• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RRËSHQITJE E ËMBËL NË FAQET E ROMANIT “VAJZA E KYÇUR”

November 4, 2013 by dgreca

Nga Vjollca PASKU/

 Udhëtoj duke rrëshqitur nëpër fletët e romanit “VAJZA E KYÇUR” të shkrimtarit Vullnet Mato. Retinat e syve të mi ndërrojnë ngjyrë sipas refleksit të ngjarjeve, me të gjitha nuancat e spektrit të dritave qiellore.Një adoleshent që rritet në varfëri të plotë për shkak të biografisë, ecën nëpër duhmat e stinëve, duke kërkuar pak dashuri në jetën e tij, pak njerëzi nga yjet e kuq përvëlues të sistemit monist. Një ëndërr e parë nga babai tij sikur fluturonte me kalë të bardhë hapësirave te Greqisë, u bë shkak i burgosjes së tij për vite me radhë. Kjo ëndërr e gjumit dogji të gjitha ëndrrat reale të familjes së tij që u dënua me mizerjen e varfërisë. Për të lehtësuar disi varfërinë, personazhi kryesor, Veno nga Saranda shkon në stabilimentin e sharrës në Hotolisht, ku punon si operator kinemaje dhe elektriçist njëkohësisht. Dy punë për një pagë të ftohtë. Diell ngjyrë vjollce ishte dhe për të gjithë të përndjekurit e tjerë politikë, zhytur në errësirën e vetmisë,përgjuar nga veshët spiunë. Pikërisht në kushte të tilla, një agim i papritur,grisi errësirën dhe zbardhi magjinë e orakullit të qiellit. Një kambanë me tonalitete dashurie, rrahu  tinguj emocionesh. Një shtat i brishtë, me një fytyrë lakore të butë, me buzëqeshjen e zambakut të bardhë lindur nga dy sytë liqenorë,ndezën fenerët e kuq të ndjenjave. Karta e dashurisë, vijëzuar në të gjitha fletërudhosjet e trurit të saj, kishte vetëm një emër Klea. Autori e përshkruan atë: e mprehtë, ironike, e përmbajtur, e rreptë, tunduese, gjithë kripë, gjithë sheqer, gjithë uthull, gjithë mjaltë teksa nëpër retë e qiellit të saj,cicëronin harabelat gëzueshëm. Në ditët e bardha të këtyre ndjenjave rinore, së pari në stabilimentin e sharrës së Hotolishtit, e më pas në atë të Stravajt, ku transferohet, harqet e degëve të pyllit formonin zemrën dhe era e gjetheve luante ritualin e dashurisë. Një mbështetje e dorës së tij, mbi dorën e saj të butë, ishte njësoj si zënia e një fluture. Një puthje e rrëmbyer, ishte një kristal çasti, që ndriti në rrjedhën pasionante të ajrit. Autori shprehet: “Sa herë mendoja për të, më dukej sikur në kokë më tingëllonin zile të argjenda dhe më drithëronin tela të ëmbël kitarash. Kjo ndjenjë e fortë lulëzonte pranverë.”Këtë dritë pranvere, u munduan ta shuajnë prindërit e vajzës me dy duhmat më të acarta të dimrit. E para feja dhe e dyta, qenia e tij i deklasuar. Por a mund të thahet pranvera e lindur mes dy shpirtrave, vetëm nga dy duhma të acarta dimri. Ligji i pranverës është lulëzimi. Tashmë fati ishte i shkruar. Edhe për Klean, vetëm një emër mbante esencën e dëlirësisë së dashurisë,”Veno” E gjithë kjo dashuri kalon nëpër linjën e provës mes dy të dashuruarve. Egërsia dhe keqtrajtimi që i bëjnë prindërit Kleas, nuk ndryshuan destinacionin e dashurisësë saj. Dhe ja një fragment nga një dialog fantastik, ku autori shpalos ndjesitë e holla mes dy te rinjve: “Pas pak, nga ahu aty pranë, ku midis gjetheve dukeshin dy çerdhe zogjsh familjarë, ra një zog sqepverdhë me krahët gjysmëlakuriq. Ai cicërinte vajtueshëm dhe unë shkova e mora në dorë. Klea kureshtare erdhi në çast dhe u ul përballë meje, me gjunjët bashkuar fort pas njëri-tjetrit. U përkul mbi zogun aq pranë, sa ndjeva frymëmarrjen e saj të vakët. Dhe të bashkuar në keqardhjen e përbashkët u ndeshëm në mënyrë të pavetëdijshme sy më sy. – Çudi, babai yt nuk i ka sytë në ngjyrë kaq të bukur !- mora zemër nga afrimi i saj. – Pse, për këtë je bërë merak ti ? – tha duke u tërhequr pak më prapa, pa iu larguar vështrimit tim. – E kam vrarë mendjen shpesh, se më kujton detin… – I ka mamaja. – tha ajo dhe rregulloi fustanin te gjunjët. – Asaj nuk ia kam vënë re. – Si ka mundësi, ti vë re çdo njeri… -Vë re atë që më pëlqen shumë… – Kuptohesh nga sytë edhe pa folur. – Ah, sa do doja që në këtë botë të më kuptoje vetëm ti!… Ajo shtrëngoi buzët me një trazim të dukshëm. – Edhe sikur të ishte ndonjë tjetër, këto fjalë do thoje ti…- Nuk ia kam thënë asnjërës deri tani dhe nuk kam për t’ia thënë sa të jemgjallë… – Mirë, mirë. Mjaft tani ! – tha për të ndërprerë trashjen e bisedës,duke e shoqëruar edhe me një lëvizje koke, që nuk kuptohej ishte pohim a mohim.- Mjaft është për ty, se për mua ka mbetur mangët e tëra… – i thashë zë ulur teksa kërkoja me ngulm një pohim të qartë. Por e mbylla gojën. Komandat e saj ishin supreme. Pas pak zbatha këpucët. Mora zogun e vura në xhepin e këmishës dhe u ngjita në pemë. Pasi e vendosa në fole, më shkrepi të bëj një lojë majmunësh. Lëshova duart nga dega ku isha varur dhe u hodha një degë më poshtë,duke shkaktuar në pemë një lëkundje të fortë. Ajo ngriti sytë e tromaksur. -Mami, moj ! – klithi padashur dhe kafshoi dorën. Po kur më pa që qesha, i erdhi turp për atë dhembshuri që tregoi padashur. Unë zbrita shpejt. U zgjata më pranë saj dhe i thashë gati duke mërmëritur: – Kaq desha të di, që ty të vjen gjynah për mua. – Gjynah më vjen edhe për atë zogun që vure atje lart, – tha ultas. – Unë jam më keq se ai. Pa fole!… – i pëshpërita sërish.” ………Pas dështimit të rastit të parë të rrëmbimit të vajzës, 25 tetori shënoi datën e paharruar të bashkimit të dy shpirtrave për të nisur udhën e përjetësisë tokësore të dashurisë. Ndërmjet qiellit dhe tokës ka vetëm një zjarr.Frymëmarrja, ajri, çastet, dihasin…Petalet e zemrës luajnë muzikën më të ëmbël të ndjenjave njerëzore. Nga ngjizja e tyre, u formua një dritëz. Parajsa e krijuar dhuron një krijesë jete, Mondën e vogël. Të gjitha zemrat e tronditura,u përulen para saj, si përpara një hyjneshe engjëllore. Ndoshta, sepse një grimcë ajri e Krijuesit të madh, ka brenda forcën e një krijese të vogël, por tepër të fuqishme, që të gjithë armiqësinë e mëparshme ta kthej në dashuri familjare. Zëri i saj ishte si belbëzimi i gonxhes së trëndafiltë. Kjo mrekulli ishte pikërisht prekja e lumturisë. Ditët galoponin nëpër erëra te ftohta diktature dhe here pas here, frika ndaj gjitarëve të kuq kthehej në makth.Ndryshku i amortizuar i luftës së klasave godet, dhe pret fatet e jetës njerëzore. Zonja Polikseni, apo mama Pola, si e thërrisnin ishte një intelektuale, që kishte mbaruar shkollën e lartë në Itali me rezultate të larta për mjekësi. Por në vend që të ishte një pedagoge e shkëlqyer, tani pastronte fjetoret e sharrëtarëve. Bashkëshorti i saj ishte arratisur në Itali. Ajo u internua fillimisht në Savër të Lushnjës bashkë me djalin e vetëm Bertin. Një tentative e bashkëshortit për t’i rimarrë fshehtas në bregdetin e Divjakës, i çon ata në Stravaj, ku  ruheshin nga milingona sigurimsash. Bertin e saj të mrekullueshëm, i cili priste të shkollohej, e vranë pabesisht në repartin ushtarak me pretekstin “se donte të arratisej” kur kishte dalë nga gardhi i rrëzuar për të shkuar në kinema fshehurazi me dy shokë ushtarë.Vajtimi i mama Polës është vajtimi i Ajkunës së regjimit komunist. Dhimbja ngre stuhi lotësh dhe shtrëngata rënkimesh,dallgëzojnë ajrin. Zemra e kryqëzuar pikon helmin e qiellit të kontaminuar nga sëmundja e murtajës së kuqe. Zemërimi shkumëzon vajin dhe nata përpëliste krifën e erës.Britmat binin të copëzuara në tokë, ku ravijëzoheshin plagët e shpirtit. Ajo i drejtohet Venos, i cili kishte shkuar fshehurazi mbi varr me një kurorë të madhe, për ta ngritur mama Polën që dergjej përmbys. “Nuk kam ku shkoj… Si t’a lë djalin vetëm…Si ta lë Bertin të ma nxjerrin ujqërit nga varri…E ka gjoksin copë e çikë nga plumbat…Gjoksin që mezi ja bëra burrë. Ah, si s’vdiqa unë e para… Gjynahu ka vdekur, i pushkatuar si Berti im. Jemi një brez për të ardhur keq. Si mund të vrasë ushtari shokun e vet?… Këtë s’e bëjnë as kafshët.” Kjo copë Shqipëri e kuqe e shtyn nënën fatkeqe me zell të madh të ushtrojë vetëvrasjen e saj. Dhimbja për të fshikulloi terrin, gjethet, pemët…asnjë organizëm nuk gjente prehje. Britmën vullkanike të çangave të dhimbjes e përpiu toka. Ajo fluturoi pa aguar në përjetësi për të fertilizuar vuajtjen në paqe. Kjo ngjarje tragjike shtoi urrejtjen jo vetëm te individëve që ishin të prekur në biografi, por edhe të njerëzve të thjeshtë që kuptonin padrejtësinë e luftës së klasave. Jeta vazhdon me transferimin e Venos në Librazhd, e më pas ushtar. Por edhe në atë repart pune, e ndjekin vuajtjet e panumërueshme e të stërmundimshme të punës së rëndë në turnet e natës së kanalit, vetëm për të damkosurit në biografi. Klea pret fëmijën e dytë, jeta vazhdon me lumturinë dhe shqetësimet e vazhdueshme nga squfuri në zbehje i rendit në fuqi, deri kur diktatura mori fund me përmbysjen e statujës së udhëheqësit. Një vend të rëndësishëm në këtë vepër, zë përshkrimi mjeshtëror i peizazhit të natyrës, e cila pikturohet me puhizën e gjelbërt të flladit pyjor. Petku i saj është i çelur dhe plotë dritë për dashurinë, i errët dhe i zymtë me pëlhurë vajtimi për kobin.Shifra e deshifrimit të saj konsiston, në varësi të gjendjeve shpirtërore të personazheve të krijuar me ekspresivitet. Gjuha e komunikimit është një instrument muzikor i dashurisë, si violina e zogjve të mëngjesit që luajnë në partiturën e kohës dhe të hapësirës, mrekullinë e dashurisë. Dialogu i dashurisë eshtë i ndërtuar me drithërimat e emocioneve që përcjell drejt përdrejt transparenca e kopshtit të dashurisë. Romani ecën në dy linja,atë dashurisë, dhe të përndjekjes së rëndë klasore, e cila shoqërohet me varfërinë e sistemit. Autori është jo vetëm një kronist i gjeneratës që përjetoi sistemin më të rëndë të kohës, por edhe transmetues i mesazhit social.“Kurrë mos u përsërittë ajo kohë!” Libri “Vajza e Kyçur” është një joshje historike, që i fton lexuesit në një romancë ëndrre, ekuivalente me botën evuajtjeve. Një pol i fuqishëm magnetik, i cili me emocionet që krijon, e përpin lexuesin deri faqen e fundit. Origjinaliteti i artit të papërsëritshëm në këtëvepër, mban vetëm një vulë, atë të mjeshtërisë Mato.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: romani, rreshqitje e embell, Vajza e kycur, Vjollca Pasku, Vullnet Mato

Mes dritë-hijeve që krijojnë brazdat e kohës

October 1, 2013 by dgreca

Për romanin më të ri të shkrimtares Vilhelme Vranari-Haxhiraj-“Ankthi i së Vërtetës”/

nga Dr. Fatmir Terziu /    

“Romani më i ri i shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj është  titulluar“Ankthi i së vërtetës”.“Ankthi i së vërtetës” është vërtet ‘ankth’. Një ankth që vjen tek lexuesi mes poreve të gurta të jetësisë dhe ngjeshet brenda dritë-hijeve të tyre si një gangrenë që prodhon të padukshmen dhe të patundshem e rrezikshme. “Ankthi i së vërtetës” është pushtet, është meskinitet, është perifrazim, por është edhe asfiksi. Është vërtet “ankth frymëmarrës” që në trokitjen e hapjes së autores alarmon me: ky është “Ankthi i mohimit të së vërtetës së hidhur”, që e mban të strukur brenda vetes heshtja e heshtur.“/

                     Dr.Fatmir Terziu/

Sh.B.Nacional nxori nga botimi romanin “Ankthi i së vërtetës të  shkrimtares së mirënjohur Vilhelme Vranari Haxhiraj/

Para pak javësh Sh.B.Nacional nxori nga botimi Romanin më të ri të shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj me titull “Ankthi i së vërtetës”. Është një libër tronditës me temë sociale, që vjen si rezultat i mohimit të realitetit në diktaturë, ku njeriu paskesh qenë “kapitali më i çmuar”, kurse gruaja që lind jetën, “një qenie e vyer”, si dhe familja, si qelizë e shoqërisë njerëzore, baza sociale për një “shtet të fortë e të palëkundur”. Në këtë libër autorja përmes mendimit filozofik, nxjerr qartë se e vërteta e hidhur është e vështirë të pranohet, është ankth frymëmarrës të tregohet dhe pasoja e së vërtetës së mohuar… që të jetohet është torturë . Kur mbaron së lexuari, mes mendimeve të thella , lexuesi pyet ndërgjegjen: “Kështu ka ndodhur vërtetë?!Romani ka për redaktor, kritika e të cilit është edhe parathënia e librit , si dhe kopertina nga Dr. Fatmir Terziu. Recensues është Fitim Haxhiraj. Botoi ShB “Nacional” dhe e shtypi Europrint, të cilët autorja i falenderon dhe vlerëson për bashkëpunimin me mirënjohje.

Dy fjalë për Vilhelme Vranarin

Vilhelme Vranari (Haxhiraj) (u lind më 8 dhjetor 1944 në Kaninë të Vlorës), pinjolle e familjes së princit Gjergj Arianiti. E përndjekur nga lufta e klasave, më e egra që ka njohur njerëzimi, edhe pse iu mohua çdo e drejtë humane, sepse pas burgosjes së të atit, xhaxhait dhe vrasjeve makabre të një xhaxhai, tre kushërinjve të parë dhe internimit të famijes së saj, ajo mundi të arsimohet. Ia ndaluan diplomimin në Histori-filologji, e pushuan nga puna dhe Vihelmja mundi të diplomohet në fakultetin histori-gjeografi. Pas rënies së diktaturës komuniste, rinisi punë në arsim. Kjo i dha mundësinë të shpalos talentin e saj si veprimtare për emancipimin e gruas, si luftëtare në mbrojtje të të drejtave dhe lirivev të saj. Duke kërkuar më shumë nga vetja, krahas punës për demokratizimin e shoqërisë, Vranari gjeti veten në letërsi, vuri në jetë talentin e ndrydhur dhe të mohuar. Tashmë ajo njihet jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë kufijëve të Shqipërisë, si poete, romanciere, autore e prozës sè shkurtër, në letërsi për fëmijë dhe publicistikë. Puna e saj ka tërhequr vëmendjen e jurive dhe kritikës kombëtare dhe ndërkomëtare, tashmë e vlerësuar me 17 çmime letrare, nga këto shumica “Çmime të Para”, “Medalje Argjendi”,”Medalje Ari”,”Çmimin e Karrierës”, deri në Urdhrin “Mjeshtre e Madhe e Penës”. Natyrisht ky sukses e gjen përgjigjen te puna e saj voluminoze dhe cilësore, si autore bashkëkohore, që e ka pasuruar kolanën e letrave shqipe me 33 tituj librash.

Mes dritë-hijeve që krijojnë brazdat e kohë- Kritikë

Romani më i ri i shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj është  titulluar “Ankthi i së vërtetës”.

“Ankthi i së vërtetës” është vërtet ‘ankth’. Një ankth që vjen tek lexuesi mes poreve të gurta të jetësisë dhe ngjeshet brenda dritë-hijeve të tyre si një gangrenë që prodhon të padukshmen dhe të patundshem e rrezikshme. “Ankthi i së vërtetës” është pushtet, është meskinitet, është perifrazim, por është edhe asfiksi. Është vërtet “ankth frymëmarrës” që në trokitjen e hapjes së autores alarmon me: ky është “Ankthi i mohimit të së vërtetës së hidhur”, që e mban të strukur brenda vetes heshtja e heshtur.

Heshtja

“Sa shtrenjtë kushton heshtja vallë?

Besoj se s’ka as limit dhe as masë,

 

hesht…vetëm ai,

‘Askushi’…

një qenie pa identitet,

mohon jetën e dinjitetin e vet,

që nuk e di se…

të jesh prind është përgjegjësi,

s’di  cili është …

dhe kujt kombi i përket.

Një i tillë…

a mund të jetë gjykatës

i ndërgjegjes së vet ?!

Kurrë…!

Veç ankthi i së vërtetës e tremb…

oh, sa e tremb…

dhe për jetë atë e mban peng…!”

Vivra

Heshtja, titulli i poezisë, me të cilën nis ky libër, është ‘askushi’ ajo qenie pa identitet. Ajo qenie me fuqi që bëhet gjykatës, ajo qenie që shemb e strukturon sipas shijes së athët të jetës. Ajo qenie që struket mes heshtjes dhe ndërton kala të madhe me bedena vuajtjesh dhe grimash njerëzore. Në këtë sfumim gjërash “heshtja” pasojë e “Ankthit të së vëretetës” është vetë morali që ndërtohet në labirinthe të tretshme mes vetë ankthit rrënues. Ky ankth rrënues është në fillimet e demokracisë, por ai sapo ka nisur udhën e tij mes ‘të tjerëve’, atyre që tashmë janë vetë mbushësia e kësaj ankth-jete: “Të tjerët ishin qeveritarë, politikanë ose tregtarë, shumica e të cilëve sapo kishin nisur karrierën politike apo administrative”. Janë këta ‘të tjerë’ që sapo kanë nisur të ndërtojnë brendinë e ankthit. Por vetë ata janë larg ankthit, janë larg e shumë larg atij…, se ata janë zyra, vula vetë, po aq edhe doganierët e uniformat e shtetit. Ata janë vërtet të tjerët. Janë … ‘të therrët’! Të therrët në ecje, të tillë në paraqitje. Kanë lindur të bëhen ndryshe. Ndryshe në hapjen e re demokratike. Dhe pjesa tjetër është në vëzhgim. Në atë sykapje që kërkon mes makthit dhe ankthit…: “Si në lajthitje e sipër padashur pyet : Ndërsa ndjen peshën e rëndë të presionit, dhunës psikologjike, denigrimit, keqtrajtimit, të duket vetja një zero, një inekzistentë. Në këtë kohë vë duart në kokë dhe këlthet:Dhe vërtet më pas ‘ankthi’ prodhon kreshendon e vet. Atë kreshendo që përtypet nën dhëmbë e që stilohet në tru. Kërkohet si në rolin e një hulumtuesi në atë hapësirë për të përlogaritur çdo hap, çdo detaj, çdo ngjyrë, ku sundojnë larushitë e natyrës, çdo trokamë ku vetëm ajo e identitet-humburit rrëshqet si slitë akulli mes asaj vape të tretshme trupore. Është një tundim i gjallë. Një tundim që rrënkon me fatin e prodhuar nga “mohimi i së vërtetës”.“Ankthi së vërtetës” është moduli më i nevojshëm i prozës për ditët që pasojmë. Është vetë moduli që bashkon tërësinë tonë në katër cepat e botës. Është ai modul që i afrohet gjithënjeriut me e pa identitet të lexoj fatin e tij në tri kohë. Në tri kohë që flasin e heshtin njëherazi. Në tri kohë që kapërcejnë edhe hapësirën e qiellin…, vërtet deri në skajshmëri!Kjo skajshmëri herë diktohet herë filozofohet. Herë renditet në dritë-hijësi argumentesh e herë struket nën vëtë kumtin e heshtjes që kërkon me ngut garancinë e ruajtjes “të së vërtetës së hidhur”. Këta tipa që janë dhe mbeten produkt i një kohëbote tjetër në udhë të krisura me mendje të acarta. Dhe e acarta nuk vonon. Ajo vjen në kohën dhe vendin e duhur, me dimensionin e njëriut në moshën e tri kohëve: “I moshuari, ndryshonte shumë nga i riu. I veshur elegant dhe me atë qëndrimin e tij të ftohtë me këdo, me siguri që krijonte një farë ndarjeje, e cila vihej re në distancën që shihej mes tyre. Ndryshimi dukej me lehtësi në paraqitjen e jashtme, në sjelljen dhe veçanërisht në psikologjinë e secilit.” Dhe është mosha e tretë, ajo që formon të padukshmen në persiatjen e njeriut vëzhgues. Është vetë mosha që udhëton dhe ka pikëtakim me të tjerët. Ndoshta jo me ata që vinin në atë karvan të gjatë hallesh të njëjta, por në atë karvan me dritë-hije të padukshme. Dritë-hije që takohen e mbesin vetëm produkt i kalbësisë, produkt i tokës në errozion. Në këtë erozion janë edhe pyetjet që vrasin, edhe pse heshtin e nuk flasin: “Lëvizjet e tij ishin të ngathta dhe të drojtura. Tek ai vihej re një heshtje prej varri. Përse vallë?! Ç’mendime i gëlonin në mendje? Përse dukej aq në kundërshtim me veteveten, sidomos me paraqitjen e jashtme? Përgjigjet e pyetjeve të bëra rreth personit të tij do të ngeleshin memece. Tek ajo heshtje e zymtë fshihej mundimi, vuajtja dhe e vërteta, të cilën njeriu e merr me vete kur vdes. Kërkon ta mbajë të varrosur nën tokë. Banesa e përjetshme i do të fshehtat të gjitha për vete.”Por e gurta bën të vetën. Ajo mes ngurtësisë së saj, forcës së materies, forcës së vetë gurit qartësohet lehtë e lehtë: “Asgjë…Kur ai arrin në përfundimin se ka jetuar hiçin, pyet veten:”në heshtje:”- “kjo ishte përshtypja që më la ky njeri i ngurtë si guri.”Romani i shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj përmban rreth 120 citime dialoge dhe monologe tejet filozofike nga karakter-folësit që krijojnë identitetin e tyre të heshtur në tërësinë e faqeve të tij. Tendenca mbizotëruese në kurën moderne të gjuhës që përdorin ata është jo ajo tradicionalja e margjinalizuar mes dëshirave apo kushteve të përcaktuara të këtyre folësve por gjuha e krijuar mes thjeshtësisë dhe mes një logjikë-praktike që vetë ata përfaqësojnë (disa herë përfaqësohen në narrativin  e autores). Pra ata janë të konsideruar si lapidarë gjuhësorë dhe letrarë, dhe citimet e tyre letrare, ndërsa prezantohen për lexuesin, më tej rinjihen si ndikime trajtuese dhe diskrete nga ato të tjerat, që në mjaft romane vijnë të ‘rënda’ në dialogje, monologje të gjata, apo edhe në korniza të hapërdara mes vetë narrativit. Romani i shtron ‘sfidat’ me këtë këndvështrim duke u fokusuar në pyetjen e mëposhtme: Deri në çfarë mase mund të merret si vlerë e cituar një karakter-fiktiv folës në roman, kur dihet e thuhet nga vetë autorja se ka një identitet të veçantë, por edhe të debatuar në formacionin e ankthit?Dhe natyrshëm mes ankthit si një kundrinë që rreket të definojë paksa argumentin e shtruar vjen “Trishtim?!”.“Trishtim?!” në roman, mes shoqërisë së pikëpyetjes dhe pikëçuditjes është vetë gangrena e heshtjes për një përgjigje të nxituar. Shkrimtarja na dikton udhëtimin në kohë tjetër dhe hap disi një hapësirë për të riargumentuar, teksa njeriu i kohës së mekur, që ndërtonte vetë me forcat e tij socializmin kishte fat-trupin e tij ‘identitet’ mes qyngjeve: “-Ne ndërtojmë socializmin. Vendi ynë ka vetëm fitore dhe jo humbje apo viktima. Vetëm këta trupa që shihni këtu, gjeti policia në vendin e aksidentit. Kjo ndodhi për faj të shoferit, të cilin e pret qyngja. Nëse nuk di ta përshkojë atë, atje le t’i dalë shpirti, në shtëpi pa qira. Kjo është politika e Partisë sonë bujare. Këta fatkeq do të mjekohen falas nga shteti dhe do të shkojnë në shtëpitë e tyre si kokrra e mollës. Në vendet kapitaliste do t’i kishin lënë në mëshirën e fatit. Pa paguar shërbimin shëndetësor, me siguri do t’i kishin lënë të vdisnin në mes të rrugës. “-ishin fjalët e rrobalarëses së kirurgjisë që mbajti atë ligjëratë fare pa arsye dhe pa vend. Më vonë mësova se ishte sekretare e organizatës bazë të partisë në pavion.

“-Pse në qyngje?!

 -Bir, kështu quhet vendi ku nuk ke të drejtë të dalësh prej andej, pa të ta bërë kurrizin më të butë se barkun. Qelia e burgut i ngjan qyngjes se është e ngushtë sa një arkivol, ku nuk lëviz dot as djathtas as majtas. Madje nuk mund të ulesh as galuç. Kush nuk ka vullnet për ta përballuar, del me këmbët bigë prej andej.”

Kështu udhëtimi në kohë, hapësirë e vend na sjell e na risjell fate të ndryshme, me e pa idnetitet duke menduar fortë në atë që dihet e lexohet qartë mes faqeve të romanit: “Ankthi i së vërtetës”-mendoja më të keqen dhe gati vrapoja pa qenë në vete, si e çmendur.Këtë udhëtim e ndjen nëpër faqet të romanit mes ankthit për të vërtetën mes një mori elementësh nga më tërheqëset dhe më të arriturat, me një gjuhë të qashtër e mjaft fine. Mjafton të citosh një fakt “Krimi nuk kryhet vetëm me plumb. Ai më vrau pa e përdorur pushkën. Tashmë jam viktima e tij…”-ku kupton qartë forcën me të cilën autorja paraqet këtë gjuhë të hapur në mjaft dimensione kulturash. Dimensione që do ta mirëprisnin mjaft mirë këtë roman.Ja, pse pra udha e projektuar nga “Ankthi i së vërtetës” është udha globale e prozës, udha që kalon kufij të leximit dhe kërkon tokën dhe gjuhën tjetër, gjuhën e njeriut, gjuhën e njeriut larg dhe afër argumentit identitet. “Ankthi i së vëretetës” është vetë pjesa që rrëmon në identitet njerëzish, po aq edhe vlerash që herë pikëtakohen në letrësinë fituese e herë në letërsinë konkuruese. “Ankthi i së vërtetës” është një roman për vetë këtë strukturë me të cilën ndërtohet vetë artikulimi i respektit ndaj letrave.

Londër, Shtator, 2013

 

Filed Under: Kulture Tagged With: ankthi i se vertetes, Fatmir Terziu, romani, Vilhelme Vranari Haxhiraj

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT