Shkruan: Adil FETAHU/
Paranoja është fenomen që i përket mendjes së njeriut, qoftë të një individi, apo një shoqërie, grupi shoqëror, shteti. Në psikiatri paranoja konsiderohet si sëmundje e identitetit të individit apo shoqërisë të destabilizuar. Individi apo shoqëria paranoike imagjinon dhe trillon armiq, që nuk ekzistojnë. Natyrisht që paranoja në skenarët politikë të një shoqërie-shteti, është shumë më e rrezikshme se ajo e individit. Ta marrim shembullin e paranojës së nacizmit hitlerian kundër hebrenjve, dhe pasojat e asaj paranoje.
Konspiracioni është përpjekja spekulative për përpunimin dhe plasimin e informacioneve dhe shpjegimin e gjërave dhe ngjarjeve shoqërore, politike, historike, duke sugjeruar fakte dhe motive sikur është një plan i fshehtë, i ndonjë shoqërie të fshehtë të personave të fuqishëm, për të arritur një qëllim të fundit të ngjarjes.
Individët, shoqëritë dhe shtetet vuajnë nga paranoja e konspiracionit, kush më shumë e kush më pak, varësisht nga rrethanat dhe gjendja e stabilitetit. Fqiu ynë verior, Serbia, po edhe ai jugor (Greqia) vuajnë nga paranoja antishqiptare, si gjatë historisë, ashtu edhe aktualisht. Serbia, që është e destabilizuar në këto 25 vjetët e fundit, vuan nga paranoja e konspiracionit të përmasave globale. Ajo imagjinon e trillon armiqë, në mesin e popujve e shteteve; sidomos në Shqiptarët, Kroatët, Boashnjakët, Gjermanët, Amerikanët, Anglezët, por edhe te të tjerët. Konspiracionin e vet paranoik Serbia e sajon ashtu që popujt dhe shtetet e caktuara, por edhe individë të caktuar me ndikim në proceset politike-strategjike botërore, gjoja kishin dhe kanë për qëllim dobësimin deri në shkatërrim dhe zhdukjen e shtetit dhe të popullit serb. Në çdo variant, ajo e paraqet popullin dhe shtetin serb si viktimë e konspiracionit. Dhe kjo paranojë e konspiracionit është ngulitur thellë në mendjen e politikanëve, kishtarëve dhe qarqeve intelektuale të Serbisë. Ata, që vet e shkaktuan shkatërrimin e përgjakshëm të Jugosllavisë, tërë fajin ia lënë Perëndimit. Poashtu, për luftën çlirimtare dhe pavarësimin e Kosovës, e fajsojnë Perëndimin, në rend të parë ShBA-të, Anglinë, por edhe Francën, Gjermaninë etj. Edhe pavarësinë e Malit të Zi e shohin si konspiracion i atyre vendeve. Teoria e konspiracionit në Serbi është shumë e përhapur dhe dominuese në media të shumta, sidomos në internet. Po të kërkoni në gazetat, tabloidet, portalet serbe, do gjeni sa e sa teori të konspiracionit “kundër Serbisë”! Madje, edhe “dronin” e lëshuar në stadionin e futbollit me rastin e ndeshjes futbollistike midis Shqipërisë e Serbisë, e shpjegojnë me teorinë e konspiracionit!
A do bëhet Serbia – Izrael?!
Portali “vesti.rs” e kishte marrë nga “Vaseljenska TV” një analizë, të titulluar “Operacija Mojsije”, nga e cila del se në një kohë, jo shumë të largët, do të ndodhin ngjarje të cilat do të shkaktojnë ndërrim të kufijve dhe formim të shteteve të reja në Evropë, dhe në Lindjen e Mesme, me ç’rast do të ketë çvendosje të popullsisë dhe institucioneve të shtetit të Izraelit, në rast se terroristët islamikë fitojnë luftën kundër Amerikës. Ato ngjarje dhe pasojat, gjoja janë përpunuar në një analize të Shërbimit Izraelit të Zbulimit (“Mosavi”), të cilat i ka marrë në trajtim e komentim televizioni i përmendur. “Vaselenska TV”, është një medium i Kishës Otodokse Serbe, që është e lidhur drejtpërdrejt me Patrikanën e Stambollit. Ato ngjarje do të shkaktojnë ndërrimin e strukturës etnike të shteteve, sidomos në Evropë, e si vend “më i përshtatshëm” për vendosjen e popullsive të shpërngulura nga vendet e tyre, e shohin Serbinë. Dhe natyrisht, në stilin e tyre për vetëlavdërim të vendit dhe popullit serb, dhe lamentim se janë nën konspiracionin botëror, shpjegojnë kushtet dhe rrethanat që do ishin në favor të vendosjes së etnive tjera në Serbi. Në kontekst të këtij konspiracioni, analiza parasheh se në një të ardhme, populli i Izraelit do të detyrohet të çvendoset dhe të kërkojë strehim në Evropë. Si vendi më i përshtatshëm në Evropë, i zgjedhur për t’u vendosur e stabilizuar etnikumi hebrej, është Serbia. Parashihet opsioni që 25% e pasurive të patundshme të Serbisë, do t’iu jepen (shiten) hebrenjve të ardhur. Analiza vazhdon me shpjegimin e shkaqeve, përse Serbia është vendi më i përshtatshëm për vendosjen e hebrenjve, gjoja se:
* Në popullin serb antisemitizmi është shumë më i butë, se te popujt e tjerë të shteteve të Ballkanit;
* Serbia, sipas kushtetutës dhe sipas përbërjes nacionale (me shumë minoritete), është shtet i qytetarëve, e jo shtet nacional;
* Popullsia shumicë është e krishterë, ndërsa popullsia e besimit islam është e izoluar, që me ngjarjet e mëvonshme është formalizuar në formë të okupimit të Kosovës e Metohisë;
* Serbia është kompakte, kufijtë ndaj fqinjëve datojnë qysh nga Lufta e Parë Botërore, ndërsa kufijtë me republikat e shkëputura do të definoheshin më vonë, siç ishte rasti me Marrëveshjen e Dejtonit;
* Edhe para 5 tetorit (2000) në Serbi ka pasur tendenca të shkohet në integrime euroatlantike, ndërsa me kthesën që u bë më 5 tetor, ka filluar realizimi praktik;
*Dalja në det, edhe me shkëputjen e bashkësisë me Malin e Zi, do të jetë i siguruar përmes Greqisë deri në Detin Egje;
* Serbia me kohë është e hapur për investime të hueja.
Sa i përket kushtit të fundit, që 25% e pasurive të patundshme të bëhen pronë e hebrenjve të ardhur, realizimi është i mundshëm me ardhjen e qeverisë së “ekspertëve ekonomikë” në nivel federativ dhe atë republikan (sic). Njerëzit në ato qeveri, për interesa të tyre ekonomike ose të përkatësisë së shërbimeve të caktuara të zbulimit, do ishin të gatshëm të marrin pjesë në këtë plan. Fakti që në mënyrë të posaçme i përgjigjet planit izraelit është nataliteti katastrofal (i ulët) i popullsisë shumicë në Serbi. Është vërtetuar matematikisht se pas pesëdhjetë vjetëve Serbët në Serbi do mbetën pakicë. Kjo shansë nuk guxon të anashkalohet. Udhëheqësia hebreje në vendin e zbrazur ka parë parashikimin e Zotit, ndërsa Telavivi ka dhënë dritën e gjelbër për realizimin e operacionit “Mojsije”, thuhet në analizë.
Fillimi i përzierjes së Izraelit në ngjarjet në hapësirën e RSFJ-së përputhet me ardhjen (në pushtet) të administratës demokratike të Bill Klintonit, thuhet në analizë. Pjesëmarrësit më të shquar të politikës amerikane kundër Serbisë nga Kabineti i Klintonit kanë qenë pikërisht ata me prejardhje hebreje. A është vërtetë rastësi që hebrenjët: Medlin Olbrajt, Riçard Holbruk, Xhemjs Rubin dhe Vesli Klark morën pjesën në shkatërrimin e RSFJ dhe në krimet mbi Serbinë, shtrohet pyetja në analizën e përmendur. Përveç mediave të cilat janë nën kontrollin e kapitalit hebrej, në këtë luftë janë bashkangjitur edhe intelektualë evropian me prejardhje hebreje, duke udhëhequr kampanjën e satanizimit të Serbisë,- përfundon analiza e projektit “Operacioni Mojsije”, dhe komentet e “Vaselenska TV”, edhe me shumë gënjeshtra e broçkulla tjera në mediat tabloide e në portalet serbe.
* * *
Pa u lëshuar në qëllimet e kësaj analize, të përtypur e gëlltitur me shumë shije nga paranoja serbe e konspiracionit, shkaqeve për përzgjedhjen e Serbisë si vendi më i përshtatshëm për vendosjen e hebrenjve, mund t’iu bëhen vërejtje të shumta e të demantohen me fakte. Bile, nga shkaqet e përmendura, fitohet përshtypja se ato nuk janë analizë e “Mosavit”, por e vet institucioneve të Serbisë, të cilat janë të prirura të plasojnë gënjeshtra të pabazë. Së pari, nuk është e vërtetë se populli serb është më pak antisemitik se popujt e tjerë të Ballkanit. Përkundrazi. Dihet me shifra e fakte, se sa hebrenjë kanë qenë në Jugosllavinë dhe Serbinë e para Luftës së Dytë Botërore, e sa kanë mbetur pas luftës, dhe sa janë sot. Të dhënat flasin, se para Luftës së Dytë Botërore, në Mbretërinë e Jugosllavisë kanë qenë 75.000 hebrenjë vendorë, dhe më se 2000 tjerë kanë ardhur nga shtete tjera. Ata kanë ardhur të te afërmit e tyre, për ta shpëtuar kokën nga ndjekja e nacistëve. Prej tyre, 95% janë vrarë e zhdukur, dhe luftën e kanë mbijetuar vetëm 3500 hebrenjë! Komandanti i ushtrisë gjermane, Turnet Llahor, në vitin 1942, e lajmëronte Berlinin, se Serbia është i vetmi vend në të cilin çështja e hebrenjve dhe romëve “është zgjidhur”, që dmth. janë likuiduar e zhdukur.
Nga ana tjetër, botërishtë është e ditur se Shqipëria është i vetmi vend , jo vetëm në Ballkan, por në gjithë Evropën, në të cilin hebrenjtë kanë gjetur strehim të sigurt e mikpritje, dhe që kanë dalë më shumë nga lufta, se që ishin para lufte. Për këtë, Shqipëria ka marrë mirënjohje nga shteti izraelit. Edhe në Kosovë, ndonëse ishte nën okupimin e Serbisë, gjatë asaj lufte hebrenjtë kanë gjetur strehim e mikpritje, janë fshehur e janë ruajtur në familjet shqiptare. Karshi këtyre fakteve të pamohueshme, si mund të thuhet, se populli serb është më pak antisemitik se popujt e tjerë të Ballkanit?!
Sipas kushtetutës aktuale, Serbia nuk është shtet i qytetarëve të saj, por është shtet puro nacional (dhe nacionalist,a.f.) i popullit serb. Në dispozitën e nenit të parë të kushtetutës aktuale të Serbisë është përcaktuar se “Republika e Serbisë është shteti i popullit dhe i të gjithë qytetarëve që jetojnë në te…”. Shteti i Serbisë është i shenjtë (neni:11:1) ! Stema, flamuri dhe hymni i Serbisë janë simbole shtetërore vetëm me shenja nacionale serbe, me të cilat ushtria, policia dhe paramilitarët serb udhëhoqën dhe, për fat i humbën, të gjitha luftërat e përgjakshme anembanë ish-Jugosllavisë. Asnjë shenjë në ato simbole shtetërore nuk ka elemente të nacionaliteteve tjera të shumta që jetojnë në Serbi: Shqiptarë, Boshnjakë, Hungarezë, Rumunë, Bullgarë, etj. Gjuha zyrtare në Serbi është gjuha serbe dhe alfabeti i çirilicës, të cilat nuk i dinë pjesëtarët e nacionaliteteve joserbe. Gjuha dhe shkrimet e tyre nuk janë paraparë as nuk mbrohen me kushtetutë, veçse është lënë që për to të nxirret ligj i veçantë. Ka edhe shumë dispozita tjera në atë kushtetutë, që demantojnë konstatimin kinse Serbia është shtet qytetar.
Lista e gjatë e hebrenjve “antiserbë”
Paranoja konspirative e Serbisë ka listën e gjatë të popujve, organizatave, shteteve dhe personaliteteve që gjoja janë antiserbe. Prej popujve e shteteve fqinje, vendet e para në këtë listë i zënë populli dhe dy shtetet shqiptare, pastaj vijnë kroatët, boshnjakët, bullgarët, etj. Nga popujt dhe shtetet e tjera, janë Amerika, Anglia, Gjermania, Vatikani, si dhe organizata e kompani multinacionale: SOROS, NATO etj.
Është interesant lista e gjatë e personaliteteve që është dhënë në fund të analizës. Lista titullohet: “Regjistri i hebrenjve të involvduar në shkatërrimin e Jugosllavisë dhe në agresionin kundër Serbisë në vitin 1999”. Aty janë renditur 118 emra të personaliteteve të njohura shtetërore, publike, shkencore, kulturore, me prejardhje hebreje. Ka prej tyre që ishin kryetar shtetesh, zëvendëskryetar, kryeministra, ministra, ambasadorë, kongresmenë, këshilltarë, nobelista, filozofë, shefa të misioneve, drejtues të institucioneve, fondacioneve, kompanive multinacionale, bankave, mediave. Pranë emrave të disave prej tyre, ka shtuar fjalët: i urren serbët; gjithnjë kundër serbëve; kriminel lufte; ka kërkuar bombardimin e Serbisë; udhëheqës i grupit të urrejtësve kundër serbëve, e kështu me radhë. Janë 45 emra të tillë, ish-funksionarë të lartë të ShBA-ve, duke filluar nga ish-nënkryetari i ShBA-ve (Alfred (AL) Gor), ish-sekretarët e shtetit (Henry Kissinger, Madleine Albright), ish-sekretari i mbrojtjes (William Cohen) e kështu me radhë. Është interesant, se në regjistër janë edhe 25 emra të personaliteteve të larta të Rusisë, duke filluar nga ish-kryetari Boris Jetlsin, ish-premierat: Yegor Gaidar, Sergey Kirienko, zëvendës-kryeministri Alfred Koch, pastaj ministra, ambasadorë e funksionarë tjerë. Edhe ish-kryeministresha e Turqisë (Tansi Ciler) është në atë regjistër, sikurse ish-kancelari i Gjermanisë (Helmuth Kohl), ish-pemieri i Francës (Lorain Fabius), ish-administratori i KB në Kosovë (Bernard Kushner), ish-kryetarja e Konfeeratës së Zvicrës (Margaret Koch), ish-premieri i Ukrainës (Yefim Zviagilsky), për të rënë deri te kryetarja e Fondacionit SOROs për Jugosllavinë (Sonja Licht), dhe i fundit në regjistër, ish- guvernatori i Bankës Popullore të Jugosllavisë (Dragosllav Avramoviq).
Konspiracioni serb emrat dhe funksionet e personaliteteve të përfshira në regjistër, i sheh me dioptrinë e shtrembër, se shumica prej tyre gjoja i përkitnin organizatës së masonëve, të cilët kanë zënë pozita të rëndësishme strategjike në skenën politike, shtetërore, ekonomike, mediale, dhe që kanë pasur e krijuar fuqi të ndikojnë në shkatërrimin e Jugosllavisë, në bombardimin e Serbisë dhe që përherë janë kundër Serbisë!
Duket se duhet të kalojë edhe kohë e gjatë e të vijnë breza tjerë të njerëzve në Serbi, që ajo të shërohet e rehabilitohet nga paranoja e konspiracionit?