Përkujtim i përvjetorit të martirit Sali Mujaj/
NGA RAMIZ MUJAJ/ New York/
Në vitin 1999, në muajt e dimrit në acarin më të madh, forcat paramilitare serbo çetnike dhe pjestarë Cerrno Gor, e fshinë përpara popullatën e komunës së Pejës. Në atë golgotë ishin edhe babai, nëna ime, familjarët si dhe farefisi im,që shkuan duarthatë nga qyteti i Pejës.Të gjithë pa përjashtim, pleqtë, gratë, e fëmijët, dhe të sëmurëve ju desh që ti lëshonin shtëpitë dhe të dilnin nxitimthi sipas urdhrit të paramilitarëve.Dikush përpiqej që të merrte në shpejtësi ndonjë ndonjë veshje, dikush diç tjetër, pa e ditur ose pa e menduar fare se përsëri do të kontrolloheshin apo do të plaçkiteshin e keqtrajtoheshin, i madh e i vogël.Ishte një tmerr i vërtetë. Deri në tentim vrasje e vrasje, paramilitarët kanë vendosur tytat e automatikve tek kokat e popullatës për të dhënë detyrueshëm çdo metelik e bizhuteri që kishin. Paramilitarët Serbë me paramendim terrorizonin qytetarët në atë acar.Rrugës së gjatë dhe në borë të madhe ja mësynin kufirit të Malit të zi nëpër bjeshkët më të rrepishme të kufirit në marsin e acartë të vitit 1999; të gjithë në këmbë dhe të pa paisur fare me rrobat e dimrit. Ndër ata ishte dhe axha im i moshuar dhe i sëmurë rëndë, Sali Rrustem Mujaj me gjithë familje.
Sali Mujaj Salihi, gati thuaj i palëvizshëm, i sëmurë rëndë, duhej ta merrte atë rrugë të golgotës shqiptare mu në mes të acarit të tmerrshëm dhe grykëve të pushkëve e britmat deri në ulurimë të paramilitarëve. Falë familjarëvë të vet, dhe posaçërisht djalit të tij Binak Mujaj, meqenëse edhe ai ishte hall lig, me vuajtje të mbijetesës, që në gjendje që babain e vet ta mbarte mbi supet e veta në atë acar dhe borë të madhe gati për më shumë se 50 kilometra rrugëtim. Binaku ishte moshatari im, kushëriri im, dhe kolegu im, me të cilin jam rritur bashkë si të ishim vëllezër .
Mbëritën në Rozhajë dhe aty shumica e refugjatve gjetën strehim tek të afërmit, vëllezër në qytet dhe nëpër fshatra si Buxhov, Dacaj e qytet. Pastaj disa nga refugjatët shkuan për në Shkodër në Shqipëri, mirëpo familja e Salihut u vendos në Ulqin. Këtu nuk shkuan shumë ditë dhe axha im, Salihu i sëmurë, vdiq nga mundimi i udhëtimit aty dhe qe vorrosur.
Në vitin 2004, unë isha i kthyer nga Amerika në vendin tim (vendëlindje),duke menduar se ishte koha të kthehesha përgjithmon.Pasi që kishte mbaruar lufta mendova se çdo gjë do ishte në rregull dhe jeta do të vazhdonte normalisht, popullata do të mjekonte plagët e trupit dhe të shpirtit, do të bashkoheshin me të humburit e luftës, do te rindërtoheshin shtëpitë e djegura dhe gjithçka do të ecte normalisht. U ktheva me familje dhe me mjete, por nuk më doli ashtu.Kishte qenë zhgënjim total kësaj rradhe (no koment). Një ditë më takoi Binaku, që kishte qen’ si vëllau im, dhe më tha: – Si tja bëj, kushëri? Më jep një mendim; eshtrate e babait kam frikë se do të mbesin në Ulqin.
Unë e këshillova siç ma tha shpirti:-Binak vëlla, ti duhesh të bësh ç’është e mundur që eshtrat e babës ti bartësh në Kosovë dhe ti varrosësh në vendlindje,në Rugovë.Unë do të ndihmoj me të gjithë mundësitë e mia.
Ashtu dhe u bë.
Binaku me shumë vuajtje dhe keqtrajtime, me shumë mundime nëpër burokracitë Malazeze, mundi ti sjellë eshtrat e babait të vet në vendlindje dhe i varrosëm me dinjitet në vendlindje, duke pasur pranë solidaritetin e vendasve dhe fshatarëve të katundit Dukaj, ish Dukaive e Rugovë.
Tani unë e ndjej një obligim më pak në shpirtin tim që pata një mundësi ndihmese për martirin bashkë me Binakun dhe farefisin tim. Eshtrat e axhës tim u prehën në tokën e Kosovës, në Rugovë, pranë varreve të të parëve tanë. Unë me këtë rast përkujtimi, shpreh ndjenjat e dhimbjet për Axhën tim martir po dhe për Binakun, që kishte qenë pothuajse vëlla imi dhe ai, tani i ndjerë .
Ju jetuat me nder dhe vdiqët me nder. Ju qoftë i lehtë dheu i Kosovës martire, që aq shumë e deshët, babë e bir, Sali dhe Binak Mujaj.