• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

I dënuar 3 herë me vdekje

February 17, 2017 by dgreca

Dossier/

Hasan Reci, intelektuali antikonformist i dënuar tre herë më vdekje në një cerek shekulli/1 zoti Hasan Reci

Në Foto:Hasan Reci/

Ja si u asgjesuan pionierët e të majtës anglo-amerikane mbas vitit 1939 në Shqipëri/

Nga Shefqet Kërcelli/

Intelektuali Hasan Reci, është i vetmi shqiptar dhe ndoshta i vetmi person në botë që është dënuar tre herë me vdekje, një rast unikal ky për dënimet botkuptimore-politike. Herën e parë, në shtator 1935, si udhëheqës në kryengritjen antizogiste të Fierit, vendim i cili si pasojë e presionit popullor u kthye në burgim të përjetshëm. Herën e dytë u dënua me vdekje nga Gjykata e Lartë ushtarake në maj 1942, pasi u kap në flagrancë në një orvatje për një aksion në një bazë ushtarake italiane në afrësi të Kasharit. Edhe këtë radhë, për arësye që do i shpjegojmë më poshtë, vendimi u shndërrua me burgim dhe internim në ishujt e Italisë. Herën e tretë u dënua me vdekje nga Gjykata e lartë ushtarake e regjimit komunist, në janar 1948, me akuzën si armik i popullit dhe i shtetit. Mbasi prokurori Nevzat Haznedari kërkoi në pretencë dënimin e tij me vdekje, kryetari i gjykatës Niko Ceta e pyeti të pandehurin sipas procedurës,  për të thënë fjalën e fundit. Hasani me gjakftohtësi e pyeti kryetarin e gjykatës: “Unë jam dënuar me vdekje në regjimin e Zogut si antizogist. Në okupacionin fashist italian, jam dënuar me vdekje si antifashist. Prapë sot në regjimin e Partisë Komuniste po dënohem me vdekje si antikomunist. Ju pyes: Cfarë jam unë atëherë?!… Kryetari Niko Ceta, nuk ishte në gjendje ti jepte përgjigje, përvec frazës bajate : ti je një armik i popullit! Por, këtë herë, sic u tha në atë kohë, ishte e treta e vërteta, sllavo komunistët s’të falin. Kështu,  Hasan Reci u ekzekutua me pushkatim, pa marrë përgjigjen për pyetjen që bëri. Qysh atëhere po mbushen gati 70 vjet dhe pyetja ka mbetur ende pa përgjigje. Nëpërmjet këtij shkrimi historik do përpiqemi ti japim sadopak përgjigje pyetjes: Kush ishte intelektuali tiranas Hasan Reci dhe pse u pushkatua nga rregjimi komunist?

Hasan Selim Reci ka lindur në Tiranë më 17 janar 1904, në një familje të varfër tiranase, e cila banonte në periferi të saj. Babai i tij Selimi, punoi gjithë jetën për tu siguruar fëmijëve ushqim dhe shkollim. Dikush nga të moshuarit e lagjes thotë se, Hasani ka lënë dicka të shkruar rreth jetës e familjes së tij, mbase ato janë kycur në arkat metalike të Arkivit Qendror të Shtetit. Gjithsesi nga kujtimet e miqve dhe kolegëve të tij kemi mësuar se, Hasani mbasi kreu shkollën  në Tiranë, në fillimvitet 1920 ndoqi Normalen e Elbasanit, saktësisht një kurs për mësuesi në shkollën fillore shqipe. Mbasi punoi si mësues për pak kohë e ndërpreu atë dhe ndoqi shkollën teknike amerikane të Harry Fulltz-it, e cila hapi dyert më 1922. Në moshën 20 vjecare, bashkë me Reshat Këllicin dhe shokë të tjerë, aderoi në shoqërinë “Bashkimi”, themeluar nga Avni Rustemi. Mbas përfundimit të Shkollës teknike të Fulltz-it, Hasani u emërua përsëri mësues i shkollës fillore.  Në vitin 1928, Hasani me mikun e tij Qemal Kadesha hodhën hapat e parë për krijimin e lëvizjes sindikaliste në Tiranë. Me shkathtësinë, angazhimin dhe përpjekjet e tyre kryesisht jashtë orarit të punës, të dy bashkëmoshatarët tiranas, krijuan dy shoqata sindikaliste profesionale, “Shoqatën e Mësuesve” dhe “Shoqatën e Rrobaqepësve”.  Me këto organizime theksojmë faktin se, Hasan Reci dhe Qemal Kadesha janë themeluesit dhe pionierët e lëvizjes sindikaliste në Shqipëri. Ndërkohë Hasani nuk hoqi dorë nga problemet e arësimit kombëtar shqiptar. Një nga shokët e ngushtë të Hasanit ishte Ramazan Jarani, gjithashtu mësues, i cili kishte përfunduar Robert Kollexh në Stamboll, {pionierja e shkollave amerikane në Ballkan e më gjerë}, madje ka qenë dhe n/prefekt i Durrësit në vitet ’20. Pamvarësisht nga bindjet politike, dy mësuesit u pajtuan në lidhje me karakterin laik që duhej të kishte shkolla shqipe. Madje për realizimin e kësaj marrëveshje midis tyre u ra dakord që zoti Jarani të merrte përsipër botimin e një reviste pedagogjike me titullin “Shkolla laike”, kurse  zoti Reci do të drejtonte përmbajtjen e saj. Në vitet ’30, murtaja komuniste kishte mbërthyer Evropën. Idetë komuniste depërtuan dhe në Shqipëri dhe prekën të gjitha shtresat e popullsisë. Si dicka e re për kohën preh e kësaj murtaje rranë dhe intelektualë, të pasur e përfaqësues të shtresës së mesme, se pjesa e varfër po e po. Që të gjykojmë gjakftohtë qëndrimin e cdo personi duhet ta vendosim atë në kohën e rrethanat që jetoi, në Shqipërinë e kohës dhe jo me grahmat e këndvështrimet e sotme, se kështu i largohemi të vërtetës. Në Shqipërinë e koklavitur të viteve ’30 dhe personazhi i këtij dossieri, zoti Hasan Reci, nuk i shpëtoi ndikimit të këtyre ideve revolucionare. Kështu në vitin 1931, Hasani kontaktoi me Hysni Lepenicën dhe Skënder Mucon, asokohe anëtarë të Komitetit të Clirimit Nacional, të cilët kishin lidhje me Halim Xhelon, përgjegjës i fraksionit komunist që vepronte në përbërje të komitetit të Gjenevës. Gjithashtu Hasan Reci kryesonte në Tiranë një celulë komuniste, që përbëhej kryesisht nga të rinj, të cilët qenë nxënës dhe ishnxënës të Shkollës amerikane “Harry Fultz”, të cilët e quanin veten komunistë si: Xhevdet Doda, mësues, Mustafa Gjinishi, nënpunës, Mustafa Kacaci, nënpunës, Uan Filipi, infermjer, Isuf  Kambo, dezinjator, etj. {Si shpjegohet që këta përfaqsues të së majtës shqiptare që dinin anglisht, gjatë viteve 1941-1950, u asgjësuan të gjithë???}. Dhe prova e parë për të ardhmen e lëvizjes komuniste u dha që në hapat e parë. Në vitin 1929, Kominterni nëpërmjet shefit të Sekretariatit të Federatës Komuniste në Ballkan, Gjergj Dimitrov, dha porosi që të ngrihej një “Qendër organizative”, prej tre personash, të cilët të merrnin barrën e krijimit të Partisë  Komuniste Shqiptare. Mos me u zgjat në këtë histori, mbas përpjekjesh u vendos që anëtari i tretë i kësaj qendre, që duhet të ishte komunist vendas u caktua Hasan Reci, madje për këtë u morr pëlqimi nga Kominterni. Por, Hasan Reci nuk u pajtua që në fillim me të gjitha pikat e programit të lëvizjes komuniste. Ajo që e bashkonte Hasanin me Ali Kelmendin ishte aspirata e njëjtë për të cliruar vendin nga prapambetja dhe shtresat e varfëra nga mjerimi. Dy pionierët e lëvizjes komuniste në Shqipëri kishin një ndryshim të madh për rrugët dhe mënyrat e triumfit të revolucionit socialist në Shqipëri. Së pari, ndërsa A.Kelmendi e barazonte socializmin me Diktaturën e Proletariatit, ashtu si zbatohej në ishBashkimin Sovjetik, Hasan Reci, përkundrazi e konceptonte socializmin si një rregjim demokratik, i cili do të luftonte varfërinë jo me anë të Diktaturës së Proletariatit, por nëpërmjet demokracisë popullore. Cështja e dytë themelore që e ndante Alinë me Hasanë, ishte rruga që duhej ndjekur për realizimin e idealit socialist. Qysh në vitin 1932, në lëvizjen majtiste shqiptare brenda dhe jashtë vendit, ishin përvijuar në mënyrë të qartë dy programe strategjiko-taktike që duhej zbatuar në shqipëri. Këto dy vija morën emrin vija “bolshevike” dhe vija “clirimtariste”. Vijën e parë e kishin miratuar krerët e “Grupit Komunist të Shqipërisë” në Bashkimin Sovjetik, Ali Kelmendi, Sejfulla Maleshova, Koco Tashko, Tajar Zavalani, Llazar Fundo, etj. Sipas këtij grupi, PKSH që do formohej në Shqipëri, duhej të ecte në gjurmët e partisë bolshevike, pra, të punonte për përgatitjen e revolucionit socialist sipas shembullit të revolucionit të tetorit dhe me fitoren e tij të vendosej diktatura e proletariatit si në BS. Kjo taktikë nisej nga teza se, në Shqipëri  ekzistonte një rend kapitalist sadopak i zhvilluar dhe një klasë punëtore e aftë të mbështeste revolucionin socialist. Si rrjedhim PKSH-ja duhej të bashkëpunonte me të gjitha forcat majtiste antikapitaliste dhe antiimperialiste, me kusht që revolucionin socialist ta drejtonte PKSH, pa bërë lëshime me ta. Ndërsa Platformën e dytë, atë  “clirimtariste” e kishin miratuar krerët e Komitetit të Clirimit Nacional {Halim Xhelo, Kostandin Boshnjaku, Omer Nishani, Lano Borshi, Riza Cerova}, etj. Ndryshe nga “bolshevikët”, militantët  “clirimistë” niseshin nga teza se Shqipëria ishte një vend i prapambetur, se nuk ishte cliruar ende nga hallkat e feudalizmit, se rendi kapitalist ende nuk ishte vendosur plotësisht, se klasa punëtore ishte në fillimet e saj, se Shqipëria ishte një vend gjysëm kolonial dhe se detyra kryesore e lëvizjes majtiste në Shqipëri ishte fitorja e plotë e pavarësisë, revolucioni demokratik përparimtar, përmbysja e rregjimit totalitarist zogist, zhdukja e mbeturinave feudale, madje edhe realizimi i bashkimit  nacional të trojeve etnike. E kush shqiptar me mëndtë e sotme s’do e përqafonte këtë program të një të majtë shqiptare?!  E kur?! Në vitet e turbullta 1930-1940.  I dashur lexues! Le ti ndjekim me kujdes këto zhvillime të lëvizjes komuniste të atyre viteve, për ta dalluar “engjëllin” nga “djalli”, për të parë se si kjo e majtë që aspironte Hasani me shokë mori goditje të vazhdueshme për një tre cerek shekulli, deri në eleminimin fizik të pionierëve të këtyre ideve. Madje nqs flasim për fillesat e socialdemokracisë në Shqipëri, themeluesit e saj janë burrat e sipërpërmendur të grupit të “clirimtaristëvë”. Zonja Musinë Kokalari, etj, për mendimin tim shënojnë brezin e dytë të këtyre idealeve. Për të realizuar qëllimin dhe programin e tyre “clirimistët” kërkonin aleancë me të gjitha forcat antizogiste, antifashiste dhe demokratike  përparimtare për të përmbysur bashkarisht regjimin zogist dhe për të vendosur jo një diktaturë të proletariatit, por një regjim demokratik përparimtar në gjirin e të cilit PK të ushtronte ndikimin e saj. Sipas “clirimistëve” peshën e komunistëve në regjimin demokratik do ta përcaktonte vota popullore. Këtyre ideve, programeve dhe pozicionimit të lëvizjes komuniste në Shqipëri i mëshon fort dhe Prof.Doktor i ndjerë, Kristo Frashëri, në monografinë kushtuar jetës dhe veprës së Hasan Recit, botuar në vitin 2005.  Të dyja rrymat e lëvizjes majtiste shqiptare ishin pranuar nga Kominterni, si dy rrugë të mundshme dhe të përshtatshme për kushtet e Shqipërisë së prapambetur. Madje Kominterni  bënte presion që këto dy rryma të bashkëpunonin mes tyre. Kjo është arësyeja që Ali Kelmendi u lidh ngushtë me Hasan Recin, duke parë dhe ndikimin e tij në Tiranë, si bir tiranas. Sepse Hasani drejtonte një celulë komuniste ku bënin pjesë dhe Anastas Plasari, nënpunës, Kolë Berisha, gazetar dhe Pjetër Deda, përkthyes. Regjimi zogist duke parë ndikimin e kësaj celule, ra në gjurmë të saj që në vitin 1933. Pamvarësisht se me veprimtarinë e tyre ata nuk paraqisnin rrezik imediat për regjimin zogist, anëtarët e celulës, përshi Hasanin u arrestuan, por në mungesë të provave mbas disa muajsh u lanë të lirë. Në raportin që dërgoi në Komintern në dhjetor të vitit 1936, Ali Kelmendi midis të tjerave propozoi që anëtar i qendrës të jetë Hasan Reci, bashkë me Selim Shpuzën, Demir Godellin, Ali Kelmendin dhe Ymer Dishnicën. Në gusht të v.1934, në qytetin e Korcës u mbajt një konferencë, në të cilën morën pjesë dy anëtarë të qendrës së Korcës bashkë me Demir Godellin, Selim Shpuzën dhe Hasan Recin. Në këtë takim një ditor u vendos që të punohet për organizimin e lëvizjes komuniste ndër qendra dhe prefektura, ku aktualisht nuk ka asnjë organizatë komuniste, si në Shkodër dhe gjithë Shqipërinë e Veriut, gjithashtu në Vlorë, Gjirokastër e gjetkë, si dhe përgatitja e terrenit për thirjen e një kongresi kushtetues të PK. Kur u kalua në pika të ndryshme, Hasan Reci njoftoi se në Tiranë ekzistonte një organizatë e fshehtë nacionaliste , e cila kishte për qëllim të përmbysej monarkia dhe të zvëndësohej me një republikë demokratike, propozim që u kudërshtua nga pjesmarrësit e tjerë.

{Dënimi i parë më vdekje}

Pamvarësisht kësaj kundërshtie, Hasan Reci forcoi lidhjet me grupin e Korcës dhe u mobilizua për kryengritjen antizogiste. Për organizimin e kryengritjes, Qendra e “organizatës së fshehtë”, kishte krijuar tre komisione, të cilat kishin për detyrë të merreshin me përgatitjen e kryengritjes së armatosur në tre sektorë të ndryshëm, në popullsinë civile, në ushtri dhe xhandarmëri. Për mobilizimin e popullsisë civile, qytetarë dhe fshatarë, Qendra e “organizatës së fshehtë”, kishte ngarkuar dy përgjegjës kryesorë, Kostë Cekrezin për antizogistët e djathtë dhe Hasan Recin, për antizogistët e majtë. Në zbatim të këtij plani, Hasan Reci, së bashku me Tajar Zavalanin, Demir Godellin, Riza Cerovën, M.Gjinishin, Uan Filipi, M.Macaci, Isuf Kambo, etj, u angazhuan seriozisht për të zgjeruar rrjetin e pjesmarrësve në kryengritjen e Fierit. Krerët e “Organizatës së fshehtë” vendosën që kryengritja e armatosur të shpërthente në vjeshtën e v.1935, pasi të kishte filluar pushtimi i Abisinisë nga Italia e Duces. Sipas tyre, Italia fashiste e angazhuar në fushatën luftarake të Afrikës Lindore, nuk mund të ndërhynte ushtarakisht në Shqipëri, në bazë të traktatit të Tiranës, të nënshkruar me qeverinë zogiste të v.1927. Por, ngjarjet nuk rrodhën sic ishin planifikuar. Më 14 gusht 1935, sapo krisën në Fier dhe Skrapar armët e para, kryengritja u shtyp. Në Fier revolta u shtyp po atë ditë, ndërsa në Skrapar vazhdoi disa ditë, derisa u vra udhëheqësi i saj, Riza Cerova. Policia kreu arrestime në masë. U burgosën jo vetëm pjesmarrësit e revoltës së armatosur, por dhe qytetarë e fshatarë të thjeshtë. Në mes tyre u arrestuan dhe simpatizantët dhe anëtarët e kryesisë së “Grupit Komunist të Tiranës”. Listën e tyre policia zogiste e kishte përgatitur më pare. Kështu që të nesërmen e dështimit të kryengritjes, më 15 gusht 1935, midis qindra të arrestuarëve ishte dhe Hasan Reci me 92 anëtarët majtistë. Më 16 gusht 1935, H.Reci u torturua egërsisht në hetuesi, derisa nuk kishte fuqi për të folur. Ai nuk e pranoi akuzën. Prej tij hetuesia nuk nxorri asnjë njoftim për pjesmarrësit e tjerë. Gjyqi kundër të pandehurve u zhvillua nga 22 gushti deri më 17 shtator 1935. Ai dha dënime me vdekje për të gjithë ata që u konsideruan krerë të “Organizatës së fshehtë”, Ali Shkupi, Ramiza Dibra, Nuredin bej Vlora, Ahmet Shehu, Bektash Cakrani, Neki Starova, Muhamet Këlcyra, Pilo Papa, Gegë Marka Gega, Mustafa Kacaci, Jaja Bace. Njësoj u dënuan dhe anëtarët e grupit komunist të Tiranës, Hasan Reci, Mustafa Gjinishi, Uan Filipi, Kostë Kollumbi. Midis vendimeve të gjyqit, ai që la përshtypjen më të thellë, sidomos ndër qytetarët e Tiranës, ishte dënimi me vdekje i Hasan Recit. Dhjetra lutje, të nënshkruara nga qytetarët e tiranës vërshuan në pallatin e Zogut, në të të cilat kërkohej anullimi i dënimit me vdekje për H.Recin. Protestoi gjithashtu Komiteti i Clirimit Nacional në Gjenevë, njëkohësisht pati protesta nga qarqet intelektuale majtiste evropiane. Biles një nga protestat mbante nënshkrimin e shkrimtarit të njohur francez Hanri Barbys, {Henri Barbusse}. Për këto dënime të rënda reaguan dhe diplomatë perëndimorë në Lidhjen e Kombeve. Nën presionin e brendshëm dhe të jashtëm, mbreti Zog u tërhoq dhe dekretoi për të gjithë krerët e organizatës së fshehtë, shndrimin e dënimit me vdekje me burgim të përjetshëm, me përjashtim të 11 xhandarëve, të cilët kishin marrë pjesë direkt në kryengritje dhe u pushkatuan. Hasan  Reci u dërgua në burgun kështjellë të Gjirokastrës, burg i sigurisë së lartë, ku qëndroi 5 vjet, deri më 7 prill 1939, kur mbas pushtimit fashist u arratis nga ky burg  për në Jugosllavi. Atje u bashkua me shokun e tij të ngushtë, Mustafa Gjinishin dhe më pas u takuan me Myslym Pezën e Haxhi Lleshin, me të cilët lidhën dhe miqësi. Të katër u kthyen në Shqipëri më 1940, ku Myslymi qëndroi në Pezë, Haxhi Lleshi në Dibër, ndërsa  Hasan Reci dhe Mustafa Gjinishi u rivendosën në Tiranë. Theksojmë se pamvarësisht gjithë këtyre ngjarjeve Hasani nuk ndryshoi bindjet e tij të formësuara dekadën e kaluar.

{Fund i pjesës së parë, pjesa e dytë vijon në numurat e ardhshëm të “Diell-it”}

Filed Under: Politike Tagged With: 3 herë, Hasan reci, I dënuar, me vdekje, Shefqet Kercelli

“Mos ma prek Dyrrahun” dhe ….Debati për gjetjet e reja historike në Durrës

February 14, 2017 by dgreca

*Kështu ndodh kur nuk pyeten specialistët dhe qytetarët/

1 zbulimet

Nga Shefqet Kërcelli/

*Tre momente nga zbatimi i një projekti të quajtur “Veliera”/

2 zbulimet

* Zbulimet e reja, si vlerë e shtuar arkeologjike-historiko-turistike e Durrësit/

Pak ditë më parë, gjatë gërmimeve para hyrjes kryesore të portit të Durrësit, dolën në dritë gjetje të reja historike, të cilat konsiderohen nga specialsitët përktatës si vlera të trashëgimisë kulturore. Gjatë punimeve për pastrimin e themeleve të godinës osmane të shekullit XIX-të, në një pjesë të sheshit para portit të Durrësit, aty ku më parë ndodheshin statuja të këngëtarëve të muzikës botërore, kanë dalë në dritë disa objekte të tjera, pjesë e trashëgimisë historike të qytetit. Këto gjetje të reja arkeologjike në Durrës, i kanë bërë specialistët të vlerësojnë se kjo pjesë e trashëgimisë kulturoro- historike nuk duhet varrosur. Zbulimet e reja konsistojnë në një gur varri të periudhës osmane, që dyshohet se i përket ndonjë zyrtari të administratës së atëhershme osmane, një top lufte, i ndryshëm nga ai i gjetur pak ditë më parë, si dhe 22 predha guri me formë sferike që hidheshin me katapultë, një lloj arme e vjetër që përdorej për mbrojtje, që nga antikiteti romak e deri në mesjetë, gjatë rrethimit të një kështjelle për të goditur ushtrinë sulmuese. Topi i dytë, që është më i hershëm se i pari, i gjetur pak metra më tutje, si dhe predhat sferike, që nuk kanë lidhje me të, janë gjetur brenda strukturave të godinës së administratës osmane, e cila mund të ketë qenë përdorur edhe si godinë për qëllime mbrojtjeje. Predhat sferike të gurit dyshohet se i përkasin shekullit XIV-të, por mund të jenë dhe më të hershme. Këto lloj predhash janë përdorur kryesisht deri në gjysmën e dytë të shekullit XV-të, se më pas u prodhuan dhe përdorën predhat shpërthyese. Studiuesit thonë se pas Mesjetës, me zhvillimin e armës së artilerisë dhe përdorimin e predhave shpërthyese, predhat e gurit përdoreshin edhe në strukturat e godinave, për shkak të fortësisë e rezistencës së tyre. Lidhur me gjetjet e reja, arkeologu Edi Shehu, shprehet se, ky sit duhet të mbrohet në mënyrë që të jetë i vizitueshëm nga të gjithë. Ndërkohë edhe themelet e vazhdimit të murit bizantin, pjesë e sistemit të fortifikimit të qytetit, mund të bëhen të dukshme për publikun përmes konservimit dhe mbulimit me xham të disa fragmenteve të tyre. E gjithë kjo pasuri historike që dëshmon një periudhë të rëndësishme për qytetin, atë nën sundimin e Perandorisë Osmane, kur Durrësi pati një tkurrje, humbje të rëndësisë së dikurshme tregëtare, sipas arkeologëve dhe qytetarëve durrsakë, nuk duhet anashkaluar. Bërja e saj e dukshme përmes mbulesave të qëndrueshme dhe transparente, nuk do të cënonte as vazhdimësinë e projektit për ndërtimin e sheshit të ri, madje do të kishte një vlerë të shtuar dhe një atraksion për turistët vendas e të huaj që brenda një perimetri të vogël mund të njihen me dëshmi të Antikitetit Romak, periudhës Bizantine, Mesjetës dhe periudhës së mëvonshme që daton deri në shekullin XIX. Shumë pranë vendit të gjetjeve të reja ndodhet një fragment i murit bizantin, Torra Veneciane, më tutje Muret Mesjetare dhe Amfiteatri Antik, për të vijuar me Muzeun Arkeologjik dhe të tjera dëshmi të rëndësishme të një qyteti, që vlerëson të sotmen dhe të ardhmen moderne të tij. Themelet e godinës së zbuluar i takojnë fundviteve 1800, kur osmanët ishin në kulmin e sundimit të tyre në Shqipëri. Godina është shembur nga tërmeti i vitit 1926, më pas autoritetet e atëhershme vijuan ndërtimin e portit dhe rrugës së tregtarëve. Mënyra e materialet e ndërtimit të mureve kanë elementë që i përkasin kohëve të ndryshme, madje, sipas arkeologëve disa gurë mund t’i përkasin edhe periudhës romake, bizantine e veneciane. Interes paraqesin shtresat arkeologjike që mund të ndodhen poshtë godinës. Megjithatë gjetjet e fundit e shtojnë valencën e këtij siti, ndërkohë që rezultatet e sondazheve arkeologjike, do të jenë baza për vendimmarrjen dhe fatin e këtyre zbulimeve, si dhe nëse projekti për ndërtimin e sheshit publik do të ketë ndryshime që mund të ruajnë këtë pjesë të trashëgimisë historike të qytetit, që historikisht njihet si Durrësi i lashtë{vjetër}. Theksojmë se qyteti i Durrësit, me një histori mbi 3 mijë vjecare,  “lundron” mbi mbetje arkeologjike  të periudhave të ndryshme historike, për shkak të migrimeve perëndim-lindje dhe anasjelltas, dyndjeve, kryqëzatave, rrugëve tregëtare, etj, por mos harrojmë se asnjëherë në këto treva nuk ka munguar elementi iliro-arbëror-shqiptar. Shkaku kryesor i këtyre shtresëzimeve arkeologjike në Durrës janë tre tërmete të fuqishëm që kanë sjellë pasoja katastrofale në Durrës, një në antikitet, një në mesjetë dhe një në cerekshekullin e shekullit të XX-të, dhe më pak nonjë projekt ndërtimor që mund të jetë zbatuar nga shteti shqiptar në vite. Kuptohet që këto përbëjnë dhe habitatet e dokumentacionin e saktë për historinë e perandorive, qytetërimeve të ndryshme dhe vetë ekzistencën e entosit Iliro-shqiptar.

2.Qytetarët durrsakë protestojnë

Qytetarët durrsakë, të mbështetur edhe nga shoqëria civile, protestuan më datën 11 shkurt 2017,  nën moton “Mos ma prek Dyrrahun”. Kjo protestë, e cila kishte për qëllim pezullimin e punimeve për ndërtimin e Velierës, nisi në formë marshimi nga sheshi “Liria” në drejtim të Torrës Veneciane, ku protestuesit kërkuan ndërprerjen e punimeve dhe marrjen e masave për mbrojtjen e vlerave arkeologjike e historike. Sipas tyre, me vendimet e tij, kryebashkiaku Vangjush Dako po shkatërron vlerat arkeologjike e historike të qytetit bregdetar, duke ndërtuar mbi këto rrënoja Velierën, projektin 6 milion dollarë. Protestuesit shpërndanë fletëpalosje duke iu kërkuar qytetarëve t’i bashkoheshin protestës dhe të marshonin bashkë me ta për mbrojtjen e arkeologjisë. Është nga të paktat protesta që bëjnë qyetarët durrsakë, se ata përgjithësisht kanë qenë dhe janë indiferentë, kjo flet se ndjeshmëria e tyre për këtë projekt e ka kaluar cakun.

3.Debati në Komisionin Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e informimit publik

“Nëse specialistët e arkeologët vendosin, ne jemi gati të ndryshojmë projektin e ‘Velierës’ në Durrës”. Kjo ka qenë deklarata e djeshme e kreut të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, para Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, ku u paraqit në një seancë dëgjimore me Ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro.  Nuk mungoi as përplasja mes shoqërisë civile e pranishme në komision me Kumbaron e Dakon. Përfaqësuesit e shoqërisë civile thanë se arkeologët kanë folur për shkelje dhe mes tyre përmendën edhe zotin Moikom Zeqo, si një ndër emrat që e ka kundërshtuar projektin në Durrës. Studjuesi i mirënjohur durrsak është shprehur se: “Shqiptarë! Vetëm një mendje delirante dhe e papërgjegjshme e koncepton një projekt 6 milionë euro të mbiquajtur ‘Veliera’ për ‘zbukurim’ në zonën A, të mbrojtur me ligj, ndërkohë që nuk është investuar për kanalet e Durrësit, që përmbytet kur bien shirat, pra një çështje substanciale dhe jetike për banorët, kurse shkelja flagrante e ligjit në zonën A të arkeologjisë, për ndërhyrjen brutale dhe kriminale, duhet të ketë të pandehur këta pushtetarë që i fyejnë arkeologët. Midis tyre edhe mua. Janë injorantë të noterizuar dhe shpirtkazmë ndaj vlerave kombëtare dhe ndërkombëtare të trashëgimisë së jashtëzakonshme arkeologjike të Durrësit! Nuk duhet që kulturën ta mposhtin idiotët!”, thekson studjuesi Zeqo.
Po kush është projekti?

Projekti është përgatitur nga studioja e arkitekturës shqiptare “ERALD -G + ARKONSTUDIO”, në bashkëpunim me studion  italine të arkitekturës, “ARCHEA”. Sheshi i ri publik do të ketë një sipërfaqe prej 12 mijë metrash katrorë, ndërsa vela mbi të do të jetë 2 mijë metra katrorë. Vlera e përgjithëshme e  këtij projekti kap shifrën rreth 6 milionë $.

Filed Under: Histori Tagged With: "Mos ma prek Dyrrahun", Shefqet Kercelli

Ja cfarë realizoi Administrata Trump gjatë kësaj jave

February 11, 2017 by dgreca

Njoftim  i Zyrës së Shtypit të Shtëpisë së Bardhë  11 shkurt 2017/

1 shtepai e bardhe

Jemi duke e bërë Amerikën të sigurtë përsëri  dhe duke shtuar vendet e punës.Gjatë kësaj jave presidenti Trump dhe Administrata e tij, bënë hapa të mëdhenj në bërjen e Amerikës të sigurtë dhe rikthimin e qytetarëve amerikanë në punë.

Për këtë, Presidenti Trump firmosi tre urdhëra ekzekutiv anti-krim, duke përmbushur premtimin që të vendosë sigurinë dhe të sigurojë popullin Amerikan së pari.

Të mërkurën, Senatori Jeff Sessions, u betua si Prokuror i Përgjithshëm. Prokurori i Përgjithshëm Sessions është një mendje ligjore e klasit botëror dhe një prokuror i sprovuar që do sjellë experiencë të pacmueshme në këtë detyrë.

President Trump gjithashtu lajmëroi zotimin e investimit prej 7 miljardë $, që do të sjellë 10,000 pune në  SHBA. Ky është  një tjetër shembull i programit  ekonomik “Amerika e Para”, e Presidentit Trump, program që do sjellë rezultate pozitive për shumicën e popullit amerikan. duke shperndare rezultate masive per popullin Amerikan.

Trump Administration This Week:

Making America Safe Again and Getting Americans Back to Work
This week, President Trump and his Administration made great strides in making America safe and getting Americans back to work. 
President Trump signed three anti-crime executive orders, fulfilling his promise to put the safety and security of the American people first. 
On Wednesday, Senator Jeff Sessions was sworn in as the next Attorney General. Attorney General Sessions is a world-class legal mind and seasoned prosecutor who brings invaluable experience to the position. 
President Trump also announced Intel’s $7 billion pledge to bring 10,000 jobs to America, yet another example of President Trump’s America First economic agenda delivering massive results for the American people. 

Përgatiti për “Dielli-in”, Shefqet&Herion Kërcelli

Filed Under: Komente Tagged With: administrata Trump, gjatë kësaj jave, Shefqet Kercelli

Roja Bregdetare të SHBA dhe ICITAP inspektojnë Durrësin dhe Vlorën

February 10, 2017 by dgreca

Përfaqësues të Rojes Bregdetare të SHBA dhe ICITAP, inspektuan masat e sigurisë në portin e Vlorës dhe Durrësit/

Porti i Durresit, Sh.K.Ne Foto:Pamje nga Porti i Durresit/

 Nga Shefqet Kërcelli/Porti i Vlores. Sh.K.

Në Foto:Pamje nga Vlora/

Në zbatim të planit të bashkëpunimit midis Departamentit të Shtetit të SHBA dhe institucioneve shqiptare, nga datat 7-9 shkurt 2017, një ekip specialistësh të Rojes Bregdetare të SHBA dhe ICITAP, inspektuan zbatimin e masave të sigurisë në portet kryesore të vendit tonë, atë të Vlorës dhe Durrësit. Inspektimi përfshinte gjithë problematikat, rregullat, pjesa ligjore dhe nënligjore që zbatohet për forcimin e sigurisë në portet tona, si dhe masat për parandalimin e incidenteve në territorin, basenin dhe radën e porteve. Gjatë këtyre ditëve specialistët e sigurisë të SHBA, të shoqëruar nga homologët shqiptarë panë konkretisht zbatimin e hyrje-daljeve të njerëzve e mallrave në postblloqet e këtyre porteve. Ndërkohë ata u njohën nga afër dhe me dokumentacionin, planet e sigurisë të Autoritetit Portual Vlorë dhe Durrës si dhe strukturave përkatëse të Administratës sonë Detare. Në takimet me Drejtuesit e Autoriteteve Portuale, të Forcave të Sigurisë dhe Administratës Detare, specialistët e SHBA vlerësuan punën e deritanishme të kuadrove e personelit përkatës në portet tona dhe i inkurajuan ata të thellojnë këto masa në të ardhmen. Theksojmë se për mbi 20 vjet, Roja Bregdetare e SHBA dhe ICITAP, po zbatojnë projekte dhe plane bashkëpunimi me institucionet e sigurisë në portet tona, ku përfshihet asistenca teknike, pajisje me aparatura moderne dixhitale, trajnimi dhe arësimimi i specialistëve shqiptarë të kësaj fushe brenda vendit dhe në SHBA, etj. Ky bashkëpunim i ka shërbyer më së miri rritjes së nivelit të sigurisë në nivelin 1 të porteve tona, gjithashtu arritjen e parametrave e standarteve të porteve të BE.

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Durers e Vlore, Porte, Roja Bregdetare të SHBA, Shefqet Kercelli

Promovim libri ne Durres

December 29, 2016 by dgreca

-Ing.Garori prezanton librin më të ri: Anijet, njohuri mbi konstruksionet e tyre/

1-durres-promo-Dhjetra marinarë dhe qytetarë durrsakë mirëpresin botimet e librave për detin/

Nga Shefqet Kërcelli/

Dhjetra marinarë dhe qytetarë durrsakë u mblodhën mbrëmjen e datës 27 dhjetor 2016 në sallën “Odeon” të pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”, për të promovuar librin më të ri të inxhinjerit Albert Garori, “Anijet, njohuri mbi konstruksionet e tyre”. Fillimisht mbas urimit të mirëseardhjes, pjesmarrësit nën kujdesin e mjeshtrit televiziv, Astrit Tahiri, u njohën me një dokumentar të shkurtër që pasqyronte sakrificat dhe profesionalizmin e detarëve tanë gjatë  lundrimeve të kryera më anijet e transportit në vitet 1965-1970.  Më pas inxhinjer Todi Sota, specialist në Regjistrin Detar Shqiptar, bëri një përmbledhje të zgjeruar mbi përmbajtjen e librit në fjalë, duke evidentuar vlerat teknike dhe profesionale që bart ky botim. “Ky libër është vazhdim i botimeve, artikujve dhe kontributeve të mëparëshme në fushën e detarisë të Ing.Garorit, ku spikasin: “Montimi dhe kontrolli i bazamenteve të motorave në anije”, shkrime në revistën “Transporti”, mbi problemet e defekteve në ciftin aks-elike të anijeve, të cilat kulmuan me botimin e librit “Anijet detare” në vitin 2005, theksoi inxhinjer Sota. Libri është konceptuar në 16 kapituj, ku trajtohen teknikisht cështjet e konstruksionit të anijeve, kontrollet që ushtrohen mbi to gjatë dokimit dhe riparimit, përcaktimi i defekteve dhe mënyra e eleminimit të tyre, ndërtimi dhe përmasat kontrolluese të kicit të anijes, valvolat jashtë bordit, elikat e anijeve,{kontrolli, defektet dhe riparimi i tyre}, timoni i anijes, spiranca, fenomeni i osmozit në skafet plastike dhe disa njohuri për anijet me vela. Në recensën e tij, ing.Sota theksoi dhe vlerat e emërtimit në anglisht të pjesëve kryesore të anijeve, një terminologji e cila ilustrohet me figura dhe tregues përkatës. Aspekti konceptual dhe formativ i librit krijojnë një bazë të fuqishme, nga e cila të interesuarit në këtë sektor mund të orientohen për thellimin e njohurive të tyre  rreth konstruksionit, dëmtimeve, riparimeve dhe njohurive të reja, tha zoti Sota. Në vijim, rreth rëndësisë dhe vlerave të librit, diskutuan dhe inxhinjerët Llambi Huta e Fatmir Dragu, si dhe kapiten Enver Gucija dhe miq të autorit. Specialistët detarë evidentuan njohuritë themelore që jep ky libër në fushën e konstruksioneve detare, shërbimeve dhe riparimeve në kohë të tyre. Ndërkohë ata e etiketuan librin si një manual të cmuar që duhet të zerë vendin e tij, jo vetëm në bibliotekën e ekspertëve të fushës, por dhe të studentëve, punëtorëve, ekuipazheve të anijeve dhe të gjithë subjekteve shtetërore e private, që janë të përfshirë në veprimtarinë detare. Më konkretisht, studentëve që studjojnë në degën e detarisë apo menaxhim portesh, për njohuritë që i duhen në lidhje me konstruksionet e anijeve; ekuipazheve të anijeve mbi veprimet e shumta teknike që kryejnë në anije; pronarëve të mjeteve detare, të cilëve i duhen njohuritë bazë në lidhje me menaxhimin, mirmbajtjen dhe përdorimin e mjeteve të vogla detare. Gjithashtu ing.Famir Dragu, mbasi evidentoi rëndësinë tekniko-profesionale të librit për subjektet arsimore dhe instititucionet tona detare, theksoi rolin që duhen te kenë këto studime në të ardhmen e detarisë dhe anijendërtimit të vendit tonë. Diskutantët, dashamirësit dhe miqtë e këtij promocioni i uruan shëndet e suksese të mëtejshme ing.Garorit, njëherësh shprehën dëshirën dhe kënaqësinë që inxhinjeri të vazhdojë krijimtarinë e tij, për t’ja përcjellë brezave të detarëve shqiptarë eksperiencën e tij. Në vijim të aktivitetit zoti Garori, mbasi falenderoi të pranishmit, Drejtorin e Rregjistrit Detar, zotin Emiljan Jani dhe kolegët e tij, nënvizoi se, këtë libër ja kam dedikuar detarëve shqiptarë, të cilët me punën e tyre mbajnë gjallë traditën tonë detare. Inxhinjer Alberti e quan veten me fat, që shërben në sektorin e detarisë për mëse 40 vjet, ndaj jam borxhli që njohuritë e fituara t’ja trashëgoj brezve që vijnë, një detyrim që e ka secili që punon në këtë fushë. Jam përpjekur që të shkruaj dicka teknike që tu shërbejë personave që shërbejnë dhe studjojnë degën e bukur të detarisë, si në universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë, ashtu dhe “Aleksandër Moisiu” Durrës, theksoi zoti Garori. Në fund të pranishmit shkëmbyen mendime dhe diskutuan për librin, detarinë shqiptare dhe problematikën që ajo bart në ditët e sotme gjatë koktejlit të organizuar në hollin e pallatit “Aleksandër Moisiu”. Duke marrë shkas nga këta njerëz profesionistë, specialistë të anijeve e legjislacionit detar, punëtorë e të përkushtuar për ti dhënë dicka vendit dhe në këtë fushë, dhe unë si autor i këtyre rreshtave nxorra një mësim, duhet të vazhdoj të shkruaj historinë e këtyre mëndjeve e duarve të ndritura, që mbajnë gjallë dhe trashëgojnë vlerat më të mira të detarëve shqiptarë, pra dhe një vëllim tjetër të “Antologjisë së Detarisë”. E meritojnë! Ndaj parangalli që më ka ngecur në faqen 1000 të kompjuterit, duhet të lëvizë për një vëllim tjetër të detarëve shqiptarë gjatë vitit 2017.

Sigurisht një nga personazhet e librit të ri është inxhinjeri dhe studjuesi i talentuar Albert Garori, me një përvojë 45 vjecare në fushën e detarisë, specialist në Regjistrin tonë detar, përfaqësues teknik i Regjistrit britanik {Lloyd Register} në Shqipëri, autor i tre librave dhe dhjetra artikujve në fushën e detarisë, qytetar i thjeshtë durrsak, specialist virtuoz dhe këmbëngulës, që po i përcjell gjeneratave të reja vlerat e praktikat më të mira të detarisë shqiptare.

Inxhinjer Alberti! Natyrisht në këto ditë fundviti të shkon përshtat urimi:

Punë të mbarë inxhinjer, shëndet e lumturi në familje, mbarësi e krijimtari në Vitin e Ri 2017!

Filed Under: Kulture Tagged With: në Durrës, promovim, Shefqet Kercelli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT