• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Të vetmuar shohim mirazhe, së bashku krijojmë ëndrra…

February 12, 2021 by dgreca

-“Kemi harruar të jemi bashkë, siç e kemi bashkë Shqipërinë.”- Visar Zhiti/

Shkruan: Fatbardh Amursi (Rustemi)/
Në ceremoninë promovuese të presidentit Biden, një klerik, në fjalën e tij përshëndetëse, citoi këtë thënie të Papa Françeskut:“Të vetmuar shohim mirazhe, së bashku krijojmë ëndrra”, e cila mori vlerën e një mesazhi edhe për presidentin e ri me moshë të vjetër, i ndodhur përballë sfidës për të bashkuar amerikanët: të ndarë si kurrë më parë prej politikës. Merret me mend se sa e shumëfishtë bëhet kjo këshillë për ne shqiptarët, ku flitet për bashkimin kombëtar nën kërcënimin e luftës civile. (Rama i urren Veriorët, thotë Berisha dhe për ta ilustruar poston në faqen e tij të facebook-ut disa banorë të një fshati, që heqin keq në kapërcimin e një përroi, ndërsa ty të vjen në mendje pyetja: kjo “Rruga e Arbërit” për kë po ndërtohet? Mos vallë Dibra gjendet në jug të Shqipërisë? Ndodh shpesh, që politika e ditës, t`i kthejë urat në mure, duke fikur dritën në fundin e tunelit dhe, ëndrrat mbyllen në BunkArt, ndërsa mirazhet, sikurse sirenat: lidhin pas direkut aventurierin e radhës. Njëra palë mburret me “Rrugën e Kombit”, ndërsa tjetra me “Rrugën e Arbërit”, ku në njërën me gjasa kalon i vetëm Isa Buletini dhe në tjetrën Ismail Qemali.) “Kemi harruar të jemi bashkë, siç e kemi bashkë Shqipërinë.”-shkruan Visar Zhiti në një intervistën e tij të fundit në gazetën “Panorama”. Këtë frymë bashkimi, më shumë nga ndikimi i Papa Françeskut, të cilin Visari e ka takuar në Vatikan, e ka të trashëguar qysh në krye të herës nga i jati i tij, Hekurani, autor i poemës së njohur “Përqafimi i dy kundërshtarëve”, ku njëri personazh është partizan dhe tjetri nacionalist. (Partizanin mos e identifikoni me komunistin dhe nacionalistin me ballistin.) Autori i poemës ishte nacionalist, ndërkohë që vëllai i tij doli malit partizan. Të lindur në Tomoricë, kujt do merrte bekimin e Baba Tomorit? Në rrethanat e luftës për çlirim, vëllezërit përballen si kundërshtarë. Zgjatim i ketij konflikti jane dhe debatet televizive për “vëllavrasjen”. “Ah, o bijtë e jetës, pse kështu përçarë!/ Qoftë i mallkuar kush s’do t’ju bashkojë!”-thërret nëna fatzezë në poemën e Hekuran Zhitit “Përqafimi i kundërshtarëve”, duke e kërkuar fajtorin përtej fëmijëve të saj. Dhe cili është ogurziu? Poeti nuk merr përsipër ta identifikojë përçarsin, duke e lënë në dëshirë të lexuesit dhe të gjykatësit kohë. Gjithsesi ai nuk pret nga politika, që vëllezërit kundërshtarë të përqafohen, ndaj krijon një artificë me deus ex machina. Përplasja mes dy çetave, asaj balliste dhe komuniste, kthehet në një dyluftim, ku vëllai partizan vret atë nacionalist. Mund të ndodhte dhe e kundërta, që nacionalisti të vriste partizanin. Meqë autori ishte nacionalist, pranon fatin e viktimës, duke i parandjell vetes persekucionin e mëvonshëm në regjimin komunist, ku qe i radhitur dhe vëllai i tij partizan, por jo komunist. Në poemë, vëllai partizan me të mësuar se kishte vrarë vëllain e tij nacionalist, vret veten, duke e dyfishuar tragjedinë. Poema nis si një kronikë familjare dhe përfundon si një tragjedi kombëtare. Një plagë e madhe, që ende s`është mbyllur, për shkak të politikës konfliktuale, ku thirrja: “Opozitarë, por vëllezër”, përngjan me maskën në fytyrën e një të infektuari me covid. Përqafimi imposibël i vëllezërve i përgjigjet së vërtetës personale, pasi babai i Visarit dhe xhaxhai i tij, shpëtojnë gjallë nga lufta, por në planin historik fjala “pajtim kombëtar” u zëvendësua me “unitet të popullit rreth partisë”, ku në rrethin vicioz të “luftës së klasave”, vëllai partizan duhej të distancohej nga ai nacionalist, në të kundërt: do përballej me pasojat e regjimit komunist.

Shkrimtari Hekuran Zhiti e përdor fatalitetin si një mundësi për katarsis tek bashkohësit, nën shembullin e tragjedianëve grekë, duke na kujtuar “Antigonën” e Sofokliut. Sikurse dihet: në dyluftimin e Eteoklit me Polinikun, mbetën të vrarë të dy vëllezërit. Ndërkohë që mbreti i Tebës, Kreonti, urdhëron: njeri vëlla të varroset me nderime si dëshmor dhe tjetri, i përbuzur si tradhëtar të lihet i pavarrosur. E vetmja që nuk iu bind urdhërit të tij, ishte Antigona, duke e varrosur të vëllanë, sikurse e donte zakoni. Kështu që rebelimi i motrës mbart më shumë heroizëm nga dyluftimi i vëllezërve të saj. (Antigona lejohej në skenën e teatrit, duke munguar në jetë.) Nëse vëllanë partizan, do ta quanim për momentin Shefqet Musaraj, autori i njohur i “Epopesë së Ballit Kombëtar”, do kishim një realitet tjetër, ku personazhët e poemës ndërrojnë vend me ballistin dhe komunistin, pasi në plan të parë del lufta për pushtet. Kur duhej të ishin bashkë në luftë, dështoi marrëveshja e Mukjes. (Skënderbeu e realizoi Kuvendin e Lezhës.) Kur duhej të ishin bashkë në paqe, nga Qeveria Demokratike e pas luftës eliminohen 16 deputetë të krahut opozitarë, sikurse nuk do të funksiononte dhe në pluralizëm slogani “Opozitarë, por vëllezër”, apo “mendimi ndryshe” do shihej si herezi. Është pikërisht politika që, alternativën e kthen në antagonizëm, ku artit i duhet të përballet me propagandën. Midis dy Batove njëri duhet të jetë tradhëtar. (Në qytetin e lindjes, garuan për deputet: poeti Faslli Haliti me siglën e partisë socialiste dhe poeti Visar Zhiti për demokratët. Gjatë fushatës ne rrinim bashkë, si kundërshtarë të përqafuar. Një i persekutuar, i cili kishte lidhur krushqi me një familje komuniste, do thërriste sa kishte në kokë, që ta dëgjonin dhe të tjerët: “O Visar, mos rri me ata se do t`i humbasësh zgjedhjet!” Amaneti i babait i mishëruar në poemën “Përqafimi i kundërshtarëve” sfidonte thirrjet militanteske, për të mos thënë paramilitare.)

“Përqafimi i kundërshtarëve” mbeti një dëshirë në tentativë e autorit të saj dhe secila palë mirazhet e veta i shiti si ëndrra? Nuk mund të mos më kujtoheshin dy padi të bujshme. E para: padia e djalit të Maman Saliut, një veteran i luftës, me 13 plagë, 4 më shumë nga Gjergj Elez Alia, i cili ka hedhur në gjyq ISKP-ën, ngaqë në librin e Çelo Hoxhës emri i tij përfshihet tek “kriminelët e luftës” dhe padia e dytë: e nipit të Kadri Cakranit, avokatit Kujtim Cakrani, i cili hedh në gjyq ish presidentin Alfred Moisiu, që në një deklarim të tijin e ka quajtur gjyshin e tij “kriminel lufte”. Po e ruajmë këtë paralele në përshtatje me personazhët e poemës “Përqafimi i kundërshtarëve”, pasi aty është dhe thelbi i konfliktit.

Djali me yll në ballë (po e quaj Maman Saliu) në poemë i drejtohet shqiptarëve: “Zbathur edhe xhveshur/Në erë e në shi,/Me buzë duke qeshur/Thërret: “Ja liri!/S’më hyn në sy jeta,/Jam një partizan,/Se botë e vrerosur/Zgjedhën më s’e mban./Yllin përmbi kokë/e kam/si një shpresë,/Me këtë në ballë/çdo djalë/do të vdesë!/Kush po ma cënon,/dorë e tij iu thaftë!/Rëntë si kufomë,/Plumbi im/e vraftë!” Sikurse dhe vrau, duke marrë dhe 13 plagë.

Biri tjetër i dheut (po e quaj Kadri Cakrani), i akuzuar për “masakrën e 4 shkurtit”: “Që nga ana tjetër një çetë po qaset,/Me flamur’n e Gjyshit… mbi borë po përplaset,/Thotë:/“Dua Atdhenë e dua Flamurë,/Për lirinë e Kombit/Do ndehem mbi gurë./Kush cënon këto/që m’i la Dëshmori,/Do shkojë nga unë/Si shkon tradhëtari.” Djali partizan ka në ballë yllin e kuq dhe kërcënon me vdekje cilindo, që ia prek këtë simbol të komunizmit, ndërsa tek Biri i Dheut spikat flamuri i të parëve, që kush ia cënon, është gati të flijohet për të. (Si intermexo po fus vargun: “`39-të mos ardhç kurrë/se na rrëzove flamur.” Kjo poezi e njohur si anonime, ka per autor Hekuran Zhitin.) Ai që i vuri sëpatën flamurit ishte pushtuesi, të cilin Biri i Dheut, dhe jo autori, bëjeni këtë dallim: nuk e zë me gojë. Beteja mes palëve përfundon me vendosjen e yllit mbi flamur, që rezultoi po aq i huaj, sa dhe sëpata e Liktorit. Deklarimi i Djalit me Yll se botë e vrerosur zgjedhën nuk e duron, është ambiguitive: ku zgjedha e pushtimit alternohet me ate te shfrytëzimit. Tek e fundit: kush e do zgjedhën?! Më pas zgjedha do të këmbehej me prangat, që do i provonin at e bir, Hekurani dhe Visari. Djali me Yll, Maman Saliu, sikurse e konkretizuam, bën thirrje për të hequr zgjedhën (pushtuese dhe shfrytëzuese), ndërsa Biri i Dheut, Kadri Cakrani, lëshon piskamën per vdekjen e tradhëtarëve. Fitimtaret zgjedhën do e këmbenin me litarin e të varurit. Tradhëtari i bije të jetë vëllai partizan, pra, xhaxhai i Visarit. Kështu që lufta kundër armikut, kthehet në një armiqësi midis vëllezërve. Pikërisht kjo gjëmë e ligështon poetin nacionalist, i cili në llogoren përballë ka të vëllanë partizan. I bije si të luftosh me veten, për llogari të një tjetri. Por, ky “tjetri” herë quhet Kadri Cakrani dhe herë Maman Saliu. “Të dy kundërshtarët/Janë të vendosur,/Prandaj po luftojnë/Me shpirt të handakosur.”-shkruan nacionalisti Hekuran Zhiti, duke mos fshehur simpati, por pa mbajtur anë. Kjo luftë me “shpirt të sakatosur” vjen deri në ditët tona, ku një president, Nishani quhet, tentoi “pushkatimin moral” të Visarit duke përdorur dëshmimtar të rremë, ku ne fund te dites doli vete i gjymtuar. (Të dy, at e bir u dënuan për të njëjtin faj: se shkruan vargje në kohën e vargonjëve. Për poemën u dënua i jati për poezitë, i biri. Por, a mund të akuzohet për këtë ndëshkim vëllai partizan? Propaganda krijon përbindësha, ndërsa arti lartëson njeriun.) Në poemë, veç vajtimit të Ajkunës për bijtë e saj kemi dhe Vajtimin e Shqiponjës: “Si i ngjau Kosovës, Çamërisë së shkretë?/Ëndërruan lirinë,/u bënë ëndërr vetë.” Nga vajtimi i Ajkunës tek vaji i shqiponjës, skena të denja për korin antik, ku humbja merr përmasat e një zije kombëtare, ndodh që copëtimi i zemrës së një nëne, të bashkëshoqërohet me copëtimin e trojeve shqiptare. (Fqinjët shovenë na i rrëmbyen trojet dhe a mund të shpresohej prej pushtuesëve rikthimi i Shqipërisë së Madhe?) Po t`i referohemi eposit, Ajkuna ishte gruaja e kreshnikut Muji. Ajo vajton Omerin 7 vjeçar i vrarë në një betejë me shkjaun. Ajkuna e poemës vajton të dy djemtë, vrarë prej politikës së konfliktit. Në këtë rast është Halili që vret Mujin dhe ky më pas vret veten. Në Eposin e Kreshnikëve Muji dhe Halili janë kurdoherë bashkë, ndërsa në poemë vëllezërit, të ndarë, si të dënuar që të shohim mirazhe lirie.

Gjithsesi autori nuk i fsheh rrënjët e konfliktit, pa u bërë palë me asnjërën prej palëve kundërshtare, pavarësisht simpatisë: “Mos mendoni shumë për Botën e Re,/Se barra e madhe është tjetër mbi ne./Po shkoi Bot’e Vjetër e tëra në greminë,/Do ta marrë me vete edhe këtë lëndinë./Po të kuqet bota, rruzulli të ndrijë,/Shqipëria jonë. Vetëm nuk do nxijë./Drapri dhe çekani, po u ngrit mbi dhe,/Çdo flamur prej kombi të hyjë në muze,/ Mbahi pakëz, djema, Bota është e Vjetër!” Dihet që revolucionarët deklamonin Botën e Re, ndërsa reaksionarët i qendronin Botës së Vjetër. “Ju ka lindur nëna për një botë të re.”-i këndohej Djalit me Yllin e Kuq, M. Saliut. Revolucionarët i përmbysën reaksionarët, por Botën e Re nuk e ndërtuan, deri sa erdhi dita të përmbyseshin dhe vetë. Nëse në demokraci “të përmbysurit”, pra, reaksionarët po rehabilitohen, më saktë po integrohen, Bota e Vjetër i mbeti muzeut, sikurse Bota e Re po dergjet në BunkArt. Pra, herinjtë e poemës humbën kokën për të shpëtuar botën, duke u mashtruar prej mirazhëve. Të dy kundërshtarët janë me kauza të dështuara. Ata s`kanë arsye të jenë kundërshtarë, veçse viktima të kauzave të gabuara. Që nga koha kur Hekuran Zhiti shkroi poemën “Përqafimi i kundërshtarëve” deri tek kënga e Gilit: “Le të puthen, le të puthen, socialistë dhe demokratë!”, krushqit vazhdojnë të jenë të ngrirë, edhe pse shohim që Nano të përqafohet me Berishën. (Dikur me Visarin ishim në një lagje, ku fëmijërinë dhe rininë e kaluan së bashku, ai biri i një nacionalisti dhe unë djali i një komunisti. Natyrisht, që kishim ëndrrat tona. Tani jetojmë në Amerikë, ai në Chicago dhe unë në New York, duke shpresuar të mos jemi të veçuar, ku secili të ndjek mirazhet e veta.)

“Përqafimi i kundërshtarëve”…..

Filed Under: ESSE Tagged With: Fatbardh Rustemi(Amursi), krijojme endrra..., së bashku

Së bashku mundemi!

November 17, 2020 by dgreca

Nga Dr.Adriana Fishta Bejko-

Sa kënaqësi kur fëmijët tanë bëhen më të mire se ne dhe dinë të na trainojnë me shumë profesionalizëm shembullor.  

Kjo ishte ndjenja që ndanë anëtarët e Këshillit të Mësimit Shqip për Diasporën në trainimin e fundit për përdorimin e Platformës Digitale Google Meet për të bërë mësimin në shkollat shqip të mundshëm në këto kohë pandemie.  E veçanta? Trainuesja e talentuar ishte Dr. Valbona Zylo-Watkins, vajza e mençur dhe patriote, shkencëtarja në fushën e mësimdhënies së Gjuhës Spanjolle, bija fisnike e e familjes së nderuar Zylo që jetojnë në Staten Island, USA. Dr. Valbona e larguar nga Shqipëria që kur ishte gjimnaziste, e drejtoi trainimin në një Gjuhë Shqipe të “kristaltë” dhe me një nivel shkencor brilant. Mirënjohje pafund prindërve Kozeta dhe Qemal Zylo që janë modeli i edukimit patriotik të fëmijëve dhe mbesave të tyre në Diasporë.  

Dr. Zylo-Watkins është Drejtore Akademike e Shkollës Shqipe “Albalife”, Ambasador i Kombit.  Faleminderit për kontributin tuaj në ruajtjen e gjuhës shqipe dhe identitetit tonë, Valbona. 

Së bashku mundemi!

17 Nëntor, 2020

Kanada

Filed Under: Komunitet Tagged With: Dr.Adriana Fishta Bejko, mundemi!, së bashku

Ushtarakë nga Kosova e SHBA “Së bashku për paqe”

October 20, 2016 by dgreca

3-mbi-300-pjesetare-te-fsk-se-gardes-kombetare-ushtrise-amerikane-para-fillimit

-FSK-ja, Garda Kombëtare e Ajovës dhe Ushtria Amerikane për Evropë mbajtën krosin me moton  “Së bashku për paqe’’/

6-zevendes-komandanti-i-kft-se-duke-hyre-ne-cak

-Vendin e parë në këtë garë në kategorinë e meshkujve e zuri Jesemin Zverko, të dytin Valdet Brahimi dhe në vendin e tretë u rendit Adnan Ademi, që të tre pjesëtarë të FSK-së, kurse në kategorinë e femrave vendin e parë e zuri ushtarja Donjeta Korpuzi, vendi i dytë i takoi pjesëtares së Ushtrisë Amerikane, rreshter Stefany Stock dhe në vendin e tretë u rendit ushtarja Bahare Bytyçi/

4-vendi-i-pare-i-takoi-ushtarit-jesemin-zverko-1

-Gara sportive u zhvillua në kuadër të aktiviteteve paraprijëse të Ushtrimit fushor “Shqiponja 5” të FSK-së, i cili do të mbahet nga 22 deri më 26 tetor/

7-foto-e-perbashket-me-vrapuset-e-para

PRISHTINË, 20 Tetor 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në Prishtinë u zhvillua sot gara në atletikë “Së bashku për paqe” – krosi në vrapim i oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gardës Kombëtare të Ajovës dhe  të Ushtrisë Amerikane për Evropë.

Ceremonia fillestare u mbajt në Sheshin Skënderbeu, prej nga filloi edhe shtegu i vrapimit i cili vazhdoi deri tek rrethrrotullimi afër Shkollës së Mesme të Mjekësisë Dr. Ali Sokoli në Prishtinë dhe anasjelltas, në një gjatësi prej 5 mijë metrave.

1-hapjen-e-krosit-e-beri-ministri-i-mfsk-se-haki-demolli-se-bashku-me-kom-e-gardes-kombetare-et-ajoves-gjeneralin-orr

Në garë ishin 300 ushtarakë nga FSK, Garda e Ajovës dhe Ushtria Amerikane për Evropë dhe në fund u shpallen rezultatet.

Në hapjen zyrtare  të garës morën pjesë ministri i FSK-së, Haki Demolli, komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneral brigade Thimoty Orr,  drejtori i Drejtorisë për Operacione, gjeneral brigade Zymer Halimi, zëvendëskomandanti i Komandës së Forcave Tokësore, gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, si dhe zyrtarë të Ministrisë dhe oficerë të FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës.

Në fjalën e tij, drejtuar ushtarëve dhe oficerëve të Gardës Nacionale të Ajovës, Forcave Amerikane dhe të FSK-së, ministri Demolli tha se aktivitetet e tilla po mbahen me qëllim të thellimit dhe të bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës.

“Përpos vizitave në shtetin e Kosovës po zhvillojmë edhe këtë kros. Këto dy forca përveç aktiviteteve ushtarake, siç janë ushtrimet e përbashkëta fushore dhe trajnimet, po zhvillojnë edhe aktivitete të ndryshme kulturore dhe sportive, siç është edhe ky kros me sloganin ‘Së bashku për Paqe’”, u shpreh ai.

Në fund ministri Demolli përgëzoi sportistët duke ju uruar suksese të gjithë pjesëmarrësve  dhe duke jua  rikujtuar se fituesit e garës do të shpërblehen me medalje.

Ndërsa, komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneral brigade Thimoty Orr, pas i uroi pjesëmarrësit, tha se, “fuqia e shteteve tona është në zemrat tona” dhe se pret t’i nderojë me medalje fituesit.

Drejtori i Drejtorisë për Operacione, gjeneral brigade Zymer Halimi,   tha se edhe ky aktivitet i përbashkët dëshmon më së shumti bashkëpunimin për paqe në mes të FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës.

Vendin e parë në këtë garë në kategorinë e meshkujve e zuri Jesemin Zverko, të dytin Valdet Brahimi dhe në vendin e tretë u rendit Adnan Ademi, që të tre pjesëtarë të FSK-së, kurse në kategorinë e femrave vendin e parë e zuri ushtarja Donjeta Korpuzi, vendi i dytë i takoi pjesëtares së Ushtrisë Amerikane, rreshter Stefany Stock dhe në vendin e tretë u rendit ushtarja  Bahare Bytyçi.

Tre vendet e para u nderuan me medaljen e artë, argjendtë dhe të bronztë si dhe me certifikata, të cilat u ndanë nga ministri i FSK-së, Haki Demolli, zëvendës komandanti i Komandës së Forcave Tokësore gjeneral brigade Gëzim Hazrolli dhe gjeneral brigade Zymer Halimi, drejtor i Drejtorisë për Operacione.

Ky aktivitet sportiv, në një mot të mirë, u përcoll nga një numër i madh i qytetarëve dhe mediave.

Gara sportive u zhvillua në kuadër të aktiviteteve paraprijëse të Ushtrimit fushor “Shqiponja 5” të FSK-së, i cili do të mbahet nga 22 deri më 26 tetor.

“Shqiponja 5” është ushtrimi fushor i përgjithshëm i FSK-së, i cili mbahet çdo vit nga Forca e Sigurisë së Kosovës, e ku marrin pjesë të gjitha njësitë taktike dhe operacionale.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, për Paqë, së bashku, Ushtarakë nga Kosova e SHBA

De Biasi: Besoj se do t’ia dalim te gjithe se bashku

December 13, 2015 by dgreca

Menjëherë pas hedhjes së shortit dhe njohjes së kundërshtarëve të Shqipërisë, trajneri Gianni de Biasi, në një intervistë për  mediat ka deklaruar se grupi është i fortë për Shqipërinë, por ka shprehur besimin se do t’ia dalim. Por megjithëse optimist, trajneri i kombëtares sonë, duke analizuar gjendjen e ekipeve kundërshtare në grup, thotë se nuk duhet të këndojmë këngën e fitores para kohe.

Trajner De Biasi, si e komentoni përballjen me Zvicrën?
De Biasi: Po, të themi që nuk e donim Zvicrën sepse është një luftë mes vëllezërish. Jo vetëm për faktin se do të perballen vetëm dy Xhakajt, por sepse në atë skuadër janë shumë lojtarë me origjinë shqiptare. Mendoj se është një ndeshje shumë e veçante për të gjithë, por ne do të ndeshemi siç do të bëjnë dhe ata, pa asnjë problem. Do të përgatitemi mirë dhe do të mundohemi t’i vëmë në rrezik. Ata na njohin shumë mirë pasi na kanë mundur dy herë ne eleminatoret e Botërorit, por ne kemi ndryshuar dhe tani jemi një skuader tjetër.
Po Francën si e shihni?
De Biasi: Edhe me Francën kemi luajtur dy herë dhe nuk besoj se jemi një surprizë. Problemi kryesor është që jemi ndeshur në miqësore, përballje të veçanta pasi ata nuk ishin dhe aq mirë. Kemi barazuar dhe fituar, por kjo nuk do të thotë që gjërat mund të përsëriten. Ata luajnë në shtëpinë e tyre dhe kanë objektiv për të qëndruar sa më gjatë në këtë kampionat. Ne duhet të japim 150 për qind për t’i përballur.

Po Rumania…
De Biasi: Rumania është një skuadër që është rritur shumë dhe u kualifikua pa asnjë problem. Është një ekip që nuk ka emra të mëdhenj, por që do të hapë probleme.
Cilat janë shpresat tuaja për këtë turne?
De Biasi: Nuk duhet të shpresojmë, duhet të besojmë në këtë grup që mund t’ia dalim. Nuk mendojmë që është e lehtë, por duhet të punojmë pasi gjërat janë të mundshme. Nëse ti nuk beson se ia del, nuk do t’ia arrish. Unë besoj se ne mund t’ia dalim të gjithë së bashku, por pa nisur këngën e fitores para kohe.

Filed Under: Sport Tagged With: De Biasi: Besoj se do t’ia dalim, së bashku, te gjithe

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT