• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BALLKAN HESAPI-SENATI AMERIKAN KRITIKON ASHPËR BULLGARINË…

March 19, 2021 by dgreca

…PËR KORRUPSION NË PRAG TË ZGJEDHJEVE PARLAMENTARE/

Nga Frank Shkreli/ Në fillim të këtij muaji, Kryetari demokrat i Komisionit të Senatit amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë, Senatori Bob Menendez nga shteti Nju Xhersi dhe zevëndës kryetari republikan, Senatori Xhim Risch nga shteti Idaho lëshuan një deklaratë për median mbi marrëdhëniet SHBA-Bullgari, ndërsa Bullgaria ka filluar tanimë fushatën zyrtare për zgjedhjet parlamentare me 4 prill, 2021.   “Shtetet e Bashkuara dhe Bullgaria kanë marrëdhënie të forta dhe në rritje e sipër — që ashtu si edhe aleanca e NATO-s në terësi – ato behën edhe më të forta kur këto marrëdhënie mbështeten në vlerat e përbashkëta demokratike”, thonë ushëheqsit e Komisionit të fuqishëm dhe me influencë të Senatit amerikan, për marrëdhëniet me jashtë.  Duke shprehur shqetësimin e tyre të thellë për gjëndjen politike ë Bullgari, senatorët u shprehën se “Ne do të dëshironim që këto marrëdhënie të vazhdojnë të zhvillohen, veçanërisht, në mbështetje të objektivave të përbashkëta të sigurisë dhe energjisë, por korrupsioni i vazhdueshëm, rënia e lirisë së medias, politizimi i gjyqësorit dhe kërcënime të tjera ndaj shtetit të së drejtës, përbëjnë sfida serioze për marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Bullgari”, thekësojnë senatorët amerikanë në deklaratën e tyre mjaft të ashpër, kur të konsiderohet se i drejtohen një vendi anëtar të NATO-s dhe Bashkimit Evropian. 

See the source image
See the source image

                   Senatori Bob Menendez                             Senatori Jim Risch

Senatorët amerikanë, demokrati Bob Menendez dhe republikani Xhim Risch thonë, në deklaratën e tyre, se Bullgaria renditet e fundit — nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian — në Indeksin e Perceptimit të Korrrupisonit për vitin 2019 të organizatës Transparency International si dhe në Indeksin Botëror për Lirinë e Shtypit të organizatës, Reporterët pa Kufi.  Këto renditje, më të ulëtat në Bashkimin Evropian”, shtojnë senatorët, “nënvijojnë rëndësinë e sfidave me të cilat përballet sot Bullgaria.”  Prandaj, sipas ligjëvenësve amerikanë, i takon qeverisë dhe gjyqësorti bullgar që të punojnë për ruajtjen e rendit dhe për zbatimin e ligjit, për të gjithë qytetarët dhe pa dallim e jo vetëm për disa dhe i bëhet thirrje Sofias zyrtare që të sigurohet edhe liria e medias, ashtu që gazetarët të kenë lirinë dhe mundësinë për të raportuar të vërtetën, pa u përballur me ngacmime, frikësime e madje edhe me dhunë e ndëshkime nga autoritetet qeveritare dhe shtetërore.

Në deklaratën e tyre, Kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me jashtë i Senatit të Shteteve të Bashkuara, demokrati Bob Menendez dhe zevendës kryetari i këtij komisioni, republikani Xhim Risch thonë se, “Ndërsa po afrohen zgjedhjet parlamentare të prillit, është e doemosdoshme që qeveria e Bullgarisë të mbrojë  vlerat demokratike” në vend, thekësuan senatorët amerikanë.  Ata venë në dukje faktin se për 8 muaj tani, qytetarët bullgarë kanë protestuar vazhdimisht duke bërë thirrje për t’i dhenë fund korrupsionit dhe për respektimin e ligjit dhe të vlerave demokratike në Bullgari. Mijëra protestues demonstruan verën që kaloi kundër korrupsionit nën qeverisjen e Kryeministrit Bojko Borisov, i cili ka udhëhequr vendin për pothuaj një dekadë tani. 

Sipas disa mediave ndërkombëtare, Presidenti i vendit, Rumen Radev i cili ka mbështetur protestat popullore kundër qeverisë së Kryeministrit Borisov ka hedhur akuza se ajo, që ai ka cilësuar,m si “mafie”, kontrollon qeverinë Borisov si dhe Prokurorinë e Përgjithëshme të vendit.

Ndërkaq, senatorët i kërkojnë gjithashtu administratës amerikane që, në frymën e marrëdhënieve amerikano-bullgare, t’i mbështesi thirrjet e protestuesve bullgarë kundër korrupsionit, kërkesat e tyre për rivendosjen e lirisë së medias dhe të promovohet, njëkohësisht, shteti i së drejtës në at vend ballkanik.  Hapat që do të marrë Bullgaria drejtë zgjidhjes së këtyre çështjeve serioze vetëm do të shërbejnë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona, janë shprehur udhëheqsit e Komisionit për Punët e Jashtëme të Senatitt amerikan, Senatorët Bob Menendez dhe Xhim Risch.

          Senatorët amerikanë i bëjnë thirrje Kryeministrit bullgar, Bojko Borisov që të respektojë vlerat demokratike, përfshir lirinë e medias dhe shtetin ligjor

Organizata për mbrojtjen e lirisë së shtypit në botë, Reporterët pa Kufij, ka raportuar në lidhje me mungesën e lirisë së medias në Bullgari — duke thenë se një mik i ngusht i Kryeministrit Borisov i quajtur Delyan Peevski, kontrollon pothuaj 80% të medias së printuar në atë vend si dhe rrjete private televizive dhe portale të ndryshme, duke i dhënë atij një avantazh dhe influencë të madhe në shpërndarjen e informaconit, sidomos gjatë një fushate elektorale. Organizata ndërkombëtare, Reporterët pa Kufij, me qendër në Paris është shprehur se, “Qeveria bullgare, fatkqësisht, ka demonstruar qartë se nuk është aspak e interesuar që të përmirësojë lirinë e medias në vend dhe as të respektojë detyrimet ndërkombëtare”, për lirinë e shtypit dhe medias, në përgjithësi.  “Megjithëse liria e shtypit garantohet në kushtetutën bullgare, Bullgaria rrezikon të bëhet një vend në të cilin nuk mbetet askush që të ushtrojë lirinë e medias”, thuhet në një njoftim të organizatës, Reporterët pa Kufij. 

Kjo organizatë ndërkombëtare për mbrojtjen e lirisë së shtypit dhe fjalës së lirë në botë e renditë Bullgarinë – fatkeqësisht, një vend anëtar të NATO-s dhe Bashkimit Evropian (BE) — në vendin e 111 nga 180 vendet e botës, përsa i përket lirisë së medias dhe në fund të listës së të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian por edhe të rajonit të Ballkanit në përgjithësi, vende të cilat ende nuk janë anëtare të BE-së megjithëse aspirojnë të bëhen të tilla.  

Rasti i Bullgarisë nuk është shumë shpresëdhënës për antarësim në BE të disa vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor — përfshir Shqipërinë — e të cilat përballen me të njëjtat probleme si Bullgaria, si pasojë e një qeverisjeje autoritare me të njëjtat probleme dhe shkelje të vlerave demokratike në përgjithësi, lirisë së medias dhe ushtrimit të fjalës së lirë, në veçanti – në një mospërfillje flagrante të detyrimeve marrë përsipër bazuar në marrëveshje dhe konventa ndërkombëtare.   Ballkan, hesapi!

Frank Shkreli

                                           

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Kritikon Bullgarine, Senati Amerikan

Presidenti Meta, i Ftuar Nderi në Senatin amerikan

February 5, 2019 by dgreca

Uashington, D.C. Sh.B.A.-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Ilir Meta ishte i Ftuar Nderi në Senatin amerikan nga Kryetari i Komisionit të Mbrojtjes, Senatori Jim Inhofe, për të mbajtur fjalën në forumin me temë: “Sfidat e Rajonit të Europës Juglindore dhe përballja me ndërhyrjen nga Rusia”.

Presidenti Meta njohu audiencën me sfidat e sigurisë në rajonin e Europës Juglindore dhe rolin e Shqipërisë në politikën rajonale, qëndrimin e tij mbi bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga BE-ja, si dhe përpjekjet dhe reformat e vendit drejt integrimit në bashkimin evropian.

Presidenti Meta tha se Ballkani ka pësuar transformime të thella në dy dekadat e fundit në të cilat janë investuar seriozisht SHBA-ja dhe BE-ja.

Një nga investimet më të mëdha dhe të suksesshme ka qenë Pavarësia e Kosovës dhe në vijimësi vendosja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve dhe të stabilitetit, paqes dhe sigurisë afatgjatë në rajon.

Marrëveshja që mendohet të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë është e rëndësishme të çlirojë energji pozitive, të ndihmojë frymën e bashkëjetesës dhe të ndërtojë një të ardhme më të mirë për të dy vendet.

Lidhur me ndërhyrjen e Rusisë dhe rolin e saj në rajon, Presidenti Meta u shpreh se ardhmja rajonin është Europa e Bashkuar dhe NATO-ja, ndërsa Shqipëria dhe shqiptarët do vazhdojnë të jenë promotorë e integrimit të rajonit në NATO dhe BE.

Presidenti Meta foli gjithashtu lidhur me situatën në Maqedoni e Veriut dhe konsideroi miratimin nga dy parlamentet të ndryshimit të emrit si një arritje historike që do ta bëjë rajonin më të sigurtë dhe do ta sjellë më pranë BE-së dhe NATO-s, duke theksuar se ky është një proces i rëndësishëm dhe jetik për të ardhmen e tij.

Në vijim, fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta:

“Ndihem shumë i kënaqur që jam pjesë e kësaj audience të shquar.

Europa Juglindore po kalon një transformim epik, duke rindërtuar të ardhmen e saj nga hiri i Luftës së Ftohtë dhe konfliktet e përgjakshme që trazuan gjithë rajonin për një kohë të gjatë.

Në të vërtetë, një skenar i tillë do të vazhdonte edhe deri tani kur po flasim, nëse rajoni ynë nuk kishte përqafuar modelin më të mirë të arkitekturës së sigurisë në historinë e njerëzimit: NATO-n dhe Bashkimi Europian.

Procesi i paqes dhe dizenjoja e sigurisë u mbështetën nga udhërrëfyesi i NATO-s, për ta ankoruar plotësisht këtë rajon në axhendën e përbashkët të sigurisë të Aleancës.

Ne mbështetemi në përpjekjet dhe vëmendjen e shtuar të SHBA-së për t’i çuar deri në fund punët e papërfunduara në Ballkanin Perëndimor.

Jam krenar që qëndroj para jush sot duke e ditur se Shqipëria ka qenë dhe vazhdon të jetë një katalizator jetik për të zgjeruar kufijtë e NATO-s dhe të BE-së, pasi ato mbeten bazat e stabilitetit dhe të begatisë në Ballkanin Perëndimor.

Rajoni ynë është ende në një fazë vendimtare. Anëtarësimi sfidues i Malit të Zi në NATO dëshmoi nevojën për një rajon plotësisht të integruar në Aleancë.

Po aq i rëndësishme është edhe anëtarësimi i Maqedonisë Veriore, pas arritjes së marrëveshjes historike me Greqinë si dhe vendeve të tjera në rajon.

Teksa vazhdojmë të konsolidojmë demokracinë, shtetin ligjor, luftën kundër krimit të organizuar dhe ndaj ndikimit të huaj që duan të kontrollojnë këtë rajon, ky proces vendimtar nuk është se shkon në të vërtetë krejtësisht i pakontestueshëm.

Ne jemi të bindur se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të prodhojë paqe, stabilitet, siguri afatgjatë në rajon duke pasur SHBA-në dhe BE-në si garantues.

Rezultatet e kësaj marrëveshjeje përfundimtare do të thonë se Kosova do të jetë njohur nga Serbia si një shtet i pavarur dhe anëtar me të drejta të plota i Kombeve të Bashkuara.

Ndryshimi i vetëm kufitar për të cilin duhet të punojmë natë e ditë në rajonin tonë është zgjerimi i plotë i kufirit europian në Ballkanin Perëndimor.

Pse Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të përqendruara në këtë rajon?

Jemi realistë se sfidat gjithnjë e në rritje, me të cilat përballet SHBA-ja në arenën globale, por jo vetëm ato, tranzicionet e BE-së, si dhe sfidat e brendshme strukturore me të cilat përballet Aleanca, kërkojnë dhe meritojnë vëmendje të plotë.

Është koha për të ngritur flamurin sinjalizues e një rreziku potencial që mund të krijojë e të lerë një vakum në rajon, i cili mund të mbushet nga ekstremizmi fetar me ndihmën e disa fuqive të huaja.

Vetëm pak javë më parë, Shqipëria dëboi ambasadorin iranian në Tiranë, së bashku me njërin prej diplomatëve të tyre, të cilët po rrezikonin sigurinë tonë kombëtare.

Zvogëlimi dhe mungesa e koordinimit të SHBA-ve dhe Bashkimit Europian si dhe përfshirjes së tyre në Ballkan mund të krijojë një vakum që do të rriste praninë e Rusisë dhe aktorëve të tretë në rajon.

Suksesi i një paqeje të qëndrueshme në rajon ka ardhur si rezultat i partneritetit të fortë transatlantik, i cili mbetet jetik edhe sot, pavarësisht dallimeve.

Destabilizimi i rajonit është në interes të Rusisë, ndërsa fati i tij në rajon është në BE dhe në NATO gjithashtu.

Gjatë vizitës së tij në Beograd, Presidenti Putin akuzoi SHBA-në dhe BE-në se po përpiqen të destabilizojnë seriozisht rajonin.

Në të vërtetë, ne dëshirojmë që Rusia të respektojë aspiratën euroatlantike të vendeve në rajon.

Jemi realistë për faktin se e kuptojmë që fuqitë rivale dhe aktorët që sfidojnë Aleancën Euro-Atlantike janë të fortë, por ne duhet të jemi këmbëngulës në përballimin e këtyre kërcënimeve, nëpërmjet një partneriteti strategjik kolektiv në mënyrë të tillë që të gjithmonë të mbrojmë rajonin tonë dhe interesat e Aleancës.

Ju faleminderit të gjithëve për vëmendjen tuaj!”

Filed Under: Featured, Kronike Tagged With: i Ftuar nderi, Presidenti Meta, Senati Amerikan

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT