Nga Sali MANDRI/
Personaliteti i Azgan Haklaj përbëhet nga tre gurë të ndritshëm Rubini.Guri i parë është guri politik, ku Haklaj me karizmën dhe qëndresën e pashembullt u bë një model i triumfit të lirisë dhe të drejtave njerëzore, qoftë edhe nga qelitë e neo-diktaturës ku e izoluan për shkak të hapsirave të lirisë që ai zotronte brenda shpirti të tij.
Guri i dytë është guri artistik. Artist i lindur, bir i ujrave të kristalta dhe i drurëve magjik shekullor. Haklaj e kishte dhe e ka “thembrën e Akilit” në këmbë, teksa në valle fluturon si shqiponjat e maleve të tij krenare.
Guri i tretë, jo më pak i ndritshëm, është ai publicistik, angazhimi i tij në vektorin e të drejtës shqiptare kundër devijimit dhe manipullimit historik, kundër dallkaukëve dhe puthadorëve, kundër jeniçerëve të së keqes dhe kurorëshkelësve të atdhetarisë.
Të tre këto gurë vezullues bashkohen e shkrihen me diamantin e madh të veprimtarit të përkushtuar të çështjes kombëtare, duke vazhduar devizën e të parëve të tij, që u bënë flakadanë lirie në qiellin e qëndresës shqiptare.
Nëse të parët e tij i kulmuan armët e lavdisë në betejat e trojeve etnike Azgan Haklaj, ky pinjoll i ri i derës historike kulmon mbresa, reflektimet, replikat, shpirtin polemik në qindra shkrime dhe opinione që synojnë të mbajnë ndezur pishtarin e të drejtës kombëtare.
Azgan Haklaj e ka marrë gurin e vendlindjes, gurin e Shkëlzenit dhe e ka mbjellë me dashuri kudo ku ka shkelur: në Tiranë, Shkup, Kumanovë, Prishtinë, Gjilan,Artë e Filat, e ka mbjellë në Sarandë në thellësi të ujrave të Jonit, në malet e Sharrit, në grykat e Kaçanikut, në ugarët e Lushnjës e Ksamilit, në Shosh, Theth, Kelmend, Dibër, Lumë, Drenicë, bashkë me tingujt magjikë të Arif Vladit, Fatmira Breçanit, Gëzim Nikës, Shaban Zenelit, bashkë me trazimet poetike të Ali Podrimjes, Azem Shkrelit, Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Hamit Aliajt, në ujëvarën e hapave magjik të Besim Zekthit, Rexhep Çelikut e Liri Cingut duke qenë vetë një artist i përmasave europiane.
Si president i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, Azgan Haklaj, ka mbjellë në çdo cep të Shqipërisë jo vetëm këngën dhe vallen, vargun poetik dhe meloditë e etno-fisnikës sonë kolektive, por edhe shpirtin e tij të bardhë si bora e Korabit dhe Shkëlzenit.
Azgan Haklaj e ka marrë gurin mitologjik të Sifizit dhe e ka ngjitur përpjetë kohës së tij me një kurajo dhe mundim sizifian, por ndyshe nga heroi mitik Haklaj e çon gurin gjer në majë dhe nuk e lë të rrokulliset poshtë.
Shqiptaria e Haklajt, shqiptaria e Fishtës, Konicës, Lasgushit, Mjedës, Ali Ahmetit, Dedë Gjo Lulit, Nënë Terezës, Ibrahim Rugovës, Ismail Kadaresë, Ramush Haradinajt, është Shqiptaria Reale, e cila tashmë nuk është një iluzion por një realitet në veprim.
Për nga shpirti polemist Haklaj mund të quhet një Konicë i ri. Por ai nuk e ka polemikën qëllim në vetëvete, por një mundësi për të shprehur opinion e tij të shëndetshëm dhe për të vënë piketa atdhetarie në kohën e tij.
Librat e Azgan Haklajt janë dëshmi e gjithë kësaj tabloje mbresëlënëse, të cilën ai e ka krijuar me një përkushtim të admirueshëm.
Librat e tij janë një tjetër Gur Rubini që i bashkohen vektorit të shpresës shqiptare për një komb natyral në Europë.
* Poet, publicist, Dibër