VETËM NË DISA FLETË TË VISAR ZHITIT/
(Koment i kreut “Zbarkuesi” në burgologjinë-roman “Rrugët e Ferrit”)/
Shkruan :Thanas L. GJIKA/
Nga kohët dhe popujt, nga diktaturat, nga perandoritë, nga veprat e shumta që dalin prej tyre, nga letërsia e gjithë ndodh që dhe vetëm në një libër, madje në disa fletë të tij, të mund të gjejmë një kumt dhe një sintezë, që na shërben ashtu si një çelës që hap porta të rënda, për të kuptuar realitetet dhe veten, të tjerët dhe ecurinë kolektive.
Kjo më ndodhi duke riparë dhe përsiatur mbi librin “Rrugët e ferrit” të Visar Zhitit, roman i vërtetë, ku të vërteta janë ngjarjet dhe personazhet, me emrat e tyre të vërtetë, prandaj dhe autori e quan me neologjizmin e tij “burgologji”. Ndala te kreu “Zbarkuesi”, është nga fundi i veprës, që duket si kreu i një kohë, që do të vinte.
Them që veprat letrare dhe artistike të mëdha krijohen prej shtytjeve të brenshme të autorëve atëhere dhe ashtu si ua kërkon shpirti i tyre krijues, si vetë jeta, si bota brenda dhe jashtë tyre. Ato nuk mund të krijohen me porosi sipas dëshirës së pushtetarëve, qofshin udhëheqës apo parti, por nga e kundërta e tyre. Letërsi dhe art të porositur sipas programeve të partive komuniste u krijuan gjatë shekullit të XX në Europën Lindore, në Bashkimin Sovjetik, në Kinë e gjetkë, por veprat e kësaj letërsie dhe të këtij arti, pas dështimit të sistemit komunist, ndjehen si mish i huaj në trashëgiminë letrare dhe artistike të këtyre vendeve. Por, u shkruan dhe të kundërtat e tyre, letërsi e lirë, vepra dëshmuese dhe denoncuese.
Kështu ndodhi dhe në Shqipëri mbas viti 1991, kur u pranua dështimi i sistemit diktatorial komunist. Mirëpo shumë prej krijuesve të veprave të realizmit socialist nuk deshën e nuk duan ta pranojnë këtë të vërtetë që është e hidhur për ta. Shumica e krijuesve shqiptarë të socrealizmit, bashkë me shumicën e studiuesve të historisë së Shqipërisë së shek. XX dhe të studiuesve të letërsisë së realizmit socialist, pra njerëz të përkrahur të regjimit komunist, u bënë grup dhe u përpoqën të justifikonin punët e tyre dhe të minimizonin e të nënvlerësonin krijimet e të përndjekurve të ndërgjegjes. Me një fjalë këta u vunë në shërbim të planit Katovica për të dëmtuar ecurinë e jetës drejt demokracisë së vërtetë, pse jo dhe të letërsisë që duhej. Duke pasur pjesën dërmuese të shtypit e medias në duart e tyre, këta krijues, në vend që të përpiqeshin të njihnin gabimet dhe krimet e tyre, u kundërvunë në mënyra e forma të ndryshme krijuesve të dalë nga burgjet e kampet e internimit. Iu kundërvunë asaj letërie tjetër, sepse krijuesit që kishin shkruar e prodhuar vepra realiste në kushte të rënda ku kryenin dënimet, i nxirrnin jashtë kohe veprat e socrealizmit.
Këtë letërsi të mbrujtur me qytetari të lartë, shumë krijues dhe studiues të socrealizmit bënë sikur e vlerësuan duke e quajtur “Krijimtari të kujtesës”, krijimtari që merrej me kujtimin e vuajtjeve personale pa arritur te universalja. Bënë sikur ia qanë hallin se ishte e pakët në sasi, se ajo nuk mund të quhej “letërsi disidente”, sepse atëhere diktatura shqiptare do të delte se kishte qenë e butë që kishte lejuar të krijohej kjo letërsi. Deshën pra t’ia mohonin cilësinë dhe heroizmin e krijimit në kushte ferri.
Për të treguar se vlerat e krijimtarisë letrare artistike nuk qëndronin te sasia, as te kujtimi i vuajtjeve individuale që kishin përjetuar të dënuarit e ndërgjegjes, Visar Zhiti shkroi studimin teorik letrar “Panteoni i nëndheshëm ose letërsia e dënuar”, botuar dy herë në 2010, si përsiatje dhe polemikë dhe në “Dielli”, NY, JUNE 29, 2019).
Zhiti sqaroi se një shkrimtar i vërtetë shkruan për dhimbjet, për holokaustin e tij, “Holokausti është një përvojë universale… që nuk ndan, përkundrazi bashkon” – shton ai fjalët e shkrimtarit hebre-hungarez Imre Kertész, nobelist, për të mbrritur te konkluzioni i vet: “Holokausti tashmë ka krijuar një kulturë” dhe kjo ka ndodhur jo vetëm në kulturën europiane, por edhe në letërsinë dhe artin shqiptar. Letërsia dhe arti shqiptar i të përndjekurve të ndërgjegjes është një ortek që shtohet nga dita në ditë, thekson Zhiti, dhe vlerat e saj nuk ka si të mos pranohen nëse duam të hyjmë në Bashkimin Europian.
Duke mbrojtur cilësinë, pra aspektin më qenësor të kësaj letërsie ai shton se nuk është zhgënjyese letërsia dhe arti që krijuan të dënuarit e ndërgjegjes në burgje e internime, por letësia e realizmit socialist. Në fund përgjithëson: “Letërsia e burgjeve” është një mrekulli ringjalljeje, do të thosha, se ajo u gatua në terret e vdekjes. Dhe në burgjet e diktaturës nuk u fut kurrëkush për t’u bërë shkrimtar, përkundrazi, por për të mos shkruar dot, për t’i thyer “penën dhe kokën”.
Pasi lexova disa romane të Visar Zhitit u ndala të vija në dukje arritjet letrare artistike të romanit “Ferri i çarë” në artikullin “Ferri i krimit dhe ata që e kundërshtuan”. E botova në gazeta dhe faqe interneti dhe në librin tim “Mosdënimi i krimit është krim i ri” OMSCA-1, Tiranë 2016, f. 21-31). Në përfundim të artikullit theksoja nevojën e interesimit të Ministrisë së Kulturës dhe asaj të Arësimit që vepra dyvëllimshe “Rrugët e ferrit” & “Ferri i çarë” të përpiqeshin për ta përkthyer në anglisht sepse kjo vepër dëshmon shumë qartë faktin se Visar Zhiti është “Shkrimtar i madh, shkrimtar misionar” që na nderon në plan botëror dhe meriton çmimin Nobel.
Kjo vepër për nga vlerat është krahasuar nga studiues, sidomos të huaj, me atë të Sollzhenicinit, kur përzihen dhe teknikat letrare të Kafkës dhe Xhojsit. Mirëpo askush nuk u interesua që kjo vepër madhore të përkthehej cilësisht në anglisht për të ndihmuar zhurinë e çmimit Nobel që ta lexojë e vlerësojë si meriton këtë vepër madhore të letërsisë sonë.
Thashë në fillim se do të ndalja të komentoj kreun e shkurtër prej dy faqesh, “Zbarkuesi”, nxjerrë nga romani “Rrugët e ferrit”, për të dëshmuar jo vetëm forcën e talentit të Visarit, por dhe profecinë e një personazhi.
Në hyrje me shkronja italike autori sqaron se shpesh bashkëvuajtës të ndërgjegjes, për ta kaluar më lehtë dënimin, zgjodhën të bënin rolin e injorantit, mbasi nuk e luanin dot rolin e të marrit, se më i marrë ishte sistemi dhe se ushtrojnë rolin e dinakut, nga që mençuria nuk lejohej. Në vijim riprodhon formulime nga propaganda qeveritare, që pasohen nga mendimet e veta kritike ndaj kësaj propagande që i bombardonte dhe ata gjatë kohë së dëgjimit të detyruar të lajmeve në TV ose shikimit të ndonjë emisioni. Pa e pasur formën e jashtme të dialogut, këto debate përbëjnë një aspekt të stilit letrar të Zhitit në veprën dyvëllimshe burgologjia.
Për të treguar se koha e sundimit të diktaturës komuniste ishte qeverisje e dhunës pa vizion, autori thotë se së sotmes (kohës kur ai vuante dënimin) i mungon strategjia kombëtare, që vazhdon dhe në të sotmen (kohën kur u shkrua vepra); dhe në opozitë me këtë fakt përmend se rilindësit tanë e kishin formuluar vizionin e tyre në veprën programatike “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”. Kritika thellohet duke zbuluar faktin se prapa propagandës për ndërtimin e komunizmit, fshihej shkatërrimi: “Ndërtojnë komunizmin duke shkatërruar atdheun. Po bëjmë Shqipërinë e re, thonë…” Dhe autori shpërthen në monolog të brendshëm: “por nuk shpiket Shqipëria, ajo është” dhe porosit: “Bëj një herë veten tënde!” Me fjalë të tjera, autori duket sikur u thotë troç qeveritarëve të djeshëm e të sotëm, mjaft na gënjyet se nuk mund të krijoni një shtet që ekziston prej kohësh, po shikoni të ndërtoni veten si njerëz me moral.
Dhe duke e vijuar këtë dialog midis zhurmave absurde të kohës, brenda telave me gjëmba, slloganeve propagandistike të pushtetarëve dhe mendimeve të autorit, kalohet te abuzimi i fjalës liri: “Ju sollëm (atë që s’e kanë as vetë), lirinë, u thonë shqiptarëve robër, të burgosur”. Dhe vijon me përgjigjen e vet retorike: “Ku ka të ardhme, kur vritet e tashmja”?
Përpara se të burgosej Visari kishte dëgjuar prej të atit biseda e opinione që ky kishte shkëmbyer me miq të tij. I kujton autori si terapi qetësuese ndaj vuajtjeve që po kalonte. Abaz Ermenji i kishte thënë Hekuran Zhitit se një historian francez gjatë shoqërimit nëpër Shqipëri, i kishte thënë: “vend i varfër dhe i paditur. I përshtatshëm për komunizëm”, mendim që e kishte pohuar dhe Haki Ballshi. Ky nacionalist përsëriste shprehjen “të jesh nacionalist, do të thotë të duash nënën tënde”, pra atdheun, kurse komunisti betohej se për idealin e partisë e mohonte dhe nënën. Miku tjetër, Hamdi Gani, ofshante kundër gjyqeve politike që dënonin intelektualë të pafajshëm dhe përsëriste shprehjen “një universitet më shumë, një burg më pak”. Kurse fisniku Panajot Papingji, i bardhë / i thinjur si Priami i Trojës, i kishte shkuar Hekuranit në shtëpi dhe i kishte thënë: “Nisemi ta takojmë djalin në Spaç. Prandaj kam ardhur”. Gjirokastriti Naim Babameto, që e njihte mirë diktatorin, heshtte, por ndonjëherë thoshte: “Nuk bënte dot Enver Hoxha diktaturë, diktatura bëri Enver Hoxhë…”.
Koha kur autori kujton këto ndodhi e dialogje të brendshëm, jepet shkurt: “Ah, dija të psherëtija ende, ikën koha në burg si uji skëterror e unë përsipër tij, kufomë e gjallë”. Pra ishte në fillim të dënimit, kur ende psherëtinte për jetën jashtë burgut dhe vuajtjet brenda tij. Nënkuptimi: shumë shpejt do të mësohej me vuajtjet dhe nuk do të psherëtinte më, ose do të bëhej poeti i fshehtë i psherëtimave?
Visar Zhiti është ndër ata të paktit që në të gjithë perandorinë komuniste shkruajti poezi në burg, fshehurazi, ia mësonin shokët përmendësh për të mos u harruar, nëse gjendeshin, ku i kishin rroposur, madje siç dëshmon autori, ai arriti t’i nxjerrë jashtë burgut, ishte bërë “specialist i kontranbandës së poezive të tij” dhe mundi t’i botojë pas ndryshimeve të mëdha në botë, kur ra komunizmi. Poezitë e burgut të Zhitit janë përkthyer dhe në gjuhë të tjera, italisht, rumanisht, në të gjitha gjuhët sllave të Ballkanit, etj, në frengjisht, gjermanisht, anglisht në librin e tij me poezi botuar anglisht në SHBA “The condemned apple”, përgatitur dhe përkthyer nga albanalogu i shquar Robert Elsie.
Me poezi autentike burgu kanë paraprirë në letrat shqipe Profesor Arshi Pipa dhe të tjerë poetë të vuajtjes dhe dhimbjes si Pano Taçi, etj, ndërsa këtë dhimbje e çoi në nivele të larta artistike poeti Frederik Rreshpja me të dalë nga burgu.
Poezia e të pushkatuarve, që nga martirët e Kishes shqiptare, te poetët Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi e Genc Leka, te i varuri i fundit Havzi Nelaj, është një heroizëm edhe letrar. Edhe proza e burgjeve dhe internimeve, romani dhe tregimi që sollën së bashku “ferrin e letrave shqipe” siç thotë Visari. Autorë si Astrit Delvina, Kasëm Trebeshina, Lazër Radi, Pjetër Arbnori, Bashkim Shehu, Fatos Lubonja, Maks Velo, Leka Tasi, etj, e pasuruan prozodinë në tërërsi, duke përfshirë dhe memuaristikën monumentale të At Zef Pllumit e më e reja, ajo e Spartak Ngjelës.
Jeta në burg ishte një shkelje me këmbë e njerëzores, na dëshmon Visar Zhiti, një dhëmbje dhe mohim, një përçudnim i njeriut. Ai pyet: “Pse e donin atdheun më shumë dikur? Apo ngaqë po e bënin vetë? Atdheu është njeriu. Sa pak fare çmohen sot!…”, pra përçmimi i njeriut kishte shpënë në mpakjen e dashurisë ndaj atdheut. Pikërisht ftohja e dashurisë ndaj atdheut shpuri tek eksodet apokaliptike, shpërnguljet e shqiptarëve të pas vitit 1990, të cilat vijojnë ende…
Pas këtyre pjesëve mbushur me të kaluarën, pra me jetë nga paraburgimi dhe me jetë nga ditët e burgut, autori bën një ndërfutje duke u dhënë vend mendimeve për të ardhmen, ç’do të jetë paskomunizmi. Ky është çelsi që doja të merrja në duar tani. Këtë parashikim e shpreh persoanzhi vërtetë i “Rrugëve të ferrit”, Ziso Vangjeli, një burrë truppakët, jo aq plak, por i përëndërrt. Ky ishte një person kompleks, historian dhe ushtarak, kishte qenë emigrant në Amerikë, kishte zbarkuar në Normandi me forcat amerikane si oficer, kishte punuar pas luftës në Paris e më tej në një klub kulturor. Së fundi ishte kthyer në atdhe me dëshirën që të punonte si pedagog, ia fali shtetit bibliotekën e tij të pasur, por përfundoi në burgun e Spaçit.
Visari, një ditë për të mësuar se ç’ e shtyu të kthehej në Shqipëri, e pyeti si me shaka: “Sëmundja e dashurisë për atdhe?”, Vangjeli i u përgjigj: “Mbase, por je më i sëmurë pa të”. Pra emigrantët e vjetër e donin atdheun, ndjeheshin të sëmurë pa të. Përgjigje që tingëllon kritikë ndaj ne të ikurve pas vitit 1990, që e shohim atdheun vetëm si vend vizitash turistike.
Pikërisht ky burrë i përëndërrt, jep sqarime të rëndësishme në bisedat e ndaluara që ndau me Visarin, të fshehta, që ky autor falë kujtesës së tij, na i bën të njohura dhe ne na ngushëllon fakti që shqiptarët kanë medituar dhe parashikuar:
“Kur të bjerë “komunizma”, – thoshte, – se do të bjerë “patjatër”, ne do të vuajmë më pas prej hibridit me “decenjë”… Komunistët janë të sofistikuar në politikën e kuadrit. Bijtë e të kuqve do të vijojnë baballarët. Ajo përzierje adhurimi, zelli dhe inati, herë e fshehtë e herë e hapur për baballarët e kuq që s’patën fuqi dhe mend të ishin të përjetshëm, do t’i bëjë më dinakë e më të ligj, pa besuar në përjetësi, pra në asgjë. Satanas do të thotë kundërshtar. Edhe pse i urrenin për vdekje, nga kundërshtarët e tyre do të vjedhin “idealizmën”, “pllanet”, “të thënat” e do t’i propagandojnë si barbarë për t’i vënë ata në jetë, kinse si amanete. Dhe do t’u duhet të zhdukin të zotërit e këtyre ideve. Do të lakmojnë pushtet të pamerituar si trashëgimtarë, si zanatçinj, që dora-dorës do t’u bjerë ngjyra e kuqe, për së jashtmi, dhe kundërshtarët do të bëjnë sikur do t’i durojnë. Do të kërkojnë të bëhen ata pronarë dhe, që t’ia arrijnë, me zulm do të bëjnë atë politikë që etërit e tyre e “lëftuan” gjithë jetën si bolshevikë të trashë. Kundërshtarët e të kuqve në Shqipëri, ç’kanë mbetur pas kasaphanave dhe të rinjtë që do të dalin, ç’papërvojë do të kenë? Dhe kështu do të sundojë te ne hibridi. Janë si monstrat. E për të luftuar ata duhet qenë si ata. Do të jetë më keq ca kohë. Liria e detyruar është burg, por i hapur. Kaos dhe pasiguri. Unë nuk do të jem atëherë. Ju do të jeni, ti, shefi i policisë, jeni të rinj. Kujtomë, ti, ti, mbamë mend. Po nuk kujtove, ke për të qenë satana si ai. Si satanai, si shefi i policisë…”
Dhe gjithë ky fjalim i brendshëm, që jehon në ndërgjegje dhe kujtesë, mbyllet me një thënie filozofike të Visarit: “…nuk jam unë njeri kundër komunistëve, janë komunistët kundër njeriut…”. Ky slogan asgjesues është i shkruar dhe në muret e zyrave të shoqatave të ish të përndjekurve.
Më tej rrëfimin autori e rikthen te gjendja e vështirë e të burgosurve. Puna e rëndë po e shkatërron Visarin fizikisht e shpirtërisht: “Sa herë na qethin, më duket sikur nis rrjepja në kokë”. (Jo vetëm pse makinat qethëse ishin të vjetra e të prishura). “Pastaj vazhdojnë të na rrjepin të gjithin dhe unë ndihem pa lëkurën e identitetit, me moral të kalbur. Na skeletosën. Dhe vazhdojnë të na numërojnë si mall.
Shtyj vagonë pa fund, vagonë, vagonë, arkivolë metalikë të ditëve të mia. Më të lodhur shkojmë në punë. Mezi veshim rrobat prej balte të galerisë. Çizmet, ashtu si ujin, futin pabesi. Lopata është e rëndë si fillimi. Shkëmb i zi përballë, anash, sipër, poshtë, pas – tunel i sigurt, si vdekja. Duke u përpirë nga puna dhe frika e saj, na ikën ca trallisja e fundit e boshatisemi nga gjithçka, dhe nga skeletet. ‘O normën, o shpirtin’! Të dyja bëhen, po ç’i bëni pastaj shpirtrat tanë? Kaq shumë do të shpërthejnë si tufanet e nuk do t’i përballoni dot.
Ndaal! …al-t! – dëgjohen britmat e ushtarëve përgjatë rrethimit, ndërsa zbraz vagonin e mbushur me gjymtyrë të mineralta të burgosurish. Ndal – kumbon nëpër galeri, ndërsa kthehem duke shtyrë vagonin bosh, të cilin e përpjeta e bën më të rëndë. Gjithçka bosh ashtu është, më e rëndë”, shkruan me nëntekst autori dhe vijon përshkrimin plot figuraletrare: “Mbytem në djersë, ia ndiej rrëketë si rrëshqitje gjarpërinjsh të ujtë nëpër trup. Kullojnë fuqitë e mia, jeta ime.
Ndal! – dëgjoj brenda meje, mos vdis!”.
Ky përshkrimi Shalamovian i mundimit të ditës së punës, mbyllet me pasthirmën: “Edhe sot dola gjallë!…” Do të thosha si një paracaktim nga fati për letrat shqipe.
Në mbyllje të kapitullit tregohet se në burg kishte shkuar një i dënuar i ri, një djalë nga Veriu i Shqipërisë. Kishte një vrimë të frikshme në ballë. E kishte shkaktuar vetë pa dashje kur ishte ushtar, kishte tentuar të vriste veten me pushkë. Kishte vendosur tytën në gojë, por kur kishte shkrepur i ishte tundur dora dhe plumbi i kishte çpuar qellzën dhe i kishte dalë nga balli jashtë. “I shpëtoi vdekjes, shërbimit ushtarak, shton autori, por jo burgut”. – Me këtë sqarim, e mbyll kapitullin Zhiti, duke treguar kaq shumë gjëra nga jeta para burgimit, nga vuajtjet gjatë burgimit dhe nga ato që do të ndodhnin pas ndërrimit të regjimit komunist.
A mund të mos quhet qoftë dhe ky kapitull dyfaqësh perlë letrare që sfidon dhjetra romane të socrealizmit? Ndërkaq, nuk duhet të harrojmë se e tillë është e gjithë vepra.
Burgologjitë “Rrugët e ferrit” për Spaçin dhe “Ferri i çarë” për Qafë-Barin të Visar Zhitit përbëjnë diptikun, zhanër ,e të cilin është arritur një majë, ku nga e veçanta shikohet e tëra, universalja, e barabitshme me të gjitha kryeveprat botërore.