Ministrja Tahiri: Kemi njoftuar Bashkimin Evropian se një kompani serbe e naftës po tenton të nis veprimin ilegal në Kosovë/
Prishtinë, 14 dhjetor 2016-Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka bërë me dije se Ministria për Dialog ka njoftuar zyrtarisht Bashkimin Evropian në lidhje me përpjekjet për veprimtari ilegale në Kosovë të një kompanie nga Serbia e cila merret me shitjen e derivateve të naftës dhe e cila ka përgatitur për të hapur tri pika të shitjes në Kosovë gjegjësisht në komunën e Mitrovicës Veriore, Zubin Potokut dhe Zveçanit. Ajo ka kërkuar nga BE-ja që të angazhohet për pengimin e zhvillimeve të tilla që janë në kundërshtim me frymën e dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.Ministrja Tahiri, po ashtu ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të lejojë veprimtarinë joligjore të kësaj kompanie si dhe ka ftuar në vigjilencë të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës duke marrë parasysh informacionin se kjo kompani sjellë naftën ruse në Kosovë. “Duhet të kemi vigjilencë maksimale që të ndalojmë çfarëdo ndikimi të Rusisë në Kosovë sepse mund të jetë me rreziqe për sigurinë kombëtare të shtetit tonë euroatlantik dhe me rreziqe gjeostrategjike për Kosovën dhe rajonin. Kjo çështje duhet të trajtohet nga institucionet tona shtetërore në kontekstin e ambicieve të rrezikshme të Rusisë për ndërhyrje të mundshme gjeostrategjike në gjithë rajonin e Ballkanit”, tha ministrja Tahiri. Pas marrjes së informacionit nga mediat se një kompani e Serbisë e cila bënë shitjen e derivateve të naftës është duke hapur tri pika të shitjes në komunat veriore të Kosovës me datën 6 dhjetor 2016, Ministria për Dialog ka njoftuar menjëherë Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë duke kërkuar që të bëhen verifikime zyrtare të kësaj informate.Me datë 8 dhjetor 2016, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, pas verifikimeve ka njoftuar zyrtarisht se pas inspektimit nga Inspektorati përkatës është konstatuar se informata është e saktë dhe se kompania e ashtuquajtur “Nis petrol” ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka vendosur për t’i hapur tri pika të shitjes pa pasur licencë përkatëse nga institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës.Pas këtij konfirmimi zyrtar, Ministria për Dialog ka njoftuar Bashkimin Evropian në lidhje me këtë problem dhe ka kërkuar angazhime adekuate të BE-së si ndërmjetëse e dialogut.Sipas të dhënave të siguruara përmes internetit thuhet se kompania “Nis petrol” është kompani aksionarësh ku 56 % të aksioneve janë nën menaxhimin e kompanisë ruse “Gazprom” dhe pjesa tjetër e Qeverisë së Serbisë.