• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Senati miraton paketën stimuluese prej 1,9 trilion dollarësh

March 6, 2021 by dgreca

Senati amerikan miratoi të shtunën planin e Presidentit Joe Biden prej 1.9 trilionë dollarësh për ndihmën për koronavirusin, pas një seance që zgjati që nga nata e kaluar.

Plani përfundimtar përfshin 400 miliardë dollarë në formë pagesash prej 1,400 dollarësh për shumicën e amerikanëve, nga 300 dollarë në javë për 9,5 milion njerëz që kanë humbur punën dhe 350 miliard dollarë ndihma për shtetet dhe qeveritë lokale që kanë mbetur me mangësi në buxhetet e tyre për shkak të pandemisë.

Presidenti Joe Biden tha të shtunën se miratimi nga Senati i projektligjit nënkupton se pagesat 1,400 dollarëshe për shumicën e familjeve amerikane do të fillojnë këtë muaj dhe dispozitat e projekt-ligjit do të përshpejtojnë prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave.

Zoti Biden, duke komentuar në Shtëpinë e Bardhë, tha se pagesa do të marrin mbi 85% e familjeve amerikane; një çifti me dy fëmijë që kanë deri në 100,000 dollarë të ardhura në vit i takon të marrë rreth 5,600 dollarë.

Senati e miratoi projektligjin me 50 vota pro dhe 49 kundër, në linja thjesht partiake. Një senator republikan nuk ishte i pranishëm. Asnjë republikan nuk votoi pro për këtë paketë stimuluese, ndër më të mëdhatë në historinë e vendit.

Beteja ende nuk ka mbaruar, pasi projektligji duhet të kthehet të martën në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila miratoi një version pak më të ndryshëm një javë më parë. Projektligji duhet të kalojë nëpër një proces rakordimi mes Dhomës dhe Senatit.

Paketa stimuluese është një përparësi për Presidentin Biden ndërkohë që vendi vazhdon betejën me pandeminë, e cila ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 520,000 amerikanëve.(Zeri i Amerikes)

Filed Under: Kronike Tagged With: Paketa 1.9 trilion, senati

Senati shpall të pafajshëm ish-Presidentin Trump

February 13, 2021 by dgreca

Senati amerikan votoi të shtunën për ta shpallur të pafajshëm ish-Presidentin Donald Trump nën akuzën për nxitje rebelimi të ngritur nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Senati votoi me 57 vota për ta shpallur ish-presidentin fajtor dhe 43 jo fajtor. Meqenëse në një gjyq në Senat kërkoheshin 67 vota, ose dy të tretat për fajësimin, ish-Presidenti Trump u shpall i pafajshëm.

Shtatë republikanë u shkëputën nga radhët e grupit të tyre dhe votuan pro fajësimit.

TRUMP PËRSËRI I MBIJETON GJYQIT NË SENAT

Është hera e dytë në 12 muaj që zoti Trump i mbijeton një gjyqi në Senat kundër tij. Demokratët synonin që ai të mos lejohej të kandidonte përsëri për një post publik. 

Zoti Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë më 20 janar, prandaj ishte e qartë se ngritja e akuzës për nxitje rebelimi kundër tij nuk do të përdorej dot për heqjen e tij nga detyra.

Por demokratët kishin shpresuar që, duke e shpallur atë fajtor ta mbanin atë përgjegjës për sulmin në Kapitol që la pesë të vdekur, përfshirë një oficer policie dhe të përgatisnin terrenin për ta ndaluar atë që të shërbejë përsëri në një post publik. Duke pasur parasysh mundësinë që zoti Trump të vijë përsëri në një post publik në të ardhmen, argumentuan ata, ai nuk do të hezitonte të inkurajonte përsëri dhunën politike.

Republikanët e shpëtuan ish-presidentin Trump edhe në votimin e 5 shkurtit 2020, në gjyqin e mëparshëm për shpalljen e tij fajtor, kur vetëm një senator nga radhët e tyre – Mitt Romney – votoi për fajësmin dhe heqjen e tij nga posti.

Drama në Senat u zhvillua në sfondin e ndarjeve të thella në linja politike, në planin racor dhe socio-ekonomik, ndërkohë që vendi është goditur rëndë nga pandemia.

Gjyqi solli një luftë të mëtejshme partiake, edhe pse Presidenti demokrat Joe Biden, i cili mori detyrën në 20 janar ka premtuar shërim dhe unitet pas katër viteve të trazuara të paraardhësit të tij në pushtet dhe një fushate elektorale të tensionuar.

Zoti Trump, 74 vjeç, vazhdon të mbajë nën kontroll partinë e tij me kredon populiste të djathtë dhe mesazhin “Amerika e para”. Ai ka shqyrtuar mundësinë për të kandiduar përsëri për president në vitin 2024.

Trump është presidenti i tretë në histori ndaj të cilit Dhoma e Përfaqësuesve ngre akuza për ta shpallur fajtor – një hap i ngjashëm me një aktakuzë penale – si dhe i pari ndaj të cilit ngrihen dy herë akuza të tilla si dhe i pari që përballej me një gjyq në Senat pas largimit nga detyra.

Deri më sot Senati ende nuk ka shpallur fajtor ndonjë president ndaj të cilit ngrihen akuza nga Dhoma e Përfaqëasuesve.

Demokratët vendosën të mos i ndryshojnë planet për ta vazhduar procesin, pavarësisht se e dinin se kjo mund të hedhë hije mbi javët e para yepër të rëndësishme të presidencës Biden.

Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi akuzën kundër zotit Trump më 13 janar dhe 10 republikanë iu bashkuan shumicës demokrate të Dhomës. Votimi erdhi një javë pasi turma pro-Trump sulmoi Kapitolin, ndërpreu çertifikimin zyrtar në Kongres për fitoren e zotit Biden, u përlesh me policinë e vogël në numër, hyri në sallat solemne të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit dhe bëri që ligjvënësit të largoheshin me shpejtësi për në një objekt të sigurt brenda perimetrit të Kongresit.

REAGON ISH PRESIDENTI TRUMP

Ish Presidenti Donald Trump tha të shtunën se gjyqi në Senat kundër tij ishte një fazë tjetër e “gjuetisë më të madhe të shtrigave në historinë e vendit tonë”.

Zoti Trump e bëri komentin në një deklaratë, pasi Senati e shpalli atë të pafajshëm, në një gjyq ku republikanët e mbrojtën atë nga përgjegjësia për sulmin vdekjeprurës të 6 janarit nga mbështetësit e tij në Kapitol.

ARGUMENTET PËRMBYLLËSE

Prokurorët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe pala mbrojtëse paraqitën të shtunën pasdite argumentet e tyre përmbyllëse pro dhe kundër.

Në argumentet e tyre, ligjvënësit demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve u kërkuan senatorëve që ta shpallin zotin Trump përgjegjës lidhur me akuzën për nxitje të rebelimit.

Prokurori kryesor demokrat, ligjvënësi Jamie Raskin, tha se turma e 6 janarit veproi sipas udhëzimeve të zoti Trump dhe me miratimin e tij, duke shtuar se ish-presidenti dështoi të mbrojë ligjvënësit apo ish-nënpresidentin e zgjedhur nga ai vetë. 

“Nëse kjo nuk përbën një bazë për fajësim, nëse ky nuk është një krim i rëndë dhe si dhe një akt i paligjshëm kundër republikës si dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, atëherë asgjë tjetër nuk mund të jetë. Presidenti Trump duhet të dënohet për të garantuar sigurinë e demokracisë dhe popullit tonë”, tha ai.

Avokatët e zotit Trump, kanë argumentuar se gjyqi nuk duhej të ishte mbajtur, sepse zoti Trump nuk ishte më në detyrë dhe thanë se komentet e tij në fjalimin që i parapriu trazirave ishin të mbrojtura nga amentamenti i parë i Kushtetutës.

Michael van der Veen, një nga avokatët e zotit Trump, tha se ndaj klientit të tij nuk po zhvillohej një proces i rregullt dhe se zoti Trump nuk kishte nxitur dhunë. 

“Pavarësisht se po shohim pamje me të vërtetë të tmerrshme lidhur me sjelljen e protestuesve kjo nuk ndryshon faktin që zoti Trump është i pafajshëm për akuzat kundër tij”, tha ai. “Akti i nxitjes nuk ka ndodhur kurrë”. 

Demokratët kanë hedhur poshtë ato argumente, duke përfshirë dhe pohimin se ndaj ish-presidenti nuk u zhvillua një proces i rregullt ligjor. 

ÇËSHTJA E DËSHMITARËVE

Përpara kësaj, Senati arriti një marrëveshje për të mos thirrur dëshmitarë në gjyqin ndaj ish-Presidentit Trump duke i hapur rrugë paraqitjes së argumenteve përmbyllëse.

Por fillimisht Senati u përfshi nga paqartësitë mbi këtë çështje. Senatorët votuan për të vlerësuar mundësinë e thirrjes së dëshmitarëve në gjyq.

Përplasjet e minutës së fundit për dëshmitarët ishin pasojë e komenteve të bëra të premten në mbrëmje nga një ligjvënëse republikane e Dhomës së Përfaqësuesve në lidhje me një telefonatë të nxehtë gjatë ditës së trazirave mes zotit Trump dhe udhëheqësit të pakicës së kësaj dhome Kevin McCarthy, që demokratët thonë se është dëshmia e indiferencën së zotit Trump ndaj dhunës në Kapitol.

Fillimisht në Senat po diskutohej nëse duhej të thirrej për të dëshmuar ligjvënësja Jaime Herrera Beutler, një nga 10 republikanët që votuan për ngritjen zyrtarisht të akuzës ndaj zotit Trump në Dhomën e Përfaqësuesve. Në një deklaratë të premten vonë ajo tha se zoti Trump kishte kundërshtuar një lutje të zotit McCarthy për t’i ndalur protestuesit. Demokratët e konsiderojnë atë një provë kyçe që konfirmon se presidenti ” braktisi qëllimisht detyrën si komandant i përgjithshëm”.

Procesi gjyqësor u ndal papritmas të shtunën në mëngjes dhe madje senatorët dukeshin të hutuar për hapat e ardhshëm.

Gjyqi në Senat ka nxjerrë në pah rrezikun e jashtëzakonshëm me të cilin u përballën ligjvënësit më 6 janar, ndërsa zoti Trump u bëri thirrje ndjekësve të tij të marshonin drejt Kapitolit, në një përpjekje për të parandaluar ligjvënësit që të çertifikonin ditoren e tij ndaj demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale.Si pasojë pesë persona humbën jetën.

Pamje filmike të marra nga kamerat e sigurisë të cilat u paraqitën gjatë procesit të gjykimit tregonin se protestuesit ishin afruar shumë pranë e duke vendosur në rrezik ligjvënësit ndërsa ata po evakuoeshin nga Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve.

Në shënjestër të protestuesve ishte edhe Nënpresidenti Mike Pence, i cili më herët gjatë asaj dite kishte refuzuar kërkesën e zotit Trump për të ndërhyrë në procedurat për çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Në një postim në Twitter zoti Trump kritikoi zoti Pence për mungesë “guximi” menjëherë pasi senatori republikan Tommy Tuberville kishte njoftuar zotin Trump se nënpresidenti po evakuohej për arsye sigurie.

Avokatët e zotit Trump dhanë përgjigje kontradiktore të premten kur u pyetën nëse zoti Trump e dinte se zoti Pence ishte në rrezik kur publikoi postimin e tij. Disa senatorë republikanë thanë se ata kishin ende pyetje në lidhje me rolin e zotit Trump në sulmin e dhunshëm në Kapitol.

“Çështja është se cili ishte qëllimi i presidentit? Për këtë gjë vetëm presidenti mund të përgjigjej. Dhe presidenti zgjodhi të mos e bëjë”, u tha gazetarëve senatori republikan Bill Cassidy. Ai shtoi se nuk e kishte ndarë ende mendjen se si të votonte. Ish-Presidenti Trump e hodhi poshtë kërkesën e prokurorëve të çështjes për të dëshmuar në gjyqin e ti.(Kortezi-Zeri i Amerikes)

Filed Under: Politike Tagged With: Pafajsi, Presidenti Trump, senati

Republikanët e Senatit rrëzojnë veton e Presidentit Trump

January 2, 2021 by dgreca

Senati i Shteteve të Bashkuara i kontrolluar nga republikanët rrëzoi të premten veton e Presidentit Donald Trump, për herë të parë në gati katër vitet e tij në detyrë, duke lënë kështu në fuqi një projekt-ligj mbi shpenzimet e mbrojtjes megjithë kundërshtimin e tij të fortë 20 ditë para se të largohet nga detyra.

“Me kuorumin e dy të tretave të senatorëve, projektligji miratohet duke tejkaluar kundërshtimet e presidentit të Shteteve të Bashkuara”, deklaroi drejtuesi i seancës, Senatori republikan Josh Hawley.

Senati votoi kështu 81-13 për të anulluar veton e Presidentit Trump dy ditë para se Kongresi i ri të bëjë betimin për marrjen e detyrës të dielën. Presidenti Trump, i cili largohet nga detyra në 20 janar, ka ushtruar me sukses veton tetë herë më parë.

I mbledhur në një seancë të rrallë në ditën e Vitit të Ri, Senati siguroi shumicën e dy të tretave të nevojshme për ta tejkaluar veton nëpërmjet mbështetjes dypartiake. Ligjvënësit republikanë përgjithësisht e kishin mbështetur presidentin gjatë mandatit të tij të trazuar në Shtëpinë e Bardhë.

“…Është një përgjegjësi serioze, por edhe një mundësi e jashtëzakonshme, të përcaktojmë prioritetet e sigurisë tonë kombëtare, duke reflektuar vendosmërinë e popullit amerikan dhe rreziqet ndaj sigurisë në atdhe dhe jashtë tij”, tha Senatori Mitch McConnell, kreu i maxhorancës republikane.

Që prej dështimit të përpjekjes së tij për t’u rizgjedhur në nëntor, Presidenti Trump i ka kritikuar për mos-mbështetjen e plotë të pretendimeve të tij të paprovuara për manipulime elektorale, për refuzimin e kërkesës së tij për më shumë asistencë financiare gjatë pandemisë, si dhe për pozicionimin kundër vetos së tij.

Presidenti amerikan ka fuqinë të vërë veton mbi një projekt-ligj të miratuar nga Kongresi, por ligjvënësit mund ta mbajnë në fuqi projekt-ligjin nëse dy të tretat e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit votojnë për ta tejkaluar veton.

Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) prej 740 miliardë dollarësh përcakton gjithçka, nga sa anije luftarake do të blihen dhe deri tek pagat e ushtarakëve dhe se si të trajtohen kërcënimet gjeopolitike. Por, Presidenti Trump nuk pranoi ta nënshkruajë sepse nuk u shfuqizuan disa mbrojtje ligjore për platformat e mediave sociale dhe për shkak se ekziston një dispozitë për heqjen e emrave të gjeneralëve të Konfederatës nga bazat ushtarake.

Presidenti Trump, i cili u kthye në Uashington të enjten nga klubi i tij privat në Florida, ka rritur presionin ndaj republikanëve dhe ka kritikuar udhëheqjen e partisë se nuk e mbështeti për këto dy masa ligjore si dhe në përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.

Dhoma e Përfaqësuesve tashmë e ka rrëzuar veton e presidentit. 

Nga ana tjetër, demokratët, në një rreshtim të pazakontë në krah të Presidentit Trump, përshëndetën thirrjen e tij për pagesa të drejtpërdrejta prej 2,000 dollarësh për familjet amerikane, nga 600 dollarë për familje të miratuara deri tani.

Për pagesa më të mëdha janë edhe një numër republikanësh, por shumë të tjerë thonë se paratë do t’u shkonin njerëzve që nuk janë në nevojë.

Presidenti Trump, i cili u kthye në Uashington të enjten nga klubi i tij privat në Florida, ka rritur trysninë ndaj republikanëve dhe i ka kritikuar udhëheqësit e partisë.

Tensionet mes republikanëve po rriten gjithashtu rreth planit të disa konservatorëve për të shprehur kundërshtimin e tyre të mërkurën e ardhshme, kur Kongresi i ri zyrtarisht do të votojë mbi rezultatet e Kolegjit Zgjedhor që konfirmon fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhje para se ai të bëjë betimin më 20 janar.

Sipas njoftimeve të medias, kreu i shumicës republikane të Senatit Mitch McConnell, i cili ka pranuar publikisht fitoren e zotit Biden, ngriti të enjten pikëpyetje në një bisedë telefonike me grupin e tij rreth planit të senatorit republikan Josh Hawley për të kundërshtuar në seancën e datës 6 janar.

Sipas televizionit CNN, të paktën 140 republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve pritet të dalin me kundërshtime të ngjashme, pavarësisht se Kongresi në këtë rast ka thjesht një rol ceremonial.

Manovrat e planifikuara në seancë, mund të bëhen shkak për një debat të gjatë në Senat, por nuk kanë asnjë shans të përmbysin rezultatin e zgjedhjeve.(Kortezi:Zeri i Amerikes)

Filed Under: Featured Tagged With: Republikanet, senati, Veto e Presidentit

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT