PRISHTINË, 20 Gusht 2015/.-Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë zhvilluar sot në Prishtinë “një aksion simbolik për të treguar se si duket Kosova me ‘Zajadnicë’ dhe si pa të”. “Zajadnica” është fjalë serbe që do thotë “Bashkësi” dhe në këtë aksion nënkuptonte Bashkësinë-Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Sipas hartës që e kanë zbuluar aktivistët e VV-së, “nëse formohet ‘Zajadnica’ rreth 30 përqind e territorit të vendit mund do të jetë jashtë kontrollit të Republikës së Kosovës”.
“Krijimi formal i ‘Zajednicës’ do t’ia pamundësojë institucioneve shtetërore të Kosovës që praktikisht të ushtrojnë sovranitetin në pothuajse 30% të territorit të shtetit. Kjo pjesë formalisht do të jetë pjesë e Kosovës, por do të funksionojë si entitet i pavarur. Ky entitet autonom do të ketë të gjitha karakteristikat e një minishteti brenda shtetit tonë”, ka thënë akvisiti Nol Nushi.
Sipas tij, ky Asociacion do të ketë edhe polici dhe gjyqësi të vetën të përcaktuar etnikisht. “Strukturat ilegale kriminale të Serbisë do të integrohen brenda institucioneve të Kosovës por që sigurisht jo në shërbim të tyre. Dhe që kjo të funksionojë në mënyrën më të mirë, i është siguruar edhe një linjë buxhetore e veçantë e quajtur Fondi Zhvillimor për Veriun”, është shprehur Nushi.
Ai ka vikjuar se, “para nesh kemi raundin e ri të negociatave i cili për temë kryesore siç duket do të ketë krijimin e ‘Zajednicës’ e cila do të jetë formalizim i asaj që parashihet me marrëveshjen e 19 prillit 2013 me Serbinë. Pra, atë çka e filloi Thaçi më 2013 me marrëveshjen 13 pikëshe, po do që ta formalizojë Isa Mustafa me krijimin e ‘Zajednicës’”.
“Të gjitha këto do të betonojnë përfundimisht kufijtë etnikë brenda Kosovës të nisur qysh nga procesi i decentralizimit më 2007. Dhe e gjithë kjo, do ta bëjë të pamundur funksionimin e Kosovës si shtet normal”, ka thënë Nushi .
“Para kësaj të keqe të madhe që po na vjen, nuk guxojmë të rrijmë duarkryq”, ka shtuar mes tjerash ai./b.j/