“Ne nuk mund te bejme gjera te medha, por ne mund te bejme vetem gjera te vogla me nje dashuri te madhe”. (E Lumja Nene Tereze)/
Nga Sadik ELSHANI/*
Lajmet qe na vijne koheve te fundit nga trojet etnike nuk jane edhe aq te mira. Gjendja e acaruar politike ne Kosove, poashtu edhe ne Shqiperi, sjellin nje tabllo te mjegullte, te zymte dhe jo aq optimiste. Por ja qe ne kete sezone festash na vjen nje lajm shume i gezuar, jo nga trojet tona, por nga Vatikani: Papa Francesku ka aprovuar mrekulline e dyte te se Lumes Nene Tereze dhe ajo mund te shpallet Shenjetore ne shtatorin qe vjen. Ky eshte nje lajm shume i gezueshem per te gjithe shqiptaret, eshte nje dhurate mbarekombetare e permasave historike e boterore. Jo vetem keto dy mrekulli, por edhe vete shfaqja e Nene Terezes ne kete bote ishte nje mrekulli, jeta e vepra e saj ishin mrekulli. Ne perkulemi me nderim te thelle para figures dhe vepres se saj, por edhe e mbajme koken lart per nderin dhe lavdine qe i ka dhene kombit tone dhe gjithe njerezimit. Ajo ishte dhe mbetet nje rast i rralle ne historine e njerezimit dhe eshte rast i pashoq, i vecante (unikat) ne historine, jeten dhe boten shqiptare. Eshte kurore dafine e vlerave tona kombetare. Nje grua me nje trup te imte, por me shpirt te gjere e fisnik, me zemer te madhe e plot dashuri per te gjithe, arriti qe pa asgje, pa asnje pasuri te beje shume. Ketu mendojme vetem per pasurine materiale, sepse Nena jone ishte e begatuar me virtytet me te mira njerezore, ishte e brumosur me ndjenjat e sakrifices, vetemohimit, me deshiren e vullnetin e forte per te bere dicka me shume se vetja e saj. Jane keto veti, pasuri hyjnore qe lene nen hije te gjitha pasurite, joshjet e lakmite materiale. Ajo kurre nuk beri dallime ne mes njerezve te botes, pa marre parasysh kombesine, besimin fetar, ideologjine, etj. I ndihmonte te varferit e te vuajturit ne shumicen e vendeve te botes, sepse per te cdo jete kishte vlere dhe cdo qenje njerezore e meritonte te trajtohej me dinjitet. Ishte dhe gjithmone do te mbetet nje personalitet qe rrezatonte miresi, dashuri njerezore. Ne te gjalle te saj ajo ishte nje shenjte ne toke, tani qe ajo ka kaluar ne amshim, do te jete nje shenjte edhe ne qiell.
Nene Tereza eshte misherim, personifikim i dashurise, meshires dhe miresise njerezore:
Per te varferit ajo ishte jetese
Per te deshperuarit, shprese
Per te verberit, drite
Per te molisurit, shpirt
Per te pashpreset, shpetim
Per te semuret, sherim
Per mekataret, falje e pajtim
Per te pastrehet, vater e shtepi
Per te deshperuarit e te padashurit, dashuri
Per te braktisurit, ngrohtesi e perzemeresi
Per njerezimin, paqe e miresi
Nder e krenari per kombin tone
Gonxhja jone, Nena jone, Shenjetorja jone!
Te gjitha keto ajo arriti t’i bente me kembengulje, me perkushtim, me flijim te tejskajshem dhe gjithmone me nje dashuri te pakufishme per qenjen njerezore. Vete ajo eshte shprehur: “Ne nuk mund te bejme gjera te medha, por ne mund te bejme vetem gjera te vogla me nje dashuri te madhe”. Dhe eshte pikerisht dashuria, respekti per njeri – tjetrin qe jane duke munguar sot ne shoqerine shqiptare, shoqerine njerezore. Nene Tereza nuk e kerkoi voten e askujt, nuk e kerkoi miratimin e askujt, nuk priti urdhera nga askush, por ajo e ndjeu thelle ne ndergjegjen e saj nje thirrje nga Qielli, se mund te bente dicka per te miren e njerezimit, u ngrit ne kembe dhe iu pervesh punes. Kjo quhet prijesshmeri, udheheqshmeri (lidership) – mos prit per askend, por prij, te tjeret do te ndjekin pas. Shembulli i Nene Terezes eshte nje ilustrim i mire qe tregon qart se shenjetoret nuk jane vetem ato figura te pasqyruara neper ikona, afreske kishtare, ne faqet e Bibles dhe librave tjere fetare, por jane edhe njerezit e zakonshem, njerezit e thjeshte qe me angazhimin e tyre me plot perkushtim, arrijne te bejne gjera te jashtezakonshme, te bejne mrekullira. Ajo eshte bere ambasadorja jone me e denje ne tere boten, ajo misheron vlerat tona te larta kombetare e njerezore, ajo eshte bere leternjohtimi yne, pasaporta jone, duke e ngritur lart emrin e Shqiperise, emrin e kombit tone. Sikur te kishte jetuar poeti yne kombetare, Naim Frasheri, ne kohen e saj, me siguri do t’i kishte kushtuar ndonje varg: “Ti Nene Tereze na jep nder….” E kam perjetuar nga afer forcen e personalitetit te saj. Si sot me kujtohet vizita se saj ne Zagreb (mesi i viteve te 80-ta). Une atehere kam jetuar dhe punuar ne Zagreb dhe kur degjova per viziten e saj ne Katedralen e Zagrebit, menjehere shkova atje. Perpara Katedrales ishin tubuar shume njerez dhe teper te entuziazmuar, deri ne ekstaze, e therrisnin emrin e saj, mundoheshin, shtyheshin qe te afroheshin sa me afer saj , ta preknin me duar, te merrnin bekimin e saj.
Kur flasim per jeten dhe vepren e saj, mrekullite e saj, edhe une kam per te trguar per nje mrekulli, nese mund ta quaj keshtu, qe lidhet me Nene Terezen. Kur isha student ne Zagreb, nje dite nje kolege nga Hercegovina me tregoi se, nje shoqe e saj i kishte thene se qe nga casti qe ajo e kishte marre vesh qe Nene Tereza ishte shqiptare, ajo kishte filluar t’i respektonte shqiptaret. Ndoshta nje e dhene e parendesishme, por duhet theksuar se ne ate kohe ne pjesen dermuese te ish Jugosllavise, shqiptaret nuk shikoheshin me sy te mire per shkak te paragjykimeve te tyre te gabuara, madje mund te thuhet edhe raciste. Por ja qe emri i Nene Terezes ka bere qe t’ia nderroje mendjen nje vajze te re qe ne nenvetedijen e saj ka pasur paragjykime te tilla. Me siguri ajo ka ndryshuar edhe shume e shume mendje te tjera. Njerezit e medhenj, si Nene Tereza ne kete rast, perfaqesojne dhe rrezatojne vlerat e verteta te nje kombi dhe bejne qe ai komb te nderohet edhe nga te tjeret, te shihet me sy te mire. Veprat e mira bejne pershtypje te mira, perhapin nje jehone te mire.
Ne me shume dashuri, respekt e krenari e nderojme dhe mburremi me Nene Terezen, Nenen tone, Shenjetoren tone. Populli yne ne te gjitha trojet etnike i ka ngritur permendore Nene Terezes, rruget, sheshet, institucionet, organizatat, shoqatat e fondacionet e shumta e mbajne emrin e saj. Por, permendorja me e madhe qe ne mund t’i ngreme Nene Terezes, nderimi me i madh qe ne mund t’i bejme asaj dhe te gjitha figurave madhore te kombit tone, duhet te jete perkushtimi yne qe te vazhdojme veprat e tyre, t’i mbajme gjalle e t’i zbatojme ne jete mesimet e porosite e tyre te vlefshme, te ndjekim shembullin e tyre. Kur i kujtojme, kur i vleresojme figurat e medha te kombit tone, duhet t’ia parashtrojme edhe vetes sone disa detyra e pergjegjesi, te pyesim veten tone: Po ne c’mund te bejme, pse jemi duke ndenjur duarkryq? Dhe t’i pervishemi punes per te bere dicka me shume se vetja jone, brenda mundesive tona, dicka per kombin tone dhe pse jo edhe per tere njerezimin. Edhe qeveritaret tane, ministrat e deputetet duhet t’ia bejne vetes te njejten pyetje. Tekefundit, ata e kane kerkuar voten e popullit per ta drejtuar shtetin, institucionet shteterore dhe duhet t’i kryejne me perkushtim pergjegjesite e tyre, te kujdesen per mireqenjen e popullit dhe jo mireqenjen e tyre, te familjareve e klaneve te tyre. Te marrim shembull nga jeta dhe vepra fisnike e Nene Terezes! Ky do te ishte nderimi me i madh qe ne mund t’i bejme Nenes Sone!
Te shpresojme se viti 2016, qe do te jete edhe Viti i Shenjterimit te Nene Terezes, do te sjell energji te reja, energji pozitive, mirekuptim, dashuri e respekt per njeri – tjetrin ne te gjitha trevat tona, ne jeten e cdo shqiptari. Gezuar!
Philadelphia, dhjetor, 2015
Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.
Veteshkaterrimi, vetevrasja e nje shteti te ri
“Shume gjera te keqia nuk do te kishin ndodhur kurre, sikur te mos ishin bere ne emer te nje kauze te mire.”- (Shandor Petefi (1823 – 1849) – poet dhe revolucionar hungarez)/
Nga Sadik ELSHANI/
Gjendja e trazuar, e acaruar ne Kosove eshte per cdo shqetesim dhe per cdo kritike. Kjo nuk eshte Kosova qe e kemi enderruar, kjo nuk eshte Kosova e aspiratave, perpjekjeve e lufterave tona shekullore per liri e pavaresi. Neper shekuj Kosova eshte shkaterruar, djegur e pjekur. Armiqte tane na keqtrajtuan e na vrane, na i bene njeqind te zeza, por nuk arriten te na thyejne shpirtin, te na mbysin shpresen. Edhe ne ditet me te erreta te historise sone, populli kishte shprese se do te vije edhe dita jone, do te vije liria e demokracia. Pas perpjekjeve mbinjerezore, lufterave te panderprera, erdhi edhe ajo dite – Kosova u shpall shtet i pavarur. Si shtetin me te ri te nje kontinenti te vjeter, e pagezuan “Newborn” (i porsalindur). Por ky fare “Newborni’, ky shtet foshnje, per t’u rritur i shendosh, ka nevoje per kujdesin, dashurine e te gjitheve. Veprimet e politikaneve tane te te gjitha ngjyrave dhe orientimeve politike, qeveri – opozite, me veprimet e tyre te papergjegjshme jane duke e mbytur kete te porsalindur. Veprimet e tyre te rrezikshme jane veteshkaterrimi, vetevrasja e ketij shteti te ri. Ate qe nuk arriten te na bejne te tjeret, armiqte tane, ne po ia bejme vetes sone, po ia vjedhim, po ia mbysim shpresen vendit tone, popullit tone. Nje komb vdes kur i vdes shpresa, kur i vdes e ardhmja. Kurrkush nuk ta ben ate qe ti ia ben vetes tende – thote nje fjale e urte e jona. Pavaresia e nje vendi eshte kurorezimi i te gjitha perpjekjeve per liri, por te mos harrojme se ajo eshte vetem hapi i pare ne rrugetimin e gjate e te pambarim per te ndertuar nje shtet te lire, demokratik, funkcional e te qendrueshem.
Secila pale e perfshire ne kete rreth te cmendurise i ka fajet dhe pergjegjesite e veta. Pozita eshte zgjedhur per te qeverisur, per t’i sherbyer popullit dhe jo per t’u sjellur me arrogance si sundimtare me pushtet te pakufijshem. Duhet te jete e tejdukshme (transparente) dhe t’i trajtoje te gjithe me dinjitet, perfshire edhe opoziten. Ne bashkebisedimet me Serbine duhet te jete teper e matur, teper e kujdesshme dhe te keshillohet edhe me opoziten, me ekspertet e lemive perkatese dhe kurresesi nuk duhet te nenshkruaj marreveshje qe e demtojne sovranitetin e Kosoves. Ne marredhenjet me europianet perfaqesuesit tane duken sikur vuajne nga kompleksi i ultesise (inferioritetit) dhe sillen me nje lloj servilizmi. Perkundrazi, duhet te bashkebisedojne nga nje lartesi morale, sepse ne jemi pala e vuajtur, pala qe ishte dhe eshte ne anen e drejte. ShBA-ve dhe aleateve perendimor do t’u jemi gjithmone mirenjohes per te gjitha ato qe kane bere per Kosoven, por me shume njerezi e miqesi duhet t’u themi se disa gjera jane te pepranueshme, te demshme per ne dhe duhet te jene te papranueshme edhe per ata.
BE-ja nuk ka nje qasje te drejte e serioze ndaj Kosoves dhe me veprimet e tyre te pamatura po mundohen te shkaterrojne ate per te cilen kane investuar shume gjate dy dhjetevjecareve te fundit. Vertet Europa misheron vlera te larta njerezore, por sic duket ka edhe nje segment qe cilesimi i At Gjergj Fishtes i shkon mire per shtati. Krijimi i enklavave, zonave, rezervateve te pastra ne baze te perkatesise kombetare nuk pasqyrojne dhe nuk misherojne vlerat njerezore, vlerat europiane. BE-ja qe ka per synim bashkimin e nje kontinenti ne nje shtet te vetem, perkrah dhe kerkon ndarjen e nje shteti te vogel. A ka absurd me te madh?! E perkedhelin Serbine sikur te mos kishte ndodhur asgje, sikur nuk eshte ajo Serbi qe kreu krimet me mizore ne kontinentin europian qe nga Lufta e Dyte Boterore, kreu gjenocid ndaj popujve te pafajshem. Edhe ne i kemi fajet tona. Deri kur te tjeret do te na kryejne punet qe ne duhet t’i kryejme vete?! Si do te na trajtojne te tjeret me seriozitet e respekt kur ne nuk jemi serioz, nuk e respektojme veten tone?!
Shqetesimet, kerkesat e opozites sado qofshin te drejta, mjetet qe ata perdorin nuk kane vend ne institucionet e nje shteti demokratik. Dhuna dhe gazi lotsjelles nuk kane dhe kurre nuk duhet te kene vend ne Kuvendin e Kosoves. Sjellje te tilla nuk i kane hije nje deputeti, ose deputeteje qe perfaqeson nje pjese te popullsise ne institucionin qe duhet te jete Tempulli i Shenjte i Demokracise. Dhuna e nxit dhunen dhe gjendja del jashte kontrollit, sic eshte duke ndodhur sot ne Kosove. Pamje te tilla, tym e flake, japin nje pasqyre shume te shemtuar per te gjithe, qytetaret e Kosoves dhe miqte e perkrahesit tane, te cilet pak nga pak jane duke e humbur durimin me ne. Sjelljet e papergjegjshme te opozites jane duke e kaluar cdo kufi: Gjella me kripe, kripa me karar, thote nje fjale e urte popullore. Kundershtimin e dy marreveshjeve, ata po mundohen ta shfrytezojne si nje casus belli per t’i arritur disa qellimi te tjera, permbysjen e qeverise. “Shume gjera te keqija nuk do te kishin ndodhur kurre, sikur te mos ishin bere ne e mer te nje kauze te mire”, ka thene poeti dhe revolucionari hungarez, Shandor Petefi. Edhe sot ne Kosove, shume gjera te keqija jane duke ndodhur ne emer te ceshtjeve te Kosoves. Sic po duket udheheqesit e disa partive politike opozitare (edhe te pozites) jane te etur, te dehur per pozite, per pushtet. Ne demokraci qeverite “rrezohen” me voten e lire dhe procedurat tjera demokratike e kushtetuese. Me sjelljet e tyre opozita po tregon se nuk eshte nje alternative e denje per te qeverisur. Bllokimi i Kuvendit te Kosoves nuk eshte fitore e askujt, por eshte vetem humbje e te gjitheve. Dy te keqija nuk bejne nje te mire. Me demagogji e retorike bombastike, nuk zgjidhen problemet, mosmarreveshjet, nuk arrihet pajtimi. Shkaterrimtaret nuk mund te behen ndertues te mire.
Kosova si shteti me i ri i kontinentit, qe ka vuajtur shume gjate tere historise se saj, tani ka nevoje per qetesi. Ajo po ballafaqohet me sfida e probleme te shumta: papunesia, varferia korrupsioni, mungesa e ligjit, e shume te tjera. Ndersa udheheqesit tane sillen si kalamaj, sillen sikur Kosova te ishte prone e tyre. Kemi shume per te bere, koha e azganise ka kaluar. Tani duhet te jete koha e urtesise, mencurise, perkushtimit per te ndertuar nje shtet funkcional me institucione demokratike. Kete cdo dite na e thone edhe ata qe na duan te miren, miqte tane. Kete e tha edhe Sekretari i Shtetit, John Kerry, gjate qendrimit te tij ne Kosove pak dite me pare. Por sic duket disa i “perkthyen” fjalet e tija, ashtu si u pelqen atyre. Me kete gjendje te rende e kaotike jane duke u kenaqur vetem kundershtaret dhe armiqte tane te shumte.
Zgjidhja e vetme e kesaj gjendje te rende eshte bashkebisedimi i cilter, serioz e pa doreza, vullneti i mire per te ecur perpara, per t’i tejkaluar se bashku te gjitha sfidat per te miren e Kosoves. Zenkat meskine, perleshjet, lufterat, revolucionet i kane dale per hunde popullit tone. Kompromisi, mirekuptimi, bashkepunimi, respekti per njeri – tjetrin, forca e argumenteve, fakteve (jo forca e muskujve) duhet te mbizoterojne ne skenen politike e publike te Kosoves. Ata qe vertet e duan Kosoven, nuk e shkaterrojne ate, por punojne me kembengulje e perkushtim per ta ndertuar ate. Mjaft me me keto veprime te pakuptimta, veteshkaterruese, vetevrasese per shtetin e ri te Kosoves!
Philadelphia, 16 dhjetor, 2015
Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.
“Piktura eshte poezi e heshtur” – Sali Shijaku
Me piktorin Sali Shijaku/
Nga Sadik ELSHANI-Filadelfia*/
Ne fund te vitit 1978, me rastin e 100 Vjetorit te Themelimit te Lidhjes Shqiptare te Prizrenit, ne ish Jugosllavi u hap nje ekspozite e madhe me veprat e piktoreve dhe skulptoreve te Shqiperise. Kjo ekspozite fillimisht u hap ne Shkup ne fund te nentorit, per te vazhduar pastaj ne Prishtine e Beograd. Une atehere isha student ne Universitetin e Zagrebit dhe hapja e ekspozites ne Shkup perkonte me festen e 29 Nentorit qe ishte feste kombetare ne Jugosllavi. Ne qe studionim jashte Kosoves zakonisht festat i shfrytezonim per te vizituar familjet tona, por ne kete rast kisha edhe nje arsye edhe me te forte: pervec familjes, doja ta vizitoja edhe ekspoziten e artisteve figurative shqiptare. Ne Suhareke/Therande familja jone e kishte nje dyqan te pemeve dhe perimeve dhe vellau im i madh, Shefketi, mallin e merrte kryesisht nga Shkupi. Atehere, nje dite u nisem heret per ne Shkup, vellau me la te kalaja e Shkupit ku ndodhej galeria e arteve dhe vazhdoi per t’i kryer punet e veta. Ishte heret ne mengjes, galeria sapo ishte hapur, une isha vizitori i pare dhe per nje kohe i vetem. Shikoja pikturat dhe skulpturat e artisteve shqiptare: Abdurrahim Buza, Nexhmedin Zajmi, Ksenofon Dilo, Sali Shijaku, Kristaq Rama, Zef Shoshi, Pandi Mele e shume e shume te tjere. Une deri diku e njihja krijimtarine e artisteve figurative shqiptare, sepse ne vitin 1972 e kisha vizituar ekspoziten e pare te artisteve te Shqiperise te hapur ne Prishtine.
Pasi isha vetem ne galeri, ishte nje qetesi e thelle, vetem nganjehere degjoheshin levizjet e punonjesve te galerise. Por nuk vonoi shume dhe degjova pak zhurme te dera e hyrjes se galerise, ishte nje grup prej 4 – 5 vetesh. Menjehere e kuptova se ishin artistet shqiptare, sepse te parin qe hyri, e njoha menjehere. Ishte piktori Sali Shijaku. Per mua ishte nje befasi e kendshme, sepse as qe e kisha paramenduar se aty do t’i takoja piktoret dhe skulptoret shqiptare. Ata kishin ardhur per ta shoqeruar ekspoziten. Shkova ne drejtim te tyre tere i entuziazmuar, i ngazellyer, u tregova se kush isha dhe iu drejtova te parit duke i thene se, ai ishte Sali Shijaku. Ata te gjithe u habiten: “E njohu Saliun!” Edhe ata, pervec Sali Shijakut qe e njoha, u paraqiten se kush ishin: Muntaz Dhrami, Kristaq Rama, Dhimitraq Trebicka dhe Niko Thana. Per ta shuar habine e tyre, atehere i tregova Sali Shijakut dhe te tjereve se se e kisha njohur ate. Tani po i tregoj edhe lexuesit te ketij shkrimi.
Gjate viteve te mia te gjimnazit ne Suhareke/Therande (1971 – 1975), aty diku nga vitet 1973/74, shkolla jone nen kujdesin e drejtorit te shkolles dhe profesorit tim atdhetar te gjuhes shqipe, Ramadan Shala, e kishte bere parapagimin per disa gazeta e revista nga Shqiperia: “Drita”, “Mesuesi”, “Nentori”, “Teknika”. Gazetat “Drita” dhe “Mesuesi” ne fund te vitit i dergonin ne Prizren te liberlidhesi dhe numrat e nje viti i lidhnin bukur ne nje liber te vetem. Profesori im kishte besim te une dhe m’i lejonte qe gjate pushimeve dimerore t’i merrja dhe t’i lexoja me kujdes ne shtepi. Neve ne Kosove na interesonte shume te dinim per Shqiperine, sepse atehere nuk kishim shume burime te informacioneve, pervec Radio Tiranes dhe Radio Kukesit, qe i degjoja rregullisht (Radio Tiranen, edhe kur isha ne studime ne Zagreb). Me vone, aty nga viti 1979 filloi ta kapte edhe Televizionin Shqiptar. Ne nje nga numrat e gazetes “Drita” e kisha lexuar nje shkrim per piktorin Sali Shijaku qe atehere kishte patur nje qendrim pune ne Divjake. Shkrimi, qe ishte nje reportazh per punen dhe angazhimet e tij ne Divjake, shoqerohej edhe me nje fotografi te piktorit dhe une e kisha mbajtur mire ne mend. Kur ia permenda kete Sali Shijakut, ai me tha se me shume ishte marre me gjueti sesa me pikture gjate atij qendrimi ne Divjake.
Meqenese dolem te “njohur” me Sali Shijakun, atehere ai me shoqeroi neper tere ekspoziten. Se bashku me veprat e piktoreve dhe skulptoreve tjere, ishin ekspozuar edhe pikturat e tij: “Mic Sokoli” (duke e vene gjoksin ne topin e ushtrise turke), “Vojo Kushi” ( mbi tank), “Zeri i mases”, “Fshati kufitar”, etj. Kuptohet, ato kryesisht ishin vepra te realizmit socialist, me ndonje perjashtim te rralle. Sali Shijaku me pyeti se cila pikture e tij me pelqente. I thashe se nuk mund t’i dalloja, por do ta vecoja “Mic Sokolin”, jo vetem per figuren dhe aktin e tij heroik, por edhe per ngjyrat, dramaticitetin, kompozicionin qe pasqyronte kjo pikture. Pastaj ai me tha se shoket ia pelqenin shume pikturen “Fshati kufitar”, qe ishte nje peizazh i nje fshati kufitar, sic e thote edhe vete titulli. Per pikturen “Zeri i mases”, ai me spjegoi: Nje dite, tha, ne studion time erdhen nje grup punetoresh dhe me propozuan qe te beja me shume tema nga jeta e klases punetore (kuptohet, sipas rrethanave dhe praktikave te atehershme). Atehere une u thashe, vazhdoi piktori, do t’ju pikturoj juve qe me keni ardhur ne studion time te punes. Meqenese ata ishin artiste, atehere bisedat tona pervec bisadave te rastit, kryesisht kishin te benin me artin, shqiptar e boteror. U tregova se ne veren e atij viti (1978) kisha qene ne nje kurs veror te gjuhes frenge ne qytetin Menton, ne Bregdetin Azur dhe se ne qytetin Cagnes sur Mer e kisha vizituar shtepine e piktorit te njohur impresionist, August Renoir (1841 – 1919). Ata u habiten per kete, por edhe me shume u habiten sesi kisha mundur te shkoja ne France( atehere sistemet ne Jugosllavi e Shqiperi ishin krejtesisht te ndryshme). Pastaj i pyeta se a kishin degjuar per piktorin me fame boterore, Ibrahim Kodra ( 1918 – 2006 ). Po, thane si neper dhembe, por kuptohet se ata i perkisnin stileve te ndryshme artistike dhe ai jetonte ne Itali, prandaj kjo teme nuk u zgjate me shume. Ne ne Kosove dinim mjaft per piktorin Ibrahim Kodra. Me ate naivitetin tim te atehershem i pyeta se pse nuk merreshin edhe me tema, teknika, stile te tjera, por kryesisht me ato historike, te luftes dhe te punes – te realizmit socialist. Sali Shijaku me mjeshteri, me shume kujdes (delikatese) m’u pergjigj se, prinderit i kishin shkolluar ata dhe ata donin qe prinderit t’i kuptonit pikturat e tyre. Edhe kete bisede nuk e zgjatem me teper. Ne atehere ne Kosove nuk i dinim shume gjera per jeten ne Shqiperi. Me vone per te vizituar ekspoziten erdhen edhe studentet e gjuhes shqipe prane Universitetit te Shkupit, te shoqeruar nga profesori Zeqirja Neziri, te cilin me vone e kam takuar ne Zagreb ku ai i ndiqte studimet pasuniversitare. Bisedat tani u zgjeruan, edhe te tjeret perfshiheshin ne biseda dhe mua dikur me erdhi koha per t’u kthyer ne Suhareke/Therande. Ekspozita shoqerohej edhe me nje katalog dhe ne fund te gjitheve u kerkova nenshkrimet nen pikturat e tyre perkatese ne ate katalog, te cilin ende e ruaj. Kur eshte fjala per tematiken e pikturave dhe skulpturave te kesaj ekspozite, me kujtohet titulli i shkrimit te nje kritiku arti qe ishte botuar ne nje gazete te Beogradit: “Kazma dhe pushka”. Por nder te tjera ai e vleresonte talentin, perpjekjet dhe punen artistike te piktoreve dhe skulptoreve shqiptare.
Ai takim per mua ishte nje perjetim i kendshem, sepse ne qe mbetem jashte kufijve shteteror te Shqiperise, gjithmone ishim kurreshtare te takonim njerez nga Shqiperia. Meqenese keto takime ishin teper te rralla, ne me shume mall e dashuri i takonim bashkekombasit tane. Nuk dua te zgjatem ne kete teme, por atehere udhetimi per ne Shqiperi ishte teper i veshtire, vetem grupe te caktuara mund te shkonin, ndersa nga Shqiperia vinin kryesisht grupet artistike dhe shoferet qe transportonin mallra te ndryshem. Prandaj ne mundoheshim qe ne keto raste te takoheshim me ta gjithesesi.
I kam shkruar here pas here Sali Shijakut, por ende nuk kam patur mundesi qe ta takoja perseri. Ne vitin 1988 kam ardhur ne Amerike dhe disa here qe kam qene ne Kosove, rrethanat familjare nuk me lejonin qe te shkoja edhe ne Shqiperi. Por ja, ne fillim te shtatorit te vitit te kaluar e shfrytezova rastin per te vizituar Tiranen per nje dite dhe vizita e pare ishte ne shtepine-galeri te piktorit Sali Shijaku. Ajo eshte nje shtepi e vjeter katerqindvjecare, e madhe me nje arkitekture terheqese, karakteristike tiranase dhe eshte shpallur monument i kultures, i mbrojtur nga shteti. Menjehere sapo hyn ne oborrin e shtepise, e sheh se eshte shtepi artisti: guret jane rregulluar bukur dhe formojne nje mozaik te bukur, qypat, vazot e luleve, oxhaku dhe cdo gje tjeter jane prekur nga dora e kujdesshme e artistit, jane te rregulluara bukur me nje shije te holle artistike. Edhe turbina e drunjte e mullirit te vjeter te le pershtypjen e nje vepre arti. Oborrin e zbukurojne dhe i japin gjalleri lulet, portokallet, limonet, ullinjte e palmat. Fatkeqsisht ate dite nuk mund ta takonim Sali Shijakun, sepse ai kishte disa jave qe po qendronte ne Itali. Dy djemeve e tij, Nusetit dhe Orgesit, edhe ata piktore, u tregova se kush isha dhe si e kisha njohur babain e tyre. Mua, vellaun tim, Halitin dhe shokun tone, Shyqri Kuci, ata na priten shume mire, me shume miqesi, respekt e perzemersi. U futem brenda ne shtepine-galeri, ajo edhe brenda kishte nje arkitekture terheqese e mjaft funkcionale: nje dhome e madhe e ndejes me oxhak dhe disa dhoma percjellese ne katin e pare, shkallet ne te dy anet qe te conin ne katin e dyte ku jane koridori dhe dhomat e gjumit. Muret ishin te tere te mbushur me piktura origjinale dhe riprodhime te pikturave me te njohura, origjinalet e te cilave ndodhen ne Galerine Kombetare te Arteve ne Tirane. Nuk mungonin edhe objektet tjera artistike e zbukuruese, si, vazo, qypa, poce, figura tekafsheve e shpezeve te punuara me materiale te ndryshme, qeramike, allci, etj. Ne ate kompleks funkcionon edhe nje restorant – vertet nje mjedis i bukur shlodhes, artistik e turistik i rrethuar me plot art. Kjo eshte shtepia e vetme e ketij lloji ne Tirane dhe ndoshta ne tere Shqiperine. Aty, natyra, historia, tradita, arti tradicional e modern, gershetohen, bashkejetojne ne harmoni te plote me njeri – tjetrin.
Sali Shijaku lindi me 12 mars 1933 ne Tirane. Ne vitin 1952 kreu Liceun Artistik “Jordan Misja” me pedagoget Abdurrahim Buza (1905 – 1986) dhe Nexhmedin Zajmi (1916 – 1991). Pastaj vazhdoi studimet e larta ne Institutin e Larte te Arteve “I. E. Rjepin ne Leningrad (sot Saint Petersburg) gjate viteve 1956 – 1961. Diplomen e mbrojti ne Shqiperi ne vitin 1962 ne Institutin e Larte te Arteve me tablone titulluar “Heronjte e Vigut”. Ka punuar si pedagog ne Institutin e Larte te Arteve, piktor dhe skulptor (1962 – 1988). Ne vitin 1979 e mori titullin “Piktor i Popullit”, ndersa ne vitin 2004 u nderua me titullin “Nderi i Qarkut te Tiranes”. Krijimtaria e tij eshte e gjere ne gjini, stil e teknike. Tematika e pikturave te tij eshte e gjere ku mbizoterojne motivet me tema historike, te luftes dhe te jetes se perditshme, peizazhet dhe portretet. Ai radhitet nder peizazhistet me te mire shqiptare. Nje teme e parapelqyer e piktorit eshte lufta e gjelave. Dritat dhe ngjyrat jane karakteristike dalluese e pikturave te tij. Si tradicionalja, ashtu edhe modernja zene nje vend te rendesishem ne krijimtarine e tij artistike, ne artin e tij te fuqishem e me plot ndjenja. Per pikturen Sali Shijaku shprehet: “Piktura eshte poezi e heshtur”. Ne GKA ruhen 92 vepra te artistit ne pikture e skulpture. Veprat e Sali Shijakut ndodhen ne shume vende te botes dhe jane pjese e galerive, koleksioneve te koleksionisteve te shumte brenda dhe jashte Shqiperise.
Nese ndodheni ne Tirane, shkoni e vizitone shtepine – galeri – muze te piktorit Sali Shijaku ne rrugen “Siri Kodra” dhe do te kaloni ca caste te kendshme ne shoqerine e artit dhe te mikpritesve shume te perzemert. Thuani se ju ka derguar Sadiku dhe i beni shume te fala piktorit te nderuar, Sali Shijaku!
Philadelphia, dhjetor, 2015.
Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.
Atdheut, popullit tend kurre mos ia kthe shpinen
Disa thenie te urta nga Sadik Elshani/
– Atdheut, popullit tend kurre mos ia kthe shpinen./
– Atdheut gjithmone i kemi borxh, atdheu kurre nuk na ka borxh per asgje./
– Bashkimi kombetar mund te behet vetem atehere kur nuk flasim me per te, por veprojme, punojme me perkushtim per te.
– Bashkimi nuk mund te behet me njerez qe refuzojne te ulen prane njeri – tjetrit, t’ia shtrijne doren njeri – tjetrit.
– Pajtimi nuk arrihet duke e gjuajtur njeri – tjetrin, por duke ia shtrire doren njeri – tjetrit.
– Besimi krijohet, fitohet gjate nje procesi te gjate jetesor, duke kaluar neper sfida te shumta e te veshtira, por mund te humbet edhe vetem per imtesine me te vogel.
– Zjarri me benzine nuk shuhet.
– Edhe traditat shumevjecare kane filluar me veprimtarine e pare – mos rri, vepro, bej dicka!
– Urrejtja te verbon, te prishe mendjen, dashuria t’i hap syte, ta hap zemren, ta kthjellon koken.
– Clirimi nga pushtuesi i huaj, nganjehere nuk eshte edhe liria e fituar.
– Kur liria e fituar keqkuptohet, keqperdoret, perbuzet, atehere sikur i ngjan pak roberise.
– Dikush mund t’i lidhe duart e kembet, por askush nuk mund t’i ve pranga shpirtit tend, ideve dhe idealeve tua.
– Forca e fakteve, argumenteve eshte me e forte se gjylet e topit.
– Ngrite zerin kunder te keqes sot , neser mund te jete teper vone.
– Njeriu i ditur qe nuk i shfrytezon, nuk i zbaton ne jete njohurite e tij, nuk eshte asgje tjeter vecse nje raft i mbushur me libra.
– Cdo qellim, veper madheshtore fillon me nje enderrim, arrihet, kryhet me pune e perpjekje te vazhdueshme e me plot perkushtim.
– Nese eshte terr, dhe ke mundesi te ndezesh nje drite te vogel – ndize. Ndoshta nuk mund ta ndricoje boten, por mund t’i jep shprese gjithe botes.
– Kur ke filluar te ndiesh lodhje – mos u ndal, sepse puna frytedhenese sapo ia ka nisur.
Philadelphia, dhjetor, 2015
Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.
13 Tetori – nje date, dy poete vigane: Migjeni dhe Driteroi
Reflektim ne ditelindjen e dy poeteve/
Nga Sadik ELSHANI/
Me 13 tetor te vitit 1911 lindi Migjeni, ndersa njezet vite me vone, me 13 tetor te vitit 1931 lindi Dritero Agolli. Eshte kjo nje rastesi e rralle, por ndoshta edhe nuk eshte rastesi, qe dy poete te medhenj te letersise sone te kene lindur ne nje date, kuptohet ne kohe te ndryshme, dhe qe te dy te jene nga me te medhenjte poete te brezit te tyre. Secili ne menyren e vet origjinale e pasuroi dhe i hapi shtigje te reja letersise shqipe. Fatkeqsisht, Migjeni u nda nga jeta ne moshe shume te re, pa i mbushur te njezeteshtatat, por jemi fatlum qe Driteroin ne moshen 84 vjecare ende e kemi ne mesin tone dhe e pacim edhe per shume e shume vite te tjera.
Migjeni pa dyshim eshte njeri nder emrat me te dashur ne tere letersine shqipe, sidomos eshte shume i dashur nga rinia shqiptare. Ai ne tere krijimtarine e tij artistike, si ne poezi, ashtu edhe ne proze, solli dicka te re e te papare gjer atehere ne letrat tona, solli nje stil te ri, nje force te re e te fuqishme shprehese. Me Migjenin fillon nje periudhe e re ne letersine shqipe, ndarja nga tradicionalja dhe romantizmi dhe fillimi i realizmit kritik. Konceptet e reja qe futi Migjeni ne letersine shqipe, teknika, figuracioni, vargu i lire dhe forca shprehese, tematika dhe realizmi me te cilat ai i trajtoi problemet e shoqerise shqiptare te viteve te tridhjeta i hapen letresise shqipe rrugen drejt bashkekohesise, drejt moderrnitetit. Migjeni se bashku me Lasgush Poradecin i dhane letersise shqipe vendin e vet ne letersine dhe kulturen europiane.
Paraqitja e Migjenit ne letersine tone eshte nje dukuri qe rralle shfaqet edhe ne letersine boterore. Me fuqine e tij artistike, Migjeni erdhi si nje meteor ne letersine shqipe dhe vdekja e hershme na e mori si nje meteor, por me krijimtarine e tij mbeti ne qiellin tone letrar nje yll qe do te shkelqeje gjithmone. Dhe sa me shume kohe qe do te kaloje, aq me teper ai do te shkelqeje, sepse ka nje magjepsje me vepren e tij, me jeten e tij te shkurter. Shkoi i ri dhe do te mbetet perhere i ri, i fresket dhe aktual. Kush mund t’i harroje poezite e tij, vargjet: “Perdite perendojne Zotat/ dhe rreshqasin trajtat e tyne neper futyrat tona”, “Pak drite! Pak drite, o shok, o vella!”, “Vjeshte ne natyre dhe vjeshte ne fytyrat tona”, “O, si nuk kam nje grusht te forte!…”, “U vodh kanga nga zemra e kombit”, “Rini, rini, thueja kanges ma te bukur qe di”, e shume e shume te tjere. Kush mund t’i harroje tregimet dhe skicat e tij: “Bukuria qe vret”, “Luli i vocerr”, “A do qymyr zotni”, “Legjenda e misrit”, “Historia e njenes nga ato”, etj. Pastaj eshte ky pseudonimi shume i bukur e shume muzikor: Migjeni. Jane pastaj mendimet dhe pyetjet qe gjithmone ia bejme vetes: “Po c’do te kishte bere Migjeni, c’do te kishte krijuar Migjeni, po c’do te kishte ndodhur me Migjenin sikur te kishte jetuar me shume?” Jane keto disa nga arsyet qe kane ndikuar per ta mbajtur gjalle interesimin dhe magjepsjen tone per Migjenin dhe vepren e tij. Migjeni jetoi, aq sa jetoi dhe beri ate qe beri. Ate qe beri dhe na ka lene trashegim, eshte e shkelqyeshme, e perjetshme dhe gjer me sot e paarritshme, e pakalueshme nga askush ne letersine shqipe. Me 27 vite e mbylli ciklin e jetes se tij, e mbylli krijimtarine e tij brilante.
Edhe Dritero Agolli, se bashku me Ismail Kadarene dhe Fatos Arapin, eshte poeti qe i ka prire brezit te tij. Eshte njeri nder shkrimtaret me te dalluar, me te dashur, me prodhimtar e me me ndikim ne letersine bashkekohore shqipe. Krijimtaria e tij letrare eshte mjaft e pasur ne gjini e lloje te ndryshme krijuese: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenare filmash, reportazhe, etj. Por mbi te gjitha, ai eshte i njohur si poet ne kuptimin e plote te kesaj fjale – mjeshter i vertete i vargut. Qe ne krijimet e tij te para ne poezi, ai u paraqit si nje ze i forte origjinal qe solli nje hov rinor, optimizem e freski ne letersine shqipe. Dritero Agolli krijoi nje model te ri te vjersherimit, si ne problematike, ashtu edhe ne figuracion dhe zhvilloi nje teknike mjeshterore shprehese te ndjenjave, vrojtimeve dhe shqetesimeve te tij. Lidhja e forte me token, natyren, me prejardhjen e tij fshatare e shpuri ne formimin e kredos se tij poetike: “S’jam poet, jam fshatar i jugut”. Vargu i tij kundermon me eren e ugarit nga brazdat e tokes se zeze dhe ne ato vargje shpesh rrjedhe edhe shume raki. Ne vargjet e tij mbisundon bota e gjalle, shenjterimi i natyres, i arave, i bagetise, por edhe dashuria ndaj prinderve, respekti per traditen, te kaluaren heroike dhe shqetesimet e jetes se perditshme.
Me shume mjeshteri e perdor frazeologjine dhe urtesine popullore, duke i gershetuar natyrshem vlerat tradicionale te poezise me menyra e forma te reja te shprehjes poetike. Me vargjet e tij plot frymezim, ai krijoi nje bote te re te tijen – nje bote agolliane, ku thjeshtesia e komunikimit, porosite universale (te pergjithshme) dhe shprehja e hapur e plot ndjenja, jane shtylla te forta ku mbeshtetet poezia e tij. Ngrohtesia njerezore e vargjeve te tij ka bere qe lexuesi qe shijon keto vargje, te njejtesohet (identifikohet) me vete poetin. Ky raport i ndersjelle poet – lexues eshte me teper i theksuar te Dritero Agolli se sa te ndonje poet tjeter ne letersine bashkekohore shqipe.
Kjo fryme poetike eshte mjaft e pranishme edhe ne prozen e tij qe eshte mjaft e suksesshme. Vlen te theksohet, se shumicen e krijimeve te Agollit e pershkon nje fryme e holle e humorit, madje edhe ne situata qe mund te jene shume serioze.
Ne kete date te shenuar te letersise sone, te kujtojme e te nderojme Migjenin tone te dashur, ndersa Driteroit t’i urojme shendet, jete te gjate e te lumtur, pleqeri te qete dhe te na dhuroje edhe shume e shume krijimne te bukura artistike.
Keto pak rreshta jane shkruar vetem per kete qellim dhe nuk metojne asgje me teper.
Gezuar!
Filadelfia, 12 tetor, 2015
Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.
- « Previous Page
- 1
- …
- 17
- 18
- 19
- 20
- 21
- …
- 25
- Next Page »