U bë rivarrimi i Heroit Zahir Pajaziti dhe u mbajt Akademi Përkujtimore në 20- vjetorin e rënies së Heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha/
Prishtinë, 31 janar 2017/Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, u organizua ceremonia e rivarrimit të Heroit Kombëtar Zahir Pajaziti dhe u mbajt Akademia Përkujtimore, me rastin e 20-vjetorit të rënies së Heronjve të Kombit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.
Rivarrimi i Heroit Kombëtar Zahir Pajaziti u bë në Kompleksin Memorial në Turuqicë të Podujevës, në prani të përfaqësuesve të institucioneve të Republikës së Kosovës, ministra, zëvendësministra, deputetë, komandanti i FSK-së, familjarë të familjeve Pajaziti, Zejnullahu e Hoxha, familjarë të dëshmorëve, bashkëluftëtarë të Zahirit, Edmondit e Hakifit, si dhe përfaqësues të tjerë.Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, para të pranishmëve, në ceremoninë e rivarrimit të Heroit Zahir Pajaziti, foli ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli.Ministri Demolli, tha se rënia e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, në janarin e vitit 1997, ia shtoi listës së “janarëve të përgjakshëm” të historisë tonë kombëtare edhe tre dëshmorë të devotshëm, të cilët njëherësh u bënë paralajmërues të luftës së lavdishme çlirimtare të UÇK-së, epilogu i të cilës ishte çlirimi përfundimtar i Kosovës nga okupimi serb.
“Andaj, me plotë të drejtë, ne vlerësojmë se gjaku i këtyre tre trimave dhe heronjve të pavdekshëm u derdh dhe njomi themelet e pavarësisë së shtetit tonë dhe të lirisë të cilën ne jemi duke e gëzuar sot”, tha ministri Demolli.
Duke folur për luftën e lavdishme të Zahirit, ministri Demolli tha se Zahiri me shokë u vranë, duke rënë në kurthën e okupatorit serbo-sllav, në një ditë të zymtë të janarit të acartë të vitit 1997, në një periudhë të rëndë të pushtimit të egër të pushtuesit serb, por që njëherësh ishte periudhë e përgatitjes së patriotëve dhe atdhedashësve kosovarë, në krye me Komandantin legjendar Adem Jasharin, për të filluar luftën e armatosur ndaj pushtuesit shekullor të Kosovës, duke vlerësuar se liria ishte më e shtrenjtë se jeta, andaj duhej luftuar dhe mposhtur okupatori serb njëherë e përgjithmonë.
“Përmbushja e detyrave të luftës me përgjegjësinë më të lartë, puna e palodhshme, gatishmëria për sakrificë, si dhe rënia e tyre e hershme, në kohën kur frontit të luftës i nevojiteshin më së shumti, sikurse Zahiri, Hakifi ashtu edhe Edmondi, i bënë ata që të radhiten përkrah bashkëluftëtarëve dhe heronjve të orëve të para të lirisë, siç janë Adem Jashari, Adrian Krasniqi, Luan Haradinaj, Sali Çekaj, e shumë e shumë trima të tjerë të kombit tonë”, tha ministri Demolli, duke theksuar se gjaku i dëshmorëve të kombit dhe lufta e drejtë çlirimtare, pastaj vrasja, torturimi, masakrimi i popullatës civile nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe, trokitën në ndërgjegjen e botës së civilizuar, e cila e krijoi frontin e përbashkët me aleancën më të madhe ushtarake në botë, me NATO-në, të udhëhequr nga SHBA-të dhe shtetet tjera demokratike të botës, i cili front përfundimisht solli lirinë e Kosovës.
Më tej, ministri Demolli tha se çlirimi i Kosovës e bëri realitet ëndrrën e të gjithë dëshmorëve tonë, e bëri realitet ëndrrën, mundin dhe gjakun e të gjithë heronjve, luftëtarëve, veprimtarëve dhe martirëve të lirisë, i bëri realitet aspiratat dhe dëshirat e shumë brezave të popullit tonë, e bëri realitet projektin e arkitektit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, presidentit Historik Ibrahim Rugova.
Ai tha se ndërtimi i Kompleksit Memorial, me kullën e ngritur, e bënë kujtimin për Zahirin dhe bashkëluftëtarët e tij, jo vetëm historik dhe emocional, por tash e tutje edhe historiko- monumental.
“Ky kompleks që nga dita e sotme, po pasurohet edhe më shumë, sepse po kompletohet edhe me trupin e Heroit Zahir Pajaziti, rivarrimi i të cilit po bëhet në hapësirën e Kompleksit, i cili do t’iu mundësojë vizitorëve që krahas vizitave, të mund të shfaqin edhe nderimin dhe respektin e merituar, para varrit të heroit tonë”, tha ministri Demolli, duke theksuar se sakrifica dhe rënia heroike e Zahirit me shokë, dhe të gjithë heronjve të tjerë të kombit, për të gjithë ne paraqet një obligim, që të punojmë me nderë e përkushtim në krijimin dhe ndërtimin e shtetit tonë, i cili do të angazhohet dhe përkujdeset për ngritjen e mirëqenies së familjeve të dëshmorëve, veteranëve të luftës dhe të gjithë qytetarëve tonë.
“Shtet i cili në vazhdën e angazhimit për konsolidimin e organeve të veta më vitale shtetërore, do të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore dhe kushtetuese për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës (FAK). Shtet i cili do të përmbush kriteret dhe standardet për tu anëtarësuar dhe integruar si në Unionin Evropian ashtu edhe në Aleancën Veri Atlantike të NATO-s, si dhe organizmat tjerë relevantë ndërkombëtar. Pikërisht ndërtimi i shtetit të tillë të Kosovës, si një shtet i lirë i pavarur dhe demokratik, do të paraqet plotësimin më të mirë të amanetit të Zahirit me shokë, si dhe të gjithë, heronjve, dëshmorëve dhe veprimtarëve që sakrifikuan dhe kontribuuan për liri”, tha ministri i MFSK-së, Haki Demolli.
Ndërkaq, në orët e pasdites, me rastin e 20-vjetorit të rënies së Heronjve të Kombit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, u mbajt Akademia Përkujtimor, në të cilën po ashtu morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, kryetar të komunave, familjarë të dëshmorëve dhe shumë personalitete të tjera.
Duke folur në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, tha se 31 janari i vitit 1997 është dita kur tre heronj, tre burra të mëdhenj të Kosovës, Zahir Pajaziti, njëri ndër themeluesit kryesor të UÇK-së dhe dy bashkëluftëtarë të tij të ngushtë, Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahu, bënë atë që është sakrifica më sublime, dhanë jetën për lirinë e vendit.
“Puna e tyre e pakursyer dhe e gjatë për liri dhe pavarësi është shembulli më unikal dhe i veçantë i vendosmërisë së popullit të Kosovës për të qenë i lirë dhe sovran. Sot 20 vjet pas, jemi mbledhur sërish në një 31 janar tjetër, të përkujtojmë me pietet të madh këta heronj që ranë në altarin e lirisë, tre emra të mëdhenj të historisë së Kosovës”, tha ministri Hyseni, duke theksuar se jeta, veprimtaria dhe flijimi i këtyre tre burrave është dëshmi e veçantë, shumë e fuqishme e dashurisë për atdheun dhe e përkushtimit të popullit të Kosovës për të qenë i lirë.
Më tej, ministri Hyseni tha se flijimi i tyre, sikundër e gjitha lufta sublime e popullit të Kosovës është flijim i pastër, ashtu siç ishte lufta e Kosovës për pavarësi, e mëvetësi, sovranitet e demokraci.
“Ideali për të cilin dhanë jetën këta heronj u kurorëzua përfundimisht më 17 shkurt 2008 me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës”, tha ministri Hyseni.