RRËFIMI I NJË TË PENDUARI/FASLLI HALITI- Viz. S. Kamberi, Piktor i Popullit/
RRËFIMI I NJË TË PENDUARI
Unë /
Jam një i tillë,/
Si të tillë vetëm veten kam/
Zot, Kush më bëri mua të tillë/
Dhe kush përgjigjet për mua kështu siç jam?/
( Variant )
. poemë.
Unë një labirint piramide,
Katakombi
Një lesh e li
Një turbullirë
Hapësirë plot moçale
Lartësi gjithë vakuume
Shirit me gjysma fjalësh
Kasetë
Me gjysma bisedash
Me gjysma polemikash
Debatesh
Copëza këngësh
Tingujsh
Melodish
Liqen plot cektësira
Pa kaltërsi
Pyll
Pa lisa
Plot shkurre
Plot trungje shtrembakë
Pa zogj pa bilbila
Pa lauresha
Plot derra,
Ujqër,
Pa dhelpra
***
Unë
Jam një film fragmentar
Plot të këputura copë copë
Plot poza të djegura
Flu
Një arë
Me grurë të blertë breshke
Me kalli pa kokrra…
Kokëpërpjetë
Djerrinë
Plot gjembaçë
Plot driza dhe ferra
Unë
Mbjell
Nuk korr
Miellin e sit
Brumin e lë pa pjekur
Shtëpinë e lë fare pa bukë
Librin s’e lexoj deri në fund…
Filmin s’e ndjek gjer në deltë
Fjalët e tekstit nuk i marr vesh
Nuk i kuptoj
Melodinë nuk e riprodhoj
Refrenin e mërmëris me vete
Dëshiroj shumë
Por pa arritje
Shtroj problemet
S’i zgjidh saktësisht
X y z më dalin me mbetje
Me përqindje
Në fund
Në ushtrimet algjebrike mbrëmjeve bëj minuse
Me qëllimin furbesk
Që t’i bëj pluse
Në mëngjes
Edhe rimat s’i qëlloj
Asonancat e mia janë anemike
Ngjyrat të përzjera llaҫ
Krijoj njolla të pista
Jam indiferent ndaj halleve të kujtdo
Vëmendja ime nuk u vë veshin telasheve të njerëzve…
Mendja bën fluturime nëpër qiejtë nëpër retë
Syri im
Sheh qimen
Në syrin e tjetrit
Nuk sheh trarin në syrin e vet
***
Unë
Një automatik difektoz
Fishekët më dalin të pazbrazur
Unë
Një orë e çakërdisur
Herë shkoj para
Herë prapa
Herë
S’punoj fare
Më mërzitet koha
E lë të ikë si pelë e azdisur….
***
Unë
Tren
Pa trenistë
Dal nga shinat
Çaj mes baltrave
S’i duroj dot shinat
Më mërzitin paralelet
Të cilat s’takohen kurrë
Kujtesa ime një usb boshe
Kompjuter me plot mishmash
Me një stivë mbresash imcake
Me cirkovolucione të përgjumura
Tru smirëzi
Dhëmbëҫatallë
Hakmarrës i serta
I cili nuk fshihen dot
Me gomën e pendesës
Idhnak intolerant ekstrem.
Vadis gjembaçin shkul zambakun me erë
***
Pështyj
Dhe lëpij të pështyrat
Fshij pikën e vesës në fytyrën e tjetrit
Lë pështymën e tjetrit në faqen time
Unë përtyp qelbësira të reja
Ha turpin me bukë bajate
Pi në burimin
Që turbulloj
Vdekjet
S’më hidhërojnë
Lindjet s’më gëzojnë
Nuk vete për ngushëllim
Në vakira
Nuk qaj në to
Në dasma
Nuk kërcej
Nuk këndoj
Mbaj vetëm iso
Nuk spërdridhem s’vallëzoj…
***
Unë
Ha dhe mbetem i uritur
Pi dhe mbetem i etur si Tantali
Sukseset e tjetrit më pikëllojnë më vrasin veshin
Pres me padurim dështimet
Flas vetëm për të djeshmen
Për të sotmen bëhem memec
Të nesërmes s’ia vë fare veshin
Më mbetet koka duke shikuar pas
Rri me sy
Nga e djeshmja
Më pushton nostalgjia
Dashuria
S’më
Prek fare
Errësira më qetëson
Drita më vret sytë më verbon
Shoh si lakuriqi me veshë dëgjoj me sy
Akullin dhe avullin i kam miq
Me ujin jam në mëri në gjak
Unë digjem nga etja
Ai s’ma shuan
Buzën
S’ma lag
***
Unë
Hidrofob i tërbuar
Unë u thur himne torfës
Kënetave me ujë verdhanë
Selekëve të mbuluar me fier
Kallamave me idile puhish fine
Ujin e poshtëroj
Laj këmbët
Laj rrobat me njolla vaji të zi
Shaj lumin që shuan etjen e blerimit…
I marr lirinë ajrit dhe erës
I burgos në bombola
Në goma makinash
Shaj Oqeanet
S’i shoh dot
Gjërësitë, gjatësitë, thellësitë e tyre përpirëse
Pellggjeve u përkulem me reverancë
Rrëkerave iu mbaj ison pa ngjyrë
Laj sytë me sklepa burimeve
Kafshimi më qetësont
Puthja në buzët
Qershi
Më tërbon
Tres vesën
E bëj plumba
Shes ndërgjegjen
Pa më vrarë ndërgjegjja
Tall
Trimërinë
Përkëdhel frikën
Dashuria më hap krahët me dashuri
Unë e përqafoj me urrejtje
Kuash më bëri
Mua kështu:
Unë s’jam krijues
Mua më bëri dikush
Po kush më bëri
Ju
Jeta
Shoqëria…
Apo më krijoi vetë Zoti, Perëndia…?
1996 – 2017