Nga Gani Qarri/
“Fitore e Shekullit” do duhej emërtuar, qysh nga fillimi- Fitorja në Koshare! Suksesi shënuar atje më 9 prill të vitit 1999, ishte dhe mbeti, Fenomen më vete, i pari dhe i fundit i përmasave të tilla në fundshekullin e kaluar. Gjatë gjithë përpjekjeve tona për çlirim nuk pati edhe një përballje aq të organizuar, të suksesshme dhe masive edhe për nga numri i trupave ushtarake të angazhuar në luftime, as fitore tjetër të madhe si ajo, apo qoftë edhe të ngjashme me të, me të cilën shqiptarët kudo dhe shteti i Kosovës në veçanti, duhet të krenohen, tash e përgjithmonë!.
Rrustem Berisha, ish komandanti i Brigadës 138,në këtë përballje historike, thotë se çdo komb ka një apo dy beteja me të cilat krenohet, ndaj ai me të drejtë edhe shpreson se njëra nga ato me të cilat do të krenohen shqiptarët dhe Kosova, do të jetë Beteja e Koshares.
Sido që të ndodhë apo vendoset në të ardhmen, një gjë dihet qartë dhe mbetet përjetësisht e pamohueshme, se kujtimet e filluara që më 9 prill 99, si dita e fitores mbi armikun në këtë vend historik, eksodi biblik i popullit tonë në Shqipëri dhe vendet tjera përreth Kosovës si dhe rënia e udhëheqësve kryesor të Betejës, flasin për ngjarje të mëdha e të papërsëritshme deri më tani, të cilat populli shqiptar nuk arriti ti realizoj shpesh, festoj në vend të vet, as kujtoj çdo herë i qetë dhe në liri.
Kurse, dita e 19, prillit, muajit të fitores dhe ringjalljes, që pas një dimri të madh e të mundimshëm që zgjatë, atëbotë ripërtëriu shpresat e mbytura për shumë kohë të shqiptarëve, numëron plot 16 vjet, nga rënia e njërit prej burrave më sublim të asaj beteje historike, dhe rilindjes së tij si hero i kombit, trimit Salih Çekaj.
Vdekja atij i erdhi në fluturim, derisa ai, si shqiponja mbi lartësitë e maleve, shihte rrafshin e Kosovës, mu në ditët kur planifikonte zgjerimin e operacioneve të nisura luftarake për çlirimin e mëtejmë të territoreve të pushtuara, papritur dhe e pa menduar fare në atë mënyrë.
Madje vetëm pak ditë pas zhbërjes së kufirit afro një shekullor, shqiptaro-shqiptar, që përreth 85 vite, sa qëndroi dhunshëm atje , mori shumë jetëra atdhetarësh të cilët me çdo kusht mëtonin shuarjen e tij dhe bashkimin e trojeve tona në një shtet të përbashkët kombëtar.
Vetëm, heronj të tillë si Adem Jashari, Salih Çekaj, Zahir Pajaziti e të tjerë, të cilët nuk iu ndanë luftës dhe përpjekjeve për liri, që nga fillimi, me veprimet e tyre konkrete, arritën më në fund ti shuajnë kufijtë e huaj në këtë vend, ndryshojnë historinë, përfundojnë vitet e pushtimit, vetëm ata dëshmuan si duhet dhe vërtetuan pamohueshëm e me argumentet më të mira historike se trojet tona, përkundër pushtimit të gjatë shumë shekullor, asnjëherë nuk mbetën pa prijës kombëtar dhe gjithmonë patën Zot të vetin.
Ndaj, me të drejtë, për çdo përvjetorë, e sidomos në ceremonitë e nderimit të heronjve e dëshmorëve, dhe datave të veçanta të rënies së tyre madhore, siç është rasti me flijimin e heroit Salih Çekaj në Kosharen Historike, përherë theksohet se gjaku dhe jeta e këtyre burrave, u kthyen në themele të palëkundshme, mbi të cilat është ngritur shteti ynë i lirë, dhe ndërtuar historia jonë më e re, historia e këtij populli të vogël, por fatkeqësisht ende të ndarë në shumë pjesë.
Në shenj kujtimi për bëmat e tyre të veçanta, edhe nëse, ne përditë shkruajmë e flasim mbi jetën dhe veprën sublime të heronjve më të shquar dhe dëshmorëve të shtrenjtë të Kombit e të Atdheut si Salih Çekaj me 114 luftëtarët e Koshares, dhe gjitha trojeve shqiptare, kurrë nuk do të jetë i tepërt nderimi dhe mirënjohja, në krahasim me sakrificën aq të madhe dhe flijimin heroik që ata bënë për vendin dhe lirinë e tij.
Si për sfidat në të kaluarën, ashtu edhe për të gjitha arritjet deri më sot, në rrugëtimin e viteve që po kalojmë si popull, pa dyshim merita u takon burrave të tillë.
E nëse shihen me kujdes, vitet e fillimit dhe shumanshmëria e veprimtarisë patriotike, përfshi të gjitha format e angazhimit atdhetar, që nga përpjekjet e para për sensibilizim kombëtar e ndërkombëtar e deri te ngritja e grupeve të qëndresës dhe aksioneve më të fuqishme luftarake, siç ishte Beteja e lavdishme e Koshares, na del pamohueshëm se kohën më të gjatë të veprimit për çlirimin e vendit, e pati heroi Salih Çekaj, i cili përkundër kontributit madhor e të pazëvendësueshëm kombëtar, ende sikur nuk gëzon trajtim të merituar institucional.
Megjithatë, pa marrë parasysh sjelljet dhe qëndrimet e vdekatarëve, askush nuk mund ta mohoj se njëri nga emrat më sublim të historisë sonë më të re, padyshim është dhe mbetet atdhetari i dëshmuar Sali Çekaj , për flijimin mitik dhe veprën kulmore të të cilit, sot e mot dhe përgjithmonë, do të shkruhet, flitet e kujtohet me fjalët më të zgjedhura.
Në nderim të tyre, kudo që mundemi e arrijmë, duhet të ngritën përmendore, emërtohen institucione dhe objekte me rëndësi shtetërore e kombëtare, thirren rrugë e sheshe ,por edhe publikohen vepra letrare, krijime poetiko-artistike dhe në çdo përvjetor të mbahen orë të veçanta historie, kushtuar kontributit të tyre kombëtaro-atdhetar.
Vetëm liria që ne sot gëzojmë, dëshmon se sa e drejtë ishte e gjithë përpjekja e pareshtur e burrave si ai, për çlirim, dhe sa shumë gjak u kërkua për këto ditë,
Salih Çekaj, Zahir Pajaziti, Adem Jashari etj., jo vetëm nisën të parët, por që nga fillimi, ata edhe mbollën e përhapën vendosmërisht dhe me sukses, rezistencën kudo në vend, e cila me kohë, mori flakë gjithandej, ktheu besimin në popull dhe ngriti ndjesinë e pashuar për çlirim.
Vepra e tyre, mbushi shpresë zemrat e bashkëkombësve të vuajtur nga pushtuesi dhe trimëroi deri në piedestal shpirtrat e të gjithë atyre që njëmend e pa hile, mëtonin lirinë dhe ndiheshin vërtetë shqiptarë e atdhedashës të sinqertë.
Akti tyre sublim dhe rënia burrërore e heronjve në fushëbetejë, dëshmuan me kohë se ata e çmonin, shumë më tepër idealin për bashkim kombëtar dhe çlirimin e Atdheut, se vet jetën dhe gjakun e tyre të njomë, me të cilin shkruan bujshëm dhe plot krenari, historinë më të re të vendit dhe popullit të vet.
Ndaj, as kalimi i moteve, ndërrimi i qeverive apo edhe ndryshimi i sistemeve, çfarëdo qofshin ato, nuk mund të shlyej kurrë kujtimet për heronj të tillë, ngase veprat që ata lanë, përfundimisht vërtetojnë faktin, se populli ynë njëmend kishte burra trima e të vendosur, sa që asnjë ditë më tej, të mos duronin më pushtimin e vendit nga Serbia, argument sublim e historik, i cili u kthye në krenari për të gjithë shqiptarët.
Nga atëherë, ditëlindjet e ditë-rëniet tuaja, mbeten të njëjta dhe nuk ndryshojnë, plaken as vjetrohen kurrë, kurse lavdia e nderimi për Ju rritet, ngjallet e forcohet përditë e më tepër, bashkë me freskinë e luleve me të cilat ne përtërijmë kujtimet mbi motet kur jetuat, duke mos lejuar zbehjen e tyre asnjëherë nëpër kohë.
Në kohën kur burrat si Ju përgatiteshin për të filluar rezistencën dhe ngritur popullin në luftë për çlirimin e atdheut, të gjithë shqiptarët që e donin vendin e vet, ishin shndërruar në numra kuotash, të parapara për shfarosje nga Serbia dhe vetëm prisnin si i dënuari, para varrit të hapur, radhën për ekzekutim.
Pra, planet e pushtuesit, u prishën nga burra të tillë, të cilët morën vetëdijshëm, mbi vete vdekjen e sigurt, për ti dalë trimërisht Serbisë përpara dhe ndaluar turrin e çmendurak të saj, mu në vlugun e tërbueshëm që ajo kishte nisur, për të ç ‘farosur shqiptarët.
Kurse, si arenë dyluftimi ,Ju me vetëdije-zgjodhët Kosharen e lavdishme, ku më 9 prill të vitit 1999, ndryshuat rrjedhën e historisë, duke u flijuar brenda vetëm pak ditësh beteje mbi 114 vet trimërisht, ndaj kënga , si traditë e moçme dhe përcjellëse besnike e historisë, me të drejtë edhe tani, u thuret e kushtohet vetëm atyre që atë meritojnë, të cilët në çastet më vendimtare nuk kursyen sakrificat për çlirimin e atdheut dhe lirinë e tij, siç veprove Ti me shokë.
“Fitore e Shekullit” do duhej të quhej, Fitorja në Koshare! Madje, fenomeni i Koshares, ashtu edhe ishte, ngase gjatë gjithë përpjekjeve për çlirim nuk pati edhe një përballje përmasash të tilla as fitore tjetër ,madhore si ajo!
Por,vallë si ndodhi, athua fati apo kush, deshi, që pas gjithë atyre përpjekjeve dhe suksesit më sublim, të një populli dhe vendi të vogël si ne, mu në kulmin e gëzimit të “Fitores së Shekullit”, të vriteshe edhe Ti Hero?!,…
Sido që të jetë, një gjë duhet kujtuar dhe mbajtur mend sot e mot, se falë luftës suaj dhe ndihmës së SHBA-s, ne fituam lirinë, ndaj që nga dita e rënies, edhe Kosova mëmë, Juve mundi tu marrë nën përkujdesje të merituar dhe ruaj përgjithmonë e me dashuri në gjirin e ngrohtë të saj, gjë që nuk arriti ta bënte edhe për heronjtë e vet të më hershëm, që nga vitit 1912 e këtej.
Të gjithë shqiptarët kudo, të cilët jetojnë të lirë në Atdhe, përveç gëzimit nuk harrojnë edhe vuajtjen, siç ruajnë të paprekur krenarin dhe mallin për ju.
Vdekja për Atdhe, nuk është vetëm dhembje për Ju, por edhe lavdi për të gjithë shqiptarët, ngase me rënien për të ,ashtu siç ngjitet shpirti i luftëtarit mbi Re, që nga momenti i flijimit edhe emri i tij përjetësohet në histori, veprat e të cilit rriten e lartësohen përherë me nderim dhe nuk vdesin kurrë!
E ne si popull, sa herë kujtojmë me pietet, burra e heronj si Salih Çekaj dhe ngjarje të mëdha e me rëndësi historike, si Beteja heroike e Koshares, përfshi 19 prillin e vitit 1999, ditë-rënien e Heroit, dhe gjithë përpjekjet e veprimtarëve më sublim kombëtar, që nuk reshtën asnjëherë së luftuari për lirinë e popullit dhe çlirimin përfundimtar të Kosovës, nuk mund të kursejmë nderimet tona të pafundme për ta dhe Nënë Shqipërinë, siç nuk mund të harrojmë shprehjen e mirënjohjeve më të thella gjithëkombëtare, mikes sonë më besnike të të gjitha kohëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat në mënyrë të veçantë dhe jo vetëm një herë, në ditët tona më të vështira, si popull, me vendosmëri na dolën krah e ndihmuan shumë dhe sinqerisht, që së bashku ta çlirojmë vendin dhe ruajmë e vulosim përgjithmonë lirinë e Atdheut tonë të shtrenjtë.
Ndaj në vend të përfundimit, sado që institucionet shtetërore, “Fitoren e Shekullit”, të kurorëzuar me aq sukses në Betejën e Koshares edhe pas 16 vitesh të kaluara, nga përjetësimi legjendar i saj, ende nuk e vendosën në listën e ngjarjeve më të rëndësishme të Kosovës, e cila bashkë me veprën tuaj, mbetet ndër zhvillimet më heroike të të gjitha kohëve dhe e pa-konkurrencë në ranglistën e arritjeve më të reja historike, me shpresën se si akt i pazëvendësueshëm e sublim edhe kjo së shpejti do të ndodhë, për realizimin e saj dhe gjithë veprimtarisë suaj kombëtare për çlirim, urojmë nga zemra, që të jetë i përjetshëm, edhe kujtimi për Ju!
Cyrih, Prill 2015