• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kadetë Amerikanë dhe nënoficerë shqiptarë njohin kulturën dhe gjuhën e përbashkët

June 13, 2015 by dgreca

Nga Shefqet Kërcelli/U zhvillua më datën 12 qershor, në Ministrinë e Mbrojtjes,  ceremonia e realizimit të programit tre javor për shkëmbimin kulturor dhe gjuhësor midis ushtarakëve të dy vendeve. Mori pjesë dhe Ambasadori i SHBA, Donald LU.

Në kuadër të planit të bashkëpunimit midis Forcave tona të Armatosura dhe Ushtrisë Amerikane, në Komandën e Doktrinave dhe Stërvitjes si dhe disa reparteve të FA, nga data 20 maj deri më 12 Qershor u realizua Programi i Shkëmbimit Kulturor dhe Gjuhësor i Përbashkët, i Kadetëve Amerikanë dhe ushtarakëve Shqiptarë. (CULP 2015). Ky program i vecantë ka tre vjet që zhvillohet në vendin tonë dhe bazohet në tre drejtime kryesore:-asistencë humanitare, trajnim i përbashkët ushtarak, si dhe trajnim i gjuhës angleze. Cdo vit në të janë përfshirë dhjetra ushtarakë shqiptarë dhe amerikanë, ndërsa sivjet rreth 23 kadetë amerikanë, (midis tyre dy shqiptaro-amerikanë) dhe 34 shqiptarë të njësive e reparteve të ndryshme të FA, të cilët për një periudhë afro dy mujore, ndoqën këtë program gjithpërfshirës. Programi i zhvilluar këtë vit, përfshiu dhënie asistence në zona e vende specifike të Shqipërisë, si jetimore, klinika, shkolla për fëmijet me aftësi të kufizuar; trajnime të përbashkëta ushtarake si dhe mësim të gjuhës angleze për terminologjinë profesionale ushtarake. Gjithashtu, një aspekt tjetër i këtij program ishte dhe shkëmbimi i njohurive kulturore dhe qasje drejt kulturës shqiptare, e cila u realizua nëpërmjet vizitave kulturore në vende te ndryshme  të Shqipërisë.  Përsa i përket  dhënies së asistencës humanitare, programi filloi me punën konkrete për përmirësimin dhe zbukurimin e godinës së Qëndrës Sociale për fëmijët romë ”Shtëpia e ngjyrave”, në Tiranë (ARSIS). Për këtë u punua konkretisht për sistemimin e ambjenteve të jashtme, lyerje fasadash dhe mjedise të brendshme, rregullime të brëndshme etj. Fillimisht në mjediset e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, u zhvillua një takim i kadetëve amerikanë me SHSHPFA, Gjeneralmajor Jeronim Bazo. Në takim morën pjesë dhe drejtuesi i programit CULP 2015, N/kolonel Priester, Zv.shefi i Zyrës së ODC, Major Richard Kartcher, Komandanti i KDS, Kolonel Ruzhdi Kuçi, koordinatori për palën shqiptare, N/kolonel Behar Mara etj. Nëpërmjet një bashkëbisedimi tepër miqësor midis kadetëve amerikanë dhe Gjeneral Bazo-s, u dha një panoramë e përgjithshme me konceptin e arsimimit profesional ushtarak shqiptar, programin pilot, bashkëpunimin dypalësh midis Gardës së New Jersey dhe FA të RSh, rekrutimi i të rinjve në radhët e FARSH, lidhja e ushtrisë me shoqërinë civile etj. “Jam i privilegjuar të diskutoj me ju, tha gjeneral Bazo, të ndaj mendime e ide me ju, sikundër më vjen mirë e ndjehem krenar që në radhët tuaja ka dhe shqiptarë”. Drejtuesi i këtij programi, N/kololonel Priester, në këtë takim shprehu falenderimet e tij për mbështetjen e ofruar nga FA shqiptare në realizimin me sukses të këtij programi me përfitime të ndërsjellta për të dy vendet, në drejtim të ndërgjegjësimit kulturor, rritjes së aftësive ushtarake dhe gjuhësore etj. Programi u bazua në kuadër të kurrikulave të Korpusit Trajnues të Oficerëve Rezervistë, ku trajnimi për ndërgjegjësimin kulturor merr një rëndësi të vecantë. Ai siguron mundësi që liderët e ardhshëm të kultivojnë aftësitë e tyre drejt mjediseve të ndryshme kulturore, për të vlerësuar dhe respektuar ide të ndryshme, tradita dhe njerëz të ndryshëm. Gjithashtu, nëpërmjet njohjes së kulturave të ndryshme të zhvillojë një partnership të ngushtë me partnerët  e aleatët si Shqipëria. Sic më njofton N/kolonel Behar Mara, kordinator i këtij programi për këtë vit, gjatë tri javëve të qëndrimit në Shqipëri, kadetët patën mundësinë të njihen nga afër me kulturën shqiptare, historinë, gjuhën shqipe si dhe Forcat e Armatosura të RSH. Njëkohësisht ata u stërvitën së bashku me ushtarakë të Forcave të Armatosura. Në këtë kuadër kadetët amerikanë zhvilluan një varg vizitash në reparte dhe qytete te ndryshme të vendit tonë. Fillimisht ata vizituan mjediset e batalionit të Forcave Speciale të Forcës Tokësore (FT), ku u njohën me strukturën, misionin dhe detyrat specifike të batalionit të Forcave Speciale. Më pas miqtë nga SHBA kryen një vizitë të shkurtër në Muzeun e Forcave Speciale, ku u informuan shkurtimisht me historikun, stërvitjet e ndryshme si dhe misionet e zhvilluara nga ky efektiv.
Studentët amerikanë vazhduan vizitën e tyre në mjediset stërvitorë të bfs, ku ndoqën nga afër edhe në një demonstrim të kryer nga batalioni i Forcave Speciale dhe Forcat Speciale RENEA, (Reparti i Neutralizimit të Elementit të Armatosur). Gjithashtu kadetët amerikanë zhvilluan një vizitë në Bazën Ajrore Farkë, ku u njohën me historikun, misionin, detyrat, strukturën, aktivitetin aktual, modernizimin dhe planet e zhvillimit të kësaj Baze. Në vijim të programit kadetët amerikanë vizituan dhe Komandën e Forcës Detare ku u njohën me detyrat dhe misionin e kësaj Force. Më pas studentët amerikanë zhvilluan një vizitë në bordin e anijes “Iliria”, ku u njohën me kapacitetet dhe me të dhënat e taktike- teknike të anijes. Në përfundim të cdo vizite, drejtuesi i ekipit  të kadetëve amerikanë N/kolonel Priester, u shprehu ushtarakëve shqiptarë, falënderimet e tij të përzemërta, për pritjen dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve tona. Krahas programit me ushtarakët shqiptarë grupi i kadetëve amerikanë zhvilloi vizita në qytetin e Tiranës, Krujës, Durrësit, Vlorës, etj, ku u njoh me historinë, muzeumet dhe bukuritë e vendit tonë. Ndërkohë theksojmë se realizimi i objektivave të këtij programi pati kujdesin e drejtuesve ushtarakë të gjithë niveleve e Forcave. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral-major Jeronim Bazo gjatë takimeve me kursantët amerikanë ka shprehur mbështetjen e FARSH për bashkëpunimin e suksesshëm midis dy vendeve. Gjeneralmajor Bazo vlerësoi programin e përgatitjes së oficerëve të rinj shqiptarë, një projekt i nisur me Gardën Kombëtare të New Jersey. Oficerët e certifikuar gjatë këtij programi tashmë janë duke shërbyer në radhët e Forcave të Armatosura si dhe duke drejtuar e stërvitur trupat sipas modelit të përfituar në SHBA. Ky kurs është vijim i bashkëpunimit të ngushtë dhe të suksesshëm midis FARSH dhe Gardës Kombëtare të Nëw Jersey. Mbas mbylljes me sukses të këtij programi, në auditoriumin e Ministrisë së Mbrojtjes, më datën 12 qershor, u zhvillua një ceremoni e veçantë, ku vec 23 kadetëve amerikanë dhe nënoficerëve shqiptarë, morën pjesë dhe Zvendësministri i Mbrojtjes, z.Petro Koçi, Ambasadori i SHBA në Tiranë, z.Donald Lu, Zvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, Gjeneralmajor Viktor Bërdo, Drejtorë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA etj. Zvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, në përshëndetjen e tij, ndër të tjera, u shpreh: “Po i drejtohem kadetëve amerikanë dhe po ju them, se vërtet ju vini nga universitete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, por pas një përvoje 3-javore këtu, shpresoj të ktheheni me një opinion unik e të përbashkët për Shqipërinë dhe shqiptarët, se Shqipëria është një vend i bukur, se qytetarët e saj janë mikpritës dhe evropianë që vlerësojnë se, SHBA,-janë aleati më i rëndësishëm gjeostrategjik për shqiptarët. Pjesmarrësit në këtë ceremoni i përshëndeti edhe ambasadori i SHBA në Tiranë, z.Donald Lu. “Suksesi i kësaj vizite nuk do të kishte qenë e mundur pa mikpritjen e jashtëzakonshme të shqiptarëve, – nënvizoi ai, – prandaj më lejoni t’ju shpreh falënderimet më të veçanta. Shqipëria është e njohur për mikpritjen dhe njerëzit e saj miqësorë. Jam informuar se disa të rinj amerikanë kanë pasur një përvojë të mrekullueshme për shkak të mbështetjes tuaj. Ata janë argëtuar shumë gjatë qëndrimit dhe udhëtimeve që kanë zhvilluar me ju. Jam shumë i lumtur që dy prej kadetëve amerikanë janë shqiptare etnikë. Ata përfaqësojnë atë që është më e mira e lidhjes mes dy vendeve tona”. Ai u tha  kadetëve se, shumë prej jush do të kthehen në Shqipëri pas disa vitesh për t’u ritakuar me miqtë që keni bërë gjatë qëndrimit tuaj këtu. Ju jeni aleatë të NATO dhe mund të shërbeni krah për krah me njëri-tjetrin kudo në botë. Në fund të ceremonisë Zvendësministri Koçi dhe Ambasadori LU, shpërndanë certifikatat për kadetët amerikanë dhe ushtarakët shqiptarë që u dalluan në përvetsimin e këtij programi.

Shënim:-Njoftoj lexuesit e gazetës “Dielli”, se cdo shqiptar ose shqiptaro-amerikan, që ka pasur të afërm, pjestar të familjes ose vetë personalisht në Ushtrinë amerikane apo programe të përbashkëta me të, mund të bëhet pjesë e librit më të ri “Bashkëpunimi ushtarak SHBA-Shqipëri, gjatë shekullit të XX-të”. Mund të më kontaktojë në adresën time të emailit:- shefqetkercelli10@gmail.com. Faleminderit për mirëkuptimin!

Filed Under: Kulture Tagged With: adete amerikane, gjuhe e kulture, Shefqet Kercelli, shqiptare

Mesazh i devollinjëve në Brooklyn

June 4, 2015 by dgreca

Puna dhe zbatimi i ligjit, të bën qytetar të nderuar këtu në SHBA,Mesazh i devollinjëve në Brooklin/
Nga Shefqet Kërcelli-Brooklyn-New York/
Cdo vizitë në SHBA i jep mbresa dhe emocione të vecanta kujtdo që e viziton tokën e premtuar. Për ne shqiptarët ka shumë arësye që të mrekullohemi nga kontakti me tokën dhe bukuritë e këtij supershteti, sepse për vite me radhë kemi ëndërruar ta shohim, pse jo dhe të jetojmë këtu. Ka qenë një dëshirë e kahershme e shqiptarëve kjo, për t’ju bashkuar emigrantëve të tjerë nga Evropa, por kryesisht nga Greqia e Italia, me të cilët na bashkon fqinjësia. Vlen të theksojmë se me këta dy popuj, kemi dhe histori të tjera vec konflikteve e luftërave mes njëri-tjetrit, pasi hallet dhe problemet e përbashkëta kanë bërë që shqiptarët të marrin rrugën së bashku me grekë dhe italianë, duke qëndruar në bodrumin e një anije, një avullore apo trageti, duke pasur kështu të njëjtin fat. Ashtu si fqinjët e tyre, kushtet e jetës, pushtimet e herëpashershme, dëshira për të ndërtuar një jetë të re, ka bërë që shqiptarët të emigrojnë herë pas here në shekuj e vende të ndryshme, në shumicën e rasteve pa e ditur se cfarë i priste. Patjetër ka histori të shumta se si grekë, shqiptarë e italianë, kanë provuar së bashku peripeci të shumta deri sa kanë mbritur drejt yllit të shpresës, statujës së Lirisë. Tendencat e studjuesve e historianvë të tre vendeve për ti parë gjerët bardhe e zi, e kanë zbehur trajtimin e kësaj teme. Ashtu si fqinjët e tyre dhe gjeografia e emigrimit të shqiptarëve përfshin thuajse gjithë globin në periudhën e mijëvjecarit të dytë. Por në këtë histori të përcjellë nga qindra botime e dokumenta spikat emigrimi i fillim shekullit të kaluar drejt shtetit më të ri e të fuqishëm në botë, SHBA. Ky emigrim ka karakteristikat, specifikat dhe vlerat e tij të vecanta, të cilat meritojnë të studjohen me kujdes nga historianët dhe analistët tanë. Në këtë emigrim u përfshinë të gjithë trevat shqiptare, ku pjesa jugore për arësye të ndryshme zinte shumicën. Në këtë mes dhe mjaft banorë të zonës së Devollit, që nga Dardha e deri në rrjedhjen e poshme të lumit Devoll, u bënë pionierë të kësaj lëvizje drejtim kontinentit amerikan, por dhe Australisë. Afërsia me rrugët që të conin drejt portit të Selanikut ja ka lehtësuar lëvizjen drejt këtyre drejtimeve të reja të emigracionit. Kështu nga shekulli i kaluar e deri sot në SHBA kanë emigruar disa gjenerata devollinjsh, me grafik herë në ngritje e herë në ulje, ku spikasin ato rreth viteve 1910, 1920, periudha e mbretit Zog, 1940-1946, dhe mbas vitit 1990. Ëndra e rizgjuar e Amerikës mbas viteve ’90, përfshiu mjaft banorë të kësaj treve, që me mënyra e mjete të ndryshme rigjetën lidhjet e vjetra, por krijuan e lidhje të reja. Mundësia e afruar nga shteti amerikan nëpërmjet Green Cardit, krijoi lehtësi në lëvizjen e brezit të katërt të emigrantëve në shekullit e XX-të. Kështu qindra devollinj u bënë pjesë e këtij procesi, që solli si rezultat krijimin e komuniteteve të rinj në të gjithë shtetet e SHBA, ku bashkësia e New York-ut është më e madhe. Sigurisht, të vizitosh SHBA, pa parë metropolin NYC dhe simbolin e tij kryesor, statujën e lirisë, krijon një boshllëk në vetvehte, një brengë që shoqëron secilin kur kthehet në vendin e nisjes. Natyrisht jo se ajo është mesia, por kordinatat e staujës së lirisë janë pikë referimi për këtë fjalë të madhe, me emrin LIRI, të cilën po përpiqemi ta kuptojmë dhe ne shqiptarët. Këto mendime më shoqëronin gjatë udhëtimit tim me autobus nga Pittsburghu në NYC, bashkë me të dhe ato për devollinjtë e mi. Fushat dhe pyjet e pafund në dy anët e autostradës, qendrat industriale, parkingjet, fermat e sistemuara dhe të begata, patjetër të shtonin dëshirën për punën, të cilën devollinjtë e kanë në gjak, por do frymëzonin cdo poet që sapo ka nisur rrugën e krijimtarisë për të ngjyer penën e tij në atë gjelbërim pa fund. I madhi Dritëro ndoshta do na kishte dhuruar një nga poezitë e tij më të bukura për këto vende. Por ai nuk e pati mundësinë të vizitonte SHBA, si mijëra devollinj, dhe tani sëmundja dhe mosha po bëjnë të vetën. Mbasi shijova këto bukuri të natyrës, të kombinuara aq harmonishëm me dorën e njeriut, sapo hymë në periferinë e NYC, ndjeva erën e këtij qyteti të magjishëm që josh miliona vizitorë anë e kënd globit. Nga dritarja e autobuzit pashë portin gjigand, molet e tij të mbushura me anije të tonazheve të ndryshme. Kam parë dhe porte në vende të tjera. Por këtu koha, transporti, lëvizja, janë një Tre “D” kompakte, thashë me vehte, e pakrahësueshme me asnjë vend tjetër. Trakët, kamionat e mëdhenj tipikë, që nuk rreshtnin në autostrada tregonin qartë se gjithë amerika është në lëvizje, shprehje e lulëzimit ekonomik, por lëvizjet në metropolin amerikan, NYC, ishin më mbresëlënset, pasi në portën hyrëse të qytetit, jeta ecën më shpejt se mëndja e njeriut. Ishte fat që stacioni i fundit i autobuzit ishte afër Time Square. Më priste miku dhe kolegu im i vjetër Bashkim Gjiza, bashkë me vajzën Elonën. Bashkimi ka rreth 15 vjet që ka emigruar në Amerikë. Ka punuar shumë si familje për të ndërtuar jetën këtu. Fillimisht kam punuar dhe 16 orë në ditë, thotë ai. Vajza ishte në shkollë, kështu që ne me gruan bëmë punë të vështira. Elona, vajza e tij e vogël, njihet në Durrës, pasi që në shkollën 8-vjecare ka botuar dy vëllime me poezi, me një stil dhe kompozim të vecantë, të mirëpritur nga moshatarët e saj. Por në NYC, ajo studjoi në City University of NY për jurispudencë dhe menaxhim, kështuqë pa dashur ju largua letërsisë. Mbase një eksperience disavjecare, Elona tashmë punon asistente e CEO, tek American International Group. (AIG). Ndërsa miku im i vjetër Bashkimi, mbas viteve vështirësish punon administrator i një qendre tregëtare. E prita atë deri afër mesnatës sa la punën. U gëzova që kishte një punë më të lehtë për moshën. Ndërkohë tek shëtisja para godinës së kësaj qëndre tregëtare disa metra larg Time Square, gjithandej shihja fytyra të njohura. Më dukej vetja sikur isha në Durrës ose Tiranë. Kështu është më sqaron miku im, ka shumë shqiptarë NYC, natyrisht dhe shumë devollinj, të cilët kanë erdhur në SHBA, mbas ’90. Mjaft prej tyre kanë tërhequr njëri-tjetrin. Ndërsa po më spjegonte për këtë fenomen duke udhëtuar me trenin e orës 24.30 drejt Brooklinit, shihje plot shqiptarë që ktheheshin nga punë, në këtë orë të vonë. Vetëm në vagonin tonë mund të ishin nja 13 vetë, të cilët Bashkimi i njihte të gjithë. Mbas një gjumi të thellë në mëngjes ju drejtuam kafes së devollinjve në Brooklin. Pamvarësisht se ishte në pronësi të një shkodrani, ajo frekuentohej nga devollinjtë dhe gëzon po këtë emër. Mblidheshin këtu jo vetëm për fundjavë, por dhe ditë të tjera pushimi, ose kur s’kishin punë. Ishte befasi për mua takimi me zotin Dervish Xhaho, mik i familjes sonë nga Mirasi. Dervishi bashkë me gruan Tatjanën janë modeli i një familje me traditë devolliu. Ata kanë pritur dhe përcjellë qindra nënpunës dhe intelektualë nga gjithë vendi, të cilët kanë punuar e shërbyer në Miras, ndaj janë të nderuar dhe respektuar kudo. Por familja e tij është e nderuar dhe respektuar dhe këtu në Amerikë. Ai gëzon autoritet dhe respekt jo vetëm nga banorët e Mirasit, por nga gjithë komuniteti shqiptaro-amerikan atje. Janë mbi 25 familje nga Mirasi, shumica kushurinj e të afërm të Dervishit. Në klubin e tyre shihje një ambient të mirëfilltë shqiptar. Tavolina të bashkuara, kafe dhe raki, biseda të ciltëra, herë me zë të lartë. Cmalleshin, qanin hallet, kur kishin mundësi ndihmonin njëri-tjetrin, duke rekomanduar nonjë punë mbi bazën e njohjes. Emigracioni nuk është i lehtë thotë Nesheti, ose Kristo, si i thonë me shaka miqtë e tij. Dy vitet e para janë të vështira për cilindo. Pa kaluar nga lopata, nuk mund ta ndërtosh jetën këtu. Mjaft prej nesh si Foti, Fazlliu, Agimi, Iliri, Arjani, Shpëtimi, e kanë provuar emigracionin dhe në Itali e Greqi. Pra, në njëfarë mënyre janë të parapregatitur për sfidat, por pamvarësisht se ambienti këtu është miqësor, integrimi ka vështirësitë e veta. Duhet zanat, duhet gjuha, një lloj vetëkualifikimi, se Amerika ka të tjera standarte. Shqiptarët duhet ti përballojnë vështirësitë e fillimit vetë, me miq e shoqëri, pa asnjë lloj ndihme nga shteti. Ndryshe ndodh me komunitetet e tjera, hebrenj, grekë, kinezë, rusë, ku shteti i ndihmon në akomodimin e tyre sapo shkelin tokën amerikane, psh që para se të vijnë e kanë gati punën dhe strehimin. Pra, ka shtete që kanë emigracion të organizuar, pavarësisht asaj cka të afron shteti amerikan. Dikush i ka tejkaluar këto vështirësi e problem sociale, dikush tjetër vazhdon përballjen me to. Dihet që amerika është vendi i shanseve e mundësive të mëdha, por këto shqiptarët i arrijnë me mundim e sakrifica individuale. Shumica e miqve që takova punonin në ndërtim. Me këtë zanat ata përmbushnin nevojat e tyre për jetesë, shkollim, strehim, etj. Jetonin në shtëpi me qera, por disa kishin arritur ti blinin dhe falë zanatit ti rikonstruktonin mrekullisht, me kopështe e bace. Ndërkohë kujdesi i tyre për arësimimin e fëmijëve ishte në maksimum. Bënin gjithëshka. Gëzoheshe pa masë kur tregonin për nivelin e arësimimit të fëmijëve. Robert Metolli, një ishushtarak ka aritur të mbarojë universitetin dhe të bëhet pjesë e sistemit arësimor në komunitet. Ai flet me respekt për përkushtimin e nxënësve shqiptarë në realizimin e programit. Njëkohësisht ata me sa munden kujdesen që fëmijët, nipërit e mbesat të mësojnë gjuhën shqipe, por dhe traditat e tyre, sidomos vallen devollice. Me zor pres nonjë dasmë devolliu, thotë Nesheti. Vërtet e kam valvitur flamurin shqiptar më lart se të tjerët në parakalimin e shqiptarëve, por vallja devollice më jep kënaqësi të vecantë, e lezeton dasmën. Në kafen e tyre, diku në qendër të Brooklinit, respektohet mosha, dëgjohet fjala nga më të rinjtë, por dhe shërbehet me mirësjellje. Bisedohet për lidhjet me shqipërinë, me njerzit atje, fati i pronave të tyre, mundësitë e investimit, risku, si mund të përmirësohen gjërat, zbatimi i ligjit, niveli i demokracisë, etj. Këtu i kanë mundësitë të gjithë, vecanërisht ata që dështojnë e nuk respektohen në vendin e tyre, ec e mere vesh këtë, thotë Luani. E si mund te dëgjohemi ne në shqipëri kur nuk kemi mundësi të votojmë, ndërhyn Iliri. Pamvarësisht se përpiqeshin ti shmangeshin politikës, prapë biseda nuk i shmangej kësaj teme. Për një moment Nesheti me humorin e tij të hollë i ve kapak kësaj teme duke u shprehur, “politikanët tanë nuk dihet se ku i presin thonjtë”. Shprehje më të goditur nuk e gjen. Këtyre njerzve të thjeshtë, u ka hije fjala, kafja dhe rakia. Ndjehen të lirshëm, të respektuar në ambientin ku punojnë e jetojnë. Secili përpiqet ti zgjidhë hallet e punët e veta, pa zhurmë e bujë, por ndihmojnë dhe njëri-tjetrin për cdo rast. Është një komunitet që ritet cdo ditë, integrohet me shoqërinë e jetën këtu në Amerikë, në sajë të punës, djersës e zbatimit të ligjit, larg syrit e veshit të medias, zhurmës e bujës. E gëzojne thellë në qënien e tyre jetesën e shanset që të jep amerika. Të paktën nga ata dhjetra devollinj që takova, nuk dëgjova për njërin që të kishte problem me ligjin. Ky fakt më gëzoi më shumë se gjithëshka. Ata e konsideronin Amerikën atdheun e dytë, dhe ishin të gatshëm të bënin cdo gjë që kërkonte ligji amerikan. Disa djem nga ky komunitet i ishin bashkuar radhëve të ushtrisë amerikanë, dikush shërbente dhe në polici. Diskutonin për punën dhe shëndetin. Është fat i madh për mua tregon Dervishi, që gruaja ime ka një vit e gjysëm kurohet këtu në amerikë. Nuk di si tj’a shpërblej personelit të “Rehabilition and Nursing Center, në Queens, Nassau, që gjithë këtë kohë me humanizëm, përkushtim e profesionalizëm i shërbejnë bashkëshortes sime që po kalon një sëmundje të rëndë. Një njeri i panjohur, vjen këtu në amerikë gjen strehë, mikpritje, ndjenja miqësore pa nonjë interes. Nuk e shpjegoj dot, thotë Dervishi. Një humanizëm, një kulturë, një ngrohtësi që më ka befasuar. Më përqafojnë infermieret si bijat e mija. Mos u mërzit, më thonë, do e kalojmë së bashku. Kam një vit e gjysmë që e kaloj kohën më të madhe në këtë spital, por atë humanizëm, atë sjellje nuk di si ta shpreh? Këtë edukatë personeli i qendrës e ka marrë që fëmijë, s’ka se si. Pjesë e këtij shërbimi tepër njerzor është dhe infermjerja Fitore Xhelili nga Pogradeci. Kështu u bë puna jonë, derdhëm kontribute shëndetsore në shqipëri, kur na vjen halli gjejmë ngrohtësi e mbështetje financiare në SHBA, thekson zoti Dervish Xhaho. Kjo është amerika për shqiptarët, atdhe e kaluar atdheut! Në grumbullimet e tyre nuk shihje shenja lokalizmi, pasi pjesë e shoqërisë së tyre kishte dhe dibranë, skraparllinj, mallakastriotë, beratatas, etj. Bashkë me ta ishte Agim Blloshmi nga Librazhdi, topograf Miradash Myrtezaj nga Dibra, Përparimi, ishushtarak nga Berati, Arbër Bermuca nga Romanati, Ramadani nga Durrësi, etj. Të cilet ishin pjesë e cdo gëzimi e feste të përbashkët. Brooklini ka shumë shqiptarë, ne themi se do ta bëjmë gjuhë të dytë shqipen këtu, më thotë me shaka Myrtezai.Kështu devollinjtë cdo ditë, javë e muaj, integrohen me mënyrën e jetën këtu në amerikë. Nuk ka gjë të përsosur, por ata bëjnë përpjekje për të jëtuar e punuar me djersë e zbatim ligji, nën shembullin e emigrantëve të parë që shkelën tokën e premtuar një shekull më parë. Në këtë mënyrë ata kanë fituar dhe respektin e qytetarëve amerikanë në punë ose komshinj. Jeni një popull me vlera të vecanta, më thotë komshiu amerikan i Bashkimit, Hater Fisher. Faleminderit, i thashë. Këtë më tha dhe një komshi i miqve të mi në Konektikat, Majkëll Manka, madje ai po më shpjegonte dhe origjinën e tij të hershme shqiptare. Që para katër brezash jam shqiptar, thotë me një farë mburje. Ne mbase nuk i njohim vlerat tona, por kur këto ti thonë qytetarë amerikanë, na vjen mirë. Ndërkohë komuniteti devolli po bën përpjekje të krijojë një shoqatë solide, që të përfaqsojë me dinjitet traditën, vlerat dhe arritjet e këtij komuniteti mbi shekullor këtu në SHBA. Në drejtimin e kësaj shoqate po zgjidhe djem të rinj, me personalitet e aftësi menaxhuese, për të bërë më të mirën në kushtet aktuale. Gjithashtu objektiv i shoqatës është dhe integrimi me shoqatat e tjera mbarëshqiptare në SHBA. Në pak ditë mora dhjetra mesazhe nga devollinjtë e Brooklinit, por ai kryesori ishte, jeto duke punuar e zbatuar ligjin! Kështu integrohesh e bëhesh qytetar amerikan. Ishte një reportazh i vonuar për këta njerëz që me shembullin e tyre në punë e në jetë, nderojnë veten, por dhe komunitetin shqiptaro-amerikan. U ndava me premtimin se do vazhdoj të shkruaj për devollinjtë tanë këtu në SHBA dhe në të ardhmen.

Filed Under: Featured Tagged With: Mesazh i devollinjeve, Shefqet Kercelli

SHBA,Shqiptarët, aleatët tanë të përjetshëm në luftën kundër tërrorizmit

May 26, 2015 by dgreca

Pittsburgh, SHBA, në Memorial Day Celebration, Shqiptarët, aleatët tanë të përjetshëm në luftën kundër tërrorizmit/
Nga Shefqet Kërcelli, Pittsburgh/
Paraditen e datës 25 maj, qindra qytetarë të Pittsburghut dhe qendrave të tjera të shtetit të Pensilvanisë mbushën lulishtet dhe ambientet e brendshme të Soldiers&Sailors Memorial Hall&Museum në qendër të qytetit, për të festuar Memorial Day Celebration. Dita e kujtimit të të rënëvë, është një ditë e vecantë në SHBA, sepse kujtohen e respektohen të gjithë meshkujt dhe femrat me uniformë që kanë dhënë jetën në beteja. Kjo ditë e ka origjinën që nga Lufta Civile në SHBA, për të nderuar ushtarakët që vdiqën në luftë nga të dy palët luftuese. Fillimisht ajo njihej si dita e dekorimeve, por në shekullin e XX, koncepti i saj u zgjerua duke ju përkushtuar kryesisht të rënëve dhe veteranëve të Luftës. Nga fillimi i shekullit të XX-të ajo festohet të hënën e fundit të majit dhe është ditë pushimi në të gjithë shtetet federale të SHBA. Në ditën e kujtimit të të rënëve, veteranë të luftës, ushtarakë aktivë e në pension bashkë me familjet, si dhe qytetarë te shumte vizitojnë varret e të rënëve, memorialet e tyre, vendosin flamuj të SHBA e buqeta me lule në cdo var, vizitojnë muzeumet e Ushtrisë dhe qytetit. Ceremonia e Memorial Day në shtetin e Pensilvanisë zhvillohet cdo vit në Muzeun e Ushtarëve dhe Marinarëve të Pittsburghut, një nga muzetë më të mëdha të këtij lloji në SHBA. I ngritur një shekull më parë, ky muzeum përmban një pasuri të madhe historike jo vetëm në sferën ushtarake, por dhe më gjerë. Në eksponatet e tij pasqyrohet historia e krijimit të qytetit dhe rajonit e gërshetuar kjo me luftërat e zhvilluara në SHBA, brenda dhe jashtë vendit. Bazuar në konceptin kohor të zhvillimit të ngjarjeve vijnë me radhë ushtararakët e cdo rangu, cdo shtresë apo gjinie, pjesmarrës në betejat dhe luftërat e zhvilluara. Natyrisht përmbajtja e muzeumit ka kolonë kryesore konceptin e lirisë dhe demokracisë, për të cilën amerikanët kanë luftuar më shumë se kushdo. Në muzeum zenë vend të gjithë burrat dhe gratë e Pensilvanisë që pamvarësisht gjinisë, racës, moshës, origjinës kanë luftuar për liri dhe paqe. Është një muzeum i kompletuar dhe mbresëlënës, i cili cdo ditë vizitohet nga dhjetra vizitorë. Një kompleks muzeal, do ta quaja, i konceptuar dhe realizuar bukur në formë dhe përmbajtje, që nga godina e stilit klasik. Kam shkruar gjatë për këtë muzeum vitin e kaluar dhe sdua përsëris, por ajo që dua të evidentoj është një fakt i rëndësishëm për opinionin shqiptar. Kam dy vite që bashkëpunoj me drejtuesit e këtij muzeumi për ngritjen e një këndi (corneri) të vecantë të bashkëpunimit ushtarak SHBA-Shqipëri, ide të cilën po e konkretizojmë gradualisht bashkë me zotin Michal Kraus, restaurator në këtë muzeum. Madje zoti Michael ka filluar të ndjehet shqiptar dhe mirëpret cdo shqiptaro-amerikan si vizitor të këtij muzeumi. Kështu në arkivin e këtij muzeumi mund të gjeni disa nga momentet kryesore të bashkëpunimit ushtarak midis dy vendeve si, ndihma e Departamentit të Shtetit e Pentagonit për ushtrinë shqiptare gjatë këtyre dy dekadave, programet e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, sidomos në fushën e arësimimit të ushtarakëve shqiptarë, stërvitjet dhe operacionet e përbashkëta, vizitat e anijeve të SHBA në portet tona deri tek operacionet paqeruajtëse dhe ato kundër terrorizmit. Sigurisht që vend kryesor kanë ushtarakët shqiptarë të rënë në fushën e betejës si, Heroi Kapiten Feti Vogli, që ra duke luftuar krah për krah me ushtarakët amerikanë në Kandahar, por dhe djem shqiptaro-amerikanë në përbërje të ushtrisë së SHBA, të vlerësuar me medalje të ndryshme nga autoritet e SHBA. Për merak të lexuesve në këto material të thjeshta nuk ka asnjë ngjyrim politik, dhe këtë punë e kam bërë thjesht vullnetarisht, si ishushtarak e dëshmitar i këtij bashkëpunimi mbas viteve ’90. Bazë në njohjen dhe pasqyrimin e tyre janë kryesisht materiale të pasqyruara në shtypin ushtarak shqiptar. Në këtë kuptim shqiptaro-amerikanët kudo që jetojnë në SHBA, mund të marrin pjesë denjësisht në ceremonitë e Memorial Day. Bazuar në këto ndjesi, më 25 maj, u bëra pjesë e aktiviteteve të larmishme të zhvilluara në këtë ditë të shënuar, ku u përfshinë qindra qyetarë Pittsburgas. të gjithë moshave. Fillimisht në orën 11.00, u zhvillua një ceremoni e vecantë për ushtarakët e Pensilvanisë të rënë në luftën kundër terrorizmit. Presidenti i shoqatës së veteranëve dhe shef ekzekutiv i saj, (CEO, Chief Executive Officer), zoti John F.McCabe i uroi mirëseardhjen qytetarëve të shumtë me ose pa uniformë dhe vlerësoi kontributin e qytetarëve të Pensilvanisë në këtë luftë të madhe, vecantërisht veprën heroike të dhjetra ushtarakëve që dhanë jetën për këtë kauzë të shenjtë. Por për mua ishte befasi, kur gjatë fjalimit zoti John theksoi se në këtë luftë të madhe ne do vashdojmë bashkëpunimin me shtetin e popullin shqiptar, (e kam video). U ndjeva krenar për këtë, pasi në sallë ishin qindra qytetarë të Pittsburghut, mjaft prej të cilëve pak ose aspak dinë për vendin tonë. Më pas nën drejtimin e kapelanit Ira Houck, përfaqsues i kishës mirësia anglikane, u zhvillua ceremonia e bekimit të të rënëve në beteja. Ishte mallëngjyes e prekës dokumentari që paraqiste të gjithë luftëtarët e Pensilvanisë në operacionet kundër terrorizmit, nën tingujt e simfonive të përzgjdhura për bijtë dhe bijat e këtij shteti. E pra, kujtohej, nderohej dhe respektohej cdo ushtar, nënoficer e oficer për përkushtimin dhe gjakun e derdhur në emër të lirisë. Ndërkohë familjarët e këtyre ushtarakëve e shihnin me sytë e tyre vlerësimin e shtetit amerikan, se nuk humbiste gjë nga djersa dhe gjaku i derdhur për paqe dhe siguri nga bijtë e tyre. Mbas kësaj ceremonie prekëse për të gjithë, vizitorët e shumtë ju drejtuan ambienteve të muzeumit, për tu njohur me përmbajtjen e tij. Duhen ditë që ta vizitosh atë, por dhe për 6 orë mund të krijosh përshtypje për vlerat që mbart ky muzeum. Muzeu pasurohet cdo ditë me materiale, dokumente e fakte, të dhuruara nga qytetarë e familjarë të ushtarakëve të Pittsburghut. Në ditë të zakonëshme atje punon një staf prej 15 vetash, ku përfshihen specialistë e ishushtarakë, njohës të periudhave të ndryshme historike, por në raste ceremonish ka me dhjetra vullnetarë që ndihmojnë për cdo punë e shërbim që duhet në këto raste. Kështu duke vizituar këndet e muzeut pashë që dikush shpjegonte me pasion pjesë nga muzeu. E ndoqa për gati 1 orë shpjegimin e tij dhe më pas e pyeta, kush ishte. Jam Ed Rak, më tha me dashamirësi, kam qenë pilot dhe tani në pension. Nuk ka ciceron më të mirë se një ishushtarak për këto muzeume, thashë me vete. Pjesë e këtij grupi vullnetarësh ishin dhe të rinjtë, kështu djaloshi Avery Kaminski, student i historisë, orientonte shikuesit e shumtë në ambientet e muzeumit. Aktivitetet kulturore-historike-zbavitëse pasonin njëri-tjetrin. Ndërsa një pjesë njihej me muzeumin, të tjerët ndiqnin një koncert me fyell dhe daulle nga grupi i Regjimentit të 6-të të ushtarëve dhe marinarëve të cilët performuan disa pjesë karakteristike që shoqërojnë ushtarët para se të shkojnë në betejë. Duke ndjekur këtë koncert sa foklorik, aq dhe patriotik e ushtarak, shfrytëzova disa minuta për të njohur grupin e televizionit kryesor të qytetit të Pittsburghut, KDKA me momentet kryesore të bashkëpunimit SHBA-Shqipëri dhe prezantova vizitat e anijeve amerikane në portet e Durrësit e Vlorës. Ndërkohë fëmijët zinin një vend te vecantë në këtë ditë, ndaj nga ora 14.00 deri më 15.00, ata zhvilluan ushtrime të ndryshme rreshtore-ushtarake e sportive, me veshje e piktura të ndryshme në fytyrë dhe temë atdhedashurinë, nën drejtimin e Curatorit të muzeut Michael Kraus, ku për më të shkathtin kishte një zarf të mirë me Dollarë. U zhvilluan ushtrime për shpejtësinë në ngrënien e bukës së misrit e ushqime të tjera që përdorin ushtarët në beteja. Kuptohet që për fituesin e cdo gare kishte stimul material. Ky aktivitet madhështor nuk kishte ngelur jashtë vëmendjes së Qëndrës së Rekrutimit Ushtarak të Pensilvanisë të cilët ishin të pranishëm me një eksponat të vecantë, jo pa rezultat, pasi pashë me sytë e mi të paktën 6 të rinj që u regjistruan në ushtrinë e SHBA. Mbasdite një nga grupet më të mira muzikore të Pittsburgut, “Brassroots”, dha një koncert falas për të gjithë pjesmarrësit dhe familjet e të rënëve. Vec pjesëve orkestrale në nderim të të rënëve u ekzekutuan me mjeshtëri hymni i SHBA, marshet ushtarake të Marinsave, Forcave Ajrore, Flotës Ushtarake, Rojes Bregdetare, Gardës Kombëtare, etj. Cdo gjë ishte prefekte dhe e organizuar mirë, ku dhe qytetarët e thjeshtë të dukeshin si profesionistë, gërshetohej tradita, puna, kultura, aftësitë, mosha. Hedhja e llotarive ishte një moment tjetër tërheqës i festimeve të kësaj dite. Dhjetra veteranë e familje ushtarakësh fituan vizita turistike falas në vende e hotele të ndryshme të SHBA. Ishte një ditë ku njerzit respektonin në heshtje të rënët, por e ngarkuar dhe me emocionet e programit që u zbatua ashtu thjesht, natyrshëm dhe pa show artificial, ashtu si dinë ti bëjnë amerikanët këto punë. Festimin e kësaj dite e sponsorizonin mjaft firma të Pittsburgut ku spikaste restoranti “Shtëpia e peshkatarit e Pittsburgh-ut”. Ishte vërtet mbresëlënës kontributi i bisnesmenëve për të nderuar të rënët por dhe veteranët që ishin gjallë. Njerzit në tavolinat e mbushur plot ndiqnin aktivitetet, bisedonin për operacionet e betejat e zhvilluara, secili kishte shumë për të treguar, flisnin direkt me ushtarët e marinarët nga Pittsburghu kudo që ndodhen ata, dërgonon pako të ndryshme, etj. Hapësira e gjelbër përrreth muzeumit, një sipërfaqe prej disa akrash tokë, i krijonte mundësinë pjesmarrësve të qëndronin me miq e fëmijë pa shtrënguar kënd. Krahas ndihmës së bisneseve dhe disa universitete të Pittsburghut ofronin bursa për fëmijët e të rënëve dhe veteranëve, ndërsa për këtë ditë vunë në dispozicion disa konvikte për veteranët e ardhur nga rrethinat e Pittsburghut. Pra, në këtë ditë krahas pjesmarrjes masive, për zhvillimin sa më normal të saj, u angazhuan e kujdesën të gjithë, jo vetëm Departamenti i cështjeve të ushtarakëve dhe veteranëve të Pensilvanisë dhe shoqatat e veteranëve apo ushtarakëve, që e kanë për detyrë. Gjithashtu shteti i Pensilvanisë në një eksponat të vecantë prezantoi një program për mundësitë e punësimit dhe edukimit të ishushtarakëve dhe veteranëve, të cilat ishin të shumta, sidomos industria e Pensilvanisë Jugperëndimore kërkonte punonjës të kualifikuar. Shteti i afronte punë sipas zanatit që dëshëronte, por dhe të kualifikon falas për këtë. Aktivitetet vazhduan deri vonë. Këto bënë që dita e kujtimit të të rënëve të merte kuptimin e saj të plotë, respekt dhe nderim për të gjithë ata që bënë aktin sublim, duke dhënë jetën për liri. Këtë e theksoi dhe presidenti Obama, i cili gjatë vizitës në memorialin e të rënëvë në Washington më 25 maj tha se “Këta qytetarë amerikanë dhanë gjithëshka kishin, as për lavdi, as për mirënjohje, por për dicka më të madhe që tejkalon veten e tyre”. Duke ndjekur me detaje programin e Memorial Day theksoj se, nga kjo mënyrë e të përkujtuarit të të rënëve për gjestin e tyre fisnik, kemi cfare të mësojmë dhe ne, si këtu në Amerikë ashtu dhe në Shqipëri. Psh.-Në organizimin e festave tona ne mund të fusim mjaft pjesë nga programi që zbatojnë amerikanët, sidomos ato për atdhedashurinë. –Nga mënyra se si janë konceptuar, oraganizuar e menaxhohen muzetë në SHBA mund të përfitojnë të gjithë specialistët, muzeologët dhe punonjësit e këtij sektori në Shqipëri, të cilët për fat i kemi me shumicë.–Mendoj se Shqiptaro-amerikanët kanë të drejtën morale dhe janë të pranueshëm për cdo festë tradicionale të SHBA, përfshi Memorial Day, anasjelltas ata duhet të ftojnë dhe amerikanët në organizmin e festave tona kombëtare, se miqësia forcohet e zhvillohet në këto aktivitete e jo thjesht nëpër takime zyrtare.-Ka ardhur momenti që të krijohet shoqata e ushtarakëve shqiptaro-amerikanë në SHBA, varet kush e mer inisiativën, pasi vetëm në New York janë mbi 200 familje ishushtarakësh shqiptarë. –Është e domosdoshme që në Shqipëri të caktohet një ditë e mirëfilltë e veteranëve, që të festohet thjesht e pa tam-tame, sic i bëjmë ne, kjo nuk e zvëndëson 5 majin, por zbut debatet pa fund të datave 28-29 nëntor. –Ndërsa në Ushtrinë Shqiptare duhet të caktohet, dita e paqeruajtësve shqiptarë, ku të evidentohet vlerat dhe kontributi i djemve tanë, pjesmarrës në misione, me të cilët po mburremi të gjithë, ata që j’a kanë bërë bam në beteja këto 20 vite, e cila gradualisht mund të kthehet dhe në festë kombëtare. Kështu sfumohet dhe roli i të paaftëve, parazitëve e militantëve që gëlojnë me shumicë në ushtrinë shqiptare.- Këto dhe të tjera do i shërbejnë më së miri forcimit të miqësisë midis dy popujve tanë, se tashmë populli shqiptar e ka kuptuar që ne kemi vetëm një partner strategjik, kjo është SHBA, se ndryshe na ha ariu, ujku, dhelpra e cakalli. Politikanët e pushtetarët tanë duhet ta dinë se të tjerët janë thjesht partnerë e aleatë.
Shefqet Kërcelli, Pittsburgh, SHBA

Filed Under: Editorial Tagged With: aleatët tanë të përjetshëm në luftën, kundër terrorizmit, Shefqet Kercelli, shqiptaret

FESTA KARAKTERISTIKE E MIDHJES, SARANDË 2015

May 8, 2015 by dgreca

Në organizimin e kësaj feste tradicionale ndihmoi dhe Ambasada e SHBA nëpërmjet USAID-it/
Nga Shefqet Kërcelli dhe Thoma Nika/
Ka hapur siparin më datën 8 maj në qytetin e Sarandës, festa më e re e qytetit, e quajtur festa e midhjes. Të pranishëm në këtë festë janë jo vetëm qytetarët sarandiotë, por dhe qytetarë nga
gjithë vendi, diaspora dhe turistë qe nuk ndërpresin së shijuari bukuritë e këtij qyteti jugor. Është viti i katërt që kjo festë grumbullon mijëra vetë në qytetin e dyzet shënjtorëve dhe ka fituar
zemrat dhe shijet kulinarike që të jep midhja për dashamirësit e saj. Tashmë festa e Midhjes përfaqëson një festë tipike të Sarandës.
Si erdhi kjo festë? Qytetarët sarandiotë e shihnin si boshllëk, që qytetit të tyre piktoresk, bregdetar, me port, turizëm e peshkim të zhvilluar ti mungonte një festë e vet, made in Saranda.
Për këtë u mor dhe shembull nga Festa e Birrës në Korçë dhe ajo e Verës në Pogradec. Me midhjen Saranda është rritur si qytet, ka 60 vjet që kultivohet e konsumohet ky frut deti, kur gjetkë as nuk njihej dhe as nuk hahej, edhe sikur t’ua falje. Argumentimin e zhvillimit të kësaj feste lokale e plotësoi dhe thënia e njohur në këto anë, që midhjen e etiketon si “Mbretëreshën e Liqenit” të Butrintit. Kjo feste i jep asaj dhe kurorën e Sarandës si mbretëreshë. Tashmë ka katër vjet, që Festa e Midhjes organizohet me këtë sllogan: “Midhja, mbretëresha e Liqenit, mbretëreshë e Sarandës”.Thelbi i kësaj Feste është që produkti i Midhjes të promovohet në qindra receta gatimi, të shijohet dhe të konsumohet në komunitet. Njëherësh kjo ka shërbyer që të promovojnë aktivitetin e tyre edhe biznesi vendas e ai i ftuar, nga brenda e jashtë vendit, si Korfuzi etj.
Kur themi midhja, ajo nuk konsumohet e vetme, por duhet të nënkuptojmë edhe promovimin e prodhimeve të verës apo të kompanive prodhuese të birrës, që janë vënë në mbështetje të Festës
së midhjes. Një bashkëshoqëruese shumë natyrale, është pjesmarja në këtë festë e Shoqatës së Prodhuesve të Vajit të Ullirit, me mbështetjen e USAID dhe Ambasadës së SHBA. Është i dyti vit që jepet kjo mbështetje, e cila i jep një tjetër dimension festës së Midhjes. Në këtë festë pjesmarrësit për herë të parë po shijojnë dhe akulloren me vaj ulliri të përgatitur nga një
kompanitë më në zë të prodhimit të vajit të ullirit në Sarandë. Sigurisht që festa e Midhjes ka mjaft partnerë nga bisnezi shqiptar, ku kompania e kulinarisë shqiptare “Neranxi”, zë vend
kryesor në panairin e Midhjes. Gjithashtu krahas biznesit në mbështetje të aktivitetit janë Shkolla e Hotelerisë dhe institucionet në varësi të Bashkisë, si: konvikti i shkollës së mesme profesionale, Qendra Polivalente. Shtëpia e Fëmijës etj, të cilët dalin në shëtitore me gatimet e tyre me shume fantazi. Edicioni i sivjetëm ka dhe disa risi që po organizohet me një cilësi të re dhe një performancë shumë më të mirë. Në festë merr pjesë dhe Master Chefi i Kulinarisë “Neranxi”, që po të gatuan direkt për pjesmarrësit. Është duke u zhvilluar një mikrokonkurs me nxënës, konceptuar si një garë se kush do të konsumojë më shpejt një sasi të caktuar midhjesh dhe për këtë juria përkatëse do shpallë fituesit. Fituesit do të marrin simbolikën e midhjes, sipas nivelit, të gdhendur në allçi apo të derdhur në bronz, me nënshkrimin e Bashkisë. Ndërkohë në këto dy ditë feste do japë shfaqje cirku “Fantastic Show”, shoqëruar me animacione të ndryshme në fytyrat e fëmijëve, ndërkohë këngëtarë të shquar shqiptarë dhe nga Greqia do japin koncert me repertorin e tyre. Festa do të zgjatë dy dytë e tri netë, me tryeza panairi në shëtitore dhe degustime të midhjes dhe pijeve më të përdorshme për të shoqëruar gatimet e saj. Pra, Saranda po përjeton tre ditë festimesh në komunitet, sipas njjë tradite tashmë 4-vjeçare. Organizatorët janë kujdesur që këtë festë ta kenë si një parathënie për Festën tjetër të çeljes zyrtare të sezonit veror dhe të gjithë bashkëqytetarëve, vizitorëve, turistëve e miqve të shumtë që janë pjesmarrës e priten të vijnë i jepet kënaqësi dhe argëtim më 8 e 9 maj 2015. Festa e Midhjes është nga eventet më të rëndësishme të këtij qyteti thotë kryetari aktual i bashkisë, zoti Stefan Çipa.“Është një nga kënaqësitë që i kam dhënë vetes në 4 vjet punë në drejtimin e Bashkisë së Sarandës, është një nga gjërat që më bën të ndjehem mirë sot, por edhe në të ardhmen, një gjetje dhe një vlerë që do të ketë vazhdimësi, pavarësisht kush do të jetë në krye të Bashkisë”- shprehet zoti Çipa.
Pas këtij eventi të rëndësishëm Festa e Midhjes do zhvendoset në kryeqytetin e Kosovës, me slloganin “Midhja-mbretëresha e Sarandës, Princesha e Prishtinës”.
Po kështu, ka plan bashkëpuni me Bashkinë e Opatisë, në Kroaci, që të cohet dhe atje kjo festë me simbolikë të veçantë. Edicioni i katërt i kësaj feste ka rëndësi të vecantë në fushën turistike, të kulinarisë por dhe atë ekonomike. Ky edicion ka impakt në hapjen e tregut europian për midhjen shqiptare, pasi eksporti qëndron i bllokuar që prej vitit 1994. Midhja shqiptare tërheq vëmendjen dhe interesimin e tregut të vendeve europiane, por rruga drejt tij ka mbetur e mbyllur për 21 vjet. Nga analizat, midhja e Butrintit del e pastër nga sëmundjet dhe nga ngarkesat mikrobike, apo nga mbetjet e tjera toksike, por pritet reagimi i strukturave të BE për zhbllokimin dhe rinisjen e eksportit. Specialistët thonë se në rajonin e Sarandës nuk ka ndonjë lloj industrie kimike, që të ketë derdhje në det apo në liqen a në lumenjtë tanë, që të shkaktojë ndotje të prodhimit dhe se ujërat tona janë të pastra, ndaj sipas tyre, kjo embargo kaq e zgjatur është kthyer në një absuditet. Edhe vendi ynë laget nga deti Adriatik e Jon, sikurse Italia e Greqia!?
Ato prodhojnë e eksportojnë midhje pa problem, nganjëherë duke mos e pasur prodhimin e midhjes kaq të shëndetshëm sa tonin, ndërkohë që ne vuajmë një lloj embargoje të heshtur. Llogaritet që, po të jepet OK nga BE, mund të jepen 40-50 mijë kv midhje drejt tregjeve europiane. Nga pamundësimi i eksportimit të midhjes, ekonomisë sonë i humbasin të paktën 40 mijë USD në vit. Kapaciteti prodhues është për 50 mijë kv, ndersa aktualisht nxirret vetëm 12-15 mijë kv. Konsumi në vend është në nivele minimalë. BE ka investuar 600 mijë euro për impiantin e përpunimit, duke ngritur impiantin e depurimit (pastrimit) të midhjes në vendin e quajtur Manastir, ndërkohë që nuk po bëhet asgjë për eksportin. Ndaj festa e midhjes merr përmasa më të mëdha se kaq, ky aset me vlere kërkon mbështetjen e institucioneve përkatëse shtetërore që prodhuesit tanë të jenë të barabartë me ata fqinj dhe ekonomia jonë të fitojë shanset e humbura.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Festa e Midhjes, Sarande 2015, Shefqet Kercelli, Thoma Nika

Ambasada e SHBA, projekt per certifikaten boterore te vajit te ullirit shqiptar

April 30, 2015 by dgreca

Projekti më i fundit i Ambasadës Amerikane do të prekë zemrat – dhe stomakun – e të gjithë Shqiptarëve: të ndihmojë që vaji i ullirit shqiptar të marrë çertifikatë botërore. Për të përkrahur këtë sipërmarrje, Ambasada po mbështet vizitën e Paul Vossen, një ekspert i njohur amerikan i ullinjve dhe vajit të ullirit nga Kalifornia, i cili do të trajnojë panelin shqiptar të degustimit që të njihet nga ndërkombëtarët, dhe si rrjedhojë, të mundësojë njohjen e vajit të ullirit shqiptar në rang botëror. Këtë javë, Z. Vossen do të vizitojë 11 prodhues të ndryshëm vaji në Tiranë, Durrës, Berat, Fier, Vlorë, dhe në disa komunitete të bregdetit jugor, për të vëzhguar teknikën e prodhimit të vajit të ullirit, si dhe për të sygjeruar mënyra për përmirësimin e prodhimit, cilësisë dhe shijes. Në 2013 Shqipëria renditej e 10-ta në botë për prodhimin e vajit të ullirit dhe Z. Vossen është duke këshilluar kultivuesit e ullinjve dhe prodhuesit e vajit se si të rrisin prodhimin e ullinjve dhe si të dallojne vajin e mirë të ullirit nga ai jo origjinal.
———————————————————————————————————
The U.S. Embassy’s latest project is one that should be close to the heart—and stomach—of all Albanians: helping Albanian olive oil achieve international certification. To help in this venture, the Embassy is supporting the visit of Paul Vossen, a leading U.S. expert on olives and olive oil from California, who will train the Albanian taste panel to become internationally recognized and therefore able to certify Albanian olive oil on an international stage. This week, Mr. Vossen is visiting 11 different olive oil processors in Tirana, Durrës, Berat, Fier, Vlorë, and in several southern coastal communities to observe local olive oil production techniques and suggest methods of improving production, quality and taste. In 2013, Albania ranked 10th globally for olive oil production and Mr. Vossen is counseling olive growers and olive oil producers on how to boost olive production and how to distinguish good olive oils from fake ones.

Filed Under: Featured Tagged With: Ambasada e SHBA, projekt per certifikaten boterore, Shefqet Kercelli, shqiptar, te vajit te ullirit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT