Nga Idriz Morina/*
Greva më tej do të kishte kuptim moral dhe madje legal që njerëzit edhe në këtë dimër të gjatë, të dilnin në shesh, ta mbyllnin Presidencën dhe Qeverinë, duke kërkuar:
Rrëzimin e Presidentit
Rrëzimin e Qeverisë dhe
Zgjedhje të lira, duke përjashtuar nga listat zgjedhore të gjithë të inkriminuarit.
Shkruan: Idriz Morina
Sa herë protestuan dhe mbajtën grevë pas pavarësisë këta grevistë për ta ruajtur identitetin e shtetit, për ta penguar gjymtimin e shtetit në Bruksel, dhe tani ‘në një konferencë ndërkombëtare’?
(Në një shkrim timin i pata bërë thirrje edhe sindikatave që të protestojnë kundër ndarjes së territorit, por heshtën të gjithë!)
Një pyetje për grevistët, po e zëmë se rriten pagat, por nëse ndahet Kosova, a do të ekzistojë si shtet? E nëse nuk ekziston shteti ku do të mbetet ligji i pagave, kush do ta zbatojë!?)
Mos u habisni se ‘elitat’ po protestojnë në fazën më kritike të ekzistencës së shtetit, dhe pa kurrfarë respekti dhe ndjesie për shtetin (edhe Konferenca e rektorëve)!
Kjo e shpjegon më së miri se kjo farë elite udhëhiqet nga egot e sëmura, që tash nuk po tregon kurrfarë diferencimi prej egove të sëmura në politikë, që na kanë sjellë në këtë gjendje kaq tragjike, por edhe komike!
Pra, gjërat gjithmonë kanë një kryekreje të vendosjes.
Kosova së pari ka nevojë të çlirohet nga krimi i organizuar, që tashmë është plotësisht jashtë interesit të shqiptarëve, që i bie se është futur nën kontrollin e forcave antishqiptare.
Kosova ka nevojë për përmbysjen e kësaj klase politike që ka bart dhe po bart interesa antishqiptare;
Kosova ka nevojë për rifitimin e pavarësisë
Rivendosjen e demokracisë dhe
Rivendosjen e sistemit të vlerave.
Presidenti dhe kryeministri që kinse po lufton kundër Hashim Thaçit, po e kërkon thuaja të njëjtën gjë, një konferencë ndërkombëtare për Kosovën!
Çfarë kuptimi ka konferenca pas bisedimeve në Vjenë, që rezultuan me pakon Ahtisari, që gjymtoi shtetin e Kosovës?
Çfarë kuptimi ka një konferencë ndërkombëtare kur është shprehur institucioni më i lartë botëror, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), se Institucionet e Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës kishin të drejtë legale ta Shpallnin Pavarësinë dhe se ajo nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare për shtetet?!
Çfarë kuptimi ka një konferencë ndërkombëtare pas një dekade bisedimesh në Bruksel (nga 2010-ta), nën udhëheqjen e Bashkimit Europian, ku institucionet e Kosovës i kanë bërë të gjitha lëshimet e mundshme në favor të Serbisë?
Po cila konferencë’ paska aq autoritet sa t’i tejkalojë vlerat e GJND-së dhe të Bashkimit Europian?
Pra, i vetmi kuptim i gjërave këtu është se të gjitha këto përpjekje, dhe ata që kanë hedhur këtë valle, ishin në taborin antishqiptar!
Këtë tashmë e ka bërë krejtësisht hapur presidenti Thaçi, në takimin me Putinin, duke i vënë kapak, me ftesën që ai ta vizitojë Kosovën, madje duke e mbrojtur të njëjtin projekt të Serbisë për ndarje të Kosovës!
Pra, duke vlerësuar si më lart: greva do të kishte kuptim moral dhe madje legal që njerëzit edhe në këtë dimër të gjatë, të dilnin në shesh, ta mbyllnin Presidencën dhe Qeverinë, duke kërkuar:
Rrëzimin e Presidentit
Rrëzimin e Qeverisë dhe
Zgjedhje të lira, duke përjashtuar nga listat zgjedhore të gjithë të inkriminuarit.
Vetëm një qeveri e re do të mund të unifikojë koeficientët e pagave (gjë kjo e domosdoshme), pasi kjo Qeveri nuk është e gatshme të heq dorë nga asnjë prej benificioneve që ia ka krijuar vetes dhe vartësve të saj.
Krerët e sindikatave nuk janë vetë arsimtarët, por edhe arsimtarët po vuajnë nga zgjedhjet e komprometuara në sindikata, sikurse po vuan populli nga të zgjedhurit e komprometuar në politikë, pasi sindikalistët janë vënë në funksion të intrigave politike të Hashim Thaçit, për destabilizimin e Kosovës, në prag të procesit të paqtimit të Kosovës nga krimi i organizuar, pasi brenda ditësh pritet fillimi i intervistimit nga Gjykata speciale, të kampionëve të krimit të organizuar në Kosovë.
*Artikulli-Editorial u dergua per Diellin. Autori eshte drejtues i portalit”Shqiptari”