• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mali i Zi do jetë anëtar i rëndësishëm i Aleancës së NATO-s

March 24, 2016 by dgreca

Takimi Paul-Durisic/

Ministrja e Mbrojtjes e Malit të Zi, Milica Pejanoviq Durisic, u takua para pak ditësh me Gjeneralin Peter Paul, Kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, i cili ishte për vizitë dyditore ne Malin e Zi. Fokusi i bisedimeve midis tyre u dominua nga ceshtjet që kanë të bëjnë me hapat e ardhshëm të Malit të Zi për anëtarësim në strukturat e NATO-s. Ministrja Durisic theksoi se, Mali i Zi do përmbushë të gjithë angazhimet që i paraprijnë fresës për anëtarësim. Ajo shtoi se takimet e këtij niveli janë pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për të krijuar kushtet e nevojshme për Malin e Zi, që ti bashkohet aleancës sa më shpejt të jetë e mundur. “Ne presim që në fund të kësaj faze, pra, në fund të prillit, të nëshkruajmë protokollin për pranimin e vendit tonë në aleancë”, tha ministrja Durisic. Nga ana e Tij, Gjeneral Paul theksoi rolin dhe rëndësinë e Malit të Zi për stabilitetin e përgjithshëm në rajon. Ai tha se, ishte i impresionuar nga arritjet dhe reformat që Mali i Zi ka realizuar në fushën e mbrojtjes”, ndaj po shihet si një anëtar i rëndësishëm i NATO-s”. Gjithashtu gjatë takimit zoti Paul, theksoi rëndësinë e procesit të integrimit, “sepse vetëm së bashku mund të përballohën sfidat e reja të sigurisë”. {SH.K}

Filed Under: Komente Tagged With: i Aleancës, Mali i Zi do jetë anëtar i rëndësishëm, së NATO-s, Shefqet Kercelli

Durrsaku që na nderon në Harvard

March 18, 2016 by dgreca

Ja si mund të studjosh në SHBA/

Bisedë më studentin më të ri të bioteknologjisë në Harvard, djaloshin durrsak Kevin Shani/

 Nga Shefqet Kërcelli/

Është një fakt që shqiptarët mund të jenë ndër popujt më arsimdashës në botë. Ata janë gati të bëjnë të pamundurën që fëmijët e tyre të arsimohen sa më mirë, jo vetëm në universitetet këtu në Shqipëri, por dhe jashtë vendit. Tashmë në universitetet perëndimore janë arësimuar dhe po vazhdojnë studimet mijëra djem e vajza nga Shqipëria, Kosova dhe viset e tjera shqiptare. Kjo gjeneratë është pasuria më e vyer e kombit shqiptar, ajo që do ti japë vizionin, strategjinë, drejtimin dhe frymëmarjen e duhur kombit tonë në të ardhmen. Ky brez i mirëarësimuar përfaqson denjësisht popullinin shqiptar në arenën ndërkombëtare dhe ka lozur rol kryesor në momentet e zhvillimet kryesore të tij. Pjesë e kësaj armate shqiptarësh që sakrifikon e përpiqet të arsimojë sa më mirë fëmijët e tyre janë dhe prindërit durrsakë Shani, zonja Lindita dhe zoti Mihal. Natyrisht cdo familje shqiptari një pjesë të kohës e kalon duke biseduar për të ardhmen e fëmijëve, mënyrat, mundësitë finaciare, shokët, miqtë që mund ti ndihmojnë në rrugën e dijes fëmijët e tyre. Shahinin vecse e kam koleg e kam dhe mik të vjetër. Ai shërben në Qëndrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare, si specialist i peshkimit. Një njeri i thjeshtë, i dashur e i repektuar nga të gjithë. Shpesh pij kafe me të. Kuptohet që një kohë të bisedës e kalojmë duke folur për arsimimin dhe perspektivën e fëmijëve. Ai më modesti më tregon se si djali i madh Kevini, në sajë të studimit sistematik, këmbënguljes e inteligjencës vetiake kishte arritur të fitojë bursë në universitetin prestigjioz të Harvardit. Më bëri përshtypje ecuria e djaloshit durrsak dhe dashuria e prindërve të tij për arsimin, ndaj i kërkova Shahinit, një takim me Kevinin gjatë kohës së pushimeve, kur ai ndodhej në Durrës. Kevini kishte mbi një vit pa ardhur në Shqipëri dhe kohën e kishte shumë të kufizuar. Në këto raste s’di ctë bësh më parë, të cmallesh me prindërit dhe familjen, të takosh shokët e fëmijërisë dhe gjimnazit, të kryesh vizita mjekësore, sidomos ato tek dentisiti, për arësye të cmimit këtu në Shqipëri, etj? Më vinte keq që t’ja merrja kohën Kevinit, në ato pak ditë që qëndroi në Durrës. Gjithsesi dy ditë para se të largohej pimë një kafe tek kafe“Fly”. Kisha dëgjuar për rezultatet dhe pasionin e tij në shkencat ekzakte dhe pamja e Kevinit ma vërtetoi më së miri këtë. Një djalosh i ciltër, me një fytyrë të pastër, me sy të mprehtë e të zgjuar, cdo shqisë e këtij djaloshi shprehte dije, intelektual i lindur. Këtë ndjesi ma krijoi Kevini që në pamje të parë. Në cast mendova vështirësitë dhe sakrificat e familjes Shani, për të arsimuar në mënyrë ekselente fëmijët e tyre, vështirësi të cilat i kam kaluar dhe unë si familje më parë. Kishim shumë gjëra të përbashkëta në këtë udhëtim të dijes e diturisë drejt universiteteve të SHBA. E urova më shpirt këtë djalosh të ri durrsak, që studjon për Bioteknologji në Universitetin me emër në botë. Madje është i pari shqiptar që studjon në këtë degë të vështirë, pasi programi universitar ka bazë shkencat ekzakte.{Matematikë, Fizikë, Kimi}. Por Kevini po e përballon më së miri, pasi ai deri sa të mbrrinte këtu ka studjuar sistematikisht për vite me radhë. Shpejt biseda rrodhi normalisht, dukej sikur njiheshim prej kohësh. I kërkova të më tregonte dicka për shkollimin e tij, hapat që kishte hedhur për të arritur deri këtu. Përgjithësisht këta tipa e kanë të vështirë të flasin për veten, më tepër flasin rezultatet e tyre në jetë. Talenti dhe aftësitë e Kevinit u shfaqën që në arësimin fillor tek shkolla “Jusuf Puka”, ish “Dalip Tabaku”. Durrës. Matematika dhe anglishtja u bënë dy lëndët më të preferuara të Kevinit. Nga 9-vjecarja në gjimnazin “Gjergj Kastrioti”, Kevini studjoi jo vetëm programin e detyruar, por dhe autodidakt, herë pas herë dhe kurse të vecanta për të thelluar njohuritë e mara. Nga 2005 deri më 2014, ai ka marrë pjesë në të gjitha olimpiadat e matematikës të zhvilluara në rreth apo në shkallë vendi, në të cilat herë pas here ka fituar dhe cmime. Pamvarësisht se nëna e Kevinit, Lindita, është mësuese tek gjimnazi “Gjergj Kastrioti”, nuk ka pasur asnjë ndërhyrje për favorizim në nota. Kam dashur të di njohuritë e mija reale në cdo lëndë, thotë Kevini. Por në ecurinë time patjetër kanë ndikuar të gjithë mësuesit e mi nga fillorja deri në gjimnaz dhe punën parapregatitore për universitetet e SHBA. Shpesh, kur kam kohë të lirë këtu në Harvard, kujtoj me respekt mësuesen time të fillores Liljanën, gjithashtu shpreh mirënjohjen për mësuesët e gjimnazit, Niko Bllani, Afërdita Mataj, por dhe zonjën Teuta Domi, që më ndihmuan në përgatitjen e zotërimin e matematikës, fizikës, por dhe provimeve specifike SAT dhe TOEFL. Një punë sistematike disavjecare në matematikë, fizikë, kimi, anglisht, më ndihmuan të fitoj pikët e duhura në TOEFL dhe SAT, shpjegon Kevini. Por, nuk kishte gëzim më të madh për mua, kur në ato ditë qershori 2014, më erdhi lajmi i mrekullueshëm, kisha fituar bursë për bioteknologji në Harvard!? U cuam të gjithë më këmbë, atmosferë feste dhe gëzimi mbretëroi që nga ajo ditë në shtëpinë tonë. Natyrisht unë kisha aplikuar dhe në universitete të tjera, prisnim dhe përgjigje, por Harvardi i vulosi të gjitha. Ëndrra ime u realizua, ma vlerësoi mundin tim e prindërve të mi zoti, dhe nga ai cast më mbërthyen ethet e përgatitjes drejt auditoreve të këtij universiteti elitar, më thotë Kevini, ndërsa i shkëqenin sytë, sa herë e kujtonte këtë ngjarje. E kush si ëndëron këto universitete?! por fitimtari është ai që këmbëngul, studjon, sakrifikon, heq dicka nga kënaqësitë meskine të moshës apo rutina e përditëshme e kafesë që ka mbërthyer një pjesë të të rinjve tanë. Kështu në gusht të vitit 2014, djaloshi durrsak me valixhet në krahë, me plot ëndrra e dëshira ju drejtua auditoreve të Harvardit. “Unë e kam filluar vitin akademik më 21 gusht 2014 si pjesë e “Freshmen International Program”, një program orientues për studentët jo-amerikanë, ku si bazë kishte njohjen dhe përvetsimin e kulturës amerikane, si të përshtatemi me jetën akademike në kolegjet në Amerikë, anglishtja, shkrimi akademik, përgatitjet e dokumentave, etj”, tregon Kevini për ditët e para të studimit. Sigurisht që fillimi ka dhe vështirësitë e veta, nuk është e lehtë të orientohesh me ambiente dhe kampusin e këtij universiteti gjigand, vijon Kevini. Edhe pse shumë mirë i organizuar, për një student nga një vend tepër i vogël, gjetja e sallave të leksioneve ishte një problem më vete. Me pas vinte asimilimi i kulturës amerikane dhe përshtatja me një trupë studentore të përbërë nga studentë prej 40 vendeve të botës, plus kultura e punës, mungesa e kohës, faktorët social, pjekuria, etj. Normale, që edhe anglishtja nuk qe e thjeshtë, pasi unë nuk kisha studiuar kurrë në anglisht në një nivel akademik. Pyetjes sime se, cfarë këshëllon për të rinjtë dhe të rejat shqiptare që duan të studjojnë në SHBA, Kevini ju përgjigj kështu: Këshilla ime është që të fillojnë përgatitjen për provimet e SAT dhe TOEFL, sa më herët të jetë e mundur, të investojnë në mësimin e anglishtes që në klasat fillore, të pyesin sa më shumë studentë që po vazhdojne aktualisht jashtë vendit dhe që kanë përfunduar ato. Mund ti informoj dhe për dicka të rëndësishme: Unë dhe disa studentë të tjerë shqiptarë këtu në SHBA, kemi ndërmarrë një nismë për të ndihmuar bashkëkombasit tanë për të studiuar jashtë vendit në shkolla elitare internacionale, ashtu si dhe ne. Ne kemi krijuar një faqe në FB, në mënyrë që cdo nxënës, mësues ose prind të këtë mundësinë të na kontaktojë lehtësisht. Kjo nismë është mënyra jonë e të kontribuarit në zhvillimin e kombit tonë, duke i dhënë mundësinë nxënësve të talentuar të vendit tonë të aplikojnë për të marrë një edukim elitar dhe të bëhen lidera njësh të së ardhmes. Për më shumë info shihni faqen “Discipuli Aquilae” në adresën: https://www.facebook.com/daquilae/. Duke i kërkuar një mendim se cdo të thotë të studjosh në SHBA? Inxhinjeri i ardhshëm bioteknolog u shpreh se, për mua të studioj në SHBA, është një ndër mundësitë më të mëdha që më është dhënë në jetë. Ndaj po punoj fort t’i marr të gjitha frytet në sajë të një vullneti të hekurt dhe dashurisë për arsimin.

Në të ardhmen kam dëshirë të vazhdoj shkollën a mjekesisë, por më parë dua të punoj në fushën e bioinxhinierisë, shkurt në kërkimin shkencor. I urova dhe njëherë suksese e fat, të parit inxhinjer bioteknolog shqiptar në Harvard, ndërsa vlerësova djersën dhe sakrificat e familjes Shani. Mbështetur dhe në përvojën personale familjare të arësimimit të fëmijëve të mi në SHBA, gjykoj se hapat e hedhura nga Kevini kanë qenë të matura dhe rezultativë. Bashkë me fëmijët e mi kemi konsultuar vullnetarisht mbi 40 të rinj e të reja shqiptarë për mënyrën e arësimimit në universitetet e SHBA. Mjaft prej tyre kanë ecur në rrugën e duhur. Ashtu si ka ecur Kevini, kuptohet që arësimimi në universitetet amerikane ka vështirësitë e veta, kërkon dije, punë sistematike në zotërimin e programit arësimor dhe përgatitje shtesë në anglishte dhe matematikë. Kuptohet që shqiptaro-amerikanët e dinë më mirë këtë. Gjatë vizitave në SHBA kam konstatuar përvoja të mira e të këqija në këtë fushë. Krahas përgatitjes serioze në SAT, GREE e TOEFL duhet dhe mbështetja financiare. Kur më pyesnin miqtë amerikanë se si e përballojnë shqiptarët arësimimin e fëmijëve në SHBA, ja u ktheja, ne për arësimimin e fëmijëve sakrifikojmë shumë, punojmë shumë, bëjmë një jetë të thjeshtë, madje mund të shesim dhe shtëpinë. Po, ka shumë shqiptarë që e bëjnë këtë në emër të dijes, të një formimi cilësor e profesional të fëmijëve të tyre. Kjo është ana më e mirë e karakterit e vlerave të shqiptarit. Kështu shqiptarët përfaqësohen si qyetarë të denjë në shoqërinë amerikane dhe kudo në botë. Nga modeli i kësaj shtrese të shqiptarëve, duhet të marin shembull dhe pjesa tjetër e shoqërisë sonë. Bazuar në përvojën e djaloshit Kevin, themi se eksperienca e tij personale është një mënyrë se sic do i ri shqiptar mund të studjojë në SHBA e gjetkë. Kuptohet që këto janë përpjekje personale dhe familjare të cilat gërshetohen me dicka tjetër. Pasi në Shqipëri, ka dhe një punë të organizuar nga Ambasada e SHBA në Tiranë për këtë qëllim. Kështu ka dy vjet që në vendin tonë funksionon Qendra Informative e Arsimit Amerikan, {Education USA Advising center in Albania}, ku të gjithë studentët shqiptarë që kërkojnë të vazhdojnë studimet në SHBA, mund të marin informacionin falas. {Gazeta“Dielli” e ka përcjellë në kohë lajmin e hapjes së këtij institucioni arësimor}. Kjo qendër ndodhet pranë universitetit “Marin Barleti” dhe mundëson këto informacione: përzgjedhjen e institucionit më të përshtatshëm për arësimim, njohje me kriteret e pranimit për fusha të ndryshme studimi, orientim për testet {TOEFL, GREE, GMAT, SAT, GED, ACT}, etc, testim të gjuhës angleze, mbështetje financiare dhe mundësi bursimi, informim mbi jetën sociale dhe kulturore në USA, etc. Gjithashtu vetë ambasada e SHBA, në bashkëpunim me këtë qendër, me Këndin amerikan në Vlorë, Tiranë, Kukës, me universitete publike e jopublike, shkolla të mesme, etj. ka zhvilluar disa aktivitete promovuese për njohjen e të rinjve shqiptarë me universitetet e SHBA, mundësitë dhe avantazhet e arësimimit në to. Psh. në Panairin e 18-të Kombëtar të Librit, Ambasada Amerikane në Tiranë hapi zyrtarisht stendën e saj. Gjatë ditëve të panairit, Zëvendës Ambasadori David Muniz, i shoqëruar nga Shefi i Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun Ryan Roberts, nisën aktivitetet e Ambasadës me një bashkëbisedim të hapur mbi arsimin në Shtetet e Bashkuara dhe rëndësinë e librave për të ardhmen e brezit të ri. Z.Muniz i falenderoi studentët për vizitën në Panair, si dhe ju përgjigj pyetjeve të shumta të studentëve për punën si diplomat në Shqipëri. Po ashtu spikati aktiviteti i Javës Ndërkombëtare të Arsimit, i organizuar nga ambasada e SHBA. Tema e këtij viti “Mundësi për të Gjithë” u theksua nëpërmjet aktiviteteve me nxënës së Medresesë së Tiranës, Qendrës Romani Baxt, Shkollës Bajram Curri, Institutit e Nxënësve që nuk shikojnë, Institutit e Nxënësve që nuk dëgjojnë, Shkollës Ndërkombëtare të Tiranës, Kolegjit “Turgut Ozal” në Tiranë, Panairin Virtual të Kolegjeve Amerikane, etj. Në këto aktivitete, specialistja për programet e shkëmbimit dhe këshilltarja pranë EducationUSA, prezantuan para një publiku të përbërë nga prindër, nxënës dhe studentë sistemin e Arsimit të lartë në Shtetet e Bashkuara dhe mënyrën si është i organizuar, dallimi ndërmjet kolegjit dhe universitetit, universiteteve publike dhe private, diplomat që japin, kostot dhe mundësitë për bursa. Ato shpjeguan procedurat e transferimit nga një universitet shqiptar në një amerikan, provimet e detyruara, dhe procesin e aplikimit. Një aktivitet me vlerë ishte dhe ai i zhvilluar në Këndin Amerikan në Vlorë. Këtu, koordinatorja rajonale e këshillimit për arsimin Cheryl Francisconi dhe dy këshilltaret për arsimin e lartë në Amerikë u takuan me një grup nxënësish nga shkolla e mesme “Ali Demi” dhe bënë një prezantim mbi mundësitë e arsimit në Shtetet e Bashkuara, bursat dhe se si të kërkojmë për universitetin e duhur. Ndërkohë dhe zyra e konsullit amerikan në Tiranë ka disa kohë që ka hapur rubrikën, Pyet Këshilltarin – A keni pyetje për arsimin në Shtetet e Bashkuara? Këtu koordinatorja Rajonale për Këshillimin mbi Arsimin, si dhe këshilltaret e EducationUSA shpjegojnë si të aplikoni në një universitet amerikan, çfarë testimesh të kryeni, mundësitë për bursa, procedurat e vizës studentore, dhe shumë të tjera. Postoni pyetjen tuaj në linkun, Qendra Informative e Arsimit Amerikan në Shqipëri (EDUSA-UMB) Për të mësuar më shumë për këshillimin akademik për studime në Amerikë, ju lutemi vizitoni http://www.educationusa.al. Natyrisht krahas përpjekjeve familjare të sipërpërmendura, ka raste që dhe në univeristete publike shqiptare, pedagogë të vecantë ofrojnë konsulencë falas për të studjuar në universitetet e SHBA. Një rast që duhet inkurajuar, është ai i pedagoges së anglishtes në Universitetin “FAN NOLI”, Korcë, zonja Alda Jashari {Cicko}, e cila ka informacionin e duhur për të sqaruar cdo person, se si mund të studjojë në SHBA? Është një fakt që shteti amerikan por dhe universitetet në SHBA, nuk mund t’ju japë të gjithëve bursë, pjesa tjetër e shpenzimeve duhet mbuluar nga vetë personi, mundësi të cilën nuk e ka kushdo. Dhe shteti shqiptar duhet të bëjë dicka në këtë drejtim. Gjatë vizitave në disa universitete në Pittsburgh, New York, Ilinois, Conecticat, etj, pashë dhjetra studentë nga India dhe Kina. Me sa u informova studimet e tyre i financonte vetë shteti. Përballë kërkesave për teknologji të lartë, inovacione, formim tekniko-shkencor dhe sfidave të ekonomisë, këto shtete kishin gjetur këto zgjidhje. Jo se në Indi dhe Kinë s’ka universitete, por diplomimin e një mase të gjerë të rinjsh në universitetet amerikane, qeveritë kineze dhe indiane e quanin domosdoshmëri. Dhe shteti shqiptar përballë evazionin universitar, sa të harxhojë para për universitete të paakredituar, nivelit të së cilëve s’di cfarë emri ti vë, mirë do ishte që të financonte studentë të talentuar si gurë themeli për të ardhmen e vendit. Por dhe kompani të fuqishme që duan kuadro me nivel të lartë kualifikimi duhet ta shohin këtë mundësi. Teknologjia e re, perspektiva e zhvillimit ekonomik të vendit, por dhe stafi pedagogjik i universiteteve tona, kërkojnë kuadro të arësimuar në këto universitete. Mos e gënjejmë veten. Pak dhe saktë. Kuptohet që ata që fitojnë bursa nga shteti shqiptar, janë të detyruar të kthehen me ligj në Shqipëri, ndërsa ai që shkon me djersën dhe punën e tij, vështirë. Në Shqipëri ende s’ka kompani që të paguajnë persona që janë diplomuar në Harvard apo Carnegie Mellon, që janë akredituar të parët në shkallë globale për shkenca sociale dhe inxhinjerike. Akoma më keq ti vlerësosh e krahasosh këto kualitete me militantë partiakë me diplomë në administratën tonë shtetërore. Duhet strategji, kompleks politikash dhe kohë për këtë. Gjithsesi rruga e arësimimit të shqiptarëve në SHBA, është vazhdim i një tradite shekullore, që nga shkollat e para shqiptaro-amerikane, produkti i të cilave është afirmuar qysh në rrënjët e shtetit shqiptar. Sot mundësitë dhe hapësirat janë të pakrahësueshme me atë të viteve më parë, kur ne nuk kishim as mardhënie diplomatike. Me sa kam parë Ambasada e SHBA, për të rinjtë që kanë fituar të drejtën e studimit në SHBA dhe që plotësojnë kushtet e studimit atje, s”kanë nxjerrë pengesë. Në mbyllje të këtij shkrimi i uroj dhe njëherë Kevinit suksese në rrugën e bioteknologjisë, si dhe gjithë studentëve shqiptarë në SHBA.

 

Filed Under: ESSE, Komunitet Tagged With: Durrsaku, Kevin Shani, ne Harvard, qe na nderon, Shefqet Kercelli

Përvoja e Gardës së New Jersey-it

March 11, 2016 by dgreca

Përvoja e Gardës së New Jersey-it për ruajtjen e mjedisit dhe trajtimin e mbetjeve në ambientet ushtarake e civile/

Nga Shefqet Kërcelli/

Në zbatim të planit të bashkëpunimit midis Forcave tona të Armatosura dhe Gardës Kombëtare të New Jersey-it, një ekip i kësaj Garde i përbërë nga zoti Chuck Appleby dhe N/Kolonele Viviene McNamara, nga data 8 deri më 11 mars 2016, zhvilluan një vizitë në Repartet kryesore të FA Shqiptare. Qëllimi i kësaj vizite është njohja me gjendjen e infrastrukturës së reparteve dhe punën që bëhet nga efektivat e Forcave tona të Armatosura për mirmbajtjen e tyre mjedisore dhe procesin e menaxhimit të mbetjeve. Më datën 8 mars, ushtarakët amerikanë vizituan Komandën e Forcës Detare, ku u pritën nga Zv/Komandanti i Forcës Detare, Kapiten i Rangut të I-rë Adnand Agastra dhe kuadro të shtabit të FD. Mbasi i uroi mirëseardhjen, Kapiten Agastra, fillimisht vlerësoi bashkëpunimin shumëvjecar të FA me Gardën Kombëtare të New Jersey-it si dhe ndihmën konkrete që ka përfituar Forca Detare nga ky bashkëpunim. Më pas Ai i njohu specialistët amerikanë me punën, strukturat dhe mjetet në dispozion të FD për mirmbajtjen e mjedisit dhe infrastrukturës jo vetëm në bazat e FD, por dhe mjedisin detar. Ndërkohë personeli i Forcës Detare gjatë vitit 2015, ka kryer disa operacione në ndihmë të komunitetit për pastrimin e mjedisit si në tokë dhe në det, theksoi zoti Agastra. Specialistët amerikanë të mjedisit vlerësuan masat organizative dhe teknike që ka zbatuar Komanda dhe repartet e FD për ruajtjen e mjedisit brenda kazermave dhe në teatrin detar. Në vijim të vizitës në FD, specialistët amerikanë vizituan Vendbazimin e Kepit të Palit. Këtu kolegët amerikanë panë anijen antindotje “Rodoni”, të destinuar për operacionet në det si dhe u njohën me gjendjen e infrastrukturës së vendbazimit të Kepit të Palit dhe trajtimin e mbetjeve mjedisore. Gjithashtu ata vizituan dhe godinën e Komandës së këtij vendbazimi, ku u njohën më historikun 45 vjecar të bazës së Kepit të Palit dhe traditën e detarisë së popullit tonë në vite. Mbas largimit nga Vendbazimi i Kepit të Palit, specialistët amerikanë bënë një vizitë të shkurtër në qytetin e Durrësit ku u njohën me disa objekte muzeale të këtij qytetit të lashtë, por dhe me bukuritë e resurset turistike të lagjes së vjetër dhe bregdetit të tij. Në zbatim të programit specialistët e Gardës së New Jersey-it vizituan dhe Reparte të Forcës Tokësore, Ajrore dhe Mbështetëse të FA, ku shkëmbyen eksperiencën në lidhje me trajtimin e mbetjeve në kazermat e tyre. Më datën 10 mars, në Qendrën e Menaxhimit të Materialeve dhe Laboratorin Qendror të FA, u zhvillua seminari me temë:-Trajnimi i personelit në mirëmbajtjen e infrastrukturës dhe mjedisit në FA, procedurat që ndiqen për mbylljen e bazave dhe procesi i menaxhimit të mbetjeve”. Në këtë seminar morën pjesë specialistët e mjedisit nga cdo Forcë dhe personel të strukturave përkatëse të FA. Bazuar në përvojën e tyre disavjecare zoti Appleby dhe N/Kolonele McNamara, sollën në vemëndjen e specialistëve tanë gjithë procedurat që ndiqen në Gardën Kombëtare të New Jersey-it për menaxhimin e mbetjeve të ndryshme në ambientet ushtarake dhe civile ku operojnë strukturat ushtarake. Specialistët amerikanë shpjeguan me detaje të gjitha procedurat që ndiqen për menaxhimin e mbetjeve që shkaktojnë ndotje të ajrit, mbetjeve të rrezikshme, të lëngshme e të ngurta, ato natyrale, trajtimin e mbetjeve kulturore-historike, pesticidet, hidrokarburet, mbetjet radioaktive, kimike, toksike, përpunimi i ujërave të ndotura, mënjanimin e zhurmave dhe ndotjes akustike gjatë trajtimit të tyre, hartimi i politikave efikase për menaxhimin e mbetjeve mbas suprimimit të reparteve ose operacioneve të ndryshme ushtarake, etj. Niveli teorik i gërshetuar me eksperiencën e pasur dhe metodologjinë pedagogjike solli që pjesmarrësit të përfitojnë gjerësisht nga përvoja e Gardës Kombëtarë të New Jersey-it në praktikat që përdoren për mbajtjen në kontroll të mjedisit. Gjithashtu gjatë seminarit u shkëmbyen mendime për trajtimin e rasteve konkrete në repartet tona, eleminimin e tyre, mbështetjen financiare si dhe përpjekjet për hartimin e masave ligjore dhe administrative për gjithë ndotësit e mjedisit në cdo ambient ushtarako-civil. Në zbatim të standarteve në kuadrin e NATO-s, Forcat tona të Armatosura kanë një plan masash për menaxhimin e mbetjeve të ndryshme në infrastrukturën dhe ambientet ushtarake. Pikërisht përvoja që sollën specialistët e Gardës Kombëtare të New Jersey-it i shërbeu më së miri realizimit të synimeve e objektivave që kanë Forcat tona të Armatosura në lidhje me këtë cështje. Duke e parë më larg, eksperienca dhe aktivitete të tilla janë pjesë e atij programi të madh që presidenti Obama dhe Shtëpia e Bardhë kanë hartuar për ndryshimet klimaterike dhe ruajtjen e mjedisit në planetin tonë. Së fundmi dua të sjell në vemendjen e lexuesve të “Diell-it” një fakt se, bashkëpunimi i Forcave tona të Armatosura me Gardën Kombëtare të New Jersey-it ka filluar që në vitin 1993, në kuadrin e PfP, në gjithë fushat. Ndërkohë që vendin tonë gjatë këtyre viteve e kanë vizituar të gjithë Komandantët e kësaj Garde, përfshi atë të janarit 2015, ku vendin tonë e vizitoi Gjeneralbrigade, Michael Cunniff. Në sajë të këtij bashkëpunimi të frutshëm, gjatë këtyre 23 viteve, Forcat tona të Armatosura kanë përfituar miliona dollarë ndihma në arësimimin e trajnimin e ushtarakëve shqiptarë, asistencë teknike, pajisje, etj. Mirënjohje dhe respekt për Gardën Kombëtare të New Jersey-it!

Shënim: Shkrimi do jetë pjesë e librit, “Bashkëpunimi ushtarak Shqipëri-Amerikë gjatë një shekulli”.

Filed Under: Komente Tagged With: Përvoja e Gardës, së New Jersey-it, Shefqet Kercelli

Prezantohen historia e shkollave shqiptaro-amerikane, 1891-1933

March 7, 2016 by dgreca

*Një aktivitet me vlera të gjithanëshme në festën e arësimit shqiptar/

*Ekspozita do qëndrojë e hapur nga data 7 deri më 11 mars 2016, nga ora 10 deri 17.00. /

Nga Shefqet Kërcelli/

Në kuadrin e 125 vjetorit të hapjes së Shkollës së Vashave në Korcë, në hollin kryesor të Muzeut Historik Kombëtar, u prezantuan shkollat shqiptaro-amerikane, 1891-1933, në një ekspozitë të pasur  me foto, literature e dokumenta, shumica e të cilave publikohen për herë të parë. Ekspozita është  frut i një pune disa vjecare plot pasion, profesionalizëm e përkushtim nga Qëndra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë, ndihmuar nga  Instituti për studime shqiptare dhe protestante, {Institute for Albanian&Protestant studies}, Muzeu Historik Kombëtar, Arkivi Qëndror i shtetit dhe Biblioteka Kombëtare ,Tiranë. Zoti  Shpëtim Sala, Kryetar i Qendrës Mbarëkombëtare të Koleksionistëve shqiptarë, njëherësh dhe një nga protoganistët dhe organizatorët e kësaj ekspozite interesante, na shpjegon punën plot pasion, durim e këmbëngulje, të koleksionistëve shqiptarë e miqve të tyre  për prezantimin e shkollave shqiptaro-amerikane në fillesat e tyre. Një punë vullnetare, plot seriozitet, e pasur me botime dhe burime arkivore që vlerëson kontributet e shtetit amerikan, komunitetit shqiptaro-amerikan,  Bordit Amerikan të Misioneve, Kryqit të Kuq të të rinjve amerikanë, organizatave  humanitare dhe personaliteteve amerikane që kanë punuar e jetuar në Shqipëri. E pra, vetëm pak vite mbas hapjes së shkollës së parë shqipe,  më 7 mars 1887, ishin këta pionierë të dijes e dashamirës të popullit shqiptar që hapën shkollën e vashave.  Në vijim u pasuan shkolla të tjera të niveleve të ndryshme, paralel me ecurinë e shtetit shqiptar. Është fakt që deri tani në një farë mase historiografia shqiptare e ka anashkaluar punën që kanë bërë këta pionierë të arësimit shqiptar bashkë me kolegët shqiptarë, në arësimimin dhe ndërgjegjsimin e popullit tonë.  Mos harrojmë se këtë e kanë bërë në kushtet e obskurantizmit  e kushteve mjerane ku jetonte populli ynë, në emër të dijes, arësimit e zhvillimit të tij. I gjeta disa nga organizatorët e kësaj ekspozite duke sistemuar  me merak materialet e fundit. Kështu zoti Shpëtim  po sistemonte disa sende të ruajtura nga shkolla teknike “Harry Fullc”, ndërsa zoti David Hosaflook, po vendoste në një tavolinë xhami disa botime të këtyre shkollave në vitet ’20. Këto libra kanë historinë e tyre të botimit e të ruajtjes. Shkolla “Harry Fullc” ka pasur  shtypshkronjën e vet, por dhe shqiptarët i kanë ruajtur në sëndykë, fshehurazi, një pjesë të këtyre librave, për ti nxjerrë  ata në dritë këto ditë marsi. Ndërkohë zonja Lumturi Ristvani, arkiviste, po përpiqej ti gjente vend të përshtatshëm një libri për shkollën bujqësore, Mali i Robit, Kavajë, dhuruar enkas për ekspozitën nga zoti Edi Sedja,  babai i të cilit, Myslim Sedja, mbasi përfundoi studimet në këtë shkollë dha një kontribut të rëndësishëm për arësimimin e edukimin e të rinjve kavajas.  Në fakt ekspozita nga pasuria dhe shumëllojshmëria e  materialeve e kalonte cakun e një ekspozite.  Ajo shumë mirë mund të shndrrohej në një muzeum  të përhershëm në një nga institucionet tona arësimore, që bart trashëgëminë e shkollave shqiptaro-amerikane. Në eksponatet e saj  gjeje thesare të këtyre shkollave, të paraqitura me thjeshtësi, kulturë e disajn koherent me ambientin.  Krahas botimeve e fotove origjinale të skanuara e printuara me kujdes  ishin ekspozuar historikë të shkurtër të shkollave dhe drejtuesve të tyre, dëftesa, fletore, blloqe shënimesh, literaturë studimore mbi historikun e këtyre shkollave, bankë, sende dhe mjete mësimore, etj.  Pra, për herë të pare, jepet në format të plotë historiku i këtyre shkollave , në të gjithë dimesionet e realitetin që i ka karakterizuar, bashkë me vështirësitë e shumta. E shkëputa zotin Shpëtim disa minuta, për të më shpjeguar dicka rreth konceptimit të këtij minimuzeumi.  Në të është pasqyruar gjerësisht veprimtaria e shkollave shqiptaro-amerikane, drejtuesve, personelit e nxënsve të tyre.  Janë të ekspozuar Bordi Amerikan i Misioneve, {ABCFM}, kontributi i tij në hapjen e shkollave të para shqipe, Kontributi  i Kryqit të Kuq të të rinjve amerikanë në hapjen e shkollave shqipe, Shkolla e vashave në Korcë, hapur në vitin 1891, Shkolla qytetase në Korcë, hapur nga cifti Kenedi, Shkolla teknike në Tiranë, hapur nga Harry Fullc, në vitin 1921, Instituti “Kyria”, në Kodër Kamëz, hapur në vitin 1922 nga zonja P.Qiriazi, Instituti bujqësor Shqiptaro-amerikan në Malin e Robit {Kavajë}, hapur nga T.Erikson në vitin 1926, sheshi i lodrave në Durrës, 1920, etj. Aktiviteti i misionarëve amerikanë të bamirësisë dhe arësimit u shtri në gjithë qytetet e vendit, nga Shkodra në Tiranë, nga Durrësi në Kavajë, nga Vlora në Korcë. Gjithkund  ndihej dora e këtyre njerzve përtej oqeanit për të ndihmuar shqiptarët në rrugën e tyre të arësimimit e dijes. Jo vetëm kaq, vijon në shpjegimin e tij zoti Sala, por duhet evidentuar programi, kurikulat, baza didaktike dhe praktike e këtyre shkollave e kolegjeve, bazuar në modelin amerikan,   e cila shënonte një standart të lartë për kohën, ndërsa në Ballkan ishin më të mirat.  Kuadrot dhe personeli që shërbenin në këto institucione silleshin si vëllëzër me komunitetin dhe refletonin dije e kulturë dhe në mënyrën e jetësës. Ndërkohë nxënësit që përfunduan këto shkolla shërbyen në cdo sektor e fushë të shtetit shqiptar. Nuk mund të përfytyrohet sot kontributi, roli dhe shembulli i këtyre djemve dhe vajzave të edukuar nga personeli shqiptaro-amerikan në prosperioritetin e Shqipërisë së asaj kohe, ku mbretëronte varfëria, injoranca, analfabetizmi dhe epidemitë. Ishin këta të rinj që në një farë mase morën përsipër fatet e vendit, në zhvillimin e arësimimin e tij, por dhe organizimin e strukturave shtetërore, në saje të shpirtit praktik e nivelit teorik të përfituar.  Nga këto shkolla dolën dhe drejtues të Luftës NACL, por që ndihmuan  dhe në rimëkëmbjen e Shqipërisë së pasluftës, në sajë të njohurive profesionale e menaxhuese të fituara në shkollat shqiptaro-amerikane. Si studjues i detarisë shqiptare, kam hasur dhe një fakt interesant, detarët dhe drejtuesit më të mirë të anijeve, porteve e kantiereve detare kanë dalë nga këto shkolla. Më vonë politeknikumi ‘7 nëntori”  trashëgoi metodat e mësimdhënies dhe nivelin profesional të shkollës “Harry Fullc”. Këtë më thoshte sa herë që e takoja, inxhinjeri dhe drejtuesi i kompletuar, i ndjeri Feruz Mata. Por, ndërsa me zotin Shpëtim, bisedojmë për vlerat e këtyre shkollave në ecurinë e shtetit shqiptar, zoti Edi Sedja, evidenton një fakt tjetër.  Mbas clirimit të vendit, nxënësit e këtyre shkollave u bënë pjesë e diskriminimit dhe represionit komunist. Duke i etiketuar e përbaltur me epitete të ndryshme, apo spiunë të amerikanëve, dhjetra prej tyre provuan burgjet dhe torturat e diktaturës komuniste, thotë zoti Sedja, ku një nga ta ka qenë dhe baba im. U harrua, nëvleftësua dhe anatemua puna e këtyre njerzve në dobi të shtetit e popullit shqiptar. Ndërsa fati i personelit të këtyre shkollave e misioneve dihet, u dëbuan me forcë nga Shqipëria, si të padëshërueshëm për shtetin komunist. Kjo ekspozitë që rrezaton dritë, njohuri e dashuri për arësimin dhe pionierët e saj, përkon dhe me ditën e mësuesve shqiptarë, ndaj i ka dhënë gjallëri të vecantë hollit të Muzeut Kombëtar, duke i sjellë në vemendjen e opinionit tonë publik këto onstitucione.

Në përfundim mund të themi se, eskpozita ka një mision e qëllim të madh për të memorizuar vlerat dhe kontributin e shkollave shqiptaro-amerikane në zhvillimin e shoqërisë shqiptare, arësimimin dhe kultivimin e  dijes, sjelljes dhe edukatës qytetare. Këto vlera janë mohuar e anatemuar sistematikisht nga diktatura.  Personeli dhe nxënësit e këtyre shkollave janë përndjekur dhe denigruar nga sistemi komunist, duke i etiketuar ata “borgjezë”, spiunë të amerikanëve, tradhëtarë, etj.  Ndërsa nga faktet, shembujt, studimet dhe puna e kryer në dobi të vendit, ata janë vlerë kombëtare, profesionistë të zotë e  pasuri e pazvëndësueshme. Ekspozita është një homazh për gjithë personelin që mësoi, punoi dhe u edukua në këto shkolla. Nderim dhe respekt për gjithë personelin e shkollave shqiptaro-amerikanea! Gjithashtu nga kjo ekspozitë shohim se shkollat amerikane në Shqipëri kanë një traditë të vjetër, një trashëgëmi e cila legjitimon ngritjen e institucioneve të tilla arësimore në vendin tonë, të cilat ende nuk e kanë kapur trendin e viteve ’30. Sot është një gjë pozitive që qindra të rinj shqiptarë po studjojnë në kolegjet dhe universitetet e SHBA, të cilët do jenë në gjendje të ringjallin atë punë të mrekullueshme e titanike që u bë në këto shkolla për arësimimin dhe përgatitjen e një gjenerate shqiptarësh. Mendoj se historia e këtyre shkollave, veprimtaria e  pjesmarrësve dhe trupës pedagogjike, pionierëve të saj, mund të përmblidhet në një libër të vecantë në 1 ose 2 vëllime. Urimet më të mira për organizatorët dhe protogonistët e kësaj ekspozite në këto ditë festash për arësimin shqiptar!

Sqarim: Ekspozita do qëndrojë e hapur nga data 7 deri më 11 mars 2016, nga ora 10 deri 17.00.

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: e shkollave shqiptaro-amerikane, Prezantohet historia, Shefqet Kercelli

25 vjet nga eksodi i marsit 1991

March 2, 2016 by dgreca

Nga Shefqet Kërcelli/

25 vjet më pare, mijëra banorë të Durrësit dhe mbare vendit “pushtuan” anijet tregëtare dhe peshkatore të bregëzuara në Portin e Durrësit e radë dhe u nisën drejt brigjeve italiane, duke shënuar një nga eksodet më të mëdha në historinë e popullit shqiptar. Ishte një eksod biblik që pasoi dyndjen drejt ambasadave në gusht 1990 dhe vazhdoi me eksodin e Gushtit 1991. Në historinë mijëra vjecare midis dy brigjeve, kjo ishte dyndja e katërt e madhe. Mijëra shqiptarë në emër të një jetë më të mirë, në emër të lirisë, në ato ditë të ftohta të marsit 1991, mes plumbave, terrorit e sakrificave pafund zbarkuan në brigjet Apenine. Ky ishte migrimi më i madh i shqiptaërve dhe grushti i fundit që ju dha diktaturës. Pamvarësisht se kanë kaluar 25 vjet nga ato ditë tragjike, shqiptarët ruajnë në memorie episode pa fund të atyre ditëve, pasi në eksodin e marsit 1991, shumica e shqiptarëve kishin nga një familjar, të afërm, nga një mik ose shok, nga një copë dhimbje e loti… I kam përjetuar me ankth, shqetësim e shpresë njëherësh këto ditë, pasi më ikën disa të afërm me këto anije, por dhe disa ushtarë të repartit që komandoja, për të cilët duhet të jepja llogari para organizatës së partisë që ishte në grahmat e fundit. Ne ushtarakët bashkë me detarët shqiptarë ishim të stresuar e terrorizuar, mbase më shumë se shtresat e tjera të popullsisë, pasi në momente kritike jemi keqpërdorur nga politika e shteti shqiptar. Në një ambient të pasigurt e plot peripeci, ishim të dyzuar në mendime, aq sa mendimi për të ikur me të tjerët, na shoqëronte në cdo cast. Gjithsesi familjet durrsake, detarët, ushtarakët, njerzit e rendit, zyrtarwt e institucioneve tw ndryshme që vepronin në Durrës, arritën me gjakftohtësi e qetësi ta menaxhonin këtë situatë të pazakontë….pamjet apoliptike të atyre ditëve jetojnë në memorien e cdo bashkëkohësi e qyetari durrsak. Ja si i përshkruan një qytetar durrsak, dëshmimtar okular,  pjesë e eksodit, ato ditë marsi… Shoh përreth…jemi mijëra që drejtohemi për tek porti. Të gjithë nxitojmë. Nëse dje ishte ëndërr, sot është realitet. Dje ishin dhjetra, sot janë mijëra. Rruga flet, thërret, fishkëllen, por si përgjigje dëgjohen breshëritë e automatikëve. Shkëndija e një nate më parë është kthyer në flakë. Nata e mëparëshme ishte e mbarsur me pasiguri, ndërsa sot shprehet vendosmëri për tu larguar, krahas dëshirës për mbijetesë… anija-njeri flet të vetmen fjalë “liri’. Një nocion shumë kompleks. Një fjalë që nuk mund të zvëndësohet me asnjë sinonim, por që në këtë rast zvëndësohet me fjalën largim, liri!-fjalë që ishte fshehur në qënien e gjallë, në atë pjesë të globit që mban emrin e shqiponjës…I drejtohemi anijes “Lirija”…I afrohemi cimës dhe fillojmë të kacaviremi. Me tu futur në anije, kapemi pas dore që të mos biem në det. Kici{pjesa fundore e anijes} ishte tejmbushur, aq sa nuk mund të hidhje një hap. Djem të ulur, familje të tëra, grupe njerzish që qëndrojnë në këmbë. Fëmijë të frikësuar që fshihen pas prindërve apo të afërmëve. Dikush kërkon dikë dhe të gjithë flasin me zë të lartë. S’dëgjoj asnjë dhe asgjë…salla e mashinës është mbushur me djem që thërisnin :-Vriteni qenin! O derr! Do të të varim këtu, po se ndeze motorin! Të gjithë në sallën e mashinës thërasin e kërcënojnë, por askush nuk kupton nga motori…Kemi frikë mos përplasemi me kalatën e portit. Një shoku im erdhi nga anija “Skënderbeu”. Kam erdhur me not, më tha me gjysëm zëri. Nuk kam ngrënë që mbrëmë..pashë disa djem që hanin sheqer, miell e makarona. Kthej kokën nga porti, shoh qytetin tim, duart e ngritura të nënës e motrës, dhe portin që po e le, portin e lotëve…lëndina e lotëve tani është porti i lotëve?! Me qindra nëna, motra e gra, me sy të përlotur shohin perëndimin… Qëndrojmë të mbështetur tek dera e kabinës. Nuk flasim. Grupi i djemve në kabinë flet me zë të lartë për vendin ku duhet të drejtohemi me anije.  Përmendin emra të porteve të ndryshme italiane. Njëri prej tyre propozon Spanjën, një tjetër Francën…dikush Italinë e Jugut…Anija nuk ka aparaturat e lundrimit në rregull…Gjithsesi anija-njeri lëviz drejt horizontit derisa bëhet një pikë e zezë. Shpesh pyesja veten, nëse në Durrës ka ngelur njeri..Më kujtohej thënia e një durrsaku të vjetër që shpesh përsëriste: po të ngrinte deti, gjithë durrsakët do iknin në Itali me karrige duke shtyrë njëri-tjetrin!…Aventura jonë zgjati 16 orë, duke lundruar pa asnjë aparat drejtimi. I ngjante një anije në errësirë drejt mbytjes…Por mbas këtyre peripecive, dritat e Brindizit, u shfaqën befas pak e nga pak, duke mbushur hapësirën e radës. Afrohemi…thuajse e njëjta pamje tronditëse. Gardhi me karabinierë, ambulanca, thirrje e britma që nuk pushojnë..Njerzit zbresin nga cimat e anijes. Pasiguria dhe frika i bën të mendojnë se nuk do zbresin në tokë dhe se anija do të niset me ta në bord. Madje nga nxitimi dikush bie në det.. Eksodi i marsit 1991, e renditi Durrësin si qytetin e eksodit, si një qytet që ngjasonte me murin e Berlinit, ku ndaheshin e bashkoheshin dy botë!

Qyteti që kërkoi të ndërtojë urat e prishura, ky ishte Durrësi i marsit 1991!

Respekt për Durrësin, për familjet durrsake, për të gjitha ata që i hynë detit me këmbë, në emër të një jetë më të mirë! Respekt për detarët shqiptarë, për ushtarakët dhe forcat e rendit që nuk lejuan incidente të rënda me humbje jete në këtë eksod unikal për nga përmasat dhe mjetet e përdorura. Një flotë e tërë e ngritur për 50 vite drejt Italisë!? Këto më shkonin në mëndje gjatë ditës së sotme.

Ceremonia tek galeria “Nikolet Vasia”

Në kujtim të kësaj ngjarje të rëndësishme jo vetëm për Durrësin, por gjithë shqiptarët, sot 2 mars 2016, në galerinë e arteve “Nikolet Vasia” Durrës, u përurua ekspozita fotografike “Porti i Durrësit – 25 vjet pas eksodit 1991”. Kjo veprimtari e organizuar nga Autoriteti Portual Durrës, në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit dhe Agjencinë Telegrafike Shqiptare, ATSH, riktheu në vemendjen e opinionit publik një nga episodet më të rëndësishme në historinë e re të Durrësit dhe të gjithë vendit, eksodin me anije në Mars 1991. Ngjarjet e marsit 1991, njëlloj si ato të korrikut 1990 dhe gushtit 1991 u fokusuan në portin më të madh të vendit, nga ku u nisën dhjetra anije dhe motopeshkatore me qytetarë shqiptarë kryesisht drejt brigjeve italiane. Në ekspozita u paraqitën 25 foto bardhezi të atyre ditëve që sollën emocione tek pjesmarrësit. Ndërkohë në një monitor u shfaqën pamjet filmike të portit në vitin 1991, realizuar nga operatorët e RTSH, ndërsa në pjesën tjetër të galerisë u ekspozuan foto me pamje aktuale të portit të Durrësit. Në cerëmoninë e përurimit të kësaj Foto-ekspozite morrën pjesë drejtues të pushtetit vendor e qëndror, drejtues e specialistë të Autoritetit Portual Durrës, ushtarakë, detarë me dhe pa uniformë, qytetarë, dëshmimtarë e protogonistë të këtij eksodi, përfaqësues të mediave e shoqatës së detarëve “ADRIJON”, etj. Fillimisht të pranishmit i përshëndeti Drejtori i Autoritetit Portual Durrës, zoti Gazmend Shalsi, i cili falenderoi për pjesmarrjen në këtë aktivitet të rëndëshëm përkujtimor, duke e cilësuar këtë si një traditë të re, e cila do të përfshihet në ceremonitë përkujtimore në vijim. “Qyteti ishte totalisht i përfshirë në këtë eksod. Pas 25 vjetësh ne e përjetojmë me emocion dhe e përkujtojmë. Kjo është një traditë e re në kujtim të kësaj ngjarjeje të shënuar, e cila do të vijojë të kujtohet edhe në të ardhmen”, theksoi zoti Shalsi.  Ndërsa kryebashkiaku Dako u shpreh se “Ne sot kujtojmë 25 vjet më parë, ato ditë të trishtueshme që ka kaluar ky qytet në jetën e tij. Ditët e eksodit, kur mijëra të rinj e të reja u larguan drejt Europës. 25 vjet kanë kaluar por asnjë herë nuk duhen harruar. Porti i Durrësit është parë si një mundësi shprese, dhe nga dyert e këtij porti kanë emigruar të rinjtë tanë drejt Europës”. Drejtori i ATSH-së, zoti Gëzim Podgorica, shprehu gatishmërinë për të vënë në dispozicion të studjuesve e qytetarëve arkivin filmik e fotografik të ATSH . “25 vite janë sa larg edhe afër, por e rëndësishme është që të sjellim gjithmonë në vëmendje ngjarje e momente nga Shqipëria jonë e dashur”, tha zoti Podgorica. Duke vizituar fotoekspozitën, dhjetra qytetarë durrsakë rikujtuan ngjarje dhe episode nga ato ditë trishtimi dhe shprese të javës së parë të marsit 1991. Ekspozita do jetë e hapur deri më datën 7 mars 2016.

Shënim: Historinë e zgjeruar të eksodeve nga viti 1990 deri në vitin 1997, bazuar në tregimet e dëshmimtarëve okularë dhe arkivave Italo-Shqiptare, bashkë me foto eksluzive e gjeni tek vëllimi i II-të e III-të,  i “Antologjisë së Detarisë Shqiptare”

Filed Under: Histori Tagged With: 25 vjet, nga eksodi i marsit 1991, Shefqet Kercelli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT