Ne Foto:Hashim Thaçi gjatë intervistës për gazetën e njohur të Bosnje Hercegovinës “Dnevni Avaz”/
-Zëvendëskryeministri i parë e ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, në intervistën për gazetën e Bosnje Hercegovinës “Dnevni Avaz”: Nuk ka gjasa që të kemi një “republikë serbe” në Kosovë, sepse ne nuk do ta lejojmë këtë. Gjithçka do të jetë në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës./
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 24 Gusht 2015/ Zëvendëskryeministri i parë, njeherësh ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë një intervistë për gazetën e njohur të Bosnje Hercegovinës “Dnevni Avaz”, në të cilën ka nënvizuar se nuk mund të ketë kurrfarë pajtimi nëse Serbia fillimisht nuk u kërkon falje popujve të ish-Jugosllavisë për gjenocidin shtetëror ndaj tyre.
Në vazhdim intervista:
Dnevni Avaz: Po fillojmë me ofertën tuaj të hapur për Ivica Daçiçin, zëvendëskryeministrin e parë në Qeverinë e Serbisë, njëherësh shefin e diplomacisë serbe, që t’ia jepni pasaportën e Republikës së Kosovës. A është kjo një ofertë serioze apo ndonjë formë e provokimit politik?
Hashim Thaçi: Kjo është një ofertë krejtësisht serioze, publike. Ai është i lindur në Kosovë, edhe pse prindërit e tij kanë ardhur në vendin tonë mes Luftës së Parë dhe Luftës së Dytë Botërore si kolonizatorë. Mirëpo, sipas Kushtetutës sonë, secili qytetar i cili është lindur në Kosovë gëzon të drejtën për shtetësi, gjegjësisht për shtetësi të dyfishtë. Kështu, edhe z. Daçiç është gjithashtu i mirëseardhur që të marrë pasaportën e tij.
Dnevni Avaz: E kemi pyetur zëvendësin e ambasadorit të Federatës Ruse në OKB se çfarë mendon ai rreth ofertës tuaj, pyetje së cilës ai i është përgjigjur se “kjo përbën një deklaratë krejtësisht të papërgjegjshme” nga ana juaj. Cila është përgjigja juaj ndaj këtij pohimi?
Hashim Thaçi: Kjo nuk është një deklaratë apo ofertë e papërgjegjshme. Kjo është një ofertë dhe një deklaratë që mbështetet në Kushtetutën. Përgjigja ime është në përputhje me Kushtetutën tonë.
Dnevni Avaz: A i është përgjigjur z. Daçiq publikisht apo privatisht kësaj oferte?
Hashim Thaçi: Ai nuk është përgjigjur, por oferta mbetet e hapur.
Dnevni Avaz: Tani që po përgatiteni për raundin e radhës të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si do t’i përgjigjeni kërkesave që në pjesën veriore të Kosovës të themelohet Asociacioni i komunave serbe dhe në vërejtjet e atyre që thonë se një gjë e tillë i hapë rrugë krijimit të një “republike serbe të re”?
Hashim Thaçi: Nuk ka gjasa që të kemi një “republikë serbe” në Kosovë, sepse ne nuk do ta lejojmë këtë. Gjithçka do të jetë në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Dua të theksoj se ky do të jetë një asociacion i komunave serbe pa mandate ekzekutiv, sepse për një gjë të tillë, thjesht, nuk ka kurrfarë gjasa. Përsëris, ne nuk do të lejojmë që të kemi një “pushtet të tretë” përmes këtij asociacioni. Ne do të punojmë që t’i koordinojmë gjërat që do të jenë në përputhje me vlerat dhe standardet evropiane dhe konform asaj për të cilën jemi marrë vesh përmes dokumentit të presidentit Martti Ahtisaari për Kosovën. Kjo nënkuptoj se ky trup do të jetë një asociacion, e jo një entitet i ndarë, pra do të jetë një asociacion normal, si të tjerët që tashmë i kemi.
SERBIA KA BËRË GJENOCID NË VENDET E ISH-JUGOSLLAVISË
Dnevni Avaz: Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së shumë herë e keni përmendur Srebrenicën. Duke e ditur se kjo përbën një pietet tuajin për viktimat e Srebrenicës, dëshiroj t’ju pyes nëse ky pohim i juaji ka edhe ndonjë dimension politik?
Hashim Thaçi: Ju e dini se Serbia i ka nisur luftërat në Slloveni, pastaj në Kroaci, e më vonë në Bosnje e Hercegovinë dhe në fund në Kosovë. Këto janë fakte historike. Tani ata në Serbi po përpiqen që të luajnë rolin e paqebërësit më të madh në rajon. Jo, nuk guxojmë ta harrojmë kurrë të vërtetën, që ata kanë shkaktuar gjenocid në Kroaci, në Srebrenicë dhe në Kosovë. Askush nuk mund që të shkruaj një histori të re të pavërtetë rreth kësaj. Thjesht, e vërteta është e vërtetë. Serbët i kanë nisur luftërat në ish-republikat jugosllave dhe në Kosovë, kurse Serbia, në mënyrë të drejtpërdrejtë, si shtet dhe jo në nivel të individëve i ka shkaktuar të gjitha këto gjenocide në Srebrenicë, Kroaci dhe në Kosovë.
NE NUK DO TË LEJOJMË ASNJËHERË KRIJIMIN E NJË “REPUBLIKE SERBE” TË RE NË KOSOVË
Dnevni Avaz: Z. Daçiç, në një deklaratë për gazetën tonë, vitin e shkuar, gjithashtu në Nju Jork, ka thënë se Beogradi nuk planifikon dhe nuk ka ambicie që të krijojë në Kosovë një “republikë serbe” të re. A nënkupton kjo se qëndrimet tuaja përputhen?
Hashim Thaçi: Ata nuk kanë plan, por kanë ambicie. Mirëpo, ne në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë jetësimin e gjërave të tilla ne Kosovë.
NUK GUXOJMË TA HARROJMË TË SHKUARËN
Dnevni Avaz: Ju dhe kryeministri i Qeverisë së Kroacisë, Zoran Millanoviç, në mënyrë të drejtpërdrejtë e keni hedhur poshtë nismën e Aleksandar Vuçiçit për një ditë të përbashkët përkujtimore për viktimat të gjitha luftërave të viteve të nëntëdhjeta, ndërsa ende nuk kemi dëgjuar zëra të tillë në Sarajevë.
Hashim Thaçi: Ne duhet të kthehemi nga e ardhmja, natyrisht pajtimit, por, thjesht, nuk mund dhe nuk kemi të drejtë që ta harrojmë të shkuarën. Kjo është porosia ime për Sarajevën dhe të gjithë tjerët.