Nga Arjan Th. Kallço/
Në orën 21.00 trageti mbëriti në portin e Brindizit dhe ngadalë iu afrua molit që të ankorohej. Pasagjerët nisën qysh më parë që të lëviznin drejt derës kryesore të hekurt, me qëllim që të mos vonoheshin në dalje. Bashkë me djalin beratas u gjendëm të parët tek shkallët, pasi në atë orë nuk është e lehtë të gjesh tren apo autobus për të shkuar në Leçe. Dera e tragetit u hap dhe njerëzit vraponin për tek dogana. Tek dera e hyrjes disa policë na ftuan që të prisnim derisa gjithçka të ishte gati. Më pas u gjendëm në brendësi të godinës ku kontrolloheshin dokumentat. Për pak minuta kontrolli përfundoi, ashtu dhe meraku i bashkëudhëtarit tim që në çastin e kontrollit, ia përktheja bisedën midis tij dhe policit. Një lloj konfuzioni i paqtë mbizotëroi disi në kërkim të njerëzve dhe dokumentave përkatëse dhe më pas dolëm për t’u drejtuar tek hyrja e portit ku na priste i vëllai i bashkëudhëtarit. Pasi u prezantuam, më ftuan që ta bëja bashkë me ta rrugën deri në Leçe. Një kortezi që në atë orë të vonë të natës vështirë se e gjen mes qytetarëve të huaj që nuk i ke njohur kurrë. Gjaku nuk bëhet ujë – thonë. Pas nja 45 km mbërritëm në qytetin e Leçes dhe gati në qendër ishte hoteli ku do të qëndronim disa ditë, bashkë me të gjithë anëtarët e tjerë të Shoqatës Ndërkombëtare të Kritikëve Letrarë. Pasi bëra regjistrimin dhe mora celësin, vrapova për në dhomën time ku surprizat nuk mungonin. Hoteli ishte i një klasi të lartë dhe sapo hyra, mbi tryezën e dhomës, një letër që më uronte mirëseardhjen në konferencë. Ndeza televizorin sepse kishte ndeshje, luante Italia dhe Spanja. Pas një dushi të domosdoshëm në ato momente, rruga e gjatë nga Korça deri në Brindizi, sado e lehtë që të jetë, e kërkon një çlodhje dhe nuk ka më mirë sesa një banjë. Kur mbërrin në qytetin për ku je nisur dhe pasi i zgjidh disa probleme emergjente të strehimit dhe akomodimit, edhe mendja sikur qetësohet. Ndjen një relaks të këndshëm, pas stresit të rendjes deri fundin e aventurës së udhëtimit, kur bagazhet pushojnë në një hotel dhe zemra fillon të rrahë normalisht, e lehtësuar nga të papriturat e panjohura të vendit ku ke shkuar.
Të nesërmen në mëngjes, pasi u takova me miqtë e ardhur nga shumë vende dhe pas një mëngjesi bujar në hotel, u drejtuam për në qendrën historike të qytetit, një perlë e gërshetimit të disa kulturave, me emrin Barok, ku do të zhvillonte punimet konferenca dy ditore me temë : Mesdheu : origjina e letërsisë së udhëtimit. Na pritën drejtues të Agjensisë së Trashëgimisë kulturore euromesdhetare të Leçes, kryetari i Provincës së Leces, zv/kryebashkiakja, zv/rektorja e universitetit e të tjerë. Presidentja e Agjensisë znj. Bortone na uroi mirëseardhjen dhe foli për rëndësinë e këtij bashkëpunimi në evidentimin e traditave të kulturës kombëtare në kuadrin mesdhetar dhe përpjekjet që kultura të jetë urë lidhëse për të gjithë popujt. Më tej u ndal edhe tek bashkëpunimi i disa institucioneve që bëri të mundur realizimin e konferencës. Përshëndetën autoritetet lokale të cilat e vunë përsëri theksin tek roli i madh i kulturës dhe mundësisë që ajo të jetë gjithëpërfshirëse dhe tërheqëse për popujt, si dhe inkuadrimin e politikave të drejta për promovimin e saj. Një përshëndetje e këndshme që dua ta nxjerr në pah, ishte edhe e zv.rektores që e vlerësoi këtë takim, duke theksuar se edhe universiteti që përfaqësonte kishte kontributin e vet.
Por në këtë kohë krize edhe kultura po vuan nga mungesa e fondeve, por gjithësesi duhen gjetur rrugë që promovimi të mos e cënojë apo shkatërrojë ndihmën ndaj saj. Ideja dhe propozimi i zv/kryebashkiakes Tessitore, për një dhuratë, libër, të lënë për miqtë, do të ishte një nismë që mund të shtrihej kudo. Dihet se vera është stina më e mirë për të lexuar, por leximi duhet të jetë pjesë e jetës në të gjitha stinët. Nismë që shumë mirë mund ta adoptojmë edhe tek ne, duke parë rënien e interesit total për leximin. Besoj se avangarda e kësaj nismë kanë qënë dhe do të jenë poetët dhe shkrimtarët të cilët janë dhuruesit më të mirë të librit.
Presidentja e Shoqatës De Giovanni pasi i falenderoi të gjithë faktorët që ndihmuan në organizimin e konferencës, u ndal tek mesazhi që kjo veprimtari përcjell, atë të njohjes së letërsive respektive, të autorëve të Mesdheut, të kulturave që e gjallojnë atë dje dhe sot me të gjitha vargjet e bukura që lexojmë. I falenderoi të gjithë pjesëmarrësit, edhe ata që erdhën nga larg, shumë larg, deri dhe nga Japonia, pasi e tillë është natyra e shoqatës.
Më pas filloi punimet konferenca dy ditore me një temë tepër interesante dhe të gjerë që kishte në qendër detin, udhëtimin, krahinat që lagen nga Mesdheu, autorë dhe autore, epoka, histori, mite. Ditën e dytë të punimeve më takoi të flisja për Letërsinë shqiptare, pikërisht për poezinë që nga viti 1944 e deri në vitin 1990 dhe për autorin dhe lirikun më të madh shqiptar të asaj periudhe, gjeniun dhe mjeshtërin e vargut, Dritëro Agollin. Nuk mund ta ndash atë nga poetët e tjerë të mëdhenj të Mesdheut, nga deti, edhe pse nuk e ka njohur që në vogëli, nga udhëtimi që ka emrin jetë, nga të gjitha udhëtimet që Shqipëria përshkoi në mbi 45 vjet të historisë së saj, nga libri i madh Udhëtoj i menduar, që çdo autor do ta meritonte ta shkruante. Në thelb udhëtimi është një filozofi më vete që, nëse shkenca e mendjes dhe arsyes nuk e ka marrë shumë në konsideratë, janë poetët ata që i japin frymëmarrje gjithë filozofisë së udhëtimit. Konferenca i mbylli punimet në një abaci, kishë, ku ende dukeshin gjurmët e traditave ortodokse të ndërtimit dhe afreskeve. Ndoshta midis piktorëve të asaj kohe ka patur edhe shqiptarë të cilët si kurdoherë kanë lënë gjurmët e tyre të gjalla në kulturën e vendit fqinj. Në fund një recital me poezi të autorëve pjesëmarrës në konferencë dhe disa çmime për kontributet në kulturë. Gjatë qëndrimit tonë në Leçe patëm mundësi që të shijonim edhe kuzhinën e pasur të Salentos, krahinë që mbi 22 vjet më parë hapi dyert e saj për të pritur me mijëra emigrant Shqiptarë. Asgjë nuk kishte ndryshuar nga mikpritja e tyre fisnike dhe e dashur. Kanë ndryshuar vetëm kohët.
Ditën e dielë 30 qershor rruga e kthimit për në atdhe ndalet në Brindizi, një qytet ku deti është kryefjala e ditës, ku vera edhe pse disi e freskët, kishte hapur zemrën dhe pushues të shumtë shëtisnin mbrëmjeve buzë detit, përgjatë shëtitores së saporestauruar. 5 orë më tutje, drejt lindjes, përballë, ndodhej atdheu im.
Nga njëra Itakë tek tjetra
Ai rrip toke mbi të cilin
Hodha hapat e fundit në tokën amëtare
Për të hipur lart në anijen “Shuttle”,
Po largohej gjithnjë e më shumë
Dhe mjegulltazi po zhdukej në det.
Valët e bardha shkumbonin
Si të zemëruara me ndarjen:
Kush është ai njeri që nuk derdh lot,
Kur diçka të dashur e humbet !…