Nga Pierre-Pandeli Simsia/
Në ndërtesën e qeverisë amerikane, në Hartford, në kryeqytetin e shtetit Connecticut, në datën 25 nëntor, 2015, u zvillua ceremonia e ngritjes së Flamurit tonë Kombëtar.
State Capitol Building Raising Flag Ceremoni
Edhe pse ishte mesi javës, edhe pse ishte pragfeste amerikane, Dita e falenderimeve, ditën e mërkurë, më 25 nëntor 2015, qindra bashkëkombas u mblodhën në Hartford, kryeqyteti i shtetit Connecticut, i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të festuar ceremoninë e ngritjes së Flamurit tonë Kombëtar, organizuar nga Qendra e Komunitetit Shqiptar në Hartford, me kryetar, zotin, Artan Martinaj dhe dega e Vatrës në Hartford, me kryetar, zoti Nesim Meçollari. Ishte një ditë e bukur me diell, mot i freskët, qielli blu i pastër pa asnjë re.Ishte ditë e gëzuar, emocionuese tek shikoje bashkëkombasit tanë të veshur me ngjyrat kuq e zi, simboli i flamurit tonë. Të mbledhur në një shesh të Hartford-it, makinat e veshura gjithashtu me flamurin tonë kombëtar, njëra pas tjetrës, u drejtuan drejt ndërtesës qeveritare pranë parlamentit të shtetit Connecticut (State Capitol)Ceremonia u festua në sallën e madhe në dhomën e deputetëve dhe Bashkisë së Hartford-it, në ndërtesën e qeverisë së shtetit.Ceremoninë e hapi drejtori i shkollës Milaim Tahiri. Pas përcjelljes së Himneve Kombëtare të SHBA-së dhe Shqipërisë të pranishmëve u uroi ditën e flamurit dhe 103-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë Kryetari i Qendrës Shqiptare, zoti Artan Martinaj.Në emër të Dhomës së Përfaqësuesve të shtetit, përshëndeti zoti Angel Arce, nënkryetar për Dhomën e përfaqësuesve, përfaqësues i Komunitetit Shqiptar të Hartford-it, i cili i dorëzoi zotit Artan Martinaj proklamatën me rastin e ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, nënshkruar nga presidenti i State House. . Me shumë interes u dëgjuan fjala e deputetit Eduard Bargnes. Zoti Bargens u ka mësuar gjuhën angleze shqiptarëve në shkollat e Hartford-it. Foli gjithashtu dhe financieri i Bashkisë së hartford-it, zotit Adams.Më pas përshëndetën edhe Kryetari i degës së Vatrës, zoti, Nesim Meçollari, profesori imatematikës në Connecticut College, zoti Arben Zeqiraj, veprimtarët nga Waterbury, zoti Medi Camka, zoti Prend Qeta, zoti Artur Vrekaj dhe unë, autori i këtij shkrimi Pierre-Pandeli Simsia.Në mbyllje të ceremonisë në ndërtesën e qeverisë së shtetit Connecticut, bashkëkombasit nderuan ceremoninë e ngritjes së Flamurit tonë Kombëtar në kupolën e ndërtesës..Ceremonia u përcoll drejtëpërdrejtë në valët e radios online Iliria të drejtuar nga zoti Dhimitër Rëra në Arizona nëpërmjet faqes www.iliriatv.com, gjithashtu edhe nga televizionet lokale të shtetit Connecticut si edhe të televizionit të komunitetit nga zoti Ardi Muraj.Gjithashtu, Qëndra Shqiptare (Albanian Community Center) në kuadër të 103-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë do të organizojë darkën festive me këngëtaren Ermira Babaliu më datën 28 Nëntor 2015në Hartford.
Është nder, krenari, vlerësim i madh për çdo shqiptar tek shikon Flamurin tonë Kombëtar të valvitet krenar në Capitol, në qiellin e lirisë amerikan.
Në mbyllje të festës u shtrua një drekë me ushqime tradicionale.