NGA ILIR LEVONJA/Për ne shqiptarët shtrëngimi i duarve është një rrugë e vështirë. Por, pse ta mohojmë, emocionante.
Ndofta nga që ne e kemi të pamundur, të duam sinqerisht.Ndofta nga që e kemi dënuar vetëm me faktin se, çfarë do thojë bota. Kutadish se çdreqin është. ?! Por ne e kemi gati të pamundur. Na mbysin gulçet. E kurrë se shikojmë njëri-tjetrin drejt e në sy. E kurrë nuk e njohim qetësinë e argumentin.
Veç ama të bërtiturat, pështymat, rrahjet e gjoksit, po. I kemi mjete vitale të së përditshmes.
Unë nuk dua të ndalem se cila palë fitoi dhe cila humbi. Kjo është një politikë e nostalgjikëve. Atyre që bëjnë kurban edhe jetë njerëzish. Si e si tu shkojë e tyrja.
Të bësh kurban idetë apo fjalët është më normale. Dhe më pa kosto gjë në botë. Po kujt shqiptari ia thua këtë.
Padyshim që refreni i sotshëm i tyre, është pranimi i PD-së të bëhet pjesë e kësaj qeverie droge. Dhe jo pjesëmarrëse e zgjedhjeve të lira, të mbikqyrura nga një qeveri teknike etj. Pasi pranimi i pushtetit në tavolinë, i posteve, nuk qe çështja demokrate. Megjithëse akoma priten zhvillime. Shkurt PD iu largua çështjes. Ndofta sfidës më të madhe në këto kohë të reja. Por vështruam aty edhe ngritjen e një lideri, i cili e ktheu çadrën nga një vend hajengu i ditëve të para, në një çështje të madhe. Madje u tregoi kokave të nxehta se protestat bëhen edhe pa gurë, plumba e të vrarë. Bëhen pa thyer e djegur. Pa ndenjur në fund të turmës, por në krye dhe i qartë.
Dhe kaq normalitet e kish të domosdoshëm Shqipëria.
Nuk humbi as Edi Rama nga krahu tjetër.
Një turrë e tërë që pëllasin të shkumosur dhe identifikojnë gjithçka me faktin e një lëshimi të tepruar. Sikur t’i ketë dhënë botën një opozite që nuk ekziston.
Një turrë e tërë që me atë mendësinë provinciale tonën, që për inat të sime vjerre, po shkoj të fle me mullixhiun. Dhe këta, për inat të Saliut janë gati të murosin, jo vetëm mëkatet e tyre, por edhe një popull të tërë. Madje nuk e kanë aspak për gjë të quhen vet popull, pozitë dhe opozitë. Nuk kanë për asgjë të murosin edhe abc-në e demokracisë.
Në fakt e gjithë kjo mëndësi ka qënë vraja jonë kombëtare.
Shpërbërja jonë e pashmangshme.
Shkurt e pa stërhollime, nuk humbi askush.
Veç vendi fitoi një qetësi të domosdoshme. Një normalitet.
Dhe dhëntë zoti e pafshim sa më shumë shtrëngime duarsh të tilla. Edhe orëve të vona, pasi nuk ka se si bëhet më bukur të jetosh mes ëndrrës dhe realitetit. Nuk ka gjë më emocionuese, se sa kur sheh dy lidera shqiptarë, të kthyer në truallin normal të demokracive në botë.
Nuk janë më të aftë se ne këta, këtej.
Po ndryshe nga ne nuk kanë nerva me shumicë. Ama më të aftë nuk janë.
Paçim sa më shumë marrëveshje. Takime e ritakime…, sepse si do që të jenë. Janë më efikase se ngërçi kolektiv dhe inatet për të gjetur të drejtën. Kujt i takon e kujt nuk i takon ajo. Kush ka të drejtë dhe kush nuk ka. Kjo për një arsye të thjesht, rifreskimi, lëvizja.
Eshtë njësoj sikur hapni dritaren e ajri i përtërirë iu freskon tëmthat.
Dhe ndofta kjo lëvizje përpara sjell e ysht përfundimisht edhe atë edukatën në demokracitë e konsoliduara. Ku individi vjen, ngrihet për të drejtuar një force politike. Për të fituar që të drejtoj edhe vendin. Vjen drejton dhe largohet. Dhe jo, të ngulet për tu punësuar aty, si në parti, ashtu edhe në pushtet.
Rruga e vështirë drejt ligjit
Nga Zaim Kuçi/
Kohët e fundit përflitet fjala “burg”, si një thënie e shpeshtuar e kryeministrit për të vendosur raportin e drejtë të tij me ligjin edhe pse Ai e di mirë se burgu nuk është zgjidhja por aktualisht është formë e zgjidhjes.
Përgjatë dy dekadash demokracie deformuam qeverisjen e vendit sa shqiptarët të zhytur në pesimizëm ndjehen të huaj në vendin e tyre. Këtë gjendje e tregoi kohët e fundit, përtej të shumëthënat, edhe lajmi thashethem, i cili shkuli me qindra qytetarë t’i drejtohen “parajsës” gjermane. Ishte një dramë që pak u komentua dhe pak u analizua, ata ishin shumë, për më keq vendi ynë nuk ishte në gjendje lufte për të kërkuar këtë eksod kaq masiv. Po kush e ka fajin? Sipas disave e ka fajin “ai -ishi” i cili krijoi dhe zhvilloi një shtet të pakuptimtë, e disa tek ritmi i ngadaltë i qeverisë së ardhur për ndryshim deri tek sorollatjet për fjalorin e rreptë të kryeministrit për reformat e nisura, e kështu përplasemi pa drejtim e pa kuptim kundër të gjithëve duke mbjelle kotësira, retorikë dhe marrëdhënie të debatueshme edhe për hiç gjë.
Në termin siguri kombëtare fjala “burg” është respektim pa kompromis të ligjit (në se zbatuesit e tij janë të vërtetët e munguar), e cila paralajmëron qytetarët për ta respektuar atë, në këtë rast ajo mbyll derën e burgut duke prodhuar siguri për të gjithë. Analiza dhe shqetësimi ynë duhet të jetë, a janë larguar shqiptarët nga respektimi i ligjit dhe a ka qënë e cënuar siguria e RSH nga keqqeverisja në këto dekada demokracie? Cili është raporti i shqiptarëve me ligjin dhe demokracinë e re dhe si janë perceptuar ato? A ka patur ligje dhe si janë zbatuar ato dhe se, a janë bërë dhe si reformat në sistemin e ndërtimit të shtetit?
Në situata të krisura politike gjithnjë gjendet një ngjarje, një moment për të bërë lojën e radhës për mosbashkëpunim. Të gjithë e dinë mirë që ligjet ishin dhe janë aty dhe se, institucionet e shtetit janë lodhur nga reformat e shpeshta partiake duke bërë e ç’bërë struktura, por ajo që i ka munguar këtij vendi është modeli i duhur në qeverisje.
Realisht RSH është akoma në koma, në emergjencë dhe si e tillë plotëson kushtet për shpallje – situatë e jashtëzakonshme. Në këto situata normalisht ashpërsohet sjellja e organeve të ruatjes së shtetit me masa më ekstreme për të ndalur hemoragjinë e shkaktuar. As kryeministri dhe ministri nuk të çon në burg, por është mos/respektimi konform i ligjit nga vet qytetarët me/pa pushtet, kjo është e qartë.
Është paradoks që shqiptarët, të majtë dhe të djathtë, janë të ashpër për çka ndodh në vendin tonë, por ata nuk bëhen tok si pjesë aktive për të shkulur të keqen, por mbeten në llafe kafenesh. Në shoqërinë tonë duket se dominojnë interesa personale që nuk shkojnë përtej vehvetes, morali nuk ka duk, e ardhmja na mungon. Është detyrë e opozitës të sjellë si alternativë të ardhmen por fatkeqësisht ajo është në origjinë të kësaj keqqeverisje të sapo kaluar, asaj i duhet kohë për ripërtëritje dhe ndryshim.
Duke mos analizuar qeverisjen e saj të shkuar për një qasje tjetër, etja për ripushtet (të sapo lënë) nxitoi opozitën duke na sjellë alternativë rrugën e protestave, madje edhe kur ministrat nuk kishin marrë ende zyrat. Ata vijuan propagandën se qeveria në detyrë varfëron popullin edhe kur ata ishin akoma në pozicione drejtimi, kështu ata vijojnë ta rihumbin besimin tek populli duke mosafruar një tjetër vizion që t’u shkojë për shtat shqiptarëve. Matematikisht, sikur kryeministri të kishte shtypur butonin e varfërisë nuk mund të arrihej kjo gjendje ekonomike dhe varfëri shpirtërore që ne po kalojmë sot.
Sjellim si rast, në interes të problemit në fjalë, operacionin e kësaj qeverie kundër “drogës” ku ishte pranuar politikisht se në territorin e RSH kishte super prodhim të lëndëve narkotike, qartasi si burim jetese për të luftuar varfërinë. Kjo situatë jashtë kontrollit krijoi madje territore shqiptare “të kuqe” psh Lazaratin si një “zonë e ndaluar” nga struktura shtet. Por nuk rezultoi kështu, sot kemi jo vetëm një Lazarat pa drogë po një Shqipëri të tërë. Shtrohet pyetja, a duhej përdorur me forcë termi “burg” ?
Lajm i mirë dhe i pritshëm ishte për shqiptarët vendimi i qeverisë për mbylljen e atyre institucioneve arsimore fantazmë ku shoqëria shqiptare zhvilloi abuzimin më monstruoz në fushën e formimit duke prodhuar me mijra diploma falls dhe vlerësime fiktive nga universitete anonime. Fatkeqësisht edhe për këtë aksion kombëtar nuk mungoi zhurma dhe protesta ndaj vendimit kundër kioskave «të diturisë».
Diku Hygoi thotë se: ai që hap një derë shkolle mbyll një burg, a ka funksionuar tek ne kjo këshillë për gjatë këtyre dy dekadave, apo e kemi deformuar për përfitime? Sot, a duhet rifilluar kjo filozofi? Hierarkia e masave ndëshkimore, e “mësimit” përmes masave ndëshkimore, por edhe e mësimit të edukatës së ligjeve në shkolla a duhet të jenë një tjetër alternativë? A jemi të interesuar se ç’vend zë në shkollat tona edukata ligjore, juridike?
Është e turpshme të analizosh llumin e dalë nga operacioni kundër vjedhjes së energjisë elektrike. U vërtetua para shqiptarëve vjedhja makabre e energjisë nga pushtetarë, faturistë mediokër (si hajdut “xhepash”), pronarë vilash dhe bisnesesh, nga ana tjetër pamë sjelljen e pensionistëve që vraponin me frikë për t’i paguar edhe pse ata janë të varfër.
Për të kuptuar mosfunksionimin e shtetit, le të ndalemi edhe tek një tregues, siguria mjedisore, e cila gjatë tranzicionit nga strukturat e dobëta shtetërore, humbi kontrollin mbi territorin si një nga elementët bazë të tij duke sjellë dëm të madh në këtë fushë.
Maskarada vazhdon me kompanitë e ndërtimit siç psh po zhvillohet aktualisht beteja në drejtësi e 50 (familje) apartamente të cilët janë kaluar kolateral banke (NBG Bank) nga kompania “2-AL” e udhëhequr nga një president firme anonim. Zoti kryeministër banorët viktimë të kësaj kompanie dhe të tjera si kjo kërkojnë më tepër se “burg”…
Përgjatë tranzicionit shqiptarët u ngopën me gënjeshtra groteske, retorikë mashtruese duke mbjellë dëshpërim dhe zhgënjim edhe pse RSH ishte zhytur me kohë në recession. Po shëmbëllzojë bumin ekonomik shqiptar të pak viteve më parë me shqetësimin e presidentit francez se, vendi i tij ishte i varfër dhe duhej nxjerrë nga varfëria, shteti elitarë i ekonomisë evropiane, ndërsa nga ana tjetër ish-kryeministri ynë kudo e rendiste Shqipërinë të dytën.
Këto e shumë “bëma a bume ekonomike” të tjera janë argumente të keq qeverisjes, të cilat të afrojnë gjykimin se për të ndalur ortekun e shkatërrimit të vendit është normale shpeshtimi i fjalës “burg” (në termin ushtarak-“dissuader”) apo si nevojë reabilitimi dhe në vijim të kësaj analize shtroj pyetjen në se këto do të ndodhnin në Francë a Gjermani; si do të sillej një francez apo gjerman përballë këtyre maskaradave ndaj popullit të tyre? Siguroj, ata do të protestonin përtej fjalës “burg” duke shkuar më tej ndoshta dhe për “gijotinë” edhe pse i përket shekullit të kaluar.
Duhet të kuptojmë se problemi i sigurise ekonomike është më kritik, problematika e të cilit përfshin dhe shtetet e zhvilluara. Duhet të mirë përcaktohet niveli i minimumit jetik, pagën bazë per të mbijetuar individët duke afruar strategji për papunësinë si një faktor destabilizues që krijojnë terrorizmin, tensione politike, rrisin frymën nacionaliste dhe atë etnike; Shqipëria nuk meriton më lojën partiake të politikanëve që përgatiten për fushata elektorale, ajo është e varfër.
Zhvillimi i vendit bëhet në terma afatgjatë që fatkeqësisht gjatë trazicionit kaluan në zgjidhje afatshkurtër, duke shkatërruar gjithçka të ndërtuar, lëvizja demografike pa një plan sistemimi, ndërtime pa leje, shkatërrime masive të pyjeve, shkatërrime të pasurisë kombëtare të cilat dhanë efekte të menjëhershme dhe kërcënuan sigurinë ekonomike e sociale të individit, nëpërmjet nevojës emergjente për të mbivijetuar, një strehë e punë të përkohshme duke e kthyer shtetin “një fis”. Shtetformuesit tanë për interesa të ngushta apo nga mosnjohje të termit “siguria njerëzore” për gjatë dy dekadave është kaluar në ekstremitetin më të paskrupull mes zgjidhjeve të llojit “siguria për individin nga vet individi”, që kupton përjashtimin e zgjidhjes të sigurisë nga shteti.
Shqiptarët kërkojnë qeverisje, sepse kemi ndërtuar në të gjitha fushat në modelin « keq », ku janë përfshirë në një system hierkik mashtruesit të favorizuar nga ata që privatizojnë ligjet për të përfituar. Ata janë me status: gjyqtar apo prokuror, mjek apo profesor, bankier apo doganier, pronar kompanie ndërtimore dhe përmbarues vandalë, gjakmarrës a kriminel, mbjellës droge apo prostitucioni, me pushtet dhe pa pushtet, ndodhemi të kërcënuar në një fushë të hapur. Në këtë vorbull pasigurie ndoshta ne shqiptarët kemi kuptuar se duhet të ndryshojmë, le të gjithpërfshihemi për të çpistosur të ligën nga harta e Shqipërisë.
Së fundmi le t’i referohemi thënies të shkrimtarit Victor Hugo që i shkon realitetit tonë se si ne ndërtojmë shtetin: “Të jesh i mirë është e lehtë, vështirë është të jesh i drejtë.. “! Unë mendoj se të sapolarguarit ndërtuan shtetin në opsionin “të mirë”, plotësuan interesat e rrjetit mbështetës të shkallëzuar në ato personale të fisit duke mbjellur amulli; ndërsa kryeministri në detyrë nisi një udhë të vështirë, aspak të lehtë, edhe pse prodhon pakënaqësi apo thellon varfërinë në një kohë afatshkurtër, por ai ka bindjen se në planin afatgjatë shqiptarët do të fitojnë, ai duhet t’i vazhdojë këto reforma pa kompromis edhe midis të vetit.
Por…shtetformuesit tanë, historikisht janë të përfolur për ndërtimin e shtetit ligjor, me argumentin se ata me vështirësi pranojnë idenë e shtetit, larg vlerave duke preferuar interesin personal…kështu ata realisht duhet të kenë frikë nga fjala “burg”…
Kush ka frikë nga « burgu » ?