti kreshnik kish treguar se nacionalizmi aty nuk vdiste kurrë përpos se rritej çdo ditë.Jo vetëm çetat nacionaliste,por edhe mbarë populli i Kërçovës,tregoi në betejat e gusht-shtatorit 1944(veç tjerave) se mbi gjithçka ishin idealet e mëdha të lirisë.Sulmi përfundimtar për marrjen e Kërçovës u realizua më 8.nëntor.1944.Edhe në këtë sulm,forcat sllavo komuniste u zbrapsën,duke lënë me qindra të vrarë.Sidoqoftë,komunistët luajtën dhe karën e tradhëtisë duke rithënë edhe një herë se për hirë të internacionalizmit proletar prosllav duhej vënë thika në fyt nacionalizmit shqiptar.Kësisoj,çetat partizane të Dibrës,të udhëhequra nga Haxhi Lleshi,i dhanë besën kërçovarëve se lufta do të mbaronte sa të hynin në qytet pa forcat partizane sllave,mirëpo ende pa kaluar besëdhënja as 24 orë nga hyrja e „partizanëve“ shqiptarë,qyteti u gdhi në një terror të paparë.Qyteti u plaqkit,shtëpitë u dogjën,qindra nacionalistë u pushkatuan e u masakruan si „tradhëtarë“….. Në panteonin e madh të lavdisë nacionale do të shkruhen kurdoherë me gërma gjaku emrat e të rënëve për kauzën e madhe si ;
Mefail Mehmeti(mefaili i Vogël),Mefail Shehu(Mefaili i Madh),Begzat Aliu,Azem Lani,Atem Ismaili,Rushit Sadiku,Muhedin Zajazi,Qerim Qerimi,Azem Kasa,Medi Qerimi,Mehmet Grashica ,Rexho Mefaili,Hysen Selimi,Daut Selimi,Sadik Qerimi,Nazim Ramadani,Mehmet Ollomani,Halim Sali Rexha, Ibrahim Ali Deda,Latif Jagodini,Ismail e Dervish Ibrahimi,Ajdin Hajroja,Habib Kaleshi, Shefki Jagodini , Nuredin Elezi,Sulejman Bajrami, e trimëresha nacionaliste vajza Zelije Bajrami e qindra patriotë të tjerë.

METAFORAT E PËRGJAKURA DHE MASAKRA E PRESPËS

Është po vjeshta e vitit 1944 kur pas letrës së dytë që titoja i dërgonte hoxhës,duke i kërkuar ndihmë internacionaliste që ndryshe përkthehej luftë vëllavrasëse në trojet shqiptare.Pas largimit të gjermanëve në drejt jugut shqiptar,Hoxha urdhëroi brigadat e III-të dhe të V-të sulmuese,të inkuadruara në Korparmatën e Parë,që të vëheshin nën komandën jugosllave për të luftuar ndaj armiqve dhe „bashkëpuntorëve“ të tyre shqiptarë si në Kosovë ashtu dhe në trojet tjera shqiptare.Kuptohet që termi bashkëpuntor kish të bënte me nacionalistët trima,atdhetar e të ndershëm shqiptarë që për kauzë kishin vënë jetët e tyre.
E nëse inkursioni i këtyre brigadave do të niste nga Dibra,shumë shpejt trojet tona në Maqedoninë Shqiptare do të ndjenin jo pa dhimbje shkëlqimin e rremë të yllit të kuq komunist.Nëse shqiponja e lirë në qeleshet e nacionalistëve u shpërfill dhe përgojua për vite e decenie me radhë,asesi ajo nuk humbi metaforën e saj të lirisë.Edhe pse u përgjakën,këto metafora mbijetuan duke kujtuar shqiptarëve se për ideologji të huaja nuk ja vlente të vrisnin njëri-tjetrin.
Edhe Prespa dhe Manastiri do të luftonin kundra Yjeve bollshevike.Madje do të luftonin kundra „vëllezërve“ që vinin nga larg në emër të internacionalizmit.Fshatrat e Kranjës,Arvatit,Nakalecit,Gërces dhe rrethina të tjera u bënë simbole të vetmohimit për Shqipërinë Etnike dhe të lirë.Në kujtesën e kombit tonë,do të mbetet e pashlyer masakrimi i një çete të tërë(në „besë“) të Ballit Kombëtar afër përroit të Shtërbovës ku gjysëm të vdekur e gjysëm të plagosur u varrosën për së gjalli në një gropë si ; Riza Mehmeti,Ejup Mehmeti,Memish Neziri,,Myslim Shabani,Nazmi Myftari,Dalip Hasani,Camil Rexhepi,Eshtref Limani,Sabri Lika,Shaban Zeneli,Tasim Rexhepi,Shaban Demiri,Eshref Nexhipi,Feti Rustemi,Abdyl Rexhepi,Veiz Lika e dhjetra nacionalistë të tjerë. Po ashtu është I dhëmbshun të kujtosh britmat e dhimshme të tërë një fshati rrethi i Manastirit që quhet Ostorec,ku gjithë familjet fshatare i mbyllën në shtëpija dhe i djegën për së gjalli,krimi i tyre se ishin nacionalistë dhe e doshin Atdheun dhe Lirinë.Kjo masakër ishte vazhdim i tragjedisë po e njejtë të fsh.Buzëmadhes në Kukës,ku Mehmet Shehu groposi po ashtu dhjetra nacionalistë,që ndërkohë do të përbënte vetëm një nga aktet e tragjedisë mbi gjysëm shekullore,që u luajt në shpinën e shqiptarëve të këtyre trojeve.

DITA E BAJRAMIT TË MADH DHE BETEJA E KUMANOVËS DHE PRESHEVËS

Tradhëtitë e komunistëve të pabesë i ndiqte nacionalistët shqiptarë kudo,pushkatime,masakrime ishin në rend dite nga arradhat partizane.Kjo gjendje ngriti dhe Kuvendin e Qëndrorit të Ushtrisë Ballit Kombëtar në Malin Shar,mbi Tetovë,aty u mblodhën Xhem Gostivari,Mefailat e Kërçovës,Arif Dragomasi i Tetovës,Syllë Hotlla,Mulla Idrizi i Gjilanit,Hafëz Xhemil Efendiu i Tetovës,Kadri Saliu,prefekt i Gostivarit,e Xhevdet Kallajxhiu e ushtarak tjerë, kuvendi diskutoi planet për realizimin e veprimtarive ushtarake në pa mundësi prezence i pat dërguar,Prof.Ibraim Kelmendi nga Presheva,i cili ishte antar i Qëndrorit të Ballit për Kosovë.Në befasi u dha lajmi i pregaditjes së një ofenzive për „çlirimin“e Kumanovës,Preshevës.Ndërgjegjja patriotike ndërpreu kuvendin dhe secili iu nis në teritorin e vet.Kështu që vetëm një ditë më vonë komunistët do të dëshmojnë se ishin dhe mbetën pa Fe.Dy brigada partizane(njëra serbo-malazeze dhe tjetra me çetnikë serb e mercenarë shqiptarë) iu vërsulën popullatës preshevare në orët e herëta të mëngjezit në Ditën e Bajramit të Madh,teksa popullata i kryente ritet fetare në xhami.Fare pak çaste u deshën dhe legjendari Sylë Hotlla vikati“Pushkët o,burra se po hyn shkjau në votër!,kurse në Viti e Budrikë të gjilanit ishin forcat nacionaliste të Mulla Idrizit i cili prite në lajm kështu dhe thirja e shenjtë e Mulla Idrizit“Allahu Ekber,për Komb e Vatan“,ishte thirje vetëtime,bëri që armët ti rrëmbejnë burrat e fëmijt duke nisur kësisoj një betejë të paparë në mbrojtje të Preshevës,tek hekurrudha,dhe pas 12,orësh luftimesh të rrepta“luftëtarët internacionalistë“ u thyen keqas dhe u larguan në panik e sipër.Falë Sylë Hotllës e Mulla Idrizit në krye me prof.Ibraim Kelmendin,falë vizionit të tyre trimëror dhe ushtarak,pushka e preshevasve shkrepi duke shkruar epopenë më të lavdishme të saj.Pas kësaj menjëherë brigada e Sylë Hotllës u nis në betejën e shkupit,s’bahku me Mefailat e Xhemë Gostivarin çliruan Shkupin dhe ngritën flamurin mu në qendër tek urra e gurit,këtu ranë dëshmorë kapedanët e çetave,Kadri Azemi,Ferit Saliu nga Dobroshti dhe Zylçe Emini nga Nerashti, mes shumtë tjerëve që ranë në kte betejë.
Edhe në këtë rast me një flakë atdhetarie e patriotizmi të paparë të këtyre luftëtërëve të Lirisë,shqiponja e qelesheve të nacionalistëve doli fitimtare mbi yllin sllavo-komunist.Vetë historiografia komuniste,duke dashur t’i thurë hymne diktatorit Hoxha,sqaron mjaft saktësisht lidhjet e tij me Titon të përkrahur nga ideali internacionalist.Madje jo vetëm Hoxha por janë një aradhë e ndyrë komunistësh që nën hijen e diktatorit thuajse e mbërthyen prej fyti ndjenjën atdhetare të Shqipërisë Etnike.Ja se ç’far udhëzimesh u dërgon njeri prej tyre,partizanëve shqiptarë që do të luftonin në trojet e tyre tash nën ish -Jugosllavinë:
„Hysni Kapo,me cilësinë e antarit të Komitetit Qendror të Partisë dhe të Komisarit Politik të Korparmatës I,duke marrë parasysh se Brigada e III dhe Brigada e V-të në Kososvë do të vepronin në një gjendje tepër të ndërlikuar në pikpamje politike,e quajti të domosdoshme t’u dërgonte komisarëve të këtyre brigadave udhëzime të posaçme.Në këto udhëzime theksohej në mënyrë të veçantë qendrimi i lidhur me problemin kombëtar.Kuadrot dhe partizanët e UNCSH,të brumosur me ndjenjën e internacionalizmit proletar,duhej të tregonin kujdes shumë të madh duke luftuar çdo shfaqje nacionalizmi“(Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar. Vëll.IV,fq.815).
Pra sidoqoftë komentet janë të tepërta.Më së shumti ato vetëm mund të na trishtojnë për vetëasgjësimin absurd të atdhetarizmit në kapërcyell të Luftës së Dytë Botërore.

ZJARI I SHQIPTARIZMËS DHE BETEJA E TRESKËS

Tetova është një tjetër emër i cili do të kërkojë përherë të drejtën qytetare për t’u futur në historinë e luftërave për Shqipërinë Etnike,burrat nacionalistë të këtij vendi me traditë,në periudhën e luftës së Dytë Botrore,të udhëhequr nga komandantët trima nacionalistë,si Arif Dragomasi,Islam Drenica,Ejup Llacën, Hafëz Xhemil Efendiu,Demir Sejda,Sali Halimi,Sadush Hyseini,Aqif Elmazi,Shefqet Preshevca,Aqif Mustafa,Kadri Azemi,Refik Saliu,do të japin shembuj më të mirë se kjo fole patriotizmi ishte dhe ngelet e pamposhtur,si vullkan atdhetarizmi.Këta burra patriot me trimërinë e guximin e tyre jo vetëm që mbanin Tetovën e Pollogun të çliruar nga këmba e përgjakur sllavo-komuniste,por zhvillonin dhe beteja të tjera si në Karadakun e Shkupit,Vratnicë,Ferizaj e më tej s’bashku me kryekreshnikun Xhem Gostivarin,Syl Hotllën e Mefailat e Kërçovës etj,kudo ku kërkohej pushka e tyre.
Beteja e Treskës,është një betejë krejt e dhimbshme por dhe dëshmi krenarije e trimërije,ku jetët e këtyre atdhetarëve për ta s’kishin vlerë meqë përballë kishin dy brigadat bullgaro-maqedone,luftë e ashpër,por fitorja përfundimtare ishte flaka e lirisë që dilte nga xhoksi i luftëtarëve nacionalistë.në këte betejë rranë luajt komndantë çetash të ballit si Aqif Reçani,Ejup Llaca,Arif Dragomasi dhe Islam Drenica e tj , luftëtarë lirije.Ideali i tyre se Partia e jonë është Shqipëria,ngriti peshë mendjet dhe zemrat e mijëra shqiptarëve në trevat e Maqedonisë Shqiptare,duke u bërë simbole të patriotizmit të ndershëm shqiptar.

KRYEKRESHNIKU NACIONALIST XHEM GOSTIVARI

Betejat e zhvilluara nga çetat e Ballit,veç të tjerave u inicuan dhe u udhëhoqën edhe prej trimërisë dhe shpirtit atdhetar të nacionalistëve të Gostivarit të udhëhequr prej Xhem Hasës(Gostivarit).Me një nivel të lartë dijesh ushtarake,por me shpirtin dhe moralin e lartë të atdhetarizmit,Xhemë Gostivari do të takohej me Mit’hat Frashërin,do të merrte porosi prej tij e do të organizonte më tej punën në Gostivar e më gjërë.Ndër të parët ishin trimat e atdhetarët e paharuar të nacionalizmit shqiptar si ; Aqif Reçani,Izmit Raveni,Lokë Llakavica,Ilmi Tërnova,Ilmi Strajani,Merë Sërmnova,Zaim Simnica,Izet Gjenovica,Kadri Salihu,Izmit Fejzullahu,Xhevat Kallajxhiu,Shazë Sërmnova e tj.Këta atdhetarë me zemër Luani e sy shqiponje,nuk i dorëzuan fatet e popullit në duart e përgjakura komuniste,duke parandjerë rrezikun e murtajës së kuqe nuk pranuan të bënin asnjë kompromis me çfardo force ushtarake ata njihnin vetëm lirinë,atdheun ,racën shqiptare,dhe flamurin lavdiplotë të Skenderbeut.Pa hyrë në detaje e sqarime për betejat e këtij Kryekreshniku të njohur në historinë shqiptare,pa bërë sqarimin e betejave të shumta,si në Dibër,Kërçovë ,Debarcë,Beliçicë,Shar ,Koritë,Mavrovë, Treskë,Vratnicë,Rekë, e shum e shum tjera,mund vetëm të them se ato i ngelin për studjim historianëve të ndershëm e atdhetarë që të miren me zbërthimin e këtij realiteti,s’ë paku le ta ndjenjë si obligim moral ndaj pasardhësve të këtyre herojnjëve dhe atdhetarëve nacionalist shqiptarë.
Por realiteti është se këto luftime treguan veç të tjerave se Shqiptarët nuk u pajtuan kurrësesi me komunizmin,këtë utopi me pamjen e parajsës dhe forcën vepruese të ferrit në tokë.Ky makth,kjo ëndër e ligë që për pesë decenje me rradhë u porpoq të na denatyronte ekzistencialisht.E pra epopeja e luftërave dhe betejave të zhvilluara nga nacionalistët e trojeve shqiptare të Maqdonisë Shqiptare mund të kumtohet si shpallje lufte ndaj dogmës së arrdhur nga karpatet Ruse.Në luftë do të flitet gjithmonë për fitimtarë e të humbur.Në këtë luftë vëllavrasëse do të përgjakeshin shqiptarët përmes metaforave të dhimbjes,andaj Lavdi këtyre Martirëve të Kombit, gjaku dhe vepra e tyre le të jetë udhërëfyese për brezat e ardhshëm.Le ta përfundoj dhe këte shkrim me fjalët e poetit të madh të kombit shqiptar;
Gjergj FISHTA në vargjet e Lahutës së Masisë për Dëshmorët e Kombit ku i vajton ;
„O, ata t’lumët që dhanë jetën,
O, Ata t’lumët që shkrinë vetën,
Për Atdhe e gjuhë të t’Parëvet,
Për Shqipninë e Shqiptarëvet,
Ata kurrë mos u-harofshin,
N’këngë e n’valle por,u-këndofshin.
Nacionalizmi i ndershëm shqiptar ishte dhe vazhdon të mbetet ende në shënjestër të elementit shqipfolës i xhveshur nga kauza kombëtare për bashkim e prosperim kombëtar.Por edhe Nacionalizmi Shqiptar duke ditur që të kapi kupolat e elitës intelektuale shqiptare do të forcojë pozicionin e saj nën kauzën për një komb e shtet të bashkuar shqiptar,për Shqipërinë e Shqiptarëve.
Bern-Zvicër

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugen Shehu, rezistenca nacionaliste, tradhetite komuniste

REZISTENCA NACIONALISTE NE STRUGE DHE MASAKRA E LLADORISHTIT

November 2, 2012 by dgreca

Shkruan Eugen SHEHU/

Ndonëse në një largësi kohore prej gati shtatë deceniesh (28.tetor.1944), ndonëse midis shumë të vërtetash të mëdha historike që po ndriçohen, ende mbi epopenë nacionaliste të Strugës, në tetor-nëntor 1944 ka vetëm terr. Të mësuar me gënjeshtrat sllavomaqedonase, të indoktrinuar prej sentencës mjerane se “historinë  e bëjnë fitimtarët’’ mjaft prej bashkëkombasve të mij, ende ndihen të ndrojtur, t`u afrohen të vërtetave të mëdha, ngjarjeve  reale, luftrave epokale që zhvilluan burrat nacionalistë të Maqedonisë Shqiptare. Por mendoj se më tepër nga çdo komb ballkanik, ne shqiptarët kemi nevojë të hedhim dritë mbi të vërtetat e mëdha, ne kemi nevojë të ngremë në piedestalin e nderit të kombit, pikërisht ata nacionalistë, atë varg burrash  me nam, që ndonëse e parashihnin fatin e zymtë të vatanit, askurrë nuk u ligështuan përkundrazi luftuan deri në fishekun e fundit e deri në pikën e mbrame të gjakut.

Në kontekst të ngjarjeve në ato vite, e shoh të udhës  të them se edhe përpara tetorit të viti 1944, nga sllavokomunistë maqedonas si edhe forca të caktuara shoviniste bullgare,  ishin bërë disa përpjekje për të nënshtruar banorët e Maqedonisë Shqiptare dhe veçmas, për arsye të pozicionit gjeostrategjik, ata të Strugës dhe Ohrit. Por të gjitha këto përpjekje, ndeshën në qëndrimin burrëror të shqiptarëve të këtyre trevave, të cilët, me pushkën hedhur krahut, u shëndrruan në karakolle të fuqishme qëndrese.

E rëndësishme është të theksohet, se sidomos pas kapitullimit të Italisë,  në vjeshtën e viti 1943, banorët e Maqedonisë Shqiptare, u ndjenë më afër realizimit të ëndrrës së tyre për Shqipërinë Etnike, me ç`rast nuk kursyen as përpjekjet dhe as sakrificat sublime. Një ngjarje me rëndësi në ato ditë, do të ishte dhe thirrja e Kuvendit Kombëtar  të Tiranës ( 15 tetor 1943). Nuk mund të jetë e rastit që përfaqësues në këtë kuvend historik ishin shqiptarë nga të gjitha trevat arbërore dhe gjithashtu nuk mund të ishte e rastit që, Maqedoninë Shqiptare e përfaqësonin aty 12 burra. Fill pas organizimit të mbrojtjes kombëtare shqiptare, mbi këto treva u derdhën reparte të tëra sllavomaqedonase, të armatosur mirë dhe kur ndeshën në revoltën nacionaliste, u larguan nga sytë këmbët.

E shoh të udhës  të sjellë në këtë publikim, një pasazh të vetëm të shkruar me dorën e historianëve, ish-drejtues të Akademive të Shkencave të Shkupit, lidhur sidomos me luftimet, në këto zona,  në dimrin e viti 1943-1944. Ja çfarë ata kanë pranuar zyrtarisht: “Me gjithë trimërinë e jashtzakonshme të treguar, në dhjetor të vitit 1943,  njësitë e UNÇ dhe APJ, u detyruan, përpara numrit të madh gjerman dhe ballistë, të lenë territorin e lirë të Maqedonisë perëndimore dhe të përqëndrohen në rajonin e Kozhuvit’’ ( Historia e popullit maqedonas, Shkup 1983, faqe 332)

Kjo goditje e nacionalistëve të Maqedonisë Shqiptare, kundër nacionalçlirimtarëve sllavomaqedonas, merrte vlera të mëdha, pos aspekteve strategjike-ushtarake dhe morale, kjo për faktin  se në vjeshtën e e viti 1943, kundër forcave nacionaliste të Maqedonisë Shqiptare, ishin hedhur në sulm  të papërmbajtur propogandistikë jo vetëm shovinistët bullgarë e sllavomaqedonas, por edhe vetë nacionalçlirimtarët shqiptarë. Klika komuniste e Tiranës, nëpërmjet krerëve Vukmanoviq Tempo dhe Haxhi Lleshi, duke jetuar me ëndrrat boshe të vllezërisë “së pandashme’’ me popujt sllavë, patën mundur të formonin asaj kohe disa aradha partizane, të cilat, në ndonjë rast u ishin kundërvënë edhe forcave të Mefail Zajazit dhe Xhem Gostivarit.

Të mos harrojmë se në vjeshtën e vitit 1943, shtabi Madhor i Maqedonisë, i cili, merrte udhëzime, porosi e vendime direkt nga Beogradi, pat shpërndarë në mijëra kopje, në krejt trevat e Maqedonisë Shqiptare, të famshmin “Manifest’’ në të cilin i thurreshin hymne fitoreve  “të lavdishme’’ të ushtrisë maqedonase, nën flamurin e Republikës së Krushevës. Sipas këtij Manifesti,  gjithë popujt e Ballkanit, ishin bashkuar në luftë për krijimin e lidhjes vëllazërore federative të popujve të  gadishullit, në sajë të barazisë së plotë nacionale dhe pranimit të së drejtës për vetvendosje të popujve.

Në fund të këtij Manifesti kryekëput ideologjik dhe demagogjik thuhej tekstualisht: “Vëllezër dhe motra shqiptarë!

Okupatori fashist gjerman dhe shërbëtorët e tij, fashistët shqiptaro-mëdhenj dhe hegjemonistët, mundohen që t`ju shtyjnë në luftë vëllavrasëse, dhe luftë fetare. Ata që sot duan të paraqesin çështjen e kufijve të nesërm,  përpiqen që të shkatërrojnë unitetin mes popullit maqedonas dhe atij shqiptar, unitet, i cili, është farkëtuar në luftime të mëdha e të vështira kundër okupatorit.

…Dijeni se ushtritë e bashkuara të të gjithë popujve të Ballkanit sot po luftojnë për t`u krijuar një federatë ballkanike dhe ne, vlen t`i kontribuojmë këtij qëllimi të madh duke e forcuar unitetin tonë, sepse kështu i godasim më fortë armiqtë e këtij uniteti.’’ (“Istrorijski Arhiv Komunistiçke Partije Jugoslavije’’ vëllim VII, faqe 260).

Pikërisht duke u treguar shqiptarëve përralla për vetvendosje dhe familje “të lumtur” ballkanike, sllavomaqedonasit donin t`i ngulnin thikën pas shpine, lëvizje epokale të nacionalizmit shqiptar. Por ata askurrë nuk mundën ta bënin këtë. Betejat e mëdha të zhvilluara në Strugë, në tetor-nëntorin e vitit 1944 dëshmojnë për këtë. Gjaku i derdhur në luftën vëllavrasëse akuzon ende ato monstra të urryera dhe butaforeske të komunizmit famëkeq, i cili  në përpjekjet për denatyrimin e shqiptarëve, shkroi veç faqe turpi e humbjeje.

 

DHELPËRIA DINAKE KOMUNISTE

 

Ç`mund të ishte nga pikpamja strategjike Struga, ajo trevë autoktone shqiptare ? Po të kemi parasysh tetorin e viti 1944, në rrafsh të veprimeve  luftarake të RAIHUT TË TRETË, bindemi lehtas se tërheqja e trupave gjermane nga jugu i Ballkanit drejt Europës Qëndrore ishte i pashmangsgëm. Forcat kryesore të grupimit ushtarak gjerman nën inicialin “E’’, patën nisur në fillim të tetorit 1944, përqëndrimin e tyre në Strugë dhe më pas i drejtoheshin viseve të Evropës nëpërmjet kalimeve të tyre, njëri nga Shqipëria dhe tjetri nga Kosova. Pikërisht në këtë pikë kyçe, duke dashur që më tepër se pikë frontale, nacionalçlirimtarët shqiptarë e maqedonas, të kryenin ndonjë luftim për propagandë, ata filluan përqëndrimin drejt Strugës.

Por nuk ishte vetëm aspekti propagandistik, ai që i shtynte sllavomaqedonasit të rrethonin për të çliruar Strugën. Edhe vetë shtabi ushtarak i Beogradit, e kishte të qartë se forcat gjermane nuk  kishin asnjë arsye të rrinin në Strugë. Madje,logjikisht nëse do të sulmoheshin, ato forca sigurisht do të zgjasnin qëndrimin aty. Kryesorja, për shtabin ushtarak maqedonas, ishte gjakderdhja midis shqiptarëve. Për ta ishte e qartë, se mjaft familje të shquara atdhetare të Strugës e rrethinave, gëzonin respektin e forcave gjermane. Nisur nga qëllimet strategjike të tyre, gjermanët deklaruan që në fillim se nuk kishin kurrëfarë ëndre për pushtimin e Shqipërisë, ndonëse duhet të kalonin andej dhe të dislokoheshin për të ruajtur shpinën nga ndonjë zbarkim i mundshëm angloamerikan në Adriatik. Nuk ka si të spjegohet ndryshe fakti  që në vitet 1943-1944, në mes të Strugës valëvitej flamuri kuqezi arbëror, në shkollat e fshatrave  më të largët mësohej  gjuha shqipe dhe krejt administrata vendore bashkëpunonte thellësisht me shtetin amë.

Shtabi ushtarak i Divizionit 48, maqedonas e kishte fortë të qartë se me flamurin e vet, ai nuk mund të hynte kurrë në Strugë, ndaj duke shfrytëzuar lidhjet ‘’vëllazërore’’ me klikën komuniste të Tiranës, thirri në ndihmë Brigadën e IV-Nacionalçlirimtare, e cila, në përbërje të saj kishte mbi 90 për qind, luftëtarë shqiptarë. Parë në këtë rrafsh, platforma shovene e vëllavrasëse do të funksiononte më së miri, nëse nacionalistët e asaj treve do të mbyllnin sytë përpara kësaj dhelpërie. Vetë kuadro udhëheqës të Brigadës së IV të Maqedonisë shqiptare, kanë pranuar se ata kërkuan takim me krerët e Ballit Kombëtar në Strugë, me ç`rast të bashkonin armët kundër gjermanëve, për çlirimin e Strugës. Por, në këtë takim, nacionalistët struganë, ua bënë të qartë nacionaçlirimtarëve se Struga ishte e çliruar. Pushteti vendor funksiononte normalisht, po ashtu shkollat e gjithçka. Sa për gjermanët, komanda e xhardarmërisë shqiptare ishte marrë vesh që asnjë armë të mos ngrihej kundër njëri-tjetrit, pasi ata brenda 8-9 ditëve do të linin përfundimisht garnizonet e tyre në Strugë. Në të kundërt, nëse mbi trupat gjermane do të hapej zjarr, atëherë vepronin ligjet e luftës.

Por i gjithë ky spjegim, nuk u pëlqeu as Qemal  Agolli as Nafi Sulejmanit,  kuptohet as Lube Marinovskit e Danica Popovskës. Qemal Agolli (ish komisar i Brigadës së IV.Nacionalçlirimtare) nuk kish se si të binte në ujdi me vëllezërit e tij prej gjaku kur shkruante në trakte maqedonisht pas të tjerave: “Sikurse u  prishën teoritë  dhe metodat e Gestapos, ashtu si u bënë hi e pluhur edhe fjalët helmuese të ballistëve, dhe tradhëtarëve të popullit maqedonas. Ata janë kriminelët e luftës popullore që thoshin se nuk ka ardhur koh për luftë… Ata thoshin se lëvizja nacional çlirimtare është pluhur përpara syve, se me atë lëvizje udhëheqin komunistët- shovinistë nën maskën e pansllavizmit.” (Gazeta “Naroden Vojnik’’ qershor 1944)

Pra ishte mëse e qartë se flamuri kuqezi, në krye të Brigadës IV-të Maqedonisë Shqiptare, nuk shkonte për t`u valëvitur në Stugë, pse aty në bashki,  xhandarmëri e shkolla veç flamuri ynë kombëtar valonte, por shkonte aty i mbajtur në duar mjeranësh, që të shkaktonin gjakderdhje vëllezërish, për  të ngritur më tej, në Strugën arbërore, flamurin maqedonas. Çelte në këtë mënyrë siparin, tragjedia e madhe kur shqiptarët duhet të vriteshin mes vetes për idetë bolshevike, duke iu larguar kontinuitetit shpirtëror të tyre. Kjo luftë tek e mbramja, ishte shprehje e drejtpërdrejtë e  vendimeve të marra në manastirin e Prohos Pçinjskit,  në mbledhjen e parë të ASNOM-it, ku pos të tjerave u  aprovua vendimi për ngritjen e gjyqit për kundërvajtje ndaj nderit kombëtar maqedonas.

Në 16 tetor 1944, natën duke dashur të rrethojnë nacionalistët e fshatit Kalishtë (Strugë), forcat nacionalçlirimtare të Brigadës së IV të Maqedonisë shqiptare, hasin në rezistencë të fuqishme. Luftimet vazhdojnë për tri orë rresht dhe ndonëse të dy palët e njihnin terrenin, ishin nacionalçlirimtarët që u tërhoqën duke dashur t`u tregonin gjermanëve se ish vetëm një mosmarrëveshje, midis shqiptarëve dhe asgjë tjetër. Në agun e datës 17, batalioni që sulmoi Kalishtën, ishte zmbrapsur kryesisht në pozicionet e veta.

Po në këtë ditë, nacionalçlirimtarët shqiptarë, mësyjnë drejt “bandave” balliste të Llabunishtit, të udhëhequra prej atdhetarit të shquar, Murat Llabunishti dhe bashkëpunëtorëve të tij. Burrat e Llalbunishtit, ndonëse të paarmatosur siç duhej, iu bënë ballë sulmeve të njëpasnjëshëm të nacionalçlirimtarëve shqiptarë. E vërteta është se shtabi i Brigadës së IV-, i kishte bashkërenduar detyrat e veta luftarake me Divizionin e 48 maqedonas, por ushtarët sllavomaqedonas as që nuk u afroheshin fshatrave të Strugës. Ata mjaftoheshin me dërgimin e armatimit, minicionit si dhe ndihmave të tjera të logjistikës.

Veleshta do të ishte një tjetër drejtim i mësymjes së nacionalçlirimtarëve. Edhe në këtë rast, aty u dërgua një batalion i Brigadës 20 sulmuese shqiptare, e cila, bashkërendonte veprimet  me Brigadën e Parë Maqedonase. Ndonëse nacionalçlirimtarët, kishin filluar të godisnin me murtaja, shtëpitë e ballistëve, kundër tyre u ngritën në këmbë, i gjithë fshati, i cili me armë në dorë po e shëndrronte çdo shtëpi në një kështjellë. Dikush nga shqiptarët e këtij fshati, ngriti në dritare të shtëpisë së tij dykatëshe flamurin kuqezi, duke menduar  se ata që sulmonin, nëse ishin shqiptarë, do të tërhiqeshin. Po lufta sa vinte dhe ashpërsohej ndaj gjëmimi rritej. Duke dashur të merrnin pa tjetër Veleshtën, nacionalçlirimtarët shqiptarë dërguan përforcime të reja. Por më pas, u muar vesh se po shkonte drejt fshatit nacionalisti tjetër i shquar Faik Dobovjani me rreth 80 trima, ndaj shtabi sllavomaqedonas urdhëroi pushimin e luftës, ngase në rast të thyerjes së Brigadës 20 sulmuese, duhet të fuste në luftim Brigadën e Parë Maqedonase.

Lidhur me rreptësinë e kësaj beteje, në shtabin luftarak të klikës komuniste të Tiranës do të shkonin disa informacione. Në njërin prej   tyre, pas të tjerave  do të shkruhej teksualisht: “Lufta jonë në këto vise sa vjen e  bëhet më e vështirë. Ballistët deri dje na i kishin paraqitur si hakmarrës e gjakatarë, po në fakt ne po i bijem në qafë. Ata nëpër shtëpi kanë flamurin e tyre dhe ne kurrfarë bashkëpunimi të tyre me gjermanët nuk po shohim… Kur shohim të na vritet ndonjë shok, zemra na pikon gjak nga dhimbja”. (Arkivi Qëndror i Ushtrisë-Tiranë. Fondi Brigada 20 sulmuese. K.4, dosja 11).

 

REZISTENCA NACIONALISTE

 

Më 18 tetor 1944, shtabi ushtarak maqedon dha urdhër për kinse çlirimin e Strugës nga gjermanët, edhe kësaj radhe ishin nacionalçlirimtarët shqiptarë që u vërsulën për të marrë qytetin. Por vetëm pas disa orësh luftimesh, ata u tërhoqën duke lënë pas disa dhjetra të vrarë, të pafajshëm. Pas këtij sulmi, ka qenë nacionalisti Shevki Leni, komandant i xhandarmërisë së Strugës, i cili, ka marrë kontakte me krerë të nacionalçlirimtarëve maqedonas e shqiptarë, duke iu spjeguar atyre, mbi qëndrimin vetëm disa ditor të forcave gjermane në qytet. Pikërisht për këtë, për të mos derdhur gjakun e pafajshëm, krejt në mënyrë absurde, për të mos rrënuar shtëpitë dhe shkollat, ky nacionalist premtoi se me largimin e gjermanëve do të ishte i gatshëm të linte atë detyrë. Por edhe kësaj radhe bolshevikët maqedonas e shqiptarë, këta nxënës të zellshëm të gjeneralismit Tito, nuk pranuan. Ç`prej atij momenti, Shevki Leni  u kthye në qytet dhe u spjegoi burrave nacionalistë të Strugës, se qëllimi kryesor i sllavomaqedonasve ishte vëllavrasja dhe jo aksionet kundër gjermanëve.

Më 25 tetor 1944, Brigada IV- e Maqedonisë shqiptare, duke marrë urdhër direkt nga komanda maqedonase e Divizionit 48, nisi të marrshonte në drejtim të fshatit Ladorisht. Ende pa rënë muzgu, aradhat nacionalçlirimtare, u ndalën në një pyll të vogël, në të hyrë të Ladurishtës, prej nacionalistëve të armatosur të këtij fshati. Jo më kot, komanda maqedonase pat zgjedhur për kurban Ladorishtin. Ky fshat banohej njëqind për qind prej shqiptarëve, të cilët, patën rrëfyer me vepra se nuk mund të duronin mbi krye zgjedhën sllavomaqedonase. Sipas dokumenteve, që gjenden në arkivin qëndror të Ushtrisë, në Tiranë, komanda e Brigadës së IV, ka kërkuar të zërë, pozicione në Ladorisht, për të sulmuar prej andej, autokolonat gjermane në tërheqje e sipër. Nacionalistët e Ladorishtit, midis të cilëve trimat: Mefail Dauti, Ajdin Hoxha, Bajram Ismaili, Hajdar Kolonja etj,  u këshilluan me nacionalçlirimtarët që pritat kundër gjermanëve, mund të bëheshin larg qendrave të banuara, përpara madje se ata të hynin në Manastir dhe jo këtu ku pasojat mund  ishin të mëdha.

Por ende pa mbaruar mirë biseda, komisari i batalionit tretë të Brigadës së IV, të Maqedonisë shqiptare, Lube Martinovski,  duke fyer e sharë më fjalët më të ndyra burrat e Ladorishtit, se kinse janë agjentë të Xhem Gostivarit, ka urdhëruar hapjen e zjarrit. Duke përfituar nga errësira që pat rënë dhe pylli i dendur, nacionalistët e Ladorishtit, mundën të pengojnë për disa orë përparimin e nacionalçlirimtarëve në drejtim të fshatit.  me të dëgjuar pushkë, radhët e nacionalistëve u shtuan dhe në agun e 26 tetorit u zhvilluan luftime të rrepta.

Sidoqoftë, një grusht burrash trima, nuk mund të përballonin dy batalione nacionalçlirimtarësh të armatosur më së miri. Për më tej, udhëzimet e Ballit Kombëtar për Maqedoninë Shqiptare, në ato momente, ishin për të shmangur sa më shumë të jetë e mundur luftën vëllavrasëse. Kësisoj ata preferuan tërheqjen duke përcjellë edhe dhimbjen për luftëtarë të nacionalizmit që i shtrin përdhe dora vrastare e vëllaut prej një gjaku. Por edhe prej nacionalçlirimtarëve pati humbje. Në informacionin që komanda e Brigadës dërgonte disa ditë më vonë, pos të tjerave shkruhej: “Përsëri luftime të rrepta në Ladorisht, por këtë radhë kundër forcave balliste. Të ftohtit, terreni i panjohur, bënë  që një kompani të shpërndahej, krejt. Prej saj 7 shokë u vranë ndërsa janë plagosur 5 të tjerë”. (Arkivi Qëndror i Ushtrisë-Tiranë. Fondi Brigada  20 sulmuese. K. 4 dosja 11)

Dy ditë më vonë prej pozicioneve pothuajse brenda fshatit Ladorisht, njësitë luftarake nacionalçlirimtare ndërmuarën një sulm të fuqishëm kundër një autokolone gjermane që vinte nga Greqia, duke dashur të hyjë në Shqipëri. Komanda gjermane e Strugës, me të dgjuar të shtënat  e para, dha urdhër të ndalej autokolona, duke thirrur menjëherë Shevki Lenin të ndërmjetësonte për këtë luftim që mund të shmangej. Por ende pa mbërritur ky i fundit në Ladorisht, luftimet kishin hyrë në fazën më kritike. Atëherë në ndihmë të autokolonës mbërritën forca të reja nga garnizoni gjerman në Strugë, duke i fryrë akoma më tej zjarrit të ndezur. Në mbrëmjen e 27 tetorit, kolona gjermane u vu sërish në lëvizje, ndërsa nacionalçlirimtarët, ngarendnin të mblidheshin e të numëronin të vrarët dhe të plagosurit shqiptarë, nën urdhërat e sllavomaqedonasve.

 

MASAKRA E LLADORISHTIT

 

Të nesërmen, më 28 tetor 1944 komanda gjermane e Strugës, duke iu përmbajtur kushteve të vendosura më parë ndërmorri një operacion spastrimi ndaj popullsisë së pafajshme të Ladorishtit. Dhjetra shtëpi u dogjën dhe mbi 100 banorë të Ladorishtit u pushkatuan. Ende sot në Ladorisht ka një lapidar, mbi këtë barbarizëm hitlerian. Por ende sot në asnjë faqe (prej miliona faqeve manipulatore të historisë sonë) nuk thuhet se kush kanë qenë shkaktarët e vërtetë të masakrës. Duke u ndriçuar këto ngjarje, mendoj se ndriçohen më mirë parrullat demagogjike për kinse vëllazërimin shqiptaro-sllavomaqedonas.Masakra e Ladorishtit, u shërben të gjithë shqiptarëve, të cilët të ndarë në dy barrikada ideologjike po derdhnin gjakun e pafajshëm të njëri-tjetrit. Por nëse nacionalistët ( të urdhëhequr prej Murat Llabunishtit, Faik Dobovjanit, Nazim Tateshit etj) i ulën përnjimend  pushkët ndaj vëllezërve të tyre, nacionalçlirimtarët shqiptarë, vazhduan masakrën deri në likuidimin e nacionalistit të mbramë të Maqedonisë Shqiptare. Edhe ky disponim shpirtëror është lënë në harresë prej historiografisë sonë.  Por harresa  të tilla mund të rëndojnë së tepërmi në ndërgjegjen e kombit.

Mbas ngjarjes së dhimbshme të Ladorishtit, lëvizja nacionaliste në këtë trevë, u ndje më e sigurtë në qytetin e Strugës, ku me largimin përfundimtar të gjermanëve, çështja shqiptare virej përballë dilemave të mëdha dhe privacioneve të rrezikshme. Më 18 nëndor 1944, atëherë kur reparti i fundit gjerman po linte Strugën duke kapërcyer në kufirin politik shqiptar, nacionalçlirimtarët nuk munguan të bëjn “sulmin” përfundimtar mbi armikun. Ky “sulm”, në të cilin merrnin pjesë mbi 2000 nacionalçlirimtarë, nuk mund të kalonte pa retorikat bombastike, propagandistike të shtabit  ushtarak sllavomaqedonas, për kinse shpirt të paepur të luftëtarëve maqedonas.

Por nacionalçlirimtarët shqiptarë dhe popullsia e gënjyer pas  ëndrrave komuniste, e provuan trishtimin e madh që në ditën  e parë të festës në Strugë. Në sheshin, në mes të qytetit, komanda e divizionit 48 maqedonas, hoqi flamurin shqiptarë dhe vuri atë sllavomaqedonas. Historishkruesit tipik komunist, edhe në ditët e sotme nuk ndahen dot prej naivitetit gjenetik. Kështu, në një prej botimeve të fundit për Brigadën e IV-të Maqedonisë shqiptare, lidhur me flamurin kuqezi thuhet: “Struga u çlirua vetëm nga Br4Sh dhe populli i saj i priti partizanët me entuziazëm dhe brohoritje të mëdha. Por krerët e shovinizmit probullgar, qysh në ditët e para të çlirimit, nxorrën krye. Ata filluan të mos respektonin mbajtjen e dy flamujve ( shqiptarë dhe maqedonas) duke iu kundërvënë urdhërit të shtabit” “(V.Kasapi, H.Çipuri “Çlirimtarët shqiptarë nga Dibra në Zagreb”. Tiranë 1995, faqe 84)

Duke folur për kinse dhjetra beteja “të lavdishme” të nacionalçlirimtarëve shqiptarë, këta kalemxhinj dhe aradha e gjatë mjerane e tyre, nuk përmend faktin kokëfortë sa  pak ushtarë apo oficerë gjermanë u vranë. Ata druhen t`u afrohen të vërtetave të mëdha, të arkivave, apo memories së kombit të tyre. Ata nuk përmendin dhe e keqja është se duhet t`i  çojnë drejt harrimit të përjetshëm ato qindra e mijra jetë njerëzore, të cilat u flijuan vetëm e vetëm nga shitja e klikës komuniste të Tiranës, tek armiku shekullor i shqiptarëve. Dhe paradoksi qëndron pas të tjerave në faktin se ndërsa këto jetë njerëzish kërkonin ndihmë prej krimit makabër, nacionalçlirimtarët shqiptarë ëndërronin parajsën e bashkësisë së sllavëve të jugut nën kujdesin “atëror” të baba Stalinit.

Në këtë konteks, mendoj se bën përjashtim, libri i botuar nga G.Ostreni. Lidhur me ngjarjet që analizuam më lart, ai ka dalë në konkluzion : “Pas 12 ditë luftimesh, Brigada Katër Shqiptare, më 8 nëndor 19944 e mori Strugën, duke lënë 35 të vrarë dhe afër 60 të plagosur e të zënë robër. Pra, vazhdoi vrasja dhe plagosja e shumë shqiptarëve mes vete” (G.Ostreni “Shpresa dhe zhgënjimi i shqiptarëve në Maqedoni, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore”, Prishtinë 2000, faqe 180)

Për vetë kohën dhe vendin në të cilën u lind dhe u zhvillua lëvizja nacionaliste në Strugë e rrethina, pati rëndësi tejet të madhe, në rrafsh të krejt lëvizjes nacionaliste shqiptare. Kjo lëvizje,  në të gjithë aspektin e saj, kundërshtoi në thelb pikërisht metodat sllave të luftës nacionalçlirimtare, të cilat nuk synonin luftën frontale me okupatorin, por goditjen e këtij prej qëndrave të banuara (përgjithësisht fshatrave me qind për qind shqiptarë) për të parë paskësaj raprezaljet e okupatorit ndaj banorëve të pafajshëm. Për më tej, lëvizja nacionaliste e struganëve, kundër njësive të armatosura sllavomaqedonase, mund të themi se parandaloi deri në një farë mase luftën vëllavrasëse.

Është e kuptueshme se një ndër objektivat e Beogradit të asaj periudhe, ka qenë që shqiptarët të luftonin kundër njëri-tjetrit, ngase vetëm kështu mund të arrihej lehtë kolonizimi i tyre. E shoh të udhës, të sjellë në këto rreshta, kujtimet e një ish luftëtarri shqiptar të Brigadës së Katërt Shqiptare, i cili,  shkruan teksualisht: “Katër ditë mbas lirimit të Strugës, brigada asht radhue në formacion luftarak, në oborrin e kazermave. të gjithë presim. Dikush përshpëriste se kemi “Pokret”. Këtë fjalë e përdorin shpesh partizanët. E kanë përdorë prej ditës së parë që filloi lufta. Në shqip thuhet “Lëvizje” domethanë: mbath opingat! “Pokret” e mirë, edhe ky duhet. Të gjithë në heshtje përgatitemi dhe presim urdhër. Po atë ditë u nisëm në drejtim të verilindjes. Atje ku asht Xhema dhe Mefaili që ende sulmojnë. Flamuri i pushtetit popullor duhet të valojë edhe atje.” (Gazeta “Flaka e vllazrimit” Nga jeta e Brigadës së Katërt Shqiptare, 7 maj 1945)

Komentet pas kësaj më duken të tepërta.Struga u pushtua nga sllavokomunistët me ndihmën e komunistëve nga shteti amë,dhe ajo tashmë iu nënshtrua kolonializimit sllavomaqedonas,dhe kalvarit të mënxyrshëm komunist për shtatë decenie me rradhë deri në ditët e sodit.Masakra e Lladorishtit le të na shërbejë ti kuptojmë më mire lojërat e dinakëritë sllavomaqedonase kundrejt shqiptarëve.

Bern-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: Eugen Shehu, rezistenca nacionaliste

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT