nga Andon Dede, Nju York/
Para zgjedhjeve të qershorit 2013, si zakonisht, kishte parashikime nga më të ndryshmet e kontradiktoret, për fituesit e humbësit e mundshëm. Emërues i përbashkët qe se LSI-ja, si më e përfolura për korrupsion, do të dilte humbësja më e madhe. Këtë nuk e thosha unë, por gjithë ata që diskutonin për zgjedhjet, qofshin politikanë e analistë e deri popull i thjeshtë në biseda të përditëshme. Rezultati, siç dihet, i befasoi të gjithë: LSI-ja doli më e fituara, madje rrezik, me më shumë deputetë se sa shpresonte edhe ajo vetë. Që këtu zë fill paradoksi shqiptar. Nga media apo dhe nga bisedat direkte me njerëzit që kishin votuar, paradoksi i mësipërm shpjegohej në mënyra të ndryshme. Për hir të së vërtetës, arsyeja kryesore që jepej ishte…blerja e votave, zhvillimi i fushatës jo me platforma, ide e plane, por me premtime direkte për punësime e zgjidhje problemesh nga më të ndryshmet. Të jem i sinqertë me lexuesin, sado naiv të dukem, mua s’më mbushej mendja se ishin blerë votat, për më tepër në format që tregoheshin, si me zarfe me para, thes me miell e mënyra të tjera abuzive si këto. Por, kur iu kundërvihesha bashkëbiseduesve, ata qeshnin nën buzë e ma kthenin pak të nervozuar: “Ore, daç beso, daç mos beso, unë kam fakte konkrete, me emër e mbiemër që ma kanë thënë se kanë marrë para. Veç kësaj, për ditën me diell, aktivistë të LSI-së, kanë shpërndarë “ndihma” në shkëmbim të votës.”. Unë prapë nuk bindesha. Më dukej aq e shëmtuar sa s’më besohej se ne kemi rënë kaq poshtë. Të tilla veprime mund të jenë bërë dhe nga partitë e tjera, por mora si shëmbull LSI-në si më e përfolura dhe për rezultatet që arriti në ato zgjdhje e që i siguroi pushtetin PS-së dhe e bëri Ramën kryeministër se, të qe për partinë e tij, ajo nuk fitoi më shumë se në zgjedhjet para-ardhëse. Madje, dhe aq sa fitoi, siç doli më vonë, sidomos nga “gjylet” e Doshit dhe analizat e Blushit, ishte rezultat i të “fortëve”, i imponimit të këtyre ndaj masës së votuesve, me metodat më kriminale e më primitive. Por, nuk ka nevojë për shtjellime të mëtejshme: mjafton të shohësh produktin e atyre zgjedhjeve dhe bindesh se si u gatuan ato. Tashmë, të gjithë e pranojnë se ky parlament jo vetëm që është më pak cilësori nga tërë paraardhësit e tij, por dhe i mbushur me keqbërës, duke filluar nga trafikantët e deri tek autorë të krimeve ordinere. Për këto dukuri është folur aq shumë sa nuk e vlen të harxhohet as koha e as vendi. Imazhin e keq të atyre zgjedhjeve dhe nivelin poshtërues të produktit të tyre e kanë pranuar me gjysmë zëri edhe vetë fitimtarët e pamerituar.
Vimë tani tek zgjedhjet lokale. Ishte rasti, sidomos për pushtetarët, me që u demaskuan keq për zgjedhjet e kaluara, të përfitohej nga rasti për të ndryshuar sadopak atë imazh diskretitues, duke filluar që nga kandidaturat e paraqitura e deri tek zhvillimi i fushatës. Por, për fat të keq, nuk ndodhi kjo: kandidaturat vazhdojnë të jenë kryesisht militantët, besnikët e kryetarëve dhe jo ata që gëzojnë reputacion në popull të cilit do t’i shërbejnë. Për më keq, përsëri po flitet për blerje votash e manipulimesh të tjera. Unë prapë do bëja të habiturin por, kur lexoj gazetat, ndjek bisedat televizive apo kur takoj rastësisht ndonjë nga zgjedhësit e ardhshëm, detyrohem të hesht. Por, ajo që më shokoi e më mbylli gojën, ishte thirrja e kryetarit të shtetit drejtuar qytetarëve për të mos e shitur votën.(!). Kjo i vuri vulën gjithë përsiatjeve të mija. Nuk doja ta besoja se si mund të bëhej një pohim i tillë nga numuri një i shtetit. Sado inat që mund ta kesh atë, nuk ka se si të mos pranosh se ai nuk ka folur në hava, por ka të dhëna të sakta se shitja/vjedhja e votave është një realitet. Kaq poshtë kemi rënë?! Turp e faqja e zezë jo vetëm për autorët e këtyre pazareve të ndyra por edhe për të gjithë ne. Njëlloj si një kryetar familjeje, t’iu lutet fëmijve që të mos prostituojnë, se shit-blerja e votave, as më shumë e as më pak, është një prostitucion i mirëfilltë politik.
* * *
Tek ndjek fushatën e zgjedhjeve në Shqipëri, më kujtohet debati televiziv në mes Xhon Kerrit dhe Bushit të ri, për zgjedhjet presidenciale amerikane. “Unë nuk them se e dua më shumë Amerikën se rivali im, – tha Kerri që hapi debatin, – por mendoj se ka alternativa e rrugë të tjera më të suksesëshme se ato që ka zbatuar ai në katër vitet e kaluara…”. Po tek ne, a njeh historia çerekshekullore e pluralizmit, që rivalët politikë të vlerësojnë njeri tjetrin? Ata nuk shihen mes veti si pushtetarë e opozitarë por si armiq të betuar, të gatshëm për t’i ngrënë kokën njeri tjetrit. Jo vetëm kaq, por gjuha e tyre lë aq shumë për të dëshëruar, parë dhe nga etika më elementare. Le ta ilustrojmë këtë me fare pak shembuj. Kryeministri ynë i “nderuar” thotë për kryetarin e opozitës se “kastravec hyri e kastravec doli”. Në Pogradec ai i “gajasi” njerëzit kur iu tha se po të ishte gjallë Lazgushi do t’i lëshonte qenin kandidatit të opozitës. Refren i përbashkët i disa prezantimeve të tij ka qënë se po të votojnë për opozitën, do e kenë të vështirë në mos të pamundur të marrin fondet e nevojshme për zhvillimin e bashkive. Po të mos e kisha dëgjuar me veshët e mij, nuk do ta besoja kurrë një deklaratë të tillë që jo vetëm nuk ka asgjë të përbashkët me lirinë e demokracinë, por më duket dhe kriminale se t’i heqësh ndihmat një bashkie do të thotë të mos i krijosh mundësi asaj për të hapur vende pune, pra t’iu heqësh njerëzve kafshatën e gojës. Një Zot e di se si ia lejon vetes kryeqeveritari ynë të lëshojë lart e poshtë deklarata të tilla dhe si mund të heshtin ata që e dëgjojnë e i shkojnë pas?! Në takime të tjera ai ka pohuar se “kandidatët janë burra të mirë, por nuk bëjnë për të drejtuar bashkinë dhe se atij i vjen keq që nuk ka ndonjë motër t’ua japë për grua.” Do të kalojnë vitet dhe deklarata të tilla do të përbëjnë fondin e artë të barcoletave politike, se dhe muhabete kafenesh të ishin do dukeshin bajate, të tepëruara e pa pikë humori. S’ka si të të mos të vijë keq për ata që e dëgjojnë që janë të detyruar të qeshin të sforcuar, se në të kundërtën mund të kishin pasoja.
Por unë do të ndalesha pak më shumë tek këta “burrat e mirë” që përmend Rama. Kam mendimin se nëse Shqipëria është edhe sot në këtë gjendje të vajtueshme, një nga shkaqet kryesore do kërkuar pikërisht se ka pasur për politikanë e shtetarë jo burra të mirë po karrieristë, hajdutë e mafiozë që kanë parë ngushtësisht interesat e tyre dhe jo ato të popullit. Me këtë absolutisht nuk dua të them se pushtetarëve të ardhëshëm nuk iu duhen aftësitë menaxheriale e kualitete të tjera. Por, integriteti i tyre, pra të qënit “burra të mirë”, është kryesorja, njëshi. Të tjerat vinë pas tij: po mungoi njëshi, vlera e tyre del zero. Ne nuk kemi vuajtur e nuk po lëngojmë nga që nuk dimë, por nga që nuk duam. Edhe po të munguan aftësitë menaxheriale, ke plot ndihmësa e konsulentë që t’i plotësojnë boshllëqet. Por, e përsëris, e rëndësishme është që ti si vendim-marrës, të jesh i përkushtuar e me integritet, ndryshe e ashtuquajtura meritokraci, nuk i duhet kujt. Këtë e ka treguar bindshëm gjithë përvoja jonë e deritanishme e, po deshët, edhe ajo botërore.
Nuk është e vështirë të kuptosh përse ish-basketbollisti Rama e ka ndërtuar fushatën duke e hedhur topin në gjysmëfushën e kundështarit: se ai në këto dy vjet thuajse ka dështuar në tërë planet e programet e premtuara me aqë bujë në zgjedhjet e mëparshme. Po qe se ai do të kishte rritur pagat e pensionet, do të kishte ulur papunësinë, do të kishte favorizuar shtresat në nevojë e kështu me radhë, nuk do të kishte fare nevojë të ngjirej me retorikë boshe e me shaka bajate nëpër mitingje, duke anatemuar kundërshtarin. Por kjo nuk ngjit. Ne jemi vend i vogël dhe e njohim njeri tjetrin deri në vogëlima e jo më në vlerat kryesore dhe nuk presim të na thotë kryeministri se kush është burrë i mirë e kush i keq.
Duke i mbyllur këto shënime, do të doja të kthehesha shkurt edhe njëherë tek kërcënimet e tij arrogante se po votuan për opozitarët nuk do të kenë fonde dhe se si të tillë nuk iu duhen askujt. Të flasësh kështu, për më tepër duke qënë kryetar partie e kryeministër, do të thotë t’i vësh shkelmin demokracisë, lirisë e pluralizmit. As më shumë e as më pak, sikur zgjedhësit të vepronin vërtet kështu, do të thotë që të kthehemi në një monizëm monstruoz, edhe më keq se ai i diktaturës që lamë pas, se tashmë jemi në një kohë tjetër kur demokracia e liria po trokasin në të pesë kontinentet. Por, me që Rama po tregohet kaq i sinqertë në kërcënimet e veta dhe kur mendon se sa mund t’iu kushtojë kjo zgjedhësve, mos vallë do të qe më pragmatike që t’iu bënim edhe ne një thirrje krejt tjetër atyre që mund të na lexojnë e që janë nga krahu i opozitës. Kandidatët e saj, po qe se janë të ndershëm e të përkushtuar ndaj popullit, le t’iu thonë zgjedhësve, në takimet e ardhëshme: “Edhe pse ju mund të keni respekt për mua, me që kemi të bëjmë me një kryepushtetar të tillë që është gati për hir të karriges ku është ulur, t’iu presë juve dhe kafshitën e gojës, votoni për kandidatët e tij, sado keq që t’ju vijë. Me sa duket, liria e demokracia përbëjnë akoma një luks për ne; të paktën të sigurojmë mbijetesën…Më falni për sinqeritetin, por s’dua t’ju gënjej e t’ju mbaj me shpresa!”
Mbase e tepërova me këtë thirrjen e fundit, edhe pse në të ka diçka të vërtetë. Por, e sigurt është që, dhe këto zgjedhje tregojnë se ç’haraç të madh na duhet të paguajmë në rrugën drejt lirisë e demokracisë, drejt së cilës u nisëm një çerek shekulli më parë por që duken akoma tepër larg.