Nga Petro Luarasi/
Duaj më shumë Shqipërinë/
Koha, gjykatësi më i mirë, provon se thirrja e rilindasve ‘’Duaj më shumë Shqipërinë‘’ishte dhe mbetet e drejtë, përbashkuese dhe tepër aktuale. Ajo nënkupton dashuri, përgjegjshmëri, sakrificë atdhetare, respektimin e interesit kolektiv nga cilido njeri i ndërgjegjshëm, pavarësisht përkatësisë fetare, krahinore, politike, niveli arsimor e pasuror. Rilindasit dhe atdhetarët e tjerë pasues mbi të gjitha janë humanë, e duan dhe sakrifikojnë për popullin e tyre duke patur ide të qarta mbi raportet: interes personal, familjar, shoqërore e politik, interesin parësor kombëtar kundrejt atij ndërkombëtar.
Atdhetarët për të realizuar idealin e tyre formojnë grupime e lëvizje komunitetesh të ndërgjegjësuara, të cilat iu kundërvihen interesave ekstreme individësh, klanesh dhe partish që me demagogji dhe dhunë synojnë të diktojnë, zhvasin e shkatërrojnë vendin.
Në çerek shekulli përpjekjesh për të realizuar sistemin demokratik në Shqipëri, populli është përballur me individë, klane e parti që kanë mashtruar, grabitur dhe shkatërruar vendin në mënyrë të hatashme, duke ia shterur burimet natyrore dhe zhytur në borxhe të mëdha me pak efektivitet zhvillimi për të ardhmen.
Krahas skamjes ekonomike dhe polarizimit të tejskajshëm , mbi të gjitha është shtuar rreziku ndaj shëndetit dhe ekzistencës së njeriut duke shkatërruar barbarisht pyjet me florën-faunën e biodiversitetin përkatës (kujtoni vetëm pyjet e Lurës me 7 liqenet e saj) burimet ujore dhe strukturën tokësore (me erozionin dhe tërmetet nga shfrytëzimi barbar i zhavorrit të lumenjve, naftës).
Katastrofa është më e dukshme në shkatërrimin e mjedisit urban, çorganizimin e organizuar në grabitjen e pronës private e publike dhe ndërtimin pa asnjë kriter të ndërtesave e rrugëve.
Si mund të lejohet në një vend evropian, që financohet dhe ka lidhje të shumëfishta me organizma ndërkombëtare sabotimi afatgjatë i planit rregullues të një kryeqyteti apo qyteti, fshati ku duhet të përcaktohen saktë: parcelat e ndërtimit, rrugët, rrjeti rrugor, hidrik, elektrik, etj , dhe pastaj të bëhen ndërtimet me kriteret përkatëse. Mbi të gjitha, duhej të zbatohet parimi : Kush dëmton, dëmshpërblen” dhe të dënoheshin menjëherë penalisht e me kundërvlerë financiare personat dhe klanet përgjegjëse pasi provat janë tepër të dukshme. Vetëm kështu mund të ndalet keqpërdorimi i Shqipërisë si ‘’tokë e djegur, e nxjerrë për shitje e shfrytëzim nga padronë me banim të përkohshëm’’.
Parku i Tiranës dhe përgjegjësitë/
Projekti mbi ‘’Lodrat e fëmijëve’’ tek Parku i liqenit artificial të Tiranës është kthyer tashmë në një shqetësim dhe shkak për përplasje institucionale dhe shoqërore. Përfaqësuesit e shoqërisë civile, të disa organizatave mjedisore, shoqërore, politike dhe disa partive në Këshillin Bashkiak të Tiranës kanë protestuar në mënyrë publike dhe institucionale, madje kanë dërguar padi penale e civile për shkeljet përkatëse tok me kërkesën për pezullimin e punimeve deri sa të zgjidhet konflikti në rrugë ligjore. Ndërkohë me urgjencë po kryhen punimet për transformimin dhe betonizimin e mjedisit në parcelën përkatëse të parkut të Tiranës, veprim që ka shkaktuar zemërim, përpjekje për ndalimin me forcë dhe përplasje fizike me forcat e e policisë bashkiake dhe të ruajtjes së rendit, të cilat në disa raste i kanë tejkaluar kopetencat ligjore duke keqtrajtuar protestues paqësorë, u kanë marrë objekte personale (çadra, veshje, batanije) të vendosura në ambjente të lira publike ku çdo njeri ka të drejtë të qëndrojë e çlodhet në mënyrë paqësore. Akoma më shqetësuese janë aktet kriminale të keqtrajtimit të femrave me grushta e madje shqelma në bark e ije (rasti i zz.Mimoza Boçarit dhe Rezarta Çaushaj) Dimë me dhjetra raste kur çadra janë lejuar të vendosur në ambjente të rëndësisë së veçantë, edhe pse kanë penguar transportin e qytetarët, kanë dëmtuar imazhin e vendit, por nuk kanë ndodhur akte të tilla ekstreme, nga forca të ndryshme politike. Si një nga qytetarët e përgjegjshëm që e duam dhe përpiqemi ta mbrojmë Shqipërinë, popullin, mjedisin, ligjin dhe dinjitetin e çdo njeriu, bëj thirrje:
1. Institucionet përkatëse të analizojnë e pranojne pezullimin e punimeve dhe padinë e shoqerisë civile dhe të zbatojnë sa më shpejt detyrimin e tyre për të gjykuar ndërtimin dhe betonizimin e parkut të Tiranës
2. Përfaqësuesit në këshillin Bashkiak dhe të shoqërisë civile të lejohen të shprehin në mënyrë demokratike të drejtat e tyre, pa pengesa, presione e kërcënime.
3. Mediat të jenë më të përgjegjshme për rrezikun që i kërcënohet interesit publik, të drejtave, lirive dhe dinjitetit të qytetarit kundrejt klientelizmit, interesave personale, klanore, partiake e oligarkëve.
4. Populli të bashkohet më tepër rreth komuniteteve të ndërgjegjësuara, për të bërë peticione e referendum, që janë shprehja më e gjerë dhe thelbësore e vlerave të sistemit demokratik, vlerësimit popullor dhe test për individët, grupimet, çështjet dhe vendimmarjen në interes shtetëror e kombëtar. Vullneti i popullit Sovran duht të jetë i patjetërsueshëm .
Bëj thirrje si qytetar dhe pasardhës i një prej familjeve atdhetare shqiptare që historikisht kanë sakrifikuar pasuri dhe jetë për interesat kombëtare dhe mirëqenien e gjithanshme të popullit, edhe mbarë kombit shqiptar, për rrëzimin e diktaturës, fitoren dhe zbatimin e parimeve demokratike, madje edhe të idealeve të së majtës shqiptare, për mirëkuptim e tolerancë reciproke në zgjidhjen e drejtë, ligjore dhe morale të problemit duke ndërprerë përkohësisht punimet si një akt i arsyeshëm që parandalon përshkallëzime me pasoja të mëdha.
Partitë e koalicionit në pushtet dhe veçanërisht Partia socialiste, e cila drejton edhe Bashkine e Tiranës-kryeqytet dhe ka marrë besimin e popullit si forcë kryesore udhëheqëse politike rilindase duke u zotuar të zbatojë mendësinë dhe idealet atdhetare, ka përgjegjësi që përfaqësuesit e saj kudo ku veprojnë e drejtojnë të kenë parasysh, të kuptojnë brendinë dhe të zbatojnë pa mëdyshje kushtrimin rilindas : ‘’Duaj më shumë Shqipërinë!’’