• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SËRISH NË KANADA

December 17, 2013 by dgreca

Përshtypje udhëtimi, Otava-Dhjetor 2013/

Nga Luan Çipi/

 Ishte e përsëritur dhe këmbëngulëse thirrja e fëmijëve të mi, të përndarë nëpër botë, për t’i vizituar e takuar në një guidë turistike në Holandë, Kanada e Amerikë. Edhe ata e kuptojnë se, pa i pyetur, vitet ikin vrullshëm dhe prindërit e tyre, që kanë hyrë prej kohe në ”moshën e trete”, nuk kanë më kohë për t’u gëzuar e argëtuar, mandej janë drobitur e lodhur, duke numëruar vitet pafundësisht…Pas shumë përsëritjesh me thirrje e porosi në korin e madh me djalë e vajza, nipër e mbesa, më së fundi, më bindën për t’u shkulur e larguar nga Vlora, pasi më premtuan se do mblidhen diku, në një nga shtetet e mëdha, të gjithë së bashku. E cili prind, veçanërisht i moshës tonë, nuk do që t’i mbledhë pasardhësit, si dikur rreth vetes? Po ne, të përkohshëm në këtë jetë, nuk lemë rast festash pa u mbledhur me shokë, miq e farefis, në gëzim të çastit. Unë, kur jam në Vlorë, apo në Tiranë, ku ri i alternuar në stinët e beharit dhe të dimrit përkatësisht nga 6 muaj, çdo ditë mblidhemi e pimë kafe me shokët. Kështu, pse mos “sakrifikoj” dy muaj për t’u takuar me “Barkun e Shën Mërisë”?

Përfundimisht, mora vendim të lëviz jashtë atdheut bashkë me gruan, që nga ana e saj kishte vendosur për këtë, qysh me thirrjen e parë “begenisëse” të sinqertë.

Gjitonët tanë të Tiranës në katin e gjashtë, unik e tjetërsoj të shkueshëm, Fori, Mani dhe Koli familjarisht, të dashur e të veçantë si përherë, si dhe nipi i gruas time Valter Haxhiraj, që banon mbi katin tonë, kur morën vesh se largimi dhe vizita jonë do ishte e shkurtër, peshuan “qarin me zararin”, e pranuan largimin dy mujor dhe me këtë rast më ofruan peshqeshe të çmueshme e ndihmë për transportin deri në Rinas me mjetet e tyre.

Shokët e mi vlonjatë me banim të hershëm në Tiranë, me nismën e akademik Bardhyl Golemit, Niko Gjyzarit, Axhem Gjonajt, Sadedin Gjokes dhe të tjerëve, njëzëri e pa përjashtim, për të  njëjtën arsye, organizuan një darkë përcjellëse me raki, verë  e peshk “Narte”, porositur enkas te “Bar Restorant VLORA”, në Shallvare të Tiranës. Poeti Perparim Hysi, aty për aty me këtë rast thuri dhe poezinë dashamirëse, që e deklamoj po aty, në formë dollie:

 

Mirë që shkruan, por prapë udhëton
Si udhëtar gjithë botën bredh
Si djalosh në moshë të vonë
E, Luan Çipi! Sheh dhe hedh…

Hedh me shkrime ç’të sheh syri
Je “turist” që ke licencë
Këtu “doli”, atje “hyri”
Jetë e tij: k o n v a l e s h e n c ë…

 

Duhet të nisesha datë 1 dhjetor 2013, po katër ditë para u shfaq një befasi e llojit specifik Shqiptar: Kompania ajrore “Beller”, ku në mënyrë elektronike fëmijët kishin prere e paguar biletat Tirane-Holandë e kthim, kishte “shpallur falimentin” dhe nuk merrte përsipër as kthimin e shpejt te pagës.“Shkuan për lumë” rreth 600 euro dhe ne, ripaguam bilete me tjetër kompani. Kaluam për Amsterdam, pasi ndërruam avionin në Mynih, duhet thënë në një fluturim të këndshëm dhe pa i prekur bagazhet, detyrë që e kreu Kompania Ajrore serioze “Lufthansa”.

Pasi ndenjëm 7 ditë të gëzuara te vajza e vogël në Holandë në qytetin Krimpton, fare afër Roterdamit, nisemi direkt në udhëtimin me avion nga Amsterdami i Holandës për Toronto të Kanadasë dhe prej andej me automjet ndalojmë afër kryeqytetit Otava, në qytezën Chesterville.

Udhëtimin me avion Amsterdam-Toronto, unë e kam përshkuar edhe tjetër herë, E veçanta e udhëtimit të fundit me Kompaninë Ajrore Mbretërore Holandeze “KLM” ishte, kohëzgjatja 8 orë  dhe udhëtimi komod pa asnjë turbulencë apo tjetër lloj shqetësimi, ku dukej kujdesi dhe shërbimi model i personelit dhe ushqimi disa herë, mjaftë cilësor dhe i bollshëm. Patëm kontroll të imtë në Amsterdam dhe asnjë lloj pengese e ndalese tjetër, një ulje e pa ndjerë e avionit gjigant dhe ne, drejt e te bagazhet. Në dalje na prisnin njerëzit tanë të dashur dhe surpriza e parë ishte: Për nderin tonë me punonjësit e biznesit të vet privat, vajza ime kishte organizuar një takim, ku me rastin e Krishtlindjes jepej një darkë falas si dhe kryhej shpërblim i posaçëm monetar ose dhurata. Ceremonia kaloi me dolli, përshëndetje e falënderime, aq sa ne nuk e ndienim lodhjen dhe nuk e kuptuam si kaluan 3-4 orë në  atë atmosferë gazmore me njerëz të dashur, që na u duk sikur të ishim njohur prej vitesh.

Pasi fjetëm një natë në qytetin Brampton, pranë Aeroportit të Torontos, të nesërmen nisëm të përshkonim autostradën 401, padyshim “halluej” më i gjatë në Kanada. Na duhet të përshkonim  me automjetin tonë komod me shpejtësi 100 km/ore mbi 500 km. Rrugës na u desh të ndalemi  në disa vendpushime tepër të organizuara, të quajtura “Tim Hortons”, me emrin e themeluesit, hokeistit të famshëm për kohën e vet. Tje kishte komoditet dhe ushqim të bollshëm dhe ndërsa jashtë ishte temperatura nën zero, në çdo mjedis kishte ngrohje, ndriçim dhe ajrosje të këndshme.

Në distancën e pafundme të autostradës 401, qëndruam dhe pushuam dy here dhe serish e ngado rrugë të asfaltuara, shtruar me cilësi e me disa korsi.

Nga të dy anët e rrugës bien në sy fusha të pafundme të lëna djerë, pyje gjysmë të zhveshura e të lëna pa kujdes. Rrallë, shfaqen qyteza të reja të ngritura me shtëpi të drunjta të stilit karakteristik kanadez dhe të vret sytë ndonjë fermë e vjetër thuajse e braktisu, me sillosët e lartë dalëboje të drithit dhe stallat e çapëluara të bagëtive apo rrethimet e drunjta të dëmtuara të kuajve. Të krijohet përshtypja e lënies pas dore dhe e largimit të banorëve nga fermat për të gjetur burime më të lehta jetese ndër qytetet e shumtë të shtrirë më shumë në të djathtë të autostradës gjigande, në gjatësinë e pafundme të Liqenit të Madh jetëdhënës. Pak qendra të banuara shtrihen majtas autostradës, po kalimet dhe nënkalimet të lejojnë pa ulur shpejtësinë të futesh në bajpaset përkatëse dhe të kalosh lirshëm nga të dy anët, pa e kufizuar shpejtësinë.

E lamë autostradën e gjatë dhe u kthyem djathtas, duke kaluar në një rrugë të asfaltuar (nuk bëhet fjalë për shtrime rrugësh të llojeve të tjera të rëndomta me gurë e çakëll, po çdo metër traseje është i asfaltuar mirë dhe i mirëmbajtur, pa asnjë gropëzim, apo gungë). Rruga ku u futëm është me dy kalime të vijëzuara, ku nga të dy anët duken qendra të banuara dhe fshatra të mëdhenj e të vegjël, shtëpi  me një, dy e tre kate, hangarë, garazhe, stalla padoqe e depo. Ndërtimet edhe këtu janë me konstruksion të thjeshtë, veshur në lartësi me dërrasë dhe mbuluar me tjegulla kanadeze (letër katrama) dhe më rrallë me llamarinë, çka tregon se kanadezet kudo janë unik dhe kanë zgjedhur konstruksionet që ndërtohen shpejt, lehtë dhe me kosto të ulët. Kudo përdoret energjia elektrike për ndriçim dhe gazi për ngrohje.

Kthehemi në të majtë të rrugës dhe qëndrojmë. Me sa duket më së fundi mbërritëm në destinacion, rreth 40 km. para Ottawës, në qendrën e banuar Chesterville, me rreth 10 mijë banorë, ku të bie në sy një spital i madh rajonal shumëprofilësh..

Dalim nga makina të lodhur, po pamja e mrekullueshme e mjedisit na çlodh si me magji. Para nesh shtëpia dhe qendra e biznesit e dhëndrit tone kanadez, një kompleks i bukur përrallor:

Kur e pash vilën e bukur nga jashtë dhe qendrën e biznesit me tej me depo, zyra e garazhe,

rrethuar me shatërvan me gurë të gdhendur masiv, pemë dekorative e lule të çmueshme, si dhe shtëpizën e posaçme të lojnave të fëmijëve, ndjeva kënaqësi të madhe, për atë që me mund e përpjekje, brenda 13 vjetësh, kishte arritur ime bijë. Kur u futa brenda dhe sodita në të tre katet, disa dhoma gjumi të kompletuara, si dhe dhomën e gatimit me frigoriferë dhe të gjitha pajisjet e kohës, dhomën e bukës me tavolinën e gjate 8 metro, sallonet e pritjes dhe të ndenjes me kolltukë të rehatshëm, të ngritshëm e të lëvizshëm, televizorët e mëdhenj digjital, studion me pajisjet kompjuterike, banjat, dhomën e nikoqires me pajisjet larëse-tharëse, depot e deri sallën e lojnave, bilardon e palestrën, si dhe dhjetëra piktura e portrete në mure, unë vërtet u mrekullova. Në atë çast për të parën herë në jetë përkraha mendimin e emigracionit duke e konsideruar atë si mjet nxitës e përshpejtues për një nivel më të lartë jetese e botëkuptimi dhe si model e faktor zhvillimi të shpejtë dhe për vendin tonë. Aty për aty mendimi më ktheu vite më parë, te Atdheu im nën komunizmin dhe thash, se ish beu, agai dhe pasaniku i asaj kohe, nuk kishte as minimumin e këtij niveli dhe po të dispononte këtë pasuri atje, ime bijë do ishte shpallur “kulake”, do shpronësohej e do persekutohej.

Ime bijë dhe fëmijët e saj, tashmë të rritur e të shkolluar si ajo, në nivel universitar, kishin programuar gjithçka për pritjen tonë dhe që kohën e qëndrimit këtu në Kanada, ta organizonin sa më bukur. Shumë nga pikat e programit për ne,  nuk u deklaruan se ngelen surprizë, por një gjë u bë e qartë: Krishtlindja dhe Viti i Ri këtë radhë do jetë i veçantë dhe do mbahen mënd sa të rrojmë.

 

Otava-Kanada, 15 dhjetor 2013

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Luan Cipi, serish ne kanada

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT